• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DENAZIFIKIMI SIMBAS MOSKËS: “DO TË VAZHDOJË 25 VITE, PUNË TË DETYRUESHME, HIQET EMRI I UKRAINËS

April 11, 2022 by s p

Nga CLAUDIO DEL FRATE

Çfarë nënkupton Moska për denazifikim? Jo vetëm thyerjen e plotë në fushën e betejës të kundërshtarëve ukrainas por edhe një vepër të mëtejshme “pastrimi” të gjithë aparateve shtetërorë, politikë e ushtarakë, riedukimin e popullsisë “për së paku një brez”, fshirjen e përgjithëshme të emrit Ukrainë. Burimi është përmbi çdo dyshim  sepse e llahtarshmja “road map” është botuar në siton e agjensisë “Novosti”,  të një respektimi të ngushtë putinian 

Plani I llahtarshëm e shtazëror I pastrimit është treguar në një artikull të gjatë, të nënëshkruar nga editorialisti Timofej Sergeicev, me titull “Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën”, të botuar në të njëjtat orë në të cilat bota zbulonte tmerret e masakrave mbi civilët në Busha. 

Denazifikimi është një kërkesë që Kremlini e quan të pakthyeshme, edhe se deri më sot nuk ishte shpjeguar në imtësi. “Denazifikimi është i nevojshëm sepse një pjesë e madhe e popullit – me gjasë shumica – është e zotëruar dhe e joshur nga regjimi nazist” sulmon Novosti. Pra synimi i parë është që “nazistët që kanë marrë armët duhet të shkatërrohen së shumti në fushën e betejës”. Vlen të kujtohet se Putini në më shumë se një rrethanë ka krahasuar Zelenskin dhe qeverinë e tij, ushtrinë e rregulltë të Ukrainës që kundërshton mësymjen ruse me batalionet -si Azov- që imitojnë simbologjinë naziste.

Të gjithë në të njëjtin kazan. Pra, “përveç drejtuesve, janë fajtorë edhe një pjesë e rëndësishme e masave, që janë naziste pasive, bashkëpuntore të nazizmit”.

Operacioni i pastrimit, nuk duhet të jetë vetëm fizik e ushtarak por të përfshijë edhe sferën e kulturës e të edukimit”që sendërtohet nëpërmjet shtypjes ideologjike (Shfarosje) të qëndrimeve naziste dhe një çensure të rreptë: jo vetëm në fushën politike, por edhe detyrimisht në atë të kulturës e të arsimit”. Për nënëshkruesin e artikullit kuptohet vetvetiu se “denazifikimi mund të bëhet vetëm nga fituesi”. Aspak forca paqeje ndërkombëtare, aspak OKB. Bëhet fjalë për një larje hesapesh, e gjitha brënda përmbrënda Rusisë. E siç sqarohet pak më tutje, “nuk mund të kryhet me një kompromis, mbi bazën e një formule si “NATO-jo, BE-po”.

Një synim i një përmase të tillë  nuk arrihet me sot e me nesër “Kohët e denazifikimit n’asnjë mënyrë nuk mund të jenë më të pakta se një brez”, mbasi nazifikimi i Ukrainës ka vazhduar për më shumë se tridhjetë vite, së paku duke filluar që nga 1989”. Në ç’drejtim? “Veçoria e Ukrainës bashkëkohore të nazifikuar qëndron në mungesën e karakterit e në dyvlershmërinë, që i lejojnë nazizmit të fshihet në dëshirën për “pavarësi” e për një rrugë “evropiane” (perëndimore, filoamerikane) të “zhvillimit”. Pra si duhet vazhduar? “Emri “Ukrainë” nuk mund të mbahet si tiull i çfarëdo njësie shtetërore krejtësisht të denazifikuar në një territor të liruar”, por këtu Novosti le të hapur  mundësinë që për territor të liruar të mos mendohet i gjithë Vëndi i sotëm, por vetëm pjesa e tij lindore. Do të këtheheshim kështu në shembëlltyrën e një kohe të Luftës së ftohtë, me dy Ukraina simbas modelit të dy Gjermanive. Mbetet se “në ndryshim, për shembull nga Gjeorgjia apo Vëndet balltike, Ukraina, siç ka vërtetuar historia, është e pamundur si shtet kombëtar dhe përpjekjet për të “ndërtuar një” çojnë natyrisht në nazizëm”. Pra “denazifikimi i Ukrainës është edhe de-evropianizimi i pashmangëshëmi i saj”.

Në kohë paqeje, denazifikimi duhet të shkojë gjatë disa drejtuesve: zhdukje e formacioneve të armatosura naziste…. krijim i organeve të vetëqeverisjes publike e të milicive… instalim i hapësirës informative ruse…  tërheqje e materialeve mësimore dhe ndalim i programeve edukative në të gjithë nivelet që përmbajnë udhëzime ideologjike naziste…publikim i emrave të bashkëpuntorëve të regjimit nazist, duke i përfshirë në punët e detyrueshme për rindreqjen e infrastrukturave… krijim i organizmave të përherëshme të denazifikimit për një periudhë prej 25 vitesh”. Një shpëlarje truri në rregull të plotë. 

Mbyllja përfundimtare: “Për të vënë në jetë planin e denazifikimit të Ukrainës, vetë Rusia më së fundi duhet të ndahet nga miklimet filo-evropiane e filo-perëndimore, të sendërtohet si aspirata e fundit për të nbrojtur e ruajtur vlerat e Evropës historike”. Shkurt, mesazhi nuk vlen vetëm për ukrainasit nën bomba.

“Corriere della Sera”, 4 prill 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

Rruga “Fan Noli” në Nju Jork

April 10, 2022 by s p

Albin Kurti/

Kur Fan Noli shkoi në vitin 1906 në Amerikë, u nis nga Egjipti për në ShBA. Ndoshta e ndiente se ky ishte një hap i rëndësishëm për jetën e tij, por rezultoi në një pikë kthese për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për historinë moderne të kombit shqiptar. Në fillimet e shekullit XX pesha ekonomike dhe politike e Amerikës në botë po rritej me shpejtësi dhe kjo po vihej re edhe në koloninë shqiptare në këtë shtet që po ia kalonte për nga numri kolonive shqiptarë në shtete të tjerë. Roli që Noli dhe më pas edhe Konica do të luanin në organizimin e mërgatës shqiptare në ShBA do të linte gjurmë të pashlyera, jo vetëm te komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe për fatet e kombit shqiptar. Themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i Federatës Panshqiptare Vatra, i lobimit të vazhdueshëm pranë qeverisë amerikane dhe fuqive evropiane për fatet e kombit shqiptar, mbajnë firmën e Nolit, krahas shqiptaro-amerikanëve të tjerë. Në Amerikë, Noli shkroi edhe një pjesë të mirë të veprave dhe përkthimeve të tij, në radhë të parë “Historinë e Skënderbeut” dhe studimin për Bethovenin, që pasuruan fondin atëkohë ende të pakët të historiografisë, letërsisë dhe muzikologjisë shqiptare.Përkujtimi i këtij rilindësi, njeriut të letrave dhe figure historike shumëplanëshe, me anë të emërtimit sot të një rruge në Nju Jork, është një ngjarje simbolike e përbashkuese e komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili vijon veprimtarinë e tij patriotike me të njëjtin gjallëri e përkushtim si edhe brezat e mëparshëm. Në sajë të kësaj veprimtarie mbahet gjallë e pasurohet identiteti shqiptar në ShBA, si edhe forcohet aleanca e shkëlqyeshme e kombit shqiptar me kombin amerikan. Urime shqiptaro-amerikanëve për kurorëzimin e punës së tyre për vendosjen në Nju Jork të kësaj shenje simbolike me domethënie të madhe!

Filed Under: ESSE

Grafomani publik dhe mjerë ju që e keni

April 10, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Publikisht u thotë shqiptarëve se, kanabisi do legalizohet pasi duan shqiptarët. Pastaj po publikisht u thotë po shqiptarëve se, presidenti nuk mund të zgjidhet nga populli pasi unë jam kundër kësaj ideje. Ndërkohë kërcënon po publikisht Spak-un përse nuk arreston Sali Berishën kur ai ka prova dhe se po t’ia kërkojnë prokurorët ai është gati t’ua dorëzoj ato… Ndërkaq po publikisht kërcënon të vetët se askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia dhe se përgjëgjesia është personale. Me një fjalë, kushdo rreth tij që vjedh ka përgjegjësi personale. Që dmth, qoftë ky ministër a drejtor dikasteri, qoftë ky administrator a shpërndarës fondesh, ka bërë gjithçka me kokë të vet dhe jo me atë të shefit. E gjithë kjo zigzage nuk është asgjë tjetër por absurdideti i një kryeministri të dështuar. Le t’i marrim me radhë për të kuptuar se sa mashtrues është, sa grafoman dhe mjerë shqiptarët se kush u ka rënë për pjesë. 1) Nëse duhet vërtetë që kanabisi të legalizohet, dakort, veç bë apo mbaj një referendum me votë. Jo me programe kompjuterike ku vota as nuk shihet, as nuk lexohet, as nuk tregon realitetin. Verdikti qytetar nuk del përmes pyetësoreve apo programeve këshilluese etj., midis koridoreve të qeverisë dhe qytetarit virtual, por përmes referendumit. Kjo është metoda më demokratike dhe kaq. 2) Për presidentin, këtë pozitë kushtetuese komplet të dështuar deri më sot, nga mënyra se si zgjidhet, nuk ka rëndësi nëse duan apo ajo shqiptarët. Ky zgafello është totalisht kundër. Për kanabisin gjoja po i pyet shqiptarët, për presidentin as që e merr mundimin, pasi ky është kundërt. Pra nuk rëndësi se çfarë thonë shqiptarët kur ky nuk do. Demokracia, është forca e demosit, e popullit, kësisoj ky po dëshmon se është ky, jo populli. 3) Sot kërcënon publikisht Spakun…? Dhe a e dini përse? Pavarsisht se po publikisht hiqet se është pro arrestimeve të kastës së tij, po publikisht dëshmon edhe një nervozizëm karshi prokurorëve. Duket ndonjëri prej të arrestuarve ka lëshuar gojën. Ose ka zgjedhur të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo ka domethënien se shakaxhiu i përparimit ka humbur besueshmërinë tek drejtësia që ai po reklamon si reformën e tij dhe kaq jetike për shqiptarët. 4) Po ta vini re, në këto show-t e tij publike me metoda one man rules, (një burr ivetëm qeveris)  a këto kongrese kashte, publikon emra me vulën se janë më të mirët. Kur kapen nga drejtësia, ai, nuk ka asnjë përgjegjësi. Megjithëse në politikë, përgjegjësia është totalisht e këtij lloj njëshi, pasi  është pikërisht ai që zgjedh dhe jo forumet. 5) Kur thotë publikisht se ka prova dhe se po t’ia kërkojnë prokurorët është gati t’ua japi, pra provat për kokat e krimit, bën atë gabimin trashanik të bylmezes, e gjen vet rrugën për të rënë në gropë. E thjeshtë fare, kur nuk denoncon në organet e ligjit ai, shefi i qeverisë, çfarë prisni nga një qytetar i thjeshtë. Por ai nuk e bën pasi është veprim taktik, është propogandë. Larje duarsh nga gjithçka. Me një fjalë, ky nuk mban përgjegjësi për asgjë, sikur edhe gjithë vendi të digjet, ky nuk ka asnjë përgjegjësi. Kur në fakt duhet arrestuar në vend. Thjesht për vepren penale minimale, mos kallëzimin tek organet përkatëse.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja

JA ÇFARË ËSHTË NJË DIKTATURË

April 8, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

U desh agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës për të na kujtuar se çdo të thotë një diktaturë. Për t’ i a kujtuar opinonit publik evropian e veçanërisht atij italian. Mbas shëmbjes së regjimeve komuniste dhe Bashkimit Sovjetik, tridhjetë vite më parë, kemi menduar se pak a shumë kudo – si  në kontinentin tonë ashtu edhe në Vendet kryesore të botës – ishin vendosur tashmë regjime afërsisht të ngjajshme me atë që ishte në anët tona.

Ndoshta me ndonjë dozë lirie më pak, me më pak liri shtypi ose mbledhjesh, makar me zgjedhje jo të paqortueshme si ato me të cilat jemi mësuar neve, por në përgjithësi gjithmonë regjime në të cilët mund të jetohet në siguri, ku Shteti nuk është zot në fakt i jetës së qytetarëve të tij siç ndodhte në kohët e Stalinit e të Maos. Për të përforcuar këtë ide jo pak ka ndikuar hapja e botës ish komuniste të një bindjeje marksiste-leniniste ndaj sipërmarrjeve kapitaliste, logjikave të tyre, allishverisheve të tyre: tregut, siç thuhet rëndom. Një hapje simbolizuese në fillimin e viteve 2000 nga hyrja e Kinës në Wto, Organizata botërore e tregëtisë. Ekuacioni i rremë liberalizëm ekonomik = liberalizëm politik i ka mbyllur sytë shumëve. E kështu jemi bindur se në praktikë kishte mbetur vetëm radikalizmi islamik, talebanët, ose në një drejtim tjetër, ajatollahët, duke i shtuar ndonjë tirani të errët afrikane , të përfaqësonin në botë diktaturën, mohimin e lirisë. Me kohë madje edhe përndjekja e egër e të krishterëve në Pakistan dhe moria e dhjetra ekzekutimeve kapitale nga ana e Arabisë Saudite nuk na janë dukur të denja aq sa të tërhiqnin vëmëndjen tonë. Në fakt e kemi quajtur si një gjë normale që shumë shtetarë të ndritur e më pak të ndritur të shkonin rregullisht në Riad apo në Pekin a kudo gjetiu, për të ndriçuar ato   qeveri me mendimin e tyre të lartë: natyrisht kundrejt një shpërblimi të kënaqshëm prej mijra dollarësh.

Gjatë viteve, shumë marrëdhënie politike dhe ekonomike me një seri Vëndesh kanë qënë gjithmonë e më shumë të shprehura me një farë vetësigurie. Me një harresë të dëshiruar se çfarw ishin ishin regjimet e atyre Vëndeve. Sa deputetë italianë për shembull, gjatë gjithë kësaj kohe kanë shkuar në Rusi të lumtur sepse priteshin me të gjithë vëmëndjen e duhur, por duke harruar ndonjëherë se dhomat e hoteleve kanë sy dhe veshë? Indiferentë ndaj faktit që ekzisojnë shumë mënyra për të mos shpërndarë në erë fjalët e një bisede e që nuk ka nevojë për një faturë të firmosur për të vërtetuar ekzistencën e një kontributi për çështjen? Në të njëjtën mënyrë shumë vetë kanë vazhduar qetësisht të bëjnë allishverishe me Kinën, duke u shtirur se nuk e dinin se në çdo këshill mbarështimi të cilësdo ndërmarrjeje kineze qëndron një funksionar i Partisë komuniste e që synimi kryesor i sistemit industrial t’atij Vëndi, kur lidh marrëdhënie me ndërmarrje të huaja, është zotërimi i know how teknik të tyre; duke u shtirur se  sikur nuk kuptonin se çfarë mesazhi i egër përmbahej në kërkesën e faljes në të cilën qenë të detyruar Dolce &Gabbana për të shlyer fajin e tmerrshëm të zgjedhjes së një reklame të papëlqyer për Pekinin: duke u shtirur se nuk e shihnin fatin që i rezervohej Hong kongut: një shembull i mahnitshëm i asaj se si i respektonte Perandoria e Kaltër, e kthyer në të Kuqe, zotimet ndërkombëtare të nënëshkruara prej saj.

Por një nga karakteristikat më të shëmtuara të këtyre realiteteve është që shpejt a vonë del në shesh për inat të gjithshkaje e të gjithëve. Agresioni rus i Ukrainës ka patur pikërisht këtë funksion. I ka hequr maskën shumë hipokrizive, po i detyron shumë koka të kthyera nga ana tjetër të rrotullohen e të shohin përpara. Të shohin në fytyrë  kush është Putini, se ç’është sistemi i tij i qeverimit e i vlerave. 

Sigurisht, kur bëhet fjalë për një gjë tmerrësisht serioze si lufta, është mirë të gjykojmë faktet, e të shmangim moralizimin me gishtin e drejtuar kundrejt atyre që në gjithë këtë kohë  janë treguar syleshë me fuqinë e diktaturave dhe mundësitë që ato ofrojnë. Por është e vërtetë se ky qëndrim sylesh, kjo gatishmëri për të harruar, të themi kjo indiferencë nga ana e opinionit publik perëndimor (do të thosha së pari italian) kundrejt natyrës së pushtetit  të Vëndeve si Rusia o Kina, ka favorizuar madhërisht në kryetarët e këtyre Vëndeve shfaqjen e një ndjenje të paturpësisë e të pandëshkueshmërisë, që ka të bëjë me shpërthimin e mësymjes ruse një muaj më parë.

Dijmë me siguri, për shëmbull, se pikërisht konstatimi i mungesës së Perëndimit  në një protestë  kundër sipërmarrjeve të tij agresive në Çeçeni, Gjeorgji, Siri, Krime, konstatimi se karriera e jashtzakonëshme e helmuesit të kundërshtarëve politikë, ka lënë indiferentë rrjeshtimin e simpatizantëve – lutës të tij para derës ose t’atyre që donin të bënin allishverishe me Rusinë, pikërisht nga e gjithë kjo ka ardhur duke u pjekur tek ai përçmimi më i thellë për botën tonë. Për mungesën tonë, në sytë e tij, të shtyllës kurrizore, për mungesën tonë të besimit në vlerat tona në vullnetin për t’i mbrojtur. Që këtu në një shkallë të madhe, që këtu buron vendimi i marrë lehtësisht për të shfarosur Zelenskin dhe ukrainasit. E mund të jemi të sigurtë që Xi Jinping nuk e mendon shumë ndryshe.

Do t’ishte mirë që shumë njerëz të mendoheshin dy herë para se të porosisnin një fluturim për në Moskë apo për në Pekin.

“Corriere della Sera”, 30 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

Provokimet e njëpasnjëshme të Rusisë ndaj Suedisë nuk kanë të ndalur

April 7, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU

Rusia si një shtet imperialist, me regjimin e saj diktatorial, për çdo vit cenon me avionet e saj luftarak hapësirën ajërore të Suedisë. Reagimet dhe protestat që u dërguan në adresë të regjimit rus asnjëherë nuk u shqyrtuan dhe kësisoj ato mbetën në sirtarët e harresës. Cenimi i hapësirës ajërore të këtij shteti skandinav, fatkeqësisht. u bë edhe pasi nisi pushtimin në Ukrainë. Këtë provokim të pandershëm, të pararyeshëm, të padrejtë,  por në esencë të rrezikshëm, forcat ajërore ruse e shkaktuan edhe pardje, gjë që shkaktoi  shqetësim jo vetëm të adminstratës të këtij vendi neutral, por edhe në mesin e qytetarëve. Kjo aventurë e rrezikshme “ ngacmoi” edhe durimin e armatës amerikane, e cila me avionet e saj iu afrua kufirit rus për t’i treguar qartë se me këtë politikë kërcënuese dhe frikësuese për shtetet e vogla nuk mund të vazhdohet tash dhe në të ardhmen. Ky provokim nuk është i rastësishëm ngaqë aspiratat gllabëruese të imperializmit rus kanë një adresë të saktë e kjo është ujdhësa e Gotlandit, e cila është një vend shumë i rëndësishëm gjeostrtegjik. Shi për këtë, jo vetëm avionët por edhe nëndetëset luftarake ruse shkelin hapësirën detare pranë kësaj ujëdhese sa herë që atyre u teket. Ndaj, edhe kërkesa dhe presioni i opinionit suedez për të qenë anëtare e aleancës veriatlantike është më së i arsyeshëm për shkak se ky vend skandinav nuk e ndien vetën të sigurt nga veprimet luftënxitëse të regjimit rus.

Mediat ruse për disa vjet kanë “ pikturuar” imazh negativ për Suedinë

Imazhi negativ i Suedisë, në bazë të një hulumtimi të Nyheter-24 ka treguar se është fjala për keqinformim në mediat shtetërore ruse, të cilat për disa vite ka “pikturuar” një imazh negativ për Suedinë – dhe se ky shtet në fakt dallohet sa i përket këtij imazhi krahasuar me vendet e tjera nordike. “Suedia është portretizuar qartësisht më negativisht se vendet e tjera,” tha për Nyheter24 kohë më parë Edward Deverell, profesor i asociuar i shkencave politike në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare dhe autori kryesor i një studimi që trajtonte pikërisht këtë. Propaganda ruse për Suedinë: “Vlerat qesharake” Charlotte Wagnsson, profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare, ishte gjithashtu e përfshirë në shkrimin e studimit. Ajo thotë edhe këtë në programin e mengjezit të kanalit të parë të televizionit shtetëror, për portretizimin e Suedisë në Sputnik, media pro-qeveritare ku thuhet ndër të tjera se: – “Suedia është një shtet i rrënuar: i ndarë brenda dhe jashtë në raport me vendet e tjera dhe me vlera qesharake. Një vend që ka humbur historinë e tij dhe gjithashtu nuk ka të ardhme. Por cilat janë “vlerat qesharake” që nxjerrin në pah mediat shtetërore ruse? Një shembull është përdorimi i dietave në Suedi. – Thuhej se në Suedi nuk ka më asnjë fe. Janë të paktë ata që besojnë në fe dhe më pas ju e zëvendësoni këtë nevojë, këtë dëshirë, me dieta dhe Suedia bëhet ekstremiste në pikëpamjen e saj për dietat, thotë Wagnsson në P1 Morgon.

Të shtënat e blinduara suedeze dhe armë të tjera depërtuese të blinduara kanë qenë të papritura efektive në luftën në Ukrainë. Ky efekt katastrofik i të qëlluarit me armë portative antitank më ka habitur së paku, thotë nënkoloneli Joakim Paasikivi për NRK norvegjeze. Suedia ka vendosur të dërgojë gjithsej 10,000 armë kundërtank dore të tipit armor shot 86, të quajtura edhe p-shots. Ato janë të destinuara për përdorim kundër automjeteve të blinduara lehtë, por jo tankeve të rënda. Pavarësisht kësaj, duket se armët e dorës po godasin dhe shkatërrojnë automjetet ruse të blinduara, por edhe tankët për të cilat ato nuk janë të dedikuara.

Tankët ruse janë keq të projektuara dhe po shkatërrohen lehtë nga armët suedeze

– “Goditën disa tanke ruse me armë suedeze për të cilat ne në disa raste nuk menduam se mund të shkatërronin një tank, thotë për NRK-në nënkoloneli Joakim Paasikivi, i cili është mësues i strategjisë ushtarake në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare”. Efektiviteti mund të jetë pjesërisht për shkak të faktit se ushtarët ukrainas janë të mirë në përdorimin e armëve dhe futen në pozicione të mira për t’i gjuajtur ato. Pjesërisht, mund të jetë për shkak se tanket ruse janë projektuar keq, sipas tij. –“ Municioni ruhet në kullën e topave. Goditja pranë kullës së topit shkakton zjarr me municion. Municioni shpërthen, kulla fluturon dhe ekuipazhi vdes”, thotë Paasikivi për NRK.

 Forcat e Armatosura të Norvegjisë deklarojnë se kanë dyfishuar angazhimin e tyre dhe kanë dërguar 4000 armë antitank të tipit M72, të cilat  gjithashtu përdorën me dorë, por që cilësohen si më të dobëta se plumbat suedezë të parkimit. Sipas nënkolonelit Paasikivi, lufta në Ukrainë ka treguar se grupe të vogla dhe të shkathëta në këmbë – shpesh pas linjave të armikut – mund të rrëzojnë efektivisht forca të blinduara dhe automjete të tjera. Ai sheh një të ardhme për grupet e këmbësorisë së lehtë dhe të sigurisë vendase në vendet nordike dhe se ata duhet të pajisen me dronë për zbulim. “Mbrojtja territoriale finlandeze dhe rojet e brendshme suedeze dhe norvegjeze kanë rast jashtëzakonisht të mirë për të kryer këtë lloj beteje të suksesshme”, tha ai për NRK. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT