• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

7 MARSI 1887 DITA E PARË E SHKOLLËS SHQIPE APO NJË VONESË…HISTORIKE

March 7, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Shkollë shqipe e vitit 1876 në Shkodër

Që nga viti 1960 ,me vendim të Qeverisë komuniste të asajë  kohe (me kryeminister Mehmet Shehun), 7 marsi është vendosur të shpallet dhe festohet si dita e Mesuesit ,dhe njekohesisht si data e hapjes së shkolles parë shqipe. Kjo shkollë e vonë është hapur në qytetin e Korçes  me 7 mars 1887 nga patrioti Pandeli Sotiri e tj…, ku kjo  ishte një shkollë fillore me dhjetra nxënës, dhe me bekimin e  pushtuesit otoman..1. Kushdo që ka lexuar sado pak për historinë e shkollës shqipe do t’a pyeste “vehten”, pse ne iliro-shqiptarët si popull autokton i këtyre trojeve të Europës paskemi hapur kaq vonë shkollat tona, kur jabanxhinjët sllav kanë hapur shkollat e tyre shumë më heret… 

PAK FJALË PËR “SHKOLLËN” SHQIPE NËN PUSHTIMIN OTOMAN:

Pushtuesit  450 vjeçar ottoman ishin kundër arsimit shqip (se një popull analfabet nënshtrohet e mashtrohet më lehtë, se një popull i arsimuar në gjuhen e vet amtare). Otomanët nuk lejuan për shekuj që të hapen shkolla shqipe, e veçanarsiht në zonat fushore të cilat i kontrollonin më lehtë se ato malore. Pushtuesi në disa zona (kryesisht në qytete) pranë xhamive kishte hapur ndonjë Mejtep, (shkollë fillore, apo më sakt kurse kundër “analfabetizmit”). Në këto mejtepe , pranë xhamive mësohej vetëm turqisht dhe besimi Islam. Megjithë këtë shumica e popullsisë (muslimane) nuk e kishin të mundur të mësonin as në këto “shkolla”-mejtepe, apo më vonë shkolla më të avancuara si medresetë që edhe këtu nuk mesohej asgjë shqip, por vetem turqisht. Nderkohë në zonat malore , të pakontrolluara (ose kontrolluara me vështirësi) nga pushtuesit ottoman, janë hapur shkolla të niveleve fillore e me nivele pak më të larta. Këto shkolla në të vertet janë hapur në zonat malore  ku kishte në shumicë popullsi kristiane (katolike), të cilat nuk kishin pranuar të kthehen në besimin Islam të pushtuesit turko-osman. Shkollat ishin hapur e mbaheshin nga kleri Katolik, kryesisht pranë kishave dhe objekteve të tjera të ketij besimi. Në këto shkolla edhe pse me mundësi të kufizuara, mësohej shqipja e kohës, latinisht, ketekizën (besim fetar), si dhe “histori” jete, trashigimie e zakonesh, të nevojshme për të  vijuar jetesën e në të shumtën e kohës mbijetesën.   

NJË HISTORI E VOGËL PËR DISA SHKOLLA MË TË  HERSHME SE SHKOLLA E KORÇËS..

Mendova ta filloj me  shkollën e Potgores (Malësi e Madhe) , të cilen e paraqet qartësisht  Regjistri Kadastral, 1416 -1417 , fleta 48/a , në të cilën  shkruhet se ..një copë vresht  prej një shati (rreth 500 m2 , shenim N.B.), e quajtur Stanovina  ,të cilën e mbanë shkolla e Podgorës…2. Ky shënim  na bënë  të mendojmë  se kjo shkollë ishte një institucion i vertet arsimorë, ku mësohej jo vetëm besimi (katekizmi i kishës  përendimore) , dhe teknika e kultivimit të vreshtarisë  të Potgores e rrethinave të Malesisë e më gjerë , por këtu mësohej edhe shkrim e kendim (latinisht  e shqip). Në trojet shqiptare prania e institucioneve arsimore dëshmohet që në periudhën antike e deri në kohën e principatave shqiptare në Mesjetë. Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi… si në atë të vitit 1584, në Stubëll të Kosovës.3. dhe në  shkollat e tjera shqipe të dokumentuara si shkolla në Velje të Mirditës me 1632, shkolla  e Pllanës me 1638,  shkollat  në  Troshan e Kurbin me 1639 etj.4. Në Himarë (1627), në Vuno e Palasë të Himarës (1632), në Korçë (1637), në  Bilisht (1639), në Dhërmi (1660), në Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë etj.5. Ndërsa në  Shkodër kemi shkolla  me 1698 , ku si mësues shënohen; Gjon Shqiptari , Filip Shkodrani , Dhimiter Dhermiu e tjer..6.  Por edhe më vonë, në  vitin 1836 në Shkodër shënohen 12 shkolla shqipe (tetë për djem dhe katër per vajza ), ku si mesues janë  të shënuar emrat e  Gjon Shkrumit ,Geg Kodhelit, Gjergj Benuesit , Zef  Kamësit , Dom Ejllo Radojës , Dom Pashko Babit etjerë…7. Duhet theksuar se hapja e shkollave shqipe shpesh ishte deri në nivelin  e shkollave të mesme , dhe kishin dhjetra nxënës…

SHKOLLA NË MALËSI TË MADHE !

Malesia e Madhe si treva simbol e shqiptarisë qendronte edhe në krye të luftës kundër errësirës , dhe për këtë në trojet e Malësisë ( perveç shkollës së Potgores që cilesuam më sipër) funksiononin (më vonë) edhe  disa shkolla të tjera , që u mësonin malësorve shkrim e kendim , atdhedashuri , por edhe doktrinën e qytetrimit Europerendimore. Për të “vertetuar” funksionimin e shkollave të kohës (gjatë  gjithë shekullit XVII), mendova të  cilësoi  vetëm dy letra  të Ipeshkevit  famëmadh Pjeter Bogdani , nga të cilat  “mesojmë” qënien dhe funksionimin e shkollave..:  Letra e “parë” nr.153 të dates 20.11.1671 , e cila ndër të tjera tregon per nevojat e shkolles së  Rrjollit ( qyteti i Ballezes) dhe jep mendimin per të pasur mesues  Dom Mark Xhustin. Ndersa letra e “dytë” me nr.182 e dt.29.12.1675 persërit nevojat jo vetem per shkollen e Rrjollit  (Ballezës), por edhe per shkollat e Hotit , Kastratit , Grudes e tj… , ku po t’i lexojmë keto me vemendje bindemi se kemi të bëjmë me shkolla me bazë shqipen e kohës, të cilat  kishin shpesh deri 40 nxënës ..8. Nëse diskutohet alfabeti i perdorur në keto shkolla, pergjegjia është e thjeshtë , ishte  alfabeti latin , afersisht ai alfabet që u miratua në Kongresin e Manastirit me 1908 , nën drejtimin e  kujdesin e kryetarit të komisionit të alfabetit të patriotit pendë-artë të kombit shqiptarë , At Gjergj Fishtës. Vlenë të shenohet se sipas shumë dekumenteve edhe në Kosovë shënohen shkolla shqipe (të hapura para asaj të Korçs 1887), si në Prizren, Pejë ,Gjakovë  e tjer, të hapura para vitit 1840…9. ,gjë që pasuron  historinë e arsimit shqip, edhe pse në kushtet e mbijetesës…  

Ndërkohë shkollat e hapura në fillimet e shek.XX-të e në vazhdim si në Shqipëri, dhe në Malësi të Madhe, dokumentohen pas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë nga pushtuesi shekullorë ottoman, si dhe pas luftrave mbrojtëse të viteve 1912-1913, 1915 dhe 1920 nga invazionet e shovinisteve fqinjë serbo-malazez dhe kongresit të Lushnjes 1920… Si më të hershmet (pas shpalljes së pavvarësisë në Malësi janë shkollat e hapura në vitin 1916 e vijim, si në në Bajzë , Koplik , Dedaj e tjerë , ku permenden mesuesit e parë Prekë Gjoni nga Pjetroshani, e Kolë Martin Pllumi nga Dedajt e Shkrelit), Ndersa vlen të cilësohet se patriotia e heroina nga Gruda  Tring Smajlja  në vitet 1916-1917 do të sakrifikonte tokat e pasurinë e saj , dhe do të ndihmonte hapjen e  shkollave shqipe në Grudë (Dinosh , Priften…10. Këto shkolla të hapura në trojet tona ishin rizgjim në dritën e diellit i kësaj tradite shekullore të mësimit në gjuhen shqipe , pas shekujsh errësirës turke-osmane që u mundonte të fikte çdo dritë të vertet të arsimimit në gjuhen shqipe… “Gjithsesi”, mësues e mësuese, unë çdo njërin prej jush e konsideroj një “dritë” të veçant, që me punën e perkushtimin tuaj, keni ndriçuar e ndriçoni mendjen e atyre që u jepni mësim, (nxënësve), të cilët janë shpresa dhe e ardhmja e një Shqipërie vertet demokratike dhe Europerendimore… Ndaj ju uroj gëzuar festen tuaj, ditën e 7 marsit.

REFERENCAT:

1.Zhan Klod Faveirial , Historia më e vjeter e Shqiperisë ,fq.489 – 526, Plejad 2004. 

2.Regjistri i Kadastres  e koncensioneve  (rr.Shkoder) ,1416-1417 ,fq.61, Perg.nga Akademia e shkencave te… Shqiperise ,Instituti i Historise,fq.23.Tiranë 1977.

3.Stubëll-i, fshat i Malësisë së Karadakut, që shfaqet më 1555 dhe në një defter osmano-turk, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, shkruan Isak Ahmeti, botuar në agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë”. https://www.preshevajone.com/ June 19, 2012.

4.Edwin Jacques ,SHQIPTARET…fq. 313 – 314 . botim nga fondacioni Abraham Linkoln 1995.

5.Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, “Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor,” Prishtinë, 2002.

6.Edwin Jacques ,SHQIPTARET…fq. 313 – 314 .

7.Hamdi  Bushati ,Shkodra dhe Motet Vll. II. Fq.39 – 41, Shkodër 1998

8.Pjeter Bogdani ,Letra dhe Dekumente ,Letrat:153, 182.Perg.nga O. Marquet, sh.b. “At Gjergj Fishta”, Shkodër 1997. 

9.Serge Metais ,Histori e Shqiptareve ,Nga Iliret  deri tek pavaresia  e Kosoves, sh.b. “55”, Tiranë 2006.

10.Gjekë Gjonaj; Tringë Smajlja Heroinë e Malësisë, Gazeta “ 55”, fq. fq.18, datë  31 korrik 2004. 

Malësi e Madhe 07 mars 2022.

(Ky shënim i imi me rastin e 135 vjetorit të shkollës së “parë” shqipe, nuk ka si qëllim prishjen e qjefit të atyre që gjithshka na ka lënë “trashigim” shteti komunist e kanë tabu…). 

Filed Under: ESSE

FOLEJA, LUFTA DHE PLANETI

March 6, 2022 by s p

përsiatje –

Visar Zhiti

Ngjajnë planeti dhe foleja?Ndoshta. Po, po… Qiellin e kanë të përbashkët dhe s’ka rëndësi madhësia. Një fole zogsh plot me cicërimagëzimesh është më e madhe për mua se sa një planet, sado i stërmadh qoftë, por i shkretë, pa ujë, pa një gjethe. Një pëndë vlen sa një kometë. Bombave që hedhin avionët luftarakë nga lart, duhet t’u vijë shumë turp nga foletë e zogjve, po mendoj si një fëmijë dhe fjala është pêr ata që hedhin bomba e sidomos për ata që urdhërojnë që t’i hedhin. Nuk kanë turp prej fëmijëve të tyre? A nuk u del fantazma e një fëmije të vrarë nga lufta?Si fëmijë po shikoja kësaj pasditeje foletë në degët e pemëve ende të zhveshura nga dimri. Janë fole jete, po thosha me vete. Pavarësisht historisë, revolucioneve, pakënaqësive pa kuptim apo dhe me kuptim të jetës, djallëzive dhe mënçurive të popujve, urrejtjes gjenerale, luftës që nga tani dhe dikur, këto fole zogjsh që i merr era, metaforikisht janë më të forta se të gjitha dhe e sfidojnë llahtarin planetar. Zogjtë nuk njohin kufij dhe s’u duhen pasaporta, thashë me vete si një fëmijë. As presidentë. Foletë e njeriut, për çudi, qytete apo vende ndodh që për një çast të bëhen gërmadhë me urdhër të një presidenti, që sigurisht është çmendur. Një shtet, që para ca kohe ka qenë vetë i shkatërruar nga një luftë e madhe, që e quajnë patriotike, por që ishte thjeshtë e çmendur, tani shkon t’i bëjë një vendi tjetër po atë hata, me po atë delir dhe çmenduri.Zogjtë nuk çmenden dhe as kuptojnë kryq të thyer apo yll të kuq, madje as emblemat me zogj e shpendë me dy kokë e me tigra e gomerë, etj, gryka e tankut mund t’u duket si zgavër e përshtatêshme për të bërë një fole, sa tmerr që vjellin zjarr!Si fëmijë shikoj foletë lart, po që ngjajnë si zemra të errta a si planete të largët? Krahasime mund të gjenden plot. Po i fotografoja. Puna është të mësojmë nga kujtesa e folesë së zogjve ashtu si foletë e njerëzve. Janë si planete. Janë vetë planete të universit më të bukur dhe më me kuptim, të dashurisë njerëzore dhe kërshërisë së pafund të njeriut. Që dhe një i vetëm është një univers. Mallkim planetar kur ka që guxojnë të shkatërrojnë e të vrasin jetëndhe mjedisin. Ata kurrë nuk do të kenë parë një fole mes degëve nëpër erëra, nuk do të kenë dëgjuar ndonjë zë fëmije të kërkojë një zog për ta marrë ndër duart plot paqe, nuk kujtohen që ata që nisin luftrat, e pësojnë po prej tyre, ja, hitleri u dogj, musolinin e varën, dhe çausheskun e vranë, po stalinin me statujat e tij që u shkulën nga kudo, edhe enverin etj, millosheviçit i pushoi zemra në gjyqin e Hagë, kujtova nga më të fundit, që i njohëm vetë, por edhe putini, ndjekësi i tyre qorr, ka për të humbur një ditë, së shpejti. Tani edhe fëmijët e dinë që në hapësirën pafund plot me yje jemi së bashku në një planet që edhe mund ta shkatërrojmë, jo ne, por të tjerë si ne dhe kundër nesh. Porosinë më të vlefshme për luftën sot na i jep ai fëmija që në zinxhirët e një tanku po derdh ujët e hollë,zhurmëritës si cicërimë zogu. Të mos harrojmë, se fillon te foleja dhe aty mbaron…Visar Zhiti

Filed Under: ESSE

ANEKSIMI ILEGAL I KRIMESË NGA RUSIA – VITI 2016

March 5, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli

Gadishulli i Krimesë, i cili me bukuritë historike dhe natyrore të veta konsiderohet parajsë turistike, sot është bërë bazë ushtarake ruse, ndërsa njerëzit e këtij rajoni, ekonomia e të cilit varet plotësisht nga Rusia, janë bërë të varfër.    

Kanë kaluar gjashtë vjet nga aneksimi ilegal i Republikës Autonome Ukrainase të Krimesë, të vendosur në bregun e epërm të Detit të Zi. 

Gjatë historisë, gadishulli i Krimesë ka qenë një prej qëllimeve strategjike të Rusisë, ndërsa tartarët e Krimesë që jetojnë në këtë rajon, gjatë historisë kanë qenë të ekspozuar trysnive ruse. 

Gjatë historisë, atdheun e tartarëve të Krimesë, rusët e kanë aneksuar dy herë. Në të dyja herët numri i popullsisë, përkatësisht i tartarëve në këtë rajon, është pakësuar.  

  Tartarët e Krimesë kanë qenë të ekspozuar egzileve dhe migrimeve të dhunshme për shkak të trysnive të kryera gjatë kohës së perandoreshës së Rusisë Katerinës II, pastaj të liderit të Bashkimit Sovjetik, diktatorit Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin (1879-1953) dhe të kryetarit të përtashëm të Rusisë, tiranit Vlladimir Putin.

Aneksimi i parë në periudhën e Rusisë cariste – Gadishullin e Krimesë, Rusia e ka konsideruar si një copë toke të cilën duhej ta merrnin, për të marrë kontrollin mbi Detin e Zi dhe për të ndërtuar bazë ushtarake kundër shtetit osman të asaj kohe.   

  Për herë të parë rusët e aneksuan kanatin (rajonin) e Krimesë, në vitin 1783. Rusia shkaktoi jostabilitet duke u përzier nga jashtë në politikën e brendshme të Krimesë. Pasi e aneksoi gadishullin, Katerina II lëshoi një deklaratë. Në dokumentin e sipërthënë u theksuan “imperativët” e Rusisë, përkatësisht domosdoshmëria e Rusisë për aneksimin e Krimesë, me arsyetime irracionale siç janë “paaftësia e tartarëve të Krimesë për të jetuar të pavarur” dhe “lidhja me shtetin osman”.  Pas aneksimit, Perandoria Ruse menjëherë e asgjësoi kanatin e Krimesë. Rusët ndoqën politikën e dëbimit të turqve të Krimesë nga rajoni, përkatësisht politikën e rusifikimit të Krimesë.  

Shënim: Kanat – në gjuhën mongole: rajon ose shtet që e administron kani.

*   *   *

Më vonë, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), me vendimin të nënshkruar më 19 shkurt 1954, Krimenë ia dorëzoi Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës.

Sipas disa historianëve, Krimeja i është dhënë Ukrainës për shkak të “afrisë ekonomike dhe rajonale të Krimesë dhe Ukrainës dhe lidhjeve jetësore dhe kulturore të ngjashme”.

  “Republika autonome” e dalë nga referendumi – Me referendumin të mbajtur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, gadishulli i Krimesë edhe më tutje mbeti si “republikë autonome” e Ukrainës.

ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Rusia, me Memorandumin e Budapestit, të nënshkruar në vitin 1994, e njohën tërësinë e tokave (integritetin territorial) të Ukrainës. 

    Por, në vitin 2014, historia përsëritet. Përkundër memorandumit të Budapestit të  nënshkruar nga Federata Ruse, ajo përsëri filloi të ndjekë politikën e aneksimit të Krimesë.  Populli i Ukrainës doli në rrugë dhe në sheshe për të treguar se dëshironte t’i afrohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe jo Rusisë. Kryetari i Ukrainës, me orientim prorus, Viktor Janukoviç, u largua nga vendi.

Rusia e shfrytëzoi situatën e krijuar në Ukrainë dhe i aktivizoi trupat paraushtarake proruse. Këto trupa, bashkë me ushtarët rusë në Sevastopol, i dërgoi në gadishullin e Krimesë, edhe pse kjo ishte një veprim ilegal. Ithtarët e Rusisë që u futën në Kuvendin e Krimesë, kërkuan vendim për referendum për shpalljen e pavarësisë së Krimesë. Atëherë, njësitë e armatosura të forcave speciale ruse të cilët nuk kishin në vete kurrfarë emblemash, të njohur si “njerëz të gjelbër”, morën kontrollin ndaj Kuvendit dhe institucioneve qeveritare të Krimesë. 

Kuvendi i Republikës Autonome të Krimesë, që u tubua më 6 mars 2014 nën hijen e “njerëzve të gjelbër” të armatosur, vendosi të mbajë referendum për ta lidhur Krimenë me Rusinë.

Referendumi i organizuar nën trysni dhe kanosje – Pyetja e referendumit ishte: “A duhet Krimeja të mbetet pjesë e Ukrainës apo të lidhet me Rusinë”. Ndaj vendimit të Kuvendit për mbajtjen e referendumit, reaguan organizatat ndërkombëtare dhe shumë shtete, me paralajmërimin se referendumi nuk do të jetë legjitim. 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së), disa herë thirri mbledhje, por për shkak të së drejtë së vetos të Rusisë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk u nxor kurrfarë vendimi.  

Në gadishullin, tanimë nën kontrollin e “njerëzve të gjelbër”, u shtua trysnia mbi ukrainasit dhe mbi tartarët e Krimesë. Popullsia lokale që nuk e donte pushtetin rus, u deportua apo u dëbua nga rajoni. Në të ashtuquajturin referendum të mbajtur më 16 mars 2014, të kundërshtuar nga ukrainasit dhe nga tartarët, u mor vendimi që Krimeja të lidhet me Rusinë.

Kryetari i Rusisë, diktatori Vlladimir Putin, në ceremoninë e mbajtur më 21 mars 2014 në pallatin Kreml, nënshkroi ligjin dhe e miratoi aneksimin ilegal të gadishullit. Sipas këtij farë ligji “Krimeja dhe Sevastopoli do të jenë të lidhura me Rusinë dhe me krijimin e rajoneve federative të reja”. 

Bota nuk e njohu aneksimin – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi projektligjin i cili aneksimin e Krimesë nga Rusia e konsideronte të paligjshëm. Kryetari i Turqisë Rexhep Taip Erdogan porositi në atë kohë se “Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë”, duke e përsëritur këtë disa herë.  

Shënim: Që atëherë, me tiranin dhe diktatorin Vlladimir Putin, kryetari i Serbisë, krimineli Aleksandar Vuçiq, është takuar 19 (nëntëmbëdhjetë herë). Me Putinin janë takuar shpesh edhe shtetarë të Perëndimit, si ish-kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, e të tjerë. Me Putinin është takuar shumë herë, duke qenë i afërt me të, edhe kryetari i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.   

*   *   *

Në territorin e Krimesë sot, të kontrolluar ilegalisht nga Rusia, popullsia jeton me probleme të mëdha, si materiale ashtu edhe shpirtërore. Në një anë tartarët e Krimesë, myslimanë, në pikëpamje të fesë u janë nënshtruar trysnive të mëdha, njësoj si ujgurët në Kinë. Në anën tjetër, popullsia e Krimesë ballafaqohet me probleme serioze në lëmin e ekonomisë.  

Gadishulli i Krimesë që me bukuritë e veta historike dhe natyrore konsiderohet parajsë turistike, sot është shndërruar në bazë ushtarake të Rusisë. Njerëzit e këtij rajoni i cili kryekëput varet nga Rusia, janë varfëruar.

Në kuadër të politikës së rusifikimit të plotë të rajonit të Krimesë, pjesëtarët rusë të shërbimeve të sigurisë, kryejnë racione nëpër shtëpi, nëpër xhami dhe në shkollat e tartarëve të gadishullit të Krimesë.      

   Gjashtë vjet pas aneksimit ilegal të Krimesë, tartarët të cilët për arsye nga më të ndryshmet iu kundërvunë aneksimit dhe shtypjes nga Rusia, ose janë zhdukur pa gjurmë, ose janë burgosur.  

 Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

O bella ciao ose magjia e një kënge

March 4, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Duke parë luftimet në Ukrainë diku në sfond me “majën’ e veshit kapa tingujt e këngës “ O bella ciao.” Është një këngë e famshme popullore, e lindur në periudhën e rezistencës italiane gjatë pushtimit. Duke e dëgjuar e stërdëgjuar më lind gjithmonë pyetja: A është kjo një këngë dashurie, këngë e rezistencës për mbrojtjen e atdheut, këngë kundër luftës, këngë malli …? Kënga dëgjohet dhe interpretohet pothuaj në të gjitha gjuhët e botës në variante nga më të ndryshmet por që kanë diçka të përbashkët: sa herë  këndohet nëpër koncerte apo vende argëtimi ngjall një  energji dhe dëshirë të madhe për jetën. Edhe kur fjalët nuk i kupton, çuditërisht të pushton e të mban pezull deri në fund. Po ç’është kjo këgë që në përmbajtjen e saj është tepër e trishtueshme sepse flet për vdekjen e ushtarit në luftë por te njerëzit ngjall ndjenjën e optimizmit dhe dëshirën për të vallëzuar? Poezia që nuk i kalon të dymbëdhjetë vargjet, pa refrenin, është nga ato që nuk harrohen kurrë sapo e dëgjon. Kur kjo lloj poezie drithëruese, që shpreh dëshirë të pakufishme për jetën, për vendin tënd, për dashurinë, për vajzën e bukur diku atje larg që të pret, shoqërohet me një vijë melodike, po aq të thjeshtë, atëherë lind një këngë, që pushton gjithë botën. Përmbajtja është e shkurtër: Një djalë zgjohet në mëngjes dhe gjen vendin të pushtuar nga ushtarët e huaj. Ai është i dashuruar marrëzisht me një bukuroshe, që gjatë gjithë këngës, pas çdo vargu e thërret me emrin “Bella” dhe ne nuk e mësojmë deri në fund emrin e saj. Nuk ka fjalë të tjera në këngë, që t’i  drejtohen të dashurës së tij, veç refrenit me një domethënie mahnitëse: O bella ciao, që shqipërohet me disa kuptime. Në anglisht është përkthyer “Goodbye my beautiful.”  Nuk gjen aty thirrma, betime, qarje, mburrje , të përsëritura deri në pafundësi si: Do të kthehem me lirinë; Po vdiqa mos qaj për mua; Para teje dua atdheun, Atdheu mbi të gjitha, ose thënien e poetit të madh hungarez Sandor Petëf: Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap dashurinë. Jo nuk ka të tilla. Ama në veshin e një dëgjuesi të vëmendshëm këto postulate për atdheun nënkuptohen. ndjehen dhe bëhen një me shpirtin e dëgjuesit. Kënga fillon fare lehtë, gati si një recitim i zakonshëm,  shoqëruar shpesh nga një fizarmonikë,  ku fjalët, transmentojnë diçka që nuk mund të mos e përfillësh. Una mattina, mi son’ svegliato,/ O bella ciao, bella ciao, bella ciao, ciao, ciao / E ho trovato invasor. Një mëngjes djali ngrihet nga gjumi dhe gjen atdheun të pushtuar. Vargjet janë me pikatore, veç refrenit të bukur, o bella ciao, që duket sikur përsritet pafundësisht, dhe të parapërgatit se diçka e madhe do të ndodhë.  Katër vargjet e tjera japin jo luftën por kobin, që ajo sjell: O partigiano/Porta mi via/ Che mi sento di morir. Tashmë djali partizan i plagosur për vdekje i lutet shokut të vet  ta varrosë ( E’ se io muoio da partigiano/ Tu mi deve sepellir) por e ka dhe një amanet. Mendja të shkon te e dashura apo nëna e vet, me foton e tij që e puth çdo ditë, por këtu poezia thyhet dhe del nga tradicionalja. Amaneti i tij është të varroset në malet ku ai ka luftuar dhe mundësisht ( Mi seppellire lassu’ in montagna/ Sotto l’ombra di un bel’ fiore) nën hijen e ndonjë luleje (peme) të bukur. Mesazhi është si ato bubullimat që paralajmërojnë stuhinë në shkretëtirat, ku nuk mbahet mend se kur ka rënë shiu i fundit: Jeta është e bukur, unë po vdes për një çështje të madhe, siç është liria. Ju të tjerë gëzoheni atë! Katër vargjet e fundit mbyllin këngën e famshme: Kur njerëzit të kalojnë andej nga varri i tij, atje në malet e larta do të shprehen të habitur: Oh ç’lule të bukura! Pastaj duke u larguar me të dashurën, motrën, gruan, fëmijët apo këdo tjetër të kujtohen (këtu plotësohet amaneti)  e të thonë: Kjo është lulja e partizanit që dha jetën për lirinë. Tutta le genti, che passeranno/Mi diranno: che bel’ fior’/E’ questo il fiore del partigiano/ Morto per la liberta’. 

 Lufta kundër pushtuesit është një luftë e drejtë, është një luftë për të qenë i lirë, por kërkon sakrifica e jo rrallë lumenjë gjaku. Është një histori e dhimbshme kjo këngë, që përfundon tragjikisht. Por si shpjegohet që kur e njerëzit e dëgjojnë në mbarë botën këndojnë, kërcejnë e ndihen plot gjallëri? Jo çdo poezi e këngë mund të shpjegohet. Ka nga ato që të hyjnë në shpirt  dhe kaq mjafton. Kur e pyeta mikun tim shkrimtar L. S. që si shpjegohet energjia dhe hareja që të ngjall kjo këngë, kur teksti është aq i trishtueshëm, ai vuri gishtin tregues në tëmth, u mendua pak e u përgjigjgj: S’e di. Pastaj ngriti kokën, më pa në sy dhe shqiptuam  të dy në të njejtën kohë: Është magji.  Ndoshta magjia vjen edhe prej fjales “Ciao” që në shqip përkthehet: Mirëupafshim; Lamtumirë; Tungjatëjeta; Mirë se të (ju) gjej etj. Nëse prapa secilës prej këtyre përshëndetjeve vendosim fjalën “ bukuroshe” dalin katër kuptime të ndryshme dhe këto përbëjnë magji? Kush e di…? 

Filed Under: ESSE

MJER’ KUSH “HARRON”

March 3, 2022 by s p

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Mjer ata Popuj fatzezë që harrojnë të kaluemen e vet nen komunizem! 

Nuk asht aspak e largët që nder ata shtete historia prap do të persëritet! 

Komunizmi asht provue se asht: “Nana e të gjitha të zezave!”. 

Populli Shqiptar ishte një laborator hermetik mu në qender të Europës ku eksperimentohej çdo “mendsi” e çmendi e kësaj teorije të shëmtueme antinjerzore, ku qenja mbi të cilën bahej prova ishte “një shifer”. Por kurr, i quejtun kjoftë as formalisht “njeri”! Mbas vendimëve të Jaltës, ku Ruzvelti ndau zonat e influencës në Botë me “të dashurin shoku” Stalin dhe “vezhgues” Çiurçillin, sistemi i qeverisjes së komunizmit u shpernda në Evropë në tre tipare të përaferta, por kurr të barabarta. 

Lindja Europjane komuniste stalinjane deri në vitin 1953, ka provue terrorin dhe diktaturën stalinjane. Veprat e tij barbare i treguene mbarë Europës dhe Botës së mbas Luftës së Dytë Botnore me fakte, dokumenta dhe prova që, janë ma të pakundershtueshmet se, “komunizmi asht një sistem diktatorial, vrastar, kriminal, barbar dhe i pashoq në Botë!”

Terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti diktatorial mbi popullin e pambrojtun Shqiptar dhe të merthyem mbrenda “perdes së hekurt”, arrijti me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shihte një dorë naltë, të gjakosun me drapen e çekan të shtërngueme fort mbi koken e tij e, që ishte dora e diktatorit që mbjellë frikë, terror, pasiguri, dhe kërcnim tue ua shpërba edhe pamjen si njerëz, pikrisht njënit prej popujve ma të vjetër të Globit toksor: Popullit Shqiptar.

Kjo farë e keqe komuniste zhvillohej në vëndet ma të pazhvillueme, sëpse aty gjenë terrenin e vet me mashtrue me parullen ma të njohun por, edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabet i siguron me hy në vathën e tij me “reformen agrare”, që asht praku i kapercyllit për në kooperativën apo “kolkozin” e fshatarit masakruem rus. Kështu, pergatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe fallse të “popullit” krejt kastën shtetnore të ashtuquejtun “borgjeze”, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër shumë të kulturuem dhe përparimtar të përgatitun në Europen Perëndimore dhe, tue e zëvendsue ate me kastën e “re” të paditun dhe të pa kurrfarë tradite për me krijue, organizue dhe me vue themelin e një shteti të zhvilluem Europjan. Baza kulturore e tij ishin çerdhet sllave ku komunizmi ishte instalue me kohë nga Rusia. 

Fillimi i gjyqeve të mëshefta dhe barbarizmat ndër hetuesi, janë mjeti me të cilat shteti arrinë që mija e mija njerëz me të njajtat vlera, përfundojnë viktima të Sigurimit të shtetit. Kështu, në mënyrë të vetdijshme pranojnë humbjen e Lirisë, si një “dhuratë” për këdo që do me jetue, tue pranue si të ligjëshme edhe dhunimin e shkeljen e të drejtave dhe Lirive të njeriut, “të mbrojtuna” vetëm në letra nga shumë institucione ndërkombëtare. 

E gjithë kjo “betejë” që ka vetëm një qellim: “Marrjen e Pushtetit me dhunë” dhe qeverisjen e gjithë popullit nga një dorë barbare marksiste – leniniste e terroriste, që u realizue në Shqipni me kriminelin anadollak Ever Hoxha, ka pasë një mbështetje të fuqishme.  

Ajo mbështetje shumë e organizueme ishte në Sigurimin e Shtetit dhe metastazat e tij në çdo skutë të vendit me kujdes nga Jugosllavia titiste.

Në vitin 1941, jugosllavët antishqiptarë i vune gishtin diktatorit tonë ma vrastar të Popullit të vet n’ Europë, dhe ky ishte tirani Ever Hoxha, edhe sot i ngordhun, ideolog e drejtues i shtetit nga nentoka e Tiranës së kuqe.

Everi ishte “dija e pafund” e krimit! Edhe njerzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën atij tiran barbar janë ba të “dijshëm, të mendshëm, të mprehtë dhe të djallzuem e vrastarë mbasi janë takue me té”. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësimi ashtu si e “pelqente” ai, dhe të nesermen ti duhet të veprojshe si “thonte partia”, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të kushtonte shtrenjtë. Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, po duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh, edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat tua për të ardhmen tande, mbasi vetëm ata shkarravina antinjerzore ishin “udhërrëfyese” për secilin Shqiptar. Fotografia e tij ishte në krye të vendit! Kudo, nder zyre, rrugë kryesore, shkolla e edhe në mjaft shtëpija, jo vetëm komunistësh por edhe njerzish të thjeshtë, që tue pa surratin e tij, i dukej krimi vrastar ma “njerzorë”! 

Në Shqipni statujat e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit! Ai ishte “drita” që shpërndanë, “mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe e fjalës së tij” që ishin absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, pra duhet nënkuptue të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”. Ai knaqej me gjakun e freskët dhe të perditshëm të intelektualve tanë ose, ma mirë me thanë: “Me gjak të komunizmit real totalitar stalinjano – enverjan”! Dishroni ti hiqni masken komunizmit në Shqipni?! Mos hezitoni!

Populli Shqiptar sundohej nga Ever Hoxha nëpërmjet të dhunës që ushtrohej nga institucioni ma i paligjshëm i tij Sigurimi i shtetit komunist, vetëm mbi një parim friksimi, kërcënimi dhe shtypje të pashoqe, sëpse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural” të vitit 1967 në qytetin Martir të Shkodres, një qytet i vertetë “Muze” i Europës shpartallueme nga komunizmi.

Popujt e qytetnuem duhet ti heqin pa hezitue tiranisë komunizmit masken! Në librin tim “Një Monument nën dhé”, unë kam shkrue: “Sigurimi i shtetit  vëpronte kështu se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit përmish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovenistët sllavo – aziatikë. Torturat mizore të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj në këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë”, edhe pse nuk kanë njëpikë gjak shqiptari! Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye përtokë dhe mandej, qetësohej e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në gjakun e pastër të prehës së tij.” Aty do të gjeni të shkrueme se komunizmi asht një mbretni errësine, ku çdo dritë apo shkëndi e saj shuhet me dhunë! Kjoftë edhe nen dhe: Shkëlqen deri në marramandje vetëm një pallat, ai asht “pallati i diktatorit”. Komunizmi asht vetëm një propagandë fund e maje vetëm rrena apo gënjeshtra mashtruese. Veni emnin ju si ta doni! Komunizmi asht sistemi i sundimit ma përbindsh i Shek. XX, po edhe shumë i pelqyeshem per trashigimtarët e tyne në Shek. XXI. 

Ata që kerkojnë “rilindjen” e tij janë vazhduesit e veprave kriminale të tij, ata janë të pangopunit me Gjak të Shqiptarve të pafaj dhe Atdhetarë, ata janë terroristët ma barbar e robnuesit ma tiran t’ Atdheut të Shekullit XX dhe XXI. Metodat që sot po aplikohet nga Edi Rama. I etshem deri në idjotsi per diktaturë, plantacione droge dhe pasunim të pamerituem miljoneri. Në këte organ të shemtuem grumbullohen të gjithë ata që nuk kanë asnjë tipar të dukshëm ose të mbrendshëm të njeriut. 

Brajan Capmen thotë: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbjellët përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Rilexoni edhe njëherë këte citat e keni me kuptue se, cila kje arësyeja që Ever Hoxha, me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës, vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, dhe e mbajti 47 vjet nën diktaturë barbare e tirani robnuese komuniste?

Tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit dhe torturuesit apo organet e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne spijunve, të gjithë të lindun, të rritun e edukue në kurset e analfabetizmit nga “shkolla e re socialiste” e kudondodhun.

Duheshin sa ma shumë kampe pune dhe shfarosje, të interrnuem dhe ushtarë për me sigurue me punën e tyne të pashpërblyeme fitimet përrallore si, dhe garancinë e sotme per ata kapitale ndër banka.

Ja dhe reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë.” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparët e Tij shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shembë Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon’ e traditë mijravjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste, parime të cilat sot synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare. 

Ja Populli Shqiptar i njohtun në Evropë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së të Drejtave Njerzore : Të Madhin Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë, “në mes të Evropës”, por jashta Saj!

E shka i ka mbetë Shqiptarit me u krenue se: “Jam Shqiptar”?!

Nëse, Presidenti i Madh Havel foli në vitin 1999 në Tiranë, para pallatit të Kryeministrisë për komunistët çek të konvertuem, dhe rrezikun që i sjellin ata demokracisë, ashtu asht si thonte Ai, por kur bahët fjalë për komunistët tanë shqiptarë, ata nuk do të konvertohën kurr, sëpse “ata janë të konservuem me edukaten e veset Everit e të ‘Ballkanit hapur”! 

Fitoret e atjeshme janë të lidhuna per kater kambët e karrigës e portofol. 

Perderisa nuk preken as tituj as dekorata të tiranit dhe diktatorit Ever Hoxha si dhe të bashkpuntorve të tij, tue fillue nga Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia, pa e perjashtue asnjenin, ata të gjithë që heshtin vazhdojnë me kenë komunista dhe, me pasë mundësitë me veprue,  edhe sot do të provoni thanjen time se: “Rilindja komuniste” asht vetvrasje kombtare!

Në se kerkoni dhe prova tjera, sot ma shumë se kurr keni “vllezërit tuaj të gjakut komunist rus” që provojnë me fakte çdo fjalë të shkrueme këtu: 

Janë Herojt’ e Ukrahinës Trime që sot po vdesin per Liri e Pamvarsi!

Melbourne, 2 Mars 2022.                         

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 187
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT