
Gezim Zilja/
Duke parë luftimet në Ukrainë diku në sfond me “majën’ e veshit kapa tingujt e këngës “ O bella ciao.” Është një këngë e famshme popullore, e lindur në periudhën e rezistencës italiane gjatë pushtimit. Duke e dëgjuar e stërdëgjuar më lind gjithmonë pyetja: A është kjo një këngë dashurie, këngë e rezistencës për mbrojtjen e atdheut, këngë kundër luftës, këngë malli …? Kënga dëgjohet dhe interpretohet pothuaj në të gjitha gjuhët e botës në variante nga më të ndryshmet por që kanë diçka të përbashkët: sa herë këndohet nëpër koncerte apo vende argëtimi ngjall një energji dhe dëshirë të madhe për jetën. Edhe kur fjalët nuk i kupton, çuditërisht të pushton e të mban pezull deri në fund. Po ç’është kjo këgë që në përmbajtjen e saj është tepër e trishtueshme sepse flet për vdekjen e ushtarit në luftë por te njerëzit ngjall ndjenjën e optimizmit dhe dëshirën për të vallëzuar? Poezia që nuk i kalon të dymbëdhjetë vargjet, pa refrenin, është nga ato që nuk harrohen kurrë sapo e dëgjon. Kur kjo lloj poezie drithëruese, që shpreh dëshirë të pakufishme për jetën, për vendin tënd, për dashurinë, për vajzën e bukur diku atje larg që të pret, shoqërohet me një vijë melodike, po aq të thjeshtë, atëherë lind një këngë, që pushton gjithë botën. Përmbajtja është e shkurtër: Një djalë zgjohet në mëngjes dhe gjen vendin të pushtuar nga ushtarët e huaj. Ai është i dashuruar marrëzisht me një bukuroshe, që gjatë gjithë këngës, pas çdo vargu e thërret me emrin “Bella” dhe ne nuk e mësojmë deri në fund emrin e saj. Nuk ka fjalë të tjera në këngë, që t’i drejtohen të dashurës së tij, veç refrenit me një domethënie mahnitëse: O bella ciao, që shqipërohet me disa kuptime. Në anglisht është përkthyer “Goodbye my beautiful.” Nuk gjen aty thirrma, betime, qarje, mburrje , të përsëritura deri në pafundësi si: Do të kthehem me lirinë; Po vdiqa mos qaj për mua; Para teje dua atdheun, Atdheu mbi të gjitha, ose thënien e poetit të madh hungarez Sandor Petëf: Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap dashurinë. Jo nuk ka të tilla. Ama në veshin e një dëgjuesi të vëmendshëm këto postulate për atdheun nënkuptohen. ndjehen dhe bëhen një me shpirtin e dëgjuesit. Kënga fillon fare lehtë, gati si një recitim i zakonshëm, shoqëruar shpesh nga një fizarmonikë, ku fjalët, transmentojnë diçka që nuk mund të mos e përfillësh. Una mattina, mi son’ svegliato,/ O bella ciao, bella ciao, bella ciao, ciao, ciao / E ho trovato invasor. Një mëngjes djali ngrihet nga gjumi dhe gjen atdheun të pushtuar. Vargjet janë me pikatore, veç refrenit të bukur, o bella ciao, që duket sikur përsritet pafundësisht, dhe të parapërgatit se diçka e madhe do të ndodhë. Katër vargjet e tjera japin jo luftën por kobin, që ajo sjell: O partigiano/Porta mi via/ Che mi sento di morir. Tashmë djali partizan i plagosur për vdekje i lutet shokut të vet ta varrosë ( E’ se io muoio da partigiano/ Tu mi deve sepellir) por e ka dhe një amanet. Mendja të shkon te e dashura apo nëna e vet, me foton e tij që e puth çdo ditë, por këtu poezia thyhet dhe del nga tradicionalja. Amaneti i tij është të varroset në malet ku ai ka luftuar dhe mundësisht ( Mi seppellire lassu’ in montagna/ Sotto l’ombra di un bel’ fiore) nën hijen e ndonjë luleje (peme) të bukur. Mesazhi është si ato bubullimat që paralajmërojnë stuhinë në shkretëtirat, ku nuk mbahet mend se kur ka rënë shiu i fundit: Jeta është e bukur, unë po vdes për një çështje të madhe, siç është liria. Ju të tjerë gëzoheni atë! Katër vargjet e fundit mbyllin këngën e famshme: Kur njerëzit të kalojnë andej nga varri i tij, atje në malet e larta do të shprehen të habitur: Oh ç’lule të bukura! Pastaj duke u larguar me të dashurën, motrën, gruan, fëmijët apo këdo tjetër të kujtohen (këtu plotësohet amaneti) e të thonë: Kjo është lulja e partizanit që dha jetën për lirinë. Tutta le genti, che passeranno/Mi diranno: che bel’ fior’/E’ questo il fiore del partigiano/ Morto per la liberta’.
Lufta kundër pushtuesit është një luftë e drejtë, është një luftë për të qenë i lirë, por kërkon sakrifica e jo rrallë lumenjë gjaku. Është një histori e dhimbshme kjo këngë, që përfundon tragjikisht. Por si shpjegohet që kur e njerëzit e dëgjojnë në mbarë botën këndojnë, kërcejnë e ndihen plot gjallëri? Jo çdo poezi e këngë mund të shpjegohet. Ka nga ato që të hyjnë në shpirt dhe kaq mjafton. Kur e pyeta mikun tim shkrimtar L. S. që si shpjegohet energjia dhe hareja që të ngjall kjo këngë, kur teksti është aq i trishtueshëm, ai vuri gishtin tregues në tëmth, u mendua pak e u përgjigjgj: S’e di. Pastaj ngriti kokën, më pa në sy dhe shqiptuam të dy në të njejtën kohë: Është magji. Ndoshta magjia vjen edhe prej fjales “Ciao” që në shqip përkthehet: Mirëupafshim; Lamtumirë; Tungjatëjeta; Mirë se të (ju) gjej etj. Nëse prapa secilës prej këtyre përshëndetjeve vendosim fjalën “ bukuroshe” dalin katër kuptime të ndryshme dhe këto përbëjnë magji? Kush e di…?