• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

30 shtatori – dita botërore e përkthimit

September 30, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

“Pa përkthimin do të jetonim në troje që i kufizon heshtja”

Kjo shprehje lapidar i shkon më së miri për shtat, sot Ditës Botërore e Përkthimit, një ditë e cila na kujton aftësinë e jashtëzakonshme të gjuhës për të udhëtuar nga një kulturë në tjetrën, nga njëri vend në tjetrin, duke zhdukur kufijtë, duke na ushqyer shpirtërisht e duke përsosur njerëzimin.

Në këtë ditë kujtojmë me nderim gjithë atë plejadë përkthyesish të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, emancipuan e kulturuan popullin shqiptar, duke dëshmuar njëkohësisht për vlerat, muzikalitetin dhe pasurinë e jashtëzakonshme të gjuhës shqipe.

Kujtojmë me respekt e nderim përkthyesit: Fan Noli, Gjon Shllaku, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Jorgo Bllaci, Robert Shvarc, Skënder Luarasi, Kudret Kokoshi ,Sotir Caci, Petro Zheji, Hamit Kokalari, Jusuf Vrioni, Nonda Varfi, Astrit Beqiraj, Afrim Koçi, Amik Kasoruho, Eshref Ymeri,e deri tek shqipëruesit e rinj, të cilët me përkushtim e dashuri sjellin në gjuhën shqipe vepra të rëndësishme të kulturës botërore.

Një nderim të veçantë për të gjithë ata përkthyes “anonimë”, që përkthyen në burgje e kampe përqendrimi, si Mirash Ivanaj, Beqir Ajazi, Kudret Kokoshi, Pjetër Arbnori, Petrit Velaj, Pashko Gjeçi, Guljelm Deda, Daut Gumeni, Ejëll Çoba e dhjetëra të tjerë të burgosur politikë, të cilëve emri asnjëherë nuk iu përmend nga diktatura komuniste, pasi përkthyen në burgje, por që gjurma e tyre në kulturën shqiptare është e pashlyeshme.

Këta intelektualë e të tjerë, të cilët ndjesë që mund t’i kem harruar, janë elita e kulturës së kombit tonë!

Filed Under: ESSE

Paradoksi i përdorimit të asteriskut si shenjë pikësimi “turpi”

September 27, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Në një vend ku politika bërtet më shumë se ligji, ku televizioni ka më shumë pushtet se parlamenti, dhe ku tabloidët lexohen më shumë se kushtetuta, është e kuptueshme që edhe një shenjë e vogël shkrimi * një yllth i pafajshëm, një asterisk i dorës së dytë – të shndërrohet në armë morale, censurë, dhe farsë njëkohësisht. Po flasim për yllthin, atë simbol të vogël që shfaqet në titujt tanë mediatikë si një copëz turpi e printuar: dr*ge, p*rdhunim, s*ulm, se*si. Një gjuhë e re ka lindur, një dialekt i yllthit, ku fjalët e vërteta fshihen pas një ylli të vogël që nuk i fsheh fare. Në fakt, nuk ka shenjë më ironike në gjithë alfabetin e botës sonë të shkruar.

Yllthi: shenja e pikësimit e turpit

Ka presje, ato kuajt e përulur të punës së qartësisë. Ka pika, ndalesat e plota dhe dinjitoze të qytetërimit. Ka pikëpyetje, aq të guximshme sa të pranojnë padijen. Dhe pastaj, fshihet në hijet e tastierës, yllthi: shenja e pikësimit e turpit. Yllthi kurrë nuk qëndron krenar në fjali. Jo, ai ul kokën dhe i largon lexuesit nga teksti kryesor, poshtë në fund të faqes, aty ku banojnë të gjitha rrëfimet turpëruese. “Po, ky statistika është mbresëlënëse… por vetëm nëse injoroni shkrimin e vogël më poshtë.

Jeta e tij e dytë është edhe më poshtëruese. Në shoqërinë e “sjellshme”, ne censurojmë fjalët me të, sikur yllthi të ishte ndonjë superheroi moral që na shpëton nga mëkati. Në vend që të shkruajmë thjesht fjalën e ndaluar, lëshojmë një rresht me yje të vegjël: “Ik p***.”O k**e!”. Sikur lexuesi të ishte shumë i pastër për të kuptuar se ç’fshehin ato yje të ndrojtur. Po kë gënjejmë? Yllthi nuk po mbron askënd nga pafajësia—ai thjesht po na bën me sy, ndërsa bën sikur mbulon sytë e vet. Dhe pastaj vjen kthesa më mizore: yllthi si shkopi i policisë gramatikore të internetit. Në nxehtësinë e debatit, asgjë nuk turpëron më shumë sesa ai korrigjim njëfjalësh, i shoqëruar me një yllth. Një simbol, një rrokje, një poshtërim i pafund. Asnjë filozof, asnjë burrë shteti, asnjë tiran nuk ka dhënë ndonjëherë një goditje më shkatërruese se komentuesi anonim i armatosur me një yllth.

Pra, le ta pranojmë: yllthi nuk është ndihmës. Nuk është udhërrëfyes. Është spiun i pikësimit, censori i tij, mësuesja pasive-agresive që na qorton. Është ajo njolla e vogël e kuqe që na kujton përjetësisht gabimet tona drejtshkrimore, shkrimet e imëta dhe mendimet tona të paprintueshme. E megjithatë, nuk mund t’i shpëtojmë. Çdo faqe me shkrim serioz ka shënime fund faqeje. Çdo kontratë mbytet në yje. Çdo sharje që bëjmë sikur nuk e themi, mbulohet me shkëlqime. Yllthi na ndjek kudo, duke tingëlluar si kambanat e turpit. Ja njё titull. Motrat Ora dhe Dua Lipa në listën e londinezëve më se*si.

Këtu asterisku është “burri i turpit”: të gjithë lexuesit e dinë që fjala është “seksí,” por gazeta bën sikur ruan moralin, duke e fshehur nën një yll të vetëm. Rezultati? Lexuesi jo vetëm që e kupton fjalën, por e lexon me edhe më shumë kureshtje. Ndoshta gjëja e vetme e ndershme për të bërë është ta përqafojmë. Të mos e përdorim yllthin për të fshehur fajet, por për t’i pranuar ato. Ta lejojmë të jetë shenja e pikësimit që bërtet atë që ne do të preferonim ta pëshpërisnim:

“Gënjeva në paragrafin e mësipërm.*”

“*Nuk kam asnjë ide se për çfarë po flas.”

“*Ky editorial ishte thjesht një justifikim për të fyer pikësimin.”

Të paktën atëherë, yllthi do të bëhej më në fund ajo që gjithmonë ka dëshiruar të jetë: jo një mbulim, jo një censurë, jo një korrigjim mendjemadh, por shenja e pikësimit të së vërtetës.

2. Yllthi si censori i moralit publik

Në një shoqëri që nuk ka frikë të tregojë gjithçka – nga korrupsioni deri te videot intime të VIP-ave – papritur shfaqet një druajtje e çuditshme për disa fjalë të thjeshta. Gazeta mund të botojë pa problem fotografi të dhunës, por nuk shkruan dot “përdhunim” pa e mbuluar me një yllth. Mund të publikojë lista të gjata me emra të kapur me kilogramë drogë, por në titull do të lexosh vetëm “dr*gë.” ,p.sh : “Gordon Ramsay kalon nëpër një op*racion për k*ncerin e lëkurës: Mesazhi i tij për fansat … çfarë shpreh fjala “operacion”. Ky është absurdi i parë: fjala del më e rrezikshme se realiteti. Nuk është gjaku që duhet fshehur, por shkronjat e tij. Nuk është tragjedia që na trondit, por emërtimi i saj.

3. Yllthi si reklama e fjalës së ndaluar

Në teori, yllthi është aty për të mbrojtur lexuesin. Në praktikë, është karrem. Një titull që thotë “Rast i ri përdhunimi” është lajm. Një titull që thotë “Rast i ri p*rdhunimi” është thirrje: ej, shiko këtu, ka një fjalë të pistë që s’ta tregoj dot, por ti e kupton! Kështu, yllthi nuk censuron – përkundrazi, e ndriçon fjalën si një reflektor në skenë. Është si ai prindi që mbulon sytë e fëmijës gjatë një filmi horror, por e lë hapur një hapësirë mes gishtërinjve, që fëmija të shohë gjithçka edhe më mirë. Gazetat tona nuk janë as të pafajshme, as të moralshme. Ato thjesht e kanë kuptuar që një fjalë me yllth klikohet më shumë se një fjalë pa yllth. Në epokën e klikimeve, yllthi është shenjë dollari, është valuta e re e vëmendjes.

4. Yllthi si armë poshtërimi

Nga gazetat kalojmë në internet. Në rrjetet sociale, yllthi ka marrë një funksion tjetër: është bërë shpata e korrigjuesve të pavullnetshëm. Një i gjorë shkruan “ti je shum i mir,” dhe brenda pak sekondash shfaqet një shpëtimtar me një koment të ftohtë: “*shumë.” Një tjetër gabon “faleminderit,” dhe korrigjuesi i pamëshirshëm lëshon një yllth: “ti je tr*p.” Nuk ka poshtërim më të madh. Një simbol i vetëm, një yllth, shndërrohet në çekiç që godet krenarinë e tjetrit. Nuk është thjesht korrigjim – është turpërim publik, është shenjë e gishtit të ngritur, një “unë jam më i zgjuar se ti” i koduar në një shenjë të vogël.

5. Yllthi si metaforë kombëtare

Nëse do ta shikonim më gjerë, yllthi është metafora më e bukur për shoqërinë tonë. Ne nuk kemi problem me faktet e rënda – korrupsionin, dhunën, varfërinë – por kemi problem t’i quajmë ato me emrin e tyre. Nuk na shqetëson turpi i realitetit, na shqetëson turpi i fjalës. Dhe kështu jemi bërë Republika e Yllthit:

Një vend ku krimi shkruhet, por vetëm me gjysmë fjale.

Një vend ku morali është fasadë, jo përmbajtje.

Një vend ku yllthi është bërë simbol i hipokrizisë, një censurë e vogël mbi një shoqëri që nuk guxon të shohë veten në sy.

6. Një thirrje (me yllth)

Në vend që ta përdorim yllthin për të fshehur fjalë të vogla, pse të mos e përdorim për të zbuluar turpe të mëdha? Të shkruajmë:

“Qeveria është një turp kombëtar*.”

“Drejtësia është një farsë*.”

“Shpresa për një të ardhme normale? Zero*.”

Kështu, yllthi do të bëhej i ndershëm më në fund. Jo një maskë për të mbuluar, por një shenjë për të treguar. Një mënyrë për ta kthyer turpin atje ku i takon: jo te fjala, por te realiteti.

Përfundim

Yllthi është bërë më shumë se një shenjë pikësimi. Është një pasqyrë e kulturës sonë mediatike dhe shoqërore. Një pasqyrë që tregon se sa shumë kemi frikë nga fjalët, por sa pak nga faktet. Një pasqyrë që na kujton se ne jemi gati të lexojmë gjithçka, por jo ta emërtojmë gjithçka. Në fund, yllthi nuk është turpi ynë – është dëshmia jonë. Një dëshmi e një vendi ku censura nuk fsheh, por thekson; ku morali nuk ndalon, por komercializon; ku një shenjë e vogël ka marrë rolin e një ligji të padukshëm. Shihni këtë titull nga shtypi i ditëve të fundit dhe kuptoni paradoksin : Kodi i ri Penal, propozimi i Arben Rakipit: Të legalizohet pr*stitucioni në Shqipëri! Në Francë ushtrimi i këtij profesioni s’dënohet. Dhe ndoshta kjo është tragjedia më e madhe: që një yllth i vogël të jetë bërë flamuri i hipokrizisë sonë të madhe.

Filed Under: ESSE

Pse netët pa gjumë bëjnë kujtimet e këqija më të vështira për t’i harruar?

September 26, 2025 by s p

Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Le ta imagjinojmë: je në festën e një miku, duke pirë një gotë verë të kuqe dhe papritur situata përkeqësohen. Para të gjithëve, pengohesh, gota juaj përmbyset, duke e spërkatur përmbajtjen e saj në divan apo tek miku juaj. Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, të shohësh atë mik do të të kujtojë gjithmonë atë moment të sikletshëm. Ky shëmbull është i thjeshtë, por mund të jetë një situatë kur dikush të kritikon, apo një koment, një veprim i sikletshëm, një thashethem, etj… Kaq do të mjaftone t’ju linte pa gjumë? Pra, pse disa njerëz duket se janë në gjendje t’i largojnë këto kujtime të pakëndshme, ndërsa të tjerët nuk mund t’i shpëtojnë? Përgjigja kryesisht sillet rreth cilësisë së gjumit.
Kjo lidhje midis gjumit dhe kujtesës nuk ka të bëjë vetëm me histori të sikletshme festash., apo me një opinion. Problemet me gjumin dhe kujtimet ndërhyrëse janë tipare kryesore të shumë gjëndjeve të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik, (Xue. Y.,et . al., 2025).

Studiuesit kanë zbuluar se mungesa e gjumit pengon aftësinë e trurit për të “hequr” kujtimet e pakëndshme. Duke përdorur skanime të trurit, ata kanë treguar se pa gjumë të mjaftueshëm, truri ka vështirësi të aktivizojë rajonet që normalisht na ndihmojnë të bllokojmë mendimet e padëshiruara. Në veçanti, mungesa e gjumit me lëvizje të shpejtë të syve (REM), faza e ciklit të gjumit me shumë ëndrra duket se e dobëson këtë sistem mbrojtës mendor (Harrington, M. O. , et. al., 2024). Rezultati? Kujtimet e këqija kalojnë më lehtë dhe qëndrojnë më gjatë. Me kalimin e kohës, kjo mund të ushqejë shqetësimin, të forcojë mënyrat negative të të menduarit dhe ta bëjë më të vështirë rregullimin e emocioneve. Një nga mënyrat se si trut jonë zakonisht përballet me kujtimet e dhimbshme është përmes shtypjes direkte, duke e shtyrë mendimin jashtë vetëdijes. Kur kjo funksionon, gjurmët e kujtimit dobësohen, duke e bërë më të pamundur që të shfaqen përsëri në të ardhmen. Por ky proces varet shumë nga gjumi. Njerëzit që flenë mirë janë shumë më të aftë në procesin e “mbylljen e derës” ndaj mendimeve invazuese, ndërsa ata që kanë patur mungesë gjumi kanë vështirësi, duke lënë kujtimin të jetë i lirë për të ndërhyrë përsëri më vonë. Me fjalë të tjera, një natë e mirë gjumi nuk ndihmon vetëm për tu ndjerë të freskët por edhe ndihmon trurin tuaj të mbajë në kontroll kujtimet invazuese. “Natën e Mirë! E nesërmja është një ditë e re!”

Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve dhe ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në NY, dhe specializuar në Harvard University, MA #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

Burrneshat!

September 26, 2025 by s p

Në shpirtin e pathyer të kombit shqiptar ngrihet një figurë që i ngjan një shkreptime të brendshme, një drite të heshtur që mban mbi supe peshën e rendit, të ligjit dhe të vetë jetës. Burrnesha nuk lind si zgjedhje e rastësishme, por si përgjigje ndaj nevojës, si dëshmi e një kohe ku fjala ishte ligj dhe nderi ishte kufi i paprekshëm. Ajo vjen si flakë e betuar, e ndezur jo për veten e saj, por për shtëpinë, fisin dhe vijimësinë e gjakut.

Çdo burrneshë është një kujtesë e gjallë e sakrificës, një trup që bëhet institucion, një individ që shndërrohet në simbol. Betimi i dëlirësisë nuk është thjesht një ndalim, por një ngritje, një çast ku liria personale shndërrohet në shërbesë të madhe. Zëri i saj fiton peshë në kuvend, fjala e saj bëhet garanci për shtëpinë, kujdesi i saj për pasurinë dhe për gjakun është akt i qartë i përgjegjësisë. Ky është çasti kur muzika nis, një simfoni e vogël, e thjeshtë në dukje, por e mbushur me solemnitet, që buron nga tradita dhe nga norma.

Burrnesha është provë se një shoqëri e fortë shpik forma të jashtëzakonshme për të ruajtur jetën, duke e kthyer një vajzë në dritë të shtëpisë, në mur të familjes, në gjurmë të pathyeshme të kombit. Në themelin e rendit shoqëror shqiptar, burrnesha mishëron tri shtylla që ndërthurin juridiken, ekonomiken dhe etiken: Jus, Oikos, Ethos. Këto nuk janë vetëm kategori përshkruese, por module të domosdoshme të mbijetesës së një shoqërie që i qëndroi kohës përmes ligjit të zakonit.

Jus. E drejta zakonore nuk ishte abstraksion, por realitet i përditshëm. Duke i njohur burrneshës status të plotë, Kanuni e bënte atë subjekt juridik të barabartë me burrin. Në këtë mënyrë, një trup femëror merrte funksion shoqëror mashkullor, jo si përjashtim i rastit, por si pjesë e rendit. Një akt i tillë dëshmon se ligji zakonor dinte të krijonte forma të jashtëzakonshme për të ruajtur ekuilibrin e komunitetit.

Oikos. Shtëpia ishte qendra e kozmologjisë shqiptare.

Pa trashëgimtar mashkull, vijimësia kërcënohej.

Burrnesha, duke marrë barrën e kujdestarisë së tokës dhe emrit, kthehej në bosht të ekonomisë morale dhe materiale. Ky akt përmbante një logjikë të brendshme hegeliane, mohimi i vetvetes për t’u ngritur në nivelin e përgjegjësisë universale.

Ethos. Fjala e dhënë dhe nderi ishin kufij të padukshëm, por më të fortë se çdo mur. Betimi i burrneshës nuk ishte vetëm solemnitet personal, ishte sakrament shoqëror që ushqente besimin kolektiv. Këtu qëndron thelbi,individi flijohej për të ruajtur rendin, duke shndërruar një akt moral në institucion shoqëror.

Kuptimi i burrneshës nuk lind nga interpretimi i sotëm i shpejtë, por nga rikthimi në horizontin ku ajo u formua.

Hans-Georg Gadamer (1960) na mëson se e shkuara kërkon të lexohet me “sy të saj,” me një horizont ku doke, frikëra dhe mundësi përbënin gjuhën e kuptimit.

Vetëm duke hyrë në këtë kohë e duke e dëgjuar me fjalorin e saj, figura e burrneshës shfaqet si institucion i rrënjosur në traditë, jo si projeksion modern. Në planin filozofik, Georg Wilhelm Friedrich Hegel (1807) e shpjegon këtë akt përmes dialektikës së sakrificës. Heqja dorë nga vetja nuk është humbje, por ngritje në një shkallë më të lartë të përgjegjësisë universale.

Betimi i burrneshës e kthen lirinë private në shërbim të jetës së përbashkët, duke i dhënë qenies formë të re. Këtu flijimi nuk është pasivitet, por akt krijues që larton dinjitetin dhe siguron vazhdimësi. Në aspektin antropologjik, Claude Lévi-Strauss (1949) e sheh shoqërinë si rrjet nyjesh që lidhin shtëpinë, nderin dhe forcën. Burrnesha shfaqet si nyja që mbyll qarkun dhe stabilizon strukturën, i jep shtëpisë zë, së drejtës trajtë, ekonomisë qëndrueshmëri. Nuk është episod i rastësishëm, por arkitekturë funksionale që lidh marrëdhëniet dhe ruan rendin. Kështu, kuptimi i saj lind nga ndërthurja e hermeneutikës, dialektikës dhe strukturalizmit, një figurë që, përmes flijimit, bëhet shtyllë e jetës së përbashkët.

Skena e Pragut

Ky ritual është akti solemn ku një vajzë, duke bërë betimin e dëlirësisë, merr rolin e burrit në familje.

Ai shndërron një zgjedhje personale në institucion shoqëror, garanton vijimësinë e shtëpisë, ruan nderin dhe pasurinë, dhe bëhet nyja që lidh brezat në kujtesë.

Mali hesht, por heshtja e tij është një tekst i lashtë që flet pa fjalë.

Ajri i freskët mban erën e barit të tharë, sikur të ishte kujtesa e tokës që ka parë shumë stinë, shumë lindje e shumë ikje.

Zogjtë, të ngrirë në fluturim, duken si nota të pezullta mbi një partiturë të padukshme, duke paralajmëruar solemnitetin e çastit. Pranë pragut, një vajzë e re vendos dorën mbi fjalën e dhënë.

Ky gjest, i thjeshtë në dukje, bart peshën e një institucioni, është akti ku individi shkrin lirinë e tij në shërbim të shtëpisë dhe fisit.

Sytë e të afërmve rrethojnë vajzën si unaza drite, dëshmitarë që e shndërrojnë aktin personal në marrëveshje shoqërore.

Heshtja rreh si daulle e brendshme, duke shënuar ritmin e një betimi që kalon përtej saj, për t’u bërë pjesë e kujtesës kolektive.

Dëshira personale shuhet, jo si zhdukje, por si transformim.

Hegeli do ta quante një ngritje dialektike, ku mohimi i vetes është themel për një “po” më të lartë ndaj jetës së përbashkët.

Kur qafa ngrihet dhe fryma vulos paktin, ky çast bëhet arketip.

Shtëpia fiton shpëtim, gjaku vijon, emri lulëzon.

Kjo skenë nuk është thjesht një ritual, por një akt ontologjik, një vajzë bëhet nyje që lidh të shkuarën me të ardhmen, duke e shndërruar sakrificën në kujtesë të pavdekshme.

Në zemrën e mendimit tradicional shqiptar, burrnesha ngrihet si figurë që mishëron rendin moral, ku jeta është e mira më e lartë, familja qendra e universit shoqëror dhe vijimësia garant i kujtesës.

Ajo shndërrohet në flakë të vatrës, simbol i një dritëruese që orienton brezat, mbron emrin dhe ruan ekonominë morale të lidhjeve.

Fëmijët që rriten, pasuria që qëndron, kujtimet që kalojnë dorë më dorë janë dëshmi e një kontinuiteti ku figura e saj mbetet bosht.

Hermeneutika e terrenit, siç e formulon Gadamer (1960), kërkon të lexojë këtë figurë jo nga jashtë, por në horizontin e saj: burrnesha nuk është metaforë, por institucion që mban gjallë një ekuilibër shoqëror.

Etika e së mirës së përbashkët, sipas traditës aristoteliane dhe të zhvilluar në mendimin bashkëkohor (MacIntyre, 1981), e shfaq burrneshën si mekanizëm që ndërthur interesin individual me atë kolektiv.

Në këtë akt, flijimi personal bëhet themel i kohezionit komunitar.

Ekonomia morale e saj e shtyn njeriun drejt përkushtimit e durimit, duke zhvendosur qendrën e gravitetit nga vetja te tjetri. Kështu, burrnesha nuk është vetëm figurë sociale, por nyje filozofike që lidhet me idenë e të mirës, të drejtës dhe të sakrificës.

Ajo është amaneti i brezave, i shkruar jo në letër, por në jetët e mbajtura së bashku.

Në planin e dukshëm, burrnesha shfaqet si akt social, por në thellësi ajo është figurë që mbart kuptime të shumëfishta filozofike dhe antropologjike.

Shkenca e skenës publike, sipas Hannah Arendt (1958), e lexon jetën e përbashkët si hapësirë shfaqjeje ku individët marrin kuptim përmes veprimit.

Në këtë dritë, burrnesha nuk është thjesht një përjashtim i traditës, por një figurë që e ngre jetën private në nivel publik, duke i dhënë asaj dinjitet politik e moral.

Analiza e pushtetit, siç e përshkruan Foucault (1977), na mëson se disiplinat nuk janë vetëm kufizime, por edhe mekanizma prodhues që krijojnë subjekte.

Betimi i burrneshës nuk duhet parë si kufizim i thjeshtë, por si akt krijues që e bën individin subjekt të një roli të ri: përfaqësues, garant, kujdestar.

Dekonstruksioni, në frymën e Derrida-s (1967), zbulon nyjet e fshehta të teksteve dhe traditave.

Figura e burrneshës, e lexuar me këtë sy, nuk është kontradiktë mes gjinisë biologjike dhe rolit shoqëror, por shpalosje e një strukture që mbijeton duke kapërcyer kategoritë binare.

Në këtë triptik të kthjellët, hermeneutikë e rrënjës, dialektikë e përgjegjësisë dhe strukturë e marrëdhënieve, burrnesha shfaqet si simbol që e tejkalon vetveten.

Kuptimi i saj nuk është vetëm në fjalët e betimit, por në terrenin ku ai betim ngjizet, në pranimin publik që e shndërron aktin personal në monument kolektiv.

Gjuha arrin kulmin e saj kur çdo fjali është një zbulesë, një dritë që ndriçon kuptimin. Paul Ricoeur (1977) theksonte se metafora nuk është zbukurim, por krijim i ri realiteti. Në këtë frymë, fjala e burrneshës duhet të ruajë qartësi kristalore dhe muzikalitet të brendshëm.

Periudhat e saj marrin frymë, duke krijuar hapësira për mendim, ndërsa tranzicionet rrëshqasin pa ngërç, si ujë që gjen rrugën e tij natyrore.

Ritmi i tekstit ngjan me një partiturë simfonike: hyrja që ngre siparin e figurës, lëvizjet që shtresojnë kuptime, intermezzo që ngulit një skenë arketipale, kulmi që e larton simbolin dhe mbyllja që vulos kujtesën.

Ky ritëm i brendshëm nuk është teknikë stilistike, por mekanizëm i të kuptuarit, është mënyra si fjala e kthen një akt lokal në monument universal.

Emblema e burrneshës, e thjeshtë por madhështore, qëndron në imazhet e saj, si flakë që ndez pragun dhe udhën e brezave, si fije drite që lidh të shkuarën me të ardhmen, si ton i ulët që mban harmoninë e orkestrës shoqërore.

Në këtë mënyrë, burrnesha nuk është vetëm figurë antropologjike, por një simbol hermeneutik që mishëron urën mes historisë dhe përjetësisë.

Pragu është vendi ku historia dhe e përditshmja takohen.

Ai ruan gjurmën e një dore të mbështetur mbi fjalë, një dorë që nuk përfaqëson vetëm individin, por gjithë peshën e brezave.

Aty qëndron amaneti, i shndërruar në tri shtylla: ligji që i jep formë jetës së përbashkët, ekonomia që mban peshën e mbijetesës dhe etika që hap horizontin e së ardhmes.

Siç kujton Aristoteli në Etika Nikomake (384 p.e.s.), e mira e përbashkët nuk është shuma e interesave private, por një qëllim i lartë që u jep kuptim të gjithëve.

Burrnesha mishëron pikërisht këtë, një akt individual që shndërrohet në themel të përbashkësisë.

Debati mbi burrneshën fiton cilësi kur nuk e sheh si kuriozitet ekzotik, por si institucion që lind nga terreni i zanafillës, nga një rend zakoni që i dha shoqërisë shqiptare instrumente mbijetese.

Hans-Georg Gadamer (1960) do të kujtonte se interpretimi i vërtetë nderon horizontin ku u formua një praktikë, pa ia marrë kuptimin me projeksione të sotme.

Në këtë dritë, burrnesha del si figurë që flet për sakrificën, nderin dhe përgjegjësinë, tre nocione që ndërtuan strukturën morale të një kombi.

Zgjedhja që paraqet burrnesha është e kthjellët, të ripërtërijmë sendin në të vërtetën e tij, pa shpërfytyrime, të ripërtërijmë familjen si qendër të kujdesit, të arsimit dhe të përkushtimit, të ripërtërijmë jetën si e mirë themelore mbi të cilën ndërtohet çdo gjë.

Në këtë horizont, burrnesha nuk është thjesht figurë e së shkuarës, por flaka e jetës shqiptare, një dritë që s’venitet.

Fjala e saj e dhënë bëhet mburojë e shtëpisë dhe udhë për kombin, një kujtesë se shoqëria që e mban fjalën e dhënë mbetet e pathyeshme edhe përballë stuhive të kohës.

Arian Galdini

Autor i librit “Neoshqiptarizmi”

Foto: telegrafi.com

Filed Under: ESSE

REFLEKTIME PARADOKSALE

September 24, 2025 by s p

Zija Vukaj/

Në disa çaste heshtjeje të brendshme, ku shpirti ynë zhvishet nga të gjitha funksionet e zakonshme dhe sytë na bëhen më të mprehtë e më depërtues, shohim veten tonë në jetë; dhe jetën në vetvete, pothuajse si në një lakuriqësi shterpë, shqetësuese: ndjejmë të sulmohemi nga një përshtypje e çuditshme, sikur vetëtimthi, na sqarohet një realitet i ndryshëm nga ai që perceptojmë normalisht, një realitet i gjallë përtej pamjes njerëzore, jashtë formave të arsyes. Atëherë në mënyrë të shkëlqyer kompaktësia e ekzistencës së përditshme, thuajse e varur në boshllëkun e asaj heshtjes sonë të brendshme, na shfaqet pa kuptim, pa qëllim; dhe ai realitet i ndryshëm na duket i tmerrshëm në vrazhdësinë e vet të patundur e misterioze, mbasi të gjitha lidhjet tona të rreme të zakonshme të ndjenjave e të imazheve janë copëtuar e shpërbërë në të. Boshllëku i brendshëm zgjerohet, i kapërcen kufijtë e trupit tonë, bëhet boshllëk rreth nesh, një boshllëk i çuditshëm, si një ndalim i kohës dhe i jetës, sikur heshtja jonë e brendshme të jetë zhytur në humnerën e misterit. Atëherë kërkojmë me një stërmundim të epërm të rifitojmë vetëdijen normale të gjërave, të vendosim me to raportet e zakonshme, të rilidhim idetë, të ndihemi të gjallë si më parë, në botën e zakonshme. Por kësaj ndërgjegjeje normale, këtyre ideve të rilidhura, asaj ndjenje të zakonshme të jetës nuk mund t’ia kemi më besën, sepse e dimë tashmë që janë një mashtrim i yni për të jetuar; dhe poshtë ka diçka tjetër, së cilës njeriu nuk mund t’i paraqitet, përveçse me kusht që të vdesë ose të çmendet. Ka qenë një çast; por zgjat shumë tek ne mbresa e tij, si marramendje, me të cilën pengohet stabiliteti, megjithëse i palëndë, i gjërave: dukje ambicioze ose të mjera.

Atëherë jeta, që rrotullohet, e vogël, e vetme mes këtyre dukjeve na ngjan sikur nuk është më e njëmendët, se është një fantazmagori mekanike. Po si i japim rëndësi? Pse e respektojmë? Sot jemi, nesër jo. Çfarë fytyre na kanë dhënë për të na paraqitur jetën? Një hundë të shëmtuar. Çfarë mundimi është ta nxjerrësh përditë hundën në shëtitje… Fat, që me kalimin e viteve nuk e vëmë re më. E vënë re të tjerët, vërtet, kur ne madje arrijmë të besojmë se kemi një hundë të bukur; dhe atëherë nuk dimë më të shpjegojmë pse të tjerët qeshin, kur na shikojnë. Ka shumë budallenj! Ngushëllohemi duke parë çfarë veshësh ka njëri dhe çfarë buze ka tjetri; të cilët as nuk e vënë re këtë gjë dhe kanë guximin të qeshin me ne. Maska, maska… një frymë dhe kalojnë, për t’u marrë me të tjerët.

Ai i çalë i gjorë atje… Kush është? Shkon drejt vdekjes me patericë… Jeta këtu, i ka gjymtuar këmbën njërit; atje i ka nxjerrë syrin një tjetri… Këmbë druri, sy qelqi e kështu me radhë! Gjithkush e vë maskën si mundet- maskën e jashtme. Sepse brenda, pastaj, ka tjetrën, që shpesh nuk përputhet me atë të jashtmen. Dhe asgjë s’është e vërtetë! I vërtetë deti, po, i vërtetë mali; i vërtetë guri, e vërtetë fija e barit; po njeriu? Gjithnjë i maskuar, pa e dashur, pa e ditur që ai në mirëbesim mendon se është: i bukur, i mirë, i këndshëm, bujar, fatkeq etj., etj. E kjo është qesharake kur e mendon. Po, sepse një qen, ta zëmë, kur t’i ketë kaluar ethja e parë e jetës, çfarë bën? Han dhe fle: jeton siç mund të jetohet, siç duhet jetuar; mbyll sytë i qetë dhe e lë kohën të kalojë, i ftohti i ftohtë, i nxehti i nxehtë; dhe po i dhanë një shkelm e merr, sepse është shenjë që i takon edhe kjo. Po njeriu? Edhe në pleqëri, gjithnjë me ethe: dalldiset e nuk e kupton: s’mund të bëjë dot pa u shtirur, edhe para vetvetes në ndonjë mënyrë; dhe mendon se shumë gjëra ka nevojë t’i besojë të vërteta dhe t’i marrë seriozisht.

Për këtë e ndihmon një mekanizëm skëterre që natyra deshi t’ia dhuronte, duke ia ndrequr brenda, për t’i dhënë një provë të madhe të dashamirësisë së vet. Njerëzit, për shëndetin e tyre, do ta linin të gjithë që të ndryshkej, nuk do ta lëviznin, nuk do ta preknin kurrë. Po po! Disa janë treguar kaq krenarë e të vlerësuar që e kanë, sa kanë filluar menjëherë ta përsosin me një zell të madh. Dhe Aristoteli shkroi bile edhe një libër, një traktat të hijshëm që u përshtat edhe në shkolla, që fëmijët të mësonin shpejt dhe mirë të zbaviteshin. Është një lloj pompe me filtër që vë në lidhje trurin me zemrën.

E quajnë LOGJIKË zotërinjtë filozofë.

Truri pompon me të ndjenjat nga zemra dhe nxjerr prej tyre ide. Përmes filtrit ndjenja lë sa ka në vete të nxehtë, të turbullt: freskohet, pastrohet, i-d-e-a-l-i-z-o-h-e-t. Një ndjenjë e gjorë, kështu, e ngjallur nga një rast i veçantë, nga një rrethanë çfarëdo, shpesh e dhimbshme, e pompuar dhe e filtruar nga ai mekanizëm bëhet ide abstrakte e përgjithshme; dhe çfarë ndodh? Ndodh që ne nuk duam të brengosemi vetëm për këtë rast të veçantë, për këtë rrethanë kalimtare; por duhet edhe të helmojmë jetën me ekstraktin e përqendruar, me helmin e fuqishëm të deduksionit logjik. Dhe shumë fatkeqë besojnë se shërohen kështu nga të gjitha të këqijat, me të cilat bota është e mbushur dhe pompojnë e filtrojnë, deri sa zemra e tyre të ndalet e ftohtë si një tapë dhe truri i tyre të jetë si një raft farmacie plot me kavanozë që mbartin mbi etiketën e zezë një kafkë mes dy kërcinjve në kryq dhe shpjegimin: Helm.

Njeriu nuk ka një ide për jetën, një nocion absolut, por një ndjenjë të ndryshueshme dhe të ndryshme sipas kohëve, rasteve, fatit. Tani logjika, duke abstraguar ndjenjat nga idetë, tenton pikërisht të ngulisë atë që është e lëvizshme, e ndryshueshme, fluide; kërkon t’i japë një vlerë absolute asaj që është relative. Dhe rëndon një të keqe që është e rëndë në vetvete. Sepse rrënja e parë e së keqes sonë është pikërisht në atë ndjenjë që ne kemi për jetën. Druri jeton e nuk e ndjen: për të toka, dielli, ajri, drita, era shiu nuk janë gjëra që ai nuk është. Përkundrazi njeriu, që në lindje e prek këtë privilegj të trishtë që ta ndjejë veten duke jetuar, me iluzionin e bukur që rezulton: ta marrë si një realitet jashtë vetes këtë ndjenjë të tij të brendshme të jetës, të ndryshueshme e të ndryshme.

Të vjetrit tregonin përrallën se Prometeu i vodhi një shkëndijë diellit për t’ua bërë dhuratë njerëzve. E pra, ndjenja që ne kemi për jetën është pikërisht kjo shkëndijë e përrallës prometeane. Ajo na bën të shihemi të humbur mbi tokë; ajo lëshon rreth nesh një rreth pak a shumë të gjerë drite, përtej së cilës është hija e zezë, hija e frikshme që nuk do të ekzistonte nëse shkëndija nuk do të ishte ndezur tek ne; hija që ne mjerisht duam ta besojmë të vërtetë, deri sa ajo të mbetet e gjallë në kraharor. E fikur në frymën e fundit të vdekjes, a na pret vërtet ajo hije e rreme, na pret nata e përjetshme pas ditës së tymtë të iluzionit tonë; apo nuk do të mbetemi ne më mirë në falënderim të Qenies, që do të thyejë vetëm format e zbrazëta të arsyes njerëzore? Gjithë ajo hije, mister shumë i madh që ka bërë të zhyten në spekullime më kot shumë e shumë filozofë e tani shkenca edhe duke hequr dorë nga kërkimi i saj, nuk përjashton, a mos vallë do të jetë në fund një mashtrim si çdo tjetër, një mashtrim i mendjes sonë një fantazi që nuk merr bojë. Po sikur gjithë ky mister, pra, nuk ekziston jashtë nesh, por vetëm tek ne dhe domosdoshmërisht për shkak të privilegjit të famshëm të ndjenjës që ne kemi për jetën? Nëse vdekja është vetëm një frymë që e shuan tek ne këtë ndjenjë të mundimshme, të frikshme, pse është i kufizuar nga ky rreth i rremë hijeje përtej mjedisit të shkurtër të dritës së mangët, që hedhim përreth dhe ku jeta jonë mbetet e burgosur, si e përjashtuar për ca kohë nga jeta universale, e përjetshme, në të cilën na duket se do të kthehemi një ditë, ndërsa tashmë jemi e do të qëndrojmë, por pa këtë ndjenjë mërgimi që na fut në ankth? A nuk është edhe këtu iluzive pafundësia dhe relative ndaj asaj dritës sonë të paktë të individualitetit tonë?

Dhe nesër një humorist mund ta paraqesë Prometeun në Kaukaz në aktin e trishtuar të kundrimit të pishtarit të tij të ndezur dhe të shohë në të fundin e kauzës fatale të torturës së vet të pafund. Më në fund ai vëren se Jupiteri s’është gjë tjetër veçse një fantazmë boshe, një mashtrim i mjerë, hija e trupit të vet që projektohet gjigante në qiell, pikërisht për shkakun e pishtarit të ndezur që mban në duar. Me një marrëveshje Jupiteri mund të zhduket me kusht që Prometeu të fikë qiriun, domethënë pishtarin. Por ai nuk di, nuk do, nuk mundet; dhe ajo hije mbetet e frikshme dhe despotike, për të gjithë njerëzit që nuk arrijnë të vërejnë mashtrimin fatal.

Kështu kontrasti na shfaqet i pashmangshëm, i pandashëm si hija me trupin. Ne kemi parë në këtë vegim të menjëhershëm të zgjerohen dora- dorës kufijtë e qenies sonë individuale dhe të shtrihen përreth. E ka zbuluar reflektimi, që sheh në gjithçka një ndërtim apo një ndjenjë të shtirur ose të rreme dhe me analiza të mprehta, të holla e zhbiriluese e çmonton dhe e shpërbën.

Një nga humoristët më të mëdhenj, pa e ditur, ishte Koperniku, që çmontoi jo në kuptimin e vërtetë, mekanizmin e universit, por imazhin e lavdishëm që kishim bërë për të. Zbulimi i teleskopit na jep goditjen për vdekje: një tjetër mekanizëm i skëterrës, që mund të bëhet palë me atë që na ka dhuruar natyra. Por këtë e kemi shpikur ne, që të mos jemi më të vegjël. Ndërsa syri shikon poshtë, nga lentja më e vogël dhe e sheh të madhe atë që natyra mrekullisht kishte dashur ta shihnim të vogël, çfarë bën shpirti ynë? Kërcen të shikojë sipër, nga lentja më e madhe dhe atëherë teleskopi bëhet një instrument i tmerrshëm që rropos tokën, njeriun dhe të gjitha lavditë e madhështitë tona.

Është fat që reflektimi humoristik shkakton ndjenjën e të kundërtave, e cila në këtë rast thotë: – Po vërtet është kaq i vogël njeriu, sa teleskopi na bën ta shohim? Nëse ai mund të kuptojë dhe të konceptojë vogëlsinë e tij të pafund, do të thotë se ai kupton dhe koncepton madhësinë e pafund të universit. E pra, si mund të quhet i vogël njeriu? Por e vërtetë është edhe se ai ndihet i madh dhe një humorist e din, mund t’i ndodhë si Guliverit, gjigant mes liliputëve dhe lodër fëmijësh në duart e gjigantëve të Brobdinjakut.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 615
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT