• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët në Mal të Zi, pabarazia gjuhësore dhe heshtja institucionale në Ulqin

May 9, 2026 by s p

Çështja e barazisë gjuhësore nuk është çështje personale apo partiake, sepse përmes saj dëshmohet barazia qytetare e kombëtare në çdo mjedis, ndërsa pabarazia gjuhësore në komunën e Ulqinit është përgjegjësi e pushtetit lokal, si në të kaluarën edhe tash, të cilët kanë hezituar në zbatim të ligjshmërisë dhe të normave ndërkombëtare si kudo në vendet demokratike.

Nail Draga

Në çdo vend demokratik shumëkombësh barazia e qytetarëve të mjediseve të tilla dëshmohet përmes përdorimit të gjuhës dhe të alfabetit të saj, duke filluar nga emri personal, mbiemri, mbishkrimet e institucioneve, emërtimeve të vendbanimeve, rrugëve, tabelave rrugore etj. Dhe nga një pamje e tillë vizuale, qytetarët mjedisin e tillë e përceptojnë me një realitet dhe spektër pluralist gjuhësor, kulturor e kombëtar.

Indiferentizmi ndaj pabarazisë gjuhësore

Dukuria e pabarazisë gjuhësore në Komunën e Ulqinit është dëshmi e mos respektimit të Statutit të komunës dhe të kushtetutës. Pasi kjo komunë është dygjuhësore të gjithë subjektet janë të obliguar te respektojnë këtë normë ligjore si në nivel lokal apo ata qendror që këtu janë të përfaqësuar. Nuk ka dilemë se në lidhje me këtë çështje përgjegjësia bie mbi pushtetin lokal të cilët janë të obliguar të jenë në mbrojtje të ligjshmërisë si kudo në vendet demokratike.

Raste të tilla ka mjaft, por kësaj here si ilustrim po paraqesim tabelat rrugore në afërsi të Shkollës Fillore”Bedri Elezaga” në Katërkollë dhe në afërsi të doganës Sukubinë- Muriqan.

Deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se ndokush ka reaguar nga pushteti lokal I Ulqinit, apo ndonjë parti politike nga del se janë indiferent ndaj kësaj dukurie!

Praktika pozitive evropiane

Në lidhje me këtë çështje shqiptarët në Mal të Zi me të drejt kanë pritur që në pluralizëm çështjet e barazisë gjuhësore të avancohen, duke marrë për model vendet demokratike shumëkombëshe si Belgjika, Zvicra, Finlanda etj. Por, këtu janë në praktikë disa paradokse sepse ate çka e lejon kushtetuta e ligji nuk zbatohet në praktikë nga institucionet, përkatësisht nga individët në subjektët përkatëse, duke dëshmuar abuzim me të drejtën dhe identitetin kombëtar.

Fjala është për ato mjedise ku shqiptarët janë popullsi autoktone si shumicë apo pjesë e konsedirueshme e popullsisë në komunat përkatëse. Pasi barazia gjuhësore përveç ligjeve është e garantuar edhe statutet komunale, mos zbatimi praktik i kësaj të drejte nuk duhet kërkuar fajtorë në adresë tjetër por në komunën përkatëse.

Refuzimi i shqipes në Plavë

Rasti i komunës së Plavës ku ende refuzohet që emërtimet e tabelave rrugore të shkruhen edhe në gjuhën shqipe, është dëshmi e mos funksionimit të shtetit ligjor, në mbrojtje të barazisë qytetare e nacionale të qytetarëve në këtë mjedis.

Ndërsa mos reagimi i partive politike të shqiptarëve të cilët janë pjesë e qeverisë në lidhje me këtë çështje dëshmon mungesë guximi për tu ballafaquar me realitetin, në mbrojtje të identitetit të shqiptarëve sipas kushtetutës dhe të normave ndërkombëtare.

Provokim, jo vetëm për nxënësit

Në këtë aspekt janë të pranishme anomali të theksuara në komunën e Ulqinit, ku shqiptarët janë popullsi shumicë, ku rasti në Anë të Malit është dëshmi transparente në lidhje mbi këtë çështje.

Nxënësi i cili e ndjek mësimin në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore”Bedri Elezaga” në Katërkollë e ka të vështirë të kuptojë se tabela rrugore të shkolla e tij nuk është e shkruar edhe në shqip, por është vetëm në gjuhën malazeze. Kush duhet të japë shpjegim për këtë defekt jo vetëm teknik, sepse nuk është respektuar kushtetuta dhe statuti i komunës së Ulqinit.

Tabelat rrugore vetëm në një gjuhë(malazeze), e jo në gjuhën amtare të nxënësit thënë më së buti është provokim për nxënësit dhe të gjithë qytetarët e këtij mjedisi. Sepse mos shënimi i tyre në gjuhën shqipe është dëshmi e pabarazisë gjuhësore që ndikon negativisht në vetdijën dhe edukimin e tyre.

Ndërsa mos reagimi në lidhje me këtë çështje nga stafi drejtues i shkollës nuk mund të arsyetohet, sepse gjendja është irrituese jo vetëm për nxënësit e kësaj shkolle. Kur kështu veprohet në këtë mjedis ku shqiptarët janë shumicë përkatësisht e vetmja popullsi, atëherë është e tepërt të diskutohet se si veprohet në mjediset tjera kur shqiptarët janë popullsi pakicë.

Duhet reagim qytetar dhe i medieve

Nëse nuk reagohet me kohë ndaj një dukurie të tillë atëherë çdo kush mund të vendosë ndonjë tabelë sipas shijes dhe disponimit personal dhe të mos shqtësohet fare. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm në ato vende ku nuk respektohet ligjshmëria!

Në mungesë të reagimit institucional duhet reagim qytetar duke pasur qendrim kritik dhe të argumentuar ndaj një padrejtësie që reflekton negativisht të qytetarët, të cilët gjuhën e kanë vlerë të identitetit kombëtar shqiptar.

Në këtë drejtim nuk ka dilemë se mediet luajnë rol të veçantë, andaj ata nuk duhet të heshtin, por e kundërta duke qenë aktiv për të ndikuar në eliminimin e një pdrejtësie e cila irriton qytetarët e çdo mjedisi. Sepse ate që nuk e bën pushteti lokal apo partitë politike duke pasur qendrim indiferent mediet ofrojnë mundësi të mëdha në eliminimin e dukurive të tilla si kudo në vendet demokratike, ku respektohet barazia qytetare e kombëtare.

Përfundim

Në mungesë të mekanizmit mbrojtës të gjuhës shqipe në nivel të komunës, individë të ndryshëm brenda apo jashtë saj, me apo pa qellim nuk respektojnë ligjshmërinë dhe statusin e komunës kur është në pyetje barazia gjuhësore në këtë mjedis dygjuhësorë.

Pasi deri më tash asnjë sekretariat në kuadër të komunës, nuk është angazhuar për të eliminuar këtë anomali atëherë i mbetet kryetarit të komunës së Ulqinit të angazhohet personalisht në lidhje me këtë çështje për të eliminuar pabarazinë praktike të gjuhës shqipe ne mbishkrimet jo vetëm në tabelat rrugore. Vetëm në këtë formë do të eliminohej pabarazia gjuhësore e cila është irrituese për shqiptarët në këtë mjedis. Ndërsa heshtja ndaj një dukurie të tillë shkon në favor të qasjes diabolike të individëve apo subjekteve të cilëve iu pengon barazia gjuhësore, çështje e cila mbetet e hapur dhe meriton përgjigje institucionale si në nivel lokal e atë shtetëror.

(Maj 2026)

Filed Under: ESSE

Një shoqëri që ndalon së menduari, fati i intelektualëve në një epokë të pushtetit dhe fitimit

May 8, 2026 by s p

Nga Cafo Boga/

“Në një kohë mashtrimi, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.” — atribuar George Orwell-it

Çfarë do të thotë të jesh intelektual sot—dhe, më e rëndësishmja, a ka ende shoqëria nevojë reale për të?

Një intelektual nuk përcaktohet nga diplomat, titujt apo përkatësia institucionale, por nga pavarësia—aftësia për të pyetur, për të dyshuar dhe për të kërkuar të vërtetën edhe kur ajo është e pakëndshme apo e papëlqyer. Intelektualët nuk janë të thirrur të ndjekin pushtetin; ata janë të thirrur ta sfidojnë atë, të interpretojnë realitetin dhe të shërbejnë si busulla morale dhe analitike e shoqërisë. Megjithatë, në kohën tonë, ky rol është gjithnjë e më shumë nën presion—dhe në shumë vende, në rënie të dukshme.

Kur pushteti nuk ka nevojë për mendimin

Gjithmonë ka ekzistuar një tension midis pushtetit dhe mendimit, por ai bëhet i papajtueshëm kur pushteti përqendrohet në duart e atyre që besojnë se i kanë të gjitha përgjigjet. Në sisteme të tilla, mendimi i pavarur nuk thjesht dekurajohet—ai konsiderohet kërcënim.

Intelektualët në këto rrethana rrallë eliminohen drejtpërdrejt; ata neutralizohen. Disa heshten përmes presioneve të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Të tjerë bashkohen me sistemin—u ofrohen poste, privilegje apo njohje në këmbim të besnikërisë. Shumë të tjerë tërhiqen në autocensurë, duke llogaritur se mbijetesa, stabiliteti apo relevanca kërkojnë përmbajtje. Me kalimin e kohës, kjo krijon një hapësirë publike ku idetë nuk konkurrojnë më, por thjesht riprodhojnë atë që tashmë është e pranueshme.

Pasojat shkojnë përtej individëve. Diskursi publik ngushtohet. Institucionet humbasin pavarësinë. Debati zëvendësohet nga përsëritja. Sisteme të tilla mund të quhen ende demokraci, mund të mbajnë zgjedhje dhe të ruajnë forma institucionale, por pa kundërshtim dhe pa mendim të pavarur, demokracia kthehet në një shfaqje—të menaxhuar me kujdes dhe, në thelb, të zbrazët.

Duhet thënë pa iluzione: nuk ka reformë të brendshme kuptimplote në një sistem ku pushteti kontrollon institucionet. Gjykatat, mediat dhe mekanizmat e mbikëqyrjes nuk mund të kufizojnë autoritetin kur vetë janë shndërruar në instrumente të tij. Në kushte të tilla, hapësira për jetën intelektuale nuk thjesht ngushtohet—ajo kufizohet në mënyrë strukturore.

Verdikti i heshtur i tregut

Ndërsa pushteti e kufizon jetën intelektuale nga lart, tregu po e gërryen atë nga poshtë. Arsimi, dikur themel i një shoqërie menduese, po trajtohet gjithnjë e më shumë si një sistem transaksional ku dija duhet të justifikohet në terma ekonomikë.

Universitetet gjykohen nga potenciali fitues i diplomantëve të tyre. Fushat që lidhen me përfitime të menjëhershme financiare privilegjohen, ndërsa disiplinat që kultivojnë mendimin kritik—filozofia, historia, letërsia, madje edhe pjesë të shkencave sociale—shihen si dytësore, jopraktike apo madje të tepërta. Në këtë realitet, arsimi rrezikon të reduktohet në trajnim, ndërsa mendimi në mjet utilitar.

Pasojat janë të prekshme. Sot nuk është e pazakontë që një sekretare në një kompani të madhe dhe fitimprurëse të fitojë më shumë se një profesor universiteti me doktoraturë. Kjo nuk është kritikë ndaj një profesioni apo tjetrit; është pasqyrim i mënyrës se si shoqëria shpërndan vlerën. Kur një shoqëri shpërblen më shumë funksionet administrative apo korporative sesa prodhimin dhe transmetimin e dijes, ajo jep një mesazh të qartë për prioritetet e saj.

Dhe kur puna intelektuale nënvlerësohet vazhdimisht, ajo bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme. Gjithnjë e më pak individë janë të gatshëm të investojnë vite studimi dhe përpjekjeje në fusha që ofrojnë pak siguri financiare, status të ulët dhe, shpesh, kufizime politike.

Dalja racionale e brezit të ri

Të rinjtë nuk po braktisin jetën intelektuale nga padija; ata po e bëjnë këtë nga qartësia. Ata shohin një realitet ku mendimi i pavarur bart rrezik politik, puna intelektuale shpërblehet pak dhe konformizmi është shpesh rruga më e sigurt dhe më fitimprurëse.

Përballë këtyre kushteve, ata bëjnë zgjedhje racionale.

Rezultati nuk është një shembje e menjëhershme, por një erozion i ngadaltë. Klasa intelektuale nuk po shkatërrohet; ajo po zbrazet. Me kalimin e kohës, gjithnjë e më pak zëra mbeten të gatshëm—apo të aftë—të përmbushin këtë rol.

Një shoqëri që ndalon së menduari

Pasojat e këtij procesi nuk janë të menjëhershme, por janë të thella. Një shoqëri pa intelektualë nuk pushon së funksionuari; ajo pushon së kuptuari.

Ajo humbet aftësinë për të vënë në pikëpyetje pushtetin dhe për të analizuar drejtimin e vet. Bëhet më pak e aftë të dallojë mes së vërtetës dhe narrativës, mes përmbajtjes dhe dukjes. Mund të vazhdojë të funksionojë me efikasitet dhe madje të duket e qëndrueshme, por nën sipërfaqe bëhet gjithnjë e më e cekët dhe e brishtë.

Pa mendim të pavarur, gabimet mbeten të pakontestuara. Pa analizë kritike, vendimet merren brenda kornizave gjithnjë e më të ngushta. Në një sistem të tillë, e vërteta nuk zbulohet më përmes debatit të hapur—ajo formësohet nga autoriteti ose filtrohet nga logjika e tregut.

Pa iluzione—vetëm përfundime

Nuk ka zgjidhje të lehta. Aty ku pushteti është i përqendruar dhe kundërshtimi i kufizuar, reforma nga brenda është e kufizuar. Aty ku arsimi reduktohet në utilitet, jeta intelektuale nuk mund të mbijetojë.

Megjithatë, një përfundim mbetet i pashmangshëm: nëse një shoqëri dëshiron të ruajë jetën intelektuale, ajo duhet të jetë e gatshme ta vlerësojë atë—jo vetëm me fjalë, por edhe materialisht dhe institucionalisht.

Liria e mendimit duhet të mbrohet në praktikë, jo vetëm të shpallet. Institucionet duhet të funksionojnë si kufizime të pushtetit, jo si zgjatime të tij. Dhe puna intelektuale duhet të trajtohet si thelbësore për shëndetin afatgjatë të shoqërisë—e reflektuar në pagesë, status dhe mundësi. Rritja e potencialit ekonomik të arsimtarëve, studiuesve dhe mendimtarëve nuk është luks; është domosdoshmëri strategjike.

Një shoqëri që nënpaguan intelektualët e saj nuk duhet të habitet kur mbetet pa ta. Në fund, intelektuali nuk po zhduket sepse nuk është më i nevojshëm. Ai po zhduket sepse nuk është më i dëshiruar. “Një komb që ka frikë t’i lejojë qytetarët e vet të gjykojnë të vërtetën dhe të pavërtetën në një treg të hapur idesh, është një komb që ka frikë nga vetë qytetarët e tij.” — John F. Kennedy. Dhe kur arrihet në këtë pikë, humbja nuk është e intelektualit. Është e shoqërisë.

P.S. Nëse ky reflektim gjen jehonë veçanërisht te shqiptarët, kjo nuk është rastësi—ajo është shkruar pikërisht me këtë realitet në mendje.

Filed Under: ESSE

“HALIMI” I PETRO MARKOS, NJË ROMAN ME PESHË HISTORIKE

May 8, 2026 by s p

Albert HABAZAJ/

Qysh në krye të këtij shkrimi reflektues, dua të shprehem: Faleminderit dr. Evarist Beqiri për shkrimin “Një roman me peshë historike” (kushtuar romanit “Halimi” i Petro Markos). Ky shkrim lakonik dhe me shumë vlera i Evaristit, birit të denjë tërbaçiot, dr. Evarist Beqiri për romanin e shkrimtarit të shquar Petro Marko, kalorësin rebel të lirisë kushtuar Halim Xhelo Tërbaçit tonë të idealeve të larta kombëtare meriton mirënjohje jo vetëm për risjelljen në kujtesën e sotme të dy burrave të mëdhenj të kombit tonë, (shkrimtari i humanizmit universal nga Dhërmiu, luftëtari dhe frymëzimtari i Njëzetës nga Tërbaçi), por sidomos për çka unë e quaj një kambanë kushtrimi për ndërgjegjen kombëtare sot ndër ne.

Shkrimi i Evaristit më ktheu mbrapa në kohë, kur unë isha nxënës i shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç në Gryka, ndoshta në klasë të tretë. I kam pasur qejf librat e mirë, qysh fëmijë. Atëherë kemi ardhur në Vlorë me grupin e fatosave, ndoshta të pionierëve me drejtor Dragoin e këngës labe Kujtim Mici dhe këtë e verifikoj, duke kërkuar në bibliotekën time romanin “Halimi” të Petro Markos, blerë në Skelë, më 10 shtator 1969.

E kam dashur shumë Petro Markon për veprën e tij të shkëlqyer letrare, sidomos për romanin “Halimi” (Tiranë; “Naim Frashëri”; 1969, 207 f.), për romanin etnologjik “Ultimatum” me objekt Luftën e Vlorës, 1920 (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1972, [328] f., ku ndër personazhet kryesorë është Halimi ynë, po ashtu Selman Hyseni, Murat Tërbaçi etj.

Po ashtu e dua Petro Markon, këtë burrë që kullon fisnikëri e karakter edhe për vjershën e tij “Të kish’ rritur Labëria” thurur më 1937 për Halimin, e cila këndohet në Tërbaç e gjetkë si këngë e përvajshme e përjetësimit të Heroit. Sa ngjanin në karakter e dinjitet Halimi me Petron! E dua shumë Petro Markos, saqë do të kisha dëshirë të ishte nga Tërbaçi (po yni është dhe Dhërmiu, se derë e tepsi kemi qenë, si i thonë fjalës), të paktën, sipas burimeve shkrimore, qysh nga koha e Nilo Catalanos (vitet 1630-1640 e në vijim).

Evaristi meriton mirënjohje për mesazhet që jep, duke u shprehur se “romani “Halimi” nuk është thjesht letërsi. Ai është kujtesë, ideal dhe karakter…Sa grimca nga ajo djalëri e kulluar e shqiptarizmës jeton ende tek ne sot?” Në nderim të 5 Majit – ditës simbolike të dëshmorëve, sjell ndërmend këngën popullore

“Lule more trima

Që ratë për Atdhe”

dhe shtoj:

Ju e bëtë detyrën

Çfarë po bëjmë ne?!

Evaristi më tej nënvizon: “Ndoshta nuk është rastësi që disa libra nuk plaken kurrë. Sepse nuk flasin [thjesht] për kohën e tyre…por për ndërgjegjen tonë”.

Mendojmë se është e duhur që të kujtojmë se një nga pseudonimet që përdorte Halim Xhelo në shkrimet që botonte ishte “NDËRGJEGJJA KOMBËTARE”

Ç’mendje parashikuese kishte për të ardhmen gri me nuanca të murme…

Filed Under: ESSE

Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes

May 7, 2026 by s p

Artan Nati/

Pas largimit tim drejt Greqisë në vitin 1991, një akt që në vetëdijen time mori përmasat e një arratisjeje biblike nga ferri komunist dhe kaosi i tranzicionit, besoja se po afrohesha me atë që për ne shqiptarët quhej thjesht “Evropa”. Ishte një iluzion i ndërtuar mbi urinë për liri dhe mbi mitin e një Perëndimi të përkryer. Por realiteti që gjeta ishte më kompleks: një vend që në pamje mbante fasadën evropiane, ndërsa në thellësi ruante shumë nga plagët mendore të Ballkanit.

Në kontaktet e para me shoqërinë greke, u përballa me një fenomen të njohur për ne: mentalitetin e viktimës. Një narrativë e rrënjosur thellë, sipas së cilës fuqitë e mëdha, si Shtetet e Bashkuara, apo vendet e Evropës Perëndimore nuk ishin modele për t’u ndjekur, por kërcënime për identitetin kombëtar. Në këtë këndvështrim, Perëndimi nuk përfaqësonte zhvillim, por një komplot të heshtur për të minuar trashëgiminë greke. Gjermanët përshkruheshin si të ftohtë dhe të pamëshirshëm, amerikanët si oportunistë që synonin të shfrytëzonin pozicionin e tyre global dhe të zbehinin lavdinë e antikitetit helen.

Ky diskurs më tingëlloi çuditërisht familjar. Ishte një jehonë pothuaj identike e propagandës që kisha lënë pas në Shqipëri: imperializmi amerikan si armiku universal, revizionizmi sovjetik si tradhti, kapitalizmi si sistem çnjerëzor. Në të dyja rastet, mekanizmi ishte i njëjtë: më parë ndërtohej armiku, pastaj justifikohej dështimi i brendshëm. Askush nuk e luan rolin e viktimës më mirë se ai që shkakton dëmin.

Në këtë pasqyrë të dyfishtë, Greqia si “Evropë në pamje” dhe Shqipëria si “parajsë në propagandë”, del në pah një paradoks i hidhur ballkanik: një vetëdije kolektive që ushqehet më shumë nga mitet sesa nga realiteti. Ndërkohë që elitat prodhonin narrativa madhështore për identitetin dhe historinë, qytetarët e thjeshtë përballeshin me një përditshmëri të mbushur me pasiguri, varfëri dhe mungesë perspektive.

Në fund, ajo që dukej si një udhëtim drejt Evropës rezultoi të ishte një udhëtim brenda të njëjtës psikologji rajonale: një hapësirë ku ndryshojnë flamujt dhe gjuhët, por jo gjithmonë mënyra e të menduarit. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: jo kalimi fizik i kufijve, por kapërcimi i kufijve mendorë.

Njeriu (apo shoqëria) me mentalitet viktime rrallëherë është ai që pretendon të jetë. Ai nuk është as i drejtë, as i pafajshëm, as plotësisht i sinqertë me veten. Brenda tij nuk ka qetësi, por një vigjilencë të vazhdueshme: një sy që kërkon çarje, dobësi, padrejtësi, jo për t’i ndrequr, por për t’i përdorur si justifikim. Mendja e tij nuk ndërton, por interpreton, nuk krijon, por riformulon realitetin në mënyrë që ta bëjë të durueshëm dështimin e vet.

Kjo është një pakënaqësi e përmbajtur, e fermentuar në heshtje, që nuk shpërthen drejtpërdrejt, por maskohet. Nuk është thjesht zili. Është zilia që ka humbur guximin për të qenë e hapur dhe, për këtë arsye, vishet me petkun e moralit. Në vend që të thotë “unë dua atë që ti ke”, ajo thotë “ajo që ke ti është e keqe”.

Në këtë kuptim, morali nuk është gjithmonë një produkt i së mirës, por shpesh një strategji mbijetese psikologjike. Sipas Niçes, shumë prej atyre që duken të përulur, të drejtë apo të virtytshëm, nuk udhëhiqen nga dashuria për të mirën, por nga një pakënaqësi e heshtur që zien brenda tyre. Ata nuk kanë fuqinë të ngrihen, ndaj ndryshojnë përkufizimin e “ngritjes”. Nuk mund të fitojnë, ndaj rishpikin kuptimin e “fitores”. Dhe kështu lind një moral i ri: një sistem ku dobësia shpallet virtyt dhe forca damkoset si mëkat.Ky nuk është thjesht një fenomen individual. Është një mekanizëm që, kur përhapet, merr përmasa kolektive. Shoqëri të tëra mund të ndërtojnë identitetin e tyre mbi këtë logjikë të përmbysur: duke shpallur veten moralisht superiore pikërisht sepse ndihen historikisht të pafuqishme. Nuk është e vërteta që i udhëheq, por nevoja për të kompensuar një ndjenjë inferioriteti.

Në këtë prizëm, ajo që përshkrova më herët për Greqinë dhe Shqipërinë merr një kuptim më të thellë. Ndryshojnë fasadat, njëra me pretendimin e lashtësisë dhe trashëgimisë, tjetra me mitin e pastërtisë dhe heroizmit, por mekanizmi mbetet i njëjtë: ndërtimi i një morali mbrojtës kundër një bote që perceptohet si kërcënuese. Perëndimi nuk shihet si model për t’u arritur, por si armik për t’u relativizuar. Dhe kështu, në vend që të përballet realiteti, ai riformulohet.

Satira e historisë shqiptare është se dikur ndryshimi i fesë gjatë sundimit otoman justifikohej si “mbijetesë kombëtare”, ndërsa sot ndryshimi apo relativizimi i identitetit etnik paraqitet si “e drejtë europiane”, “autonomi kulturore” apo “mbrojtje minoritare”. Rasti i Belerit u kthye në një shembull pothuaj laboratorik të kësaj logjike. Në Shqipëri, ai shihej nga një pjesë e opinionit publik si figurë e lidhur me episode të errëta të viteve të tensionit etnik dhe me akuza të forta politike e kriminale. Në Greqi, ndërkohë, u transformua pothuaj në simbol të të drejtave europiane dhe të “grekut të persekutuar”. Një figurë lokale u riciklua në hero ndërkombëtar me një shpejtësi që vetëm Ballkani mund ta prodhojë: dje militant provincial, sot martir demokratik me kostum europian. Por fenomeni nuk ka të bëjë vetëm me një individ. Ai zbulon një sëmundje më të thellë rajonale: aftësinë për ta kthyer viktimizimin në kapital politik.

Sa më shumë paraqitesh si i përndjekur nga “tjetri”, aq më shumë fiton legjitimitet. Dhe kështu, identiteti nuk jeton më si kulturë apo histori, por si strategji negociimi. Rasti i figurave si Dhimitër Gjoka pasqyron një fenomen tipik të tranzicionit ballkanik: identitetin si kostum që ndërrohet sipas klimës politike, kulturore apo personale. Dikur pjesë e një sistemi që predikonte internacionalizmin proletar dhe mohonte dallimet kombëtare e fetare në emër të “njeriut të ri socialist”. Sot në epokën e identiteteve dhe të minoriteteve, Gjoka (tingëllon si mbiemër Mirditor) dhe disa prej tyre shfaqen herë si grekë kulturorë, herë si himarjotë “autonomë”, herë si qytetarë pa identitet të qartë kombëtar, sipas rastit, interesit apo audiencës. Ballkani ka prodhuar një tipologji të njohur: njeriun që e përdor identitetin jo si rrënjë, por si diplomaci personale.

Në Ballkan, zilia rrallëherë del në skenë me emrin e saj të vërtetë. Ajo nuk vjen si shpërthim, as si urrejtje e hapur. Përkundrazi, shfaqet e përpunuar, e civilizuar, madje shpesh e veshur me petkun e moralit. Shqiptari apo greku i zakonshëm nuk e artikulon hidhërimin e tij si zili, ai e sugjeron, e nënkupton, e rafinon në formën e një gjykimi etik ndaj tjetrit.

Në këtë hapësirë, ku historia ka prodhuar më shumë trauma sesa institucione të qëndrueshme, është krijuar një tipar i njohur: njeriu i pakënaqur që jeton pas maskave. Ai është i sjellshëm në sipërfaqe, i përmbajtur në ton, shpesh edhe i admirueshëm në moralin që predikon. Por kjo qetësi nuk është transparencë; është vetëmbrojtje. Sepse ndershmëria e plotë do të ekspozonte plagën e vërtetë: ndjenjën e pafuqisë.

Pas vdekjes së Skënderbeut, shumë shqiptarë ndryshuan fenë në kuadër të Perandorisë Osmane. Versioni heroik thotë: ishte një strategji mbijetese. Versioni kritik shton: ishte edhe një përshtatje oportuniste me rendin e ri. E vërteta, si zakonisht, është më pak romantike dhe më shumë praktike. Në një realitet ku pushteti politik, ekonomik dhe social ishte i lidhur me përkatësinë fetare, zgjedhja nuk ishte thjesht shpirtërore, por ishte ekzistenciale. Por problemi nuk është vetë zgjedhja; është mënyra si e kemi rrëfyer më pas: gjithmonë si detyrim, rrallë si kompromis. Viktima është më komode se negociatori.

Shpallja e pavaresise ne 1912-ten u shpall me entuziazëm, por shteti i ri u rrëzua shpejt në kriza të brendshme. Përsëri, faji u projektua te ndërhyrjet e jashtme, që ishin reale, por më pak u pranua paaftësia për ndërtim institucionesh dhe konflikti i elitave. Shqipëria u pa si viktimë e gjeopolitikës, jo si një projekt i papjekur nga brenda.

Gjatë luftës së dytë botërore, një pjesë e forcave të djathta shqiptare bashkëpunuan me pushtuesit. Narrativa mbrojtëse flet për pragmatizëm: “më mirë një marrëveshje sesa shkatërrim total”. Narrativa kritike flet për kolaboracionizëm të pastër.

Rënia e regjimit komunist i dha shqiptareve një shans historik. Rezultati? Një tranzicion i gjatë, me kriza, përçarje dhe rikthime ciklike në pikën zero.

Kur dështimet bëhen të dukshme, justifikimi është gati: “trashëgimia e rëndë”, “sistemi i kapur”, “koha e pamjaftueshme”. Të gjitha kanë një dozë të vërtete. Por pyetja satirike mbetet: nëse gjithçka është gjithmonë faj i së kaluarës, atëherë çfarë është merita e së tashmes?

Kjo analizë apo diskutim nuk është një thirrje për të hequr dorë nga mirësia, as për të glorifikuar ashpërsinë. Përkundrazi, është një ftesë për një hetim më të thellë: jo të sjelljes sonë në sipërfaqe, por të burimit të saj. Sepse në thelb të çdo sistemi vlerash qëndron një pyetje e thjeshtë dhe e pakëndshme: nga vjen morali ynë?

A lind ai nga një ndjenjë force të brendshme, nga bollëku shpirtëror dhe një dhembshuri autentike për tjetrin? Apo është produkt i frustrimit, i krahasimit të heshtur dhe i një dëshire të maskuar për të kufizuar ata që kanë arritur atë që ne vetë nuk kemi mundur? Në këtë vijë ndarëse, morali pushon së qeni një busull dhe rrezikon të kthehet në një instrument.

Frederik Niçe do ta quante këtë moment kritik: aty ku virtyti nuk buron nga liria, por nga reagimi. Sepse morali ka një natyrë të dyfishtë. Ai mund të jetë shërues, një strukturë që i jep kuptim bashkëjetesës dhe ndërton besim. Por mund të shndërrohet edhe në një formë hakmarrjeje të rafinuar, ku gjykimi moral përdoret si armë për të ulur tjetrin dhe për të ngritur veten.

Kur mirësia vishet si maskë e pakënaqësisë, pasojat nuk janë vetëm individuale. Ato bëhen kolektive. Një shoqëri që ushqehet me këtë lloj morali fillon të ngatërrojë drejtësinë me inatin, etikën me zilinë, dhe kritikën me dënimin. Në vend që të prodhojë zhvillim, ajo prodhon justifikime. Në vend që të ndërtojë standarde, ajo ndërton alibi.

Për një shoqëri në tranzicion si Shqipëia, kjo dilemë është më aktuale se kurrë. Sepse tranzicioni nuk është vetëm ekonomik apo institucional; është mbi të gjitha moral. Është kalimi nga një kulturë e mbijetesës në një kulturë përgjegjësie. Dhe ky kalim kërkon më shumë sesa ligje apo reforma, kërkon një ndershmëri të re me veten.

Pyetja që shtrohet nuk është thjesht teorike. Ajo është konkrete dhe e përditshme: kur dënojmë të tjerët, a po mbrojmë vërtet një parim? Apo po mbrojmë plagët tona, duke i kthyer ato në standarde universale? Sepse nëse nuk e bëjmë këtë dallim, rrezikojmë të ndërtojmë një shoqëri ku morali nuk është më një udhërrëfyes drejt së vërtetës, por një mekanizëm i sofistikuar për të fshehur dobësitë tona.

Dhe aty, sfida nuk është më vetëm të jemi të mirë, por të jemi të sinqertë për arsyen pse duam të dukemi të tillë.

Filed Under: ESSE Tagged With: artan nati

NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN

May 6, 2026 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Në maj të vitit 1991 po ktheheshim me profesor Fehmiun nga Skandinavia. Patëm mbajtur disa takime me bashkatdhetarë në Suedi e Danimarkë dhe po ktheheshim nga aeroporti i Kopenhagës. Mirëpo në Beograd duhej të zbrisnim domosdoshmërisht, për të marrë avionin për në Shkup. Sapo dolëm nga avioni dhe u nisëm drejt ambienteve të brendshme të aeroportit të Beogradit, në krye të korridorit unë e pashë që larg një person që mbante një tabelë ku shkruante “Agani”. U shqetësova nga kjo gjë, sepse deri sa ne ishim në Skandinavi, ishte mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, ku prof.Agani ishte zgjedhur nënkryetari i parë i LDK-së. Duke e njohur linjën e politikës së Millosheviqit, e cila shkonte në atë drejtim që të na e mbyllte tërësisht gojën dhe që të mos linte asnjë zë opozitar, mundësia e arrestimit të tij në aeroport, ishte e logjikshme. Unë e preka lehtaz në dorë dhe i thashë ngadalë se në krye të korridorit ishte një tabelë me mbiemrin e tij. Ai më shikoi butësisht, ngadalësoi hapin dhe pastaj me zë të ulët, ashtu si fliste gjithmonë, më tha se çfarëdo që të ishte kjo gjë, nuk duhej të shqetësohesha. Nuk pati asnjë prishje të qetësisë së tij lapidare. Maturia dhe qetësia kanë qenë virtytet të forta të tij.

U afruam te personi që ishte ngulur si hu me atë tabelë në dorë, në mes të atij korridori të ngushtë, që lidhte avionin me ambientet e aeroportit. Profesori i tregoi se kush ishte. Ai personi pastaj shpjegoi se buleta e tij në Kopenhagë ishte prerë gabimisht (ishte harruar atje pjesa për vazhdimin e udhëtimit për në Shkup) dhe na drejtoi në sportelin ku duhej të bëhej korrigjimi i gabimit. Kur u krye ai korrigjim i buletës dhe u ulëm, ai ma tregoi një barcoletë, që lidhej figurativisht me situatën tonë. Ashtu e kishte zakon shpesh: kur kishte momente të tensionuara, gjente ndonjë mahi a barcoletë që të shtensiononte gjendjen. (Veçmas kur shiheshim bashkë me Qemajl Junikun, bëhej batërdi e barcoletave ndërmjet tyre.) Pas disa orësh pritjeje monotone, udhëtuam drejt Shkupit.

Duke e parë atë mënyrë të qetë e të urtë të zotërimit nga ana e profesor Fehmiut të situatës së papritur e të paqartë, e kam të ngulitur në mendje bindjen se ashtu do të jetë sjellë profesori, me qetësi, maturi e guxim, edhe kur e kanë marrë nga treni dhe e kanë shpënë drejt vendit ku e kanë ekzekutuar. Kriminelët e kanë ekzekutuar një burrë të moshuar, por jo guximin, jo durimin dhe jo urtësinë e tij. Ato vlera brenda personalitetit të tij, ishin më të forta edhe se sa ai vetë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT