• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VILHELME VRANARI GRUAJA QË I SHNDËRROI VUAJTJET NË ART

May 16, 2026 by s p

Shpendi Topollaj/

(Mbështetur te libri “Kush jam unë?!”)

   Kur zemra e zjarrtë dhe e lodhur e shkrimtares emërmadhe Vilhelme Vranari Haxhiraj (Vivra), pushoi së rrahuri, dhe ne një grup miqsh të saj nga Durrësi, shkuam në Vlorë për t`i dhënë lamtumirën e fundit, na bëri përshtypje fakti që asnjë nderim nuk i ishte rezervuar asaj nga ana e përfaqësuesve të pushtetit vendor. Kishim menduar, se ashtu sikurse e meritonte, arkëmorti me trupin e kësaj gruaje të rrallë dhe me kontribute jashtëzakonisht të mëdha në përpjekjet për liri e demokraci, do të vendosej në sallën e Pallatit të Kulturës a diku tjetër, ku do të organizohej ceremonia për kryerjen e homazheve nga ana e qytetarëve vlonjatë. Ishte një varrim i thjeshtë, me pjesëmarrje masive, ku ndër të tjerë, përveç hoxhës mjaft elokuent, foli edhe deputeti i mirënjohur Bujar Leskaj i cili vuri në dukje vlerat intelektuale dhe atdhetare të kësaj zonje fisnike që pa asnjë mëdyshje, me krijimtarinë dhe veprimtarinë e saj, rreshtohet jo vetëm te gratë më të shquara të asaj treve, por edhe të gjithë Shqipërisë e Kombit mbarë. E trishtueshme shpërfillja zyrtare ndaj asaj që kishte ngritur në piedestal “Elitat e mohuara…” dhe kishte thënë për ta se: “…janë krenari e kombit mbarë! Lum shtetet që kanë ditur t`i vlerësojnë se, kanë pasuruar ndërgjegjen kombëtare dhe kanë madhuar emrin e atdheut të tyre… Ata janë “Truri” që udhëheq njerëzimin në rrugën e vërtetë të dijes, të mirësisë e të drejtësisë, të jetës së bukur…” Por fatkeqësisht, në vendin tonë edhe pas 35 vjetësh nga koha kur u shemb komunizmi, lufta e klasave, në forma të ndryshme, vijon. Vilhelmja ishte lindur në Kaninë, për të cilën Sami Frashëri shprehej se “…është vendi ku lindi aristokracia feudale në Evropën Juglindore”, kurse Ernest Koliqi do të vargëzonte: “Për Kaninën Perëndia, / Kur e pa si diell mbi det, / tha: / – Jo, nuk është nga veprat e mia. / Këtë mrekulli mbi tokë, / dikush tjetër e ka bërë, / do ketë qenë një tjetër Zot!” Dhe Vilhelmja ishte pinjolle e njërës prej familjeve aristokrate, por që pushteti i vetëquajtur popullor, e shihte me sy të shtrembër. Ajo vetë kujton se kur ishte fëmijë, skuqej kur dikush i thosh: “Vogëlushe e di që je një Komnene?! Sepse stërgjyshja jote e herëshme, ishte bija e perandorit bizantin Aleks Komnenit”. I kishin arrestuar dhe burgosur babanë, me pretekstin se nuk kishte paguar taksat dhe pasi u kishin marrë gjithçka, deri edhe shtëpinë dhe bibliotekën e pasur, i kishin degdisur në një kasolle, andej nga një fshat i Fierit. Ku te halla e ku te tezja, pasi kreu shkollën fillore, kreu edhe të mesmen dhe pavarësisht varfërisë, ushqyerjes me lakra pa vaj, dhe ndjenjës së fajit pa faj, duke shkëlqyer në mësime, nisi punë si mësuese në Armen, por u kujtuan se e bija e kujt “armiku” ishte dhe e larguan shpejt nga mësuesia. Njërin xhaxha, Mynyrin e kishin futur në burg, pasi nuk kishte ngritur dolli për mustaqet e Stalinit. Edhe xhaxhanë tjetër që kishte qenë partizan dhe tani oficer, e liruan nga ushtria me arsyetimin banal se kishte kunatin në burg. Fati e solli që ajo ta lidhë jetën me njeriun e kulturës, artistin Fitim Haxhiraj, që edhe ai, paradoksalisht vinte nga një familje e lidhur me luftën, por të shpallur kulak. Ishte harruar gjithçka kishte bërë familja e saj, duke strehuar partizanët, duke u dhuruar atyre kope të tëra bagëtish dhe kishte xhaxha Skënderin që kishte kryer studimet universitare pas “Harri Fullcit”, në Itali dhe kishte përfunduar në krematorët e nazistëve në Aushvic. Vetëm mirë kishin bërë dhe ja mosmirënjohja komuniste. Nuk kishte sesi të harronte se i kishin internuan përsëri, dhe i kishin futur në një kasolle tjetër në Sherisht pa asnjë arsye, dhe kishte përjetuar fyerjet ndaj babait që u lirua pas 13 viteve burgim, kur edhe fëmijët i thërrisnin “Kulaku i qenit”. Vilhelmja, pasi vuajti përbuzjen, varfërinë, punën e rëndë për të rritur fëmijët, pas shumë vitesh i dhanë të drejtën për të vazhduar studimet në fakultetin Histori – Gjeografi të cilin e mbaroi me rezultate shumë të mira. Por asnjëherë nuk iu fashit urrejtja për regjimin gjakatar të Enver Hoxhës, ndaj e priti me entuziazëm ardhjen e demokracisë, madje u bë një nga flamurtaret e triumfit të saj, duke punuar pa iu dridhur qerpiku për ndryshimin e mezipritur. Në librin me intervistat e saj me Gëzim Markun, Vilhelmja rrëfen edhe zhgënjimin që përjetoi, pasi për të, e djathta nuk e gjeti veten edhe tani në periudhën e tranzicionit. Ajo vetë shprehet se: “U rrëzua statuja e Përbindëshit Enver Hoxha, por jo “Ai” dhe as ndikimi i tij si “udhëheqës i lavdishëm” nuk u rrëzua”. Madje, puna arriti deri atje sa në ngjarjet e 97 – ës, atë familjarisht e dënuan bandat, me vdekje. Por tani, ajo e kishte vrarë frikën, dhe vetëm shtron pyetjen: “A nuk është e turpshme që vazhdon Lufta e Klasave në 5 breza edhe sot në shekullin e XXI?” Mos vallë këtu qëndron edhe përgjigjja e asaj pyetjes se përse shkrimtares Vilhelme Vranari, autores së rreth 70 librave, nga të cilat mbi 20 janë romane, e përkthyer në disa gjuhë të huaja, fitueses së shumë e shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, kritikes sypatrembur të mangësive tona dhe zërit buçitës për Kosovën, që sipas saj, për t`u ndarë me Serbinë, duhet të ndërrojë emrin nga Kosovo në Dardani, iu mohuan nderimet e duhura nga zyrtarët e Vlorës? Dhe pavarësisht rrugëtimit plot peripeci të fatit të saj, Vilhelmja në intervistat që ka dhënë, nuk lë pa analizuar atë që ndodhi me të gjithë popullin shqiptar gjatë viteve të gjata të diktaturës, sikurse nuk lë jashtë vëmendjes ngjarjet e Kosovës, apo padrejtësinë që i është bërë dhe po i bëhet popullsisë çame. Për më tepër, ajo analizon krimet në Kosovë, si nga ana e serbëve titistë ashtu edhe nga komunistët shqiptarë. Dhe për këtë, ajo ndalet tek e ashtuquajtura Masakra e Tivarit e 1 Prillit të vitit 1945, ku u vranë pa asnjë shkak rreth 4000 djem të Kosovës që u hodhën në një gropë. Dhe shqetësimi i saj është se këto krime nuk u dënuan asnjëherë. Vetë ajo u angazhua si drejtuese e Lidhjes Demokratike të Gruas në Vlorë, ku u shqua për gjithë sa bëri për emancipimin e femrës në kushtet e reja politiko – shoqërore. Ajo e ka quajtur gruan embrion i njerëzimit dhe jep plot raste sesi disa gra shqiptare janë bërë shembull qysh nga mbretërsha Teutë e cila udhëhoqi Luftën e Dytë Iliro – romake, deri te Shote Galica. Në të gjithë shtrirjen e intervistave të saj, Vivra nuk lë pa përmendur plagën e sotme të kurbetit, për të cilin shkruan: “Eh, kurbeti… / I rëndë si vreri! / I huaj në dhe mbeti. / Atje… atje larg, / në vetmi mallin e treti”. Në këtë libër, intervistuesi Gëzim Marku e pyet Vilhelmen edhe për krijimtarinë e saj të pasur letrare. Dhe këtu ka shumë për të thënë ajo, jo vetëm pse ka shkruar e botuar në shumë zhanre, por edhe se ka bindjen se “Arti që lë gjurmë buron katërcipërisht nga dhembja”. Duke e studiuar seriozisht krijimtarinë artistike të Vivrës, Prof. dr. Mujë Buçpapaj e ka përshkruar atë kështu: “Vilhelme Vrana është një penë e fuqishme dhe e veçantë e letërsisë shqipe. Ajo ka hedhur themelet e një profili të qartë autentik si prozatore moderne, duke shëruar shpirtrat e humbur njerëzorë dhe kombin e saj nëpërmjet personazheve, të cilët mbajnë mbi vete fatet e shoqërisë sonë dje dhe sot”. Po ashtu, shumë drejtë e përshkruan atë edhe zoti Fatmir Terziu që thotë se: “Kur shoqet e saj ngjisnin shkallët e politikës në Parlament, në Qeveri apo në institucione me ajër të kondicionuar, Vilhelmja zgjodhi rrugën e ëndrrës, krijimtarinë letrare. Dhe kjo i dha mundësi që duke punuar me ngulm deri në çastet e fundit, të gjejë vetveten e humbur, sikurse pohon vetë, në honet e pluhurosura të kohës. Shkrimtarja Vilhelme Vranari, pikërisht në këto hone të ferrit nga kaloi, në “Fundrrugëtimin” e saj, e qetësoi shpirtin me besimin se brezat do ta vazhdojnë rrugën e të bukurës që ajo më së fundi e gjeti, prandaj do të pushojë e qetë në varrezat publike, atje ku deshi vetë, pra: “Në këtë qytet, ku deti s`fle kurrë, këtu dua të prehem”. Por dua të besoj se brezat që do të vinë, do të jenë edhe ata që do të dinë ta nderojnë atë ashtu sikurse e meriton, duke i ngritur në një shesh të Vlorës tonë heroike, bustin e saj të bronztë.           

Filed Under: ESSE

Fan Noli Cultural Center & Library

May 15, 2026 by s p

🇺🇸Many of us recognize the image on the left of the flyer featuring the iconic Tinka Kurti in the title role Tana (1958). It is historically significant as the first feature-length film entirely produced by the New Albania Kinostudio and the first to feature an all-Albanian cast and crew🇦🇱

Tana dhe imazhe të tjera filmike vijnë tek Qendra Kulturore dhe Biblioteka Fan Noli në takimin me krijuesen e kësaj “simfonie vizuale” Elena Dorfman, të dielën, në 24 maj, 2026. Shumë nga kujtimet dhe përjetimet tona do kemi rastin t’i sjellim në diskutimin e veprës me autoren. Mirë se të vini!

Filed Under: ESSE

Një rrëfim për errësirën dhe dritën

May 14, 2026 by s p

Agim Baçi/

Të udhëtosh në errësirë për të gjetur dritën… Shkrimtari trinidado-britanik, V. S. Naipaul, përshkruan, frymëzon, ndërton dhe sugjeron rrugëtime pa fund për të gjetur dritën te çdo njeri, pavarësisht errësirës së madhe që mund të kemi përreth. Përmes tragji-komedive, disfatave dhe ëndërrimeve, Naipaul ka mundur të pikturojë në romanin e tij “Qyteti bri lumit” atë që ndoshta për shumë e shumë kohë nuk kemi dashur ta shohim, edhe pse ka qenë aty – Njeriu i Afrikës, duke u endur në tokën e tij, për të gjetur një rrugë që të mundet të ndërtojë përditshmërinë e tij. Naipaul thur fabulën përmes rrëfimit të Selimit, njeriut që kërkon të shohë të ecë Afrikën e tij.

Zabeta, Ferdinandi, Maheshi, Meti, Huismansi, Nazrudini, Iveta, Indari, Rajmondi, Presidenti, e mjaft të tjerë, që ndërthuren në rrëfimin prej 400 faqesh janë një përshkrim prekës, plot ngjyra, e ku ka shumë dashuri me njeriun. Eshtë një përshkrim që vjen përmes personazhit të tij, Selimit, e na përcjell plot jetë, me gjithçka të tijën, të veçantë e njëkohësisht të nevojshme për t’u njohur nga të tjerë.

“Qyteti bri lumit” është bota e tërë e atyre që dolën nga një kohë e gjatë e drejtimit nga të tjerët dhe tashmë kërkojnë të ndërtojnë vetveten. Naipaul është një prej atyre që ka përjetuar botën e Afrikës, Trindadi i fëmijërisë së tij, i përshkruar në prozë, nuk është thjesht një vend i Afrikës, por është vetë Afrika. Edhe pse ka jetuar gjithë kohën në Londër, që kur u largua fëmijë për të studiuar në Oksford, Naipaul duket sikur e ka patur “kokën pas” duke i sjellë botës ndoshta një nga rrëfimet më prekëse, por edhe më njohëse të botës së afrikanit.

Me dashuritë, betejat, përpjekjet për të mbijetuar, dashuritë e sidomos me gjithë dritëhijet e përpjekjes për të ndërtuar vendet që enden për shumë kohë kuturu, pa mundur dot të gjejnë dritën e duhur.

Selimi, që na i sjell të gjitha portretet e personazheve, i përket një familje që ka ka kaluar jetën në bregdetin “indiano-perso-arabo-portugez”, aty ku kanë jetuar shumë prej atyre që kanë ardhur e kanë ikur si kolonizator, duke lënë pas jo vetëm historitë e së shkuarës, por edhe atë që do të ndikojë në çdo hap të së ardhmes. Dhe ai është mbështetësi dhe dëshmitari i rritjes së një brezi që ëndërron të rindërtojë vendin e tij, të shohë botën ndryshe, të debatojë për kulturën dhe besimin të cilit i përket dhe atij besimi “të ndryshëm” që ka përballë. Por njëkohësisht, ai është dëshmitari se si korruptohet çdo ditë shpresa përmes figurës së Presidentit dhe mbështetësve të tij, nga xhaketa e tij ushtarake të veshja e porositur mondane, e ku rrëmbehen jetë e prona çdo ditë ne emër të një pushteti të ri.

“Ferdinandi mund të më thoshte vetëm që bota përtej Afrikës po shkonte keq e më keq, kurse Afrika veç po ngrihej. Kurse unë e pyeta se në ç’aspekt bota e jashtme po shkonte keq e më keq, ai nuk diti të më përgjigjej. Dhe kur i kërkoja edhe të më thoshte se çfarë kishte dëgjuar në lice, kuptoja që idetë e diskutimeve në shkollë në mendjen e tij ishin bërë lesh e li dhe ishin thjeshtuar. Idetë në lidhje me të shkuarën përziheshin me idetë për të tashmen. I veshur me xhaketën e tij sportive ai e shihte veten si njeri të kultivuar e të rëndësishëm, si të ishte në ditet e periudhës koloniale. Në të njëjtën kohë ai e shihte veten e tij si një njeri të ri të Afrikës dhe rrjedhimisht të rëndësishëm. Përveç kësaj ideje teatrale për rëndësinë e vetes së vet, ai e kishte reduktuar Afrikën vetëm te vetja e tij, dhe e ardhmja e Afrikës nuk ishte asgjë më shumë se sa puna që ai donte të bënte në të ardhmen”. (V. S. Naipaul, “Qyteti bri lumit”, Saras 2014, f. 74, Përktheu: Lavdimir Marku).

Dhe është pikërisht Ferdinandi, të cilin Selimi e shkolloi siç ja la amanet e ëma e tij, Zabeta, ai që bëhet pjesë e përditshmërisë kaotike që ndërton Presidenti- i forti që beson se po ndërton perandorinë e duhur të njeriut të Afrikës, që do të sfidojë botën. Vetëbesimi i mbështetësve të tij se kanë të drejtë t’u marrin të tjerëve gjithçka, në emër të pushtetit të ri, është tragjikja që nuk është mundur dot ende, jo vetëm në Afrikë. Eshtë një dramë që luhet në përditshmëritë tonë, pavarësisht se ndryshojnë aktorët.

Naipaul na ka përshkruar në fund një rrëzim të Selimit, njeriut që udhëtoi brenda vendit të tij me shpresën se do të shihte Afrikën e tij të ngrihej, por që pa se si përditë në vend të guximit për të ecur, mbizotëron frika, që ushqen më pas injorancën, që ushqen vrasjet. Largimi në fund të romanit i Selimit, me avulloren në një errësirë të plotë, në lumin që ai e kish lënë pas për të ndërtuar një jetë brenda vendit të tij, na lë ne të pikturuar përpara syve fytyrën e trishtuar të njeriut që ka besuar gjithnjë për më shumë dritë. Eshtë njeriu me kokën e kthyer pas, i trishtuar për atë që nuk mundi të gjejë, pavarësisht dritave që kish ndezur në jetën e tij. Dhe, për fat të keq, afrikani i zhgënjyer i Naipul jeton kudo, edhe këtu, rreth nesh, pavarësisht ngjyrës, pavarësisht emrit.

Filed Under: ESSE

Jeta si art i pavetëdijshëm…

May 13, 2026 by s p

Resul Jusufi/

“Arti nuk është zbukurim i ekzistencës; ai është mënyra përmes së cilës jeta bëhet e vetëdijshme për vetveten.” Arti, ndoshta, nuk filloi kur njeriu krijoi diçka të bukur. Ai filloi kur njeriu kuptoi se ekzistonte. Që nga ai moment, gjithçka u bë një formë shprehjeje: lëvizja, zëri, ritmi, gjurmët mbi një mur, madje edhe mënyra se si dikush rrinte pranë zjarrit duke vështruar errësirën.

Prandaj, arti nuk është një shtesë e jetës. Nuk është luks kulturor. Nuk është zbukurim i ekzistencës. Ai është mënyra përmes së cilës jeta bëhet e vetëdijshme për veten tone.

Njeriu primitiv nuk vizatonte mbi muret e shpellave duke kërkuar famë apo identitet artistik. Ai nuk e ndante jetën nga arti. Për të, shenja mbi mur, tingulli i ritualit, lëvizja rreth zjarrit dhe frika e natës ishin pjesë të së njëjtës përvojë ekzistenciale. Që në fillim, arti ishte një mënyrë për t’u orientuar brenda botës — një mënyrë për të mos humbur përballë misterit.. Dhe ndoshta, ende është?

Sot jetojmë mes teknologjisë, qyteteve, informacionit dhe shpejtësisë. Por brenda nesh ende jeton i njëjta qenie që dikur rrinte pranë zjarrit, duke parë qiellin me frikë dhe kureshtje. Vetëm se tani, njeriu është bërë më kompleks në mënyrën se si largohet nga vetvetja.

Dikur besoja se vetëdija e ndryshon njeriun. Mendoja se dija, filozofia, arti apo akademia e bënin qenien njerëzore më “njerëzore”. Mendoja se sa më shumë një person ta kuptonte jetën, aq më pak nevojë do të kishte për arrogancë, dominim apo maska. Ky ishte idealizmi im — besimi se zhvillimi intelektual dhe ai shpirtëror ecin dorë për dore.

Por jeta më mësoi të kundërtën: një njeri mund të zhvillohet intelektualisht, ndërsa shpirtërisht të mbetet primitiv. Dikush mund të lexojë filozofi dhe përsëri të mos e njohë vetveten. Mund të flasë për etikë dhe të jetë i pamëshirshëm. Mund të flasë për dashurinë dhe të manipulojë. Mund të krijojë art dhe të adhurojë vetëm egon e vet. Ky ishte një nga përplasjet e mia më të ashpra me realitetin. Sepse problemi i njeriut nuk është mungesa e inteligjencës; problemi është mungesa e vetëdijes për veten.

Shumica e njerëzve nuk e dinë plotësisht pse bëjnë atë që bëjnë. Ata mendojnë se jetojnë lirshëm, por shpesh drejtohen nga impulse të padukshme:

frika

nevoja për miratim

instinkti për dominim

vetmia

xhelozia

dëshira për t’u ndjerë më të rëndësishëm se të tjerët

Kjo është ajo që e bën qenien njerëzore kaq kontradiktore. Ne kërkojmë sinqeritet, por jetojmë përmes roleve. Kërkojmë dashuri, por kemi frikë nga intimiteti. Kërkojmë kuptim, por shpesh ndërtojmë jetë që na largojnë nga vetvetja.

Edhe mirësia shpesh keqkuptohet. Në jetën shoqërore ndodh një paradoks i çuditshëm: njerëzit që japin ngrohtësi merren si të mirëqenë, ndërsa ata që krijojnë distancë fitojnë “gravitet”. Mungesa interpretohet si vlerë. Ftohtësia si forcë. Disponueshmëria si dobësi.

Kjo tregon se njeriu nuk udhëhiqet vetëm nga logjika morale. Brenda tij ekzistojnë impulse më të errëta dhe më të vjetra se edukimi i tij. Dhe pikërisht këtu qenia njerëzore bëhet abstrakte. Mijëra vite filozofie, psikologjie, feje, teatri, muzike dhe poezie janë përpjekur të na shpjegojnë, por askush nuk e ka zgjidhur misterin. Ata vetëm e kanë ndriçuar nga kënde të ndryshme.

Sepse njeriu nuk është formulë. Ai është një kontradiktë që merr frymë. Një qenie që mund të ndërtojë qytetërime dhe njëkohësisht të shkatërrojë vetveten. Që mund të krijojë muzikë sublime dhe të kryejë brutalitet në të njëjtën frymë. Që mund të ndjejë dashuri të thellë dhe ego primitive në të njëjtën zemër.

Sa më shumë ta vëzhgosh njeriun, aq më shumë kupton se ai nuk është plotësisht transparent, madje as për vetveten. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye arti është i pandashëm nga ekzistenca njerëzore. Sepse arti nuk është thjesht objekt; nuk është vetëm një pikturë, një poezi apo një skenë. Arti është një mënyrë përjetimi.

Ecja ka ritëm.

Të folurit ka muzikë.

Heshtja ka dramaturgji.

Edhe mënyra se si një person lodhet, pret, dashuron apo shikon nga dritarja në mbrëmje ka diçka thellësisht artistike brenda saj. Njeriu është aq i zhytur në art, saqë nuk e vëren më — si një sy që nuk mund ta shohë vetveten pa pasqyrë.

Problemi i kohëve moderne është se arti shpesh është reduktuar në industri, imazh apo konsum kulturor. Por arti i vërtetë nuk fillon aty. Arti i vërtetë fillon kur njeriu ndalon së qeni thjesht një funksion shoqëror. Kur, për disa çaste, del jashtë rolit të tij. Kur sheh diçka që nuk mund ta shpjegojë plotësisht, por e ndjen si të vërtetë. Një tingull. Një figurë. Një fjali. Një heshtje. Aty, arti bëhet përvojë, jo objekt.

Pseudo-arti shpesh ushqen narcizmin dhe nevojën për imazh. Ai prodhon konsum emocional të shpejtë, por jo transformim të brendshëm. Arti i vërtetë bën të kundërtën. Ai na çarmatos. Ul zhurmën e egos. Na kujton kufijtë dhe brishtësinë tonë. Nuk është rastësi që në momentet më të thella të jetës, njeriu i drejtohet instinktivisht artit. Jo për informacion, por për prani. Për një ndjenjë kuptimi. Sepse ka gjëra që mendimi racional nuk mund t’i prekë i vetëm. Shkenca analizon. Filozofia strukturon. Psikologjia interpreton. Por arti ndonjëherë arrin të ndiejë diçka para se mendja ta kuptojë.

Një pjesë muzikore mund të të japë ndjenjë kuptimi pa ofruar asnjë shpjegim. Një imazh mund të të prekë më shumë se një teori. Një poezi mund të prekë diçka që mendja nuk di ta emërtojë. Ndoshta njeriu nuk jeton vetëm përmes vetëdijes logjike. Ndoshta ekziston një pjesë më e thellë e qenies sonë që kërkon kuptim përmes intuitës, ritmit, simbolit dhe përvojës estetike. Kjo është arsyeja pse arti dhe njeriu janë të pandashëm.

Vetë jeta është një art i pavetëdijshëm. Njeriu krijon kuptim edhe kur nuk e kupton plotësisht atë që po bën. Ai krijon rituale, histori, gjuhë dhe mënyra për të dashur, për të kujtuar dhe për të mos u zhdukur.

Dhe ndoshta arti është pikërisht ajo pasqyrë. Jo për ta bërë njeriun më të bukur, por për ta penguar të harrojë se çfarë është. Ndoshta arti është mënyra përmes së cilës njeriu kalon përtej kufirit të vetëdijes në kërkim të kuptimit.

Resul Jusufi

Piktor,Kurator,Regjisor

Graz/Austri

Instgram :@artofresul

https://www.instagram.com/artofresul/p/C5_AjAyIn7K
https://sq.wikipedia.org/wiki/Resul_Jusufi

Filed Under: ESSE

85 VJETËT E ABDURAHIM ASHIKUT

May 11, 2026 by s p

Nga Bujar Karoshi “BOTIMET M e B”/

Ky libër është një udhëtim i ndjerë autobiografik nëpër jetën, kujtimet dhe krijimtarinë e Abdurahim Ashikut, një rrëfim që përshkon 85 vite jetë dhe 69 vite lidhje të pandërprerë me shtypin, librin dhe njerëzit.

Përmes kujtimeve personale, autori rikthen fëmijërinë në Dibër, vitet e shkollimit në Peshkopi, Tiranë e Fier, dashurinë e hershme për letërsinë dhe gazetarinë, si dhe ndikimin e mësuesve që formësuan shpirtin e tij krijues.

Libri shpalos rrugëtimin e një njeriu që jetën e ndërtoi ”mbi këmbët e veta”, me ndershmëri, punë dhe përkushtim ndaj njerëzve të thjeshtë. Në qendër të rrëfimeve janë Dibra, njerëzit e saj, puna në bujqësi, gazetaria, udhëtimet nëpër Shqipëri dhe përjetimet e emigracionit në Greqi, ku autori vazhdoi të shkruajë e të mbrojë identitetin shqiptar përmes fjalës së shkruar.

Me gjuhë të ngrohtë, humor dhe ndjenjë njerëzore, libri bëhet një dëshmi e gjallë e kohëve të ndryshme shqiptare: nga varfëria dhe idealizmi i rinisë, te ndryshimet politike e shoqërore, emigracioni dhe përpjekja për të ruajtur kujtesën.

Fotografitë dhe shkrimet e shumta e kthejnë këtë vepër në një arkiv personal e kombëtar njëkohësisht.

“85 Vjet…” është jo vetëm historia e një njeriu, por edhe historia e një brezi që jetoi me sakrifica, dashuri për fijen dhe besim tek fjala.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT