• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse aksidentet rriten kur flasim në telefon apo heqim sytë qoftë edhe për një sekondë?

June 3, 2026 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D Autore & Studiuese Neuro-Shkencë dhe Shëndet

Shpesh mendojmë se mund të bëjmë dy gjëra me rëndësi në të njëjtën kohë, por neuroshkenca tregon se truri thjesht kalon shumë shpejt nga njëra detyrë te tjetra. Kërkimet në fushën e neuroshkencës mbështesin idenë se fragmentimi i vëmendjes ndikohet nga mjedisi dhe stili i jetesës. Kur përpiqemi të ndjekim disa aktivitete në të njëjtën kohë, shfaqim vështirësi në filtrimin e informacionit të parëndësishëm dhe në kontrollin ekzekutiv (Mark, 2023). Ky ndryshim në sjellje nuk do të thotë se truri ynë ka humbur aftësinë për t’u përqëndruar, por tregon se mjedisi digjital na shtyn drejt një stili jetese ku vëmendja jonë ndryshon vazhdimisht drejtim. Për shembull, nëse jemi duke drejtuar një makinë me një shpejtësi normale prej 40 kilometrash në orë, ajo përshkon rreth 11 metra në çdo sekondë. Kjo do të thotë se duke u shpërqëndruar për vetëm një sekondë, makina vazhdon të eci plot 11 metra qorrazi, të përqëndruar diku tjetër. Nëse në atë moment ndodh dicka në rrugë ose makina përpara ndalon papritur, ju do të filloni të reagoni vetëm pasi të keni kaluar këto 11 metra, gjithashtu trurit i duhet kohë shtesë për të kuptuar rrezikun e ri dhe për të reaguar. Diskutimi thelbësor në këtë artikull është se sjellia jonë në kohën dixhitale, nuk ka dëmtuar aftësinë tonë për t’u përqëndruar, por ka ndryshuar mënyrën se si ne e ndajmë vëmendjen tonë gjatë përdorimit të sjelljes. Një shëmbull i thjeshtë i jetës së përditshme është kur ulemi për të pirë një kafe me një mik/e, dhe shumë shpejt, pas pak sekondash e gjejmë veten duke kontrolluar mesazhet në telefon ose duke hapur një faqe tjetër në internet pa ndonjë arsye urgjente. Duke u bazuar në studime kohëzgjatja e qëndrimit në një ekran pa e ndërruar faqen ka rënë në mënyrë drastike. Nga dy minuta e gjysmë që ishte në vitin 2004, ajo zbriti në 75 sekonda rreth vitit 2012, dhe ka arritur në rreth 47 sekonda në vitet e fundit (Mark, 2023). Si rrjedhojë përqëndrimi jonë në sjellje është shkurtuar në kohëzgjatje. Duke u bazuar në çfarë diskutoj më sipër është e rëndësishme të kuptojmë që në jetën e përditshme duhet të dimë të ndajmë dhe kuptojmë thellësisht rëndësinë e ç’do sjellje të lidhur me përqëndrimin refleksiv. Kur shikojmë një faqe në instagram apo tik-tok, shpërqëndrimi nuk krijon shqetësime të mëdha, por kur jemi duke i dhënë makinës, e njëjta sjellje mund to krijojë një dëmtim fatal. Fatjona R. Lubonja Ed.D është studiuese dhe autore. Ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, New York, USA #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

Viktor Hygo, ai që na mëkoi dashurinë si një ngjarje eterne, përtej kohës dhe materies

May 30, 2026 by s p

Albert Vataj/

​”Çfarë është Dashuria?”, do të pyeste dikur i madhi Viktor Hygo, duke lënë pas një përgjigje që nuk rreket të japë një përkufizim të ftohtë akademik, por pikturon një tablo të gjallë të shpirtit njerëzor, shpërthim që e endi në altarin e letërsisë botërore, romanin legjendar,”Të Mjerët”: ​”Unë takova në rrugë një njeri shumë të varfër, i cili ishte i dashuruar. Kapelja e tij ishte e vjetër, palltoja tepër e përdorur, uji i përshkonte këpucët, dhe… yjet e qiellit përmes shpirtit të tij kalonin.”

​Në këtë kontrast të fuqishëm midis rrobave të rreckosura dhe yjeve të pafundëm, Hygoi zbulon sekretin e madh, të magjishmen e engjëllt, hyjnoren e tokësorëve që jetojnë frymshëm, atë që moderniteti e ka vrarë mizorisht, se dashuria nuk është një ngjarje që ndodh brenda botës fizike, por një ngjarje që krijon një botë të re. Një gjithësi që ngjizet në dy kurme zjarri dhe i blaton hyjnoren e ndjenjave mëkimit yjor, ku botët lindin magjishëm dhe kozmosi dehet pluskimeve të vezullimta.

​Njeriu i Hygo, copëza e dritshme e shpirtit të tij, është i zhveshur nga çdo pasuri materiale, i flakur tej nga çdo teprim dhe barrë e shtijes solemne dhe maskës.

Këpucët e tij të çara që mbushen me ujë, përfaqësojnë rëndesën e tokës, vuajtjen e përditshme dhe vdekshmërinë tonë, sfidën e të pashmangshmes.

Ai, personazhi i Hygo, dhe çdo qenie që jeton shpirtshëm, i gatshëm të sakrifikohet për atë që beson dhe përjeton, nuk ecën mbi baltë, ai ecën mbi yje, ai jeton në një realitet imagjinar drite që shndërron njeriun në yjësi. Dashuria vepron si një alkimi hyjnore, ajo merr të gjitha mangësitë e realitetit dhe i shndërron në përjetësi.

Kur dikush dashuron, trupi i tij mund të jetë i burgosur në rrethanat të vështira, por shpirti i tij kthehet në një teleskop që kap dritën e universeve më të largëta dhe e vendos shpërthimin e tij të pasionit në qendër të galaksisë. ​Ngjarjet njerëzore kanë një fillim dhe një fund. Palltot vjetrohen, kapelat grisen dhe epokat ndryshojnë. Por dashuria, ajo që e hedh qenien tej në galaksi, klasifikohet si “eterne” sepse… Ajo nuk i nënshtrohet ligjeve të konsumit.

Ajo nuk vjetrohet nga koha.

Ajo nuk pranon të zbresë nga Olimpi i perëndishëm i shpirtit.

Ajo lidh të përkohshmen, njeriun, me të përgjithmonshmen, qiellin.

Ajo është imune ndaj privimeve të materies, sa kohë që përbëhet nga lëndë eterne.

Ajo del nga shpirti, t’i përkasë një zemre, për t’u shndërruar në ngjarje galaktike.

I dashuruari i Hygosë nuk ka asgjë, por në të njëjtën kohë ka gjithçka. Kosmologjia e tij e brendshme është e plotë. ​Kur yjet kalojnë përmes shpirtit të një njeriu, kjo do të thotë se dashuria e ka zhveshur atë nga egoja, njerëzorja i përket qiellores. Ai nuk është më thjesht një kalimtar i varfër në një rrugë të kapluar nga errësira, ai është bërë pjesë e harmonisë së universit, rrugëtim në trajektoren e tij.

Dashuria e vërtetë nuk kërkon të zotërojë, ajo kërkon të ndriçojë yje në çdo vështrim, të ndez diej në çdo prekje, të lind shpërthimshëm në çdo kopulim. Ajo e kthen qenien njerëzore në një urë midis baltës së tokës dhe pafundësisë llamburitëse të qiellit.

​Pena dhe shpirti prej drite i Viktor Hygoi na kujton se të dashurosh do të thotë të kesh një pasuri që bota nuk ta jep dot dhe as nuk ta merr dot. Nëse bota na vlerëson nga ajo që kemi veshur apo nga ajo që kemi në xhepa, përjetësia na mat me sasinë e dritës që lejojmë të kalojë përmes nesh.

Dashuria mbetet e vetmja ngjarje eterne, sepse edhe kur gjithçka tjetër shembet, yjet vazhdojnë të ndrijnë brenda shpirtit të atij që guxon të dashurojë etershëm.

Filed Under: ESSE

Azem Shkreli, një nga kulmet e poezisë moderne shqiptare

May 27, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Azem Shkreli (10 shkurt 1938-27 MAJ 1997)

Azem Shkreli përfaqëson një nga kulmet e poezisë moderne shqiptare: një poet që solli gjuhë të re, intimitet lirik dhe një ndjeshmëri të mprehtë ndaj fjalës, duke e shndërruar poezinë kosovare në një hapësirë të lirë artistike. Ai e çliroi poezinë nga patosi kolektiv i realizmit socialist, duke e kthyer drejt intimitetit, subjektivitetit dhe lirizmit personal. Shkreli e trajtonte fjalën si gur, si materie të rëndë e të shenjtë, duke i dhënë poezisë një dimension filozofik. Shumë poezi të tij janë të mbushura me imazhe të Rugovës, me natyrën e ashpër dhe të bukur, të ndërthurur me ndjenja intime.

Poezia e tij shpesh përshkohet nga një ndjenjë humbjeje, mallkimi, por edhe kërkimi për kuptim në mes të heshtjes dhe gurit. Poezia e Azem Shkrelit është si një kështjellë e ndërtuar me gurë të fjalës – e ashpër, e fortë, por e mbushur me dritë të brendshme.

Ai mbetet një nga poetët më të përkthyer dhe më të studiuar, duke e vendosur poezinë shqiptare në dialog me letërsinë evropiane. Kur kam lexuar ne vitet 80’ “E di një fjalë prej guri” (1969), një nga librat më të fuqishëm, ku fjala merr peshë metafizike, jam tronditur nga “trimeria” e tij letrare. Shqiperia asokohe nuk kishte “trima”

———————————————————————-

Kadare: Azem Shkreli më pyeste në atë kohë, tetor 1972, – hë si duket Shqipëria, a ka ndonjë shenjë liberalizmi atje? Unë i përgjigjesha po. Po më gëzon shumë – tha Azemi. Sepse unë s`shoh ndonjë shenjë nga jashtë, përsëriti ai. Nga jashtë nuk ka shenjë, por nga brenda po, ia ktheva unë. Unë dija në atë kohë që, në udhëheqjen shqiptare ekzistonte një grup liberal, në thonjëza, ose diçka si liberale aq sa mund të ishte, si Todi Lubonja etj. Më vonë doli që unë s´kisha patur të drejtë. Ka ndodhur shpesh në diktatura, gjoja jepet një si frymë oksigjeni dhe pastaj kur të vjen karboni e të mbyt fare.

Ne jemi takuar më vonë dhe e bëmë këtë bisedë me Azemin, ai ishte i sjellshëm nuk thoshte gjë. Unë i thashë, ti kishe pasur të drejtë!

——————————————————————-

“LIRIKË PËR LIRINË” ( AZEM SHKRELI)

Liria është ylberi im matanë grilave

Liria është gërshet i vashës me fjongë

Kur rritet, e veshim nuse

Kur eçtohemi, i pijmë shëndet nga gjiri

Ajo është pikë në ujë, zog në qiell

Kur flet, e kuptojmë si nënën

Kur dhemb, dhemb në zemër

Liria thinjet bukur, nuk plaket

Kur vdiset, është e pavdekshme

Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut.

Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë.

Filed Under: ESSE

Akademia e Shkencave kujton në 180-vjetorin e lindjes Naim Frashërin, poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare

May 25, 2026 by s p

Poeti, historiani, gazetari, përkthyesi dhe veprimtari i arsimit kombëtar dhe i kulturës, Naim Frashëri, lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Ai ishte ndër shkrimtarët dhe aktivistët kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

“Bagëti e Bujqësi”, “Ëndërrimet”, “Historia e Skënderbeut” janë disa prej veprave të tij letrare që kanë mbetur në fondin e artë të letërsisë shqiptare.

Në vendlindje mori mësimet e para. Më 1865, familja u shpërngul në Janinë, ku, bashkë me vëllanë më të vogël, Samiun, përfundoi gjimnazin grek “Zosimea”.

Më vonë punoi për disa muaj në Stamboll si nëpunës në zyrën e shtypit, por u prek nga tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për një klimë më të përshtatshme. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, e më pas “Dituria” (1885), ku botoi edhe shumë prej prozave dhe vjershave të tij.

Pas rikthimit në Shqipëri, punoi si nëpunës në Berat dhe më pas si doganier në Sarandë (1872–1877). Në këtë periudhë shkroi edhe poezitë e para në gjuhën shqipe.

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — ku një nga udhëheqësit ishte Abdyl Frashëri, vëllai i tij më i madh — si dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Sami Frashëri, Naimi iu përkushtua tërësisht letërsisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Naim Frashëri u nda nga jeta më 20 tetor 1900. Ai mbetet një dritë e pashuar në historinë dhe shpirtin shqiptar.

Në përkujtim të 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë me 26 maj veprimtarinë jubilare me temë: “Naim Frashëri në 180-vjetorin e lindjes”, organizuar nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.

Kjo veprimtari synon të sjellë në vëmendje figurën dhe veprën e Naim Frashëri, një prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Për më shumë lexoni linkun:

https://www.facebook.com/share/p/1JRaPYxhEY/?mibextid=wwXIfr

Filed Under: ESSE

Forca morale…

May 24, 2026 by s p

Azgan Berbati/

Thuhet se çdo libër është festë. Dhe sonte, për mua, kjo është më shumë se një promovim libri; është një nga ato takime që mbeten të gdhendura në shpirt. Kam marrë pjesë në dhjetëra takime letrare, artistike, universitare, politike e shkencore, por ky mbetet ndër më të rëndësishmit dhe më emocionuesit e jetës sime. Ka diçka gati jo tokësore në këtë mbrëmje. Amerika është një vend me madhështi të jashtëzakonshme. Përballë kësaj hapësire të pafundme, njeriu nganjëherë ndihet si një pikë uji në oqean. Por shqiptarët këtu kanë bërë diçka të rrallë: kanë ndërtuar ishullin e tyre shpirtëror. Një mikrokozmos shqiptar në zemër të Amerikës.

Sonte e shoh qartë këtë atdhe në miniaturë.

Sepse secili prej jush ka marrë me vete, në torbën e shpirtit, nga një grimcë Shqipërie, dhe këtu e keni bashkuar atë me dashuri, përkushtim dhe fanatizëm të bukur. Ndoshta, ndonjëherë, edhe më fort se ne që jetojmë atje. Ka njerëz që shpirtin e kanë futur në një torbë dhe e kanë shitur. Ju nuk i përkisni atij rasti. Dhe për këtë unë ndiej krenari të thellë. Sfida më e madhe mbetet ta përcillni këtë tek pasardhësit tuaj, pa humbje. Dhe ju uroj ta arrini.

Forca morale i ka mbajtur gjithnjë shqiptarët. Jo vetëm armët, jo vetëm historia, por mbi të gjitha shpirti. Dhe letërsia është një nga mënyrat më fisnike për ta mbrojtur atë shpirt. Nuk ka rrugë më të shkurtër sesa nga koka në letër, por nuk ka as rrugë më të gjatë. Sepse fjala kalon përmes njeriut, përmes dhimbjes, përmes kujtesës, përmes jetës. Kam besuar gjithnjë se kur e mira ndodh pa interes, pa shkak e pa përfitim, ajo është e mirë absolute. Deri te Zoti. Dhe pikërisht kjo mirësi më ka shoqëruar në këtë rrugëtim.

Gjatë organizimit të këtij takimi, kuptova edhe diçka tjetër: se ekzistojnë njerëz që vlejnë sa një institucion i tërë. Njerëz-shoqatë. Njerëz që me shpirtin, dashurinë dhe përkushtimin e tyre tejkalojnë çdo strukturë formale. Prandaj, për mua, më shumë vlerë sesa të jem pjesë e shoqatave më prestigjioze të botës, ka fakti që jam pjesë e dashurisë suaj, e shpirtit tuaj. Jam anëtar i zemrave tuaja. Pikërisht aty ndodh shkëputja nga graviteti tokësor, dhe ky takim merr dimension tjetër.

Gurthemelet e kësaj mbrëmjeje janë Albulena Beqiri, Rafaela Prifti dhe Fredi Tolja. U jam mirënjohës përjetë. Jo vetëm sepse mbështetën Azgan Berbatin, por sepse, në një kohë krize njerëzore, më rikujtuan se njerëzillëku ende nuk ka përfunduar. Pa ta, sonte nuk do të ishim mbledhur këtu.

Edhe poezitë e këtij libri shpesh kanë lindur nga tronditje dehumanizuese, nga absurdi i realitetit, por ato janë përpjekur gjithmonë t’i japin jetës një kuptim më të bukur, më njerëzor. Janë munduar ta shërojnë realitetin që i ka ndikuar. Arti dhe letërsia janë mjetet që përmbushin njeriun. Ato rafinojnë shoqëritë. Sokrati, Platoni, Aristoteli, stoikët dhe epikurianët besonin se arsyeja, dija dhe kultura janë mënyrat më të larta për të luftuar vuajtjen njerëzore. Edhe Shqipëria jonë, si ide dhe si vizion, u themelua nga mendja dhe shpirti i rilindasve. Prandaj, ky vend ka prodhuar gjithnjë elitë, sepse vetë origjina e tij është elitare. Për librin tim u fol shumë sonte, dhe unë besoj se autorit i takon ta shkruajë veprën, jo ta shpjegojë pafundësisht atë. Prandaj nuk do të flas më për librin.

Ju që folët fjalë kaq të larta, mirënjohja e përulësia ime janë po aq të mëdha. Faleminderit për vlerësimet, të cilat më nderojnë, i nderuar Pal Ndreca. Aq më shumë, kur vijnë nga një poet si ju. Nosh Mernacaj e Mark Qehaja, promotorët e këtij takimi, humanistë e miq të shkëlqyer, ju falenderoj shumë që e siguruat mbarëvajtjen e këtij takimi. Megjithatë, të gjithë ju, miqtë e mi, ndërtuar një qiell të kaltër sonte, në të cilin Shaban Lajci, i shndërroi poezitë e mia në yje dhe i ngjiti aty, me interpretimin e tij brilant. Kjo do të mbetet një nga fotografitë më të bukura të jetës sime, në albumin e shpirtit.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT