• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Si një roman”

June 17, 2026 by s p

Agim Baçi/

“Menduam se të lexuarit është si të ecurit, që mësohet vetë. Por nuk është kështu, sepse leximi duhet udhëzuar”… Kështu shprehet shkrimtari francez, Daniel Pennac në librin “Si një roman”, duke shqyrtuar pikëpyetjen e përbotshme- Përse nuk lexojmë më si më parë? Në një soditje të këtij fenomeni, përmes përvojës edhe si mësues i letërsisë, Pennac sjell jo vetëm një telajo të madhe të pikëpyetjeve mbi mosleximin apo keqleximin e sotëm, por edhe një guidë të mundësive për të rikthyer leximin, duke nisur nga kuptimi ynë për lirinë që duhet t’ia llogarisim çdo lexuesi.

Përmes ironisë Penacc ka ndërtuar 10 rregullat e lexuesit, duke u nisur nga “e drejta për të mos lexuar fare” e pastaj edhe “e drejta për ta lënë librin në mes”, apo “e drejta për të kapërcyer disa faqe”. Por të gjitha këto të drejta, të lëna “në dorë të lexuesit” janë vetëm parapërgatitja e madhe për të shkuar drejt leximit. Duke i dhënë të drejtë lexuesit të vendosë, autori veçse i jep rëndësinë e jashtëzakonshme që ka lexuesi për letërsinë, si në të kuptuarit e veprës ashtu edhe në shpërndarjen e mesazhit.

Por si mund ta rikthejmë magjinë e leximit? A vlen të mbetemi duke kritikuar botën e pushtetshme të televizionit dhe internetit? Jo, nuk mund të fajësojmë askënd edhe pse nuk i përjashtojmë fuqinë që kanë këto fenomene në lënien pas dore të leximit sot në botë. Për Pennac është e rëndësishme që të gjejmë shtigje të reja të komunikimit për librin me qëllim që ajo magji që vjen për tyre të jetë “e dukshme”, domethënë e pranishme. Rojtarë të “këtij shtegu” të rëndësishëm për leximin janë udhëzuesit, mësuesit e mirë, debatuesit publikë, të cilët duhet medoemos të bashkëbisedojnë hapur për librin.

Por me çfarë magjie mundet ta joshim lexuesin? T’i themi që bota nuk është zbuluar prej tij? T’i themi që nuk është i vetmi që humb, por të tjerë përpara tij kanë humbur dhe ai mund t’i njohë përmes librit? T’i themi që për dashurinë ka qindra e qindra histori ku mund ta gjejë veten qoftë në zhgënjim ashtu edhe në sukses, e që të mos ketë nevojë t’i humbë ai të gjitha, por edhe të mësojë nga humbjet e të tjerëve? Mund t’ia themi të gjitha këto, por duhet që më së pari të vëmë theksin se sa rëndësi ka të shkojmë te leximi, të shqetësohemi për leximin, pasi vetëm një lexues i mirë mund të jetë rruga drejt një debati të rëndësishëm për librin.

“Si një roman”, ardhur nga “Pegi” përmes përkthimit të Edmond Tupes, është një guidë e rëndësishme për pyetje dhe përgjigje, ku thuhet shumëçka jo vetëm për të respektuar lexuesin në qëndrimin e tij, por edhe për t’i dhënë të besojë se fuqia e letërsisë është e përbotshme. Ndaj, kush dëshiron të shohë më shumë gjëra brenda vetes, duhet të përpiqet ta mbushë të brendshmen e tij me shijen e fortë të vëzhgimit që letërsia e bart, me histori ku njeriu zgjedh, pasi letërsia nuk na njeh vetëm me qëndrime apo gjykime që kanë ndodhur rëndomë në botë, në kohë të ndryshme, por edhe që mund të ndodhin në të tashmen apo të ardhmen tonë. Kjo është magjia e letërsisë, dhe kjo është guida e pyetje-përgjigjeve që Pennac sjell përmes një ironie të hollë, që shpotit çdokënd ëmbëlsisht drejt librit.

Filed Under: ESSE

UDHA E ABETAREVE SHQIPE

June 15, 2026 by s p

Avzi Mustafa/

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson një nga faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke e kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se – pa rrokur armën e shkrimit – nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, lirisë e pavarësisë.

Nëse historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe e vështrojmë nga realiteti i saj historik, do të ndeshemi me një të kaluar sa të vështirë, po edhe aq edhe të lavdishme, aq dinjitoze, po aq edhe tragjike gjatë rrugës së saj nëpër shekuj. Në truallin e Arbërisë çdo pushtues mundohej të linte gjurmë në shpirtin e shqiptarit, duke hapur shkolla greke, latine, osmane, sllave, por asnjë shqipe. 

Banorët e Arbërisë quheshin arnautë, latinë, kaurë, por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Megjithatë, shqiptarët kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit. Pavarësisht metodave nga më të ndryshmet, duke e shfrytëzuar edhe atë shpirtërore dhe materiale, vetëm e vetëm që t’i përçajnë shqiptarët, ata mbeten shqiptarë pa dallim besimi, sepse ajo që i bashkonte e i bënte shqiptarë ishte gjuha. Gjuha e bukur shqipe ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente, e kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.

Me lëvizjen e re, të njohur si “Rilindja Kombëtare Shqiptare”, ideologët e kësaj lëvizjeje e kishin kuptuar se pa emancipim arsimor nuk ka as emancipim politik. Dhe, gjëja më e parë ishte që në fillim “Fjala të shkruhet në Abetare e kjo ishte arma më fuqishme”, që do t’u bënte ballë armiqve, që me propagandat e tyre trumbetonin se “Zoti i njeh vetëm gjuhët e pushtuesve e jo gjuhën shqipe”. 

I pari që iu rrek punës të botojë një abetare, që do t’i shkruajë germat, që ato germa ta formojnë fjalën e bukur shqipe, që do t’ia japë frymën asaj, është Naum Veqilharxhi. Ai, që në vitin 1844, e botoi veprën “Ëvetari”, ndërsa një vit më vonë do ta ribotojë dhe do ta plotësojë. Me dy Ëvetarët e tij, Naum Veqilharxhi do të jetë ai, siç do të shprehet pedagogu i mirënjohur prof. Shefik Osmani: “që ndezi flakadanet e fillimit të një epoke të re për mësonjëtoret shqipe, për didaktikën e arsimit fillor shqiptar, duke kuptuar drejt dhe realisht detyrimet që shtronte etapa e integrimit bashkëkohor të shoqërisë shqiptare”. 

 “Ëvetari” i parë i Naumit ishte vetëm një nga nismat e mbara, por pastaj ky libër germash erdhi duke u përsosur dhe duke u përshtatur vazhdimisht me veçoritë e gjuhës dhe me metodat më të reja të mësimit të shkrim-leximit. Po, jo vetëm kaq. Ëvetarët u bënë arma më e fuqishme për ideologët e parë dhe mësuesit e parë të lëvizjes kombëtare, e cila ishte edhe trajektorja kah duhej të drejtohet populli shqiptar, ndërsa kjo rrugë ishte kah dija, porse në gjuhën amtare, sepse zhvillimi i arsimit varej pikërisht prej “shkrimit e gjuhës amtare me një alfabet unik, duke e futur elementin kombëtar, që ata e shihnin te Abetarja.”

Kudo që vepronin dhe punonin jashtë tokës shqiptare në tokat e huaja, patriotët shqiptarë u lidhën ngushtë me Abetaren, madje jo vetëm mësuesit, por edhe mendimtarët, si dhe ideologët e luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare, që u bënë bashkë dhe kudo njëzëri e ngritën kushtrimin se: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet t’i zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin me lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”

Për t’u plotësuar ky ideal, kjo gjithsesi kërkonte edhe sakrifica – nuk munguan as mallkimet, helmimet, burgimet, internimet, torturat dhe shfarosjet. Autorët e abetareve i mallkonte edhe Patriakana, edhe Papati, edhe Kalifati, por edhe hoxha edhe prifti. Megjithatë, kurrë nuk u përkulën, por – përkundrazi – edhe para trekëndëshit të vdekjes linin amanetin që këtë rrugë fisnike të mos e ndalin. Ashtu siç bëri thirrje Petro Nini Luarasi: “edhe nëndëdhjetë herë të rrëzohemi përsëri duhet të ngrihemi”. Ose, edhe thënia tjetër e Petro Nini Luarasit, i cili u tha feudalëve të vendit dhe të huajve: “Vëramni, po mblidhmanii gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruaj në gjuhën shqipe. 

Që nga abetarja e Naum Veqilharxhit (1884/1845), u kalua një rrugë e vështirë, që me hapa të mëdha rrugëtonte vet larg turkçes, greqishtes, sllavishtes  duke shkruar abetare , duke hapur shkolla shqipe dhe ato mund t’i ndajmë disa periudha. 

Periudha e parë (1984-1879), që kap vitet ‘50-’70-të të shekullit 19-të, karakterizohet si periudhë kur fillon arsimi shqip, kur u krijuan mundësi të hapeshin shkolla në gjuhën amtare ose në shkollat e huaja kërkohej të hyjë gjuha shqipe si lëndë mësimore, me të vetmin qëllim që të rritet vetëdija kombëtare.

 Në këtë periudhë e kemi edhe platformën e qartë të Lidhjes së Prizrenit. Pas mbledhjes së 10 qershorit 1878 dhe disa muaj pas memorandumit të nëntorit 1878, u mor vendimi i qartë dhe këmbëngulës për mësimin e shqipes, si dhe për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.

Platforma pedagogjike e shkollës në gjuhën amtare u bë kërkesë shumë e shpeshtë gjatë muajit qershor-tetor të vitit 1879, sidomos me krijimin e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, si dhe Kanonizmës së kësaj shoqërie, që kërkonte lëvrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave në gjuhën shqipe me alfabet të njëjtë. Fryma e Lidhjes së Prizrenit, me objektivat që i përcaktoi, i dha udhë dhe motiv përhapjes së arsimit, të shkollës dhe ngritjes së ndërgjegjes kombëtare. Me botimin e “Alfabetares” (1879), ajo bëhet dokumenti i parë i platformës pedagogjike dhe didaktike kombëtare për atë kohë. “Alfabetarja bëhet një traktat pedagogjik për ruajtjen e gjuhës si shenjë identiteti të shqiptarëve për ta dalluar atë nga popujt e tjerë, që ishte rezultat i asimilimeve nga shtetet shoviniste fqinje.

Në etapën e dytë, që kap periudhën e viteve 1882-1900, kemi hapjen e shkollave të pavarura shqipe. Në këtë periudhë, në Stamboll, i madhi Sami Frashëri do ta botojë Alfabetaren shqipe. Pas botimit të parë, më 1886, Sami Frashëri do ta ribotojë edhe dy herë atë, duke e plotësuar, pa lënë anësh figura të të gjitha trevave shqiptare. Kështu, që në ribotimin e dytë e heq copën e leximit, ku janë figura mitike Jakobi dhe Josifi. Në vend të kësaj cope leximi do ta vendosë vjershën e patriotit nga Reka e Epërme, Josif Bageri, me titull “Djali dhe bilbili”, ndërsa copën e leximit me titull “Kristofor Kolumbi” do ta zëvendësojë me copën e leximit “Mësimi gegërisht”.

 Abetarja e Sami Frashërit është e para abetare e cila u përdor në të gjitha trojet shqiptare, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Maqedoni, si dhe në të gjitha vendet ku mësohej shqip. Në Maqedoni këtë abetare e kanë sjellë patriotët, tregtarët dhe intelektualët e kohës. Po në këtë periudhë, që është periudha kur u hapën një numër i madh i shkollave kombëtare, u botuan edhe një varg abetaresh. Pos asaj të Sami Frashërit, e kemi abetaren e Gaspër Benusit, abetaren e Konstadin Kristoforithit, që një herë u shtyp gegnisht e më pas toskrisht, abetaren e Hasan Tahsinit, është pastaj abetarja e Panajot Kupitorit për nxënësit arbëreshë të Greqisë, abetarja e Shefqet Daiut, abecedari i Jeronim De Radës, abetarja e Jani Vretos, abetarja e Said Najdenit, abetarja e Zymit, abetarja e Daut Boriqit, abetarja e “Bashkimit”, një abetare shqipe Albanias së Brukselit, abetarja e Vasil Dhimitar Rusos, abetarja e Jovan Terovës etj.

Në periudhën e tretë, që kap vitet 1900-1912, janë botuar: abetarja e Anastas Kulluriotit; abetaret anonime, që thuhet se janë po ashtu të Sami Frashërit të botuara në Sofje, “Abetare toskrisht”, përshtypje e katërtë, botuar në Selanik, pastaj “Abetare toskrisht”, përshtypje e gjashtë, botuar në Selanik, abetarja e Mjedës, dy abetare të Luigj Gurakuqit, abetarja e Parashqevi Qiriazit, abetarja e Lakos, abetarja e S. Shuteriqit, abetarja e Paparistos, abetarja e Mati Logorecit, abetarja Lazër Lumezit, abetarja e Lumo Skendos, abetarja e Jani Mingos, abetarja e Pertel Pogonit, abetarja e Kumanovës ose e Jashar Erebarës, abetarja e Hafiz Ali Korçës, abetarja e Palucës, abetarja e Aleksandar Xhuvanit, abetarja e Nikolla Lakos, “Abetari i vogël shqyp” botuar në Shkodër të A. Xhuvanit etj. Po në këtë periudhë kemi edhe abetare të shkruara me shkronja turko-arabe, si: abetarja e Rexhep Vokës, Elifi i Mulla Shaban Idrizit, disa shkaravitje të klubit “Makfell” të Arif Hiqmetit, abetarja në dorëshkrim të Abdylaqim Doganit me germa turko arabe, abetarja e Digjen Haritosit, si dhe vepra “Abetari i gjuhës shqipe”, botuar në Athinë. 

Pas pavarësisë së Shqipërisë filluan luftërat ballkanike dhe trojet shqiptare u ndanë në banovina sllave e greke, ndërsa shqiptarët jashtë kufirit etnik, deri në mbarim të Luftës Dytë Botërore nuk do të kenë as abetare e as shkollë në gjuhën amtare, përveç ilmihaleve që i përdorin mualimët në mejtepet e tyre. 

Gjithsesi duhet të përmendet se në Shqipërinë Veriore, në Maqedoninë Perëndimore, si dhe në Kosovë, gjatë viteve 1942 do të përdoret një abetare anonime, e botuar në Firencë. Kjo abetare do të ketë një përdorim të gjerë në trevat shqipfolëse që ishin nën juridiksionin e Italisë, por administrata zhvillohej në gjuhën shqipe.

Deri në mbarim të Luftës së Dytë është botuar Abetarja e La Pianës (1917), në vitin 1917 botohet abetarja e Viskë Pulës, si dhe “Abetare për shkollat fillore”, botuar në Korçë. Në vitin 1919 botohet abetarja e Thoma Pappanos me titull “Shkendijat e para. Në këtë vit është botuar edhe një “Abetare e Re” me autor të panjohur. Në vitin 1920 botohet abetarja e Mati Logorecit, me titullin “Abetare”, botuar në Vlorë. Është një “Abetare për shkollat fillestare të Shqypnisë mas metodës analetike-sintetike të shkrimit e të këndimit me fotografi të fatosit krutanë”, botuar në Shkodër më 1920. Po në këtë vit botohet abetarja e botuar nga Jani Minga, “Abetare Kombëtare Shqip”. Në shkollat shqipe në Shqipëri, që prej pavarësisë e deri në vitin 1938, janë vënë në përdorim abetarja e Dhori Kotit, një abetare arabisht për shkollat e Shqipërisë, botuar në Tiranë 1921, Abetarja e Ndu Pallucës “Abeta”, “Abetar për shkollat popullore shqipe”, Tiranë, 1921, e cila pati 6 ribotime. Me interes të veçantë është abetarja e Aleksandar Xhuvanit, me titull “Abetare për shkollat fillore të Shqipërisë”, e cila është botuar edhe toskërisht nga Pogoni. Abetarja e Aleksandar Xhuvanit është abetarja më e ribotuar në historikun e shkollave shqipe. Ajo është ribotuar prej vitit 1931 e deri në vitin 1938 pa ndërprerë. Është botuar edhe abetarja e Llukë Karafilit, botuar në Kostancë. 

Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945 në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi do të përdoret abetarja me titull “Këndimi im i parë”, botuar në Shqipëri, që pat pak përdorim edhe në disa shkolla në trojet e ndara në Kosovë e në Maqedoni. Në Kosovë, më 1946 do të botohet një abetare për të rritur nga autorët M. Gjevori, I. Riza dhe M. Shendi. 

Për shqiptarët e Maqedonisë, në vitin 1946 do të adaptohet Abetarja e Abdylaqim Doganit, e cila do të përdoret deri në vitin 1947. Në vitin 1947 do të botohet edhe një “Abetare” e autorëve Sami Lamçe, Kamer Xheria dhe Mahmut Dumani. Më vitin 1949 u botua edhe një abetare e autorëve Abdi Haxhiu, Sami Lamçe dhe Zudi Kajanjaku, por kjo abetare nuk u përdor, sepse në këtë kohë u prishën marrëdhëniet mes Jugosllavisë së Titos e të Shqipërisë së Enver Hoxhës.

 Ministria e Arsimit të Jugosllavisë së atëhershme për pakicën shqiptare në Kosovë, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës do ta lejojë “Abetaren e kl. së parë për shkollat fillore” të Mehmet Gjevorit, Stavri Kostarit dhe Jani, Gjinos, që u botua më 1947. Më 1948 u botua një abetare për të rritur me koautor Gjevori, Kostari dhe Mehmet Shpendi. Në vitin 1955 do të botohet  Abetarja e dytë e Mehmet Gjevorit dhe Jusuf Shushkës. 

Prej vitit 1955 e deri më 1965 në Kosovë në përdorim do të jetë “Abetarja” e autorëve Mehmet Ghevori, Jusuf Shushkës, e cila prej vitit 1950 deri në vitin 19698/1969 do të përdoret edhe për nxënësit shqiptarë në Maqedoni edhe Mal të Zi. Kështu, shqiptarët që jetonin në republikat Jugosllave kishin një abetare unike.

 Në vitin1950, do të botohet edhe një abetare me koautor: Mehmet Gjevorit  Kostarit, Shefqet Veliu, T. Paqarizi.

 Në vitin 1965 do të botohet edhe Abetarja e Ramiz Hoxhës, një abetare ku në mënyrë paralele do të përpunohen të gjitha shkronjat, edhe të shtypit edhe të dorës. Prej vitit 1965 e deri më 1982 në Kosovë do të botohen edhe tri abetare të tjera, si ajo e Gjevorit (1974), e Mehmedali Hoxhës (1977) dhe Abetarja e Qamil Batallit (1982).

Në Maqedoni, në vitin 1969, do të botohet Abetarja e Xhevat Gegës, që do të përdoret deri në vitin 2000 si e vetmja abetare në Maqedoni. Po ashtu edhe në Mal të Zi në vitin 1984 do të botohet Abetarja e Gjek Gjokajt dhe Fran Camajt, e cila do të përjetojë 10 ribotime

Deri në vitin 2000 në shkollat e trevave shqipfolëse do të përdoren katër variante paralele të abetareve të pesë autorëve ose grup autorëve të ndryshëm: në Shqipëri ajo e Kol Xhumarit, në Kosovë e Qamil Batallit, në Maqedoni e Xhevat Gegës, në Mal të Zi ajo e Gjekë Gjekajt e F. Camajt dhe në diasporë abetaret e Sejdi Gashit, Rifat Hamitit e Sami Thaçit.

  Sipas asaj që kam hulumtuar deri më tani, ky popull kaq i vogël, duke marrë parasysh botimet e ribotimet, me plotësime e dorëshkrime të pabotuara, abetare për gegë e toskë, abetare për të rritur, abetare anonime e të humbura, abetaret konkurruese, si dhe abetaret me shkronja turko-arabe, shqiptarët kanë mbi 238 abetare. 

Dhe, tani po bëj një pyetje retorike: vallë, a është kjo pasuri kombëtare apo tregon gjendjen tonë të ndarë e të përçarë? Ky numër kaq i madh i abetareve shqipe pasqyron përpjekjen heroike të rilindësve tonë për ta ruajtur këtë gjuhë të bekuar. Kjo po ashtu flet edhe për përpjekjet për një gjuhë të njësuar, por edhe shtrirjen e abetareve edhe në zonat më të largëta. Kjo flet se te shqiptarët që jetojnë të shpërndarë në disa shtete e diasporë shtrohet nevoja e një abetare të përbashkët, që do të shërbejë si një instrument i ruajtjes së standardit dhe simbol i bashkimit kulturor. 

Abetarja e përbashkët është një trashëgimi kombëtare e vlefshme, por edhe një detyrë kombëtare për të ardhmen e arsimit shqip. Një ide të këtillë për një abetare të përbashkët e ndërmori ministri i Arsimit të Shqipërisë, Etem Ruka, i cili në vitin 1999, në bashkëpunim me qeveritë e Kosovës dhe të Maqedonisë, i formoi komisionet shtetërore për një Abetare të Përbashkët. Në Maqedoni u formua një komision, në të cilin bënin pjesë: Avzi Mustafa, Nexhat Abazi, Rexhep Rexhepi dhe Vebi Kadriu. Pas dy takimeve, një në Tiranë e një Tetovë, ku u miratuan qëndrimet dhe kriteret për një tekst të përbashkët për të gjithë shqiptarët, pas shpalljes së konkursit gjithëkombëtar, u paraqitën 11 dorëshkrime, ndërsa Komisioni – pas shqyrtimit të dorëshkrimeve – i zgjodhi dy abetare, atë të Kol Xhumarit dhe të prof. dr. Mimoza Gjokutajt në koautorësi me Shezaj Rokajn. 

Meqenëse anëtarët e Komisionit nga shteti shqiptarë ishin nostalgjikë ndaj abetares me të cilën ata kishin mësuar, sollën vendim që këto dy abetare të testohen në praktikë dhe sipas rezultateve, u vendos që të përdoret Abetarja e Xhumarit, kurse abetaret e tjera të përdoren si alter tekst në Shqipëri, kurse në shtetet tjera të botohen. 

Në Maqedoni, përveç abetares së Xhevat Gegës, u botua edhe Abetarja e Avzi Mustafës, Abetarja e Albasit nga Tetova dhe Abetarja e Qamil Xheladinit.

Nga të gjitha abetaret përdorim më të madh, krahas abetares së Xhevat Gegës, u përdor Abetarja e Avzi Mustafës, e cila pas botimit më 2002 u ribotua edhe më 2006. Meqenëse ligji për botimin e teksteve lejonte edhe tekste alternative, që vetë mësuesit dhe prindërit ta zgjedhin tekstin, në Maqedoni deri në vitin 2025 janë botuar 12 abetare nga autorë të ndryshëm.

Abetaret e bënë historinë e gjuhës e të arsimit shqip në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarë. Por, a mund ta quajmë Abetare Mbarëkombëtare atë që përdoret në Shqipëri e Kosovë pa u përdor kjo edhe nga nxënësit shqiptarë në Maqedoni? Unë mendoj se jo!

Tani  për të mbajtur epitetin Abetare Mbarëkombëtare gjithsesi duhet të përfshihen të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët si dhe diaspora e kërkon edhe koha, kur bota kërkon bashkim rajonal e global edhe për shqiptarët e Maqedonisë, ku ekziston një dëshirë shumë e madhe për ABETAREN E PËRBASHKËT. Këtë e kërkojnë pa asnjë kusht – shkronjat tona, gjuha e unifikuar e gjaku shqiptar kudo që ai jeton. 

Filed Under: ESSE

KUR JETA BËHET DOKUMENT HISTORIE

June 13, 2026 by s p

Recension për librin “Në shërbim të idealit – Prej sakrifice në kujtesë” të autorit Besim Muhadri

Dr. Nexhat Çoçaj

Libri “Në shërbim të idealit – Prej sakrifice në kujtesë”, i autorit Besim Muhadri, paraqet një dëshmi të rëndësishme historike dhe publicistike për jetën dhe veprimtarinë e atdhetarit, ish të burgosurit politik dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Nuhi Muhadri. Vepra është konceptuar në formën e një bashkëbisedimi të zgjeruar, përmes së cilës autori arrin të ndërtojë një rrëfim autentik, të sinqertë dhe të dokumentuar mbi një jetë të tërë të vënë në shërbim të idealit të lirisë kombëtare.

Një nga vlerat kryesore të këtij libri qëndron në faktin se ai nuk kufizohet vetëm në biografinë e një individi, por shndërrohet në një pasqyrë të gjerë të historisë së lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Përmes kujtimeve të Nuhi Muhadrit, lexuesi njihet me realitetin e rëndë të shqiptarëve nën Jugosllavinë e atëhershme, me demonstratat e vitit 1968 dhe 1981, me veprimtarinë ilegale, burgosjet politike, mërgatën patriotike dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës.

Besim Muhadri dëshmon aftësi të veçantë për të nxjerrë në pah jo vetëm faktet historike, por edhe dimensionin njerëzor të protagonistit. Ai nuk e paraqet Nuhi Muhadrin si një figurë të idealizuar, por si një njeri që përballet me sfida, sakrifica, burgosje dhe përndjekje, duke mbetur gjithmonë besnik ndaj bindjeve të tij. Kjo qasje e bën rrëfimin më të besueshëm dhe më të afërt për lexuesin.

Një aspekt tjetër me rëndësi është se libri sjell në vëmendje rolin e mërgatës shqiptare në organizimin dhe mbështetjen e lëvizjes kombëtare. Përmes dëshmive të protagonistit, lexuesi njihet me figurat e shquara të kohës si Kadri Zeka, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Zija Shemsiu e shumë veprimtarë të tjerë, duke ndriçuar një pjesë të historisë që shpesh ka mbetur në hije.

Nga pikëpamja metodologjike, forma e intervistës së zgjeruar i jep veprës karakter dokumentar. Rrëfimi në vetën e parë ruan freskinë e kujtesës dhe autenticitetin e ngjarjeve, ndërsa ndërhyrjet e autorit ndihmojnë në vendosjen e tyre në kontekstin historik. Kjo e bën librin të vlefshëm jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për studiuesit e historisë së Kosovës dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Në planin stilistik, gjuha e përdorur është e qartë, rrjedhshme dhe komunikative. Autori arrin të ruajë ekuilibrin ndërmjet dokumentimit historik dhe rrëfimit publicistik, duke e bërë veprën të lexohet me interes nga fillimi deri në fund.

Në përfundim, libri “Në shërbim të idealit – Prej sakrifice në kujtesë” është një kontribut i çmuar në fondin e kujtesës historike shqiptare. Ai përjetëson rrugëtimin e një veprimtari të palodhur të çështjes kombëtare dhe njëkohësisht dokumenton një periudhë të rëndësishme të historisë sonë më të re. Përmes kësaj vepre, Besim Muhadri ka arritur të ruajë për brezat e ardhshëm jo vetëm kujtimin e Nuhi Muhadrit, por edhe frymën e një brezi që jetoi, veproi dhe sakrifikoi për idealin e lirisë.

Filed Under: ESSE

Dy Shqipëri…

June 11, 2026 by s p

Të rinjtë në protestë, me parullat e tyre të thjeshta dhe të mprehta si thikat, po na japin leksione qytetarie, dinjiteti dhe shprese. Historia nuk ka nevojë vetëm për historianë. Historia ka nevojë për njerëz që e kujtojnë.

Një prej atyre parullave më goditi. Shkruante: “Ismail Qemal Vlora – Themeluesi. Edi Rama – versioni i Ismail Qemalit në Temu.” Të rinjtë shqiptarë, po e thonë në dy rreshta thelbin. Imitim pa substancë, kopje pa cilësi. Nuk ka metaforë më të saktë.

Ekziston një Shqipëri që u themelua si ideal. Ekziston një Shqipëri tjetër që qeveriset me skenar. Distanca midis tyre nuk matet me vite, por me karakter.

Ismail Qemal Vlora nuk erdhi në Vlorë që të bënte karrierë. Ai erdhi që të mbyllte një borxh ndaj historisë. Kishte moshën, kishte lodhjen, kishte armiq më shumë se miq. Por kishte edhe diçka që sot mungon bujshëm në skenën shqiptare. Një kuptim të qartë të faktit se pushteti nuk është pronësi, është përgjegjësi.

Ismail Qemali ngriti flamurin, hodhi themelet, u largua. Pa pension të artë, pa kult personaliteti, pa kamera që ta ndiqnin hap pas hapi, pa podkast të “përroit pskik”.

Edi Rama ka 13 vjet në qeverisje. 28 në pushtet. Pikturon. Filozofon. Tallet. Shteti ndërkohë degradon.

Jep intervista në Paris, Berlin dhe Uashington. Flet për vizion, për Europën, për të ardhmen. Ndërkohë, që një pjesë e drejtësisë mbetet e kapur dhe mediat punojnë nën hije frike. Paratë publike humbasin në tendera që askush nuk i pyet. Protestat e qytetarëve, qytetarë të zakonshëm, jo huligan, sulmohen me ujë me piper dhe indiferencë institucionale.

Dallimi midis këtyre dy figurave nuk është estetik. Dallimi është ekzistencial.

Njëri e kuptoi shtetin si qëllim. Tjetri e trajton si mjet. Mjet për imazh, mjet për pushtet, mjet për të mbijetuar zgjedhje pas zgjedhjeje me të njëjtën retorikë.

Njëri ndërtoi. Tjetri komunikon se ndërton. Dallimi ndërmjet ndërtimit dhe spektaklit të ndërtimit është pikërisht dallimi ndërmjet shtetit dhe fasadës së tij.

Shqipëria e sotme ka fasadë. Ka bulevardin e ri dhe pallatet e larta. Ka uniformën europiane dhe fjalimet ndërkombëtare. Por ka edhe gjykata që nuk funksionojnë, institucione që i binden një zëri të vetëm dhe një opozitë që zhgënjen. Kjo nuk është Shqipëria e Ismail Qemal Vlorës. Është karikatura e saj.

Një shoqëri që e harron themeluesin e vet dhe toleron sundimtarin e vet, nuk ka probleme lidershipi. Ka problem vetëvlerësimi.

Shqiptarët nuk sakrifikuan gjakun e tyre për një shtet ku qytetari ndihet i pafuqishëm përballë pushtetit. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërruan Ismail Qemal Vlora dhe Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ata ndërtuan një ideal lirie, dinjiteti dhe përgjegjësie publike. Sot jemi larg atij ideali.

Monumenti që i mungon Ismail Qemalit në Tiranë nuk është gur e bronz. Muzeu i munguar në Vlorë e Tiranë nuk është artifakt. Ajo është ndërgjegjja jonë kolektive, e gërryer ngadalë. Shumë ngadalë, pikërisht që të mos e vëmë re. Ndërgjegjja që nuk e vë re gërryerjen e vet është ndërgjegjja që e meriton atë. Zgjimi i sotëm qytetar e ka ringjallur shpresën për Shqipërinë e Re, që duhet të rilind.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: ESSE

Kriza e vlerave në shoqërinë moderne

June 11, 2026 by s p

Gjekë Gjonaj/

Kur hesht dija, flet injoranca

Shoqëria pa mendim kritik rrëshqet drejt errësirës morale, kulturore dhe kombëtare

Në çdo kohë dhe në çdo shoqëri, dija ka qenë drita që i ka treguar njeriut rrugën e zhvillimit, të qytetërimit dhe të lirisë. Kur njerëzit kanë respektuar dijen, librin, shkollën dhe mendimin kritik, kanë përparuar. Kur kanë heshtur njerëzit e dijes dhe janë anashkaluar intelektualët, vendin e tyre e kanë zënë mediokriteti, propaganda dhe injoranca.

Shprehja “Kur hesht dija, flet injoranca” nuk është vetëm një fjali metaforike, por një realitet i dhimbshëm që po e jetojmë gjithnjë e më shumë në kohën tonë. Ajo pasqyron një krizë të thellë të vlerave, ku zëri i arsyes shpesh mbytet nga zhurma e padijes, ku argumenti zëvendësohet me sharje, ndërsa kultura e debatit me arrogancën dhe servilizmin.

Në kohët moderne, paradoksalisht, njerëzimi ka më shumë informacion se kurrë më parë, por jo domosdoshmërisht më shumë dije. Pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh i kohës sonë.

Dija – themeli i qytetërimit njerëzor

Historia e njerëzimit dëshmon se përparimi nuk është ndërtuar mbi forcën brutale, por mbi dijen. Qytetërimet më të zhvilluara kanë qenë ato që kanë investuar në arsim, kulturë dhe shkencë.
Dija nuk është vetëm grumbull faktesh. Ajo është aftësi për të kuptuar botën, për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi, për të gjykuar drejt dhe për të marrë vendime të mençura. Një njeri i ditur nuk është ai që di shumë fjalë, por ai që di të mendojë drejt. Shoqëritë që e kanë respektuar dijen kanë nxjerrë akademikë, mësues, shkrimtarë, studiues, shkencëtarë dhe njerëz me integritet moral. Ndërsa ato që kanë përçmuar dijen kanë prodhuar fanatizëm, varfëri shpirtërore dhe prapambetje.
Në trojet shqiptare, sidomos në periudha të vështira historike, shkolla dhe libri kanë qenë armët më të fuqishme të mbijetesës kombëtare. Mësuesit e parë shqiptarë, rilindësit, klerikët dhe patriotët e kuptuan se pa dije nuk mund të ketë as liri, as identitet kombëtar.

Heshtja e intelektualëve – plagë e kohës moderne

Një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë sonë është heshtja e njerëzve të ditur. Shpesh, intelektualët tërhiqen nga jeta publike, zhgënjehen nga klima shoqërore ose margjinalizohen nga politika dhe grupet e interesit.
Kur hesht profesori, flet demagogu. Kur hesht studiuesi, flet propagandisti.
Kur hesht gazetari profesionist, hapësirën e pushton manipuluesi. Kjo heshtje nuk është gjithmonë frikë. Shpesh është pasojë e një shoqërie që nuk e vlerëson dijen. Në një ambient ku mediokriteti shpërblehet, ndërsa profesionalizmi anashkalohet ( zhvlerësohet), shumë njerëz të aftë zgjedhin të heshtin ose të largohen. Kjo është një humbje e madhe për shoqërinë. Një komb që humb njerëzit e dijes humb busullën morale dhe intelektuale.

Injoranca – zhurma që mbulon arsyen

Injoranca nuk është thjesht mungesë njohurish. Ajo bëhet e rrezikshme kur shndërrohet në arrogancë. Njeriu injorant jo vetëm që nuk di, por shpesh mendon se di gjithçka. Në kohën e rrjeteve sociale, çdo njeri mund të flasë për çdo temë, pa përgjegjësi morale apo profesionale. Kjo ka sjellë një fenomen të ri: barazimin e mendimit të ekspertit me opinionin e rastësishëm.
Një mjek studion me vite për të fituar dije profesionale, ndërsa dikush tjetër mendon se mund ta kundërshtojë me një video të parë në internet. Një historian hulumton dokumente për dekada, ndërsa një injorant përpiqet ta rishkruajë historinë me emocione dhe paragjykime. Kjo kulturë e zhurmës po e dëmton seriozisht shoqërinë moderne. Sot shpesh nuk triumfon argumenti më i fortë, por zëri më i lartë. Nuk dëgjohet më njeriu më i ditur, por ai që bërtet më shumë.

Politika dhe ngritja e mediokritetit

Një nga fushat ku injoranca bëhet më e dukshme është politika. Në shumë vende, edhe në hapësirën shqiptare, shpesh nuk përparojnë më të diturit dhe më të ndershmit, por më servilët dhe më të zhurmshmit.
Partitë politike në shumë raste nuk kërkojnë profesionistë me integritet, por militantë të bindur. Si pasojë, institucionet mbushen me njerëz pa vizion, pa kulturë dhe pa përgatitje profesionale.
Kur politika përjashton dijen, shteti dobësohet. Kur institucionet drejtohen nga mediokriteti, qytetari humb besimin. Kur meritokracia zëvendësohet nga nepotizmi, shoqëria rrëshqet drejt krizës morale.
Shumë të rinj të talentuar largohen nga vendi jo vetëm për arsye ekonomike, por sepse ndihen të pavlerësuar. Ata kuptojnë se në një sistem ku përparon lidhja partiake dhe jo dija, e ardhmja bëhet e pasigurt. Ky fenomen është alarmues.

Rrjetet sociale dhe iluzioni i dijes

Teknologjia ka sjellë përparime të mëdha, por edhe sfida serioze. Sot informacioni qarkullon me shpejtësi marramendëse. Megjithatë, jo çdo informacion është dije. Rrjetet sociale kanë krijuar një iluzion të rrezikshëm: shumë njerëz mendojnë se duke lexuar disa statuse apo video të shkurtra janë bërë ekspertë të çdo fushe.
Në këtë botë virtuale, shpesh promovohen sensacioni, skandali dhe banaliteti, ndërsa analiza serioze dhe mendimi i thellë mbeten në hije. Kultura e leximit po zbehet. Librin po e zëvendëson titulli sensacional. Studimin po e zëvendëson komenti sipërfaqësor. Argumentin po e zëvendëson ofendimi. Ky është një degradim kulturor që nuk duhet nënvlerësuar.

Arsimi – fronti kryesor i betejës kundër injorancës

Nëse duam një shoqëri të shëndetshme, beteja duhet të fillojë tek arsimi. Shkolla nuk duhet të prodhojë vetëm diploma, por njerëz të mendimit kritik dhe të përgjegjshëm.
Mësuesi dikur ishte figurë autoriteti moral dhe intelektual. Sot, fatkeqësisht, në shumë raste ai është lënë në margjina, pa mbështetje dhe pa respektin që meriton. Një komb që nuk respekton mësuesin rrezikon të humbasë të ardhmen.
Arsimi nuk duhet të jetë fabrikë diplomash. Ai duhet të jetë shkollë karakteri, kulture dhe qytetarie. Duhet të rikthehet respekti për librin, për dijen dhe për punën intelektuale. Fëmijët duhet të mësohen të lexojnë, të analizojnë dhe të mendojnë, jo vetëm të memorizojnë.

Roli i mediave në formimin ose deformimin e shoqërisë

Media ka një ndikim të jashtëzakonshëm në opinionin publik. Ajo mund të edukojë, por mund edhe të deformojë. Kur mediat promovojnë njerëz pa vlera, banalitetin dhe skandalin, ato kontribuojnë në përhapjen e injorancës. Kur analistët zgjidhen sipas interesave politike dhe jo sipas kompetencës profesionale, humbet besimi i publikut.
Gazetaria e vërtetë duhet të jetë në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik. Ajo duhet t’i japë hapësirë dijes, kulturës dhe argumentit. Shoqëria ka nevojë për media që ndriçojnë mendjen, jo për media që errësojnë ndërgjegjen kolektive.

Kombi që harron dijen, rrezikon identitetin

Popujt e vegjël, si shqiptarët, e kanë edhe më të domosdoshme ruajtjen e dijes dhe kulturës kombëtare. Historia ka treguar se kombet mbijetojnë jo vetëm me armë, por mbi të gjitha me kulturë, gjuhë dhe arsim.
Kur harrohen librat, historia dhe traditat, krijohet terren për manipulim dhe humbje identiteti. Prandaj ruajtja e kujtesës historike, promovimi i kulturës kombëtare dhe respekti për intelektualët janë detyra kombëtare. Një popull pa kujtesë është një popull i pambrojtur.

Dija duhet të flasë më fort se injoranca

Shoqëria jonë ndodhet përballë një sfide të madhe morale dhe kulturore. Ose do të rikthejmë respektin për dijen, ose do të vazhdojmë të zhytemi në mediokritet. Nuk mjafton të ankohemi për injorancën. Duhet të forcojmë arsimin, të mbështesim kulturën, të promovojmë njerëzit e ditur dhe të rikthejmë meritokracinë.
Injoranca nuk triumfon sepse është më e fortë se dija. Ajo triumfon kur njerëzit e dijes heshtin. Prandaj është koha që zëri i dijes të dëgjohet më fuqishëm në familje, në shkolla, në media, në institucione dhe në jetën publike. Vetëm një shoqëri që nderon dijen mund të ndërtojë një të ardhme të drejtë, të qytetëruar dhe të qëndrueshme.

Foto: commons.wikimedia.org

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT