• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ADN sociale shqiptare

July 8, 2026 by s p

Artan Nati/

Njeriu nuk lind me një pasaportë në shpirt. Ai lind vetëm me një pyetje që do ta ndjekë gjithë jetën: “Kush jam unë?” Përgjigjja nuk shkruhet në certifikatën e lindjes dhe as në kartën e identitetit. Ajo formohet ngadalë, nga gjuha që dëgjon në djep, nga përrallat e gjyshes, nga buka që ndahet në sofër, nga këngët që këndohen në dasma, nga mënyra se si një popull qan të vdekurit dhe feston lindjen e një fëmije. Në fund të fundit, njeriu nuk është vetëm produkt i gjeneve të prindërve, është edhe produkt i kujtesës së shoqërisë ku rritet. Ne trashëgojmë jo vetëm ngjyrën e syve, por edhe mënyrën se si shohim botën. Jo vetëm zërin, por edhe fjalët që zgjedhim. Jo vetëm fytyrën, por edhe turpin, krenarinë, frikën dhe shpresat. Prandaj psikologët flasin për identitetin si boshti që mban të bashkuar copëzat e jetës sonë. Edhe kombet kanë një bosht të tillë. Ai nuk ndodhet në kromozome, por në atë që mund ta quajmë metaforikisht ADN-ja sociale. Është kodi i padukshëm që na mëson si të sillemi me mikun, si ta presim të huajin, si ta nderojmë të moshuarin, si ta kuptojmë fjalën e dhënë dhe si ta përjetojmë turpin kur e shkelim atë.

Problemi fillon kur ky kod zëvendësohet me një tjetër të importuar, jo sepse është më i mirë, por sepse është më në modë. Atëherë shfaqet shqiptari i shekullit XXI: pi ekspreso italiane, ha sushi japonez, feston Halloween amerikan, përdor fjalë anglisht në çdo fjali, por nuk di më t’i tregojë fëmijës së vet pse babai ngrihej në këmbë kur hynte një plak në dhomë. Ka mësuar të porosisë “flat white”, por ka harruar të urojë “të bëftë mirë”. Kjo nuk është kozmopolitizëm, por është harresë kulturore. Mjafton të shohësh disa dasma shqiptare. Dikur ato ishin një festë ku çdo këngë tregonte një histori dhe çdo valle kishte një kuptim. Sot shpesh ngjajnë si një kopje e lirë e një videoklipi ndërkombëtar: hyrje me fishekzjarre, tym artificial, vallëzim sipas TikTok-ut dhe tortë me pesë kate, ndërsa askush nuk mban mend dy vargje të një kënge popullore. Tradita nuk është zëvendësuar, por është marrë me qera për një natë dhe nuk quhet dasëm, por event. Edhe gjuha po pëson të njëjtin fat. Dikur njerëzit krenoheshin që flisnin bukur shqip. Sot disa krenohen më shumë që nuk e flasin mirë. Çdo fjali është bërë një koktej ku anglishtja, italishtja dhe shqipja grinden për “modernitet”.

Nuk është problemi se dimë gjuhë të huaja, por problemi është kur fillojmë të kemi nevojë për një përkthyes për të kuptuar gjyshen tonë. Kur kjo ADN kulturore këputet, njeriu nuk bëhet automatikisht modern. Ai bëhet konsumator i identiteteve të gatshme. Ndërron stile siç ndërron markat e telefonit. Sot sillet si amerikan, nesër si italian, pasnesër si turk, ndërsa në fund nuk është më asnjëri. Satira është se ne shpesh e quajmë këtë “progres”. Në fakt, progresi nuk është të kopjosh gjithçka që vjen nga jashtë. Progres është të kesh vetëbesimin për të zgjedhur. Japonezët u modernizuan pa pushuar së qeni japonezë. Finlandezët nuk hoqën dorë nga finlandezëria për t’u bërë europianë. Grekët vazhdojnë të debatojnë si grekë edhe kur përdorin teknologjinë më të avancuar. Vetëm ne kemi prirjen ta ngatërrojmë modernizimin me maskimin. Një komb nuk humbet kur mëson gjuhë të huaja, kur udhëton apo kur përvetëson teknologji të reja. Humbet kur fillon të turpërohet nga vetja. Sepse çasti kur një shoqëri fillon të ketë komplekse për gjuhën, historinë dhe karakterin e saj, atëherë ajo nuk po ndërton të ardhmen, por fshin kujtesën. Dhe një popull pa kujtesë është si një njeri me amnezi që ecën, flet, konsumon, voton, madje edhe feston, por nuk mban mend më se kush është.

Nëse një i huaj do të donte të mësonte shqipen e sotme, nuk do ta dërgoja as te Akademia e Shkencave dhe as te Fjalori i Gjuhës Shqipe. Do ta çoja për një orë në Parlament.

Pas asaj seance, ai do të dilte me bindjen se gjuha zyrtare e Shqipërisë është një përzierje ekzotike mes shqipes, anglishtes, italishtes dhe disa tingujve të pakuptueshëm që nuk i njeh askush. Shpesh nuk është e qartë se ku fillon kryefjala dhe ku mbaron kallëzuesi. Fjalitë ngrihen me shumë entuziazëm, por rrëzohen para se të mbërrijnë te kuptimi. Sintaksa duket si një ndërtesë e nisur pa projekt: disa tulla shqip, disa anglisht, pak italisht për fasadë dhe shumë beton retorik. Dëgjon një deputet që thotë: “Duhet të implementojmë një new approach për performancën e governance-it në raport me stakeholders.” Në fund mbetet pyetja e vetme logjike: Po shqip, vallë, çfarë donte të thoshte Është krijuar ideja se sa më shumë fjalë të huaja të përdorësh, aq më inteligjent dukesh. Nëse thua “zbatim”, rrezikon të dukesh provincial. Nëse thua “implementim”, fiton menjëherë një aureolë eksperti. “Takim” tingëllon i zakonshëm; “meeting” ka më shumë kolesterol intelektual. “Palët e interesuara” janë njerëz të zakonshëm, ndërsa “stakeholders” tingëllojnë sikur kanë zbritur nga një konferencë në Bruksel. E njëjta epidemi ka prekur edhe një pjesë të opinionistëve televizivë. Për të shpjeguar një fenomen që gjyshi do ta shpjegonte me pesë fjalë të pastra shqip, nevojiten njëzet minuta dhe një arsenal termash në anglisht. Nuk flitet më për “ndikim”, por për “impact”. Nuk ka më “rrëfim”, por “narrativë”.

Nuk thuhet “kornizë”, por “framework”. Nuk flitet për “zgjidhje”, por për “roadmap”. Në fund të emisionit, shikuesi nuk është bërë më i ditur, është bërë dygjuhësh pa dëshirën e tij. Ironia është se shqiptarët krenohen se flasin një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, por shpesh sillen sikur ajo nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur mendimin modern. Sikur shqipja të ishte e aftë vetëm për këngë popullore dhe dolli dasmash, ndërsa ekonomia, filozofia, teknologjia dhe politika kërkojnë domosdoshmërisht përkthyes. Natyrisht, askush nuk e mohon se disa terma teknikë ndërkombëtarë janë të nevojshëm. Çdo gjuhë huazon. Edhe shqipja ka huazuar ndër shekuj. Por ndryshimi është se dikur huazonim sepse na mungonte fjala, por sot shpesh huazojmë edhe kur fjala ekziston. Nuk është nevoja që udhëheq huazimin, por snobizmi. Ja si do të tingëllonte një emision televiziv:

Revolucioni i Flamingove. Një mbrëmje në studion televizive

Moderatorja: Mirëmbrëma! Sonte do të analizojmë fenomenin më të ri politik: Revolucionin e Flamingove. Është revolucion ekologjik, estetik, ideologjik apo thjesht një sfond i bukur për Instagram?

Grida: Unë mendoj se nuk duhet ta shohim flamingon vetëm si flamingo. Flamingoja është një narrativë fluide e identitetit post-modern, ku individi dekonstrukton hapësirën simbolike përmes performancës kolektive…

Curri: Dakord… por unë kam vetëm një pyetje. Flamingot kanë ardhur të protestojnë apo kanë humbur rrugën për në lagunë?

Lorenci: Nuk është kaq e thjeshtë. Historia na mëson se çdo revolucion fillon me një simbol. Francezët kishin Bastijën, rusët kryqëzorin “Aurora”, ndërsa ne kemi flamingon. Është progres. Më mirë rozë se gri.

Moderatorja: Pra, flamingoja është simbol politik?

Grida: Jo vetëm politik. Është një akt rezistence semiotike ndaj paradigmës tradicionale të pushtetit.

Curri: Përktheje në shqip, të lutem. A bëhet fjalë për zogun apo jo?

Lorenci: Ju po e nënvlerësoni. Në Ballkan çdo zog, kafshë apo pemë ka potencial elektoral. Shqiponja ka qenë e zënë prej kohësh. Flamingoja gjeti një boshllëk në treg.

Grida: Në fakt, flamingoja sfidon binaritetin klasik të protestës. Nuk marshon drejt pushtetit; ajo performon ekzistencën.

Curri: Domethënë nuk proteston, por bën koreografi?

Moderatorja: A mund ta rrëzojë një flamingo një qeveri?

Grida: Debati nuk duhet reduktuar në politikë. Këtu kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim kolektiv ekologjik.

Evropa nuk ka nevojë për një Shqipëri që kopjon gjithçka, por për protesta paqësore si kjo që po përjetojmë. Ka nevojë për një Shqipëri që respekton ligjin si gjermanët, punon me përkushtim si zviceranët, mbron institucionet si vendet nordike, por ruan shpirtin e saj, gjuhën e saj dhe aftësinë për ta bërë mikun të ndihet si në shtëpi. Ashtu si Italia i dha Evropës Rilindjen, Greqia filozofinë, Britania parlamentarizmin dhe vendet nordike kulturën e besimit institucional, edhe Shqipëria ka diçka për të dhënë: përvojën e mbijetesës, kulturën e mikpritjes, energjinë e diasporës, gjuhën e saj të lashtë dhe një identitet që ka mbijetuar mes perandorive. Në fund të fundit, integrimi evropian nuk është emigrim kulturor. Nuk është dorëzim identiteti. Është një marrëveshje e pashkruar: ne i japim Evropës më të mirën që kemi, ndërsa marrim prej saj më të mirën që ajo ka ndërtuar. Vetëm kështu nuk bëhemi një kopje e askujt, por një shoqëri më e mirë se ajo që ishim dje.

Filed Under: ESSE

SHQIPËRIA — SHPIRTI QË NUK MPOSHTET

July 7, 2026 by s p

Nga Alketa Burimi (Kapaj)*/

Letra e një bije për vendin që jeton në shpirt

E shtrenjta ime Shqipëri,

E shtrenjta ime Shqipëri,

Unë, bija jote, të shkruaj nga larg — nga ajo largësi që ndan trupat, por nuk arrin të ndajë shpirtin. Të mbaj me vete çdo ditë: në shtëpinë tonë ku flitet shqip, në takimet ku emri im shqiptohet me tingullin e vendit tim, në çastin kur, përpara të huajve, them me krenari se jam nga Shqipëria dhe në Shkollën Shqipe, ku fëmijët mësojnë ta duan gjuhën e nënës. Më kujtohet një mbrëmje në një qytet të huaj, kur dëgjova shqip pas shumë muajsh larg prehrit tënd. Gëzimi erdhi i papritur. Ishte një çift i moshuar, me vite larg teje.

Malli i tyre nuk kishte nevojë për shpjegim. “Eh, moj bijë,” më tha burri, “i kam larë këto rrugë me lot.”

Në zërin e tij jetonte një jetë e tërë — historia e një njeriu që i kishte shërbyer atdheut me dinjitet dhe që, edhe larg, e mbante Shqipërinë si plagë dhe si dashuri.

Je në gjuhë, në frymë, në një mall që nuk kërkon arsye.

Ka vende që shihen në hartë — ti rreh në shpirt. Nuk je vetëm tokë. Je histori. Je pjesë e qenies sime — e asaj pjese që nuk shkëputet kurrë. Historia jote nuk dëshmon vetëm se ke ekzistuar; ajo dëshmon se ke mbijetuar. Kur të copëtuan fatin, kur hartat u vizatuan pa ty, kur u përpoqën të të zvogëlonin në një pikë të vogël në hartë, ti mbete xhevahir që nuk e humbi shkëlqimin. Shqipëria nuk matet me territor, por me forcën e shpirtit që nuk u mposht. Por çdo vend që mbahet në zemër kërkon edhe përgjegjësi.

Toka shqiptare nuk është një mall. Ajo mban gjurmët e hapave të brezave, djersën e punës, lutjet, plagët dhe ëndrrat e njerëzve që e kanë dashur. Për mbrojtjen e saj janë flijuar jetë, janë derdhur gjak e lot dhe janë bërë sakrifica që historia nuk duhet t’i harrojë. Lumenjtë, detet, pyjet, malet dhe fushat nuk janë vetëm pasuri natyrore; ato janë dëshmitarë të heshtur të kësaj historie dhe trashëgimia që kemi për detyrë ta ruajmë. Çdo gur që ngrihet mbi këtë tokë duhet të mbajë brenda jo vetëm premtimin e së nesërmes, por edhe nderimin për ata që e mbrojtën me jetën e tyre.

E di, të dhemb, Shqipëri, kur besimi lodhet, kur aftësia lihet në hije dhe shërbimi zëvendësohet nga përfitimi. Të dhemb kur meritën e zë servilizmi, kur dija hesht dhe mediokriteti flet me zë të lartë.

Sepse një vend nuk mbahet gjatë nga pushteti, por nga morali që e udhëheq. Historia nuk kujton karriget e pushtetit; kujton njerëzit që u dhanë atyre dinjitet.

Të abuzosh me vendin tënd është si të tradhtosh dashurinë e një nëne — atë ndjenjë të parë, të heshtur e të shtrenjtë, që nuk kërkon shpërblim, por vetëm nderim. Një komb ecën më i sigurt kur dëgjon zërin e dijes, të kulturës dhe të ndërgjegjes. Dija orienton kur dëgjohet. E vërteta jep shpresë kur thuhet. Ti meriton njerëz që punojnë me ndershmëri dhe veprojnë me dinjitet; profesionistë me përkushtim dhe mendje të lira që ndriçojnë rrugën përpara.

Ka edhe një dhimbje tjetër: largimin. Kur bijtë dhe bijat ikin në heshtje, pa e ditur nëse kthimi do të mbetet ëndërr apo plagë. E kam parë në aeroporte, në përqafime më të gjata se fjalët, në valixhe të mbushura me kujtime, në sy që kthehen pas, ndërsa këmbët ecin përpara. Diaspora nuk është vetëm largësi. Është një popull në lëvizje. Mall që nuk shuhet. Rrënjë që kërkojnë tokën edhe në dhe të huaj. Më kujtohet një orë mësimi në Shkollën Shqipe në Naples, Florida. Një vogëlushe lexoi për herë të parë një poezi në shqip. Te një fjalë u ndal.

E provoi sërish. Pastaj buzëqeshi. Në atë buzëqeshje pashë se, kur gjuha përcillet me dashuri, përkushtim dhe zemër, edhe largësia afrohet. Atë çast ndjeva shikimin tënd nga larg. Në zërat e tyre, Shqipëria nuk është kujtim i largët; është fillim. Nëpër botë, shqiptarët janë mendje që ndërtojnë jetë të reja, por me zemrën aty ku i thërret gjaku. Atdheu nuk mbahet gjallë vetëm nga ata që jetojnë mbi tokën e tij, por edhe nga ata që, kudo në botë, e ruajnë me gjuhën, dashurinë dhe ndërgjegjen e tyre. Një komb nuk varfërohet kur i shteron pasuria, por kur i boshatisen rrugët nga njerëzit e vet. Rrënjët nuk i thërret vetëm malli. I thërret besimi, drejtësia dhe meritokracia. Aty ku ka drejtësi, rrënjët e gjejnë rrugën për në shtëpi.

Shqipëria jeton mes mallit dhe shpresës. I duhet një filozofi e re shprese — jo e zhurmshme, jo e premtuar, por e jetuar çdo ditë; një shpresë që lind nga transformimi moral i shoqërisë.

E shkuara ruan gjurmët. Nuk luftohet; kuptohet, ndriçohet dhe tejkalohet. Vetëm kështu bëhet urë drejt së ardhmes dhe shpresa merr rrënjë në të vërtetën.

Një popull forcohet kur zgjedh ndërgjegjen mbi interesin, shërbimin mbi përfitimin dhe dritën mbi errësirën. Fryma e re që i duhet Shqipërisë nuk lind në zyrat e pushtetit. Ajo lind sa herë një qytetar zgjedh ndershmërinë, sa herë një mësues mbjell dije, sa herë një i ri vendos të ndërtojë e jo të shkatërrojë. Aty fillon ringritja e një kombi.

Një komb me ndërgjegje të gjallë nuk pret shpëtimtarë; ai ringrihet. Gjithmonë. Dhe si bijë e këtij vendi, e di se Shqipëria nuk është ajo që kemi humbur. Ajo është ajo që, edhe e plagosur, vazhdon të zgjedhë jetën. Është ajo që ende refuzon të humbasë.

*Alketa Burimi Kapaj është autore dhe poete shqiptare që jeton në Naples, Florida. Krijimtaria e saj letrare botohet rregullisht në gazeta dhe revista shqiptare. Përmes shkrimeve të saj, si edhe angazhimit në Shkollën Shqipe në Naples, ajo kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Filed Under: ESSE

Demokracia nuk ndalet në kufi

July 6, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Nëse qytetarët pengohen në ushtrimin e së drejtës së tyre për të lëvizur lirshëm apo për të marrë pjesë në jetën demokratike për shkak të bindjeve politike, atëherë nuk cenohet vetëm Kushtetuta dhe e drejta e lëvizjes, por edhe vetë themeli i shtetit të së drejtës, i demokracisë dhe i angazhimeve ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë për mbrojtjen e lirive themelore.

Ka ditë kur historia nuk shkruhet në zyrat e keqqeverisjes, por në rrugët që marrin qytetarët. Ka çaste kur demokracia nuk matet me deklaratat e pushtetit, por me mënyrën se si keqqeverisja sillet me njerëzit e zakonshëm. Pikërisht aty kuptohet nëse institucionet i shërbejnë qytetarit apo janë vënë në funksion të interesit politik.

Liria e lëvizjes nuk është një favor që e jep keqqeverisja. Ajo nuk është një privilegj që shpërndahet sipas vullnetit të pushtetit dhe as një e drejtë që kufizohet kur keqqeverisja ndjehet e kërcënuar.

Është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e mbrojtur nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga instrumente ndërkombëtare që vendosin standardet minimale të lirisë në një shtet demokratik. Këto nuk janë dokumente simbolike, por kufij juridikë që ndajnë demokracinë nga arbitrariteti.

Në çdo sistem demokratik, kufiri ekziston për të garantuar sigurinë dhe rendin, jo për t’u shndërruar në instrument filtrimi politik. Ai nuk mund të përdoret nga keqqeverisja për të krijuar ndarje mes qytetarëve apo për të vendosur pengesa mbi bazë bindjesh, qëndrimesh apo pjesëmarrjeje në jetën publike.

Shqipëria dhe Kosova nuk janë thjesht dy shtete fqinje. Ato janë dy pjesë të një trungu historik të përbashkët, të lidhura nga gjuha, kultura dhe sakrificat e përbashkëta. Për dekada është folur për afrimin e njerëzve dhe heqjen e barrierave. Prandaj çdo situatë që krijon përshtypjen e pengimit të lëvizjes së lirë kërkon transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale nga keqqeverisja.

Një demokraci nuk ka frikë nga qytetarët e saj. Frikë ka keqqeverisja, sepse qytetarët e lirë janë kufiri moral dhe politik i saj. Ata që lëvizin, flasin, protestojnë dhe kërkojnë llogari janë prova më e qartë e shëndetit demokratik të një shoqërie. Kur keqqeverisja fillon ta shohë këtë liri si kërcënim, ajo nuk po mbron rendin, por po ekspozon dobësinë e vet.

Parimi i proporcionalitetit dhe ai i barazisë para ligjit janë themel i çdo demokracie. Çdo kufizim i të drejtave duhet të jetë i domosdoshëm, i arsyetuar dhe i justifikuar me interes publik. Çdo devijim nga këto parime, kur vjen nga keqqeverisja, cenon besimin e qytetarëve dhe dobëson legjitimitetin institucional.

Nëse vonesat apo kontrollet e shtuara janë rezultat i procedurave normale, fluksit të lartë apo arsyeve teknike, keqqeverisja ka detyrimin ta sqarojë këtë pa vonesë dhe me transparencë të plotë. Heshtja ose mungesa e komunikimit publik ushqen dyshime dhe thellon distancën mes qytetarëve dhe institucioneve.

Demokracia nuk gërryhet vetëm me vendime të mëdha politike. Ajo dobësohet ngadalë, kur qytetarët fillojnë të ndiejnë se liritë e tyre varen nga qëndrimi i tyre politik. Në atë moment, keqqeverisja zëvendëson ligjin me perceptimin dhe të drejtën me diskrecion politik.

Demokracia nuk është sundimi i shumicës, por kufizimi i pushtetit përballë të drejtave të individit. Kushtetuta dhe institucionet ekzistojnë për të vendosur kufij ndaj keqqeverisjes, jo për t’i shërbyer asaj. Ato janë mburoja e qytetarit, jo instrumenti i pushtetit.

Prandaj çdo situatë që prek liritë themelore duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Besimi nuk ndërtohet me kontroll, por me respektim të ligjit. Demokracia nuk matet me forcën e keqqeverisjes, por me lirinë e qytetarëve të saj.

Sepse demokracia nuk fillon në zyrat e keqqeverisjes dhe nuk mbaron në kufi. Ajo jeton në lirinë e qytetarëve për të lëvizur, për të folur dhe për të jetuar pa frikë nga pushteti që duhet t’u shërbejë atyre.

Filed Under: ESSE

Frangor, non flector…

July 2, 2026 by s p

Prof. Stefan Çapaliku/

(në 100-vjetorin e lindjes së Lukë Kaçajt)

“Thyhem, por nuk përkulem”, kjo frazë e famshme latine prej vitesh e vitesh ka ardhur në mendjen time e shoqëruar prej imazheve të disa intelektualëve shqiptarë, një pjesë të të cilëve kam pasë rastin t’i njoh personalisht. Njëri prej tyre, të cilit i shkonte bash për shtat, ishte edhe Lukë Kaçaj.

Lukën e njoha në një rrethanë krejtësisht atipike për një artist të madh si ai. Nuk pata kurrë fatin ta shihja në skenë dhe, gjithashtu, as në fuajenë e ndonjë teatri muzikor, ku spektatorët presin t’u japin dorën idhujve të vet artistë. Jo. Me Lukë Kaçajn u njoha në tren, në vitin 1986. A ju kujtohet? Shqipëria dikur kishte trena dhe ndër trena janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për jetët e njerëzve të asaj kohe. Qe krijuar njëfarësoj “kultura e trenit”, gjë që brezi i sotëm nuk e njeh fare. Nuk e di pse dikush vendosi t’i shkatërrojë trenat dhe hekurudhat shqiptare, duke e lënë vendin tonë, kam frikë, si të vetmin në botë pa trena.

Për ne, studentët e asaj kohe, që e bënim rrugën Tiranë–Shkodër–Tiranë të paktën dy herë në muaj, zgjedhja e vendit se ku do rrije për të shtyrë katër orë me muhabet nuk qe as e lehtë, as për t’u shpërfillur. Kështu që shkonim herët në stacion dhe përshkonim gjithë trenin në këmbë, duke pikasur tipin se kujt do t’i rrije përballë. Atbotë treni nisej mbasdite vonë dhe mbërrinte në Shkodër pak para mesnate. Unë po bëja shëtitjen time nëpër tren për të zgjedhur bashkudhëtaren/bashkudhëtarin. Pak ose shumë pak qenë ata meshkuj që mund të konkurronin vajzat, të cilat rrinin më së shumti si pjesë e rretheve të vjetra shoqërore.

Mirëpo, një nga ata udhëtarë që m’u duk sikur më ftoi me sy që t’i ulesha përballë, qe një burrë shtatmadh, sy bojëqiell, flokë gështenjë të krehur në mënyrë ovale, veshë me kostum të zi, këmishë të bardhë dhe kravatë të hollë gri. Ishte koha e një varfërie absolute, kur sundonin trikot e leshit, pardesytë e dala boje, pantallonat me stof kombinati dhe këpucët me nallca.

– Ti e ke pa filmin Skenderbeu, po? – foli i panjohuri me zanin si të dilte nga një gyp stufe.

E kush nuk e kishte pa filmin “Skenderbeu”?! I madh e i vogël e dinin përmendësh.

– Atëherë duhet ta mbash mend edhe atë plakun e thatë me një djalosh të ri në krah, që këndon duke u afrue ashtu ngadalë mes lulekumbullash, duke tërheqë kambët zvarrë? – e nisi mandej me këndue ashtu ulët: “O ju male…“. – Njaj pra jam unë…

Nuk dita atëherë si me e pa atë burrë, i cili aso kohe nuk ishte hiç ma i vjetër seç jam unë sot. Lukë Kaçaj mandej, mbasi mori vesh, ashtu shumë shkurt e shpejt, se isha një student letërsie nga Shkodra, ia nisi bisedës duke më tregue të gjithë jetën e vet.

Lukë Kaçaj fliste dhe unë shikoja sesi një malësor, që kish fillue studimet si seminarist ndër fretnit e Shkodrës, ku kish marrë mësime muzike nga Patër Martin Gjoka dhe Patër Filip Mazrreku, ishte shndërrue, pa e ndryshue thelbin malësor, në një gjentëlmen, që, kur qe paraqitë atje në Moskë për t’u pranuar në fakultetin e muzikës, kishte qenë në gjendje të këndonte në pesë gjuhë: shqip, latinisht, italisht, frëngjisht dhe rusisht.

Ai malësor, në çdo hap të jetës së vet, nuk kish ba asgja tjetër veçse kishte vërtetue moton e moçme latine se: “Thyhem, por nuk përkulem!”.

Foto: AI

Filed Under: ESSE

“Gruaja që endej hijeve”, si univers njerëzor midis kujtesës, tranzicionit dhe kërkimit të identitetit

July 1, 2026 by s p

Prof. As. Dr. Ardian Tana/

Vëllimi “Gruaja që endej hijeve” nuk është thjesht një përmbledhje me dhjetë tregime, por mozaik letrar që ndërton historinë shpirtërore të shqiptarëve gjatë dekadave të fundit. Tregimet vërtiten rreth një boshti, atij njerëzor përballë fatit, kujtesës, moralit, dashurisë, zhgënjimit dhe përpjekjes për të ruajtur dinjitetin në kohë të trazuara. Edhe pse secili tregim ka veçantinë e vet narrative, të gjithë së bashku ndërtojnë një roman të heshtur të shoqërisë shqiptare. Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij libri është gjuha e thjeshtë e cila shmang retorikën dhe artificin në stilistikë, duke ndërtuar një ligjërim të natyrshëm, të rrjedhshëm dhe emocionalisht të besueshëm. Fjalori mbështetet mbi shqipen e gjallë, ku bashkëjetojnë standarti me nuancat e ligjërimit popullor, proverbat, frazeologjinë dhe psikologjinë e të folurit shqip. Pikërisht kjo e adapton librin për një komunikim të natyeshëm me mua si lexues.

Stili i autores udhëton nga realizmi psikologjik, introspeksioni deri te ndërtimi i përshkallëzuar i dramës njerëzore. Ngjarjet nuk mbështeten vetëm mbi ndjesitë por edhe mbi konfliktet e brendshme të personazheve. Përshkrimet nuk janë dekorative, por funksionale pasi peizazhi, shtëpia, kopshti, shiu, rrushi, rruga apo drita bëhen simbole që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të personazheve. Një veçori tjetër stilistike është ndërthurja e kujtesës personale me historinë kolektive. Përmes fateve individuale, lexuesi përjeton diktaturën, tranzicionin, emigracionin, varfërinë, zhgënjimin dhe transformimet morale të shoqërisë shqiptare. Dhjetë tregimet e këtij vëllimi dëshmojnë pjekuri narrative. Personazhet e librit dhe pse janë njerëz me kontradikta, dobësi dhe virtyte, kanë finesë e autencitet psikologjik.

Në këtë libër takon një ekuilibër rrëfimi mes realizmit dhe simbolikës, dialog natyral, atmosferë të fortë emocionale, strukturë narrative të qëndrueshme, reflektim filozofik mbi jetën dhe fatin. Në shumë tregime ndihet ndikimi i prozës moderne evropiane, ku ngjarja nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të depërtuar në ndërgjegjen e njeriut. Një nga temat më të rëndësishme të librit është pozicionimi i gruas shqiptare në diktaturë dhe në tranzicion. Autorja rrëzon mitin e emancipimit formal të sistemit komunist, duke treguar se gruaja vazhdon të mbetet e kufizuar nga patriarkalizmi, paragjykimi dhe morali kolektiv. Në tranzicion ndryshojnë rrethanat ekonomike, por barra morale dhe familjare mbetet mbi supet e saj. Figura si Egla dhe Nëna i shoh si përfaqësuese të dy mënyrave të mbijetesës së gruas shqiptare, revolta dhe sakrifica.

Thelbi i këtij libri është ai i kërkimit të identitetit njerëzor përmes kujtesës. Çdo tregim shtron të njëjtën pyetje themelore:

-Si mund të mbetet njeriu, njeri kur historia, shoqëria apo familja përpiqen ta tjetërsojnë? Në këtë kuptim, libri nuk flet vetëm për personazhet e tij, por për vetë ndërgjegjen shqiptare gjatë gjysmëshekullit të fundit.

Në vepër ndihet humanizmi edhe kur trajtohet tradhtia, varfëria, dhuna psikologjike apo zhgënjimi, pasi autorja nuk gjykon personazhet, por përpiqet t’i kuptojë. Kjo i jep tregimeve një dimension filozofik.

Libri mbart edhe një ndjenjë të fortë shprese: njeriu mund të rrëzohet, por nuk duhet të humbasë aftësinë për të dashur, për të falur dhe për të ringritur jetën.

Irena Dragoti në këtë vepër na thotë se liria si formë nuk ka vlerë pa lirinë e ndërgjegjes. Shoqëria mund të ndryshojë sistemet politike, por nëse nuk ndryshon në vetvete, nuk mund të ndryshojë mënyrën si sheh njeriun, gruan, familjen dhe dinjitetin njerëzor.

Libri ngre zërin për nevojën e empatisë, të përgjegjësisë morale, të dashurisë familjare, të kujtesës historike dhe të guximit për të qenë vetvetja.

Ky vëllim pasuron prozën bashkëkohore shqiptare me një zë autentik, që ndërthur realizmin psikologjik me reflektimin filozofik. Ai dëshmon se tregimi mbetet një gjini me potencial të madh artistik, kur ndërtohet mbi karaktere të besueshme dhe mbi konfliktin e vërtetë njerëzor.

Libri zgjeron hartën tematike të prozës sonë duke sjellë me ndjeshmëri çështje si trauma, kujtesa, identiteti, emigracioni, transformimi moral dhe roli i gruas në shoqëri. si një këndvështrim i ri mbi realitetin shqiptar. Tregimet shërbejnë si dokumente letrare të një kohe dhe të një shoqërie që ka probleme me ndryshimin. Si një pasqyrë e sinqertë e vetvetes, autorja fton lexuesin të reflektojë mbi paragjykimet, mbi peshën e kujtesës, mbi plagët e diktaturës dhe të tranzicionit, mbi përgjegjësinë ndaj familjes dhe mbi respektin për dinjitetin e çdo individi. “Gruaja që endej hijeve” mbetet një vepër që nuk synon vetëm të rrëfejë histori, por të zgjojë ndërgjegje e të kthejë letërsinë në akt njohjeje, kujtese dhe humanizmi.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT