• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur shqipja flet me të gjitha gjuhët

September 14, 2026 by s p

Kur diaspora bëhet truall i mbijetesës kulturore.

Nga Alketa Burimi Kapaj

Në një qoshe të vogël të 5th Avenue South,

nën diellin që ngroh të gjitha gjuhët,

kafja shpërndante aromën e një bisede të ngrohtë —

si një përkëdhelje e butë

që të fton të qëndrosh gjatë.

Tri gjuhë u ulën rreth së njëjtës tavolinë.

Shqipja, e lashtë ndër motra,

sillte me vete “mirëmëngjes” dhe “si je?”,

zërin e ëmbël të nënave

dhe jehonën e shekujve

nga brigjet e trojet shqiptare.

Spanjishtja erdhi

me një buenos días të ngrohtë,

ndërsa anglishtja

me një good morning të qetë.

Mirë se erdhe — welcome — bienvenido.

Faleminderit — thank you — gracias.

Më vjen keq — I’m sorry — lo siento.

Herë kuptimi rrëshqiste,

herë ngatërrohej mes fjalëve,

e pastaj qeshnim —

sepse përkthimi

nuk është gjithmonë përputhje;

ndonjëherë është vetëm përpjekja e zemrës

për të mbërritur te një zemër tjetër.

Një yes, një sí, një po…

Një maybe, një quizás, një ndoshta…

Jo thjesht fjalë,

por rrahje zemrash

nën diellin që përvëlonte palmët

dhe i ngrohte shpirtrat njësoj.

Një ditë, anglishtja tha:

— Sorry.

Shqipja iu përgjigj:

— Nuk ka gjë.

Pastaj erdhi një lo siento,

dhe spanjishtja përqafoi motrën e saj

në një abrazo

që Shqipja e njohu menjëherë,

pa pasur nevojë ta përkthente.

Sepse gjuha nuk është mur.

Është një derë e hapur

për ata që dinë të afrohen,

të dëgjojnë

dhe të duan.

Në mes të këtij kaosi të bukur shumëgjuhësh,

në një botë ku fjalët udhëtojnë

bashkë me njerëzit,

diaspora bëhet truall.

Jo trualli ku shqipja humbet,

por ai ku mëson të jetojë larg rrënjëve,

të ruajë kujtesën

dhe të flasë me të gjitha gjuhët —

si me motra —

nën të njëjtin qiell

që na mban larg në hapësirë,

por pranë

në atë që nuk duhet ta harrojmë.

Në pritje

Për të gjithë prindërit që presin… ata që lënë dritën ndezur, një vend bosh në tryezë

dhe derën paksa të hapur.

Vitet janë gdhendur thellë

në rrudhat e ballit të tij,

si brazda në një tokë të vjetër

që ka mbjellë shumë të korra,

por sot —

nuk dëgjohen më zëra.

Papritur,

lotët rrëshqasin,

dhe mjegulla e tymit të cigares

përpiqet t’i fshehë,

si një perde e hollë

mbi dhimbjen që s’di të flasë,

por as të përkulet.

Vetmia

i ulet pranë,

si një mik i vjetër

që nuk di të ikë.

Ai buzëqesh lehtë,

sikur t’i thotë:

Prapë ti…

Dhe gjen forcë të qëndrojë.

Pret…

Te ajo portë e vjetër

që s’lodhet kurrë së hapuri.

Dhe pëshpërit,

si të fliste me muret:

“Na hanë muret kur hyjmë brenda…”

— kur s’ka kush të na presë.

Netëve,

hëna i ndez qirinj shpirtit.

Mëngjeseve,

dielli e zgjon

si një mik besnik.

Një zë i vjen nga brenda:

“Hej, baba… erdhëm ne…”

— por ajri s’di të përgjigjet.

Eh…

Uroj të jenë mirë,

pëshpërit ai,

dhe heshtja

bëhet strehë

për zemrën e tij.

Ditë, muaj, vite —

një tryezë që ruan

zërat e së shkuarës.

Dhe çdo ditë,

zemra e tij pret te pragu,

roje e një dere të vjetër

që nuk mësoi kurrë

të mbyllet.

Ai pret.

Ndoshta nesër.

Një trokitje.

Një zë.

Një përqafim.

PËR TY, ARBËRESH I VJETËR

Përmes shekujve,

si një yll që harroi të shuhej,

qëndrove —

bir i Arbërisë

dhe i përjetësisë.

Asnjë dallgë

s’ta lau emrin nga kujtesa,

s’ta ftohu mallin,

s’ta heshti gjuhën,

s’ta treti këngën.

Në natën e dheut të huaj,

e mbajte Arbërinë ndezur —

një dritë të vogël

që mjaftoi për shekuj.

Në djepin e Arbërisë

u mbrujte me fjalën e saj;

e mbajte pranë zemrës,

si lutjen e fundit të nënës.

Një peng i thellë,

një mall i pashuar,

një gjuhë e ruajtur me lot,

brez pas brezi

e trashëguar.

“Moj e bukura More” —

kur dridhet në zërin tënd,

deti bëhet mall,

malli bëhet prush,

e prushi —

këngë.

Flet arbërisht…

qan arbërisht…

Kur lulet çelin

e fushat harlisen,

në sytë e fëmijëve

fjala e lashtë

rilind.

Rrënjët e tua

nuk duken —

mbi to,

si lulekuqe,

kujtesa flakëron.

Dhe shqipja e vjetër

rreh ende —

si një zemër

që kurrë

nuk të harroi.

“Moj e bukura More”

do të këndohet

sa herë që një fëmijë

ta marrë fjalën

nga buzët e të parëve

e ta çojë më tej.

Për ty,

Arbëresh i Vjetër —

që Arbërinë e humbe nga sytë,

por nuk e le

të humbte brenda teje.

Në nderim të arbëreshëve —

rojtarëve të gjuhës, të këngës

dhe të dritës sonë të lashtë.

Filed Under: ESSE

Robert Prifti –censura për t’i shpëtuar censurës

September 10, 2026 by s p

Viola Isufaj/

Robert Prifti shfaqet sot në botë si një autor me një krijimtari të veçantë, e cila është formuar nën një atmosferë të ashpër politike dhe sociale, si një rast i pangjashëm: me dy pseudonime, me shkrim në gjuhë të huaj (si pikla të vogla, minuscule) dhe lëvrues i romanit, tregimit, poezisë – në një volum të madh dorëshkrimesh për të shpërfaqur ide që ishin të ndaluara nën diktaturë. Pasuria e njohurive të Priftit mbi literaturën botërore dhe muzikën klasike ofron një kontekst të pasur shumështresor për krijimtarinë e tij. Kjo ndihmon për të krijuar lidhje mes kulturës evropiane dhe asaj shqiptare, duke treguar se pavarësisht kufizimeve, mendimi dhe krijimtaria mund të lulëzojnë nën represion.

Ai, me sa duket, manuskriptet dhe librat i fshihte në një depo të shtëpisë që kishim jashtë, me rrangulla dhe mjete pune, dhe sa herë thoshte se “Do marr ca dru”. Mirëpo dru kishte në shtëpi. Ai sillte dru, por vonohej kur vinte- dëshmon djali i tij, Edgari e cili e përktheu veprën nga italishtja në shqipe. Unë nuk e kam vazhduar këtë punë për një trill timin apo emër timin. Unë e konsideroj një mision, që të mos harrojmë se ka pasur njerëz që kanë menduar ndryshe, që ta kishin këtë Shqipëri më të mirë, që ishin patriotë… Por do kthehet edhe buzëqeshja në këtë vend, siç thoshte Roberti.

Vepra e Robert Priftit, siç thekson djali i tij Edgar, është një mision për të mbajtur në mendje ata që menduan ndryshe dhe ndihmon në ndriçimin e një Shqipërie më të mirë. Kjo vlerë e kujtesës dhe e trashëgimisë nënkupton se letërsia e tij është jo vetëm një depërtim në art por një mbështetje për identitetin dhe lirinë sepse, Robert Prifti, ofron reflektime të thella mbi individualizmin dhe vlerën e diversitetit në një botë ku këto janë të kërcënuara. Krijimtaria e tij është simbol i shpirtit njerëzor në përballje me padrejtësitë dhe mundet të luajë një rol në letrat shqipe si dëshmi e autocensurës dhe thirrjes për reflektim mbi të kaluarën totalitare.

Një nga idetë qendrore të krijimtarisë së Priftit është dilema e njeriut midis frikës dhe qëndrueshmërisë.

Dy shtretërit e Prokrustës. Ky roman me titull simbolik na rikthen në mitologjinë greke dhe e përdor figurën e Prokrustit si një metaforë për uniformizimin dhe dhunimin e individëve nën sistemet totalitare. Prifti krijon një botë ku njerëzit janë të detyruar të përputhen me normat dhe “shtretërit” e tjerë, duke nënkuptuar se çdo përpjekje për të qenë ndryshe ose për të qenë vetvetja mund të çojë në shkatërrim brutal.

Romani Dy shtretërit e Prokrustës i Robert Priftit është një përthyerje shumëdimensionale e natyrës së pushtetit, dhunës dhe hipokrizisë nën një regjim të egër.

– Emri Damaste është përdorur për të treguar identitetin e figurës që manipulon dhe kontrollon, ndërsa emri Prokrustë simbolizon një qasje brutale dhe uniformizuese ndaj atyre që i nënshtrohen. Prokrusti është simbol i dhunës dhe pushtetit totalitar, duke shkurtuar apo zgjatur viktimat për t’ua përshtatur praktikave të tij, një reflektim i hapur i mekanizmit të pushtetit që nuk toleron ndryshimin apo individualitetin. Prokrusti paraqitet si një figurë dinake dhe hipokrite, që përdor një maskë të butësisë për të fshehur rrezikun e vërtetë. Ai në mënyrë cinike u ofron mundësi viktimave të veta për të gjykuar fatin e tyre, duke e shfrytëzuar këtë si mjet për t’i manipuluar dhe dhunuar më tej. Kështu, Prokrusti ofron iluzionin e drejtësisë, duke krijuar një lloj “procesi” ku viktimat duhet të gjykojnë veten- një kritikë ndaj sistemit, ku dhuna dhe padrejtësia fshihen pas një fasade të drejtësisë.

Kjo hipokrizi qëndron në qendër të retorikës së shumë regjimeve autoritare ku çdo veprim i padrejtë mund të arsyetohet me parime të rreme të drejtësisë.

Tregtari Timete, si viktimë, është përfaqësues i njerëzve të zakonshëm që përballen çdo ditë me pushtetin dhe shfrytëzimin. Lutja e tij për shpëtim dhe pasuria e konfiskuar tregojnë se si pushteti shfrytëzon dobësitë njerëzore dhe frikën për të mbajtur kontrollin. E gjithë ceremonia rreth procesit të vrasjes e shndërron viktimën në objekt spektakli, një përvojë e tmerrshme e pasivizimit dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor. Ceremonia e ekzekutimit, e mbushur me duartrokitje dhe entuziazëm nga ithtarët e Prokrustit, krijon një atmosferë groteske e cila nënvizon absurditetin e sistemit.

Në këtë mënyrë, Prifti shkruan për një realitet që është formë e tmerrshme e argëtimit kolektiv, ku dhuna shndërrohet në shfaqje dhe viktimat bëhen pjesë e një tragjedie nga e cila nuk ka shpëtim. Fragmenti më poshtë nënkupton se çdo individ, nëse i nënshtrohet presionit të uniformizimit, rrezikon jo vetëm armët dhe jetëgjatësinë, por edhe identitetin e tij. Pasojat e qenies nën presionin e pushtetit, siç tregon Prifti, përmes Prokrustit, janë tragjike dhe shkatërruese.

Emri i tij ishte Damaste, por e thërrisnin Prokrustë: “Zgjatësi”. Ishte mbret i mbretërve mbi malin e tij Koridal. Ishte po aq i fortë, sa edhe dinak. Koridali ishte bërë një kështjellë e pamposhtur, një cerber gjigant, buzë rrugës së shenjtë që të çonte për në Athinë.

Karvane të panumërta tregtarësh dhe kortezhe aristokratësh që kalonin atypari, binin pre e dorës së tij. Pasuri të pallogaritshme përfundonin nëpallatin e tij të ngritur në një shpelle të madhe. I mashtronte me shumë mjeshtëri njerëzit.

Donte që të tjerët ta thërrisnin Damaste: “I drejti”,- kështu që, oborrtarët e tij nuk mungonin ta quanin “Mjeshtri i madh”, “I drejti i madh”. Pèrpara se t’i vriste viktimat e tij, e ngushëllonte veten me shansin e drejtë dhe shpirtmadh që u ofronte atyre, duke i çuar te shtrati i famshëm. Po, i dhuronte vetes hipokrizinë e paqes, kurse viktimave u ofronte iluzionin e shpresës.

Ja njëri prej tyre: E quanin Timete, një tregtar nga Pireu. Mekëmbësi i mbretit, i quajtur Adrasto, ia çoi përpara fronit shkëlqesisë së tij tregtarin e shkretë. Timetja filloi t’i lutej, t’i përgjërohej mbretit Prokrustë që të mos ia konfiskonte pasurinë dhe t’ia falte jetën. Mbreti “‘shpirtmadh” buzëqeshte me mirësi, e inkurajonte viktimën dhe i tregonte librin e kuq të mbretërisë së tij, kodin e fatit. (…)

Pastaj, mbas këtij ligjërimi për shpresën dhe drejtësinë damastiane, Prokrustja u drejtohej ithtarëve të vet, e ngrinte kodin mbi kokën e viktimës, duke cituar fjalët e tij të famshme: “Tashti të takon ty, o Timete, të gjykosh vetveten. Nëse nëna natyrë të ka krijuar dhe të ka rritur me përmasat e duhura, o njeri i vdekshëm, nuk ke përse të kesh frikë. Damastja këtu poshtë mbi tokë është po aq i drejtë sa dhe Zeusi lart në qiell.”

Mbas kësaj formule përfundimtare, shpërthenin duartrokitjet e ndjekësve të tij. Pastaj e linte librin e madh dhe nisej i ndjekur nga Adrastoja, xhelati, dhe nje skllav që mbante në dorë një çekan të madh. Pas tyre vinte viktima i rrethuar nga rojat dhe ithtarët, spektatorët e kësaj ceremonie.

Dy shtretërit e Prokrustës është romani i katërt dhe libri i pestë në prozë, që na ka lënë shkrimtari Robert Prifti, të cilët në themel kanë idetë dhe kundëridetë me personazhet që i mbartin, duke u përcaktuar edhe fatin atyre, teksa luftojnë deri nëvetasgjësim. Gjithaq, aty kemi një përzierje të reales me modernen dhe postmodernen bashkë, kur këto ishin të ndaluara-shkruan Visar Zhiti në parathënien e romanit.

Krijimtaria e Robert Priftit e zhvilluar në fshehtësi dhe në gjuhë të huaj, është një akt i rrallë i mbijetesës personale dhe intelektuale ndaj një regjimi represiv.

Dorëshkrim i Robert Priftit

Me një univers të veçantë, të shejnuar nga parabola, grotesku, ironia dhe filozofia ekzistenciale, Prifti krijon një ligjërim letrar që shpërfaq absurditetin e uniformizimit dhe dhunës totalitare. Vepra e tij është tejet interesante dhe e rëndësishme si dokument i mendimit ndryshe dhe si përpjekje për të mbijetuar në një klimë që ndëshkonte çdo formë të individualitetit.

Ai mbetet një zë i çuditshëm dhe i veçantë në letërsinë e sirtarëve që ndoshta nuk e ndryshon kanonin, por sigurisht e pasuron atë. Në këtë mënyrë, mund të njohim rëndësinë e tij si figurë kulturore dhe si zë qëndrese, pa e idealizuar as për nga talenti artistik, as nga ndikimi historik- më tepër si mënyrë për të shpëtuar shpirtin përmes reflektimit të thellë, një kërkesë për drejtësi në mungesë të saj në realitetin përreth.

Në disa raste, mendimi filozofik bëhet dominues sa rrezikon të zëvendësojë fuqinë rrëfimtare. Ky është një tipar që ndoshta e bën veprën e tij më interesante për studiuesit sesa për lexuesin e gjerë me pyetjen: a do t’i heqë udhën po ajo mprehtësi e natyrshme, spontane që vërehet tek shkrimtarë si Trebeshina apo Zorba, ku estetika dhe formantet e ideve ndërthuren në mënyrë aq organike? Robert Prifti është ndoshta më i voni nga të gjithë autorët e sirtarit që po bëhet i njohur.

Në këtë pikë, rasti i Priftit vë sërish në pikëpyetje vetë mënyrën si konceptohet disidenca: a është ajo vetëm akt publik, apo mund të ekzistojë si formë e vetëdijshme e komunikimit të pamundur?

Nëse shohim disidencën si një qëndrim etik dhe estetik, Robert Prifti hyn në këtë kategori jo domosdoshmërisht përmes përkryerjes formale, por përmes ekzistencës së vetë veprës-çka e bëjnë rastin Prifti unik: dëshmi e një shpirti që nuk shkruan për të qenë i madh, por në një realitet ku frika mbizotëron, për të rezistuar dhe për të gjetur mënyra përmes artit për të shprehur veten.

Filed Under: ESSE

Liri për Çlirimtarët!

September 9, 2026 by s p

Liri për Çlirimtarët!

Filed Under: ESSE

PROCESI I KAFKËS – KUR DREJTËSIA HUMB FYTYRËN

September 8, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

“The Trial” (“Procesi”) nuk është thjesht historia e Josef K.-së, një njeriu që një mëngjes arrestohet pa e ditur pse. Është historia e një njeriu që përballet me një sistem gjyqësor pa fytyrë, me rregulla që nuk i njeh, me autoritete që nuk i kupton dhe me një faj që askush nuk ia shpjegon.

Dhe pikërisht këtu qëndron universaliteti i Kafkës.

Sepse pyetja e tij nuk është vetëm: “Për çfarë akuzohet Josef K.?”

Pyetja më e frikshme është:

“A duhet të jesh fajtor që të trajtohesh si fajtor?”

Josef K. kërkon të kuptojë. Kërkon dosjen, akuzën, gjykatësin, rregullin. Por sa më shumë kërkon drejtësi, aq më thellë futet në labirintin e saj. Dyert hapen vetëm për të çuar në dyer të tjera. Njerëzit që duhet të shpjegojnë ligjin flasin në gjuhën e mjegullës. Dhe ligji, në vend që të jetë një dritë, bëhet një korridor i pafund.

Këtu Kafka na vendos përballë një pyetjeje që është shumë më e madhe se romani:

A është drejtësia gjithmonë e drejtë?

Në teori, drejtësia duhet të jetë e barabartë, e paanshme dhe e arsyeshme. Por drejtësia është edhe një institucion njerëzor. Dhe aty ku ka njerëz, ekzistojnë gabimi, paragjykimi, interesi, burokracia, frika dhe abuzimi me pushtetin.

Një ligj mund të jetë i ligjshëm, por jo domosdoshmërisht i drejtë.

Një vendim mund të jetë i formës së ligjit, por të mos jetë domosdoshmërisht i formës së së vërtetës.

Dhe një gjykatë mund të ketë muret, vulat dhe ceremoninë e drejtësisë, ndërsa brenda saj njeriu mund të ndihet i pafuqishëm përballë një mekanizmi që nuk e dëgjon.

Kafka nuk thotë se drejtësia është gjithmonë e padrejtë. Ai bën diçka më të thellë: na detyron të dyshojmë kur drejtësia humbet njeriun nga sytë.

Universaliteti i “Procesit” qëndron pikërisht këtu. Josef K. mund të jetë një qytetar i Pragës së fillimit të shekullit XX, por ankthi i tij nuk ka kombësi. Ai mund të shfaqet në çdo shoqëri ku individi përballet me një sistem që është bërë më i madh se vetë njeriu.

Kafka e kuptoi diçka profetike: pushteti nuk ka gjithmonë nevojë të bërtasë. Ndonjëherë mjafton të të lërë të presësh.

Një zyrë. Një formular. Një dosje. Një telefonatë që nuk vjen. Një përgjigje që shtyhet. Një derë që nuk hapet.

Dhe njeriu fillon të ndihet fajtor edhe pa e ditur fajin.

Kjo është arsyeja pse “Procesi” nuk plaket.

Sepse çdo epokë ka labirintet e veta. Çdo shoqëri ka institucionet e saj. Dhe çdo njeri, herët a vonë, mund të gjendet përballë një dere ku pyet: “Kush vendos për mua? Përse? Dhe a do të kem mundësi të dëgjohem?”

Në fund, Kafka nuk na jep një përgjigje.

Na lë me pyetjen.

Dhe ndoshta kjo është madhështia e tij: drejtësia nuk është vetëm të zbatosh ligjin. Drejtësia fillon atëherë kur ligji nuk harron njeriun.

Prandaj “Procesi” mbetet universal. Sepse Josef K. nuk është vetëm Josef K.

Është njeriu përballë sistemit. Është individi përballë pushtetit. Është frika përballë një dere të mbyllur.

Dhe është pyetja e përjetshme:

Nëse drejtësia nuk është e drejtë për njeriun, a mund të quhet ende drejtësi?

Filed Under: ESSE

E mira dhe e keqja…

September 7, 2026 by s p

Nga Resul Jusufi/

Prej disa kohësh i shoh në ëndërr të mirën dhe të keqen. Shpesh ma prishin gjumin. Bisedat e tyre janë të zhurmshme — herë histerike, herë të dhunshme; herë aq të çuditshme, sa është e pamundur

të kuptosh nëse po grinden apo po kujtojnë diçka që ka ndodhur para se të lindte njerëzimi. I shoh në mes të oqeanit, mbi rrënojat e thyera të një anijeje që lëkundet mbi ujë. Pastaj shfaqen në hapësirë, brenda një anijeje kozmike që endet mes yjeve të ftohtë. Përtej xhamit, gjithçka duket pa peshë: koha, trupi, kujtesa. Herë shfaqen në fshatra të braktisura dhe ngasin biçikleta të vjetra, të ndryshkura, nëpër rrugë ku nuk ka mbetur asnjë njeri. Shpesh i shoh duke kalëruar. Njëri kalë është i bardhë, kurse tjetri i zi. Dhe gjithmonë, për arsye që nuk i kuptoj, një dhi u shkon pas. Ajo nuk nxiton, por as nuk mbetet prapa. Sikur ta dinte rrugën më mirë se të dy.

Ata vazhdojnë të kalërojnë pa u kthyer pas, sikur të ishin nisur drejt një takimi të lashtë që nuk do të përfundonte kurrë. Ndonjëherë i afrohen njëri-tjetrit me një armiqësi të fshehtë. Afrohen aq shumë me njëri-tjetrin, sa kufiri mes dëshirës dhe luftës zhduket. Nuk është më e qartë kush pushton dhe kush dorëzohet. Pastaj qeshin. Ose heshtin. Në ato çaste më duket sikur kanë prekur diçka që nuk mund të thuhet pa u thyer.

Sa më gjatë flasin, aq më shumë më duket se

biseda e tyre nuk ka nisur atë natë. Sikur të kishte mbetur e papërfunduar që nga një kohë kur nuk ekzistonin as nata, as dita, as lindja, as vdekja. Ndoshta ishin bashkë para se bota të ndahej në të kundërta. Ndoshta bota lindi nga ajo ndarje, para se të lindnin e Mira dhe e Keqja. Ishin dy forca skajshmërisht të ndryshme. Nuk kishte si të ishin bashkë. Ishte e pamundur. E megjithatë, ishin

bashkë. Sepse, kur u dhanë emrat, njëra u quajt e Mira

dhe tjetra e Keqja. Por çfarë do të ishte njëra pa tjetrën? Nëse e Mira nuk do të kishte asgjë me të cilën të matej për t’u quajtur e mirë, a do të ishte ende

e mirë? Dhe nëse e Keqja nuk do të kishte më asgjë për t’iu kundërvënë, a do të ishte ende e keqe? Secila e mban emrin e vet në hijen e tjetrës.

Ndoshta nuk janë dy anë të botës. Ndoshta janë

vetë çarja përmes së cilës bota u bë e dukshme. Por ku banojnë atëherë? Në planetin tonë, apo janë vetëm turistë këtu? Në shpirtin dhe mendjen e njeriut?

Apo në ndonjë planet tjetër, të cilit ne nuk ia dimë emrin? Po e Vërteta, ku banon? Jashtë tyre? Apo lindi në çastin kur ata u ndanë? Ndoshta e Vërteta nuk

i përket as të Mirës, as të Keqes. Ndoshta banon në atë hapësirë të ngushtë ku të dyja humbin sigurinë se kush janë.

Një natë i pashë në një restorant luksoz. Ishin ulur përballë njëri-tjetrit, nën dritën e zbutur të llambadarëve. Tavolina ishte shtruar për tre veta, por aty ishin vetëm dy. Mes tyre qëndronin gotat e kristalta, të mbushura me verë të kuqe. Pjatat ishin të paprekura. Flisnin me zë të ulët. Këtë herë nuk ishin histerikë. Kjo ishte shumë më e frikshme. Foli e Keqja. E Mira dëgjoi. Mbi tavolinë po negocionin diçka që ngjante me një marrëveshje. E Mira duhej të heshtte. E Vërteta duhej t’i lihej turmës, se pambrojtur. Drejtësia duhej të priste. Edhe pak. Edhe pak më gjatë.

E Keqja fliste qetë, pothuajse butë. E Mira tundte kokën herë pas here. Për një çast nuk dukeshin si armiq. Dukeshin si dy qenie që e dinin se dikur kishin ndarë të njëjtin sekret. Më në fund, e Keqja u ngrit. E Mira e ndoqi. Vendi i tretë mbeti ende i paprekur. Karrigia e së Vërtetës. Dhe askush nuk e kishte vënë re.

Ndoshta e Keqja nuk ka nevojë gjithmonë ta mposhtë të Mirën. Ndonjëherë mjafton ta bindë të heshtë. Por heshtja nuk zgjati. Diku përtej asaj dhome, diçka u ça. E Keqja thirri Drejtësinë me një britmë të egër, sikur të donte të plagoste vetë rendin e botës. E Mira iu kthye së Vërtetës dhe e mbështolli me një butësi të pafajshme, sikur përpiqej ta mbronte nga ajo që po ndodhte. Zërat u ulën. Britmat, të qeshurat, të qarat u ndalën. Qielli e ndryshoi ngjyrën; nuk ishte më i kaltër. Toka humbi boshtin e saj. Yjet dolën nga udhët e tyre. Dhe për një çast gjithçka u mjegullua. Jo sepse e Mira dhe e Keqja u bënë një, por sepse kufiri mes tyre u bë aq i hollë, sa asnjëra nuk mund të thoshte më se ku mbaronte njëra dhe ku fillonte tjetra.

Pastaj u larguan nga njëri-tjetri. Njëra në një drejtim. Tjetra në drejtimin e kundërt. Për të mos u parë më kurrë. Gjithçka humbi formën. Nuk kishte më kohë. Asnjë kufi nuk mbeti mes ëndrrës dhe asaj që quhej realitet. Bota ra në heshtje. E Keqja mund të mbajë fytyrën e së Mirës, të flasë me gjuhën e saj, të marrë hua dritën e saj dhe të mbajë në duar fjalët tek të cilat njerëzit kanë besuar se janë shpëtimi. E Keqja që shfaqet si e keqe mund të njihet. Por kur vjen e veshur si e Mira, bëhet shumë më e vështirë të dallohet.

Edhe e Mira e ka humnerën e saj. Kur kalon kufirin e vet dhe nuk pranon më asnjë kundërshtim, drita mund të bëhet aq e fortë sa të të verbojë. Atëherë nuk ndriçon më.

Në një botë të lodhur nga errësira, çdo gjë që shkëlqen mund të kuptohet si shpëtim. Për këtë, ndoshta e Vërteta qëndron gjithmonë pak më larg. Ajo nuk premton as dritë, as errësirë. Qëndron diku në mes, pa një emër të përcaktuar. Në momentin kur përpiqesh ta mbash në duar, ajo ndryshon formë. Kur mjegulla u shpërnda përsëri, ata ishin larg njëri-tjetrit. Njëri mbi kalin e bardhë, e tjetri mbi kalin e zi. Askush nuk e dinte nëse dhia ishte dëshmitare e ndarjes së tyre apo ishte e vetmja krijesë që e dinte se ku po shkonin.

Ata nuk shikonin prapa. Nuk donin të ktheheshin. Asnjëri nuk bëri përpjekje ta ndalte tjetrin. Vazhdonin në drejtime të kundërta, sikur secili të kishte marrë me vete gjysmën e një kujtese që tjetri nuk mund ta kujtonte më. U ndanë. Në atë çast u zgjova. Isha bërë qull në djersë. Nuk e di sa ishte ora — diku mes tetës dhe nëntës. U ngrita nga krevati, eca drejt dritares dhe shikova jashtë. Në mes të oborrit, dhia që kisha parë në ëndërr po kulloste e qetë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 643
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kujtojmë në ditën e lindjes albanologun e shquar Peter Bartl
  • PROF. DR. ZANA FRASHËRI-LITO VIZITOI VATRËN
  • “Themeluesi Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Në Ditën e Falenderimeve
  • Në 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisësë Shqipërisë, në kujtim të Luigj Gurakuqit– atdhetarit, intelektualit dhe politikanittë shquar shqiptar
  • Trashëgimia ilire dhe lidhjet arbërore në filatelinë e Bosnjë-Hercegovinës
  • Vehbi Agolli – (Vehbi Dibra, 1867–1937)
  • 25 nëntor 2005, polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”
  • Një jetë luftëtar për ngritjen e flamurit kombëtar në Çamëri
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR Z. DRITON GERBESHI DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR KOLEC DHE RICHARD NDOJA DHURUAN 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • Noli, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia…
  • 40 emra, 1 flamur: Kush e shpalli Pavarësinë më 28 Nëntor 1912
  • Pse Shqipëria e shpalli e fundit pavarësinë nga Perandoria Osmane?
  • GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU, PJETËR BOGDANI DHE ADEM JASHARI TRI SHTYLLA TË KUJTESËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT