
Viola Isufaj/
Robert Prifti shfaqet sot në botë si një autor me një krijimtari të veçantë, e cila është formuar nën një atmosferë të ashpër politike dhe sociale, si një rast i pangjashëm: me dy pseudonime, me shkrim në gjuhë të huaj (si pikla të vogla, minuscule) dhe lëvrues i romanit, tregimit, poezisë – në një volum të madh dorëshkrimesh për të shpërfaqur ide që ishin të ndaluara nën diktaturë. Pasuria e njohurive të Priftit mbi literaturën botërore dhe muzikën klasike ofron një kontekst të pasur shumështresor për krijimtarinë e tij. Kjo ndihmon për të krijuar lidhje mes kulturës evropiane dhe asaj shqiptare, duke treguar se pavarësisht kufizimeve, mendimi dhe krijimtaria mund të lulëzojnë nën represion.
Ai, me sa duket, manuskriptet dhe librat i fshihte në një depo të shtëpisë që kishim jashtë, me rrangulla dhe mjete pune, dhe sa herë thoshte se “Do marr ca dru”. Mirëpo dru kishte në shtëpi. Ai sillte dru, por vonohej kur vinte- dëshmon djali i tij, Edgari e cili e përktheu veprën nga italishtja në shqipe. Unë nuk e kam vazhduar këtë punë për një trill timin apo emër timin. Unë e konsideroj një mision, që të mos harrojmë se ka pasur njerëz që kanë menduar ndryshe, që ta kishin këtë Shqipëri më të mirë, që ishin patriotë… Por do kthehet edhe buzëqeshja në këtë vend, siç thoshte Roberti.
Vepra e Robert Priftit, siç thekson djali i tij Edgar, është një mision për të mbajtur në mendje ata që menduan ndryshe dhe ndihmon në ndriçimin e një Shqipërie më të mirë. Kjo vlerë e kujtesës dhe e trashëgimisë nënkupton se letërsia e tij është jo vetëm një depërtim në art por një mbështetje për identitetin dhe lirinë sepse, Robert Prifti, ofron reflektime të thella mbi individualizmin dhe vlerën e diversitetit në një botë ku këto janë të kërcënuara. Krijimtaria e tij është simbol i shpirtit njerëzor në përballje me padrejtësitë dhe mundet të luajë një rol në letrat shqipe si dëshmi e autocensurës dhe thirrjes për reflektim mbi të kaluarën totalitare.
Një nga idetë qendrore të krijimtarisë së Priftit është dilema e njeriut midis frikës dhe qëndrueshmërisë.
Dy shtretërit e Prokrustës. Ky roman me titull simbolik na rikthen në mitologjinë greke dhe e përdor figurën e Prokrustit si një metaforë për uniformizimin dhe dhunimin e individëve nën sistemet totalitare. Prifti krijon një botë ku njerëzit janë të detyruar të përputhen me normat dhe “shtretërit” e tjerë, duke nënkuptuar se çdo përpjekje për të qenë ndryshe ose për të qenë vetvetja mund të çojë në shkatërrim brutal.
Romani Dy shtretërit e Prokrustës i Robert Priftit është një përthyerje shumëdimensionale e natyrës së pushtetit, dhunës dhe hipokrizisë nën një regjim të egër.
– Emri Damaste është përdorur për të treguar identitetin e figurës që manipulon dhe kontrollon, ndërsa emri Prokrustë simbolizon një qasje brutale dhe uniformizuese ndaj atyre që i nënshtrohen. Prokrusti është simbol i dhunës dhe pushtetit totalitar, duke shkurtuar apo zgjatur viktimat për t’ua përshtatur praktikave të tij, një reflektim i hapur i mekanizmit të pushtetit që nuk toleron ndryshimin apo individualitetin. Prokrusti paraqitet si një figurë dinake dhe hipokrite, që përdor një maskë të butësisë për të fshehur rrezikun e vërtetë. Ai në mënyrë cinike u ofron mundësi viktimave të veta për të gjykuar fatin e tyre, duke e shfrytëzuar këtë si mjet për t’i manipuluar dhe dhunuar më tej. Kështu, Prokrusti ofron iluzionin e drejtësisë, duke krijuar një lloj “procesi” ku viktimat duhet të gjykojnë veten- një kritikë ndaj sistemit, ku dhuna dhe padrejtësia fshihen pas një fasade të drejtësisë.
Kjo hipokrizi qëndron në qendër të retorikës së shumë regjimeve autoritare ku çdo veprim i padrejtë mund të arsyetohet me parime të rreme të drejtësisë.
Tregtari Timete, si viktimë, është përfaqësues i njerëzve të zakonshëm që përballen çdo ditë me pushtetin dhe shfrytëzimin. Lutja e tij për shpëtim dhe pasuria e konfiskuar tregojnë se si pushteti shfrytëzon dobësitë njerëzore dhe frikën për të mbajtur kontrollin. E gjithë ceremonia rreth procesit të vrasjes e shndërron viktimën në objekt spektakli, një përvojë e tmerrshme e pasivizimit dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor. Ceremonia e ekzekutimit, e mbushur me duartrokitje dhe entuziazëm nga ithtarët e Prokrustit, krijon një atmosferë groteske e cila nënvizon absurditetin e sistemit.
Në këtë mënyrë, Prifti shkruan për një realitet që është formë e tmerrshme e argëtimit kolektiv, ku dhuna shndërrohet në shfaqje dhe viktimat bëhen pjesë e një tragjedie nga e cila nuk ka shpëtim. Fragmenti më poshtë nënkupton se çdo individ, nëse i nënshtrohet presionit të uniformizimit, rrezikon jo vetëm armët dhe jetëgjatësinë, por edhe identitetin e tij. Pasojat e qenies nën presionin e pushtetit, siç tregon Prifti, përmes Prokrustit, janë tragjike dhe shkatërruese.
Emri i tij ishte Damaste, por e thërrisnin Prokrustë: “Zgjatësi”. Ishte mbret i mbretërve mbi malin e tij Koridal. Ishte po aq i fortë, sa edhe dinak. Koridali ishte bërë një kështjellë e pamposhtur, një cerber gjigant, buzë rrugës së shenjtë që të çonte për në Athinë.
Karvane të panumërta tregtarësh dhe kortezhe aristokratësh që kalonin atypari, binin pre e dorës së tij. Pasuri të pallogaritshme përfundonin nëpallatin e tij të ngritur në një shpelle të madhe. I mashtronte me shumë mjeshtëri njerëzit.
Donte që të tjerët ta thërrisnin Damaste: “I drejti”,- kështu që, oborrtarët e tij nuk mungonin ta quanin “Mjeshtri i madh”, “I drejti i madh”. Pèrpara se t’i vriste viktimat e tij, e ngushëllonte veten me shansin e drejtë dhe shpirtmadh që u ofronte atyre, duke i çuar te shtrati i famshëm. Po, i dhuronte vetes hipokrizinë e paqes, kurse viktimave u ofronte iluzionin e shpresës.
Ja njëri prej tyre: E quanin Timete, një tregtar nga Pireu. Mekëmbësi i mbretit, i quajtur Adrasto, ia çoi përpara fronit shkëlqesisë së tij tregtarin e shkretë. Timetja filloi t’i lutej, t’i përgjërohej mbretit Prokrustë që të mos ia konfiskonte pasurinë dhe t’ia falte jetën. Mbreti “‘shpirtmadh” buzëqeshte me mirësi, e inkurajonte viktimën dhe i tregonte librin e kuq të mbretërisë së tij, kodin e fatit. (…)
Pastaj, mbas këtij ligjërimi për shpresën dhe drejtësinë damastiane, Prokrustja u drejtohej ithtarëve të vet, e ngrinte kodin mbi kokën e viktimës, duke cituar fjalët e tij të famshme: “Tashti të takon ty, o Timete, të gjykosh vetveten. Nëse nëna natyrë të ka krijuar dhe të ka rritur me përmasat e duhura, o njeri i vdekshëm, nuk ke përse të kesh frikë. Damastja këtu poshtë mbi tokë është po aq i drejtë sa dhe Zeusi lart në qiell.”
Mbas kësaj formule përfundimtare, shpërthenin duartrokitjet e ndjekësve të tij. Pastaj e linte librin e madh dhe nisej i ndjekur nga Adrastoja, xhelati, dhe nje skllav që mbante në dorë një çekan të madh. Pas tyre vinte viktima i rrethuar nga rojat dhe ithtarët, spektatorët e kësaj ceremonie.
Dy shtretërit e Prokrustës është romani i katërt dhe libri i pestë në prozë, që na ka lënë shkrimtari Robert Prifti, të cilët në themel kanë idetë dhe kundëridetë me personazhet që i mbartin, duke u përcaktuar edhe fatin atyre, teksa luftojnë deri nëvetasgjësim. Gjithaq, aty kemi një përzierje të reales me modernen dhe postmodernen bashkë, kur këto ishin të ndaluara-shkruan Visar Zhiti në parathënien e romanit.
Krijimtaria e Robert Priftit e zhvilluar në fshehtësi dhe në gjuhë të huaj, është një akt i rrallë i mbijetesës personale dhe intelektuale ndaj një regjimi represiv.
Dorëshkrim i Robert Priftit
Me një univers të veçantë, të shejnuar nga parabola, grotesku, ironia dhe filozofia ekzistenciale, Prifti krijon një ligjërim letrar që shpërfaq absurditetin e uniformizimit dhe dhunës totalitare. Vepra e tij është tejet interesante dhe e rëndësishme si dokument i mendimit ndryshe dhe si përpjekje për të mbijetuar në një klimë që ndëshkonte çdo formë të individualitetit.
Ai mbetet një zë i çuditshëm dhe i veçantë në letërsinë e sirtarëve që ndoshta nuk e ndryshon kanonin, por sigurisht e pasuron atë. Në këtë mënyrë, mund të njohim rëndësinë e tij si figurë kulturore dhe si zë qëndrese, pa e idealizuar as për nga talenti artistik, as nga ndikimi historik- më tepër si mënyrë për të shpëtuar shpirtin përmes reflektimit të thellë, një kërkesë për drejtësi në mungesë të saj në realitetin përreth.
Në disa raste, mendimi filozofik bëhet dominues sa rrezikon të zëvendësojë fuqinë rrëfimtare. Ky është një tipar që ndoshta e bën veprën e tij më interesante për studiuesit sesa për lexuesin e gjerë me pyetjen: a do t’i heqë udhën po ajo mprehtësi e natyrshme, spontane që vërehet tek shkrimtarë si Trebeshina apo Zorba, ku estetika dhe formantet e ideve ndërthuren në mënyrë aq organike? Robert Prifti është ndoshta më i voni nga të gjithë autorët e sirtarit që po bëhet i njohur.
Në këtë pikë, rasti i Priftit vë sërish në pikëpyetje vetë mënyrën si konceptohet disidenca: a është ajo vetëm akt publik, apo mund të ekzistojë si formë e vetëdijshme e komunikimit të pamundur?
Nëse shohim disidencën si një qëndrim etik dhe estetik, Robert Prifti hyn në këtë kategori jo domosdoshmërisht përmes përkryerjes formale, por përmes ekzistencës së vetë veprës-çka e bëjnë rastin Prifti unik: dëshmi e një shpirti që nuk shkruan për të qenë i madh, por në një realitet ku frika mbizotëron, për të rezistuar dhe për të gjetur mënyra përmes artit për të shprehur veten.