
Eni Feruli
Psikologe klinike & terapiste për varësinë nga drogat!/
Gjatë punës time me fëmijët, adoleshentët dhe familjet, kam vënë re se periudha e dimrit sjell shpesh ndryshime në humor dhe në sjellje. Ditët janë më të shkurtra, fëmijët kalojnë më pak kohë jashtë dhe pjesa më e madhe e ditës mbetet mes shkollës dhe shtëpisë. Ndryshimi i rutinës, mungesa e dritës dhe ulja e aktivitetit fizik mund të ndikojnë në energjinë dhe motivimin e tyre, edhe pse jo çdo fëmijë e përjeton dimrin në të njëjtën mënyrë.
Disa fëmijë mund të jenë më të lodhur, më nervozë ose më pak të motivuar, ndërsa të tjerë mund të izolohen dhe të humbasin interesin për aktivitetet që më parë i pëlqenin. Tek adoleshentët mund të shohim mungesë motivimi për shkollën, probleme me gjumin, vështirësi në përqendrim, ndryshime në komunikim ose largim nga familja dhe shoqëria. Shpesh këto sjellje shikohen vetëm si përtese, kokëfortësi ose mosbindje, por ndonjëherë janë mënyra e tyre për të treguar se emocionalisht nuk ndihen mirë. Fëmijët jo gjithmonë dinë ta kuptojnë apo ta shprehin me fjalë atë që po përjetojnë.
Një shqetësim tjetër për shumë prindër është koha që fëmijët kalojnë në telefon, tablet ose me videolojëra. Vendosja e kufijve është e nevojshme, por nuk mjafton vetëm t’ua heqim pajisjet elektronike. Duhet t’u ofrojmë edhe alternativa që lidhen me interesat e tyre, si sporti, muzika, leximi, aktivitetet krijuese, lojërat në familje ose takimet me miqtë. Në të kundërt, fëmija mund ta përjetojë kufizimin vetëm si dënim dhe jo si një përpjekje për ta ndihmuar.
Shumë prindër drejtohen për ndihmë pa e kuptuar gjithmonë se rutina, angazhimet dhe mënyra e organizimit të jetës familjare mund të ndikojnë indirekt tek motivimi dhe gjendja emocionale e fëmijës. Shpesh dëgjoj të fajësohet mësuesi, shkolla apo sistemi. Edhe pse në disa raste mund të ketë vërtetësi, kjo nuk duhet të na largoje nga pyetja: Çfarë mund të bëjmë ne më shumë si prindër?
Nuk mund të kontrollojmë gjithçka që ndodh në shkollë ose jashtë shtëpisë, por mund të kontrollojmë praninë tone, mënyrën si komunikojmë dhe kohën që u kushtojmë fëmijëve. Ndonjëherë një bisedë e thjeshtë, pa kritika dhe pa gjykim, mund ta ndihmojë fëmijën të hapë atë që po mban brenda. Në vend që ta pyesim menjëherë pse nuk mëson, pse nuk dëgjon ose pse rri në telefon, mund ta pyesim se si është ndier kohët e fundit dhe nëse ka diçka që po e shqetëson.
Jo çdo ndryshim humori do të thotë se ka një problem psikologjik. Por kur ankthi, trishtimi, izolimi, vështirësitë me gjumin ose mungesa e motivimit vazhdojnë dhe fillojnë të ndikojnë në shkollë, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në jetën e përditshme, është mirë të kërkohet mbështetje profesionale.
Sidomos gjatë dimrit, fëmijët dhe adoleshentët nuk kanë nevojë vetëm për rregulla. Ata kanë nevojë të ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur. Koha dhe vëmendja që u japim sot mund të bëjnë një ndryshim shumë të madh në mënyrën si ata mësojnë të kuptojnë dhe të përballojnë emocionet e tyre.