• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Malet e ndaluara” të Dino Buxatit…

July 15, 2026 by s p

Agim Baçi/

Te rrëfimet e Dino Buxatit veshi qëndron afër zemrës së njeriut. Buxati i drejtohet lexuesit si një i njohur i vjetër i tij, por nuk ja lehtëson aspak udhët që i duhet të bëjë gjithkush prej nesh për të njohur jetën dhe veten. Por për të ka rëndësi të veçantë sidomos udha që do të na duhet të bëjmë për ruajtjen e dinjitetit tonë. Bëhet fjalë për atë përpjekje që ndodh brenda nesh për të mos pranuar dorëzimin e përditshëm ndaj së pushtetshmes, për atë përpjekje që duhet të kemi për të ruajtur sytë dhe zemrën përballë dëshirës së pushtetit që ne të shohim vetëm atë që na sugjerohet. Ashtu siç ndodh në tregimin “Malet e ndaluara”, ku gjithçka nis në lokalin e një fshati, ku mali nuk përmendet më nga askush prej banorëve të zonës dhe gjithçka për malet vetëm nënkuptohet, pasi pushtetit ka vendosur që malet të mos quhen të tilla e të mos flitet më për to.

Në fillim të duket një fantazmagori, ashtu siç i duket dhe udhëtarit në atë fshat i cili nuk di se si të marrë heshtjen e banorëve të zonës, mungesën e përgjigjes së tyre, për atë që ka parë udhës drejt lokalit por që nuk mund ta shquajë më nga dritaret e lokalit.

“Me ligj është e ndaluar të merresh me malet, as të ngjitesh në to, as të flasësh për to, e mundësisht, as mos t’i hedhësh sytë fare. “Mundësisht” kështu thotë ligjvënësi, duke nënkuptuar, se ky është një pretendim i tepërt. Ata janë gjithnjë mbi qytet, në anën veriore, ditë e natë shkëlqejnë. Kur vjen një i huaj dhe na pyet: “Më falni, ai është mali Mezola, ajo është kreshta e Lorres?”. Ne me sytë përtokë, i përgjigjemi me një buzëqeshje të njerëzishme: “Na falni, zotëri, po nuk e dimë, nuk jemi njerëz praktikë” dhe hedhim sytë përreth mos ndodhet aty rrotull ndonjë spiun.

Tani kemi vendosur mos t’i shikojmë. Me pak vullnet të mirë, mund të mësohesh mos tua prishësh qejfin qeveritarëve tanë.

Tani ato, (malet) për ne sikur nuk ekzistojnë dhe janë të përjashtuar nga ngjarjet e përditshme të jetës. Megjithatë nganjëherë pa dashje, u hedhim ndonjë shikim kalimthi, por shpejti i ulim sytë, për t’u treguar të matur dhe mundohemi t’i harrojmë. Kush e di a janë të kthjellta, apo të mbuluara me re, të veshura me borë, apo të djegura nga dielli! Nuk duam të dimë, sepse kemi nderim të madh për ligjet, të cilat ne nuk i kuptojmë, po që patjetër janë hartuar për të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë”, thuhet në fillim të rrëfimit të Buxatit.

Realiteti dhe shkallimi ynë duket sikur janë në të njëjtën karrige në atë lokal, dhe pamja e fytyrës sonë varet vetëm nga ajo që do guxojmë të shohim. Por, a mund të besosh se dikush mund të kundërshtojë apo të debatojë për vendimet qe merren ndaj tij apo ndaj një komuniteti të tërë, kur nuk ai apo ata nuk kanë guxim të pohojnë se përpara tij apo përpara tyre ndodhet një mal? Buxati i vë personazhet të zhytur në autoironinë e tyre për justifikimet e pafund që u duhet të gjejnë për të mos parë atë që shihet nga dritarja që ose e kanë mbyllur, ose e kanë prishur vetë, ose dëshirojnë ta mendojnë se nuk hapet.

Dhe në fakt, “malet e të vërtetave” shpesh janë afër nesh, ngjitur me përditshmërinë tonë, ngjitur me kolegët apo fqinjët tanë. Çdo pushtet ka tentuar që këto “male” të mos i konsiderojë, apo t’i quajë më së shumti mirazhe. Por asnjë pushtet nuk mund t’ia arrijë t’i zhdukë “këto male” pa pasur aleat heshtjen përballë pranisë së këtyre maleve, heshtjen tonë ndaj asaj që shohim dhe nuk mundet ta themi me zë të lartë. Kushdo që do të zhytet në botën e pafundme të justifikimeve për atë që nuk mundi ta thotë me zë të lartë, do kërkojë më pas ta shohë në ëndërr, por pa mundur të ketë zë dhe sy. Dhe, Buxati e mbyll rrëfimin duke na kujtuar se, për të parë të vërtetën përpara teje duhet të jesh i denjë për të!

“Pas saj janë malet, të ngarkuara me natë, me fytyrat e tyre të errëta e të fuqishme, ata qëndrojnë sipër nesh. Kurse ne nuk jemi të denjë për ta”!(Malet e ndaluara).

Foto: www.britannica.com

Filed Under: ESSE

Pullat e taksës shqiptare dhe kontributi i Mirgen Shamllit në studimin e tyre

July 14, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Në historinë e filatelisë shqiptare, vëmendja e studiuesve është përqendruar kryesisht te pullat postare, ndërsa një fushë po aq e rëndësishme, filatelia fiskale, ka mbetur për një kohë të gjatë jashtë vëmendjes së merituar. Megjithëse pullat e taksës janë pjesë e historisë së administratës, të financave publike dhe të shtetformimit shqiptar, ato janë studiuar shumë pak dhe kanë munguar botimet e plota që t’i trajtojnë në mënyrë sistematike. Ky boshllëk është plotësuar në mënyrë të ndjeshme nga koleksionisti dhe studiuesi korçar Mirgen Shamlli, i cili, pas një pune shumëvjeçare kërkimore, ka botuar dy vepra me rëndësi të veçantë: “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” dhe “Pullat e taksës në Korçë 1917–1921”. Këto nuk janë thjesht katalogë filatelikë, por studime dokumentare që për herë të parë sistemojnë, klasifikojnë dhe interpretojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë fiskale shqiptare, të mbështetur në dokumente arkivore, materiale origjinale dhe koleksione të specializuara. Veçantia e këtyre botimeve qëndron jo vetëm në pasurinë e informacionit që ofrojnë, por edhe në karakterin e tyre pionier. Ato krijojnë një bazë të re për studimin e filatelisë fiskale shqiptare dhe njëherazi ofrojnë një burim me interes për koleksionistët, historianët, arkivistët shqipetar dhe te huaj,dhe të gjithë ata që dëshirojnë të njohin më mirë historinë institucionale të shtetit shqiptar. Në faqet që vijojnë do të analizohen veçmas këto dy vepra, duke evidentuar metodologjinë e autorit, vlerat dokumentare dhe kontributin e tyre në pasurimin e literaturës filatelike dhe historiografisë shqiptare.

Pullat e taksës kanë ecur gjithmonë paralelisht me pullat postare, duke përbërë një element të rëndësishëm të historisë administrative dhe fiskale të shtetit shqiptar. Nëse pulla postare garantonte kryerjen e shërbimit postar, pulla e taksës vërtetonte pagesën e detyrimeve ligjore dhe administrative. Për dekada me radhë ato u përdorën në dokumente të ndryshme zyrtare, si brenda ashtu edhe jashtë territorit shqiptar, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës institucionale të vendit. Përtej funksionit të tyre praktik, pullat e taksës përfaqësojnë një dëshmi të rëndësishme të sovranitetit shtetëror. Nëpërmjet simboleve kombëtare, stemave, mbishkrimeve dhe elementeve grafike, ato shprehin identitetin e shtetit, autoritetin e ligjit dhe organizimin e administratës publike. Në këtë kuptim, ato nuk janë vetëm objekte filatelike, por edhe dokumente historike që pasqyrojnë zhvillimin institucional të Shqipërisë gjatë një shekulli.

Që në parathënien e librit, autori Mirgen Shamlli evidenton mungesën e literaturës së specializuar mbi këtë fushë, duke theksuar: “Mungesa e materialit më të plotë rreth këtyre pullave ka qenë gjithmonë një mangësi në këtë fushë koleksionimi ose klasë koleksionimi.

Duke plotësuar dhe paraqitur me anë të këtij katalogu pothuajse të gjitha pullat e taksës që janë përdorur në Shqipëri gjatë periudhës 1921–2021, jam munduar të qartësoj e të jap sa më të plotë imazhin dhe historinë e pullës së taksës në Shqipëri.” Ky pohim shpjegon qartë motivimin që ka udhëhequr autorin gjatë hartimit të veprës. Qëllimi nuk ka qenë vetëm katalogimi i materialit ekzistues, por krijimi i një reference të besueshme që të shërbejë si bazë për studiuesit, koleksionistët dhe të gjithë të interesuarit për filatelinë fiskale shqiptare. Njëkohësisht, Shamlli tregon një ndershmëri të admirueshme shkencore kur pranon se kërkimi mbetet një proces i hapur. Ai shkruan: “Sigurisht që ka edhe mungesa në emisione të caktuara, të cilat me kohë do ta plotësojnë këtë mozaik elegant e të natyrshëm.”

Ky qëndrim dëshmon se autori nuk pretendon ta konsiderojë punën e tij si përfundimtare, por si një bazë të fortë mbi të cilën mund të ndërtohen kërkime të mëtejshme. Pikërisht kjo qasje e bën katalogun jo vetëm një vepër referimi, por edhe një nxitje për zhvillimin e studimeve të ardhshme në këtë fushë.

Botimi “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” përfaqëson deri më sot studimin dhe katalogun më të plotë kushtuar pullave fiskale shqiptare. Ai mbulon një periudhë prej një shekulli, duke filluar me emetimin e parë të dhjetorit 1921, një emision me karakter tërësisht shqiptar në konceptimin grafik dhe simbolik, dhe duke vijuar deri te emetimet më të fundit të shekullit XXI. Gjatë kësaj periudhe pasqyrohet evolucioni i vazhdueshëm i pullave të taksës, të cilat ndryshojnë në dizajn, ngjyra, dhëmbëzim, përmasa dhe vlera nominale, duke reflektuar zhvillimet administrative, monetare dhe institucionale të shtetit shqiptar.

Edhe pse libri është konceptuar në formën e një katalogu shkencor, përmbajtja e tij tejkalon ndjeshëm kufijtë e një regjistri teknik. Për secilin emetim jepen me përpikëri karakteristikat filatelike, si përmasat, dhëmbëzimi, ngjyrat, vlera nominale dhe elemente të tjera identifikuese. Këto të dhëna krijojnë një bazë të qëndrueshme për klasifikimin, identifikimin dhe studimin e pullave, duke e bërë veprën një instrument pune të domosdoshëm për koleksionistët dhe studiuesit.

Një nga arritjet më të rëndësishme të autorit është sistemimi kronologjik i 155 emetimeve, të cilat përfshijnë 1032 pulla të ndryshme. Pas këtij rezultati qëndron një punë shumëvjeçare kërkimore, e mbështetur në analizën e koleksioneve, dokumenteve dhe burimeve të ndryshme, si dhe në krahasimin e varianteve të njohura të secilit emetim. Ky dokumentim përbën për herë të parë një inventar pothuajse të plotë të pullave të taksës shqiptare.

Vlera e veprës shtohet më tej nga përfshirja e qindra ilustrimeve me cilësi të lartë, të shoqëruara me dhjetëra dokumente origjinale ku këto pulla janë përdorur. Këto materiale nuk shërbejnë vetëm për identifikimin filatelik, por edhe si dëshmi autentike të funksionimit të administratës shqiptare në periudha të ndryshme historike. Përmes tyre lexuesi mund të ndjekë përdorimin real të pullave të taksës në jetën juridike, ekonomike dhe institucionale të vendit. Rëndësia e këtij botimi qëndron edhe në faktin se ai ndërthur filatelinë me historinë. Pullat e taksës nuk paraqiten si objekte të veçuara koleksionimi, por si pjesë e mekanizmit administrativ të shtetit shqiptar, duke pasqyruar evolucionin e institucioneve, të sistemit fiskal dhe të legjislacionit gjatë njëqind viteve.

Mund të thuhet me bindje se kjo është hera e parë në historiografinë filatelike shqiptare që pullat e taksës trajtohen në mënyrë kaq të plotë, sistematike dhe të dokumentuar.

Për këtë arsye, vepra e Mirgen Shamllit përbën një pikë referimi të domosdoshme për çdo studiues të filatelisë fiskale shqiptare dhe një kontribut me vlerë të qëndrueshme për historinë e administratës dhe të financave publike në Shqipëri. Në themel të kësaj pune qëndron pasioni i autorit për pullën e taksës dhe për dokumentacionin historik që e shoqëron atë. Duke konstatuar mungesën e studimeve dhe të referencave të plota në këtë fushë, Mirgen Shamlli ka ndërmarrë një punë kërkimore të gjatë dhe të përkushtuar, me synimin për të ndriçuar një segment të rëndësishëm, por të lënë në harresë, të trashëgimisë filatelike shqiptare. Pikërisht ky përkushtim e shndërron veprën e tij nga një katalog i thjeshtë në një kontribut të mirëfilltë shkencor, i cili do të mbetet një referencë e rëndësishme për studiuesit dhe koleksionistët edhe në të ardhmen.

Nëse botimi “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” ofron panoramën e plotë të zhvillimit njëqindvjeçar të pullave fiskale shqiptare, vepra e dytë e Mirgen Shamllit, “Pullat e taksës në Korçë 1917–1921”, përfaqëson një studim monografik të përqendruar mbi një nga periudhat më të rëndësishme dhe njëherazi më pak të trajtuara të historisë administrative shqiptare.

Krahina Autonome e Korçës, e krijuar në fund të vitit 1916, përbën një rast unik në historinë e shtetformimit shqiptar. Brenda një periudhe të shkurtër u ngrit një administratë funksionale, me institucione civile, financiare dhe juridike që vepronin mbi baza të mirëpërcaktuara ligjore. Në këtë kontekst, pullat e taksës nuk ishin thjesht mjete për mbledhjen e tarifave administrative, por pjesë përbërëse e organizimit institucional të krahinës dhe dëshmi konkrete e funksionimit të saj.

Autori nuk kufizohet vetëm në paraqitjen kataloguese të pullave. Që në faqet hyrëse të librit ai e vendos lexuesin në kontekstin historik, duke trajtuar rrethanat politike dhe administrative që çuan në krijimin e sektorit të financave të Krahinës Autonome të Korçës. Një vend të veçantë zë figura e atdhetarit Nikollaq Zoi, i cili drejtoi Drejtorinë e Financave dhe kontribuoi në ngritjen e një administrate moderne fiskale.

Rëndësinë e këtij organizimi e dëshmon edhe gazetari francez Robert Vaucher, i cili në revistën L’Illustration, më 7 prill 1917, shkruante se: “Republika e Korçës është sot ndoshta i vetmi shtet në Evropë që e balancon buxhetin e tij dhe nuk ka deficit.” Ky vlerësim nuk ishte vetëm një koment mbi gjendjen ekonomike të krahinës, por një dëshmi e nivelit të organizimit administrativ të saj në një periudhë kur pjesa më e madhe e Evropës ishte përfshirë nga Lufta e Parë Botërore.

Nga këndvështrimi politik, vetëqeverisja e Korçës pati një rëndësi që tejkalonte kufijtë e krahinës. Ajo u shndërrua në një shembull konkret të aftësisë së shqiptarëve për të organizuar institucione funksionale dhe për të administruar financat publike, duke ushqyer shpresën për konsolidimin e shtetit shqiptar në tërësi. Libri paraqet me hollësi organizimin e Drejtorisë së Financave, institucion që kishte nën administrim doganat, pyjet, financat postare, hambarët shtetërorë dhe sektorë të tjerë me rëndësi ekonomike. Përshkrimi i organikës së këtij institucioni: drejtori, kryesekretari, arkëtari, shkronjësi, mbledhësit dhe kontrollorët, i jep lexuesit një pamje të qartë mbi shkallën e organizimit administrativ të kohës dhe dëshmon se administrata e Korçës funksiononte sipas një strukture të mirëpërcaktuar. Mbi këtë bazë historike ndërtohet edhe pjesa filatelike e studimit. Me një metodologji të kujdesshme dhe me mbështetje të gjerë dokumentare, Mirgen Shamlli paraqet të gjitha pesë emetimet e pullave të taksës të Krahinës Autonome të Korçës: emetimin e parë të 20 janarit 1917, të dytin të 3 korrikut 1917, të tretin të 17 marsit 1918, të katërtin të 26 prillit 1920 dhe emetimin e pestë e të fundit të 30 gushtit 1920.

Çdo emetim analizohet me saktësi, duke u shoqëruar me ilustrime cilësore dhe dokumente origjinale, çka i mundëson lexuesit të ndjekë jo vetëm evolucionin e pullave, por edhe zhvillimin e administratës që i prodhoi dhe i përdori ato. Një nga kapitujt më tërheqës të veprës është ai kushtuar 68 dokumenteve dhe dëshmive origjinale, të cilat tregojnë përdorimin praktik të pullave të taksës në Korçë gjatë viteve 1917–1921. Pikërisht këtu libri kapërcen kufijtë e një katalogu tradicional dhe merr karakterin e një studimi të historisë dokumentare, ku pulla fiskale nuk paraqitet si një objekt i izoluar koleksionimi, por si pjesë e funksionimit të përditshëm të administratës. Interes të veçantë paraqet edhe kapitulli kushtuar gabimeve të shtypit, ku autori evidenton variante në dhëmbëzim, ngjyra, shtypje dhe elemente të tjera teknike. Për koleksionistët e specializuar këto variante përbëjnë një fushë me interes të madh, pasi ndihmojnë në identifikimin e ekzemplarëve të rrallë dhe pasurojnë studimin e filatelisë fiskale shqiptare.

Një tjetër meritë e veprës është përfshirja e akteve ligjore, rregulloreve dhe dispozitave administrative të Krahinës Autonome të Korçës. Këto dokumente nuk janë vendosur thjesht si shtojca, por përbëjnë bazën interpretative të të gjithë studimit. Ato i japin lexuesit mundësinë të kuptojë se emetimi dhe përdorimi i pullave të taksës ishte pjesë e një sistemi administrativ të ndërtuar mbi norma juridike të qarta dhe jo rezultat i zgjidhjeve të rastësishme. Në fund të librit, autori paraqet dhjetëra vula administrative të përdorura gjatë kësaj periudhe, duke plotësuar kështu panoramën dokumentare të institucioneve të Krahinës Autonome të Korçës. Këto vula përbëjnë një burim të rëndësishëm për studiuesit e historisë postare, të administratës dhe të filatelisë fiskale.

Botimi, i realizuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, me cilësi të lartë tipografike dhe ilustrime të shumta, e zgjeron ndjeshëm rrethin e lexuesve. Ai nuk u drejtohet vetëm koleksionistëve shqiptarë, por edhe studiuesve të huaj të historisë postare, të filatelisë fiskale dhe të historisë së Ballkanit. Në këtë mënyrë, vepra e Mirgen Shamllit shndërrohet jo vetëm në një referencë për filatelinë shqiptare, por edhe në një kontribut të rëndësishëm për studimin e historisë institucionale të Shqipërisë në fillimshekullin XX.

Filed Under: ESSE

At Leonard de Martino, Ati françeskan që mëkoi me dije dhe dritë, At Gjergj Fishtën, shpirtin dhe penën e shërbesës së shqiptarisë

July 14, 2026 by s p

Albert Vataj/

Ata lindën larg njëri-tjetrit në hapësirë, por të bashkuar në thelbin më të thellë të përkatësisë, në të njëjtin gjak, në të njëjtin komb, në të njëjtin amanet të trashëguar brez pas brezi. Njëri erdhi nga brigjet e Arbërisë së përtejdetit, tjetri u lind në zemrën e tokës shqiptare, por fati i tyre do të shkruhej në të njëjtën faqe të historisë shpirtërore dhe kulturore të një populli.

At Leonard de Martino do të vinte nga Greçi i Kampanjës, një nga zemrat e gjalla të Arbërisë italiane, ku kujtesa e atdheut të humbur ruhej si një flakë e pashuar në gjuhë, këngë dhe besim. At Gjergj Fishta do të hidhte hapat e parë të jetës mbi tabanin e tokës shqiptare, në atë truall të bekuar ku fjala, zakoni dhe besimi ishin ndërthurur si një testament i shenjtë i të parëve.

Ishin dy udhëtime që do të bashkoheshin nga një vullnet i lartë hyjnor dhe nga një mision i përbashkët, shërbimi ndaj dijes, dritës dhe shpirtit të kombit. Takimi i tyre nuk ishte vetëm një takim mes një mësuesi dhe një nxënësi, ishte përplasja e bekuar e një urtësie të trashëguar me një talent që priste të zgjohej. Nëpërmjet dorës së At Leonardit, një djalosh nga Zadrima do të gjente rrugën drejt fjalës së madhe, ndërsa nëpërmjet zërit të Fishtës, një komb do të dëgjonte jehonën e kujtesës së vet.

Ata u bashkuan në dashurinë për të shenjtën, për dijen dhe për gjuhën, në kumtin e një ideali që e shihte kulturën si një formë të lartë shërbimi. Nëpër vargje, lutje dhe vepra, ata do të dëshmonin shpirtin e një toke epike, të një vendi kreshnikësh, legjendash dhe historish të mëdha, ku kujtesa e brezave është bërë pjesë e ndërgjegjes së një kombi.

Dhe kështu, nga dy skaje të së njëjtës hapësirë shpirtërore, u bashkuan dy jetë që historia do t’i ruante krah për krah, një françeskan arbëresh që mbolli farën e dijes dhe një poet shqiptar që e shndërroi atë farë në një pemë të pavdekshme të kulturës kombëtare.

Sot, më 12 korrik, kujtohet përvjetori i kalimit në amshim të At Leonard de Martinos (1830–1923), i cili u nda nga jeta më 12 korrik 1923 në kuvendin françeskan të Sarnos, pranë Napolit. Ai mbylli një jetë të gjatë kushtuar Zotit, dijes dhe popullit shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar shpirtërore, arsimore dhe letrare.

I lindur në Greçi të Kampanjës, në zemër të Arbërisë italiane, At Leonardi u rrit në një mjedis ku kujtesa e Shqipërisë së të parëve ruhej si një amanet i shenjtë. Arbëreshët, të shpërndarë në tokën italiane pas shekullit XV, kishin ruajtur gjuhën, zakonet dhe lidhjen shpirtërore me atdheun e origjinës. Në këtë botë kujtese dhe përkatësie lindi edhe thirrja e tij për t’u kthyer te shqiptarët.

Kur mbërriti i ri si misionar françeskan në Shkodër, ai nuk erdhi thjesht si një klerik i huaj, por si një bir i largët i së njëjtës trashëgimi kulturore. Shqipërinë ai e pa jo vetëm si një fushë misioni fetar, por si një tokë që kishte nevojë për dije, arsim dhe vetëdije kulturore.

Për afro katër dekada ai shërbeu mes shqiptarëve, kryesisht në Troshan, në Zadrimë dhe në fshatrat e Lezhës. Veprimtaria e tij nuk u kufizua në altar, ai ishte njëkohësisht meshtar, mësues, poet, edukator dhe përhapës i kulturës. Ai besonte patundshëm se një popull nuk mund të ndërtojë të ardhmen pa shkollë, pa gjuhë dhe pa vetëdije për vlerat e veta.

Ishte ndër nismëtarët e hapjes së shkollës së parë italiane në Shqipëri dhe një figurë e rëndësishme në përhapjen e arsimit. Për një periudhë shërbeu edhe pranë Prenk Pashës së Mirditës si sekretar dhe edukator i të birit, Prenk Bibë Dodës, duke u përfshirë kështu në formimin e një brezi që do të luante një rol kyç në jetën politike dhe kulturore të vendit.

Por trashëgimia më e madhe e At Leonard de Martinos nuk qëndron vetëm në institucionet që ndihmoi të krijoheshin apo në veprat që shkroi. Ajo që e bën emrin e tij të pavdekshëm është roli që pati në formimin e një prej figurave më të mëdha të kulturës shqiptare: At Gjergj Fishtës.

Në një djalosh të thjeshtë nga Zadrima, Zef Ndoci, At Leonardi pikasi një dhunti të veçantë. Ai dalloi tek ai zgjuarsinë, ndjeshmërinë dhe prirjen e jashtëzakonshme për dije, duke u bërë udhërrëfyesi i parë i rrugëtimit të tij intelektual dhe shpirtëror. Nën kujdesin e tij, ai djalosh mori formimin fillestar që do ta përgatiste për misionin e madh që do të kishte në jetën kulturore shqiptare.

Ndhimi i At Leonardit nuk ishte thjesht ai i një mësuesi ndaj nxënësit. Ishte ndikimi i një mentori që dinte ta ushqente talentin dhe ta drejtonte atë drejt një horizonti më të gjerë. Ai i dha Fishtës dashurinë për dijen, disiplinën e studimit, njohjen e traditës klasike dhe bindjen se fjala e shkruar mund të kthehej në një shërbim sublim ndaj Zotit dhe atdheut.

Në mjedisin françeskan, nën frymën e edukimit që ai përfaqësonte, Fishta u njoh me letërsinë klasike, filozofinë, retorikën dhe kulturën evropiane. At Leonardi nuk i mësoi vetëm rregullat e gjuhës apo mjeshtërinë e vargut; ai i përcolli një filozofi jetësore: se poeti nuk është vetëm një krijues i së bukurës, por edhe dëshmitar i kohës së tij, mbrojtës i kujtesës dhe zë i ndërgjegjes së popullit.

Një nga ndikimet më të thella që ai la te Fishta ishte dashuria e pakufishme për gjuhën shqipe. Si arbëresh, At Leonardi e njihte fuqinë e gjuhës si shtyllë të identitetit kombëtar. Ai e dinte se një popull mund ta ruajë shpirtin e vet vetëm përmes fjalës. Këtë bindje ia përcolli edhe nxënësit të tij, i cili më vonë do ta kthente gegërishten në një instrument të jashtëzakonshëm poetik dhe do të ngrinte monumentin epik të letërsisë sonë, “Lahutën e Malcís”.

Në këtë kuptim, At Leonard de Martino nuk ishte thjesht mësuesi i Fishtës. Ai ishte një nga arkitektët e heshtur të formimit të poetit që do të bëhej zëri më i fuqishëm i kombit.

At Leonardi ishte edhe vetë një poet nga natyra. Fillimisht shkroi në italisht, por më pas, duke përvetësuar me mjeshtëri gegërishten, krijoi edhe në shqip me një hijeshi të rrallë. Filologu At Justin Rrota e përshkruante me admirim:

“Poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë… si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer dorën e shkroi me aq mjeshtri.”

Kjo dëshmi tregon jo vetëm aftësinë e tij artistike, bashkë edhe lidhjen e thellë shpirtërore që krijoi me gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Ndër veprat e tij më të njohura janë përmbledhja poetike “L’Arpa di un italo-albanese” (“Harpa e një arbëreshi”), drama “Nata e Këshnellavet” (një nga veprat e hershme teatrore në gjuhën shqipe), si dhe shkrimet kushtuar figurës madhështore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Një vend të veçantë në veprimtarinë e tij zë edhe përkushtimi ndaj Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqiptarëve. At Leonard de Martino ndihmoi në përhapjen dhe thellimin e këtij devocioni përmes poezisë dhe shkrimeve shpirtërore. Ai i kushtoi Zojës së Bekuar vargje të frymëzuara, duke e lidhur këtë figurë me kujtesën historike dhe identitetin shpirtëror të shqiptarëve.

Kjo lidhje kishte një domethënie të veçantë për të si arbëresh. Për komunitetet arbëreshe, Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano ishte një simbol i lidhjes së pandërprerë me Shqipërinë e humbur pas pushtimit osman. Përmes kësaj figure, At Leonardi bashkoi besimin, kujtesën dhe dashurinë për atdheun.

Edhe pse vitet e fundit të jetës i kaloi në Itali, ai nuk u largua kurrë shpirtërisht nga Shqipëria. Zemra e tij mbeti në tokën ku kishte shërbyer, në mesin e njerëzve të cilëve u kishte falur dije, besim dhe shpresë.

Sot, kur kujtojmë At Leonard de Martinon, kujtojmë një urë të gjallë mes Arbërisë dhe Shqipërisë, mes fesë dhe kulturës, mes traditës dhe së ardhmes. Kujtojmë një njeri që nuk kërkoi të bëhej protagonist i historisë, por që pati fatin e rrallë të formonte një prej protagonistëve më të mëdhenj të saj. Sepse ka mësues që lënë pas libra, por ka edhe mësues që lënë pas njerëz që ndryshojnë rrjedhën e historisë. At Leonard de Martino i përkiste kësaj kategorie të rrallë. Ai mbolli një farë në shpirtin e një djaloshi nga Zadrima, dhe nga ajo farë u rrit një prej pemëve më madhështore të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishta.

Filed Under: ESSE

Mërgata dhe Atdheu si destinacioni i zemrës

July 13, 2026 by s p

Ph.D. Dashnim Hebibi/

Autori është President i Institutit Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore me qendër në Cyrih.

Edhe këtë verë, si çdo vit, mijëra bashkatdhetarë kanë marrë rrugën drejt trojeve të tyre. Disa kanë udhëtuar me avion, të tjerë me tragete nga Italia drejt Shqipërisë, shumë kanë zgjedhur veturat private, ndërsa një numër i konsiderueshëm ka udhëtuar edhe me autobusë. Për ta, ky nuk është një udhëtim i zakonshëm turistik. Është kthimi në vendlindje, takimi me familjen, me kujtimet, me shtëpitë që i kanë ndërtuar me mundin e viteve të tëra në mërgim. Pavarësisht kritikave të shumta që u drejtohen herë pas here, mërgimtarët vazhdojnë të dëshmojnë se dashuria për atdheun është më e fortë se çdo koment nënçmues. Ata nuk i kushtojnë rëndësi zërave që përpiqen ta minimizojnë kontributin e tyre. Përkundrazi, çdo verë ata zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin e tyre, duke investuar kohën, emocionet dhe kursimet e një viti të tërë pune. Një vit i tërë pune, sakrificash dhe largësie kurorëzohet me muajin korrik dhe gusht, muaj që tradicionalisht u takojnë mërgimtarëve.

Malli për familjen dhe vendlindjen mbetet po aq i madh sa edhe dekada më parë. Brezi i parë i mërgatës kthehet me mall për tokën ku ka lindur, brezi i dytë dhe i tretë e shijojnë vizitën si një lidhje të fortë me rrënjët e tyre, ndërsa brezi i katërt tashmë po përballet me një realitet tjetër. Për ta, lidhja emocionale nuk është më aq e natyrshme dhe kërkon më shumë angazhim nga institucionet e vendeve tona. Kjo është një sfidë serioze për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi. Nuk mjafton të thuhet në çdo aktivitet se “mërgata është zemra e atdheut”. Kjo duhet të dëshmohet me politika konkrete, me projekte afatgjata dhe me programe që i afrojnë të rinjtë e diasporës me historinë, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar.

Nëse kjo nuk ndodh, çdo vit do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhet kjo lidhje e natyrshme. Sipas informacioneve që kemi siguruar, një numër i madh mërgimtarësh edhe këtë verë kanë zgjedhur që fillimisht të pushojnë për disa ditë në bregdetin shqiptar, për të vazhduar më pas drejt vendlindjeve të tyre në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës. Ndërkohë, bashkatdhetarët nga Mali i Zi vazhdojnë të frekuentojnë në masë bregdetin e Ulqinit, një nga destinacionet më të dashura për ta. Ditët që u mbesin pas pushimeve zakonisht i kalojnë mes familjarëve, në dasma, ahengje familjare, festa tradicionale dhe aktivitete të ndryshme që organizohen gjatë muajve korrik dhe gusht. Këto nuk janë vetëm festa, por momente që forcojnë lidhjet familjare dhe ruajnë traditat shqiptare brez pas brezi.

Potenciali ekonomik dhe kombëtar i mërgatës është i njohur për të gjithë. Miliarda euro që dërgohen çdo vit janë një shtyllë e rëndësishme për ekonominë e vendeve tona. Por kontributi i tyre nuk matet vetëm me remitancat. Ata investojnë në shtëpi, biznese, arsim dhe mbështesin familjet e tyre, duke qenë ambasadorët më të mirë të shqiptarëve në vendet ku jetojnë. Megjithatë, shpeshherë mërgimtarët përballen me kritika të padrejta dhe me mungesë mirëkuptimi. Në rrjetet sociale nuk mungojnë komentet nënçmuese, ndërsa në praktikë hasin vështirësi që mund dhe duhet të shmangeshin. Një nga problemet më të shpeshta mbetet infrastruktura dhe mungesa e vendeve të parkimit. Nuk është e drejtë që një mërgimtar të gjobitet për një parkim të gabuar kur në shumë raste mungojnë hapësirat e nevojshme.

Në shumicën e vendeve ku ata jetojnë, pothuajse çdo qendër tregtare, institucion apo objekt publik ofron parking të mjaftueshëm për qytetarët. Kjo është një kulturë që duhet të ndërtohet edhe në vendet tona. Natyrisht, rregullat duhet të respektohen nga të gjithë. Mërgimtarët janë mësuar me disiplinën e shteteve ku jetojnë dhe e dinë mirë se shkeljet ndëshkohen. Por ata presin që edhe institucionet vendore të bëjnë pjesën e tyre duke krijuar kushte normale dhe duke mos e parë diasporën vetëm si burim të ardhurash gjatë sezonit veror. Përtej çdo kritike, një fakt mbetet i pandryshueshëm: edhe këtë vit mërgata ka zgjedhur atdheun. Ka përballuar orë të gjata udhëtimi, kolona kilometrike në kufij, shpenzime të mëdha dhe lodhje, vetëm për të kaluar disa ditë në vendin e vet.

Sepse atdheu nuk është thjesht një destinacion pushimesh. Ai është vendi ku ndodhen rrënjët, kujtimet dhe identiteti. Prandaj, është koha që mërgata të mos përmendet vetëm në fjalime festive. Ajo meriton respekt, bashkëpunim dhe politika që e bëjnë të ndihet pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit. Sepse, në fund të fundit, dashuria e saj për atdheun nuk është dëshmuar me fjalë, por me vepra – vit pas viti, brez pas brezi.

Filed Under: ESSE

ADN sociale shqiptare

July 8, 2026 by s p

Artan Nati/

Njeriu nuk lind me një pasaportë në shpirt. Ai lind vetëm me një pyetje që do ta ndjekë gjithë jetën: “Kush jam unë?” Përgjigjja nuk shkruhet në certifikatën e lindjes dhe as në kartën e identitetit. Ajo formohet ngadalë, nga gjuha që dëgjon në djep, nga përrallat e gjyshes, nga buka që ndahet në sofër, nga këngët që këndohen në dasma, nga mënyra se si një popull qan të vdekurit dhe feston lindjen e një fëmije. Në fund të fundit, njeriu nuk është vetëm produkt i gjeneve të prindërve, është edhe produkt i kujtesës së shoqërisë ku rritet. Ne trashëgojmë jo vetëm ngjyrën e syve, por edhe mënyrën se si shohim botën. Jo vetëm zërin, por edhe fjalët që zgjedhim. Jo vetëm fytyrën, por edhe turpin, krenarinë, frikën dhe shpresat. Prandaj psikologët flasin për identitetin si boshti që mban të bashkuar copëzat e jetës sonë. Edhe kombet kanë një bosht të tillë. Ai nuk ndodhet në kromozome, por në atë që mund ta quajmë metaforikisht ADN-ja sociale. Është kodi i padukshëm që na mëson si të sillemi me mikun, si ta presim të huajin, si ta nderojmë të moshuarin, si ta kuptojmë fjalën e dhënë dhe si ta përjetojmë turpin kur e shkelim atë.

Problemi fillon kur ky kod zëvendësohet me një tjetër të importuar, jo sepse është më i mirë, por sepse është më në modë. Atëherë shfaqet shqiptari i shekullit XXI: pi ekspreso italiane, ha sushi japonez, feston Halloween amerikan, përdor fjalë anglisht në çdo fjali, por nuk di më t’i tregojë fëmijës së vet pse babai ngrihej në këmbë kur hynte një plak në dhomë. Ka mësuar të porosisë “flat white”, por ka harruar të urojë “të bëftë mirë”. Kjo nuk është kozmopolitizëm, por është harresë kulturore. Mjafton të shohësh disa dasma shqiptare. Dikur ato ishin një festë ku çdo këngë tregonte një histori dhe çdo valle kishte një kuptim. Sot shpesh ngjajnë si një kopje e lirë e një videoklipi ndërkombëtar: hyrje me fishekzjarre, tym artificial, vallëzim sipas TikTok-ut dhe tortë me pesë kate, ndërsa askush nuk mban mend dy vargje të një kënge popullore. Tradita nuk është zëvendësuar, por është marrë me qera për një natë dhe nuk quhet dasëm, por event. Edhe gjuha po pëson të njëjtin fat. Dikur njerëzit krenoheshin që flisnin bukur shqip. Sot disa krenohen më shumë që nuk e flasin mirë. Çdo fjali është bërë një koktej ku anglishtja, italishtja dhe shqipja grinden për “modernitet”.

Nuk është problemi se dimë gjuhë të huaja, por problemi është kur fillojmë të kemi nevojë për një përkthyes për të kuptuar gjyshen tonë. Kur kjo ADN kulturore këputet, njeriu nuk bëhet automatikisht modern. Ai bëhet konsumator i identiteteve të gatshme. Ndërron stile siç ndërron markat e telefonit. Sot sillet si amerikan, nesër si italian, pasnesër si turk, ndërsa në fund nuk është më asnjëri. Satira është se ne shpesh e quajmë këtë “progres”. Në fakt, progresi nuk është të kopjosh gjithçka që vjen nga jashtë. Progres është të kesh vetëbesimin për të zgjedhur. Japonezët u modernizuan pa pushuar së qeni japonezë. Finlandezët nuk hoqën dorë nga finlandezëria për t’u bërë europianë. Grekët vazhdojnë të debatojnë si grekë edhe kur përdorin teknologjinë më të avancuar. Vetëm ne kemi prirjen ta ngatërrojmë modernizimin me maskimin. Një komb nuk humbet kur mëson gjuhë të huaja, kur udhëton apo kur përvetëson teknologji të reja. Humbet kur fillon të turpërohet nga vetja. Sepse çasti kur një shoqëri fillon të ketë komplekse për gjuhën, historinë dhe karakterin e saj, atëherë ajo nuk po ndërton të ardhmen, por fshin kujtesën. Dhe një popull pa kujtesë është si një njeri me amnezi që ecën, flet, konsumon, voton, madje edhe feston, por nuk mban mend më se kush është.

Nëse një i huaj do të donte të mësonte shqipen e sotme, nuk do ta dërgoja as te Akademia e Shkencave dhe as te Fjalori i Gjuhës Shqipe. Do ta çoja për një orë në Parlament.

Pas asaj seance, ai do të dilte me bindjen se gjuha zyrtare e Shqipërisë është një përzierje ekzotike mes shqipes, anglishtes, italishtes dhe disa tingujve të pakuptueshëm që nuk i njeh askush. Shpesh nuk është e qartë se ku fillon kryefjala dhe ku mbaron kallëzuesi. Fjalitë ngrihen me shumë entuziazëm, por rrëzohen para se të mbërrijnë te kuptimi. Sintaksa duket si një ndërtesë e nisur pa projekt: disa tulla shqip, disa anglisht, pak italisht për fasadë dhe shumë beton retorik. Dëgjon një deputet që thotë: “Duhet të implementojmë një new approach për performancën e governance-it në raport me stakeholders.” Në fund mbetet pyetja e vetme logjike: Po shqip, vallë, çfarë donte të thoshte Është krijuar ideja se sa më shumë fjalë të huaja të përdorësh, aq më inteligjent dukesh. Nëse thua “zbatim”, rrezikon të dukesh provincial. Nëse thua “implementim”, fiton menjëherë një aureolë eksperti. “Takim” tingëllon i zakonshëm; “meeting” ka më shumë kolesterol intelektual. “Palët e interesuara” janë njerëz të zakonshëm, ndërsa “stakeholders” tingëllojnë sikur kanë zbritur nga një konferencë në Bruksel. E njëjta epidemi ka prekur edhe një pjesë të opinionistëve televizivë. Për të shpjeguar një fenomen që gjyshi do ta shpjegonte me pesë fjalë të pastra shqip, nevojiten njëzet minuta dhe një arsenal termash në anglisht. Nuk flitet më për “ndikim”, por për “impact”. Nuk ka më “rrëfim”, por “narrativë”.

Nuk thuhet “kornizë”, por “framework”. Nuk flitet për “zgjidhje”, por për “roadmap”. Në fund të emisionit, shikuesi nuk është bërë më i ditur, është bërë dygjuhësh pa dëshirën e tij. Ironia është se shqiptarët krenohen se flasin një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, por shpesh sillen sikur ajo nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur mendimin modern. Sikur shqipja të ishte e aftë vetëm për këngë popullore dhe dolli dasmash, ndërsa ekonomia, filozofia, teknologjia dhe politika kërkojnë domosdoshmërisht përkthyes. Natyrisht, askush nuk e mohon se disa terma teknikë ndërkombëtarë janë të nevojshëm. Çdo gjuhë huazon. Edhe shqipja ka huazuar ndër shekuj. Por ndryshimi është se dikur huazonim sepse na mungonte fjala, por sot shpesh huazojmë edhe kur fjala ekziston. Nuk është nevoja që udhëheq huazimin, por snobizmi. Ja si do të tingëllonte një emision televiziv:

Revolucioni i Flamingove. Një mbrëmje në studion televizive

Moderatorja: Mirëmbrëma! Sonte do të analizojmë fenomenin më të ri politik: Revolucionin e Flamingove. Është revolucion ekologjik, estetik, ideologjik apo thjesht një sfond i bukur për Instagram?

Grida: Unë mendoj se nuk duhet ta shohim flamingon vetëm si flamingo. Flamingoja është një narrativë fluide e identitetit post-modern, ku individi dekonstrukton hapësirën simbolike përmes performancës kolektive…

Curri: Dakord… por unë kam vetëm një pyetje. Flamingot kanë ardhur të protestojnë apo kanë humbur rrugën për në lagunë?

Lorenci: Nuk është kaq e thjeshtë. Historia na mëson se çdo revolucion fillon me një simbol. Francezët kishin Bastijën, rusët kryqëzorin “Aurora”, ndërsa ne kemi flamingon. Është progres. Më mirë rozë se gri.

Moderatorja: Pra, flamingoja është simbol politik?

Grida: Jo vetëm politik. Është një akt rezistence semiotike ndaj paradigmës tradicionale të pushtetit.

Curri: Përktheje në shqip, të lutem. A bëhet fjalë për zogun apo jo?

Lorenci: Ju po e nënvlerësoni. Në Ballkan çdo zog, kafshë apo pemë ka potencial elektoral. Shqiponja ka qenë e zënë prej kohësh. Flamingoja gjeti një boshllëk në treg.

Grida: Në fakt, flamingoja sfidon binaritetin klasik të protestës. Nuk marshon drejt pushtetit; ajo performon ekzistencën.

Curri: Domethënë nuk proteston, por bën koreografi?

Moderatorja: A mund ta rrëzojë një flamingo një qeveri?

Grida: Debati nuk duhet reduktuar në politikë. Këtu kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim kolektiv ekologjik.

Evropa nuk ka nevojë për një Shqipëri që kopjon gjithçka, por për protesta paqësore si kjo që po përjetojmë. Ka nevojë për një Shqipëri që respekton ligjin si gjermanët, punon me përkushtim si zviceranët, mbron institucionet si vendet nordike, por ruan shpirtin e saj, gjuhën e saj dhe aftësinë për ta bërë mikun të ndihet si në shtëpi. Ashtu si Italia i dha Evropës Rilindjen, Greqia filozofinë, Britania parlamentarizmin dhe vendet nordike kulturën e besimit institucional, edhe Shqipëria ka diçka për të dhënë: përvojën e mbijetesës, kulturën e mikpritjes, energjinë e diasporës, gjuhën e saj të lashtë dhe një identitet që ka mbijetuar mes perandorive. Në fund të fundit, integrimi evropian nuk është emigrim kulturor. Nuk është dorëzim identiteti. Është një marrëveshje e pashkruar: ne i japim Evropës më të mirën që kemi, ndërsa marrim prej saj më të mirën që ajo ka ndërtuar. Vetëm kështu nuk bëhemi një kopje e askujt, por një shoqëri më e mirë se ajo që ishim dje.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 635
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE
  • SHKOLLA SHQIPE NË LUBJANË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË SLLOVENI
  • Kur diplomacia nuk mjaftoi – Lidhja e Prizrenit në luftë për trojet shqiptare
  • Lec Kurti, ambasadori i Shqipërisë në Londër më 1939
  • Liza Laska, gruaja që gdhendi dhimbjen në dritë, zëri lab që u bë poezi në artin skenik shqiptar
  • Leo Freundlich – Hebreu nga Vjena që ngriti zërin për shqiptarët!
  • “Historia e operas Rozafa”
  • MARGARET MACMILLAN, PARIS 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan botën
  • Çmitizimi i historisë dhe mungesa e një historiografie kritike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT