• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lavdi ushtarëve të lirisë dhe falënderim i përjetshëm SHBA-ve

February 15, 2026 by s p

Ambasador Dr.Blerim Reka*/

Festimet janë jo vetëm kremtim, por edhe reflektim për atë se: ku ishim, ku jemi e ku do të jemi? Ku ishim?

As në 18 vjetorin e pavarësisë, nuk e harrojmë të kaluarën tragjike: një shekull shtypje koloniale, aparteid dhe gjenocid të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ku jemi? Sot, Republika e Kosovës është shteti më pro Amerikan në botë, vendi më demokratik në Ballkan me kushtetutën- model më të avancuar për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Shteti më i ri evropian, u ngrit nga një luftë çlirimtare kundër pushtuesit serb, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik.

Ku do të jemi? Gjithnjë përkrah SHBA dhe komunitetit evro-atlantik, duke ndarë me ta vlerat e demokracisë perëndimore. E ardhmja i takon Kosovës! Prandaj, duke Ju faleminderit juve, që ishit ambasadorë të Kosovës, kur Kosova nuk kishte ambasada,

Atëherë, kur ju ishit zëri i Kosovës së pushtuar, që fliste për Kosovën ne Uashington e Nju Jork.

URIME 18 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS!

Lavdi ushtarëve të lirisë dhe falënderim i përjetshëm SHBA-ve,

Lavdi UÇK-së dhe Komandantit legjendar Adem Jashari,

E përhershme Republika e Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti i bekoftë SHBA!

*Fjala e mbajtur në Federatën Vatra me rastin e festimit të 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: ESSE

Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj

February 12, 2026 by s p

Luan Rama/

Është e veçantë dhe njëkohësisht e prekshme të lexosh dhe të shkruash në avion, të lexosh librin « Brenga » e Pashko Camaj e njëkohësisht të mos i përmbahesh tundimit të shkruash diçka, edhe pse në ajër në lartësinë e 10.000 metrave, të kërkosh dhe gjesh nëpër xhepa një letër, çka shpesh ndodh tek unë nëpër udhëtime. Kaq lart mbi tokë përjetoja historinë e Job-it biblik, pasi shumë histori shqiptare të viktimave të kohës së totalitarizmit në Shqipëri ta risjellin këtë figurë biblike, këtë njeri që u vu në sprovë, që provoi ndëshkime e linçime të jashtëzakonshme dhe që nuk e humbi besimin e tij. Figura e Job-it është nga figurat më interesante të Biblës, që frymëzoi qindra e qindra letrarë e piktorë, mijra artistë të këtij rruzulli, veçanërisht ata të Renesancës, siç mund ta shohësh në braktisjen më tê madhe në një tablo të Georges de la Tour, të Riberës, Crayer apo Biscano, Bonat apo Chagall… « Job-i » i Camajt në personazhin e Markut provoi rrugët e burgut, të Burrelit e Spaçit.

Një Job që e donte jetën dhe tokën, që e donte jetën me forcën dhe lirizmin e një shpirti human që prekej nga e bukura, libri, arti. Në mënyrë paralele dhe kompozuar bukur nga një dorë mjeshtri, Camaj na tregon brengën e madhe që Tonini nuk i tha mikut të tij të ngushtë Mark se po arratisej, një brengë që i dhëmbi gjithë jetën deri në çastet e fundit, pasi atë natë të fundme në fshatin e tyre dikush i kishte parë nëpër natë e domosdo, njerëzit e Sigurimit do ta fajësonin Markun që nuk tregoi por qëndroi mes maleve të dashura të tij. Që atë ditë, dy udhë, dy jetë, nisen në drejtime të kundërta: ajo e Toninit, drejt lirisë, përtej kufirit, edhe pse jo pa vuajtje sërish, dhe tjetra, ajo e Markut, drejt burgut dhe humbjes së lirisë. Kështu Marku-Job zbriste shkallët e ferrit, për të cilin Dante, sigurisht do të habitej se përse e kishin hedhur në këto rrathë të errta të vuajtjes së skajshme. Përse vallë?… Duke tentuar dhe Marku rrugën e lirisë, i diktuar dhe i futur në një shpellë ai sheh drejtpërdrejt vrasjen e dikujt tjetër që dhe ai donte të arratisej. Dhe kjo vrasje shihet përtej ujrave të një ujvare, përshkruar me një ndjesi të jashtëzakonshme.

“Brenga”, nuk i përket vetëm këtyre dy personazheve. Brenga si brengë ishte e shumë shqiptarëve që u arratisën. Tani që po shkruaj për brengën, kujtoj njerëz të familjes sime që u arratisën në Hartford të Amerikës, kujtoj gjithashtu miken e dashur të shtëpisë, Simes, që asnjëherë nuk e dënoi vëllain e vet, Arshi Pipa, ndërkohë që brenga Arshiun e brejti gjithë jetën, e kështu, për qindra e qindra të tjerë me një mal brengash që rënduan në shpirtrat e tyre, pasi totalitarizmi shqiptar ishte edhe më i ashpër, pasi ai godiste dhe të afërmit e njeriut opozitar.

Jeta dhe historia shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit XX është e mbushur me fakte e përvoja të ngjashme si ajo që lexon në këtë roman. Job-i ka jetuar në Shqipëri me shumë imazhe, fytyra, aq sa në një farë mënyre u bë një figurë “popullore”, siç e tregojnë dhe ish viktimat e burgjeve apo kampeve të internimit gjer në fshatrat e humbura të Shqipërisë. Por ky libër ndryshon nga shumë të tjerë, pasi këndvështrimi i “brengës” dhe “optika” e Job-it është e veçantë, drithëruese, që të njom syrin dhe shpirtin.

Autori ka hyrë thellë në botën e dy personazheve, vuan dhe ai me ata, duke kërkuar ta shuajë atë distancë midis shkruesit dhe figurës reale. Herë – herë qiejt çahen dhe një dritë e dielltë me ngjyra hyjnore i ndrit shpirtin Job-it. Po, Marku dashuron. “… Atë natë të qetë, Drita i puthi plagët. Dhe për herë të parë në jetën e tij Marku ndjeu se ishte dashuruar. Në atë çast mund të merrte frymë lirisht, pa u shtypur nga peshat e të shkuarës… Por në Shqipërinë e asaj kohe lumturia, si çdo dritë, ishte një flakë e rrethuar nga errësira”. Kjo dashuri shpejt do të thyhej dhe Job-it do t’i duhej të priste një ditë të lume.

Edhe pse në fund të romanit Marku thotë se « Unë nuk jam Job-i”, ai më shumë e thotë këtë nga modestia, pasi ai që e ka jetuar ferrin, nuk flet më për ferrin por për jetën, dritën, lumturinë që arrin ta prekë një ditë të fundme. Pas një udhëtimi të gjatë, duke lënë botën qiellore dhe zbritur në tokë, për një kohë të gjatë Job-i i mundimeve më shoqëronte ende. Ndjeja dhimbje për këtë figurë sa letrare aq dhe të një jete të vërtetë, por ndjeja gjithashtu dhe një lloj gëzimi që këta personazhe nuk harrohen, bëhen rrëfenja e semaforë për të na treguar udhën e duhur, për të na treguar forcën e njeriut dhe vlerën e një shpirti human, se njeriu edhe në “brengë” për mikun e tij, vuan dhe do ta shlyejë “mëkatin” e tij. Më së fundi Tonini i lirisë, nga Amerika shkon drejt e në Iballë, në shtëpinë e mikut të tij. Ai hyn dhe heshtja nderet midis dy qenieve të dashura. “Nuk flasin. Pastaj Marku hap krahët: – Tonin,… je ti?…” E në bisedë më pas, Tonini i thotë: “Të kam kujtu! Cdo ditë të jetës sime, Zoti më ndihmoftë!…

Job-it në Bibël i kishin mbetur më në fund veç tre njerëz. Po kështu dhe Markut: njëri gjallë, Tonini dhe dy të humbur. E dashura e tij dhe babai i vrarë!

Job-i pastaj u ul përballë mikut të tij “Qanë si burra që kishin mbartur shumë, për shumë gjatë. Trupat u drodhën si të ishte vetë trishtimi që kishte pritur këtë çast për vite të tëra… Mirë se erdhe në shtëpinë tënde – dhe timen! – tha Job-i.

Filed Under: ESSE

Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg

February 11, 2026 by s p

Alketa Burimi (Kapaj)/

Fjala shqiptar është hyjnore. Toka është amanet. Largësia është dhimbje — jo çlirim. Nga larg, gjërat duken më qartë. Edhe fjala shqiptar. Ajo nuk është e rrallë në përdorim, por e rrallë në ndjesi. Jo sepse nuk e themi, por sepse jo gjithmonë e mbajmë me përgjegjësi. Dhe nuk duhet ta harrojmë: fjala shqiptar është hyjnore. Ajo nuk është thjesht një emërtim etnik, por një thirrje e lashtë që lidh gjuhën, shpirtin dhe tokën. Është fjalë që lind nga shqipja — gjuha që flet drejt, që nuk fsheh, që mban brenda amanet, qëndresë dhe kujtesë.

Ne që jetojmë në diasporë e ndiejmë këtë më fort.

Sepse atdheun nuk e prekim çdo ditë, por e mbajmë në mendje, në gjuhë dhe në fëmijët tanë. Kur fjala “shqiptar” nis të shoqërohet me idenë e shpëtimit përmes largimit, atëherë nuk kemi humbur vetëm tokën apo mundësitë — kemi rrezikuar kuptimin e vetë emrit. Sepse fjala hyjnore nuk lind për t’u braktisur, por për t’u mbajtur. Shpesh, ikja është quajtur “shpëtim”.

Por largimi nuk është shpëtim — është mbijetesë. Dhe mbijetesa nuk mund të zëvendësojë kurrë përkatësinë.

Dhe pikërisht nga kjo largësi lind reflektimi i dhimbshëm: Çfarë ndodhi këta 35 vitet e fundit? Si u shpërbëm nga brenda? Si arritëm të përçahemi më shumë se kurrë më parë? Dhe pse sot e kemi kaq të vështirë ta duam njëri-tjetrin, edhe pse ndajmë të njëjtën histori? Ne harruam se ajo tokë me zemër të madhe na mban të gjithëve, pa dallim feje. Ajo tokë nuk pyet se si lutemi, por si jetojmë. Nuk ndan, por bashkon. Është toka që Zoti e mbolli për gjakun tonë shqiptar — për ta gëzuar të gjithë ne, për ta bërë të lulëzojë në çdo epokë, nën flamurin tonë kombëtar.

Një tokë që na ka duruar në gabime, në harresa dhe në largime, por që vazhdon të na presë pa kushte.

Nga ajo tokë, me rrënjë ilire dhe kujtesë shekullore, lindën burra trima të pushkës dhe të penës, që me armë dhe me fjalë mbajtën gjallë emrin “shqiptar”.

Të ruash emrin “shqiptar” sot është një përgjegjësi e madhe, sepse ai është mbrojtur dhe sakrifikuar ndër shekuj, që të mbijetojë si identitet, si histori dhe si amanet ndër breza. Shqipëria është e të gjithëve.

Edhe e atyre që jetojnë mbi të.Edhe e atyre që e shqiptojnë emrin e saj nga larg. Ajo nuk është pronë që shitet, as pasuri që negociohet. Nuk është mall tregu, as interes i ditës.

Shqipëria është amanet. Është tokë që trashëgohet, jo që tjetërsohet. Është shtëpi e përbashkët, jo plaçkë për t’u ndarë. Ne në diasporë e dimë se çfarë do të thotë të humbasësh tokën, rrënjën, gjuhën. Prandaj e dimë edhe këtë: kur një vend fillon të shitet, nuk humbet vetëm toka — humbet besimi, humbet drejtësia, humbet ndjenja e përkatësisë. Harruam se kombi nuk mbahet vetëm me flamur, himn apo kujtime historike.

Ai mbahet me sjellje, me respekt, me ndershmëri.

Me mënyrën si i flasim njëri-tjetrit, si e mbajmë gjallë gjuhën, si ua tregojmë fëmijëve historinë.

Ndoshta, pas shumë lodhjesh dhe zhgënjimesh, kemi humbur pak aftësinë për t’i ardhur pranë njëri-tjetrit.

Jo sepse nuk duam, por sepse jemi larguar nga kuptimi i thellë i asaj fjale hyjnore që na mban bashkë.

Shqiptarët janë më të fortë nga sa mendojnë vetë,

por edhe më të lodhur nga sa pranojnë. Jo sepse u mungon forca, por sepse kanë mbajtur gjatë një emër që është më i madh se vetja. Dhe kur një emër është hyjnor, ai kërkon më shumë se mbijetesë: kërkon besim, përgjegjësi dhe kujtesë.

Dhe megjithatë, ndihma mes nesh ekziston — shpesh në heshtje. Pyetja nuk është nëse dimë të ndihmojmë, por si të rikthehemi te besimi që fjala “shqiptar” kërkon prej nesh. Uroj që e ardhmja të sjellë politika që u mundësojnë shqiptarëve të rikthehen në vendin e tyre, të ruajnë gjuhën dhe traditat, të jetojnë pranë familjeve dhe të jenë zotër në tokën e tyre. Të kenë një jetë të denjë dhe të lumtur, ashtu siç e meritojnë. Sot, fjala shqiptar ndonjëherë shqiptohet me lodhje apo dyshim.

Por nga larg, ajo duhet të tingëllojë si betim. Sepse një komb nuk vdes kur varfërohet. Ai vdes kur humbet dashurinë për veten, për tjetrin dhe për tokën që e mban gjallë. Ai vdes kur shet atë që nuk i përket askujt veçse historisë, gjakut dhe amanetit shqiptar ndër breza.

Filed Under: ESSE

Udhëtimi i një gabimi: Një rrëfim ndryshe

February 10, 2026 by s p

Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Përfytyro një mëngjes të zakonshëm, ku mëndja është hapa përpara trupit, duke projektuar ditën ndërsa duart kryejnë mekanikisht veprimet. Je duke u bërë gati të dalësh nga shtëpia dhe, me nxitimin e dikujt që kërkon të fitojë çdo sekondë, kap çantën, fik dritat dhe mbyll derën pas me një lëvizje të prerë e të sigurt. Por, pikërisht në atë fragment sekonde, kur dora jote ende prek dorezën e ftohtë, një imazh i qartë dhe i pamëshirshëm të shfaqet në mëndje, ku çelësat e shtëpisë, të harruar mbi komodinë, saktësisht dy metra larg teje, por tashmë të paarritshme. Trupi yt ngrin në një pozicion absurd, ndërsa gishti tregues ende qëndron mbi dorezen e kyçit që sapo e vulose vetë. Ndjen një lloj plogështie që të zbret nga koka deri te këmbët, një përzierje e mosbesimit me një irritim të thellë ndaj vetes.

Sheh dorezën e palëvizshme dhe për një moment, instinkti yt të shtyn ta provosh, sikur me një mrekulli dera mund të hapet, por e di që është e kotë. Ky është momenti i përulësisë totale i një gabimi banal që të kujton se, pavarësisht planeve të mëdha, jemi gjithmonë vetëm një harresë larg kaosit. Brenda 50 deri në 100 milisekonda, shumë kohë përpara se mendja juaj koshiente të mund të procesojë ndjenjën “oh-jo-gabim”, “sistemi i alarmit” të trurit tuaj tashmë është aktivizuar. Kjo njihet si Negativiteti i Lidhur me Gabimin. Kërkimet në Frontiers in Human Neuroscience (2025) konfirmojnë se ky sinjal e ka origjinën në Korteksin Cingular Anterior, i cili vepron si një detektor automatik i konflikteve. Korteksin Cingular Anterior në thelb njofton pjesën tjetër të trurit, duke bërtitur se realiteti i situatës nuk përputhet më me “parashikimin” e brendshëm të suksesit. Ndërsa ora shënon 200 deri në 500 milisekonda pas dështimit, ju kaloni në fazën e Pozitivitetit të Gabimit.

Ky është momenti “Aha!” i njohjes së gabimit. Sipas studimeve të fundit (Smith et al., 2025), fuqia e këtij sinjali është përcaktuese (“bëje ose dështo”). Nëse besoni se mund të përmirësoheni, truri juaj tregon një reagim shumë më të fort. Truri në ato milisekonda nuk vëren thjesht gabimin por analizon edhe burime metabolike për të analizuar pse ndodhi ai. Në këtë udhëkryq, Korteksi Paraballor Ventromedial dhe Amigdala përfshihen në një “stërvitje force”. Amigdala mund ta regjistrojë dështimin si një kërcënim social, duke nxitur një reagim stresi “lufta ose ikja”. Megjithatë, nëse korteksi paraballor arrin ta rregullojë me sukses këtë emocion, truri hyn në një gjëndje të rireshtimit neural.

Gjetjet e fundit të viteve 2024-2025 në neuroshkencë sugjerojnë se truri i përdor këto “të dhëna dështimi” për të përditësuar modelet e tij të sjelljes (behavior) parashikues. Në vend që të përsërisë të njëjtin cikël, truri rilidh shtigjet e tij qelizore duke bërë në thelb një “arnim” të lidhjeve të qelizave për të siguruar që parashikimi i radhës të jetë më i saktë. Nëse dështimi shkaktohet nga lodhja, reagimi i trurit është edhe më dramatik. Sipas kërkimeve të fundit, truri mund të bëj një shpërthim të shpejtë të lëngut cerebrospinal kur përjeton “dështim apo frikë”. Kjo është një “urgjence” fiziologjike, zakonisht e rezervuar për gjumin e thellë, duke treguar se truri e sheh dështimin e përsëritur si një sinjal se është tepër i “ngarkuar”. Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në New York.

Filed Under: ESSE

Metafora e lumit…

February 7, 2026 by s p

Nga analiza e intervistës së poetit disident Ruse, Josef Brodsky, i cili ka jetuar në Amerikë dhe ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1987. Intervistën e ka dhënë për revistën “Economist” në Londër.

Mihal Ciko

“Është e pamundur të hysh dy herë në të njëjtin lumë” – Josif Brodsky dhe fati i poetit disident.

Në një nga intervistat e tij më domethënëse, Josif Brodsky e përdor mendimin e Heraklitit — se është e pamundur të hysh dy herë në të njëjtin lumë — për të shpjeguar jo vetëm jetën e tij në mërgim, por edhe fatin e poetit disident. Largimi nga Rusia nuk ishte për të thjesht një ndryshim vendi. Ishte një ndarje me një kohë, me një realitet dhe me një përvojë që nuk mund të rikthehej më. Për Brodskyn, kthimi fizik nuk do të thoshte rikthim i vërtetë, sepse ndërkohë kishte ndryshuar edhe vetë njeriu. Kjo e bën mërgimin një gjendje ekzistenciale, jo vetëm politike.

Megjithatë, identiteti i poetit nuk humbet. Ai ruhet në gjuhë. Edhe pse jetoi në Amerikë dhe fitoi Çmimin Nobel, Brodsky pohonte se në krijimtarinë e tij kishte mbetur në Rusi. Gjuha amtare mbetet hapësira ku poeti vazhdon të ekzistojë.

Në këtë intervistë ai refuzon idenë se regjimet represive krijojnë poezi të madhe. Poezia nuk lind nga shtypja, por nga nevoja e brendshme për të thënë diçka të vërtetë. Politika mund të ndikojë mënyrën e të shprehurit, por nuk duhet të përcaktojë misionin e poetit. Sipas Brodskit, shkrimtari nuk duhet të bëhet profet apo zë ideologjik, por të ruajë lirinë e tij estetike dhe morale.

Metafora e lumit mbetet kështu një përkufizim i fatit të poetit disident: ai jeton mes dy brigjeve — kujtesës dhe së tashmes — duke e ditur se as vendi dhe as njeriu nuk janë më të njëjtë. Dhe pikërisht në këtë ndërmjetësi lind poezia që i mbijeton kohës.

Foto: ucm.es

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 621
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT