
Artan Nati/
Le ta shtrojmë pyetjen troç, pa dorashka. Pse, pas më shumë se pesëdhjetë ditësh protestash të “Revolucionit të Flamingove”, sheshet ende nuk janë mbushur me qindra mijëra njerëz? Pse shumica vazhdon ta shohë revoltën nga celulari, sikur të ishte një serial telenovelash turke dhe jo historia që po shkruhet para syve të tyre. Dhe menjëherë pas kësaj shtrohet pyetja edhe më e bezdisshme. Mos vallë problemi nuk është vetëm politika? Mos vallë problemi jemi edhe ne? Sepse është shumë e lehtë ta shpallësh politikanin fajtor universal. Është shumë më e vështirë të pyesësh veten nëse sistemi ushqehet edhe nga zakonet tona, nga kompromiset tona të vogla dhe nga gatishmëria jonë për ta zëvendësuar ligjin me mikun, meritën me ndërhyrjen dhe të vërtetën me rehatinë. Ne e urrejmë korrupsionin. Vetëm se, në praktikë, besojmë se gjithçka shkon më mirë kur lubrifikohet siç duhet. Kur korrupsioni është i tjetrit, quhet krim. Kur është i yni, quhet hall, nder, mik, mundësi ose: “S’kishte rrugë tjetër”, apo: “Zgjodha të keqen më të vogël.” Korrupsioni është tragjedia jonë morale. Por çdo ditë zgjedhim mes ndryshimit të botës në protestë dhe marrjes së një certifikate mjekësore fallco nga kushëriri ynë. Ndoshta nuk jetojmë vetëm në një shtet të korruptuar. Ndoshta jetojmë në një kulturë që shpesh e toleron korrupsionin derisa ai të prekë xhepin tonë.
Pastaj pyesim: “Pse nuk bashkohen njerëzit me protestën?” Ndoshta sepse revolta kërkon sakrificë, ndërsa ne jemi mësuar me përshtatjen. Protestat kërkojnë qytetarë dhe intelektualë, ndërsa sistemi prodhon klientë besnikë, politikanë dhe analistë. Dhe, të jemi të sinqertë, askush nuk ngre krye kundër qeverisë kur ende shpreson se ajo do t’i hedhë një kockë falas.
Intelektuali që pret të tjerët të bëjnë historinë
Po ndiqja një intervistë në “Arnautistan”, ku Mustafa Nano bisedonte me Kastriot Çipin, një nga drejtuesit e protestës. Në një moment, biseda mori një kthesë që, për mendimin tim, foli më shumë për krizën e elitës sonë intelektuale sesa dhjetëra libra sociologjie apo analizash “intelektuale”.
Mustafa Nano shtroi një pyetje që, në sipërfaqe, tingëllon logjike: “Pse nuk krijoni një parti të re? Kjo është rruga për të ndryshuar sistemin.” Kastriot Çipi iu përgjigj me një pyetje shumë më të pakëndshme:
“Po ti, si intelektual, pse nuk bashkohesh?”
Nano u përgjigj qetësisht: “Nuk kam energji. Por ju kam mbështetur.” E mbylla televizorin, sepse ishte një shaka tragjike që “Eureka!” e madhe e inteligjencës shqiptare ishte thjesht një flamur i bardhë, një dorëzim pa kushte, i mbështjellë me një inkurajim të sjellshëm. Ndoshta kjo është fjalia më e sinqertë që është thënë prej kohësh në televizionet shqiptare. Sepse ajo nuk flet vetëm për një njeri, ajo flet për një mentalitet. Është filozofia e intelektualit spektator.
Ai analizon, komenton, kritikon dhe këshillon. Por, kur historia troket në derë, përgjigjja është: “Nuk kam energji.” Intelektuali, por edhe qytetari i virtytshëm, jo vetëm që e di se çfarë është gjëja e mirë për të bërë, por është edhe i lidhur emocionalisht me të. Pikërisht kur arsyeja takohet me emocionin, aty lind mençuria e intelektualit. Atëherë lind pyetja tjetër: Nëse intelektuali nuk ka energji për të marrë pjesë në jetën publike, kush duhet ta ketë? Shitësi i byrekëve apo punëtori i ndërtimit? Studenti apo pensionisti? Nëse ata gjejnë energji për të protestuar pas një dite pune, pse njeriu që jeton nga idetë nuk gjen energji për t’i mbrojtur ato? Në fund të fundit, energjia nuk është naftë. Nuk nxirret nga nëntoka. Ajo vjen nga bindja, nga përgjegjësia dhe nga ndërgjegjja. Historia nuk i ka njohur intelektualët si komentatorë të realitetit, por si njerëz që kanë hyrë në konflikt me realitetin.
Volteri nuk tha: “Nuk kam energji.” As Emile Zola nuk tha: “Nuk kam +energji.” Po ashtu, Aleksandër Solzhenicini nuk tha: “Nuk kam energji.” Ata paguan një çmim të lartë për idetë e tyre. Kjo është arsyeja pse kujtohen. Në Shqipëri, ndërkaq, kemi shpikur një zanat të ri: intelektualin arbitër. Ai nuk hyn kurrë në fushë; fishkëllen, jep kartonë dhe shpall fitues. Analizon skemat taktike, por nuk prek topin. Sepse arbitri nuk djersitet; ai vetëm gjykon. Dhe sa më gjatë zgjat ndeshja, aq më i bindur bëhet se pa fishkëllimën e tij nuk mund të luhet futboll. Kjo është ndoshta sëmundja më e madhe e elitës sonë. Kemi shumë njerëz që dinë të shpjegojnë pse të tjerët nuk po bëjnë mjaftueshëm. Kemi shumë pak njerëz që pyesin: “Po unë, çfarë po bëj?” Pyetja “Pse nuk krijoni një parti?” është legjitime.
Por ajo bëhet shumë më e rëndë kur vjen nga dikush që e përjashton veten nga çdo përgjegjësi aktive. Është si të shohësh një njeri në breg të lumit që i thërret dikujt që po mbytet: “Duhet të notosh më mirë!” Dhe kur e pyesin: “Po ti pse nuk hyn në ujë?” Ai përgjigjet: “Ju mbështes moralisht.” Kjo nuk është domosdoshmërisht mungesë patriotizmi. Është diçka më e rafinuar. Është patriotizëm pa kosto. Patriotizëm që jeton në studio televizive. Patriotizëm që prodhon analiza, por rrallë prodhon angazhim. Patriotizëm që ndihet komod në rolin e gjykatësit, sepse gjykatësi nuk rrezikon të humbasë. Por këtu lind pyetja thelbësore. Kush është intelektuali? A është ai njeriu që ka shumë libra në bibliotekë? Ai që flet bukur në ekran? Ai që citon filozofë? Apo ai që, në çastin kur ndërgjegjja përplaset me komoditetin, zgjedh ndërgjegjen? Sepse detyra e parë e intelektualit nuk është të ketë gjithmonë të drejtë.
Detyra e tij është të mos e lërë të vërtetën vetëm. Jo të bëhet zëdhënës i një partie. Jo të bëhet tribun i një turme. Por të jetë i gatshëm të dalë nga rehatia e studios dhe të paguajë çmimin e ideve që mbron. Nëse intelektuali kërkon vazhdimisht që të tjerët të veprojnë, ndërsa vetë rezervon për vete rolin e komentatorit, ai mund të jetë një analist i shkëlqyer. Por historia rrallë i mban mend komentatorët, as ata që i bashkohen protestës pesë minuta para fundit vetëm për t’u shpallur heronj. Ajo mban mend ata që, kur erdhi momenti, zbritën nga auditorët dhe hynë në fushë. Ata janë heronjtë e vërtetë.
Ndoshta problemi ynë më i madh nuk është mungesa e heronjve. Është dashuria jonë për legjendat. Ne shpesh preferojmë një histori të bukur sesa një histori të vërtetë. Një biografi të zbukuruar me tone heroizmi sesa një të vërtetë që na tregon edhe frikën, edhe kompromiset, edhe heshtjet. E vërteta nuk të lejon të ndihesh gjithmonë krenar. Por vetëm mbi të vërtetën mund të ndërtohet një shoqëri që nuk ka më nevojë të shpikë revolucione çdo tridhjetë vjet. Pyetja nuk është nëse Shqipëria ka intelektualë të vërtetë apo jo. Pyetja është shumë më thelbësore: A jemi gati të heqim dorë nga përfitimet e vogla që na lidhin me sistemin, për të fituar një shoqëri më të drejtë? Sepse çdo revolucion fillon duke rrëzuar një pushtet. Por fiton vetëm kur arrin të ndryshojë karakterin qytetar të shoqërisë dhe raportin e saj me të vërtetën.