
Enver Sulaj/
Kujtimin për zjarrvënësin Haxhi Qamili, edhe pas gati gjysmëshekulli që kur ai ishte ekezekutuar me varje, pushteti komunist i Enver Hoxhës përkujdesej ta mbante gjallë në forma të ndryshme. Në këtë mënyrë, ushqehej narrativa ideologjike mbi “barazinë sociale”, duke ndjekur në qeverisjen e vendit modele antikapitaliste, antiperëndimore dhe antikombëtare.
Në një deklaratë me shkrim, të datës 2.9.1956, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, një fshatar 69 vjeçar, e “kujton” pas 41 vjetësh “Kryengritjen e katundarit Haxhi Qamili” dhe “luftën e tij për të mbrojtur fshatarët e varfër, por që pengohej nga “Krenët e bajraqeve, si Preng Pasha etj., të paguem me pare nga Esat Pash Toptani, Ded Coku etj.,” të cilët e “rrejtën popullin e krahinave tona se gjoja Haxhi Qamili asht rebelë, do na djegi e do të na plaçkisi”.
“Në pranverën e vitit 1915 nga Shqipnija e mesme ai (Haxhi Qamili-vër. E.S.) u nisë per Shqipnin e Veriut i shoqnuem me disa qindra fshatar të varfër.”
“Kur Haxhi Qamili së bashku me shokët e vetë ardhi në Milot i tha popullit ju mosë luni se unë s’kamë punë me ju, mirëpo të frymzuem nga Bejlerët dhe Bajraktarët në fillim i bamë do pushkë me ta në Zall të Matës,… por me gjithë këtë qëndresë Haxhi Qamili… dogji shpijat e bajraktarve dhe shokve të tyne dhe në asnjë mnyrë nuk vuni dorë në kisha asë në xhami.”
“Mbasi u sqarue puna e ardhjes së Haxhi Qamilit me fshtarët e varfër e pritëm dhe e përcollëm si mik e dashamirë, mbasi e pamë se qellimi i tijë ishte i drejtë. Ai porosiste shokët e vetë që pasurinë e popullit mos ta damtoni.” “Unë e kam pa me sytë e mijë fshatarin Haxhi Qamilin, ishte burrë i shkurtër, kishte një mjekerr të kuqe, kishte qeleshe të gjatë dhe i veshurë me xhurdi me tufa dhe brekusha leshi, ka pasë një dhjetshe turke dhe pushkë turke. Haxhi Qamili ishte i butë, gojëambel dhe dashamirë me të varfrit dhe i ashpër e pamëshirshem me të pasurit.”
Në kohën kur u shkrua kjo deklaratë-dëshmi, ideologjia komuniste kishte shtrirë ndikimin e saj të thellë në të gjitha poret e shoqërisë, ndërsa Haxhi Qamili, edhe nën tymin e zjarrit dhe plaçkitjes së tokës shqiptare portretizohej si “shpëtimtar” i fshatarësisë, i asaj fshatarësie të cilën regjimi komunist e varfëroi deri në skajshmëri, sa vetë shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, në mesin e kërkesave që i parashtroi pasuesit të diktatorit Hoxha, Ramiz Alisë, ishte kthimi i lopës fshatarit shqiptar:
“ …varfërimi i fshatarëve ishte i padurueshëm, qindra-mijëra fëmijë nuk pinin qumësht e nuk hanin mish. Po shfaqeshin sëmundje të papara, të shkaktuara nga mos ushqimi. E keqja po prekte themelet e racës”. “Ata duan lopën”, – i thoshte mes tjerash Kadare, pasardhësit të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, në kohën kur diktatura po numëronte ditët e fundit e Shqipëria po ndahej përfundimisht nga kampi i kuq.