• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Botohet në anglisht “The Trafficker” (Trafikanti) i shkrimtares shqiptaro-amerikane Mirela Kanini

September 20, 2025 by s p

Botohet në anglisht nga shtëpia botuese prestigjioze MindStir Media libri “The Trafficker” ( Trafikanti) i shkrimtares shqiptaro-amerikane Mirela Kanini. Ky libër trajton një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit, atë të trafikut të drogës. Shumë të rinj pa shpresë dhe mundësira për të ardhmen shpesh përfshihen në rrjete të rrezikshme trafiqesh të paligjshme si e vetmja rrugëdalje nga varfëria dhe problemet. “The Trafficker “ është një histori dashurie , force dhe mbijetese. Fati është zakonisht i përcaktuar, ndërsa destinacioni është çka zgjedhim në jetë. Mia është një avokate e re emigracioni, e fejuar dhe në prag të martesës e cila takon një klient të pazakonshëm, Alen. Ai është i pashëm, i pasur dhe misterioz, me nënshtetësi hollandeze, por që ka vendosur të fillojë një jetë të re në USA. Fejesa e saj shkon drejt ndarjes dhe ajo ndërkohë është lidhur me Alenin, por pikërisht kur ajo ishte përfshirë e gjitha nga kjo dashuri ai zhduket duke lënë pas një letër ku i kërkonte të harronte që ai egziston. E kaluara e tij e errët dhe plot sekrete e ndoqi pas, por ai gjithashtu nuk donte të humbte vajzën e ëndrrave të tij. Një telefonatë midis tyre ndryshon gjithshka. Mia është në kërkim të së vërtetës dhe Aleni në përpjekje për t’ju arratisur të kaluarës. Një triller me ngjarje të jashtëzakonshme dhe përfundim të paparashikueshëm. Ky libër gjendet në Amazon, Barns & Nobel, ect, ndërsa në Shqipëri në libraritë Adrion, Albas ect…

Filed Under: ESSE

Trashëgimi kulturore, labirint jete, filozofi e kuptimit të së ardhmes 

September 19, 2025 by s p

Prof.Ledri KURTI

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Përmes titullit Porosia e Kullës, “Kulla” është trashëgimia, që thërret por dhe hesht njëkohësisht, me pranimin stoik të heshtjes, që flet vetë. 

Ndryshe, Ëndërrime në bagazhin e një makine si titull, është aq gjithëpërfshirës në thjeshtësinë e pafajsinë në dukje të saj, sa mund të imagjinohet në aktin e hapjes, hyrjes brenda, mbylljen e bagazhit dhe gjer në rrezen fundore të dritës që zhduket gjatë këtij çasti, për t’u kruspullosur  brenda tij, me këtë proces të thjeshtë në dukje, por me qënien brenda, tek I cili ndodh procesi i vetkomunikimit me thellësitë e heshtura të vetes, me të shkuarën, prej së cilës po iket, me frikërat, ankthet, pikëpyetjet dëshirat e vëna në një udhë me të panjohurën, me ëndrrrat.  

Përroi e ndërgjegjes bart rrahjet e zemrës nën presionin e nostalgjisë, ndjenjave ndaj së shkuarës së njohur e të dashur, përfshi këtu kullën, njerëzit, miqtë, shokët, kujtimet, gjithçkaje të  lënë pas por të dashur gjer në palc, si dhe të panjohurës, intrigueses, që e  nxit në ëndrrat drejt diçkaje të re, të re, të re!

Ndërsa po t’i referohemi titullit Porosia e Kullës, në vetvete ‘Kulla’, është simbolika e traditës së mirë, që përmbledh gjithë hartën e brendshme shpirtërore dhe rritjen 20 vjeçare të një djali  gjer në  sipërmarrjen sfiduese drejt ëndrrës, për t’ia dalë si një gur i rëndë i asaj kulle dhe I trashëgimisë së vendit të vet. Ajo rreze dielli e larguar përfundimisht me mbylljen e bagazhit të makinës, së bashku me ankthin dhe pasiguritë e pritshme, krijon një suspens, duke mbajtur në gjendje pezull lexuesin dhe qënien brenda tij. Në këtë suspens errësire së bashku me qënien brenda saj, mbetet dhe gjithçka e mirëtrashëguar nga palca shqiptare në të, simbolikisht nga ‘Kulla’ e virtyteve dhe e brezave të tërë. Një manovër artistike kjo, që ndihmon në ndërtimin e rrëfimit të mëtejmë, gjer në daljen përfundimtare nga bagazhi i makinës dhe mbërritjen ‘në tokën e mundësive’. Dalja nga mbyllja dhe e errëta brenda saj, si dhe liria për të shijuar dritën, është njëkohësisht dalje mbi sfidat mendore e shpirtërore, që e kushtëzuan protagonistin në këtë sipërmarrje, është finalitet i qëndrueshmërisë së ‘Kullës’ dhe derivat logjik i mbijetesës së brezave ndaj shtrëngesave e pasojave të hartës historike dhe politike, në të cilën, shqiptarët e këtij rajoni, jetuan a mbijetuan.

Kthimi pas në kohë, kujtimet e afërta a memorjet e largëta, gjurmët e dendura të etnosit dhe kulturës shqiptare (festat e krishtera tradicionale, organizimi i brendshëm familjar por dhe lokal, rregulla të atmosferave të tilla dhe normat për t’u respektuar), trashëgimia e leksikut dhe rrënjëve leksikore, vijnë edhe me ndërthurje 

1. pasqyrimi ligjesh të shkruara por edhe të pashkruara. Kujtojmë këtu: 

a. Në shkollë të mesme: Vlerësimi qëllimdashës negativ dhe pas shumë përpjekjesh absurde vlerësim minimalist, si pasojë e paragjykimit ndaj kombësisë dhe megallomanisë së pozicionit vlerësues të pedagogut, 

b. Nepotizmi i shfrenuar: I humb të riut, shansin e fitimit në fakultetin e mjeksisë, pavarësisht përgatitjes ‘par exelencë’

c. Dënimi në ushtri: Vjen i zbatuar në mënyrë të kamufluar, çka rëndon në vijën jetësore e personazhit protagonist, duke u bërë njëkohësiht,shkak fatndarës me dashurinë rinore dhe fatpërcaktues ndaj detyrimit, që ndjen tashmë, për marrjen e situatës dhe të së ardhmes në duart e veta. 

2. pasqyrimi dhe kthimi në vëmendje të ligjeve te pashkruara siç Kanuni.

Në koncept, kemi të bëjmë me modelimin e një teksti, ku narrativiteti i realizuar ka specifikë llojin e narratorit omodiegjetik, i cili tregon historinë në nivelin e komunikimit imagjinar dhe është përjetues në nivelin e veprimit, me shtytjen, ecjen para dhe kthimin pas, për të vazhduar në një gjeografi dhe histori të re, në terrenin, në të cilin zgjedh të jetojë. Në këtë pikë, autori dhe protagonisti bëhen një, në një nivel përcaktueshmërisht i pashmangshëm nga e kaluara për tek e ardhmja, si topos, si qëllim, si konkluzion.

*Pjesë nga fjala e mbajtur në promovimin e librit “Porosia e Kullës”, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Filed Under: ESSE

Pse prindërit duhet të flasin me fëmijët për AI, dhe tri përvoja personale

September 18, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në vitet e fundit, inteligjenca artificiale është bërë pjesë e pandashme e jetës së të rinjve. Shumë nxënës përdorin ChatGPT apo programe të ngjashme si Google Gemini dhe Grok për gjithçka: nga detyrat e matematikës deri te çështjet e shëndetit mendor. Ekspertët theksojnë se kjo ndodh shpesh pa asnjë udhëzim nga prindërit, ndaj biseda për përdorimin e AI duhet të nisë herët.

Kur duhet të fillojë biseda?

Sipas Marc Watkins, pedagog në Universitetin e Misisipit, prindërit duhet të flasin për inteligjencën artificiale që në moshë fillore, para se fëmijët të përballen me të përmes shokëve apo rrjeteve sociale. Një mënyrë praktike është që prindërit vetë të rezervojnë pak kohë çdo javë për të provuar mjetet e reja ose për të ndjekur një podcast apo newsletter mbi këtë temë.

Si t’u shpjegohet fëmijëve? Watkins sugjeron lojën “Quick, Draw!” të Google, ku një program tenton të njohë vizatimet e lojtarëve. Kjo ndihmon fëmijët të kuptojnë se AI funksionon vetëm mbi bazën e të dhënave të trajnimit dhe nuk mendon si njeriu.

Eksplorimi së bashku

Ying Xu, pedagoge në Harvard, thotë se prindërit dhe fëmijët mund ta shfrytëzojnë këtë si mundësi për të mësuar bashkë. Kur fëmija bën një pyetje, mund ta shkruani në një chatbot dhe më pas të diskutoni përgjigjen: ishte e dobishme? Ku kishte mangësi? A mund të gjendet informacioni edhe diku tjetër? Kështu, fëmijët kuptojnë se AI mund të gabojë dhe se duhet verifikuar.

Talenti me i zoti se ChatGPT

Vajza ime, që është në klasën e 9-të dhe i pëlqen shumë poezia, mori një detyrë nga mësueset për të shkruar një poezi. Ajo, siç dihet se kujt i ka ngjarë, e shkroi menjëherë dhe e dorëzoi pa ma treguar. Kur mësueset e lexuan, dyshuan se mos ishte bërë me ChatGPT. Ajo ma rrëfeu këtë gjithë krenari, e më tha: “Mësueset kujtuan se e kisha bërë me ChatGPT!”. Unë buzëqesha, por brenda meje më lindi një dyshim i ri: Ja dhe një rrezik tjetër i kohës sonë – kur krijimtaria e pastër e një fëmije mund të ngatërrohet me një prodhim të inteligjencës artificiale.

Mundësitë dhe rreziqet

Studimet tregojnë se AI mund të ndihmojë në mësim kur përdoret me kujdes. Një adoleshent nga Kalifornia, Nicholas Munkhbaatar, rrëfen se e përdor ChatGPT për t’u ushtruar në matematikë apo për të bërë pyetje nga shënimet e klasës, por pa kërkuar menjëherë përgjigjen. Kjo e ndihmon të mendojë më shumë dhe jo thjesht të kopjojë.

Megjithatë, rreziqet ekzistojnë. Disa studime tregojnë se chatbot-et nuk arrijnë gjithmonë të dallojnë situatat serioze si depresioni, vetëdëmtimi apo çrregullimet e ushqyerjes, madje ndonjëherë ofrojnë këshilla të pasigurta ose gjenerojnë përmbajtje të papërshtatshme. Shkencëtarët paralajmërojnë se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave: fëmija kalon shumë kohë i izoluar me pajisjet ose flet për chatbot-in sikur të ishte mik i vërtetë.

Kuptoni rreziqet

Ende nuk e dimë se si AI gjeneruese do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve në afat të gjatë, por tashmë ka disa rreziqe të pranishme. Dr. Darja Djordjevic, pedagoge në Stanford University’s Brainstorm Lab for Mental Health Innovation, po punon me organizatën Common Sense Media për të studiuar se si modelet popullore të AI reagojnë ndaj përdoruesve që shfaqin simptoma të çrregullimeve psikiatrike që prekin adoleshentët. Hulumtimi ende nuk është publikuar, por Djordjevic ndau disa nga gjetjet e saj. “Ajo që gjetëm ishte se chatbot-ët e AI mund të ofrojnë informacion të mirë të përgjithshëm për shëndetin mendor, por treguan boshllëqe shqetësuese në njohjen e gjendjeve serioze,” thotë Djordjevic. Sipas saj, në disa raste chatbot-ët ofronin përgjigje të pasigurta ndaj pyetjeve ose deklaratave për vetëlëndim, përdorim të substancave, imazh trupor, çrregullime të të ngrënit apo sjellje të rrezikshme.

Ajo shton se AI gjeneroi gjithashtu përmbajtje me karakter seksual eksplicit. OpenAI, kompaninë që qëndron pas ChatGPT-së, u kontaktua lidhur me këto shqetësime. Kompania i drejtoi ata te një publikim i fundit në faqen e saj, ku thuhet se OpenAI është “duke përmirësuar vazhdimisht mënyrën se si modelet tona njohin dhe reagojnë ndaj shenjave të shqetësimeve mendore dhe emocionale, si dhe i lidhin njerëzit me ndihmën e duhur, të udhëhequr nga ekspertët.” Po aty theksohet se ChatGPT trajnohet gjithashtu për të drejtuar përdoruesit që shprehin mendime vetëvrasëse drejt ndihmës profesionale.

ChatGPT nuk i lexon lajmet!

Ditën kur politikani i ri dhe talentuar republikan Charlie Kirk u vra me atentat, e pyeta për më shumë informacion Chat GPT, por sistemi fillimisht më tha se nuk jep të dhëna për ngjarje “hipotetike”. I habitur e pyeta drejtpërdrejt “A i ke lexuar lajmet?”. Ai u përgjigj: “Prit” — dhe vetëm pasi kërkoi në burime të hapura, më dha informacionin e saktë që kërkoja. Nga kjo del, një këshillë praktike: mos e pyesni ChatGPT që herët në mëngjes, pasi ende nuk i ka “shfletuar gazetat”.

Vendosni rregulla të arsyeshme në familje për përdorimin e AI

Mund të pyesni veten si mund të vendosni kufij në shtëpi. Ekspertët japin disa këshilla:

Shkruajini bashkë me fëmijët rregullat për përdorimin e AI,

Identifikoni së bashku përdorime të sigurta — si ndihma për detyrat e shtëpisë nën mbikëqyrjen e prindërve ose si hapësirë krijuese — dhe kufizoni kohën e përdorimit.

Kontrolloni rregullisht se si AI po ndikon tek ndjenjat e fëmijës.

Mos ua ndaloni fëmijëve përdorimin e AI-së — por vendosni kufij.

“Ndalimet nuk funksionojnë zakonisht, sidomos tek adoleshentët,” thotë Watkins. “Ajo që funksionon është të kesh biseda me ta, të vendosësh udhëzime të qarta dhe strukturë rreth këtyre gjërave, dhe të kuptosh çfarë lejohet dhe çfarë jo.” Prindërit duhet të ndihen të fuqizuar për të ndaluar përdorime të qarta të rrezikshme, si në rastet kur një fëmijë po lëndon veten dhe chatbot-i e inkurajon sjelljen, thekson Djordjevic.

Vendosja e rregullave në familje

Ekspertët këshillojnë që prindërit të hartojnë rregullat së bashku me fëmijët: për çfarë mund të përdoret AI, sa kohë në ditë dhe në cilat raste kërkohet mbikëqyrje. Nuk rekomandohen ndalime të rrepta, por vendosja e kufijve të qartë dhe diskutime të hapura. Gjithashtu, duhet të mbahet një ekuilibër i shëndetshëm mes kohës online dhe aktiviteteve reale: sporte, shoqëri, aktivitete familjare.

Fetishizimi i kryeministrit shqiptar dhe ministrja virtuale

Në Shqipëri, mania për inteligjencën artificiale ka mbërritur deri në politikë. Në kohën kur njё gjeni si Elon Musk paralajmëron botën: “Kujdes nga Inteligjenca Artificiale, ashtu siç një prind duhet të këshillojë fëmijën e tij”, në Shqipëri ndodh e kundërta. Kryeministri Edi Rama, me maninë e tij për eksperimente të çuditshme, shpik një “ministre virtuale” me emër tipik shqiptar – Diella – dhe i jep pushtet ekzekutiv, pa kornizë kushtetuese e pa debat publik.

Një realitet ku politika nuk po imiton teknologjinë, por po e shndërron atë në teatër absurd, mjafton që të bëjë zhurmë në media, ndërsa radhët e nxënësve dhe cilësia në shkolla, sipas programit PISA, ka rënë dhe numri i nxënësve në vend pakësohen me njё të katërtën, siç duket, duhet një prind edhe për Ramën që t’i thotë se dhe po ta verë Diellën Ministre të Prokurimeve edhe ajo do të hajë “data” pas shpinës së tij por pa “mbajtur përgjegjësi penale dhe pa frikë nga SPAK-u.

Mesazhi përfundimtar për prindërit

Krijoni kohë për jetën reale. Jepni përparësi kohës së kaluar jashtë me njerëz të vërtetë, larg pajisjeve digjitale. Kjo mund të përfshijë t’u bashkuar një ekipi sportiv ose organizimin e aktiviteteve të rregullta familjare. Besoni se bisedat tuaja bëjnë ndryshim. Sado të lodhur të ndihen prindërit duke naviguar sfidat e AI-së, Watkins thekson se koha e kaluar duke folur me fëmijët ka ndikim real: “Ata nuk do ta mbajnë mend një reklamë nga një chatbot i AI-së. Do të mbajnë mend një bisedë që keni pasur me ta. Dhe kjo ju jep shumë ndikim, shumë forcë si prind.”

Filed Under: ESSE

“Noli biblik”…

September 16, 2025 by s p

“Noli biblik” është një studim për veprimtarinë letrare të Fan S. Nolit në relacion me tekstin biblik. Meholli mëton ta realizojë këtë temë me fokusin kryesor te ndikimi i Biblës në krijimtarinë intelektuale-artistike të Nolit që shfaqet në poezitë okazionale, socio-politike, te Albumi. Objekti i këtij studimi është simbolizimi i poezisë së Nolit në relacion me Biblën dhe aura religjioze pothuajse në gjithë krijimtarinë e tij artistike. Meholli përdor metodën e analizës duke hulumtuar elementet religjioze që ndërfuten në korpusin nolian, qoftë në veprat autentike, qoftë në përkthimet.

Bujar Meholli është profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi. Në krijimtarinë eseistike rimerr tema nga autorë dhe periudha të ndryshme kulturore duke i modeluar në këndvështrime moderne. Aktiv në medie të shkruara dhe online; gama e shkrimeve të tij përfshin: multikulturalizmin, analizat sociokulturore bashkëkohore, vlerat substanciale të artit, indin e epokës digjitale dhe implikimet psikofizike te njeriu i shekullit XXI.

Filed Under: ESSE

15 shtatori – Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

September 15, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

15 shtatori është një ditë dhe datë ceremoniale, vendosur nga Kombet e Bashkuara, si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kemi detyrën dhe detyrimin të kujtojmë me respekt ditën tonë të Demokracisë, 8 Dhjetorin, kemi për detyrë të kujtojmë me respekt e përulje Studentët e Dhjetorit ’90, e Shkurtit ’91, të cilët me vetmohim, guxim, ëndrra e idealizëm luftuan për Demokracinë; duhet të përulemi me respekt përpara Dëshmorëve të saj, Arben Broci, Azem Hajdari, etj; duhet të përulemi me respekt përpara qëndrestarëve antikomunistë shqiptarë qe rezistuan ne burgjet e dikatatures per 50 vjet; përpara themeluesve të Partisë Demokratike, zoterinjve Azem Hajdari,Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Arben Imami, Genc Ruli,Rexhep Uka,Ylli Vejsiu,Bamir Topi, Dashamir Shehi, Omer Stringa, Afrim Jupi, Artan Hoxha, Ibrahim Vasjari, Alfred Zijai etj

Partia Demokratike bëri ndryshimin në Shqipëri, solli pluralizmin e Lirinë me mbështetjen e pakursyer në gjithë këto vite të partnerit tonë strategjik, kampionit të Demokracisë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por sot kjo ditë duket sikur e ka humbur simbolikën dhe kuptimin e saj në Shqipëri. Shqipëria sot ka një kufizim total të demokracisë, sepse dominon modeli autoritarist. Sot, në Shqipëri jo vetëm mohohet jeta e Demokracisë, fjala dhe ligjërimi demokratik, por ngrihet në kult sundimi më antidemokratik duke na e imponuar këtë sundim si model inspirues.

Sot, pas tri dekadash “demokraci” Shqipëria është peng i korrupsionit, mentalitetit përçmues e kriminal, autoritarizmit të sektit Rama, që i ka mbërthyer shqiptarët për gryke, që është i paaftë të ofrojë ndryshime pozitiviste e që ka zhbërë e zhbën çdo vlerë demokratike. Ky sekt, Partia- shtet, ata që duan më shumë “partinë se Shqipërinë” kanë kapur gjithçka, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, drejtesine…

Ndaj Shqipëria e sotme, vazhdon të jetë vend i ikjes masive të popullit e i elitave intelektuale, i ikjes së të rinjve, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi të vërtetë, dhe njëherësh është vendi ku pushteti kthehet kundër e përballë qytetarëve dhe vlerat janë krejt të përmbysura. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duhet të reflektojmë përpara së gjithash tek vetja dhe të kuptojmë që Demokracia nuk është përjashtuese, por përbashkuese mbi bazën e vlerave të vërteta. 15 shtatori është ditë dhe moment reflektimi të thellë edhe për Partinë Demokratike, si shpresë e alternativë reale për shqiptarët.

Partia Demokratike, e cila sot përfaqëson gjysëm milioni qytetarë shqiptarë që kundërshtojnë keqqeverisjen e regjimit “Rama”, përballet me një sfidë historike në përballjen me një pushtet gjithnjë e më autoritar. Ky regjim, i udhëhequr nga një autokrat që çdo ditë e më shumë minon themelet e demokracisë, synon instalimin e një strukture të mirëfilltë autoritare në Shqipëri.

Për ta përmbushur këtë mision madhor, Partia Demokratike duhet të dëshmojë se është një alternativë e besueshme duke u mbështetur fuqimisht në dy parime themelore të funksionimit demokratik: llogaridhënien dhe transparencën. Këto parime duhet të fillojnë së pari brenda vetë strukturave të saj drejtuese, si një shembull i qartë për qytetarët shqiptarë se çfarë do të thotë të jesh një parti vërtet demokratike. Gjithashtu, Partia Demokratike duhet t’i japë prioritet alternativave dhe konkurrencës së ndershme brenda strukturave të saj. Në çdo nivel të drejtimit, duhet të ketë kandidatura të hapura dhe alternative si një garanci për rritjen, rinovimin dhe funksionimin demokratik të brendshëm. Sepse, në fund të fundit, ndryshimi është jetë, ndryshimi është progres. Prandaj, që kjo ditë e Demokracisë të ketë vërtet kuptim e vlerë duhet që kësaj dite t’i japim kuptim duke përmbysur autoritarizmin dhe demokracinë kallpe! Duke sjellë ndryshimin e vërtetë!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 615
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT