• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur varfëria ishte mburrje

February 6, 2019 by dgreca

1-astrit-Lulushi
Nga Astrit Lulushi/
Dikur punët ishin ndryshe, kohë më të vështira, por çuditërisht më të lehta për t’i përballur. Ishte kohë bardh e zi atëherë. Armikun e kishe çdo ditë përpara – në punë, në shkollë, në rrugë – por dije ç’të bëje, si të veproje. Nëse doje paqe gjunjëzoheshe, heshtje, i shërbeje, bëheshe mik me armikun e me të gjithë, nëse jo, ngrije krye, ikje larg në dhera të huaj, ose burgjeve.
Sot punët janë ndryshe, nuk ke më armik t’i qasesh ose t’i largohesh, të gjithë të shfaqen si miq, ke paqe me një hije të rëndë mbi krye që bën të ndjesh se diçka e frikëshme të ndjek. Frika është çmimi që paguhet për të qenë, sepse bota është në lëvizje, si lepuri gjithmonë në ikje nga njeriu, nga frika se gjuhet dhe vritet. Po ashtu edhe mendimi është i lirë kur nuk i nënshtrohet rregullave, si ai që nuk është çfarë mendon se është, por çfarë mendon – është.
Njeriu është i prirur t’u besojē lajmeve të rreme, madje çdo gënjeshtre, edhe kur e krijon vetë atë; sepse mendja vepron pa organ, ekziston pa trup dhe ndryshon, pavarësisht nga materia, thotë Aristoteli.
Jo rrallë, në atë kohë të shkuar pangjyra, njeriu e kishte për krenari të thoshte kudo në “biografi” se “rridhte nga shtresë e varfër”, edhe nëse nuk kishte qenë i tillë. Por është fakt se njerëzit e varfër, historikisht, kanë qenë shumë më pak të suksesshëm se sa të pasurit. Sepse të varfërit rrallë kanë gjetur ose kohë të lirë ose mundësi për t’u bashkuar për të ushtruar forcën e tyre; gjendja e nderë, varfëria, mjerimi pashkollimi që shoqëron jetën e tyre, i bën të paaftë të rivalizojnë të pasurit, të krijojnë ose të mbështesin një opozitë të rregullt dhe të fuqishmit, të pasurit bëhen thjesht vetëm objekt i zemërimit të tyre. Të fuqishmit kanë punuar sistematikisht, në të gjitha epokat, për të rrëmbyer nga populli ose turma – siç e quajnë me përbuzje kur nuk ia kanë nevojën – të drejtat dhe fuqinë për të mbrojtur veten dhe për t’u mohuar të tjerëve të drejtat e natyrëshme mbi të cilat sot çdo vend në botën e qytetëruar qeveriset.

Sent from

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, ishte mburrje, Kur varfëria

Gjëra të pangulitura

February 5, 2019 by dgreca

1-astrit-LulushiNga Astrit Lulushi/1 epopeja e karkalecaveNjeriu thotë se ka mësuar nga jeta e historia dhe krenohet, por shpesh gabimet përsëriten, çka tregon se mësimi nuk është nxënë. Është pranuar, të paktën fillimisht, se periudha e sundimit komunist u përshkua nga më shumë të këqija sesa të mira, por mënyra se si “ish-ët” (emër i ri në pasdiktaturë) sillen me mendjemadhësi e mosrespekt, hedh dyshim mbi sinqeritetin. Po ashtu, s’mund të quhet i mirë robërimi i një populli, edhe robërimi pa dorashka – burgosjet, internimet, përndjekjet, vrasjet e kundërshtareve duke i shpallur armiq e tradhtarë të kombit, vetëm se nuk pajtoheshin me një parti, ideologji ose flamur. Gjithë këtij marshimi njerëzish fodullë, qorra e triumfues të pashpirt, poeti Uran Kostreci, mbi 30 vjet i burgosur e i internuar politik, i jep një emër: “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (Botimet Onufri, 2011) poemë epike me vështrim alegorik:

U mbush dynjaja
me karkalecë,
ka mall njeriu
përdhe të ecë!

Titulli duket se nuk është i rastit: karkalecat janë “klasë” insek-
tesh duke filluar nga parazitët e deri tek uzurpuesit, shkatërruesit e të mbjellave (kusht mirëqenieje) – nga ku këto insekte ikin vetëm pasi iu digjet toka nën këmbë. Karkalecat janë komunistët, shpjegon Kostreci.

Në bulevarde
e nëpër piaca:
sheh karkalecë
zënë allabraca.

Dhe përshtypja e poetit është pikturë e jetuar, sepse në kohën e rënies së diktaturës, Shqipëria dukej një fushë e thatë, e djegur, e sapobraktisur nga një ushtri e tërë karkalecash parazitë, frikacakë, jetëpirës.

Në vend të lekut
merr medalione,
amurka, yllka,
emulacione.

Vargjet e “Epopesë së karkalecave” zunë fill në mendjen e poetit Kostreci në burg, në vitet 1970, kur gjatë ecejakeve në oborrin e burgut ai përpiqej t’i mësonte përmendsh. Poetë të tjerë të burgosur i regjistronin vargjet e veta edhe ne karta cigaresh, siç ishte rasti i Arshi Pipës, që i përmblodhi ato në vëllimin “Poezitë e burgut” dhe i botoi kur u hodh në arrati në Perëndim.

“Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (për herë të parë së bashku në një libër të vetëm, i ngjan një kundërpërgjigjeje të “Epopesë së B.K.-së”, poemë-propagandë aq e popullarizuar, një nga krijimet e poetit dhe shkrimtarit të realizmit socialist, Shefqet Musarai. “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” përfshin një epokë të gjerë, nga fillimi deri në fundin e diktaturës dhe poeti ironizon:

Tash karkalecë
aty bëjnë pallë,
me nipër, mbesa,
me teze e hallë.

Të majtët e Shqipërisë i gëzohen fitores së të majtës në Francë,
thotë Kostreci, por pa e shoqëruar ketë gëzim edhe me kujtesën se Franca e sotme nuk është e pasardhësve të krimeve e terrorit të gijotinës komunare e antimonarkiste, por e atyre që i dënuan ato krime, u shkëputën përfundimisht prej tyre, u thanë “Ndal, jo më!”, duke hedhur themelet e ngrehinës që sot quhet Republika Franceze. “Po Shqipëria?” pyet Kostreci:

Ç’qe kjo mënxyrë –
mallkon mileti,
ai dhe vdekur
peshqesh… na mbeti!

Poema përfundon me përshkrimin e rënies së komunizmit dhe vendosjen e demokracisë më 22 mars 1992:

Fillojnë greva
e demonstrata,
…
e bëjnë Susakun
të ikë me vrap.

Gjithsesi, mendimet e ndjenjat e shprehua janë esencë, prandaj
mbulojnë më shumë sesa thonë. Por shpesh ato vetëm nëpërmjet artit poetik mund të shprehen plotësisht me fuqinë e tyre – prandaj nuk është e rastit që Uran Kostreci, prozator dhe autor sonetesh, zgjodhi pikërisht këtë formë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Gjëra të pangulitura

SAGA E DHIMBJES

January 25, 2019 by dgreca

1 Fatbardha

Nga Leonora Laçi/       

2-Leonora-Laçi-250x274

Nuk ka nevojë për parathënie, por dy fjalë parapërgatitëse për atë çka e pret lexuesin. “Saga e dhimbjes” është një rrugëtim me hidhërime, gëzime, ulje e ngritje, vrasje dashurish, ndjenjash, trupi e zemre, lindje jetësh, por dhe perëndime para kohe të tyre. Ka oaze dashurie të familjes, miqsh të vërtetë, por dhe oaze urrejtjesh e smirash që qeshin kur ti bie, por prapë fiton njeriu, humanizmi, dinjiteti, qëndresa. Ka skllavërinë bashkëkohore e skamjen që personifikonte një sistem të tërë, ku reflektimin ia ndjejmë edhe sot, por i formatuar ndryshe. Një libër që rrëfen pa pyetur, nga cepi në cep i Shqipërisë, shkel shtigje të pashkelura e madje dhe të ndaluara, i kalon dhe kufijtë shtetërorë. Ky libër i ka pak nga të gjitha, flitet herë në vetën e parë e herë në vetën e tretë. E lexon, e rilexon, mediton, përfytyron ngjarje që nganjëherë këputen në mes, përhumbesh në mendime, e rimerr prapë librin dhe veten, sa herë që do t’i rikthehesh, zbulon detaje të reja.

Në të rrëfehet fillimisht jeta e autores dhe rrugëtimet e saj jetësore, përmes rrëfimit të saj na shfaqen shumë jetë të tjera, të atyre që jeta iu këput më të nisur, e ka nga ata që jetëgjatësia e tyre është për t’u lakmuar. Këtë herë s’ndalet vetëm tek nënat, por edhe tek burrat, mund të jenë; artistë, shkrimtarë, aktorë, këngëtarë, studiues të transformuar në punëtorë, e anasjelltas.

Libri prek edhe jetën sociale në komunizëm dhe episode siç janë p.sh.: votimet në fshat, radhët e qumështit, etj. Rrëfimi nuk është monoton, sepse çdokush gjen një pjesë të vetes në këto rrëfime, ose ka kaluar në situata të ngjashme. Ka ditarin e një 19 vjeçareje (autores) që kalon nëpër peripeci të ndryshme, të cilës të vetmit miq të sinqertë i dolën librat, jo librat e realizmit socialist, ajo kishte zbuluar libra të ndaluar, ishte zhytur në ta si thesaret më të çmuar që e ndihmuan të mos toksikohej nga propaganda komuniste, megjithëse ambienti familjar ishte mostra kryesore për të kuptuar realitetin komunist. Ajo kishte synime në jetë, ambicie për të ecur sa më lart. Ashtu si 19 vjeçaret e sotme, por me një ndryshim, kishte nje damkë, njollë biografie, që e ndiqte si hije kudo, ajo damkë i ndryshoi trajektoren e fatit të saj që të mos ishte një vajzë e shkolluar në universitete të Europës, por të hiqte të zitë e ullirit për të mbaruar universitete me korrespondencë, të mos shëtiste Parisin apo Vjenën, por të shëtiste cep më cep fshatrat e rrethit të Lezhës, ku kalimi i Drinit ishte sfida e përditshme, por prapë dhe aty e gjeti lumturinë mes njerëzve të thjeshtë që ende regjimi nuk i kishte tjetërsuar, e shumë prej tyre i qëndruan pranë. Një vajzë të cilës ëndrrat ia këputi në mes një regjim, e si asaj shumë të tjerave.

“Saga e dhimbjes” prek në plagë të njerëzve, në sagën e dhimbjes së mbytur në fyt ka dhe copëza lumturie, buzëqeshje, që janë e vetmja prehje për të ikur nga realiteti i përditshëm. Autorja preferon thjeshtësinë, gjeti forcat të ngrinte kokën lart kur e hoqën nga puna, nuk u zhyt në qoshe të errëta për t’ia plasur vajit, fati kishte rezervuar gjëra të mëdha për të, një martesë, një fëmijë…

Ky libër është për jetën e saj dhe jetët e të tjerëve që u kryqëzuan, është një mirënjohje për stoicizmin e femrave shqiptare që qëndruan të papërkulura. Teksa e shoh të përfunduar, stoik bashkë me autoren, bindem që libri do të jetë mjaft i rëndësishëm në njohjen e anës tjetër të regjimit komunist. “Saga e dhimbjes” e kompleton kolanën e autores dhe e them pa drojtje se autorja Fatbardha Mulleti Saraçi e ka zënë vendin si studiuesja e parë e gulagut shqiptar.

* Parathënie

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonora Laci, Saga e Dhimbjes

DASHURI NJEREZORE…

January 24, 2019 by dgreca

FAIRE TABAKU:DASHURI DHE MIRËNJOHJE PA KUFI PËR NJERËZIT E FAMILJES SË BABAIT TIM/
Zonja e nderuar Faire Tabaku, shkrimtare, bibliografe për fëmijë dhe të rritur, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ish punonjëse  në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore, diplomuar në Universitetin Shtetëror të Moskës në vitin 1960, në këtë përmbledhje, na sjell një pjesë kujtimesh të jetës së saj fëmijërore, duke shprehur dashurinë, respektin, mirënjohjen për të gjithë ata njerëz, familjarë, miq, që ndikuan në rritjen, edukimin, shkollimin e saj, pasi fati i jetës së saj u tregua i padrejtë, i pamëshirshëm.
Lista e botimeve të zonjës Faire Tabaku është e gjatë, shumëfaqëshe që po të përmblidhen, përbëjnë libra të shumtë.
Gjatë gjithë jetës, në krijimtarinë e saj letrare për fëmijë dhe të rritur, është vlerësuar disa herë me çmime të parë dhe çmime të tjerë të ndryshme.
 
Pierre-Pandeli Simsia
* * *1 Faire7
“Edhe sot në këtë moshë që jam, i kujtoj me shumë nostalgji të thellë ato kohëra; njerzillëkun dhe humanizmin.”
* * * 
Unë, Faire Tabaku, shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time pa kufi, për njerëzit e familjes së babait tim.
Në moshë të re humba prindërit e mi.
Nëna ime Zare (Gozhina) Tabaku, vdiq kur unë nuk e kisha mbushur vitin e parë të lindjes, pra, kur unë pija akoma qumësht nga gjiri i saj.
Kur më vdiq babai, Hysen Tabaku, unë isha më pak se tre vjeçe.
Për familjen e babait tim, ishte një gjëmë nga më të mëdhajat.
Nga njëra anë ishte plaga e thellë që u hap në zemrat e tyre dhe nga ana tjetër ishte rritja e një fëmije të mitur.
Derisa gjyshi im bleu një lopë, më ushqeu me gjirin e saj një nuse e re nga familja Durdia, fqinja jonë.
Djali i saj, Qeram Durdia dhe unë, Faireja, ishim lindur në të njëjtën ditë një mëngjes të ftohtë fundjanari.
Që atëhere dhe deri në ditët e sotme që jemi në moshë madhore, me Qeramin, ne ndihemi si motër dhe vëlla.
Gjyshja ime, Hysnie (Shehu) Tabaku, që ishte edhe më e lënduara, vinte nga një familje me tradita të hershme patriotike, nga familja e madhe e Shehlerëve rë Teqesë së Karbunarës, që ndodhet afër qytetit Lushnje.
Ajo më donte shumë, nuk më ndante nga dora, por, kjo fjalë është pak për të përcaktuar dimensionin e dashurisë dhe dhimbsurisë që ajo ndjente për mua.
Siç më kanë treguar më vonë, kur unë fillova të hedh hapat e para, ajo më mbante për dore dhe më shëtiste në oborin e shtëpisë sonë.
Shumë herë, gjatë ditës, me kokën të mbështetur në prehërin e saj më zinte gjumi.
Mbaj mend, një mëngjes behari, kur unë duhet të kem qenë jo më shumë se pesë apo gjashtë vjeçe, të ulur në dhomën e ndënjies, gjyshi dhe gjyshja duke pirë kafenë e mëngjesit, ndërsa unë po luaja me një top të vogël llastiku, gjyshja u ngrit, mori kutinë ku mbante arturinat, nxorri një fotografi dhe e futi në xhepin e fustanit të saj.
Gjyshi e kuptoi se çfarë do të bënte dhe i tha: – Ç’bën kështu moj, të vraftë Zoti; është akoma maksun (fëmijë shumë i vogël)
Gjyshja nuk i ktheu përgjigje. Më mori mua për dore dhe më tha se do shkonim të bahçe dhe do hamë fiq.
Bahçeja jonë ishte e rrethuar me murë nga të gjitha anët. Muri që e ndante me oborin kishte një deriçkë të vogël. Gjyshja e hapi dhe ne hymë në bahçe.
Në bahçe kishte pemë frutorë të ndryshëm: fiq, rrush, kumbulla, pjeshka…
Këputi për mua dy tre fiq, nxorri nga xhepi fotografinë, e zgjati nga unë duke më thënë, se kjo fotografi ishte e babait tim, Hysenit.
Me syt e përlotur, shtoi: – Ai ishte djali im i madh; ishte shumë i dashur, i bukur dhe shtathedhur. Ty të donte shumë dhe gjithmonë betohej, për kokën tënde.
E kam ende të freskët veprimin tim të asaj dite me gjyshen kur më tha ato fjalë; ia ngjita syt asaj fotografie, e ngulita në zemër dhe në mendje fytyrën e babait tim për të mos e harruar kurrë.
Mbaj mend, po ashtu, që u trondita shumë, por nuk nxorra nga goja ime asnjë fjalë.
Që nga ai çast e deri më sot, unë mbart me vete brengën që nuk i njoha kurrë prindërit e mi.
Unë për të, isha ngushëllimi dhe amaneti i dy të rinjve që humbën jetën në lulen e rinisë.
Vdekja e të birit, gjyshen time e plaku parakohe.
Unë e mbaj mend të veshur me rroba të zeza, të cilat nuk i hoqi derisa ndëroi jetë.

U mbyll në shtëpi; nuk shkonte më as tek njerëzit e saj në Karbunarë.Vëllezërit e saj, Ahmeti dhe Nexhmini, vinin shpesh në Berat për të parë të motrën. Ndërsa mua, të afërmit e saj, kur mernin nuse, më blinin fustan, këpucë dhe çorape të bardha dhe më dërgonin me krushqit për ti mbajtur nuses bishtin e fustanit të bardhë.
Lodrat më të dashura të fëmijërisë sime kanë qenë, një kukull e madhe me flokë të verdhë dhe fustan të bukur, që, kur e lëvizje, imitonte të qarët e foshnjës, si edhe një kalë druri i vendosur mbi një bazament prej dërrase me katër rrota të vogla.
Kali kishte edhe një kapistër prej meshini të kuq që shërbente për ta tërhequr.
Ato m’i kishte sjellë vëllai i vogël i gjyshes, Nexhmin Shehu, që në atë kohë studjonte për financë në Itali.

Filed Under: ESSE Tagged With: Faire Tabaku, Pierre-Pandeli Simsia

RUGOVA – PRINC I LIRISË DARDANE !

January 22, 2019 by dgreca

1 Azgan HAKLAJ me Presidentin

Nga Azgan HAKLAJ/

Zemra e Ibrahim Rugovës pushoi së rrahuri për t’ia emërtuar fuqinë e saj të paanë një populli të tërë të zhuritur për t’i rrahur fort zemra e tij në liri e mëvetësi, siç është ai i Kosovës. Janë të rrallë ata burra shteti që si Dr. Rugova të mund të bëhen përmendore-simbol për së gjalli të bashkëkombasve aqsa dhe të lënë lavdinë e tyre gjysëm-drejtëz që horizontalisht do të udhëheqë dhe breznitë e ardhshme.

Kurrë s’e kam menduar se kaq shpejt do të shuhej kjo flakë që nisi zjarrin e madh të avenirit të një populli kaherë të robëruar, me shekuj i masakruar, në shumë fate njerëzish e kombesh i pafat. Ibrahim Rugova, ky martir i idealeve më të shenjta shqiptare të nëpërkëmbura që nga Roma e Bizanti deri tek sllavofashizmi millosheviçian sot prehet në panteonin e kombit përkrah Boletinit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Ymer Prizrenit, Azem Galicës, Adem Jasharit…

Ndërroi jetë në kulmin e energjisë së gjigandit human i mendimit, veprimit, maturisë, diturisë, eksperiencës e lavdisë, si për t’ja kaluar zheninë e vet një populli të tërë, një kombi të ndarë në gjashtë shtete e të degdisur nga sunamët tiranikë në çdo cep të botës. Dhe këtë fuqi ai ndau bujarisht, pikërisht tani kur hartës së botës moderne do t’i shtohej më së fundi edhe shteti më i ri i nëpërkëmbur që prej dardanëve të lashtë, Kosova.

Është një humbje jo si gjithë humbjet e mëdha, është humbje që ka përmasa trillesh eskiliane. Pse pikërisht Primi dhëndër dardan ndërron jetë pak çaste para se të shohë nuse Kosovën, djepin që e lindi, që e përkundi, që i dha për zemër strallin e shkëmbinjve të Kaçanikut, që i dha për fjalë arin e zgafellave të Mitrovicës, që i dha për mendje e arsye, kthjelltësinë e ujërave të Junikut…

Fjalët janë pak për këtë burrë, këtë prijës modern të dhimbjes sonë nacionale, thembrës së Akilit të Shqipërisë me emrin Kosovë. Profesori i rrallë i historisë e letërsisë, autori origjinal i mejtimeve naimjane, afro dy dekada më parë vendosi hyjnisht ta sindërtojë në trojet dardane rilindjen e vërtetë, jo vetëm me fjalë e artë si Dante Aligieri e Fransua Rabële, por ta materializojë atë duke e konvertuar në liri e pavarësi, çka rrallë gjindet veçse në legjenda e epika intriguese.

Ky ishte dhe do të ngelet Rugova.

Kam pasur rastin fatlum që të komunikoja gjatë qënies sime si deputet i Malësisë së  Gjakovës me presidentin Rugova. Dy vite e ca më parë isha i ftuar në rezidencën e tij në Prishtinë me rastin e ceremonisë së dekorimit të mikut të tij të ditëve të vështira, Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Na priti siç pret një vëlla, një mik, një burrë shteti. Ndenjëm gjatë e sipas zakonit arbnor që dominonte qënien e tij, na pengoi të ngriheshim pa drekuar sëbashku. Vetëm gjenitë dinë ta përdorin fjalën dhe heshtjen me atë ndërthurje plot kuptim. Vetëm ata që zbukurohen në shpirt prej Zotit dhe tërë karatet humane dinë të jenë kaq të sinqertë dhe pa asfarë pompoziteti. Do e mbroj gjatë atë filmim si pasuri e relike për t’ju treguar brezave e rifreskuar në vetvete portretin e qëndresës, të ëngjëllit që lind si orë e popullit të vet, të njeriut që mbijetesën e kthen në të zakontë, që të paarritshmen e shndërron në realitet.

Ky ishte Rugova.

Kosova humbi princin e lirisë, i cili lules që po çel shkoi t’i ujisë rrënjët e t’ja mbajë fort ato me kujdesin që vetëm ai dinte të përçonte. Lamtumirë Ibrahim Rugova, lamtumirë kalorës modern i lirisë. Në ditën e dasmës së madhe të kombit do shfaqesh sërish. Dasma është gati. Historia vetë po e përgatit. E në këtë histori, në një cep të bollshëm të saj, të ngelesh përherë autokton.

Lavdia jote u përjetësoftë e dëshira, puna, kontributi yt i pagjëshoq u bëftë pishtar në të gjithë trojet iliro-dardane. Një lot i nxehtë burri, bie mbi këto rrjeshta të thjeshtë për ty mësues i madh i qëndresës për liri. Është lot, krenari dhe mall për ty: Dr. Rugova. Çdo ditëlindje Juaja flet për Pavdekësinë Tande, dr. Ibrahim Rugova – Princ i Lirisë Dardane!

___________

Marrë nga libri i Azgan Haklajt “Gjergj Kastrioti, Moisiu ynë”, Botimet “Alb-Juris”, Tiranë, 25 dhjetor 2018 (botuar në Ditën e Krishtlindjeve).

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, PRINC I LIRISË. DARDANE !, Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 270
  • 271
  • 272
  • 273
  • 274
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT