• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FOLKLORI HIMARIOT PËR GJUHËN SHQIPE

June 22, 2016 by dgreca

NGA IDAJET JAHAJ/Poet, studiues, Vlore/

 Folklori i fshatrave të Bregdetit është nga faqet më të shkëlqyera të folklorit shqiptar. Si në një oqean epiko-lirik aty shkëlqejnë dete luftrash, këngë dasme, të punëve të përditëshme, ninulla shqip, këngë baritore e për mjeshtëri të tjera të jetesës së këtyre banorëve krenarë në këto brigje të ashpra. Po më shumë shkëlqen historia e qëndresës dhe mbijetesës në shekuj. Kjo ka qenë e veçanta e këtij populli “volfram” në histori. Pavarësia e famshme himarjote u bë e njohur dhe e lejueshme si në pak pika të Perandorisë Osmane për pesë shekuj me radhë. Kjo epikë shkëlqen me trimat, betejat, të rënët, qëndresën, shpirtin e kolektivitetit, kryelartësinë e zgjuarsinë himarjote nëpër shekuj. Ç’jehonë ka kumbimi i vargjeve:
Qysh ka qënë mëmëdheja,
Iskanderi si rrufeja,
Filipiadha nga Janina,
Që ka pjellë aqë trima…
 
Ose:
 
Shtatë fshatra si yje,
Si shtatë shenjëzat në qiell,
Thotë pashai: “Do tu bie,
Do t’i shtyp, t’i bëj llomije!…
 
Por himariotët nuk u mposhtën. Qëndresa e tyre ka qenë nga shtyllat më të forta të kombit shqiptar. Himariotët kanë qenë heroikë jo vetëm për mbrojtjen e integritetit të tyre si tokë e si popull në këtë rrip të atdheut, por edhe në luftë për tërësinë tokësore të këtij dheu. Në lidhje të ngushtë me Lumin e Vlorës e krahina të tjera, ata kanë shkuar deri edhe në Mal të Zi, nën udhëheqjen e Gjolekës për mbrojtjen e kufijve veriorë (1852). Kjo rezistencë ka gjetur shprehjen e vet edhe në ruajtjen e shenjës kryesore të kombësisë: atë të gjuhës amtare – shqipes. Edhe në këtë luftë populli i bregut ka shprehur forcën e vet, identitetin kombëtar, krenarinë për këtë, ka dënuar e demaskuar tentativat e përtejdetit jugor për diversion ideologjik e mohim të gjuhës amtare.
Që në fillim të shekullit të 20-të goja e popullit bregas gjëmon:
Shoqe, djalin dot s’ma shan,
Se me penë ai ta dan,
Dhe me pallë ai të çan,
Janë e janë djemt e Bregut,
Të penës e të dyfekut.
 
Më pas, krenaria epike e brezave:
Djemt e Bregut me dyfeqe
Me krrabë, poture, sherqe,
S’duan “oriste” as “lepe”,
Se flasin shqipen me derte.
 
Për këtë gjuhë rrojnë, digjen e hijeshojnë në këto brigje, këta bij, duke u krenuar me dinjitetin e tyre etnik shumë të lashtë.
Që më 1909 një komision i Himarës i shkruan Kongresit të Elbasanit: “Me gas të math, me vullnet të dhaskalëve z.z. Naqe Konomi, Kostë Kondo, Gaqe Kapore me shokë, e me dashje të Pleqësisë së Imarës e të Shoqërisë “Labëria” të Imarës, mbësuam mbledhjen e Kongresit të shkronjave tonë ndë Elbasan. Dhamë dëshirën me rrahjen e nxehtë të zemrës që gjithë mëmëdhetarët që janë ati të ndihën për të përhapurit e gjuhësë t’onë shqip, për mbrothësinë e shqipëtarëvet ndë dituri… Tok me ndimë po apëmë 30 lira për skolinë.
                                                                                                                 Imarë, më 3 shtator 1909”
Kështu himariotët i shkruajnë Ismail Qemalit më 1912, ku i shprehin gëzimin dhe gatishmërinë e tyre për qeverinë shqiptare:
O flamur shqipe me derte,
Të kërkuam e na erdhe;
Na erdhe i kuq me shqipe,
E vendin na e llamise.
 
Dhe si betim i pakthyeshëm:
Dhe një të mbetet i gjallë,
Shqipëri kemi vatanë,
Si e lanë të parët tanë,
Flamurin me zhgabë do mbamë!
 
Emri “Shqipëri” dhe “shqiptar” skuq si rrufe nëpër vargjet:
Kristo Vjero Gjikënuri
Nder të madh Bregut i pruri,
Nuk trembej nga rrufeja
Se kish gjak shqiptar ndër deja.
 
Dihet se në gjysmën e parë të këtij shekulli pati tentativa të fqinjëve jugorë për diversion ideologjik e kulturor ndër banorët e Bregut. Një nga fushat nevralgjike të këtyre synimeve u bë gjuha amtare. Populli i diskreditoi përpjekjet e tradhtarit Spiro Milo që mori në dorë flamurin e një kombi tjetër për të mohuar kombin e tij e, siç dëshmonte dhe vetë “fisin e tij kurveleshas”:
Polo Gjika në Himarë,
Spiro Milos i tha dy fjalë:
I tha: Këtu s’jemi Elladhë!
Pse punon për Grekomanë?
Palas, Dhërmi e Himarë,
Janë një, s’jemi të ndarë,
Jemi një fis e një farë,
Kurveleshas e krutanë!
                                         1914
Me konsolidimin e shtetit shqiptar, pas viteve 20-të, këto tentativa  u zbehën, por u ringjallën prapë në vitet ’30-të. Në vitet 1932-3, nëpërmjet mësuesve të paguar prej tyre, u synua të mbylleshin shkollat shqipe e të hapeshin ato greke. Por këto përpjekje ndeshën në murin e patriotëve dhe popullit të Bregut. Dhespoti Kotoko, që vinte nga Gjirokastra për këto qëllime, u përzu me turp e teneqé vargjesh:
 
…Mori vesh mbreti dhe krali
Se fqinji tertipemadhi
Kërkon skoli të na hapë
Himarë, Dhërmi, Palasë!
 
Na duall ca palikarë,
Që me thes morën paranë,
Të punojnë për Junanë!
 
U erdhë lirat me mijra,
Natën ua pruri gjemia,
Zotërinjtë me lezete
Bënë shumë marifete,
Të bëjnë njerëz për vete,
Të na hapin shkolla greke!
 
Atje te kisha, te rrapi,
U mbëluath gjithë fshati.
Në mexhlis këta bandilla
I pështyu Marko Billa.
Ky Gogo Gaçi me shokë
Me mësuesin Panajot,
Gjikënuras, kudhësiot,
U ngrit më këmbë e u thotë:
“S’kemi punë me Greqinë,
S’e bëjmë hasha vëllazërinë.
Niprit e Gjergj Aranitit
S’bëhen djemt e Moraitit!
Vetëm për sebep të kryqit!
Shqipja sot këtu ka zot,
Jemi gjak i Kastriot,-
Tha Kolë Gjergji patriot!
 
Ky dhespot Kotokua
ç’paska qenë i marrë!
Vjen nga Gjirokastra
Drejt për në Himarë.
 
Vjen të paqëtojë
Të kuq e të bardhë[1]
Të heqë mësuesit,
Të vërë dhaskalë.
 
Palasë Kolë Gjergji
I duall në ballë:
-Ti s’na bën dot hasëm
Me vëllezërit tanë!
U’jam nip i Gjonit
Që zbriti n’Himarë!
Pra, jam bir i shqipes
Këtu s’është Elladhë!
 
Ndaj, dhespot Kotoko
Fut bishtin në shalë!
Në do të shpëtoç,
Kthehu nga ke ardhë,
Të jesh i sigurtë,
Kapëto Straknanë!
…Milo Petromilo
Një burrë atdhetar
Nuk iu nda Kolë Gjergjit
Dot nuk i përçanë!
 
Shkëlqeu kështu atdhetaria, vendosmëria dhe burrëria e patriotëve bregas, si dhe e popullit që i përkrahu ata.
39 burra të Bregdetit u mblodhën në Palasë më 1935 dhe i kërkuan shtetit të tyre shqiptar: “e, si shqiptarë të përhershëm dhe stërnipër të himariotëve të parë, që kanë luftuar kra për kra me kastriotasit për indipedencën e këtij atdheu, gjë e provuar prej gjithë historianëve të botës, nuk mundemi kurrsesi të tolerojmë quajtjen tonë minoritet, prandaj kërkojmë vazhdimin e shkollës shtetërore dhe protestojmë kategorikisht influencat dhe propagandat e huaja që kërkojnë të nga shkombëtarizojnë… Nga Kuvendi i Palasës, 1935”
E sa e sa këngë të tjera, vargje kuptimplote, të bukura e të fuqishme, jep muza e popullit himarjot nëpër dekada. Eposet dhe ciklet e tyre janë të pambarueshme. Dhe gjithnjë përfundojnë me esenca e sentenca që ndritin si shufra ari: “U jam bir’ i Gjonit / që zbriti n’Imarë / … Niprit e Gjergj Aranitit / s’bëhen djemt e Moraitit /..”
Histori e lavdishme. Qëndresë heroike, që shkëlqen më shumë e më ndritshëm se sa pellgu madhështor i Jonit aty afër.


[1] Mësuesit shqiptarë me “dhaskalë” – botuar në gazetën “Labëria” Prill 2002shqipe ne Bregdetin e Himares. Nderime!

Filed Under: ESSE Tagged With: FOLKLORI HIMARIOT, Idajet Jahaj, per gjuhen shqipe

IA ZBARDHËN FËTYRËN KOMBIT

June 21, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Java e kaluar ishte një javë historike për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Shqipëria mori pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit. Në ndeshjet e saja me më të mirët e Evropës, skuadra kombëtare shqiptare pati dy humbje dhe më në fund fitore, në ndeshjen e saj me Rumaninë.

Ishte një javë pothuaj e pashembullt në histori për imazhin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, për sjelljen e skuadrës kombëtare po se po, por më tepër kampionati evropian pasqyroi sjelljen dinjitoze të dhjetëra mijëra tifozëve shqiptarë që kishin shkuar në Francë nga të gjitha trojet shqiptare, nga diaspora në Europë e madje edhe nga Amerika. Dukej se i kishte ardhur koha shpalosjes me krenari të ngjyrave kuq e zi të flamurit kombëtar të shqiptarëve, në një Evropë që shpesh nuk i ka dashtë dhe shpesh ka marrë vendime historike të gabuara në kurriz të shqiptarëve dhe të interesave të tyre. Por ja erdhi koha, pas shumë shekuj vuajtjesh të këtij kombi të vogël por krenar që shqiptarët t’i tregonin Evropës dhe botës qytetarinë dhe kulturën e tij njerëzore dhe kombëtare. Gjatë ndeshjeve, skuadra shqiptare e futbollit dhe tifozët e saj e treguan veten të denjë të emrit shqiptar.

Të vetëdijshëm se nderi i Atdheut tregohet më së miri dhe në rend të parë me sjellje të mira ndaj njëri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, futbollistët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre, gjatë kampionatit të futbollit evropian, ia përmirësuan imazhin Shqipërisë dhe ia rritën namin kombit shqiptar më shumë se çdo gjë dhe çdo kush tjetër, për një kohë të gjatë. Si pasojë e propagandës së armiqëve të shqiptarëve gjatë dekadave, Evropa dhe bota dinin pak ose aspak për shqiptarët dhe ato që dinin nuk ishin zakonisht pozitive. Sjelljet e mira të shqiptarëve në Francë duket se habitën jo vetëm atë vend por edhe mbarë Evropën, ndërsa media franceze e cila siç duket nuk priste sjellje të tilla nga shqiptarët gjatë kampionatit, me kënaqësi u bëri thirrje shqiptarëve që të vizitonin Francën sa herë të duan dhe kur të duan. Shqiptarët e pranishëm në Francë për ndeshjet futbollistike të kampionatit evropian, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, me të vërtetë shpalosen për mbarë botën vetitë më të mira kombëtare dhe njerëzore të kombit shqiptar.

Ngjarje të tjera që i dhanë një hov tjetër imazhit të mirë të shqiptarëve e që njëkohsisht pasqyroi edhe tolerancën fetare ndër shqiptarët — ishte edhe inaugurimi javën që kaloi i shtatores së Nënë Terezës në Phafenfohen të Gjermanisë, në prani tënjë numri të madh shqiptarësh dhe gjermanësh. Mirëpo, ishte pjesëmarrja e përfaqsuesve fetarë të shqiptarëve ajo që la përshtypje të thellë në të pranishmit dhe popullësinë vendase. Sipas burimeve të medias në Kosovë në këtë inaugurim, të pranishëm ishin Ipeshkvi katolik i Kosovës, Dodë Gjergji, Imami Xhevat Kryeziu, At Nikollë Marku dhe Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Edhe me këtë rast, shqiptarët përsëri i treguan Gjermanisë dhe Evropës urat historike që ekzistojnë midis besimeve fetare të shqiptarëve, si dhe bashkëjetesën, harmoninë dhe lidhjet e gjakut midis tyre. Ndërkaq parada vjetore në New York, kushtuar gjithashtu Nënë Terezës, veshi kuq e zi rrugët e lagjës Manhattan, duke parakaluar para mijëra shikuesve vendas dhe të huaj dhe duke lënë përshtypje jashtzakonisht pozitive në radhët e banorëve të New Yorkut dhe të turistëve të shumtë.

Ajo që të bie në sy në të gjitha këto raste të shpërthimit të krenarisë kombëtare shqiptare — qoftë pjesëmarrja e kombëtares në kampionatin evropian, qoftë kujtimi i Nënë Terezës para shënjtërimit të saj në shtator — është fakti se shumica dërmuese e pjesëmarrësve në kët ngjarje ishin në moshë të re. Ky fakt në të vërtetë është një gjë pozitive që mund të jetë shenjë e mirë për të ardhmen, se ndoshta — ky brez i shqiptarëve, 25-vjetë pas shembjes së komunizmit, ndryshe nga klasa e tanishme politike anë e mbanë trojeve shqiptare – ka filluar të hedhë poshtë frymën e ideologjive dhe influencave të huaja të shekullit të kaluar dhe tu këthehet rrënjëve dhe vlerave kombëtare. Duket se kjo brezni — ndryshe nga klasa politike që udhëheq sot shqiptarët – është e vetdijshme për vlerat kombëtare, shpirtërore dhe historike të kombit shqiptar, dhe si e tillë ka vendosur, me qa sa ka mundësi, të shkojë përpara me hapa të shpejt dhe të sigurt drejtë botës përëndimore, aty ku kombi shqiptar e ka pasur gjithmonë vendin. Megjithë anarkinë politike shqiptare të këtyre dekadave të fundit, duket se shpirti shqiptar kërkon të dalë njëherë e përgjithmonë nga errërsirat shpirtërore shekullore dhe të shkojë drejtë dritës dhe vetive të vërteta stërgjyshore që e kanë dalluar gjithmonë kombin shqiptar.

Kjo gjeneratë e re e shqiptarëve – ndonëse e dhunuar, e abuzuar dhe shpesh e detyruar të largohet nga trojet e veta ka një potencial të madh, por të shtypur dhe të shtrydhur – po pret gjithnjë për hapjen e një rruge për një të ardhme politike që do të mundësojë që këto potenciale intelektuale dhe shpirtërore të këtij brezi që mbeten ende për tu shfrytëzuar, të shfytëzohen në përputhje me kulturën dhe qytetarinë që treguan para botës tifozët shqiptarë dhe skuadra kombëtare në Francë. Nuk bëjnë keq ata që janë venë sot në krye të politikës anë e mbanë trojeve shqiptare të marrin shembull nga sjelljet e mira, nga uniteti dhe nga kultura e futbollistëve dhe e tifozëve shqiptarë në Francë, por edhe nga toleranca dhe harmonia fetare e shfaqur në Gjermani dhe në rrugët e New Yorkut, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine nderuan Nënë Terezen para Shënjtërimit të saj në shtator.

Politika pa kulturë dhe pa qytetari nuk vlenë asgjë. S’do mendë se ne në mërgim kënaqemi për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë që ndodhë, sepse duam dhe dëshirojmë ta shohim Shqipërinë dhe kombin shqiptar të nderuar dhe të respektuar nga miqtë dhe nga armqitë dhe jo vetëm në fushën e topit. Por e duam dhe e dëshirojmë gjithashtu edhe të përparuar politikisht dhe ekonomikisht, ashtuqë ky brez, i cili shpresojmë se është i vendosur t’i japë një imazh të ri kombit, të qëndrojë dhe të ndërtojë një jetë më të mirë dhe më të begatë në trojet e veta. Për këtë është përgjegjëse drejtë për drejtë ky brez politikanësh që sot janë venë në krye të kombit, pasi për mirë ose për keq, këta janë ndërtuesit e të ardhmes së kombit shqiptar.

Ashtu siç bënë lojtarët e kombëtares dhe tifozët e tyre gjatë këtyre javëve në Francë, presim që edhe ata të pakën të tregojnë vullnet të mirë e të “mahnitin” botën me qytetarinë, me atdhedashurinë dhe me kulturën politike, duke pasqyruar për momentin jo vetëm simbolet kombëtare, por edhe drejtësinë shoqërore dhe vlerat morale si dhe bashkjetesën politike dhe harmoninë shoqërore në radhët e shqiptarëve pa dallim, duke i hapur kombit shqiptar shtigje të reja në historinë e tij të shumë vuajtur. Vetëm kështu do të ketë një përmirsim më të qëndrueshëm të imazhit pozitiv duke i zbardhur fëtyrën kombit me një kulturë politike dhe me sjellje qytetarie ndaj të gjthëve, përfshirë edhe kundërshtarët politikë.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: FËTYRËN KOMBIT, Frank shkreli, IA ZBARDHËN

Letër Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

June 20, 2016 by dgreca

Nga Hysen Haxhija/*

Isha në 38 vjetorin e ekzekutimit tuaj më 17 korrik 1977 në luginën e maleve të Librazhdit. Atje duke iu kujtuar lotët më rridhnin papushim, sot po plotësoj kohën që kaluam mbas pushkatimit tuaj. Përse?! Për ëndrrat e talentin tuaj, të cilat pa sharë dhe ofenduar asnjë qënie të gjallë, i hodhët në fletore. Për këtë ua morën jetën, ata që bashkë më Miladinin dhe Dushanin i stërviti kominterni i utopistëve francezë, ata që vrisnin qenie njerëzore vetëm se mendonin ndryshe nga ata, vrisnin ata që e donin Shqipërinë të lirë dhe të bashkuar. Vilson vëlla, unë kur lexova dijet e tua të shkruara aq sinqerisht dhe me aq pasion, kur lexova ato përkthime nga kolosët e letërsië botërore në shqip, mu duk vetja i vogël, ngrita sytë nga qielli duke pyetur: pse more atë gjeni o zot dhe më le mua të gjallë të jetoj kohën e misionarve të atij sistemi që mori ato jetë dhe la maskat e pinjollëve të tyre për t’i bërë homazhe hipokrizie në emër të demokracise dhe pushtetit? Ju patët guximin të shkruanit atëherë sa i qërruat sytë atyre që iu kapën e iu bënin hetuesi, hetuesi me ndjenjat tuaja, me mendimet dhe ëndrrat që më pas do t’i vaditnin me gjak. Si i pranoi toka trupat dhe shpirtrat tuaj? Si është e mundur që në shekullin XX të kishte mbi tokë të tilla bisha me fytyrë njeriu që, për fat të keq, i thërrisnin prokurorë, gjyqtarë të drejtsisë, ku në fakt ata ishin misionarë arkivolesh të ndjenjës njerëzore, të shpirtit demokrat, të lirisë së mendimit dhe të dashurisë për jetën? Si është e mundur që njerëz të tillë të firmosin vdekjen e rinisë dhe të intelektit të kombit të tyre, të atij intelekti që duhet t’i printe shoqërisë shqiptare? Në fakt sot janë po ata, po ajo pjellë e tyre që del në podium dhe salla akademikësh duke folur për lirinë, demokracinë, shkencën, ekonominë, ku gjysma e popullit vuan për bukën e gojës. Këtë kërkuat dhe ju atëherë, miq të mire, që ky vend mos kishte të varfër, të mos kishte të lënduar, të mos kishte të shfrytëzuar. Vetëm një zot e di se si ju dhe bashkë me ju të gjithë ne, si shtresë e persekutuar, duruam ato dhimbje, duruam ato duke qenë të prangosur e të brengosur që atdheu kishte marrë drejtimin për nga humnera komuniste. Sot në jemi gjallë për të dëshmuar qëndresën tuaj ndaj torturave, ndaj personit dhe kërcënimit, për të dënuar deri në pikën e fundit të jetës ku ëndrrat do t’i vadisnin me gjak. Po jo vetëm ëndrrat. Duke iu vrarë juve u vra dhe shpirti i artistit, i shkrimtarit, i gjuhëtarit, shpirti që donte që liria të mos matej me metra katror po me qiell! Zhgënjimi dhe përplasja e duarve të tyre për Europën e bashkuar, ku për fat të keq si përfaqësues të vendit tonë janë po ata ose më saktë parimet e tyre, që në një sistem tjetër i kanë kthyer në ligje. Ligje që vijnë me ca europianë dhe që këtij populli të traumatizuar ia shesin si konsultë me komisionin e e Venecias, por që në fakt e kanë zhytur vendin në mjerim dhe krim. Të gjithë këto 25 vite janë torturë që nuk durohet, torturë demokratike që jetën nuk po na e merr me plumb si ju, por dalë ngadalë, për të qënë dëshmitarë se fara e keqe ka mbetur thellë në këtë vend. Nuk dua të bëj moralistin, por unë i kam zili ata që humbën jetën në këneta, kanale dhe miniera dhe ju që u vratë nga plumbat e bishave të komunizmit. Ju kam zili sepse ju mbaruat ëndrrën shpejt, ndërsa ne vërtet nuk po vritemi vetë po shohim sesi zgjat vrasja e një ëndrre të një populli. Kemi parë me sytë tanë se si janë shitur vajzat tona në Europë, në ato vende nga presim të marrim shembull humanizmi dhe drejtësie, kemi parë se si trupi dhe nderi i tyre vlen pak dollare. Kemi parë dhe po shohim madje më shumë se si prokurorë dhe gjyqtarë vrasin jo me plumba por me vendime, vrasin jo me urdhër por me seanca “demokratike”, ku kandari i drejtsisë është bërë më i frikshëm se arma e kallashnikovit. Kemi parë dhe po shohim sesi masakrohet një shoqëri, sesi masakrohet një gjuhë, një shpirt që në fakt ju e deshët aq shumë dhe jatë jetën. Vëllezër, ju nuk e dini ose e shihni dhe nuk na vini dot në ndihmë. Sa shumë na kanë lodhur dhe plakur duke na mashtruar, përçarë, madje këtë të fundit më mirë se paraardhësit e tyre. Na kanë bërë  të shohim njëri -tjetrin si armiq deri te vëllai vëllanë. Po vëllezër ju u vratë për një ideal, për një ëndërr, për një sistem që nuk e deshët, ndërsa sot vritet vëllai me vëllain për një pëllëmbë tokë, për një vijë uji. Kjo është demokracia që ne po jetojmë. Kjo në fakt është vdekja jonë për së gjalli. Sot nuk vriten për fjalë apo për poezi si ju, sot vritesh po kërkove pronat e tua, trashëgimëninë brez pas brezi, pasi prokurori apo gjyqtari zbaton ligjet nën kujdesin e rreptë të komisionit të Venecias. Sot ka shumë makina dhe këto i solli demokracia, por ata më shumë se fytyra e demokracisë janë kthyer në fytyrën e krimit, transportojnë tritol; ato më të bukurat mbajnë kriminelë Brenda, ato më të shtrenjtat të shtypin dhe në këtë rast qëllojnë vetëm fukarenjtë dhe aq më shumë që në mungesë të katilave që iu vranë juve, sot të detyrojnë të vetvritesh, të digjesh i gjallë në mes të kryeqytetit që kërkon të jetë pjesë e Europës. Po po, besojeni si Lirak Bejko. Lartësitë e këtij vendi që duken luks demokracie janë kthyer në trekëndësha të vdekjes në podium ku poshtë atij luksi qëndron arkivoli i njerzëve të zhytur në dëshpërim. Varfëria dhe problemet sociale po shkatërrojnë familjet, ligji antikombëtar i pronës i miratuar me konsensusin e famshëm PD-PS, ligji 7501, jo vetëm po vret njerëz, po pronën tonë të shenjtë po e degdisin kanaleve të grekëve dhe serbëve. Njerëz anonimë me interesa të shitura janë sot pronarët e pronave të shqiptarëve. Vëllezer ju nuk i keni kaluar këto mynxyra të post komunizmit europian. Ata na kanë lënë pa fshat, pa atdhe, pa varret e të parëve tanë. Kemi 4000 vëllezër të vrarë nga 1943-1944, por më makabria kriminelët që vrisnin pa gjyqe jo vetëm që nuk janë penduar, jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje, por nuk tregojnë as groposjet për të qarë kockat e atyre që në shumicën e rasteve i kanë bërë grabitqarë mbi sipërfaqen e tokës. Ju ndoshta nuk e besoni, po edhe të vdekur na urrejnë, u dhembin sytë, duhan të na mohojnë jo vetëm gjenezën tonë, por dhe atë që donim të sillnim në këtë vend. Por jo vetëm kaq. Ligji 7501 është ndryshuar deri tani 18. Jo për ne jo, popër interesat e tyre. Së fundmi nxorën një tjetër ligj që edhe pse ke pasur sipërfaqe të mëdha toke të trashëguar, këta të dëmshpërblejnë vetëm më 300 m2. Qesharakja me çmimin e vitit 1945 jo me flori si e kanë blerë të parët tanë, po me letër. Mashtrimi i madh jo vetëm për ne, por edhe për ekspertët e Europës që po e gjejën gjuhën me këtë popull që deshën ta linin pa komb dhe pa atdhe; edhe atje ka pinjollë, ka trashëgimtarë bishash, mashtrues të korruptuar, vrasës, hipokritë, por për fat të keq të gjithë kanë qëlluar konsulentët tanë, ekspertët e këtij vendi që po kërkon të futet ne familjen europiane. Këtu po vdes shpresa, këtu edhe ata që dijnë heshtin, këtu dhe ata që shohin padrejtësi nuk guxojnë. Mjerë ne çfarë po shohim. Ju guxuat dhe patët kurajon të demaskonit sistemin me fjalë dhe ato qenë më të rënda dhe më të forta se plumbat që ata derdhën në trupat tuaj. Tani nuk ka vëllezër të asaj bote. Po ju shkruaj sot jo për t’u kujtuar juve, ju nuk do të harroheni kurrë nga njerëzit kuptohet se nga pushteti nuk japim garanci. Jo jo, mos ma merrni për keq këtë letër. Po ju shkruaj sot për t’u thënë se kemi nevojë për këshillën tuaj, se nuk dimë çfarë të bëjmë. Të jetojmë duke ju kujtuar ju apo të vdesin për të mos parë se si po vazhdon ekzekutimi i ëndrrës suaj për një tjetër jetë me liri dhe demokraci. Sot mund t’u themi që ne nuk e harrojmë kurrë vepren tuaj, madje ajo po na jep forcë të jetojmë me shpresën se kur te vijmë aty tek ju tu themi se ëndrra juaj nuk është më e tillë, ajo është realitet. Ndaj kemi frikë të vijmë dhe jo se na dhimset jeta. E vetmja gjë që mund të bëjmë të themi ty Genc e ty Vilson se janë të mallkuar ata që iu dërguan para plumbit. Ata që iu qëlluan dhe që menduan se gjaku juaj do të pushonte shpejt së ekzistuari, ne na ka mbetur në fakt vetëm mallkimi. Mos na i vini re se kaq kemi në dorë. Sot nuk na vrasin si juve. Sot ka metoda të tjera, ka fjalë të tjera. Sot po na vrasin jo në emër të internimit, të dënimit, të burgosjes. Jo jo. Kemi fjalën e bukur tani demokratike, vrasje në emër të integrimit dhe për këtë po kujdeset Europa që heshti kur ju vranë ju.

* Dergoi per Diellin : Cerciz Loloci

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe Genc Lekës, Hysen Haxhija, leter, Vilson Blloshmit

Joe Biden: Armët e sulmit dhe ekspoziven ndaluar nga zotërimi civil

June 20, 2016 by dgreca

Mesazh i Zv/presidentit Joe Biden për mbështetësit e kufizimit të armëve sulmuese/

 Përktheu për “Diellin”, Herion Kërcelli/

Më datën 17 qershor, Zëvendës Presidenti Joe Biden i dërgoi këtë mesazh personave që, në dijeni të sulmit tragjik në Orlando, firmosën një peticion ku thuhej:- Ne qytetarët e thjeshtë i drejtohemi qeverisë që të ndalojë armët e sulmit tip Ar-15 nga përdorimi civil. Më poshtë Zoti Biden shkruan: “Presidenti dhe unë jemi dakort me ju. Armët e sulmit dhe ekspozivet e kapacitetit të lartë duhet ndaluar nga zotërimi civil.” Ndaj në qoftë se je dakort, regjistrohu që të bashkohesh me peticionin mbi ndalimin e armëve të sulmit.

Për disa vjet të shkuara në historinë e kombit tonë, ne kemi parë se si gjuajtjet tmerruese të reja dhe më vdekjeprurse kanë zëvendësuar ato të mëparshme .Ne kemi paguar fushatë pas fushate që të kthejmë hidhërimin tonë në veprim dhe cdo kohë mendojmë mbase, vetëm mbase. Kjo do të thotë që keqbërsësi  depërton e vepron. Kjo nismë do të jetë ajo që arrin në Kongres, që duhet të kthehet në veprim . Ne kemi përdorur fraza si, tani është koha! Ndalo dhunën e Armëve! Kjo nuk mjafton.

Qytetarë, mjaft ka qënë mjaft për një kohë të gjatë!

Ju e dini atë. Të Hënën, ishit në dijeni të sulmit më të fundit, më vdekjeprurës, masiv, ndaj ju filluat këtë peticion. Ju punuat bashkë, duke ju drejtuar qeverisë suaj, që të ndalojë armët e tipit AR-15 nga zotërimi civil. Në ditët që vijojnë , ne kemi anëtarë të Senatit të Shteteve të Bashkuara  që do marrin vendim për të kufizuar këto armë, ti mbajnë në nivelin më të ulët. Të bëjmë më në fund disa ndryshime, për të parandaluar një tragjedi më të madhe se kjo. Ndaj iniciatorëve dhe ata që firmosën këtë peticion, dua tu them sa më hapur dhe më qartë sa mundem: Presidenti dhe unë jemi dakort me ju. Armët e sulmit dhe eksplozivët duhen ndaluar nga zotërimi civil. Kur një bandit i vetëm kaloi brenda një teatri Century(Shekulli) në Aurora, Kolorado, ai mbajti një Smith & Wesson M&P 15 – një variacion i pushkës AR-15 – i modifikuar që të mbajë aq shumë sa 100 plumba. Ai e përdori  për të vrarë  12 njerëz dhe të plagosë 70. Dhe kur një bandit i vetëm kaloi  brenda Shkollës Fillore “Sandy Hook” ne Newtown, Connecticut, ai mbante një Bushmaster XM 15 – një tjetër version i AR-15 – me kapacitetit të lartë e të shumëfishtë. Ai e përdori atë për të vrarë 20 fëmijë të pafajshëm dhe gjashtë arsimtarë, me 154 plumba në pesë minuta.Një person i vetëm vrau aq shumë njerëz në vetëm disa minuta. Jo, në një zonë lufte. Këtu në Amerikë – në një klasë. Këto armë kanë qënë përdorur për të bërë akte tmerruese.  Ato janë quajtur “makinat vrasëse perfekte.” Ato hedhin plumba me një shpejtësi të pabesueshme, të cilët  kalojnë  mids trupave dhe shkaktojnë kërdi shkatërruese, mund të zhvillojnë qitje me shpejtësi  të lartë, deri në 45 raunde për minutë. Ne kemi parë rezultatet tragjike të tyre, të humbin jetë njerëzish të pafajshëm, mijëra të  tjerë të plagosur, duke u përpjekur të shërohen. Sic mësuam  këtë javë nga familja e shpikësit, ai vetë nuk synonte që kjo armë të përdorej nga civilët, vetëm nga ushtarët tanë në luftë – duke i dhënë atyre një avantazh mbi AK-47. Ai nuk posedonte një të tillë vetë.  Ja  cfarë tha familja e tij:

“Ne mendojmë se ai do të ketë qënë i tmerruar dhe i sëmurë si ndokush tjetër, në qoftë se do kishte parë këto ngjarje.”

Tani, këto armë janë mbi dollape, në dyqane armësh rreth shtetit, plotësisht të ligjshme për civilët që ti blejnë. Ata kanë blerë në një kohë prej thjesht minutash. Kjo  nuk duhet të jetë kështu. Këtu është një fillim: Ne duhet të rivendosim ndalimin e armëve të sulmit që Kongresi kaloi në 1994 – por që i mbaroi afati dhjetë vjet më vonë. Ky vendim mbuloi 19 armë specifike të stilit të sulmit, që përfshijnë në një faturë krime të përgjithshme dhe ndalojnë së bashku tre pjesë të legjislacionit. Unë e mbaj mend mirë. Unë isha Kryetar i Komitetit Gjyqësor të Senatit në atë kohë. Unë shkruajta shumë për këtë faturë dhe ja drejtova atë drejt Kongresit – me ndihmën e shumë të tjerëve, vecanërisht Senatori Feinstein, për ndalimin e armëve të sulmit. Unë paraqita argument bindëse në favor të ndalimit të këtyre armëve. Cfarë është më tepër, 46 Republikanë të Shtëpisë votuan për atë ndalim në 1994. Pra, dyzet e gjashtë. Po cfarë ndodhi me atë faturë? Që të përdorësh një term legjislativ paksa punëtor, ai kishte “perënduar.”  Kjo do të thotë që kjo faturë erdhi me një datë mbarimi: Dhjetë vjet pas atij miratim ligji, atij do ti duhej të rinovohej. Nën Presidencën  Bush dhe një Kongres Republikan, fatura skadoi. Dhe ajo nuk është rinovuar që atëhere. Por rinovimi i ligjit për ndalimin e armëve të sulmit nuk është e vetmja gjë.  Kongresi duhet të bëjë më shumë që të pengojë tragjeditë nga dhuna e armëve në shtetin tonë. Kjo, do të kërkonte që cdo blerës të miratojë një verifikim dokumentacioni përpara se të marrë një armë,  të sigurohemi që armë të rrezikshme të mos përfundojnë në duart e kriminelëve ose njerëz të tjerë që kanë qënë  të ndaluar nga posedimi i tyre. Mund të pengojë njerëzit që janë të dyshuar të kenë lidhje me terroristët dhe nuk mund të hipin në një aeroplan nga blerja e e armëve të luftës. Është thjesht mendim praktik. Mund të sigurojmë që abuzuesit vendas nuk mund të shkojnë  në dyqan që të blejnë një armë, të shkelin ligjin e të lenë shumë viktima të pafajshme të vdekur. Mund të mbarojë kjo ngricë mbi kërkimin e dhunës së armëve. Kështu ekspertët e shëndetit publik mund të mbledhin informacion dhe fakte për strategjitë që të merren me këtë epidemi. Dhe mund tu japin zyrtarëve të forcimit të ligjit mjetet dhe burimet.  Presidenti kërkoi në propozimin e tij. Kështu ata mund të marrin kriminelë të rrezikshëm jashtë rrugëve dhe të  forcojë ligjet tona të armëve. Administrata jonë ka bërë cfarë mundet në kaq shumë qytete, qarke, dhe shtete.

Tani është Kongresi që duhet të bëjë detyrën e tij.

Ata do të kenë një mundësi të mirë këtë të Hënë, kur Senati është vendosur të votojë për një numër të masave të sigurisë të armëve të ndryshme,  vota që ndodhin pas obstruksionistit 15-orë, gjatë të cilit një seri prej senatorëve demokratë refuzuan ta dorëzojnë në seancën e  fundit. Ndër masat që ata do të votojnë është fakti që ndonjë person që është në  listën e  investigimit të terroristëve, ka  mundësi të blejë armë dhe eksplozivë legalisht. Ata do të adresojnë kërkesat e dokumentacionit të ndalimit për blerës së armëve sulmuese.  Përpara  atij votimi, ne do të donim të ftonim ju, të bashkoheni me një thirrje të Hënën në 1:00 mbasdite ET për firmuesit, që  Ne Populli me Valerie Jarret do të vazhdojmë që si qytetarë të  diskutojmë së bashku këtë cështje. Le ta dimë se, ne do të bashkohemi  këtu, për pyetje, sqarime ose cështje ju do të donit të dëgjohen  nga ne për këtë peticion. Unë ju inkurajoj që të keni vëmendjen ndaj votave të Hënën. Informohuni për këtë cështje, përdorni zërin tuaj , mos lejoni që të nënvlehtësoheni.  Sepse ju nuk jeni vetëm për njohjen e problemit, por duhen hapa konkretë, të pajtueshëm me Amendamentin  e Dytë – që do të mbajë fëmijët dhe komunitetet tona të sigurtë. Këtu shohim se kush tjetër është dakort me ju: Departmenti i Drejtësisë, Qindra prej Senatorëve të Shteteve të Bashkuara, Liderë besimi, zyrtarë të forcimit të ligjit, biznese përgjegjës dhe Ekspertë të shëndetit publil. Sigurisht dhe shumica e gjerë e popullit Amerikan, duke përfshirë shumicën e  poseduesve të armëve në shtetin tonë.  Marrja e hapave të veprimit praktik do të zvogëlojë dhunën e armëve, krijon potencial që të shpëtojë  jetë,  ndaj  ja vlen të bëhet. Por, ka potencial për të shpëtuar më shumë se kaq. Ju e dini. Është zëri juaj. Kjo ka rëndësi. Por dhe fakti që ne kemi tre degë të ndara, por të barabarta të një qeverie për këtë qëllim.  Kështu,  do të flasim drejtpërdrejti me ata anëtarë të Kongresit që, në dijeni të vrasjes të këtyre  ditëve,  nga më tmerruese për qytetarët tanë, mund të konsiderojmë  arritjen dhe mbylljen e kësaj cështje një herë e për gjithmonë. Unë  do të doja t’ju kujtoja juve se, kjo nuk do të ndalojë vetë. Nuk do të ndalojë. Në tre vjet e gjysmë që prej Newtown, kanë qënë të paktën 1,002 gjuajtje masive në këtë shtet. Të paktën 1,135 njerëz të vrarë, dhe 3,953 të plagosur. Ajo përfshin 49 të vrarë dhe 53 të plagosur në Orlando.

Ju e ndjeni në zemrën tuaj që kjo është gjëja e duhur pë tu bërë. Ju e dini që këmbëngulja dhe veprimi juaj ka potencial të krijojë një efekt domino. Kijeni guximin ta bëni atë.

E kemi bërë më përpara. Ne mund ta bëjmë përsëri.

Mbarojeni këtë.

Joe

Zëvendës Presidenti Joseph Biden

Shtëpia e Bardhë

Përktheu për “Diellin”, Herion Kërcelli

Filed Under: ESSE Tagged With: Armët e sulmit, dhe ekspoziven ndaluar, Herion Kercelli, Joe Biden, nga zotërimi civil

Kujtojme Mark Gjomarkajn me rastin e 70-vjetorit te vdekjes

June 14, 2016 by dgreca

Gazeta “Dielli” ju paraqet lexueseve artikullin e Tahir Kolgjinit njerre nga “Lajmtari i të Mërguemit”, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15./

Nga Tahir Kolgjini: Edhe nji herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn/

Në Foto: Mark Gjonmarkaj/

Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikuër ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë, i ndiemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cillësinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë për ‘tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.

Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipni të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qellim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në kët mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm, të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botënore. E kemi për detyrë . . .

Sidomos për Markun, sado qi të jetë shkrue, ato, nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej, edhe unë, tue u mundue me tregue dishka për kët HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesave të mij të dashtun.

***

Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëhere, kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeta, nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Itali. Rasësisht u përshndeta me ‘tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e percjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qellim qi të përbâj nji mendim, fillova me ‘tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tija, ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëhere, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për kët student të ri se, si djalosh i njij derës së mirë, do të mbërrije në gjendje me i shërbyem Shqipnis në kohën e ardhshme.

Aj, qè nji student shqiptar vërtetë idealist.

***

Ma vonë, Markun e shoh si Nenminister i Punëve të Mbrendshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeverija e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje.

Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për ‘tê, atëherë kur ishte student.

Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsije, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun randësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjendja delikate e kohës.

Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipni, ate nuk e lakonte kurrgjâ në kët botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje.

Mâ vonë, me dorëhjekjen e qeveris së Mustafa Krujës, aj, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italis në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvendin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalista të shquem, me qellim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeveri.

Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj, me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msymje, ose kërcnim. Në ket mënyrë aj, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjendje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.

***

Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depertue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeveris pat fillue me u tronditun keqas. Unë, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi enè i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakeve anglo-amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm dhe disa të vramë. Ata, qi tepruen, mbërritën në Shkodër. Unë shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku, ishte në Shkodër.

Si dihet, në Shkodër, aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylqe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj, ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qellim me ndalue hymjen e komunistave në kët pllambë të fundit të tokës shqiptare, për me mund me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonjij force anglo-amerikane në Shqipni, ose në ndonji vend në zonën e Shkodrës.

Kapidan Gjoni, më njofton se, mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësije në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se, jam drejtue për në Gjermani dhe se mbrenda javës, bashkë me dy oficera gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.

-“Or Tahir,” më thotë, Kapidani , “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.”

Mbi këte, dhe unë, e pranova kët detyrë. Njeriu, vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimnije. E si u pashë edhe me Sylqe Beg Bushatin, mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.

***

Ndërsa, lufta, vazhdonte me vrull në Merditë dhe aty këtu derdhas në malsinat tjera të Shqipnís, Markut i bâj kët propozim:

-«Thika, ka hasun n’asht. Komunizmi, nuk mund t’asgjâsohet me mâsa gjysake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të requizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue iu dhânun nji afat të shkurtë. Kush nuk e ep shumën e kërkueme mbrenda afatit të caktuam,… në litar!… Armë ka. Me nga njimijë frank në muej, të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufinin grek. Me krijimin e njij qeverije kombtare, ka gjasë qi të zbarkoje ndonji njisi anglo-amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjendja, t’interesuemve iu paguen pasunin e requizueme.»

«Fitimi, âsht i yni, mbassi komunizmi jugosllav dhe grek, nuk janë në gjendje me iu ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këte, të supozojmë se, nuk mundëm me ia mbërrijtun këtij caku, atëhere, me të tanë kët fuqí, po e çajmë me pushkë; po hyjmë në Greki dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t.»

I ndiemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. Ia hapëm Kapidan Gjonit. Dhe aj, e pranoi. Mirëpo, kur ia parashtruem Sylqe Begit, aj, nuk u tregue d’akord, mbassi natyra e tij, nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.

Prandej, dhe kjo mâsë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.

***

Rrethi, për dit e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 Nanduer, 1944. Hangrëm darkë. Tjerët, shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe unë e Marku, në skajet e ngushta të tavolinës, skundrejt njani tjetrit. Në kët rasë, Marku , më drejtohet :

-“Or Tahir, duhet të përgaditesh se, Ti, do të dalish nesër bashkë me babën.”

-“Për ku, or Mark?”

-“Për ku t’a ketë shkrue, Zoti. Nji herë, për Gjermani. Baba, mbassi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i ap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane, qi ritirohet.”

-“Na, mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi; e pra, edhe Ti; ose duhet të qendrojmë të gjithë bashkë, si ç’jemi.”

– Baba, âsht i vjetër; prandej, nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shum i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej, duhet të largohesh. Sa për mue, unë, jam djali mâ i madhi i Kapidanit të Merditës. Randimi kryesuer, peshon mbi mue, sepse, kam qenë i ngarkuem me autoritet. Mandej, kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë qi unë, të largohem nga Shqipnija, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po te vdes unë, dera e Kapidanit të Merditës, rron. Prandej, unë, do të qendroj në malet e Shqipnis.”

Dhe si i mallëngjyem, Marku, vazhdoi:

-”E dij. Do të jetë e pamundun me qendrue n’aratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem; por, s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnija, dikuër, në nji menyrë, ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj udhë të mbarë.”

Marku, kur shprehte fjalinat e fundit, iu rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Unë, nuk pata gjâ me shtue, mbasi aj, parapëlqei rrugën e burrënís shqiptare.

Me 24 Nanduer, 1944 në mëngjes, u hallatosëm me te dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lam Shkodrën, tue mârrun rrugën e aratís.

Karakteristika, qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve tjerë, âsht kjo: Aj, qendroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e tjerët, qendruen për të shpëtue.

***

Sigurisht, disa burra nacionalista, do të kenë mbajtun shenime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Unë, këtu, shkurtimisht         po shenoj disa pika kryesore, për hirë të historis kombtare:

Marku, me 26 Nanduer, 1944, e le’ Shkodrën, tue pasun me vehte nji fuqi të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qenë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e aratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqije, i dahet. Me fuqín, qi i mbetet, aj, vazhdon udhën nepër vende të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cillat, ishin vumë nga nji pjesë e popullit, qi e kishte mashtrue komunizmi. Lemisht, në këto ndeshje, derdhet shum gjak prej dy palëve. Për kët shkak, Marku, vendosë qi forcat, aty për aty, të shpërdahen andej -këndej, ku t’a gjykojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet regullisht medis tyne. Dhe vetë, me disa shokë, kalon në Merditë.

Gjatë kohës, qi Marku, qendron n’aratí, krijon nji organizatë kombtare, ecilla, shtrihet, thuejse, gadi në krejt Shqipnín. Mirëpo, dhe kjo, mjerisht, dështon, për shkak se, nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para datës së caktueme.

Kësaj here, Tirana, vendosë me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje, qi zhvillohet në vendin e quejtun -Prosek të Merditës – me datën 13-6-1946, plagoset randë. Dhe me 14-6-1946 n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me iu dorëzue i gjallë komunistave.

***

Mbas vetëvrasjes, forcat komuniste, trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvaritun e tue shkelmue.

Kjo sjellje banale, në vetvehte, tregon se, komunizmi, âsht nji shfaqje kundërnjerzore

Nacionalizmi shqiptar, nuk do t’i harroje kurr dëshmorët e vet.

Hiri i Zotit, qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shenjtë.

*Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, nr.12, Vt.7, Korrik 1976, fq.11-15

Filed Under: ESSE Tagged With: e 70-vjetorit te vdekjes, Kujtojme, Mark Gjomarkajn me rastin, Tahir Kolgjini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 363
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT