• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FASLLI HALITI: SHPIRTI I POETIT SI ARË E PUNUAR…

April 2, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/

Mos më shiko nga duart për ndonjë dhuratë, / Dhurata më e bukur e duarve – / Shtrëngimi. Ai recitoi me mërmërimë vargjet e tij, sikur të kujtonte një këngë të vjetër. Dhe unë po e shihja me vëmendje në sy. M’u bë sikur donte të thoshte diçka tjetër, por kësaj dite këto tre vargje do të luanin ndikim të madh tek unë. Shtrëngova duart me Faslliun dhe bëra të largohesha. Ai ende ruante kryqëzimin. Më erdhën ndërmend vargjet e tij befasuese, ala Majakovsk, ku edhe britma më e ulët sociale merr vetiu tone mjaft të larta. Dhe nisa të meditoj me vargjet e tij. Diku lexoja: Mos bëj turpe, / Ruaje nderin e burrit si burrë! / Ne do të plakemi një ditë, / Por «turpi dhe nderi nuk plaken kurrë». Vërtet turpi dhe nderi nuk plaken kurrë. Antipod të njëri-tjetrit dhe midis tyre duarshtrëngimi. Ndoshta gjërat e thjeshta dhe vetëm pse na duken të këtilla (të thjeshta) e kanë fajin që na e ngarkojnë kot jetën ose na e zbukurojnë me madhështinë që fitojnë. Më duken se vargjet marrin vetiu pamjen e lartësuar të njeriut, fitojnë një prarim të epërm dhe gurgullojnë me hijeshi. Është aftësia e vargut që të fut në ngasje të tjetërfarta, është edhe mrekullia e poezisë që endet si frymë qiellore midis njerëzve të dashuruar. Dhe në një brendësi fatlume ato bëhen shpirti i poetit, një shpirt i trazuar qoftë edhe vetëm për një fjalë goje, apo për udhën e grunjtë të qumështit.

E kërkon miqësisht nderin Faslli Haliti, një tetëdhjetëvjeçar që ecën si djalë i ri, e kërkon dhe me ngulm. Ja, edhe vetëm me një fjalë ai thur një varg që rri si gur i veçuar metaforik brenda ngrehinës së figurës. Sepse figurat e tij perceptohen të gjalla, të lëvizshme, pa u ënjtur të mëshojë në fryrjen e fjalëve, të cilat kërthndezin vetiu, japin alarm, ngrenë të tjerë për t’u bashkuar me ty, ulërijnë, ruajnë prushin që u duhet më vonë, mërmërijnë pastaj çuditërisht, përplas në buzë një melodi që e cilëson prej fushe. Dhe ty, kushdoqofsh, të vjen t’ia shtrëngosh dorën kujtdo që del përpara, herë duke t’u dridhur buza, herë me madhështi të përbashkët. Dhe sheh si vegim poetin që largohet tej, në arat e lëna djerr të Myzeqesë, të cilat pas një harrese të gjatë sërish kanë filluar të punohen…

Topat e borës ishin premtime të bardha, / Të qeshurat, britmat gazmore. Qesha me vete. Një lirizëm i hollë, sikur të ecte në një tra ekuilibri të ëndërrt. Janë vlerat që pikojnë nga shpirti i një poeti të angazhuar dhe të qelqët njëherësh. Dhe thua me vete se gjërat fillojnë edhe nga një syth mendimi që çel vetiu ose duke ecur rrugëve, ose nga një trill i ardhur befas. Kjo i ndodhte shpesh Faslli Halitit duke shëtitur fushës, dhe nuk zuri mend nga kjo shëtitje e munguar. Se në fushën e tij të gjerë kishte dhe ka lule. Shtëpitë e fushës janë të përmbytura në lule. Pa ngrënë mund të mbeteshin, por pa lule kurrsesi. Dhe lulet binin si yje e si meteorë përmbi fushë. Ah, poezia e kishte fajin! Andralla, gëzim, marrjemendsh, budallallëqe, të flasësh me vete, të të fanepsen puthje e magji, flokë të gjatë… Dhe Faslliu e vendosi: po, do t’i mbaj flokët të gjatë! Mirë mustaqet që s’më shkuan kurrë, por flokët e di që më shkojnë dhe unë do të kujdesem për to. Sikur të mundja, pëshpërit ngadalë dhe me një maturi që s’dihet si i erdhi për momentin, sikur të ndërtoja një pallat të mbushur me lule. Dhe aty do kalojnë vetëm të mirët mbi kurrizin tim dhe poeti mund të bëhet edhe urë edhe vig. Por, shton, sikur të banonte ndonjë njeri i lig do ta shembja në vend ose do t’ia mbushja thjesht me gjemba, me lule gjembi! Fusha dhe përfytyrimi për lulet! Aty në fushë nxirrej buka nga tepsia, dhe vendosej përmbys mbi hambarin e madh të fushës, në këmbët e pallatit të luleve. Dhe, o çudi, faqja e bukës me pika djerse mbuluar si balli i babait në arë. Aty para pallatit magjik me lule fushe. Ah, lulet e fushës, s’ka ngashënjim më të hareshëm se ato!…

Fushëtirë që nuk mbaron. Bluja dhe e kuqja si një akuarel (akuarelet e të birit, Helidonit, Donit pra,  nuk i heq nga goja, me ngjyra që treten si qiqërimë mjegulle me njëra-tjetrën, duken sikur bien me rrëmbim e madje me rrokopujë teposhtë, aty ku duan të mbërthejnë prenë e mendimit, ndjekur nga një ushtri e pafundme fjalësh. Fjalët e Faslli Halitit!  Madhështi.

Fjala ngroh, zgjati duart! Fjala ftoh, atëherë vërua etheve si leckë me uthull në ballë! Fjala vret, e pra, vëri asaj siguresën pushkës! Fjalët shërojnë, kështu po lyejmë plagët me to! O Zot i madh! Fjala me vend a nuk vihet në qoshe dhe ajo pa vend lihet pas derë, jashtë! Le të bredhë nëpër fushë, të kullosë bar… Fjala e pathënë ose jo e duhur edhe pritet, prandaj poeti i thyen thikat që nuk arrijnë t’i presin dot. Mendo: të presësh fjalë, apo t’i mprehësh ato. Mjafton një gur zjarrmi që i mpreh dhe fjalët lëshojnë shkëndija! Fjala ndalet, siç ndalet një lumë i harbuar dhe në këtë magji bëhet sfrat, bëhet digë. Por fjala e ndalur mund të bëhet pranga, burg, qeli. Atëherë shembe pritën që pengon! Dhe fjala ngrihet me fuqinë e madhe titanike dhe bëhet bereqet, ndoshta prandaj dhe mbillet në ugaret e fushës së gjerë (edhe të mendimit!). Ndaj dhe të urtët këshillojnë që fjala e kotë të mos mbillet, pa lëre pastaj kur na duhet ta tëharrim dhe fjalët bosh t’i hedhim aty ku e meritojnë! Le të vijnë pastaj djemtë me biçikleta dhe t’i mbledhin, sepse fabrika e fjalëve aty është dhe pret për t’i ricikluar! Miku im, fjala fluturon (fluturon more, nuk e kini parë?), ndaj ia lëshojnë frerin fjalës dhe ajo bën këmbë, ecën veri, ngrihet kas, hyn në gjeratore a në tornado, vrapon e vrapon pa u lodhur, pa fund. Ka njerëz që e mbajnë fjalën për dore! As këta nuk i kini parë? S’ka gjë, për to ka menduar Faslli Haliti. Kujdes, mos rrëzohet fjala! Mos plagoset e mjera! Brrrr! E tmerrshme, t’ia lidhësh plagët fjalës! Por më e tmerrshme është fjala që vret. Se, kot nuk thonë që fjala e rëndë e birit është si gozhdë ngulur gjirit! Më në fund fjala qet fjalën, si me grep, po edhe si punë artistike, si qëndisje, si ornament, si filigran… Kujdes me grepin e hedhur fjalëve! Vjen çasti dhe fjalën e merr era, prandaj, thotë poeti duhet ta ngarkojmë mirë me peshë mendimesh. Sepse çdo njëri prej nesh di të flasë, por s’di të hesht dhe fjala humbet funksionin, qëllimin, përditshmërinë… « I shpëtova plumbit / Më vrau një fjalë… / Dhimbja e saj po më kalb të gjallë!» – psherëtin poeti me një lloj mllefi.

Çfarë i mungonte poezisë? Ky njeri e pyet veten çdo çast: mos vallë i mungon tharmi domethënës i një gjëje të rrallë? Ndoshta. Edhe një ide e çmendur të shtyn në ngasje poetike, të bën përshtypje edhe e zakonshmja përveçuese të mbush me emocion. A mos është vallë mis­tika, e cila sigurisht të bën edhe poet? Mund të shohësh çdo çast Baba Tomorrin dhe të krenohesh. Mund t’i biesh ndër këmbë Dodonës Dimërkeqe e Famëmadhe dhe t’i thurësh lavdet e duhura. Afër është Ardenica, le të vemi aty. Të dy me Faslliun dhe të kundrojmë manastirin e famshëm. Tomori prej aty duket edhe më mirë. Më të bukur s’mund ta bënte vetë Zoti. Afreske. Bareliefe. Mure të punuar me fisnikëri. Gërvishtje të kohëve. Ndoshta edhe gjak mbi të kuqen. Deti aty vjen si fllad. Murgj. Priftërinj. Era ua ngre leshrat e thinjur deri te ligustrat. Nuk erdhi dot aty Tefta Tashko Koço? Si ishte e mundur? Papu Kozmai do të thoshte një liturgji, por poezia e Faslli Halitit e mbajti drejt në këmbë. Dy fëmijë fillojnë të recitojnë. Faslli Haliti emocionohet. Si ishte e mundur? Edhe këtu mund të merrje fjalët e bukura me shumicë, mund ta ngrije e të ulje tonalitet, mund të krijoje muzikalitet të rrallë, distikët e fjalëve t’i lartësoje në qiell. Në dritë duhej të dilnin fjalët, të cilat si në Amsterdam edhe në Myzeqe, që këtej nga manastiri i Ardenicës, do të ndriçohen si fjalët, krejt si në fotot e Gjon Milit. Ja, për një çast, mbyllini pak sytë… shikoji mirë, fjalë që të prekin me gishtat e tyre në trupin tënd, të ndjekin pas, bubullijnë  përbrenda manastirit dhe sheshit të tij, më në fund ja tek thonë: po, pikërisht kështu dashurohet…

«Po ti ike, moj nënë, thotë Faslli Haliti në këngën e tij që i buron vetiu, ç’pate për të thënë i the të gjitha… Kam edhe unë diçka për të thënë: nëse njeriu s’u ngopka me jetë, fëmija nuk ngopet me nënë…» E pashë tek ikte nëpër fushë dhe më bëhej sikur thoshte me vete: Eh, gjërat e vogla  sa  zhurmë që bëjnë, thashë… Farëhedhës i sinqertë për të fituar atë që u duhet fjalëve. Sapo e pa diellin dhe hedh farën e lisit. Lisat! Fjalë me ngarkesë poetike dhe poezia është gati të përleshet me rrufetë…! Sepse uji, miqtë e mi, ka etje për të shuar vetë etjen. Sepse buka edhe ajo ka uri vetëm e vetëm për të shuar urinë, ndërsa ajrit i merret fryma, dhe jep frymën. Gjë e rrallë. E vërteta është se edhe diellit i digjet balli, të japë ngrohtësi, të djersijë çelikun dhe… edhe akullin! Çudi! Edhe akullin! Eh, dihet temperatura e vdekjes. Para saj ka djersë… «Po unë, për

çfarë kam etje, për çfarë kam uri, përse më merret fryma vallë? Ç’e kam këtë temperaturë në ballë?» Dhe vjen përsëri nëna, të cilat, siç rënkon poeti, qofshim me shall të zi e me shami të bardhë, qofshin flokëjashta, moderne, sidoqofshin merakun  dhe dashurinë e kanë prej perle! Besojini Faslli Halitit. Ai nuk vuan nga fjalët e fshehta, nga një premtim fjale, nga tërbimi i fjalës, nga një kusht fjale, as nga mjalti i saj. Ai i tmerrohet fshehjes, mistikës detyruese…

Poeti zbret nga qielli dhe bëhet me këmbë në tokë: hëna pluskon kurdoherë në bardhësinë e një reje brenda një të verdhe veze, «dhe unë fëmija i dikurshëm qe kisha uri, zgjasja duart drejt vezës hënore.  Reflekse hëne haja ndër gishtat e mi netëve te dëborta dimërore…»

A piqet hëna në prushin e yjeve si misërnike e verdhë? A lëshon djersë buka e sapobërë? Dhe avujt e bukës me siguri përhapen në qiell. Mos harroni se në përfytyrimet e një fëmije uria është e vërteta e magjishme që e çon tek hëna, e verdha e vezës dhe misërnikja. Dhe vetiu kuptohet që fëmija do zgjasë duart, duke e ndjerë gjallë dëshirën për të thyer një copë nga misërnikja. Sepse, miku im (Faslliu më rreh shpatullat) hënën po e hanë netët, ditët, drita… Fëmija-poet mbetet me gisht në gojë!

Jeni të merakosur? Para «togës» së ekzekutimit fjala ka qenë e lidhur para një shkëmbi, por mund të jenë edhe para një bliri. Fjalët shohin majën e malit  Tomorr. Dhe poeti ngre lart tufën e fjalëve dhe i bie në gjunjë me gjuhë urtësie: Tomorr o sfidë qiejsh, i lartë si maja me dritë dhe fytyrë të ndritshme, ku edhe më e lartë dhe më sfiduese ngrihet forca e fjalës… Betim, betim premtues. Fjala u bë lis. Qindra,  mijëra gozhdë i ngulën (dhe i ngulin) fjalës (lisit) në trung. Metali në trup të Lisit e than këtë pemë fisnike. Po fjalën? Lisi i kalb gozhdët më në fund. Po fjala si? Kini dëgjuar t’i kalb gozhdët, vallë? Nuk e dimë. Jeta është e gjatë…

Sapo ndërhyn tek yjet, sapo merr një premtim, mendo premtim nga yjet e jo nga Njeriu, kushdo qoftë do të humbë tonelata dinjitet…!

Dua t’i shoh format, dimensionet, thërret poeti madhërishëm. Forma të holla si cipë vese, të amullta dhe e holla si hija e fjalës, si bisk i njomë, po edhe të krisura, të mbara, të kënduara gjer në dhembje zemre… E ç’na duhen format dhe dimensionet? Ja që na duhen, s’mund të vritet mendja edhe për to, edhe për dëshirat e skajshme që ta bëjnë zemrën gur, që të punojë me flukth dashurie, për ta mbajtur zemrën me dorë nën ritmin madhështor të Kohës, nën tiktakun dramatik të së nesërmes. Edhe ti, poet, bëj përpjekje t’i formosh në përmasën e duhur edhe fjalën edhe muzikën. Një arie e pasfiduar!…

E dëgjoja Faslliun dhe më mbyste habia. Kockë e fortë, sy shprehës, që ngjajnë nganjëherë si të menduar e që të ndjell mall, pastaj sërish e dëgjoja të këndonte. E mbath mirë fjalën, e duron kumbimin e saj dhe e bën përcjellës të përshtatshëm si bartës drite, dhe e sheh tek ecën tërë lezet, jo si hapat e një plaku… më e mira fare si sevdalli sikur t’i thoshte gjithë botës se njeriu kur plaket gati e ka flakën… dhe herë të tjera bëhet djalë i sajdisur, duke kthyer nga një kupë vere për orgjinë e zakonshme të fjalës… «Hapësirat poetike nuk dua t’i përshkoj me ultratinguj poetik, nuk dua të eci kuturu nëpër një terr poetik të zi. Duhet të ecësh nëpër dritë ti, si unë dhe jo unë errësirave si ti. Njeri! Nuk dua të hiqem si një filozof, si orakull. Por nuk i duroj ata poetë që kuakin si bretkosat nën akull.»

Madhërishëm tingëllon angazhimi lirik, i bukur si një kreshtë mali, i poetit: «Pasi m’i dëgjuan me vëmendje vargjet. Fshatarët më thanë se ti na fërkon shpatullat, si qeve… Na përkëdhel. Ne s’jemi as qe, as makinë… Unë u skuqa dhe e grisa në vend poezinë.»

Një të riu Faslli Haliti do t’i thoshte me zë të lartë: Poezia nuk ka kryeqytet, qytet, provincë,   lagje, periferi. Poezia ka vetëm një qendër. Poezia lind dhe banon vetëm në zemër! Prandaj poetit i duhet të ruhet nga korrentet! Se po mori ujë në zemrën fisnike poezia, a mund ta durojë pastaj kombi kollën tënde «poetike»?

Dhe kështu kërkohen karakteret: «Ndrit hëna me dritën fiktive, / Xixëllonja demonstron dritën e vet, / Përbrenda stralli lëviz xixat. / Ndonëse i qetë.»

Mëngjeseve të blerta të prillit ecën në këmbë Faslli Haliti. Dhe mediton i shqetësuar, sigurisht i shqetësuar. «Sa e lodhur po më dukesh, moj tokë, balli yt me vesë mbuluar  si  me djersë. Por mëngjesi me pëllëmbë diellore, vesën, moj tokë, ta fshiu nga balli, dhe djersa fillon e shkundet si petale nga çdo ballë punëtori, fshatari.» Ky është karakteri! Askush nuk ia ka dhënë kështu vlerën e duhur!»

Ja edhe një pamje tjetër e karakterit. «Ju jeni burra, / Mos e futni djalin e kryetarit klubeve, / Pastiçerive / Kafeneve. / Mos i jepni cigare me filtër, / Mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat. /

Mos e mësoni me birrë, / Me verë, / Konjak / Raki, / Mos i flitni për vajza, për nuse, fejesë, /

Ai është ende i ri. / Mos dilni me të pazarit përnatë, / Djali i kryetarit nuk është vaksinë, /

Nuk është tel përçues i tensionit të lartë…» Vërtet një skenë për ta pirë në kupë. Karakteri njerëzor ndërtohet edhe kështu, përpunohet si një shkallë të lartë e motivuar jo si traditë por si intelekt…

Më kapi në dorë. E, si thua? E la paksa mënjanë stilolapsin anash tavolinës dhe u ngrit duke vështruar jashtë. Një pyll i vërtetë me lisa, që të detyrojnë t’u përulesh. Forma e papërsëritshme e gjetheve me gjelbërim të spikatur nën pahun e një meditimi të jashtëzakonshëm me një si cipë tejdukshmërie. Mund t’i kenë lënë mendja miqtë e mi, poeti i këndon dritës dhe ju shpalos shpir­tin… di ta lërojë shpirtin, dhe një poet e di mirë këtë punë… Hera-herës ai bëhet plak i urtë, e ul edhe të qeshurën në pëllëmbë të dorës. Nganjëherë edhe të shastis, pëshpërit melodinë e njohur të fushës, gjithnjë shoqëruar me shumë gaz. Ja, për shembull, unë jam edhe piktor. (Qesh pak.) Jo, natyrisht jo i kalibrit të tim biri. I ke parë punimet e mia? Jo, s’i ke parë. Aty ndihet shpirti plot dallgë, si një arë e punuar. Dehesh nga aroma e dheut. De-he-sh! Ta dini prej meje. Aty është vera, qumështi i bukës dhe i jetës, bari, burimi i dritës dhe i ujit, zjarri, mendja e hollë, femra. Po, po, femra! E punon, e kthen përmbys, e sjell në afsh, i modelon trupin dhe ndjenjën e hollë dhe atë çast i ndjen tërë aromat e shpirtit, aty thëthin tingujt më të ëmbël në botë, kaq të bukur që s’i ke dëgjuar kurrë, pastaj ndizesh zjarr, e jep shpirtin dhe të mbetet në duar afshi i ndezur. Poeti këndon me fuqi perëndie për dashurinë që zjarri të mos fiket. Poeti merr në krahë gjindjen ngre afshin e arës së punuar në virtytet e njeriut, në shijen e puthjes… Vdesin burrat sigurisht, prandaj vdes dhe poeti, marrin një sy gjumë dhe pastaj çohen e këndojnë, por ama i flasin me zë të ngrohtë parajsës, i japin shenjë një marrëdhënieje të ngushtë me të, prandaj dhe s’ka më bukur… Poeti e ndien i pari ndryshimin jashtë dhe brenda vetes, duke zotëruar atë shqisë plus që të tjerët nuk e zotërojnë… Kjo shqisë është parfumi, delikatesa e jetës që kthehet në luks shpirtëror. Dhe kjo arrihet po zotërove femrën, jo në forcë, kurrsesi jo, por në shpirt! Dhe këtë ta jep madhështia e saj, të bëhet sikur zotëron aromën tjetër, të veçantën, atë të një trëndafili. Se femra, miku im, të merr mendjen, të deh, të mban përjetësisht të ngrohtë, ja si kjo arë e punuar që lëshon këtë avull të bukur e këndellës… Faslli Haliti  ecte në arën e punuar, i dehur nga poezia e tij.

 

Tiranë, më 13.02.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Halit, I: SHPIRTI I POETIT, SI ARË E PUNUAR..., Xhevair Lleshi

Jehonë sakrifice..

March 31, 2016 by dgreca

(Shpalesë kohësh të mëdha)/

Nga Rexhep Kasumaj- Berlin, mars 2016/

Në lektyrë e kujtesë Bruti i perandorisë më lucide të botës, njihet për “thikë pas shpine”, për trathti e besëpreje legjendare…Por në librin e Alexander Demandt “Atentati në histori”, do t’gjejmë, tashmë në gjurmët e një letre, dhe anën tjetër të profilit të tij historik.

Në muzgun e 13 korrikut të vitit të stuhishëm 1793, që i hidhte pëlhurën e mugët një dite të bukur parisiene, Charlotte de Corday, trokiste lehtë në portën e Jean Paul Marat -it. Ai, pasi dëgjoi zëra, kërkesë, ndalim, doli i turbulluar e u tha njerëzve të tij: lëreni të hyjë. Madje e shoqja do ta shoqëronte atë mikpritshëm deri në sallon. Vetëm ca minuta më vonë një nga prijësit shpirtëror (revista “Miku i popullit”, mandej Montanjar e Jakobin i zjarrtë) të Revolucionit francez mbeti i vrarë. U godit me thikë në zrmër nga mysafirja e largët. Ishte akuzuar, por rrjedhoi të mos ketë qenë autor i masakrës së shtatorit. Ndaj do shdërrohej në martir revolucioni dhe mbetjet e ti trupore do ekspozoheshin muaj me radhë në Panteon…

Krahas sulmit mbi Bastille-n dhe shkokëzimit të Lui-t të XVI-të, goditja e tij kje ngjarja tjetër madhore që shenjëzoi ndërgjegjen politike të kohës.

Megjithëse thuhet ta ketë atentuar pse admironte privilegjet fisnike, rekonstruimi i ngjarjes ngjan prorë mundimtar
dhe i errtë. Charlotte, njëmend, vinte nga një familje e epërme pronarësh toke të Normandisë. Veçse, njëherësh, në orën e arrestimit (katër ditë para se të gijotinohej) në çantën e saj gjendeshin broshurat e atij që posa i kish marrë jetën.

Në kapitullin e veçantë: “Dialektika e viktimës”, shpalosen fragmente impresive nga letra e sipërthënë, që s’arriti kurrë adresantin e vet. Ndërsa priste vdekjen, dorasja shkruante në burg se ndjehej çlirimtare e vërtetë ndanë “revolucionarëve gjakpirës” dhe se Marat- in universi vetë e kishte mallkuar. Ah, sa pak patriotë dhe sa popull i trishtë për të themeluar Republikën, vijonte ajo ankueshëm. Më pas, për të përligjur moralisht aktin e saj, evokonte Brutin e Romës antike që paskësh lënë të dënoheshin edhe fëmijët e tij sepse patën shpërfillur ligjet dhe interesat e  Atdheut.

Teksa shfletoja këtë libër të vyer, një reflektim mësimnxënës rrekej e kërkonte trollëzim. Por, sikur e ka vështirë të bëj vend në truallin arbnor..!

Filed Under: ESSE Tagged With: Jehonë sakrifice.., Rexhep Kasumaj

Nderim Halim Malokut, redaktorit, studiuesit e shkrimtarit

March 31, 2016 by dgreca

Nga Gëzim KABASHI/ Para disa ditësh shkoi qetësisht në moshën 76-vjeçare Halim Maloku. Ndërroi jetë pa zhurmë e bujë në Durrës, ashtu sikurse punoi për vite me radhë në fushën e kërkimeve arkivore, botimeve dhe të letërsisë. Punëtor i palodhur dhe redaktor mjaft i aftë, Halim Maloku do të kujtohet për veprimtarinë e veçantë në përgatitjen e botimit e ribotimit të veprave më të rëndësishme të Konicës, Gjergj Bubanit, “Fletorja zyrtare 1922-1944”, etj. Ai ishte një nga nismëtarët dhe themeluesit e botimeve “Dyrrah” e “Pavarsia”, ndërsa i dha jetë revistës për fëmijë e të rinj “Delfin D”. Halim Maloku vinte nga Kosova dhe për një kohë të gjatë ka jetuar në Shijak, aty ku ishin vendosur pas luftës së dytë botërore edhe kosovarë të tjerë. Pas shkollës 7-vjeçare dhe të mesme, Halimi diplomohet në degën Gjuhë – Letërsi të fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Mësues dhe drejtues shkollash i përkushtuar në zonën e Shijakut, në vitet 1990 ai së bashku me familjen do të transferohej në Durrës, aty ku u lidh ngushtësisht me punën kërkimore dhe botuese. Në bashkëpunim me studiuesin Hasan Ulqini themelon shoqatën “Pal Engjëlli” dhe pas disa guidave fillon botimin e revistës historiko-arkeologjike “Dyrrah”, me të cilën sjell optikën e autorëve vendas dhë të huaj për monumentet e Durrësit në antikitet dhe në mesjetë. Që nga viti 2007 Halimi boton krejtësisht i vetëm revistën e përmuajshme “Delfin D”, në 22 numrat e së cilës ndjehet pasioni dhe dëshira për të kontribuar në edukimin e nxënësve dhe të rinjve. Brenda pak vitesh dalin në dritë 6 romane dhe vëllime me tregime, që mbajnë firmën e tij. Puna si redaktor e lidh me autorë të ndryshëm të të gjitha moshave, ndërsa arkivat qëndrore dhe lokale formësojnë një tjetër tipar të tij, atë të studiuesit. Ai redakton vepra me rëndësi të autorëve durrsakë në fushën e letërsisë, studimeve dhe historisë. Së bashku me Fatmir Mingulin u kushton atyre botimin “Lexicon”, një fjalor bibliografik për krijuesit, gazetarët dhe artistët e qytetit antik. Në vitin 2012 fillon kolanën e botimeve “Pavarsia”, që mbetet kontributi i tij më i rëndësishëm në fushën e botimeve. Halim Maloku, me Shtëpinë Botuese DDS mundësuan përgatitjen për ribotim të të gjithë serisë me 11 vëllime të revistës “Albania”, nga 1897 deri më 1909, duke mbledhur kopjet origjinale të saj. Katër numrat e fundit pritet të dalin këto ditë nga shtypshkronja. Një punë e mbështetur në ribotimin autentik të veprës, njëlloj si edhe me “Fletorja zyrtare 1922 – 1944” dhe ribotimi i “Bibliographie Albanaise, du Quinzieme Siecle a l’Anne 1900”, një tjetër vepër me vlerë në dobi të kulturës sonë kombëtare”. Ribotimet sipas origjinalit vijnë pas bashkëpunimit me Qendrën për Koordinimin e Studimeve dhe Promovimit të Vlerave Kombëtare. Ismail Saliko drejtor i shtëpisë botuese DDS e kujton Halim Malokun, si një punëtor të palodhur dhe redaktor të klasit të parë.  “Edhe falë tij, në atë periudhë botonim 15-20 libra të rinj në vit”. Me shumë vlerë edhe kumtesat e tij në konferencat dhe sesionet me tema historike.Halim Maloku ishte një familjar mjaft  i mirë. Ne miqtë e tij, ndër të tjera, e sjellim në mend edhe për cigaren e pandarë nga buza, por edhe për shëtitjet e gjata me nipin, Klajdi dhe mbesën Oara, të cilët do ta kujtojnë po ashtu gjyshin e mirë, Halim Maloku

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Kabashi, Nderim Halim Malokut, redaktorit, studiuesit e shkrimtarit

“Miti i mbretit Likaon “

March 31, 2016 by dgreca

Nga Ëngjëll Luçi /

Të shkruash mbi mitet do të thotë të shkruash në gjithëkohësi dhe për gjithëkohësinë. Miti paraqet të kaluarën që po ashtu është dhe e tashme ! E tashmja gjendet në të shkuarën,  e madje aty duhet kërkuar dhe e ardhmja!  Miti është para së gjithash rikuptimësim , burim, fillese, esencë e gjithckaje!  Në mit zbulohet esenca e shpirtit të njeriut!

“Mitet janë bërë për të ndezur imagjinatën!” – shkruan A . Kamy tek “Miti i Sizifit” , në qendër të së cilit është personazhi mitologjik grek,  Sizifi,  i dënuar nga perënditë të ngjisë  vazhdimisht një gur në faqen e një mali.  Mitet shërbejnë si simbole, dhe si të tilla, konteksti në të cilin zgjedhim t’i vendosim mund të na ofrojë shumësi interpretimi, këtu qëndron esenca e tij universale dhe e pakohshme !

Mitet janë burime nga të cilat mund të nxjerrim shumë thesare,  e kështu ne mund të zbërthejmë çdo kod të jetës dhe botës që na rrethon , sepse ajo vetë ka këtë strukturë sa të ndërlikuar, po aq interesante. Ky është i vetmi çelës që na hap dyert drejt së vërtetës . E këtë kam tentuar edhe unë, duke gjetur si burim detin e thellë të mitologjisë pellazgo-ilire!

“Nata kishte kohë që kishte rënë. Një udhëtar kishte kohë që ecte. Ai hyri në çifligjet e mbretit të lig, ashtu nëpër baltë mezi gjente rrugën, sepse shiu që kishte rënë i pengonte shikimin. Iu afrua portës së madhe të kështjellës dhe filloi të trokiste fort, duke shpresuar se dikush do t’ia hapte. Porta u hap, një nga shërbëtorët e shoqëroi në dhomën e ngrohjes, atje ku mbreti i lig kishte qoshenë. Bardhak me verë u mbushën atë mbrëmje, dhe këmbanat ranë fuqishëm deri në mesnatë. Mbreti i dha mikut për të ngrënë e për të pirë, por mishi që i kishte servirur ishte i njërit prej shërbëtorëve të tij. Udhëtari i zgjuar nuk e kishte ngrënë dhe më në fund, duke ngritur një dolli, i tregoi mbretit të vërtetën se kush ishte … ai ishte Zeusi, vetë perëndia.  Më kot ishin lutjet që mbreti i bëri Zeusit të madh. Ashtu në gjunjë duke kërkuar falje për tërë ata njerëz që kishte ngrënë, ai filloi të dridhej duke qarë. Lotët dhe britmat e tij u përzienë me zërin gjëmues të Zeusit që mallkoi mbretin duke e shndrruar atë në një ujk. Ai e degëdisi atë të endej nëpër pyjet e fiseve të tij dhe matanë për t’u ushqyer me gjak vetëm gjatë netëve me hënë, sepse mëkatet që ai kishte bërë ishin të shumta, ndaj mbreti nuk mund të kishte vënd në këtë botë. E kështu që atëherë ai endet nëpër pyjet e netëve me hënë duke ulëritur si i marrë e duke ndjekur gjahun e tij për të marrë atë pak gjak që të mbijetojë, sepse ashtu ishte mallkimi që qenia të mos prehej as në këtë botë e as në tjetrën. Ai dikur ishte një mbret, emri i tij ishte Likaon!  Ai ishte mbreti i parë i fiseve pellazgo-ilire ! ”

Nuk dihet se sa javë ,muaj, vite e shekuj kanë kaluar që nga ai çast!  Mbretit vazhdoi t’i rëndojë ende mallkimi i Zeusit si barrë e rëndë mbi shpinë. Ai  vazhdoi të endej nëpër pyjet e netëve me hënë në kërkim të gjahut për atë pak gjak që të mbijetonte ,sepse i tillë ishte mallkimi!  Me kalimin e kohës , mbreti pësoi ndryshime të rëndësishme, u bë më njerëzor nga pamja, po aq i frikshëm nga egërsia dhe mizoria!  Ai evoloi. .. ai u bë unë!

Unë jam Likaoni, unë jam NJERIU!  Ajo çka më bën të mbijetoj nuk është më gjaku, por diçka më e këndshme për syrin… paraja, preja ime është pushteti!  Unë vras për para dhe pushtet ! Zeusi nuk është më i gjithëpushtetshmi në Olimp, as Olimpi nuk ekziston më aty ku ishte!  Olimpi është dikund tjetër tashmë, ai është shpirti im, ku Zeusi, zëri i brëndshëm dhe egoja, është zot i tij. Zëri i brëndshëm dhe egoja më shtyjnë përpara, më thonë mos ji i mëshirshëm … hm ky është po ai ndëshkim po aq i tmerrshëm!

Gjithçka që kam ndërtuar, shteti dhe organet e tij ,shoqeria … nuk janë veçse veglat e mia, pjella të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse më ndihmojnë të përmbush egon time , të vras për para dhe pushtet!  Kam gjykatat… shtëpi të padrejtësisë, ku secili që do të fitojë të drejtën e tij, duhet të hedhë “ca verdhushka ” ,kështu që edhe unë kënaqem!  Kam spitalet … shtëpi të sëmundjeve,  ku verdhushkat janë i vetmi opsion në do të dalësh i gjallë!  Po ashtu kam edhe institucionet e arsimit, shkollat e mesme dhe të larta … shtëpi të injorancës dhe matrapazërisë, ku edhe nxënësi apo studenti më i zotë duhet të shkarkojë në xhepin e pedagogut apo mësuesit “ca verdhushka” që të marrë një notë më të mirë në fund të vitit, apo një diplomë shpesh herë të pa vlerë e ta vari në mur si trofe ! Ky pra është shteti që unë kam … paguaj në do ta kesh mirë me mua!

Ah se për dreq harrova … kam edhe diçka tjetër, shoqerinë, veglën time më të frikshme!  Një dorë e shtrirë për ndihmë karshi saj, konsiderohet si sinjal për t’i dhënë një pështymë surratit dhe shkelm drejt humnerës, kujtdo që ka guximin ta shtrijë atë! Dhënia e dorës dikujt në nevojë është dalje nga binarët!

Ky pra jam unë,  NJERIU, qënia më e përbindshme e të gjitha kohërave!

Filed Under: ESSE Tagged With: "Miti i mbretit Likaon ", Ëngjëll Luçi

ROLI I FAIK KONICËS NË GAZETARINË DHE LETËRSINË SHQIPTARE

March 31, 2016 by dgreca

NGA THANAS L. GJIKA/*
Faik Konica është një ndër figurat më të shquara të historisë, të letërsisë dhe të kulturës sonë kombetare. Me formimin e tij solid, me talentin e spikatur dhe me punën e palodhur dhe të shumanshme, ka kontribuar për formimin e kulturës sonë kombetare me fizionomi europiane që nga viti 1895, kur u diplomua në Dijon të Francës, deri më 1942, kur i mbylli sytë në Boston MA( SHBA).
Revista Albania shkollë e gazetarisë shqiptare
Revista Albania, të cilën Faik Konica e themeloi në nëntor të vitit 1896 dhe filloi ta botonte në mars të vitit 1897, doli nën kujdesin e tij në shqip, frëngjisht e turqisht deri në shkurt 1909 në Bruksel e Londër. Ky koleksion me rubrikat e shumta publicistike, letrare, historike, etnologjike, sociologjike, gjuhësore, etj, të shkruara kryesisht prej penës brilante të editorit, përbën kryeveprën ose veprën monumentale të Faik Konices. Asnjë studim shkencor me synime serioze nuk mund të bëhet për periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare në çdo fushë të saj pa shfrytezuar koleksionin e kësaj reviste. E themi këtë sepse kjo revistë në saje të aftësive të drejtorit luajti rolin e tribunës me të rëndësishme politike, kulturore e letrare të botës shqiptare. Në faqet e saj u afruan dhe botuan në të dy dialektet kryesore të shqipes shumica e talenteve të reja të kohës nga të gjitha trojet shqiptare dhe të gjitha kolonitë shqiptare. Ajo u bë urra më e rëndësishme për lidhjen e kulturës dhe të politikës shqiptare me atë evropiane bashkëkohore.
Revista Albania me problemet që trajtoi me llojet publicistike që lëvroi, me stilin letrar e gjuhën e përpunuar u bë një shkollë e vërtetë e gazetarisë shqiptare, kurse Faik Konica, mësuesi kryesor i saj. Aty debutuan së pari dhe u stërvitën Visar Dodani, Mit’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Fan Noli, Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Mihal Grameno, Hil Mosi, etj, etj, shumë prej të cilëve nxorën pastaj organet e tyre të shtypit, duke pasur per model pikërisht shkrimet e revistës Albania. Në faqet e kësaj reviste Konica, jo vetëm konsolidoi dhe e ngriti më tej nivelin e artikullit, lajmit, fejtonit, kryeartikullit, pamfletit, shënimit, që  kishin lëvruar para tij, Jeronim de Rada, Anastas Kullurioti, Nikollë Naçua, etj, por levroi i pari disa lloje të tjera të publicistikës si portretin, peisazhin, skicën, komentin, etj…
Në drejtim të poetikës dhe të etikë së gazetarisë Faik Konicën e ndihmuan talenti i
tij i lindur, shijet estetike, kultura e tij e gjerë e fituar në shkollat më të mira të kohës, leximet e shumta në disa giuhë të huaja, si dhe përvoja jetësore familjare, personale dhe shoqërore. Falë këtyre të dhënave, ai arrti të bëhej shumë shpejt një mjeshtër i përdorimit të figurave letrare dhe i zbulimit të karaktereve dhe situatave komike. Talenti i fuqishem, kultura poliedrike dhe e thellë, si dhe atdhedashuria e zjarrtë, bënë që nga pena e tij të delnin shkrime të fuqishme të qarta për nga idetë dhe të bukura për nga forma, të cilat lexoheshin e lexohen edhe sot me ëndje të veçantë.
Koleksioni 12-vjeçar i revistës Albania, me 126 numërat që u botuan gjatë viteve 1897-1909, nuk ka si të mos quhet një vepër e plotë dhe komplekse e Faik Konicës. Brenda këtij koleksioni ka me dhjetra vepra të plota, si poezi, skica, portrete, artikuj, etj, etj, të shkruara prej editorit të revistës. Për këtë arsye, thënia e Nolit: Faiku nuk na la asnjë vepër të përfunduar duhet quajtur e nxituar, ose thjesht shaka e papeshuar mirë. E quajmë thënie të nxituar ose shaka e papeshuar mirë, sepse Noli na ka vënë vetë në dijeni se kur ishte në Egjipt në vitin 1906 kishte lexuar te shtëpia e Spiro Dines gjithë koleksionin e deriatëhershëm të revistës Albania. Ai gjithashtu i kishte lexuar gjatë vitit 1922 dhe tregimet e gjata humoristike Katër përralla nga Zululandi, nuk ka pse të mos i konsideronte vepra të plota. Prandaj mendojmë se më 1962, kur Noli e formuloi atë shaka, ka pasur parasysh faktin që Konica, si autor i talentuar, nuk la vepra të gjata letrare të plota, si romane, poema dhe drama origjinale, ose të përkthyera.

Faik Konica themelues i prozës moderne sbqipe.
Që nga viti 1897 kur filloi të publikonte skicat, portretet, tregimet e shkurtra dhe deri në fund të viteve 20-të të shekullit të XX-të, kur botoi në gazetën Dielli tregimin Katër përralla nga Zululandi (1922), romanin Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit (1924), të cilin edhe pse e kishte përfunduar, nuk e botoi të gjithin, dhe reportazhin e gjatë Shqipëria si m’ u duk (1929), Faik Konica mund të
themi se u afirmua si shkrimtari ynë më i mirë i prozës së shkurtër dhe të gjatë shqipe të kohës. I krahasuar me lëvruesit e tjerë të prozës së shkurtër shqipe gjatë Rilindjes si Konstandin Kristoforidhi, Lumo Skendo, Asdreni, Mihal Grameno, Milo Duo, Hil Mosi, Nuçi Naçi, Papa Kristo Negovani, etj, si dhe me lëvruesit e prozës së gjatë letrare si Dom Ndoc Nikaj, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Andon Frasheri, Sterio Spase, Mehdi Frasheri dhe romancierë të tjerë të tre dekadave të para të shekullit të XX-të, Faik Konica qëndron në një nivel më të lartë artistik, për nga ndërtimi kompozicional i veprës dhe për krijimin e personazheve, për gjuhën, figuracionin, etj. Konica u shqua jo vetëm për pastërtinë dhe pasurinë e gjuhës, por dhe për koncizitetin dhe elegancën e stilit, perdorimin mjeshteror të gjuhës si mjet për individualizmin e personazheve. Gjuha e prozës së Konicës duke qenë gjuhë e veprave realiste, rrjedh natyrshëm. Personazhet e tij shprehen dhe kuvendojnë si në jetën e perditshme dhe jo me një gjuhë të kërkuar letrareske si flasin personazhet në veprat e letërsisë romantike.
Përmes forcës së talentit të vet Faik Konica, ndonse ishte larguar prej atdheut që në rininë e hershme, mundi t’ia bëjë autopsinë shoqerisë shqiptare të viteve 20-të të shek XX-të më mirë se bashkëkohësit e tij që jetonin brenda vendit.
Mesazhi ideor i këtyre veprave konsiston në luftën për të demakuar mentalitetin
prapanik që sundonte në Shqipërinë e asaj kohe. Ky mesazh nuk transmentohet përmes lotëve, si bënin shkrimtarët sentimentalistë, as përmes patosit të ngritur emocional plot deklaratizëm, si bënin shkrimtarët romantikë, por përmes vënies së gishtit në plagët reale të shoqerisë shqiptare për të cilën prozatori Konica synonte një jetë më të mirë. Pikërisht duke treguar se dashuria ndaj atdheut dhe popullit mund të shfaqej jo vetëm duke ekzaltuar të kaluarën heroike, si kishin bërë shumica e rilindasve, por edhe duke zbuluar të vërtetën e hidhur, duke kritikuar gjendjen reale, me qëllim që të luftohej për përmirësimin e saj, Konica krijonte njëherazi mendësinë moderne të të menduarit dhe prozën letrare moderne shqipe. Kështu Konica shpinte përpara letërsinë tonë realiste të filluar para tij prej Andon Zako Çajupit me botimin e veprës Baba Tomori (1902), prej M. Gramenos me komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905) dhe skicat e portretet e viteve 1908-1923, prej At Gjergj Fishtës me këngët e poemës Lahuta e Malësisë (1902-1909) dhe përmbledhjes satirike Gomari i Babatasit (1923), prej Dom Ndre Mjedës me vëllimin poetik Juvenilja (1917), prej Asdrenit me vëllimin poetik Endrra e Lotë (1912), etj, etj.
E veçanta e Konicës është se ai e konsolidoi realizmin si metodë krijuese në prozën letrare shqipe, metodë e cila do të bëhej shkolla sunduese e letërsisë sonë në vitet 30-të të shek. XX-të me tregimtarë të talentuar si Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Nonda Bula, etj.
Nismëtar i kritikës letrare shqipe
Në fushën e kritikës letrare Faik Konica është ndër kritikët e parë letrarë tek ne. Penës së tij i takojnë panoramat e para për zhvillimin e letërsisë sonë dhe kritikat e
para për vepra të veçanta. Ai të çudit me njohjen e gjerë të procesit historik letrar shqiptar që nga autorët e vjetër deri te krijuesit bashkekohore, në një kohë kur ende nuk ekzistonte asnjë histori për letërsinë shqipe. Shënimet dhe esetë e tij në këtë fushë janë me shumë shije dhe bien në sy për formimin e tij teorik në aspektin estetik.
Si kritik letrar Konica të bën për vete me aftësinë dhe intuitën e tij për të kapur e venë në dukje të veçantën, tiparet individuale të çdo autori e vepre për të cilin shkruan.     Duke folur për veprën e Jeronim De Radës ai ngre lart poemën Këngët e Milosaos për figuracionin e saj.
Midis veprave të Naim Frashërit, poezitë e përmbledhjes Lulet e veres, i quan gracioze dhe të freskëta. Me rastin e vdekjes së Naimit (1900), Faiku shkroi portretin më të goditur, një himn të vërtetë për poetin, duke e vleresuar si njeri, si atdhetar dhe si poet të talentuar. Midis tjerash ai arsyeton: …detyra t’u hapij sytë botës e shtrëngojin të mos ngiitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqiperise. Pra, sipas Konicës ky poet kishte forcë talenti për të hartuar vepra me nivel shumë më të lartë artistik, por që utilitariteti dhe atdhetaria nuk e lanë të ngrihej në nivelet që ai mund të ngrihej për nga forma artistike.
Konica e rendit At Gjergj Fishtën ndër poetët me vlera të njëmendëta artistike dhe si prijës intelektual.
Filip Shirokën e quan poet kombetar mbas shestjes së Naim Frasherit, autor të soneteve tingelluese.
A.Z. Cajupin e vlerëson për ngjashmërinë me poezinë popullore dhe përkthimin e frymëzuar të Përrllave të La Fontenit, etj.
Duke mos e ndjekur nga afër zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe që zhvillohej në atdhe, mendojmë se Konica i ka njohur pak, ose nuk i ka njohur fare veprat
e Lasgush Poradecit, Migjenit, Mitrush Kutelit, Ernest Koliqit, etj të cilët nuk i ka përmendur as në veprën Shqiperia: Kopshti shkembor i Evropes Jug-Lindore, të cilën e
hartoi më 1939. Nga shkrimtarët që ka dashur dhe ka vlerësuar më shumë Konica, është Fan Noli.
Për këtë autor, ai theksoi që më 1910: Fan Noli të kujton klerikët e Rilindjes italiane, kurse më 1939 e cilësoi shkrimtarin më të madh të kohës për veprën Historia e Skenderbeut dhe për perkthimet e goditura të veprave të William Shakespeare-it, të Rubaive të Omar Khajam-it, të romanit Don Kishoti të Miguel de Servantes-it dhe të disa poezive nga letërsia amerikane. Si njohës i mendimit teorik, por dhe i procesit praktik të krijimtarisë letrare, Faik Konica i përmblodhi si askush shkurt parimet themelore të hartimit të veprave letrare, publicistike she eseistike në shkrimin Lutje per shkrimtarët, ku nënvizon se duhet shkruar vetëm për gjëra me vlerë, mbasi të jetëe bërë një punë këmbëngulëse për njohjen e çështjes për të cilën do të shkruhet me paanësi (nënkupto: me objektivitet dhe larg politizimit- Th. Gj) dhe me giuhë të pastër e të bukur. Parime këto të vlefshme edhe për çdo krijues të ditëve tona.

I jemi borxh Faik Konicës
Me sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe vihet në vend amaneti i tij, por ne ia kemi borxh vlerësimin sa më të plote të vlerave këtij talenti, i cili me aq sa njohim deri sot, është padiskutim krijuesi i mendësisë moderne shqiptare, i mendësisë europiane, ku duam të shkojmë. Mirëpo që të mund ta studjojmë dhe vlerësojmë në mënyrë të plotë këtë figurë poliedrike të Rilindjes e pas saj, na duhet së pari të mbledhim e të botojmë veprën e tij të plotë. Gjetja, grumbullimi dhe botimi i kësaj vepre kërkon punë të përkushtuar, dashuri e pasion ndaj atij që shkriu jetën dhe pasurinë e vet për të mirën e popullit dhe të atdheut. Kur ta kemi realizuar një botim sa më të plotë e sa më shkencor të veprës së Faik Konicës, atëhere kuvendimi i tij me popullin e vet do të jetë i giallë dhe përfitimi ynë do të jetë i madh…
(Botohet me disa korrigjime të pakta në krahasim me variantin e botuar në gazetën Rilindja Demokratike, Tiranë, 4 maj 1995, f. 2)

*Shënim: Federata atdhetare Vatra e shpalli vitn 2016 Viti Konica me rastin e 120 vjetorit të themelimit të revistës Albania. Ajo mori përsipër që gjatë këtij viti të ndihmojë financiarisht botimin në gjuhën shqipe të dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, shkruar më 1908 frëngjisht. Këto dy vepra të plota letrare i zbuloi, i përktheu dhe i pajisi me një hyrje të gjerë studjuesi Fotaq Andrea. Gjetja e këtyre dy romaneve të hartuar frëngjisht prej Konicës është një tjetër fakt që tregon se Faik Konica e pati aftësinë dhe vullnetin të na linte vepra të plota letrare me dimensione të gjata si romani.

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE LETËRSINË SHQIPTARE, I FAIK KONICËS, NË GAZETARINË, ROLI, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 382
  • 383
  • 384
  • 385
  • 386
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT