• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATA VUEJTEN SI KRISHTI…

March 25, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*

■“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944…/

     DHE, KA ME VAZHDUE DERISA TË MBAROJË KOMUNIZMI !”/  Don Dedë MALAJ 1959/

 ■1.Don Mark XHANI (1909 – 1945) I kerkohet me u shpifë per Imz. Frano Gjinin, po Ky nuk pranoi… E mbysin në tortura e trupin ua hjedhin qejve të Mirditës. Ishte 36 vjeç.

 ■2.At Papa PANDI (1910 – 1945) E marrin forcat e Ndjekjes në Korçë dhe e fusin në një pyll, ku i presin koken me sopatë. Ia vune koken tek Kryqi mbi gjoks. Ishte 35 vjeç…

 ■3.At Josif PAPAMIHAJLI (1912 – 1946) Ishte nga Elbasani. E dënojnë dhe e dergojnë në kampin e Maliqit… Aty e mbysin tue zhytë në baltë se nuk mohonte Krishtin. 34 vjeç.

 ■4.Don Mark BICI (1909 – 1946) E mbysin në tortura në hetuesi të Oroshit. Ishte 27 vjeç.

 ■5.At Bernardin PALAJ (1894 – 1946) E mbysin në hetuesi tek Konvikti “Malet tona” tue e torturue me korrent elektrik. E varrosin në oborr tek qershija… Ishte 52 vjeç…

 ■6.At Serafin KODA(1893 – 1947) Nuk pranon me akuzue shokët, e mbyt hetuesi 54 vjeç.

 ■7.Vlla Gjon PANTALIA (1887 – 1947)Nuk dishmon asgja per Jezuitët… Ishte në hetuesi tek Kisha e Fretenve, e hudhin nga kompanjeli se gjoja desht me ikë. Ishte 60 vjeç.

 ■8.Don Nikoll SHELQETI (1892 – 1947) E dënojnë dhe e nisin per në kampin e Bedenit të Kavajës… Atje policët e kampit e zhysin nder baltat e knetës, ku jep Shpirtë 55 vjeç…

 ■9.Don Dedë PLANI(1889 – 1948) Prifti i Dukagjinit qendron e nuk pranon asnjë akuzë.

Zhdukun edhe dosjen se nuk ka asnje firmë nga Prifti, dhe e mbysin 59 vjeç…

 ■10.Don Nikoll LASKAJ (1898 – 1948) Vdes nder baltat e kampit Bedenit. Ishte 50 vjeç.

 ■11.Don Aleksander SIRDANI (1891 – 1948) Ishte dijetar… E masakrojnë në hetuesinë e Koplikut, ku edhe e zhysin nder pusat e zezë… Ishte 57 vjeç. Bashkë me Té ishte edhe…

 ■12.Don Pjeter ÇUNI (1914 – 1948), i cili pëson të njajtin rrezik në moshen 34 vjeçare…

 ■13.Don Anton MUZAJ (1921 – 1948) Sëmuret nga tbc, dhe e lirojnë me vdekë 27 vjeç…

 ■14.Don Ejëll DEDA (1917 – 1948) Torturohet në burgun e Fretenve dhe vdes 31 vjeç…

 ■15.Don Jakë BUSHATI (1890 – 1949) E zhysin hetuesit e Lezhës në ujë të ftohët deri në bel, po nuk pranon asnjë akuzë… E lanë aty derisa vdes në moshen 59 vjeç.

 ■16.Don Kolec PRENNUSHI (1902 – 1950) E torturojnë me korrent elektrik në hetuesi, nuk pranon “Statutin e Kishës” nga shteti, i shkatrrojnë zemren. E lirojnë e vdes 48 vjeç.

 ■17.Imzot Jul BONATTI (1874 – 1951) E sjellin nga Italia, e dënojnë dhe e dergojnë në një manikomjo të Durrësit, ku aty gjoja e shkyejnë të sëmurët. Dijetari ishte 75 vjeç…

 ■18.Don Matish LISNA (1924 – 1956) Ishte puntor në fermë. E helmatisin e vdes 34 vjeç.

 ■19.Don Vlash MUÇAJ(1892 – 1963)Ishte nga Kruja. E arrestojnë, vdes në tortura 71 vjeç.

 ■20.Don Mikel BELTOJA (1935 – 1973) Dënohet me vdekje: “Ka fye diktatorin Hoxha”.

Ditën e vrasjes e shkyjnë per gjymtyrësh kriminelat Shyqyri Çoku me shokë… 38 vjeç.

 ■21.Don Prenkë NIKÇI (1921 – 1974) Nuk pranon me mohue Zotin nder mbledhjet me fshatarë… Ishte në punë në fabriken e çimentos në Krujë, ku e hudhin nder kazana…

 ■22. Don Mark HASI (1920 – 1981) Hetuesi Nesti Kopali i mberthen gjuhën me thikë për tavolinë në hetuesi… Në 1968 dënohet prap 25 vjetë, dhe vdes në Ballsh 61 vjeç…

 ■23.Don Lazer JUBANI (1925 – 1982) Helmohet nga agjentët e sigurimit. Ishte 57 vjeç…

 ■HAPNI DOSJET E KRIMINELAVE !

Shikoni gradat e tyne, dekoratat dhe rrogat që shteti komunist oriental, vazhdon edhe sot me ua pague edhe trashigimtarëve të tyne bashkë me shperblimet e krimeve!

■HAPNI DOSJET E GJENOCIDIT… Aty do të gjeni edhe Dosjet e Martirëve dhe të Atyne Atdhetarëve, që shumica u mbyten dhe vdiqën nder tortura mizore…

■SHIKONI ME KUJDES MOSHAT E TYNE…

DHE, DO TË BINDENI PSE VDIQËN, IDEALI I TYNE ISHTE ATDHEU E FEJA! KURRË MOS HARRONI SE: ATA VUEJTEN SI KRISHTI !

 Shenim: Nga libri “KKSH perballë Gjenocidit komunist 1944 – 1991” Autor FR. 2013.

Melbourne, 24 Mars 2016.

* Botohet me rastin e se Premtes se Madhe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ATA VUEJTEN SI KRISHTI..., Fritz radovani

ZEMRA E PLAGOSUR E QYTETIT SIMBOL, I KTHYER NË KRYEQYTETIN E GJITHË EVROPËS

March 25, 2016 by dgreca

(Nuk është vetëm selia e burokracisë, por edhe vendi ku përcaktohen fatet e miliona njerëzve)/

Shkruar nga FEDERICO FUBINI-  “Corriere della Sera”/Askush nuk do t’i besonte sigurinë e Washingtonit policisë së Distriktit Kolumbia ose shërbimeve të fshehta të Virgjinias. Askujt nuk do t’i shkonte ndër mënd të mbronte kështu Shtëpinë e Bardhë ose Kongresin e SHBA-s e, megjithatë, është saktësisht ajo që ndodh në Bruksel. Kryeqyteti i Bashkimit Evropian është selia e Aleancës atllantike, një qytet në qendër të një sistemi të 508 milion njerëzve e të një ekonomie të madhe si ajo e Shteteve të Bashkuara, por i mbrojtur si një ngulim i vjetër fushor. Mbrojtjet e saj thonë gjithshka mbi ngurimin e Evropës për të pranuar rolin politik që, poshtërsisht, edhe vetë islamistët i kanë njohur nëpërmjet gjakut të derdhur dje.

Në Bruksel përcaktohet në këta muaj e ardhmja e milionë të ikurish sirianë dhe ajo e monedhës së dytë të botës. Angela Merkel luan me kancelerinë e Berlinit dhe vendin e saj në librat e historisë. Ndërkaq siguria është në duart e autoriteteve belge e të Krahinës Bruksel-Kryeqytet. Kjo do të thotë se as nuk mund të mbështetet në një trupë policie të bashkuar – në qytet veprojnë gjashtë forca të ndara, mbi bazë rajonale e klientelare – dhe as mbi një shërbim të fshehtë të krahasueshëm me atë të një fuqie të mesme perëndimore. Mbas sulmeve të Charlie Hebdo në Paris në janar 2015, qeveria belge zbuloi se i mungonin 150 nga 750 agjentëve të zbulimit ; që atëherë ka marrë 42 por, shkruan Politiku, mbeten në stërvitje për së paku dy vjet.

Ndoshta problemi është se Brukseli është shumë gjëra së bashku, bashkon shumë kundërshti në një hapësirë më të vogël se Milano. Popullsia arabe ka filluar të vijë në vitet 50 nga Maroku, Tunizia e Algjeria së bashku me ato italiane, turke dhe portugeze : të gjithë të pajtuar në Vendet e tyre për minierat apo uzinat e çelikut të Valonias. Sot janë 300.000 brukselas të besimit mysliman, pak më shumë se një e katërta e banorëve të kryeqytetit ; nga 2013 Valonia, krahina frengfolëse, ka riemëruar pushimet e krishtlindjes në shkolla si “leje dimërore”, për të mos prekur asnjë ndjeshmëri. Shumica e madhe e myslimanëve bashkëjeton në paqe me bashkësitë e tjera. Ka një pakicë të dyshimtë, mjaft të gjërë, që i ka siguruar mbulim terroristit Salah Abdeslam në Molenbeek, gjysmë ore me biçikletë nga Komisioni i BE. Aty pranë, në tregun e thertoreve të Anderlehtit, është vështirë të gjindet edhe një njeri i vetëm me origjinë evropiane në një turmë prej stadiumi.

Në Bruksel mund të ecet ndërmjet një blloku ndërtesash e një tjetri e të ndryshojë gjuha në zyrat (nga frengjishtja në flamandçe). Edhe më shpesh, në një shëtitje prej pesë minutash, ndryshojnë aromat dhe rrobat e kalimtarëvet, nga kravatat e firmuara tek dollomaja salafite, tek festja fisnore e Kongos. Kulla Madou, nga ku fuksionarët e Konkurrencës së Komisionit BE vendosin t’ardhmen e bankavet italiane, brënda është përsosmërisht sterile. Praktike dhe e thjeshtë në stil të përsosur eurokratik. Jashtë është e mbështjellur nga popullsia myslimane e Saint Josse, demografikisht vërshuese dhe gjithënjë e më shpesh e radikalizuar tek të rinjtë në kërkim të identitetit.

Nga ana tjetër e lagjes evropiane, mbrapa krahëvet të Parlamentit të ri e të stërmadh, rrugët kryesore të Ixelit janë plot kafene të shijes franceze e të rinj të diplomuar në çdo qoshe t’Evropës. Por rrugicat e vogla janë të mbushura me Internet kafè të vjetëruara, ku bijtë e të mërguarvet marokenë apo bengalezë kalojnë netët gjithmonë mbi të njëjtit siti web në arabisht.

Brukseli është tepër kompleks, i rëndësishëm dhe simbolik për t’a quajtur atë të djeshmin një sulm vetëm kundrejt Belgjikës. Deri edhe armiqtë tanë, tragjikisht deklarojnë me një veprim lufte, se ky është kryeqyteti politik i Evropës dhe ka ardhur koha për qytetarët ashtu si për qeveritë t’a trajtojnë si të tillë. Brukseli kishte muaj që pregatitej për këtë ditë. Për Krishtlindje qeveria belge kishte shpallur deri edhe një shtetrrethim të gjatë ; megjithatë dje, më shumë se një orë mbas masakrës së parë në aeroport, askush nuk u kujtua të mbyllej metroja për të parandaluar goditjen e dytë.

T’i lihet siguria e Brukselit qeverisë belge dhe policive të saj rajonale është sikurse të mëtohet që qeveria greke dhe peshkatarët e Lesbos të mbarështojnë vetëm valët e refugjatëve. Duhet një forcë e sigurisë evropiane gjatë kufijve dhe në qendrën nevralgjike të Bashkimit. Terroristët, që kanë goditur zemrën e Bashkimit, duket se i kuptojnë këto kundërshtí më mirë se ne vetë evropianët. Duke shpërthyer bombat në aeroportin e Zaventemit dhe në metrò, dy hapa larg Komisionit dhe Parlamentit BE, e trajtojnë Brukselin – në mënyrën e tyre të tmerrshme – si kryeqytetin e Shteteve të bashkuara t’Evropës. Do të shihet shpejt nëse përgjigja do të jetë në lartësinë e duhur. Ose nëse mbas lotëvet do të mbizotërojnë ende ikjet iluzore mbas mureve apo kufijve të vegjël, pikërisht atje ku armiqtë tanë do të donin të na mbyllnin.

“Corriere della Sera”, 23 mars 2016    E përktheu Eugjen Merlika

           

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Federico Fubini, I KTHYER NË KRYEQYTETIN E GJITHË EVROPËS, ZEMRA E PLAGOSUR E QYTETIT SIMBOL

Një personalitet i heshtur i gjuhësisë shqiptare

March 24, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Kush është Prof.dr. Hajri Shehu/

Ka lindur më 10  qershor 1942 në fshatin Vlosh të qarkut të Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të gjuhëve lindore në Moskë. Pasi Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të gjuhës angleze në qytetin e Peshkopisë. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në sektorin e leksikografisëtë Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë pranë Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), deri sa doli në pension.

Është për t’u përmendur fakti që prof.dr. Hajri Shehuështë marrë intensivisht edhe me përkthime nga anglishtja në shqip dhe me redaktime përkthimesh nga arabishtja në shqip në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmës (International Islamic Relief Organization), e cila e ka rezidencën në Arabinë Saudite dhe një zyrë në Shqipëri. Këtë lloj aktiviteti e ka ushtruar në vitet 1993-1995. Si një specialist i shkëlqyer i gjuhës angleze, prof.dr. Hajri Shehu pati tërhequr edhe vëmendjen e katedrës së gjuhës angleze të Universitetit të Tiranës, e cila e ftoi në detyrën e pedagogut të anglishtes në vitet 1995-1997.

Gjatë viteve të punës në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. dr. Hajri Shehu vendosi lidhje me Shtëpinë botuese të Oksfordit (Oxford University Press). Ai është anëtar i Euroaleksit (Shoqata Evropiane e Leksikografëve), si edhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian Studies” pranë Universitetit të Londrës.

Prof. dr. Hajri Shehu ka një aktivitet mjaft të pasur shkencor. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglish-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim që po përgatiten për në shtyp.Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 40 artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit, të botuar në revista të tilla shkencore, si “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe”, “Lexicography” (Oxford).

Prof.dr. Hajri Shehu është autor i disa zërave për Fjalorin enciklopedik shqiptar, si edhe i më shumë se 30 referateve shkencore që i ka mbajtur në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, në Katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në sektorin shkencor të Akademisë ushtarake.

Aiështë autor i disa kumtesave shkencore, të cilat i ka mbajtur në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare që janë zhvilluar në Tiranë, në Prishtinë, në Ohër, në Oksford, në Teheran etj.

Duhet theksuar fakti që Prof.dr. Hajri Shehu ka skeduar fjalë të gjuhës shqipe nga 100 mijë faqe librash të ndryshme për pasurimin e fondit leksikor të gjuhës shqipe pranë Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Në të njëjtën kohë, ai ka drejtuar dhjetra ekspedita gjuhësore në shumë qëndra banimi të vendit tonë për vjeljen e fjalëve të panjohura nga thesari i gjuhës së popullit.

Meqenëse në vitet e para të punës së tij pati ushtruar detyrën e mësuesit të gjuhës angleze, ai i ka kushtuar vëmendje punës për përgatitjen e teksteve mësimore. Ai është autor i disa teksteve të gjuhës angleze për shkolën fillore. Në shumë organe ai ka botuar një sërë artikujsh studimorë, kushtuar mësimdhënies në shkollë. Në shtypin e përditshëm dhe periodik ai, gjithashtu, ka pasë botuar shumë artikuj popullorë-shkencorë, kushtuar përsëri mësimdhënies në shkollë.

Puna përkthimore dhe redaktoriale ka qenë një pasion i përhershëm në veprimtarinë shkencore të Prof.dr. Hajri Shehut. Ai ka përkthyer dhe redaktuar 10 mijë faqe nga letërsia islame. Në disa revista ka botuar “Treguesin e Kuranit”, artikuj studimorë dhe parathënie për librat që i kushtohen Kuranit. Ai, po ashtu, është autor artikujsh publicistikë dhe reportazhesh, të botuar në disa organe shtypi.

Për të kënaqur kërshërinë e lexuesve,nga aktiviteti shkencor i prof.dr. Hajri Shehut, të pasqyruar në jetëshkrimin e tij, këtu poshtë po rendis vetëm listën e fjalorëve, të përgatitur si autor dhe si bashkautor, që përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm në leksikografinë shqipe dhe në leksikografinë dygjuhëshe.

 

“Fjalor shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”, vëllimet II, III (vepër në dorëshkrim) (bashkautor)

“Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980 (nderuar me çmimin e Republikës) (bashkautor/shkronjat D (pjesërisht), E, Ë, F, P/ pjepër / prridhje, V/ 270 f.)

“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (bashkautor / 165 f.)

“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (sistemim e përpunim i frazeologjisë së   gjithë Fjalorit / mbi 4000 njësi)

“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002 (bashkautor / 216 f.)

“Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2004 (bashkautor / 314 f.)

“Fjalor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006 (bashkautor / 179 f.)

“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollën) (vepër për shtyp) (bashkautor)

“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollarë të vegjël) (vepër për shtyp) (bashkautor)

“Fjalor i termave të artilerisë (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor   dhe bashkëredaktor)

“Fjalor i termave të prapavijës (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor)

“Fjalor themelor i termave të bujqësisë”, Tiranë, 2006 (bashkëredaktor)

“Fjalor anglisht-shqip i fjalëve të urta” (vepër në dorëshkrim) (redaktor)

“Fjalor frazeologjik sinonimik anglisht-shqip” (vepër në dorëshkrim) (autor)

“Fjalor anglisht-shqip” me rreth 400 emërtime bimësh (vepër në dorëshkrim) (autor)

“Fjalor arabisht-shqip”, Tiranë, 2009 (bashkëredaktor)

“Fjalor anglisht-shqip”, Tiranë, 2010 (autor / 834 f.)

“Fjalor persisht-shqip”, Tiranë, 2010 (bashkëredaktor)

“Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, Tiranë, 2014 (autor / vepër për shtyp)

“Fjalor tematik bashkëbisedimor anglisht-shqip (vepër në dorëshkrim)

“Fjalor anglisht-shqip i thënieve dhe i njësive frazeologjike” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp)

“Fjalor xhepi anglisht-shqip dhe shqip-anglisht” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp)

 

Gjatë kohës që ka punuar në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof.dr. Hajri Shehu ka gëzuar respektin e të gjithë kolegëve-gjuhëtarw. Respekt të veçantë ushqente ndaj tij drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, i cili e vlerësonte së tepërmipër punën e tij këmbëngulëse, të heshtur dhe me cilësi të lartë.

E kam njohur profesor Hajriun që gjatë viteve studentore. Takimet tona kanë qenë dhe janë mjaft të shpeshta që kur ai vazhdonte punën në sektorin e leksikografisë të Insitutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Më bënte shumë përshtypje, ashtu si edhe deri tani, natyra e tij e heshtur, modestia shembullore, ngohtësia e shpirtit. Me vite kisha krijuar bindjen e patundur se ai i përket sërës së njerëzve që quhen “heronj të heshtur”. Dijet e tij në lëmin e gjuhë shqipe dhe në gjuhën angleze janë me të vërtetë enciklopedike.

Vitin e kaluar, Prof.dr. Hajri Shehu botoi një vepër shkencore mjaft të rëndësishme, që përbën një tjetër kontribut me shumë vlerë në fushën e studimit të leksikut dhe të leksikografisë së gjuhës shqipe. Vepra titullohet: “Studime për leksikun dhe leksikografinë e sotme shqipe”. Librin e ka botuarQendra e studimeve albanologjike, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë. Shtypshkronja “Kaltrina”. Tiranë, 2015. Vepra ka një vëllim prej 364 faqesh. Recezent i librit është prof.dr. Thanas Feka.

Në vijim i ftoj lexuesit të njihen me përmbajtjen e recensionit.

Sinsinati, Ohajo

24 mars 2016

Prof.dr. Thanas Feka

 

Qendra e Studimeve Albanologjike

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

Hajri Shehu

Studime për leksikun dhe leksikografinë

Tiranë, 2015

 

Përmbledhja “Studime për leksikun dhe për leksikografinë e sotme shqipe” e prof. dr. Hajri Shehut përfshin mbi pesëdhjetë artikuj, pothuajse të gjithë të botuar në revistat shkencore “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” etj. Tematika e saj është: I. Çështje të leksikut popullor me vlerë letrare potenciale; II. Çështje të fjalëformimit në gjuhën shqipe; III. Çështje të sintagmatikës; IV. Çështje të kulturës së gjuhës; V. Kritikë leksiko-logjike; VI. Kritikë leksikografike etj. Siç shihet, studimet dhe artikujt mbulojnë një tematikë të gjerë e të larmishme.

Çështjet e shtruara në këto studime e artikuj analizohen e shqyrtohen me kompetencë shkencore. Përmendim, p.sh., studimin për sindajshtesat në gjuhën e sotme shqipe, tek i cili, nëpërmjet analizës së një lënde konkrete, autori jep mendimin e vet për pyetje të tilla themelore, me karakter teorik, si: “A janë të ashtuquajturat sindajshtesa fjalë të plotkuptimshme jashtë njësisë së njëfjalëzuar, apo janë larguar nga sistemi i njësive leksikore të gjuhës, domethënë janë kthyer në morfema me semantikë abstrakte deri në rrafshin fjalëformues të ndajshtesave? A jemi të vetëdijshëm për kuptimin e tyre përgjithësues (karakteristik për ndajshtesat), apo për kuptimet e tyre leksikore si tema motivuese në njësinë e njëfjalëzuar? Në këtë studim ai mban qëndrimin e vet për njësi të caktuara, si bashkë-, brenda-, jashtë-, para-, krye-, shumë- etj., duke hyrë në diskutim me qëndrimin e shprehur se “ato janë shndërruar e po shndërrohen në parashtesa në të gjitha formimet me to”, se “paraqesin më shumë një lëvizje me drejtim nga kompozimi në parashtesim, por, pa u larguar shumë nga burimi”. Më konkretisht, ai pohon se “këto elemente nuk janë gramatikalizuar e as nuk po gramatikalizohen, domethënë, nuk kemi të bëjmë me fjalë shënuese që janë kthyer ose që po kthehen në formant; përkundrazi, semantikisht ato ruajnë mëvetësinë”. Po ashtu, i njëjti qëndrim mbahet për këtë problem edhe në studimin “Formimet me gjymtyrë të parë temën vetë- në gjuhën e sotme shqipe”. Në studim shqyrtohet gjerësisht nga pikëpamja leksiko-semantike grupimi më i madh paradigmatik i formime-ve me vetë-. Rritjen e numrit të këtyre formimeve në krahasim me periudhat e mëparshme të zhvillimit të gjuhës letrare, autori e lidh jo vetëm me faktorë brendagjuhësorë, por edhe me ata jashtëgjuhësorë. “Vetë zhvillimi i sotëm i prodhimit, mekanizimi dhe automatizimi i tij sjellin nocione të reja. Nga ana tjetër, dihet që shoqëria ushtron ndikim rregullues mbi gjuhën letrare nëpërmjet përpjekjesh sistematike e të vetëdijshme jo vetëm për pasurimin e saj, por edhe për pastrimin e saj të mëtejshëm nga ndikimet e huaja të panevojshme. Formimet me vetë- e përmbushin këtë synim, pasi shumë njësi të huaja, madje edhe ndërkombëtarizma me elementin auto- janë kalkuar për të mbuluar emërtime nga fusha të ndryshme të shkencës e sidomos të teknikës”. Në punim dallohen e analizohen ndarazi formimet me vetë-, kur ky përbërës zbërthehet me emrin e gjinisë femërore vet / e, -ja (vetëqortim) dhe me përemrin vetvetor vetë (vetëveproj). Një analizë e detajuar bëhet për rastet e mundshme e të pamundshme të bashkimit të vetë- me foljet sipas diatezave përkatëse, të cilat shërbejnë në këtë rast edhe si kritere për të dalluar formime e kalkime të parregullta foljore.

Për vëzhgimet dhe përfundimet me interes të veçantë shkencor mund të përmendim midis të tjerave, edhe studimin “Rreth shtimit të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe”. Shtimi i këtyre njësive analizohet mbi bazën e valencave të brendshme e të jashtme. Më konkretisht, nënvizohet qartë se mundësia për të formuar fjalë të përbëra kushtëzohet nga valenca e të dyja temave që hyjnë në kompozitë, por, në radhë të parë, nga tema e përsëritshme, që është gjymtyrë e parë e njësisë: sa ajo hyn në lidhje me gjymtyrë të tjera, cila është mundësia për të formuar vargje leksiko-semantike.

Nisur nga pasqyrat e nxjerra nëpërmjet analizës statistikore të fjalëve të përbëra në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), të krahasuara me ato që janë nxjerrë nga “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), autori pohon se shtim më të madh kanë pasur kompozitat mbiemërore e pas tyre, ato emërore, sepse edhe temat emërore e mbiemërore në përbërje të këtyre kompozitave kanë valencë më të lartë në krahasim me temat e tjera që u përkasin pjesëve të tjera të ligjëratës. Mbi bazën e krahasimit të të dhënave të pasqyrave të hartuara për kompozitat e Fjalorit sipas pjesëve të ligjëratës, nxirret edhe një përfundim tjetër: “Valenca e lartë e temave emërore dhe mbiemërore përcakton edhe prirjet e zhvillimit të mëtejshëm të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe. Kjo do të thotë, – thekson ai, – që edhe në të ardhmen klasa e mbiemra-ve dhe e emrave do të ketë prirje për t’u shtuar më shumë me njësi të përbëra. Është, gjithashtu, e rëndësishme të theksohet, – shton më tej autori, – se ky shtim i mbiemrave dhe i emrave të përbërë sjell në tërësi rritjen e kategorisë leksikore të emrit dhe të mbiemrit në gjuhën e sotme letrare shqipe, madje jo vetëm për etapën e tanishme të zhvillimit të saj, por edhe për të ardhmen”.

Një tjetër trajtim shkencor me interes i është bërë leksikut me burim popullor me vlerë letrare potenciale për gjuhën e sotme shqipe në disa artikuj studimorë: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe leksiku popullor me vlerë letrare potenciale”, “Rreth disa vlerave letrare potenciale të leksikut popullor për gjuhën e sotme shqipe” etj.

Në artikullin e parë nënvizohet fakti se një ndër veçoritë dalluese të këtij Fjalori është se ka përfshirë në fjalësin e tij një numër të konsiderueshëm njësish leksikore popullore me prejardhje krahinore, të panjohura ose pak të njohura deri atëherë në gjuhën letrare. Është një zgjidhje krejt e ndryshme nga ajo e shumë fjalorëve shpjegues të gjuhëve të tjera, si të rusishtes, të bullgarishtes, të rumanishtes etj., të cilët leksikun popullor me burim krahinor e pasqyrojnë vetëm mbi bazën e përhapjes së tij të gjerë, tej kufijve vendësorë, ose mbi bazën e përdorimit të tij mjaft të gjerë në gjuhën letrare, sidomos në letërsinë artistike. Kjo zgjidhje origjinale është mbështetur në parimin udhëheqës më të përgjithshëm për zgjedhjen e fjalësit, sipas të cilit “vlerësimi i çdo fjale-leksemë (për ta futur ose jo në Fjalor) duhet bërë, në radhë të parë, jo sipas burimit dialektor, as sipas burimit letrar, por sipas vlerës së saj objektive në strukturën leksikore të shqipes së sotme letrare”.

Në artikullin e dytë autori është ndalur në fushat leksikore që kanë gjetur mjaft vend në këtë Fjalor, si: leksiku etnografik, leksiku profesional (emërtime për vegla, mjeshtëri e zeje të ndryshme popullore, procese pune me këto vegla e pajisje, pjesë të tyre etj.), leksiku etnobotanik dhe etnozoologjik etj.

Një analizë e imët leksiko-semantike e fjalëformuese u bëhet edhe njësive leksikore që emërtojnë ngjyrat në studimin “Rreth emërtimeve të ngjyrave në gjuhën shqipe”. Në studim sillet e shqyrtohet një pasuri e madhe e këtyre emërtimeve në shqipe. Ai mund të futet ndër studimet e rralla në literaturën gjuhësore, që analizon këtë pasuri leksikore të shqipes në përbërje të fushës konceptore të ngjyrave.

Për kulturën e gjuhës janë disa artikuj: “Rreth fjalëve angleze ose me prejardhje nga anglishtja në gjuhën e sotme shqipe”, “Për anglicizmat në mjetet e sotme të informimit masiv”, “Disa probleme të gjuhës së folur të mjeteve të informimit masiv”, “Për fjalët e huaja të panevojshme në mjetet e informimit masiv”, “Edhe një herë për gjuhën e televizioneve dhe të radiove tona” etj. Autori analizon shkencërisht qëndrimin ndaj anglicizmave. Për të përcaktuar gjuhësisht në mënyrë objektive vendin që huazimet angleze zënë a mund të zënë në gjuhën e sotme shqipe, autori shtron disa kritere, të cilat mund të vlejnë njëherazi për të gjitha huazimet: 1- a jepet fjala e huazuar angleze a me prejardhje nga anglishtja me mjetet fonetike të shqipes e sipas drejtshkrimit të saj; 2- a mund të sillet në kategorinë leksiko-gramatikore përkatëse të shqipes; 3- a është aktive fjala e huaj, domethënë, a bën pjesë ajo në shtresën aktive, pak aktive apo pasive të leksikut e të terminologjisë; 4- ç’jep më tej nga pikëpamja fjalëformuese, domethënë ç’valencë të brendshme ka: a shërben si temë për formime të reja, a vijnë prej saj kalke, gjymëkalke etj.; 5- ç’sjell nga pikëpamja kuptimore: ç’semantikë zgjeron; a rikuptimësohet në gjuhën shqipe, domethënë, a zhvillon kuptime të reja; a krijon varg sinonimik me fjalë të tjera të gjuhës ose a i zgjeron më tej të tilla vargje; a kemi ndikim semantik në sinoniminë vendëse, domethënë, a lind ndonjë kuptim i ri ose ngjyresë e re kuptimore, stilistikore si rrjedhojë e induksionit semantik; 6-cila është valenca e jashtme e fjalës së huazuar a me prejardhje të huaj, cila është mundësia e bashkëlidhjes së kësaj fjale në ligjërim etj. Bazuar mbi këto kritere, autori jep në artikujt e vet edhe një pasqyrë të gjerë me anglicizma të nevojshëm e të panevojshëm për gjuhën shqipe.

Artikujt për leksikografinë janë të shumtë. Ata mund të klasifikohen në dy grupe: 1- artikuj problemorë, si: “A duhet të përfshihen dialektalizma e krahinorizma në një fjalor shqip – gjuhë e huaj?”, “Për një fjalor të përgjith-shëm dialektor të gjuhës shqipe”, “Fjala bashkë me fjalën”, “Për një fjalor drejtligjërimor të gjuhës shqipe”, “A duhet botuar një fjalor shkollor i gjuhës shqipe?” etj.; 2- disa artikuj recensionues për disa vepra leksikografike, si “Fjalor i antonimeve në gjuhën shqipe” i M. Samarës, “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit (Oxford Albanian-English Dictionary) i L. Njumarkut, i botuar në një variant më të shkurtuar edhe në Revistën Ndërkombëtare për Leksiko-grafinë (International Journal of Lexicography), “Fjalor arabisht-shqip” i S. Tomçinit, “Fjalor persisht-shqip”, hartuar nga një grup autorësh etj. Veçanërisht në artikullin “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit” të L. Njumarkut bëhet një analizë e imët leksikografike e shqyrtohen objektivisht arritjet dhe mangësitë e këtij Fjalori dygjuhësh.

Një vend të rëndësishëm zënë edhe artikujt recensionues për disa monografi me karakter leksikologjik, si: “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme” e J. Thomait, “Parafjalët në shqipen e sotme” e M. Samarës, “Termi dhe fjala në gjuhën shqipe” e A. Duros, “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor në viset veriore të Shqipërisë (në përqasje me të folmet e tjera të gjuhës shqipe)” e S. Pepës etj.

Një shkrim më i veçantë, por, sigurisht brenda tematikës së përgjithshme të kësaj përmbledhjeje është “Profesor Androkli Kostallari – personalitet i shquar i shkencës dhe i arsimit”. Është një vlerësim i merituar për veprën e tij studimore në nivel europian, për udhëheqësinë e tij shkencore në krye të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e brenda tij, të Sektorit të leksikologjisë e të leksikografisë, për punën e tij dinjitare në shërbim të studimeve shqiptare.

Studimet dhe artikujt janë strukturuar logjikshëm sipas tematikës që mbulojnë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eshref Ymeri, Hajri Shehu, i gjuhësisë shqiptare, Një personalitet i heshtur

NJERIU QË DHA LAJME MBI DY DEKADA – SOT U BË VETË LAJM …

March 24, 2016 by dgreca

Nga Sinan KAMBERAJ/

Sulejman GASHI, i cili shpërndau lajme në eter nga New Yorku, për më shumë se dy decenie, duke ngritur shpresat dhe duke ngrohur zemrat e miliona  shqiptarëve në Ballkan, në orët më të liga të historisë së tyre, sot papritmas u bë vetë lajm.
Ai u bë lajm, të cilin familja dhe ne miqtë dhe kolegët e tij, nuk deshëm ta besonim, sepse ishte i rëndë. Sulejmani ishte goditur papritmas nga një sulm kardiatik dhe po përballej me sëmundjen e rëndë që ka mundur të të ndante prej nesh.
Ky lajm, padyshim i keq, e kishte një pjesë shpresëdhënëse: Sula e kishe sfiduar goditjen, duke u dhënë shpresa familjarëve dhe ne, të gjithë miqve të tij, se së shpejti do të kthehet midis tyre dhe midis nesh.
Në çastin e sëmundjes, Sulejmani gjendej me punë në Utah të Amerikës, ndonja katër orë fluturimi me avion nga New Yorku, duke shoqëruar si përkthyes një grup zyrtarësh nga Kosova.
Mësohet se mjekët bënë çmos t’ia shpëtonin jetën dhe, në saje të tyre, por edhe fatit – shpëtoi. Ndonëse relativisht larg shtëpisë, e shoqja dhe katër fëmijët e tij të mrekullueshëm, arritën t’i gjendeshin pranë në spital.
Familja njoftoi se Sulejmani ishte në një gjendje të rëndë, në shkallë komatoze. Këshillohej të transferohej nga Utah në New York për trajtim më të sofistikuar. Familja e kishte poashtu këtë dëshirë. Do t’i qëndronte pranë derisa ai ta merrte vetën, t’i kthehej jetës dhe punës. Falë shkathtësisë së fëmijëve, (e marr me mend fillimisht edhe ndrojtjtjen e tyre) – ata duke përfillur edhe sugjerimin e miqve të Sulejmanit, si dhe duke besur në njohjen e të të jatit nga shumë dashamirës të tij anëmbanë Amerikës dhe në Evropë – hapen një link në Face book, me kërkesë për mbështetje financiare për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, meqë sigurimet shëndësore nuk e bënin dot këtë punë.
Duheshin rreth 50,000 dollarë për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, me helikopter special, konform gjendjes së tij shëndetësore.

***
Dh, erdhëm te pjesa e tretë e lajmit për Sulën. Edhe kjo – pjesë e mirë e lajmit.
Për nëntë orë, qëkur në rrjetin e internetit familja bëri kërkesën për ndihmë dhe deri në çastin kur po i shkruaj këto radhë, miq e dashamirë të Sulës, shqiptarë e amerikanë, derdhën në llogarinë tij 58. 675 dollarë.
Familjes i takon për të falënderuar të gjithë donatorët, ata që po e mbështesin Sulën në këto çaste. Dhe, ajo po e bën këtë nga çasti në çast, në internet. Me telefonata … Po i falënderon të gjithë njerëzit zemërbardhë për mbështetjen financiare e morale.
Nuk është vendi as koha për ta elaboruar më gjatë këtë pjesë të lajmit
Megjithatë, nuk mund ta kaloj pa i thënë dy fjalë për solidaritetin e njerëzve tanë, ndonëse ky është një fenomen që kërkon një elaborim dhe trajtim më të hollësishëm..
Në këtë kohë të pakohë, kur për çdo ditë bombardohemi nga lajmet e këqia, që shpërfaqin katandisjen morale të shoqërisë shqiptare, – padyshim pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë që nga paslufta e këndej, LAJMI se për 8 orë mund të mblidhen mbi 50. 000 dollarë, ndihmë humantitare për një njeri në nevojë, është një LAJM i mirë. Dhe, këta njerëz janë donatorë nga të gjitha trojet shqiptare. Nga mbiemrat kuptohet se janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva…. Solidarë, bashkë, si para 1999 – tës. Para çlirimit të Kosovës!
Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë!
Ky është një lajm që rrit shpresën se Kosova duhet dhe do ta marrë vetën, sapo qeveritarët hajdutë që e kanë kapur vendin dhe po e rrjepin për së gjalli, duhet të hapin udhë. Të largohen.
Dhe, duhet të largohen.
Kosova ka qeveritarë milionerë, multimilionerë që s’e dinë Zotin hak dhe s’qajnë krye për fatkqinjtë.
Qeveritarët keqpërdorues, keqqeverisës, të padijshëm e injorantë, duhet të ikin nga skena politike, sepse mileti s’mund të ikë nga vendi. Dhe, s’ka kuptim të ikë.
Donjeta Demolli, një vajzë, sigurisht nga Kosova, ia dërgoi Sulës në akonto 5 dollarë ndihmë. Pesë dollarët e saj janë sa 58, 690 dollarët që i dhanë të tjerët për Sulën.
Ajo e meriton Kosovën, ashtu siç e ka zemrën!
*
Familjen e Sulejmanit, si dhe ne të gjithë miqve e kolegëve të tij, na mban shpresa se ai do ta përballojë edhe këtë sfidë dhe ai do t’i kthehet jetës dhe punës përsëri.
Sulës, që shpresoj se do ta takoj shpejt, kur të pimë kafe në Arthur Avenue, do t’i kërkoj “falje” që s’u durova pa e “politikëzezu” pak këtë shkrim timin.
Mbahu, Sulo! Të uroj shërim të shpejtë.

NEW YORK, 24 mars 2016

JU MUND TE NDIHMONI: https://www.gofundme.com/sulejmangashi

Filed Under: ESSE Tagged With: 2 dekada, Njeriu i Lajmit, Sinan Kamberaj, Sulejman Gashi

Në prag të vetëflijimit ose amendameti Arbnori

March 24, 2016 by dgreca

Në kujtim të Pjetër Arbnorit/
Nga Anton CEFA/
          Miratimi i ligjit për lirinë e shtypit në Shqipëri u desh të shkonte deri në prag të vetëflijimit. A nuk është Shqipëria vendi i pragjeve më të skjashme ? Pragu i diktaturës, pragu i vëtëvrasjes së demokracisë, pragu i varfërisë, i krimit, i korrpsionit, i çmendurisë, . . . pragje të pafund.
          Pjetër Arbnori, i rritur në periudhën e diktaturës, që sundoi përgjakshëm për afër 50 vitesh, dhe një nga armiqtë më të vendosur të saj – i njihte mirë bëmat e frotës së majtë që erdhi në pushtet në vitin 1997. Ai e dinte shumë mirë, se e kishte provuar në lëkurën e vet dhe në lëkurën e popullit të vet se cilat ishin “liritë”, që jepnin komunistët, liritë që shpalleshin me bujë nëpër kushtetuta, miratoheshin me eufori e unanimitet nëpër kuvendet “popullore”, dhe pastaj . . . , i mjeri ai që guxonte të ngrinte zërin për të drejtën më të vogël, sepse mbi të binte me gjithë peshën e vet “korraca” e diktaturës së hetuesve, prokurorëve, gjykatësve, që vepronin me divocionin më të përkushtuar mbi bazën e atyre ligjeve të shtetit më demokratik në botë.
          A nuk është parlamenti ynë i sotëm, i mbushur me të tillë hetues, prokurorë e gjykatës me kostume e frazeologji demokratike dhe, pa tjetër, edhe me diploma marksiste – leniniste (që u japin atyre atributin e ndritur të meritologjisë), por me ndjenja e ideale të çoroditura enveriste ?
          Ai, Pjetër Arbnori, që kishte hedhur trakte kundër diktaturës në periudhën më të hershme e më të egër të saj, ai që kishte shkyer gazetat e murit e afishet e tjera, që kur ishte nxënës i viteve të para të gjimnazit në Shkodër, ai që kishte formuar një parti social – demokrate të modelit euro – perëndimor për të luftuar për vendosjen e demokracisë, ai që kishte vuajtur me stoicizëm për më se 28 vjet në burgjet e tmerrshme komuniste, por që nuk ishte përkulur, përkundrazi i ishte vënë ballë për ballë dhe i kishte sfiduar të gjitha torturat dhe “marifetet” kriminale të diktaturës për ta thyer, ai që kishte shkruar një dozinë me romane, trgime e ese për ta demaskuar atë, ai që kishte bërë greva urie në qelitë e famshme të burgut të Burrelit, ku një dorë e panjohur të burgosuri kishte shkruar vargun dantesk: “Lasciate ogni speranza, o voi che entrate !”, “O ju që hini mbrendë, keni mbarue!” përkthyer aq bukur në shqip : “O ju që hyni mbrendë keni mbarue!”; ai, Pjetër Arbnori, një nga Mandelat e Shqipërisë, vendosi edhe një herë të sakrifikohej për hir të një qellimi e të një ideali të lartë e fisnik, për hir të lirisë së shtypit, të përdorimit demokratik të medias shtetërore, duke u futur në grevë urie.
          “Vendim i skajshëm” – u fol e u përfol andej e këndej nga gazetarët e atyre që jetuan ndër kolltuqet ministrore e kryeministrore të regjimit të kuq. Dhe e futën ndër thonjëza Mandelën e Europës me një nëntekst të ngërdheshur e të çoroditur ironik : “Për atdheun ai gjithmonë ka pasur vendime të skajshme.”
          Këmbëngulja e tij për t’ia arritur qellimit, protesta e fuqishme e forcave demokratike dhe e gjithë popullit, ngritja e zërave autoritare botërore, bënë që valanga komuniste e ashtuquajtura pozitë të tërhiqej. Me sugjerimet e presidentit Mejdani, u nënshkrua një marrëveshje nga përfqësuesit e grupeve parlamentare të PS-s dhe PD-s për saktësimin në amendamentin përkatës të ndarjes kohore midis pozitës dhe opozitës parlamentare në edicionin e lajmeve të RTSH-s.
          Arbnori e ndërpreu grevën e urisë, duke e quajtur qellimin e saj të arrirë. “Kompromisi është e vetmja rrugë e suksesshme për ndërtimin e demokracisë’ – deklaroi ai me optimizëm, duke dalë mbas njëzetë ditësh nga greva e urisë, më shumë i vdekur se i gjallë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Arbnori, Në prag të vetëflijimit, ose amendameti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 385
  • 386
  • 387
  • 388
  • 389
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT