DOKTOR LLUKË GJIDEDE, PIER FOSHARD I STOMATOLOGJISË DHE PROFESOR I MIRËNJOHJES QYTETARE/
Nga MSc. Albert R. HABAZAJ/ sekretar i shoqatës “Labëria”, Vlorë/
Wikipedianët,me faqen elektronike universale WIKIPEDIA, na informojnë se stomatologjia është disiplina që studion, diagnostikon, parandalon dhe mjekon kavitetin oral. Termi stomatologji vjen nga Greqishtja e vjetër “Stoma” – gojë dhe “logos” – shkencë. Në ditët e sotme, termi “Stomatologji” është duke u zëvëndësuar me “Dentistri”. Për herë të parë veçimi i Stomatologjisë si disiplinë e veçantë nga mjekësia e përgjithshme u bë nga Hipokrati [Hippokrátēs: 460 – 370 pes, themelues i mjekësisë klinike në Greqinë e vjetër, që ndau mjekësinë nga magjia (nga shtrigat), “babai i mjekësisë perëndimore” në Epokën e Perikliut (Greqia klasike), një nga figurat më të shquara në historinë e mjekësisë botërore]. Sipas të dhënave arkeologjike, mendohet se stomatologjia ka filluar të praktikohet më tej se 7000 vjet Para Krishtit…Mjeku i famshëm francez Pier Foshard (Pierre Fauchard, 1678 – 22 mars 1761) është pagëzuar si “babai i stomatologjisë moderne”.
Doktor Llukë Gjidede është cilësuar si Pier Foshard i stomatologjisë në rajonin e Vlorës dhe më gjerë; ndërsa nga banorët e Topalltisë, të Myzeqesë e të Labërisë (ku përfshihet dhe Himara e tij dhe imja) njihet si Profesor i Mirënjohjes Qytetare. Për burra të lartë si Doktor Lluka, fjala shpreh e peshon. Me mendimet e tij kristaline dhe të vyera, me rrënjë të pashkulura në atdhetarinë dinjitoze, Doktori i Vlorës, penelin e shpirtit e ngjyen në mjaltin e mirësisë njerëzore dhe të mirënjohjes qytetare. Nuk kam ndërmend t’i bëj biografinë jetësore, shkencore, shoqërore apo atdhetare Doktor Llukës, sepse nuk u intereson vlonjatëve fare jetëshkrimi i Doktorit, ngaqë Ai është personalitet i qytetit, me plot gojën, është dinjiteti njerëzor, besimi për jetën. Kohë më parë në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua një veprimtari mbresëlënëse kushtuar veprës “Historiku i dentistrisë Vlorë” të Doktorit të Shkencave Mjekësore Llukë Gjidede. Folën shumë miq të Doktorit dhe intelektualë të qytetit. Thanë me dashamirësi dhe vërtetësi, që Doktor Lluka e meriton të ketë titullin Profesor. Shpreha dhe unë pak fjalë shpirti, ku në substancë thashë se mjeku nga vetë profesioni është natyrshëm i gatuar si human. Së pari, falënderova Dr. Asqeri Llanaj, që më mundësoi praninë në këtë takim të lartë simbolik. Së dyti, përmënda faktin që, një herë, kur u takova me Dr. Halit Harizaj, kirurg i njohur në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas përshëndetjes, më tha: “Berti, dua të vij një ditë në Skelë, te puna jote, por mbasdite, të pimë një kafe në qetësi, dhe vetëm, se dua të më bësh një nder”. “Me kënaqësi doktor, je i mirëpritur”, – ia ktheva me respekt. Po mendoja se ç’nder mund t’i bëja unë doktor Halitit…Iishte nder t’i bëja unë nder. Erdhi një mbasdite dhe më ftoi të uleshim në një lokal të qetë, të pastër. Pimë kafe me doktorin dhe zhvilluam një bisedë shumë të përzemërt. Nga doktor Haliti merr kulturë të gjerë dhe edukatë të mirë, kur bashkëbisedon me të. Porositi raki dhe meze dhe, megjithë këmbënguljen time, pagoi ai. Cili qe nderi që më kërkoi doktor Haliti? “Të bëja një shkrim respektor për Doktor Llukë Gjideden”. Kaq. Dhe më falënderoi. A nuk duhet të isha unë ta falënderoja 100 herë për kujtesën fisnike. Ja këta janë doktorët e vërtetë të qytetit të Vlorës. Së treti, shpreha se u tha në këtë takim që, kryedentisti ynë, Doktor Llukë Gjidede e meriton titullin Profesor. Ashtu është, por do të bëj një korrigjim jo thjesht terminologjik. Profesorët janë të nderuar, por Doktor Lluka është profesor mbi profesorë, me botimet shkencore, me aftësitë profesionale, me shembullin personal, me modelin familjar, me identitetin krenar si shqiptar e bregas me rrënjë, me qëndrimin e lartë moral. Profesorët duhet të krahasohen me Doktor Llukën, jo metaforikikisht, por realisht e çdo ditë të jetës. Doktor Lluka është një kompozitë jo vetëm gjuhësore, por së pari një kompozitë intelektuale dhe qytetare sipërore. Qysh në vitin 1983, Ai ka mbrojtur disertacionin në kërkim të gradës shkencore “Doktor i shkencave mjekësore” me studimin “Anomalitë e zhvillimit të nofullave dhe vlerësim i metodave të mjekimit kirurgjikal” në 169 faqe (dispencë) me një aparat bibliografik të pasur, prej 194 autorësh, ndër ta shqiptarë, por shumica absolute të huaj, renditur sipas kriterit alfabetik. Në qoftë se shkencën e dentistrisë e krahasojmë me një reliev me fushëza, fusha, livadhe, kodrina, kodra, me male e me male të lartë, Doktor Lluka është sipër, mbi Bogonicë, afër Çikës, që qëndron ballëlart e kryerëndë si kurorë e hijshme e vargmaleve të Vetëtimave (Akrokeraunet). Ai e njeh pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e rajonin të Vlorës. Ai ka shkelur gati në çdo fshat, ka shëruar njerëz me shërbimin stomatologjik pa dhembje dhe me fjalën e ngrohtë, të ëmbël e vëllazërore dhe ka lënë gjurmë nderi e respekti, kudo ku ka shërbyer. Vlora është mirënjohëse ndaj mirëbërëse. Është dhe fodulle dhe nuk ta fal kollaj respektin. Shërbimtarëve dhe Shërimtarëve po. Mbahet mend e nderohet doktor Ali Mihali. Mbahet mend e nderohet Doktor Flloku, babai i artistit të madh dhe poetit Timo Flloko. Ata ishin shërimtarë të qytetarëve. Emrat e tyra janë përjetësuar dhe në institucione apo emra rrugësh në Vlorë. Mbahet mend dhe nderohet Doktor Lluka. Ai është shërimtar i qytetarëve vlonjatë, labë, himariotë e myzeqarë. Ai është mishërim i gjallë i sentencën Da Vinçiane: “Dituria është bijë e përvojës. E vërteta është bijë e kohës”. Nuk e bën “kabull” doktori t’i thotë Çikës: “O kryemal, të lutem, hapëm pak vend aty, te supi yt!” dhe pse e meriton. Çika më duket sikur i thotë: Urdhëroni, Fisnik, afër meje, të marrin njerëzit dritë e mirësi nga Bujaria Juaj Lartësore!” Dhe Doktor Lluka, me atë qetësinë e tij olimpike, me atë thjeshtësinë e tij hyjnore ia kthen Çikës: “Hirësi! Nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam mbledhur kallëza në një fushë të korrur”. E na kujton kështu filozofin e njohur gjerman Arthur Schopenhauerin me shigjetat e tij të mendimit. Nuk pretendoj të bëj promovimin e librave të Tij, se s’jam i zoti, as t’i bëj reklamë emrit të Doktor Llukës, se ai s’ka nevojë. Vlora dhe vendi, qytetaria jonë ka nevojë për të. Ai s’i ka dashur dhe si do kurrë spaletat, dekoratat, aq më tepër fjalët e fryra me tullumbace të bukura. Ai është i thjeshtë si e vërteta; i pastër si ujët e gurrës në Vale, mbi Iljazin e tij e mbi Tërbaçin tim; i ditur si Nestor i kohës; bamirës si Ai (nuk po i them si nënë Tereza, se Doktor Lluka përbën vetë një model të ri mirëbërësie). Ndoshta mund të mërzitet pak për këto radhë që po shkruaj e botoj për të, sepse ia di natyrën e tij, që i ka “zët” fjalët e mira e lavdërimet, sidomos nga miqtë, por s’ka gjë, do të kalojë, për hir të miqësisë shekullore të Iljaz Vunoit me Tërbaçin; për hir të të një lugë gjaku të përbashkët që kemi; për hir të miqësisë fisnike midis Gjidedëve dhe Habazajve; në vlerësim dhe në nderim të çdo 23 Shtatori, qysh nga viti 1979 deri më sot, që Doktor Lluka vjen me lule të frekëta për homazh në Tërbaç. Ai e meritonte njëqind përqind, dhe me kohë, biles, dekoratën më të lartë të vlerësimit moral që jep Shoqata Kulturore Atdhetare Kombëtare “Labëria”: “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË”, që mori Dr. Llukë Milo Gjidede disa javë më parë, me motivacionin: “Si himariot, që ka demonstruar dashuri për atdhe. Për kontribut të tij të demonstruar në përgatitje intelektuale brenda dhe jashtë vendit, për kontribut shkencor e profesional në shkencën e shërbimit dentar. Për cilësitë organizative si drejtues i spikatur i institucioneve shëndetësore, për botimet shkencore që na ka dhënë, për veprat atdhetare dhe shkrimet me nivel kulturor”.
Faleminderit, Doktor Lluka, o vëllai im nga drita e përbashkët e malit të Çikës, që diellon mbi Vuno e mbi Tërbaç!
Dy fjalë për nënën time!
Miqtë e mi !
Dje u takova me dhimbjen e thellë që më shkaktoi ndarja me njeriun më të shtrenjtë të jetës time Nënën.
Fjalët nuk i gjej dot mes dhimbjes e dashurisë për Ty nënë.
Kujtimi për Ty do më shoqërojë çdo ditë të jetës time në përpjekje për t’iu afruar modelit te karakterit tuaj për të mbushur boshllëkun që më krijove me largimin tënd,duke u bërë më miqësor, më mirënjohës,më i matur, më bujar,më i arsyshëm dhe suksesin ta kërkoj mbi to.
Kjo ka qenë dëshira jote, edukimi yt.
Largou e qetë se do të jesh busulla Ime në jetën time dhe në trashegimninë time për fëmijët e mi.
Lamtumirë mamaja Ime.
U prehsh në paqe nëna ime e dashur.
Miqtë e mi !
Dua të shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë ata që respektuan dhimbjen time në këtë ditë të rëndë për familjen time.
Mirënjohje të thellë z.Lulzim Basha për nderimin që më bëri,
Mirënjohje të thellë për emocionin që morën nga kjo dhimbje z.Uran Butka, z.Simon Miraka,z.Klement Zguri, z.Eno Bozdo,z.Çelo Hoxha,z.Nebil Çika,
Mirënjohje të thellë për gjithë miqtë dhe bashkpunëtorët e mi të ngushtë z.Xhemal Shkiau,z.Aleko Gjergo,z.Tomorr Gostivari,z.Besnik Troplini,z.Gent Horieti,z.Gjyri Shehu,z.Nustret Nela,z.Korab Ndreu,z.Suri Damzi,z.Albert Baho,z.Edi Belishova,z.Kujtim Shpata,
Mirënjohje për mesazhet e ngushellimit të z.Fatmir Mediu,z.Arjan Madhi,z.Maks Begeja,
Mirënjohje të thellë nga miqtë që ndajmë të njëjtat bindje politike për mesazhet e tyre nga
Zvicra ,Kosova,Maqedonia,Amerika,Gjermania,z.Arber Gashi,z.Zydi Xhelili,z.Agim Curri,z.Mehmedali Jashari,z.Musi Jonizi,z.Xhemajl Tupalla,
Mirënjohje të thellë për ata që do mbeten gjithmonë në mëndjen time si pjesëmarrës në varrimin e saj.
Mirënjohje për çdo mesazh ngushëllimi që ka ardhur dhe do të vijë.
A. Roshi
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit
Portret për Nënë Terezen/
Nga Anton Çefa/
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave më të ndryshme filozofike për qëllimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nënë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bëri ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e këmbës së saj të zbathur.
Ajo krijoi një urdhër fetar, që u shtri mbi njëqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për më të varfërit e të varfërve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisurit. Kjo është vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo më rëndësorja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, është ngrehina madhështore e tempullit shpirtëror të dashurisë e të vëllazërimit në kraharorin e gjerë të njerëzimit. Kjo është vlera më universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e brendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Promete, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nënë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton një Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet më parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nënë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit kristian: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për të vlerësuar veprën e saj, mbretër e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj një mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë më mirë se kushdo – i dhanë titullin më të madhërishëm Nënë. Nga një “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u bë Nënë e të gjithëve, Nënë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e një Nëne të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza është një vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo është diç më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lëndë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nënë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.
Fytyrat shqiptare pak të njohura -Atë Gjon Karma
Nga Fahri Xharra/
Atë Karma njihet për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t’ i botonte në revistat e jezuitëve “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA” e më vonë i përmblodhi në veprën “Ndër malet tona”, botuar më 1940.
Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e deri në vdekje. Nuk dihet me siguri as kur vdiq, as ku u varros. Çka dihet me siguri, është se vdiq duke krye deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar, duke dhuruar jetën për Zot e popull të vet. Atë Gjon Karma lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi
Për ne si komb , figura e Atë Gjon Karmes duhet t duhet të njihet për kontributin të çmuar e dha gjatë të shtegtimeve me Misionin Shëtitës ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e popullsisë së këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t’i gjejë nën titullin “Lettere Edificanti”, ‘vjetar i jezuitëve’, që ende mbetet për t’u studiuar.
Eshtë për të ardhur shumë se krahas Zotit e kishte me vlerë të madhe kombin. Asnjë predikim i tij fetar nuk biente në kundershim me kombin ;por ai predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e popullsisë së këtyre trevave,
Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e deri në vdekje. Nuk dihet me siguri as kur vdiq, as ku u varros. Çka dihet me siguri, është se vdiq si dëshmitar i fesë së tij duke krye deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar, Dihet me siguri se edhe qëllimisht u harrua .
Më shumëi humbën gjurmët sepse ishte prift , apo sepse punoi për mos harrimin e çështjes
kombëtare? ?
NDER MALET TONA
Gjishkush e din se teshma turizma ki marrë Europe. Djelmosha t ri, studenta shkollfish e Universltetesh tube e tube nder dit pushimi marrin malin e bjeshkfit e nalta, mblue me bore t’amshueshme,nevend qi m’ u talle neper rrugat e zhumhurshme te gjyteteve e nder pijetore. Me keso shetinash te fjeshta kfinaqen e
argtohen tui fitue energji trupore e mendore per te kryem te
detyrvet..Edhene Shqypni t’one ka nise ka pak disi me hi zekthi, iketyne ekskursjoneve, por mjerisht e pengojne mungesat e rrugavet e te mjeteve materjale!
Kush e ushqen ket dishir, por nuk mundet me e plotsue o per nji arsye o per nji tjeter, shpnesojme se paku se ka me kendueme andje shka kam menden me rreshtue nen titullin e sypershhkruem, tuj pershkrue katundet e krahinavet tendryshme, toponomastiken, doket, kallximet popullore, kanget kreshnike, qi popullii Malevet t’ ona, padijte as me shkrue as me kendue, xënper mea e mban mend, pune qi tregon hollsin e mamenden e bindshmete tyne.
Po fillojme me Maici te Pukes, asëShtat Bajraket. Thirren Shtat Bajrake, por nuk jane vegse pese, tuj kene se Thaç e Kabashnder me te permendunit, pershtjne ki dy Bajrake, qi kan fitue me trimni nder lufta te hershme.Qe si na i kallxoj Nik Quni, kryeplak i Arstit te Thaçit: —Bajraku i T,hasit, i Kabashit, i Malitzi, i Qerretit e t`Berishes. —Krahina e Pukes dahet ne shej per vorfnim: shkaku i tokes,
i mungeses se mjetevet e rrugavet; mjeft me thanese lergsijaprej gjytetit te Shkoders kapet 3-4 dit udhe me u ule e 3-4 m’u njitë.
“Në Zogun e Maleve . lexojmë ; Zogu i maleve shqiptare le rritet e plaket ne vetmi , large zhurme e potere se qyteteve t : mjes malesh e bjeshkesh se germueta e poetike , shtrue me bare e veshe me landë lisi , ahi , breu e pishe shumvjeçare. mjes malesh e bjeshkesh thuer e hijëshme me pyje te papreme kurr ; prekin kupen e qiellies me kreshta e veta. Mjes malesh e bjeshkesh jetike, gershetue me megje e bashtina, ujitë të njomë me kroje e gurra të krita, ku bylbyla e zogj te tjerë gjithfaresh me kangla e valle te thekshme e t`amla e gzojne e knaqin veshin e bjeshkatait te vetmuem , sa me i thane jetes “ a je ma “ ! “
Mua më intereson kur njeriu i fesë nuk e harron kombin dhe këte e gjeta tek Atë Gjon Karma
Fahri Xharra,20.12.15 Gjakovë
NËNË TEREZA – ZEMËR SHQIPTARE
Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit virtytin që i kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi/
Nga KOLEC TRABOINI/
Nënë Tereza tani është kthyer në një simbol, në një virtyt që shpreh tiparet më të larta të popullit që e ka lindur. Të gjithë udhëtarët e botës që kanë kaluar nëpër Iliri-Arbëri-Shqipëri( ku hyn Shqipëria, Kosova, gjysma e Maqedonisë, Çamëria, trojet shqiptare në Mal të Zi, ( kujtoni Bajronin, Pukevilin, Edith Durhamin, Ipen e plot të tjerë), kanë vënë re pikërisht këtë tipar,bujarinë shqiptare, tipar që tek Nënë Tereza jonë u trashëgua e mori përmasat universale të gjenialitetit. Tanimë ky virtyt, si dinjitet e simbol, i përket gjithë njerëzimit por kurrë pa ju mohuar origjinës, Shqipërisë e shqiptarëve. Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit, në mënyrën më të devotshme se kurrkush tjetër, virtytin që e kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi. Ajo me veprën e saj humane si asnjë tjetër, i lartësoi dinjitetin dhe bëri të njohur e të respektuar popullin shqiptar kudo në botë, pikërisht atëherë kur ky popull ishte poshtëruar e rronte si skllav nën zgjedhën e djajve të kuq të ferrit komunist. Edhe ky moment duhet vlerësuar sepse shumë kush aso kohe mendonte se Shqipëria kish njollën e zezë të diktaturës mizore, ndaj dhe ish lënë në harresë e përbuzje prej qarqeve që vendosnin ekuilibrin e kësaj bote. Është në dinjitetin tonë kombëtar, historik, që ajo kur po merrte çmimin Nobel për Paqe, tha tekstualisht “nga gjaku jam shqiptare”. A ka dëshmi më të madhërishme dashurie se sa kur e shpall faqe botës me krenari të qenit me gjak shqiptar, e pikërisht atëherë kur Shqipëria ishte e deklaruar si sinonimi i dhunës e diktaturës me të tmerrshme në Evropë. Në momentin solemn e kujtoi popullin e Atdheun e vet faqe gjithë njerëzimit. E kjo nuk është pak. Për një popull të vogël e të nëpërkëmbur në histori si i yni, është shumë, është më se e mjaftueshme për ta ngritur Nënë Terezën në piedestalin e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Kapur pas rrëfanës se ajo nuk e dinte aq mirë gjuhën shqipe, disa pasionantë interneti, përpiqen ta mohojnë tërësisht, mirëpo harrojnë këta zotërinj se më se shumti nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, por e vërteta që thua, nuk kanë fort rëndësi fjalët që thotë goja para dashurisë që mban zemra… Ka shumë shqiptarë në botë që e kanë harruar gjuhën shqipe, por në zemër kanë Shqipërinë. Ne nuk mund t’ua shkoqim nga zemra e tyre dashurinë vetëm me shkakun se nuk dinë të flasin shqip sepse ata flasin me gjuhën e zemrës. Dhe një gjë mos e harrojnë ata që duan ta shohin historinë ndryshe nga se ka qenë në të vërtetë, apo duan ta modifikojnë atë për hir të interesave të kohës, se turqit e historisë (e jo të sotmit sigurisht) dihet mirëfilli se i digjnin shqiptarët të gjallë po t’i zinin tek shkruanin gjuhën shqipe, madje nuk kanë qenë aspak më të mirë se grekët, që vranë shenjtorin e shqiptarizues Papa Kristo Negovani, të cilin edhe sot e kësaj dite greku Janullatos ne krye të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe pasuesit e tij e mohojnë. Po të përmendje Gjergj Kastriotin, në kohen e sundimit të sulltanëve të egër të Stambollit, ushtareët e Perandorisë Osmane të fshinin nga faqja e dheut, por populli Skënderbeun e mbajti në zemër nëpër shekuj robërie, dhune, gjaku e tmerresh, paçka se me gjuhë të ndaluar. Ja pra çfarë force madhështore ka gjuha e zemrës. Gjuhën mund ta ndalosh të flasë, por zemrën nuk mund ta ndalosh të rrahë për mëmëdheun sa kohë që njeriu është gjallë dhe ka dashuri për atdheun e vet. Atëherë pra, si mund t’i mohohej Nënë Terezës dashuria për Atdheun e vet, si mund t’i mohohej asaj dashuria për nënën që e kishte lindur, për babain Kol Bojaxhiun që ja kishin helmuar pushtuesit serbë, për motrën që i vdiq në Tiranë (diku në një shtëpi përdhese tiranase) e që të gjithë flisnin vetëm shqip, gjuhën e Shqipërisë e të shqiptareve. A thua për këtë e ndaloi Enver Hoxha që të takonte nënën e motrën e vet në Tiranë, se e hante meraku diktatorin se nuk do të mund të merreshin vesh në gjuhën shqipe? Jo për atë zot, nuk ish ky shkaku i mohimit të diktaturës, nuk është ky shkak i vërtetë as dhe sot, prej disave që vazhdojnë ta mohojnë me të njëjtin pasion të egër, sepse: Dashuria para së gjithash është në zemër e jo në fjalë! Kurrë mos harrojmë ta lexojmë e ta rilexojmë thirrjen e Nënë Terezës, drithërimën nga thellësia e shpirtit drejtuar shqiptarëve në vitin 1997, kur shteti po shkërmoqej si një grusht rërë, populli po vuante e rinia po vritej, varret shumoheshin si brenga në truallin arbëror. Në atë letër ka dashuri në përmasat madhështore të personalitetit të saj. Ajo në atë letër është shqiptare në çdo qelizë në çdo frymëmarrje. Ajo në atë letër është më shqiptare se çdokush tjetër ne këtë dhè e, ku e ku në krahasim me ata që, ani pse e flasin gjuhën shqipe standart, shpesh herë e përdorin atdhetarinë si medaljon. Populli ynë ende ka nevojë për figura të mëdha të ndritura që e lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve faqe botës, sepse ata shtojnë admirimin, shtojnë miqtë e përkrahësit e shqiptarëve, çfarë deri në fillim të këtij shekulli më së shumti na kish munguar. Dhe të mos harrojmë se nuk është e lehtë ti lindësh botës të tillë personalitete që nderohen nga mbarë njerëzimi, tej e përtej religjionit, sepse tipari themelor i saj ka qenë humanizmi, përkushtimi për mbarë njerëzimin. Fundja duhet ta dimë, e në mos e ditshim ta mësojmë ( ani pse tejet të vonuar në këtë mësim), se gjuha shqipe para së gjithash duhet të jetë dashuri…e dashuria është gjuhe e përbotshme që i tejkalon të gjithë kufijtë e barrierat me të cilët historia deri më tash mjaft keq i ka ndarë e përçarë popujt. Shqiptarët kryekreje. E së fundi, fjala para se të dale nga goja duhet të kalojë nga zemra. Vetëm atëherë ajo është e vërtetë si drita e diellit, një e vërtetë që gjen strehë ndër zemra të tjera, siç gjenin strehë tek njerëzit, popujt e kombet e tjerë, fjalët e Nënë Terezës, Nënë Terezës sonë me gjak e zemër shqiptare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 415
- 416
- 417
- 418
- 419
- …
- 617
- Next Page »