Nga Ilir Levonja/
1)Nuk e di se ku është qejfmbetja e profesor Qoses me të djathtën. Por ajo që di, ajo që shoh përditë, ajo që më trishton është kthimi i tij jo në një adhurues i së majtës. (Sikur të ishte kështu, do vazhdoja ta admiroja. Sikur edhe kam bërë gjithë këto vite.) Por nuk është kështu. Madje disa herë kam bëlbëzuar me vete, jo vetëm për atë…, edhe për të tjerë të asaj moshe. Asaj gjenerate që me ato kohë, ashtu siç ishin, me shtypës, shfrytëzues, të shfrytëzuar. Me luftë klasash. Me bllokada. Me kufij të mbyllur etj., u kthyen në simbole ku mund të shihej hirearkia e një kulture që po konsolidohej. Kjo përballë makinerisë gjigande të njerëzimit në Europë e gjetkë. Kam thënë pra, po mjaft o burra të urtë, mjaft duke u bjerrur, duke u çurtësuar. Mjaft duke mbajtur njërën anë. Mjaft duke u bërë më vulgarë se politikanët. Mjaft duke u bërë pjestarë të devotshëm, me zellin e militantit që e sheh kundërshtarin si armik. Por ata vazhdojnë, përkundër dëshirës time për t’i parë nga poshtë. Për t’i parë lart, në piedestal.
Ti thua që ”asnjë çast nuk ma kanë mbushur mëndjen ato akuza se kryeparlamentari Ilir Meta vërtet paska dashur të vriste Tom Doshin. Ilir Meta e shikoj si njeri e politikan të matur, të zgjuar, inteligjent, i cili në asnjë rast nuk do t’i lejonte vetes të futej në një farë aventure të tillë për çfarë u akuzua.” Balkanweb” dt 19/4/2015, intervistë me F.Nikolla.
Më kujtohet si tani, prill ishte edhe atëhere, biles 17 apo 18 data e vitit 2013. Me suportin e të majtës, një botuesi të majtë, që ashtu si shumë biznesman-ë të tjerë politikanë. Ndahen nga gruaja me letra, ose gjoja heqin dorë nga aktiviteti, për të mos patur ndeshje interesi. Për të qënë të shplarë përpara ligjit. Botove një libër për 21 janarin. ”Shqipëria dhe Kosova si do duhej të jenë”. Unë intrigën në letërsi e kam mësuar nga ty, nga paraardhësit e mi. Besoj se vrima e çelsit dhe shejtani në karrike, janë dy detaje që mbajnë në këmbë romanin tënd ”Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Atë shejtan, çuditërisht ne e shohim tek njëri-tjetri, më shumë se tek i huaji. Edhe pse ti i referohesh shkjaut. Këtë shejtan e gjetët edhe atëhere. E promovuat me epitete të tilla, ”Depozita” ”Meta pas këpucës së Berishës” ”Paterica” etj. Tani shejtani nuk qënka më shejtan. Pasi as shkrimtari, gjeniu, profesori nuk është më i tillë. Eshtë politikani. Ti thua që u trondite për vrasjen e katër njerëzve. Mirë bëre. E vërtetë, tronditje është. Por çuditërisht nuk i ke thënë mbarë shqiptarizmës se sa i tronditur je përballë krimeve nga lufta e klasave në diktaturën e proletariatit. Madje në atë provim demaskimi të depozitës, ti the se u trondite kur kishe zbuluar në Austri një shkresë që thoshte se shqiptarët, vrasin njëri-tjetrin. Çuditërisht përpara se ta zbuloje ti e kanë thënë edhe shumë të tjerë, i fundit Zekeria Cana. Çudi, u dashka të shkosh në Austri për të kuptuar këtë. Çudi akoma kur nuk do ta kuptosh se duke mbajtur njërën anë, i shërben pikërisht këtij mallkimi.
2)”Porosia e madhe” është një nga veprat e tua më të mira. I kushtohet Naim Frashërit. Më ka mbetur në mëndje një pasazh. (Të kërkoj ndjesë nëse nuk e riprodhoj ekzaktësisht pasi jam larg dhe biblotekën e kam në atë vend që ti e nëm.) ”Askujt më mirë se Naimit nuk i shkonte për shtat fjala e urtë e popullit, më thuaj me kë rri të them se cili je.” Me një fjalë, kë lexon dhe të them se cili do të bëhesh.. Me një fjalë kë lexon, më kë e ushqen shpirtin. Dhe miqtë e Naimit ishin tjetri e tjetri e tjetri me radhë. Persët, Sadiu etj.Pak a shumë kështu thotë edhe Gledis Shmitt për Rebrandin, o bëhem gjeni o gomar. Eshtë për të ardhur keq, kur një mëndje e ndritur si ti, me konstatime të tilla studimore, i gëzohesh shoqërisë së një kryeministri. I lumturohesh një kryeparlamentari. Një faraoni që ngre çadra të tipit Gedaf thjesht se bën dyzetë e pesë vjeç. Përballë një moshatari tënd me një pension faqja e zezë, të lodhur lotësh, mashtrimesh, të përbuzur, të nëmur sikur të jenë të gjithë me kolerë. I gëzohesh sponsorizimit të një libri, dhe e shet brenda mbrëjmes me urdhër kryetari, anëtarëve që vinë aty jo për aspirata programesh, por për aromën e tenderave dhe të përqindjeve të tyre. Për një vend pune që shitet sa qimet e kokës. Ndërkohë kur letërsia vuan rimëkmbjen, rigjenerimin, kalim nga njëri brez tek tjetri. Për shkak të një diktati me porosi po kryetarësh. Shokëve me të cilët ti rri.
Nuk ka librari, nuk ka treg shpërndarje, nuk suport shtetëror. A nuk e shikon 99% e shkrimtarëve ngelën muhaxhirë. Paguajnë libra nga xhepi, i falin me dhimbje, të bindur në suksesin e ëndërruar.Eshtë e mjerueshme, edhe pse kanë kaluar njëzetë e pesë vjet, akoma nuk është thënë fjala juaj për një penë të re. Nuk ke faj, je i zënë duke lavdëruar veprën e Ilir Metës.
Me që ti dikur e ke thënë për Naimin, tani po ta them unë një fjalë të popullit për Metën. Aty ku ka zë, nuk është pa gjë. Askujt tjetër më mirë se Metës nuk i shkon kjo fjalë.
Gjithsesi, ti vazhdo lavdëroje, deri në çurtësi.
3)Diçka si më i vogël, si një adhurues. Pasi adhuronjësit nuk ke pse u kërkon vetëm sytë, vetëm adhurimin. Bën mirë t’i dëgjosh edhe ndonjëherë. A e di, këtë e shpjegon shumë bukur Petro Marko. Kur pajtoi Himarën me Dukatin. I tha ai dukaqoti, plaku i shtëpisë, ”ti Petro eja ulu këtu në krye.” Ti e di që tradita shqiptare e do që burri më i moshuar, ulet në krye. Kur Petro ngriti supet duke hezituar, ai ia ktheu. ”Ky vend të takon ty sepse gjykove si më i madhi ndër ne”.
Ai vend sot ka nevojë për ty dhe shumë të tjerë. Qoftë edhe në një distancim. Qoftë edhe në dy fjalë që i hedhin ujë zjarrit. Që nuk i lënë cjeprit të rrahin brinjët majë çatisë, siç tha Dritëroi.
Nëse të dhimbset shteti, nëse të dhimbsen vërtet njerëzit, i thuaj Ramës, Metës, Bashës….
-Nuk mund të shpikni kryetarë bashkish. Janë forumet. Ata i dirigjojnë.
(Me të drejtë një analist tha para pak ditësh se nuk ka rilindje me emra të vjetëruar. B. Haxhiu)
-Nuk mund të shkoni para popullit e të thoni ky do ta bëj këtë qytet apo atë qytet, kështu e ashtu. Pasi nuk është individi. Por platformat e programeve konform ligjeve. Dhe platformat aty mungojnë. Ndaj dhe fushatat janë kthyer në demagogji e radhës.
-Nuk mund të merreni më, me njëri-tjetrin, por me popullin.
-Nuk mund të prisni shirita në biznese ku nuk garantohen të drejtat më minimale të punonjësit.
-Nuk bëhet shteti me një sy qorr e vesh shurdh.
-Sa ”nuk”e të tjera.
Rilindja tashmë është histori. Por as letërsia e re nuk është me libra nga ndjesitë e së përditshmes me rrëfime kujtimesh të freskëta nga kryetarë dhe anëtarë partie, si ”Kurbani” apo ”Shqipëria dhe Kosova si do të duhej të jenë”.
Shëndet e jetë urtësi e munguar!
Bisedë e hapur…
Ne shkruajmë për të thënë të pathënën, apo fjalën e fund listës…/
Ese nga KRISTAQ TURTULLI/
Vitet rrjedhin rrëmbimthi, flokët na zbardhen dhe vitet na rëndojnë mbi shpatulla dhe, jo rrallë është pëshpëritur, andej nga toka mëmë, ngaqë nuk para kanë qejf të hapin krahët. Ata të pushtetshmit në para, në art dhe kulturë. Pas një copë herë heshtjeje kur ne kemi ngulmuar, i kemi dëgjuar haptas, të thonë me nënqeshje sarkastike nën buzë:
-Ah, më falni, dil pak në dritë, ky holli i flamosur është pak i errët. Të më falni hë, janë gjithë këto vite dhe për fat të keq nuk më kujtohesh. Pa thuaj edhe njëherë kush jeni ju lutem?! Ah po tani më kujtohet! Ah si ikin këto vite. Ju të mërguarit, që shkruani, mirë bëni, e dimë, bukur fort bukur…
Heshtje një copë herë. Puroja kubaneze përmbyt sallën me tym, më pas dëgjohet:
-Flitet, të na kuptoni, në koefindencë, ne këtej nga mëmëdheu nuk e besojmë. Por thuhet se ju mërgimtarët shkruani ngaqë nuk mundeni dhe nuk keni çfarë të bëni tjetër (përsëri në koefindencë) dhe ne bëjmë sikur ju ndjejmë me dollarët që na dërgoni për ti botuar librat tuaja dhe bëjmë sikur ju lexojmë. Mos harroni në tokën mëmë ka shumë halle dhe para. Heshtje dhe përsëri tymi i puros shtëllunga- shtëllunga.
-Sikur të ishte mirë për ju të zhvillonit ndonjë aktivitet më të suksesshëm në sfera të tjera të jetës. Në perëndim a kudo gjetkë, mund të fitosh me çdo mjet, e fare lehtë dollarë, dollarë, dollarë. Nuk e shihni jeta ikën shpejt, shumë shpejt, koha të lë mbrapa, të nxjerr aksidentalisht ndanë udhës, aty ku ka shumë pluhur, tym dhe mizëri makinash të botës së madhe?!
Ata u qajnë hallin me sinqeritet krijuesve të mërguar, u hipin pastaj makinave të markave të ndryshme dhe ngrysen lokaleve në shërbim të interesave të larta të atdheut dhe të politikës së madhe.
Po a nuk janë shumë prej këtyre politikanëve sharlatanë që me politikën diletante dhe hakmarrëse na detyruan shumë nga ne të merrnin rrugën e mërgimit?!
Sigurisht jo të nderuar ‘mëmëdhetarë të mëdhenj’. Ne nuk shkruajmë ngaqë nuk kemi ç’të bëjmë tjetër.
Jeta e mërgimtarit e të gjithëve ne tërësi është tmerrësisht e vrullshme e rrëmbyeshme, nuk ke kohë të marrësh frymë. E po ti thuash dikujt, të flasësh për art, letërsi, libra dhe në përgjithësi mërgimtarëve kudo që ti ndeshësh nëpër botë. Të vështrojnë me habi nga poshtë lart, ngrenë supet dhe largohen me shikim te pjerrët, acarues, me mendimin shpartallues,si të thonë:
– Çi a ke ngenë dhe ti…
Sikur ke ardhur nga tjetër planet. Pastaj kthehen vringthi pyesin:
-Vërtet paska njerëz që shkruajnë akoma! Si nuk përtojnë! Oh! Ha! Prit një minutë të lutem. Unë mbaj mend vetëm ata të vjetrit, të lashtët, mjekërgjatët: kadaretë ,agollët, arapët. Ah po, po. Me kujtohet, dale prit se koha bën të sajën, hë e gjeta, komisari Memo që u vra prej ballistëve që hanin pula dhe gjela, mos e ka bërë kadareja këtë? Më duket se njëri prej tyre e kish emrin Proto-papa, kam të drejtë? Hëm! Vërtet ia vlen te flasësh me gjatë miku im për kësi gjërash, hëm, nuk e di, nuk e di! Oh, ju lutem mjaft, kur ndërkohë kriza llahtarshme ekonomike ka mbërthyer botën si me darë! Ju lutem! Oh! Ika, nuk kam kohë…Kadareja e ka qarë me atë proto-papën!
Ndërsa disa nga të rinjtë, kuptohet që lexojnë, njohin; tek tuk libra me vampirë, pak Dan Braun, Danielë Stel, Stefen King e ndonjë tjetër. Ata nuk dinë dhe nuk duan të dëgjojnë ne ekziston ndonjë letërsi shqiptare. Bisedon me prindërit, ata janë modernizuar mjaft, janë indiferentë, nuk duan të ndërhyjnë në jetën e fëmijëve.
Ndërkohë pyetjeve dhe veprimeve çmendurake nuk u kthejmë përgjigje, luajmë kokat ngadalë. Ne nuk mërzitemi, nuk ligështohemi. U themi me modesti, kur të tjerët blejnë shtëpi dhe makina luksoze, ne shkruajmë dhe shpenzojmë për libra. A nuk është marrëzi, thonë.
Ne vazhdojmë të krijojmë me thjeshtësi pa zhurmë dhe bujë, sepse ndjejmë përgjegjësi morale dhe shpirtërore ndaj vetes qe gjendemi në mërgim, mërgimtarëve të tjerë, atdheut te dashur, ndaj të gjithëve. Është një zinxhir i trashë, i rëndë që na mban të pranguar pasgjishmërisht. Janë mijëra fije të ndehur në ajër, zëra dhe zhurma që ngrihen dhe ulen. Ne i ndjejmë dhe i përjetojmë, i mbartim pas ngado, derisa të marrim frymën. Dëshirojmë, shkruajmë pa mëdyshje me përkushtim, pa interesa, të bëjmë vepra të kohës dhe me cilësi që lexuesi të kthejë sytë, të afrohet, mbasi arti, kultura, gjuha, tradita përbëjnë identitetin i një kombi,është vetë jeta.
Ne morëm mbi supe peshën e rëndë të mërgimit. Shkatërruam gjithçka të shenjtë, shitëm shtëpinë për të siguruar biletat e shtrenjta të udhëtimit. Paratë e shitjes së shtëpisë prindërore përfunduan në një thelpi përkundrejt vlerës së lartë të dollarit amerikan dhe kanadez dhe zhvleftësimit të lekut shqiptar. Ne lamë pas gjithçka me zemër të plagosur; plaçkat, shtretërit, bufetë, komodinat, televizorët, jorganët dyshekët, dhe u thamë të njohurve dhe të panjohurve: ‘merrini nuk i duam, ju a kemi falur. Por tinës u përlotëm, kafshuam gjuhën deri në gjakosje, dhe kambana e nostalgjisë shungulloi ne gjokset tona. Por a mund të mbarteshin atë në mijëra kilometra së bashku me mallin e rëndë sa një mal?!
Grumbulluam rrëmbimthi ëndrrat e turbullta dhe ikëm në mëngjese të ftohta me shi dhe thëllim si shumë të tjerë, drejt një bote të panjohur, pa kthim, me zemër të ankthuar dhe frymë ndalur, Trupat tanë qëndronin të ndehur, fëmijët na përgjonin me sy, ata ishin të mbërthyer mbas nesh si zogj të vegjël me sytë e trembur, në to ishin përzierë pasiguria, frika dhe kureshtja e papërballueshme nga e panjohura.
Ne ikëm larg, shumë larg, me mendimin e ngulitur se atdheu ngeli pas, i lodhur, i munduar, i trishtuar. Ndërsa përpara kishte vetëm mjegull dhe re, re, re. Ëndrrat e bukura, plot fantazi i kyçëm në memorie dhe luajtëm kryet në heshtje…
Dihet prej te gjithëve e vërteta e pakundërshtueshme. Ne nuk ikëm se donim të iknim, nuk ishim dhe aq kureshtarë fëmijërorë. Ne ikëm sepse na detyruan të iknim. Shume arsye u mblodhën së toku të cilët lëvizën me zhurmë gurët e mëdhenj, të rëndë të ikjes, duke shkatërruar dhe përmbysur çdo gjë të shenjtë të vatrës qindra vjeçare prindërore. Ne nuk ishim të paaftë, por ikëm se ishin kushtet e tjetërsuara, të disfavorshme, kur mekanizmat e politikes pasioneve dhe të tensioneve marrake ishin dhe janë sot e gjithë ditën tejet të ndezura.
Te gjithë të ikurit u përballën me botën tjetër, dhe asgjë nuk u afrua si në tepsi të florinjtë. Paratë e shitjes së shtëpive fluturuan në krye të disa muajve. Ne vështruam duart dhe qytetin e madh që shtrihej përpara. Ulën kokat, pranuam pa kompromis punët më të vështira dhe të rëndomta. Vendi i huaj nuk kërkon, dekurajim dhe dorëzim pa kushte, ndryshe të shtyp si brumbull, ku lëvizin rrëmujshëm miliona njerëz nga të gjitha kombet, nacionalitetet dhe racat. Ne ishim një bulëz uji në oqeanin e madh të emigracionit, dallgët dhe uraganet të flakin shumë shpejt në breg, shtypesh, tretesh si një copës leshterik. Ndërkohë ingranazhet e jetës filluan të lëvizin me ngadalë dhe me këmbëngulje. Zhgënjimi, trishtimi janë bashkudhëtarë të jetës, por vendimi ish marrë njëherë e mirë,qysh se u vendos këmba në shkallinën e parë të shpendit metalik dhe të shkëputjes, ngritjes në ajër prej tokës mëmë:
‘Do të luftojmë me të gjitha forcat për të mbijetuar, por dhe mëmëdheun e shtrenjtë kurrë për të mos e harruar!’
Jeta rrodhi dhe vitet filluan të ndjekin njëra tjetrën gjithë ngutje dhe rrëmbim. Ndërkohë krahas luftës për mbijetesë mendonin për tokën që lamë pas, mëmëdheun e dashur, matanë oqeanit,qindra, mijëra kilometra larg dhe qindra male kaptuar si në legjendat e lashta. Mendimi i ngulitur qëndronte ndezur, krahas zgjimit të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së gjithsecilit. Ftillimi i realitetit, zbardhja e së vërtetës bëhej ndalë ngadalë, graduale, por tërësore. Më pas vjen kthjelltësia, pa kompromis, pa oshilacionet dhe komplekset e mundimshme të trashëguara apo të krijuara prej pasionet e çastit,ose interesat e domosdoshme. Përgjegjësia dhe maturia ecin në të njëjtën kohë me zhvillimet e situatave.
Si gjithnjë, si dikur në rilindje me kolosët e mëdhenj të shqiptarizmës, vëllezërit Frashëri, Çajupi, Vaso Pasha, më tej Noli, Konica,Koliqi e të tjerë mund të merreshin me diçka tjetër por shkrinë jetën e tyre për rizgjimin Kombëtar. Letërsia e emigracionit ritet, zhvillohet në kushte dhe mundësi të tjera. Krijohen kështu dy shtylla të rëndësishme: letërsia që zhvillohet në mëmëdhe me letërsia e emigracionit, të cilat kanë të njëjtën qëllim dhe lidhen me shumë fije me njëra tjetrën. Mbasi nuk duan të pranojnë shurdhërinë, asimilimin e dhimbshëm, kur në të njëjtën kohë indiferentizmi, nihilizmi, kompjuteri, interneti, lojërat, facebook i merr rinisë kohën më të madhe.
Ndërkohë ngrihet pyetja e madhe:
’Emigrantët shkruajnë ngaqë nuk kanë me se të merren, apo ndjejnë përgjegjësinë e intelektualit të zhveshur nga interesat e ofiqit, të interesit, tarafit dhe parasë?
Të mbushur me ngjarje, fenomene dhe momente, të ikur shumë larg atdheut mëmë ne shkruajmë, botojmë dhe i shpërndajmë librat falas, ngaqë është tejet e vështirë të qëndrojnë në libraritë e vendlindjes të mbushura buzë për buzë me libra kujtimesh grafomanë për fshatin dhe letërsi të huaj të mbushur me ankth, drogë dhe letërsi nostalgjike.
Shkrimtari emigrant që e filloi jetën përsëri nga e para, lekët nuk i gjeti në rrugët e mëdha të botës së huaj, mbasi kriza ekonomike qëndron pezull si sfinks mbi kryet tona. Obligimi dhe përgjegjësia është më e madhe se interesat e vogla meskine, ndaj vetes që gjendemi në mërgim dhe mëmëdheut që ndodhet shumë larg, në largësi ajrore por shumë afër në fije shpirtërore. Shkrimtarëve emigrantë kontakti me botën, perëndimin, kulturën, përplasjen me jetën u dha mundësi dhe avantazhe të tjera, por njëherësh kthjelltësi mendimi veprimi për veten dhe për të tjerët, për të parë dhe analizuar situatat më qetë dhe gjakftohtë.
Mekanizmat e shpërndarjes, njohjes së kësaj letërsie të zhveshur nga klishetë, në mëmëdhe dhe kudo gjetkë janë të ndryshkura, ende të pranguar prej pasioneve dhe nostalgjive e së kaluarës. Një mjegull e dendur endet akoma mbi trurin dhe mendësinë shqiptare. Nuk ka letërsi të re të fuqishme, çfarë u bë u bë, kjo tani është periudhë impaku siç është në impak dhe shoqëria shqiptare. Këtë e thonë nën zë dhe me zë të plotë të djeshmit. Por harrohet, në situata të tilla krijohet dhe konsolidohet letërsi e fuqishme, por kjo duhet të evidentohet jo të shtyhet dhe të injorohet me qëllim.
Ku janë korifenjtë e lashtë të realizmit socialist, me mjekër apo pa mjekër, flokëbardhë, apo pa flokë, dredhin duhan sheldia, apo pinë cigare me filtër. Pinë raki rrushi dhe sjellin nëpër mend me nostalgji veprat e shkuara, dhe pinë koka-kola. Ku janë?! Sigurisht ata meditojnë, mendojnë për përjetësinë. Por kjo djall përjetësi është thikë me dy presa.
Ata heshtin, janë indiferentë se çfarë ndodh rreth nesh, fundja nuk u duhet atyre për çfarë ndodh. Mbrojnë me stoicizëm barrikadën e lashtë e cila ka filluar të ronitet, të pluhurëzohet dhe nuk e kuptojnë se po të kapesh mbas shtëpisë së vjetër humbet në të.
Hesht akademiku i respektuar, kritiku Rexhep Qose, nuk ka kohë sepse ka mprehur shpatën kundër shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Nuk ka kohë, u plak, axhë Rexhepi, apo nuk i intereson arti e letërsia e fuqishme qe shfaqet në horizont. Kadare gjithashtu mpreh vigjilencën, nuk mund të shfletojë libra të kolegëve të rinj dhe të vjetër, emigrantë si ai, jo se nuk do,por nuk ka kohë dhe ai, debatet historike duan djersë dhe mund. Ai preh vigjilencën për çmimin e madh. Ndërkohë opinioni ngrihet në këmbë, ndahet në dy kampe kundërshtare, i mbrojnë dhe i kundërshtojnë.
Ndërsa plaku i mençur Dritëro Agolli replikon me bezdi për politikën, mbase ndjehet i lodhur, sepse edhe kjo shejtane politikë kërkon shkathtësi dhe mendim të ri. Nuk ka kohë dhe ai të lexojë letërsinë e re të emigracionit. ‘Eh, ku është letërsia e dikurshme, pra e tyrja dhe ku janë këta të sotmit! Ujëra të tëra rrjedhin në mes, thotë si mendimtar i madh dhe tërheq nga raftet shkund pluhurin dhe shfleton librat e zverdhura të tij.’
Sigurisht rrjedhin ujëra të tëra, të bësh letërsi tani kërkon bythë të forta, për të përballuar fluksin e tmerrshëm të letërsisë botërore, krisën, internetin, facebookun dhe indiferencën e përgjithshme.
Hesht Arapi me shokë, edhe ai ndjehet i lodhur. Të gjithë, sërish dhe sërish janë të ngrehur, në pritje të dëgjojnë, të lexojnë çfarë thuhet për ta, ndonjë artikull, intervistë, lajm, etj, etj, etj. Një pjesë prej tyre marrin pozat e predikuesve, me petkun e rëndë të hipokrizisë. Dikush tjetër qëndron i varur, mbas një vepre të dobët puniste, por që u trumbetua si kryevepër për interesat e kohës dhe të partisë. Vallë akoma nuk janë të kënaqur prej rëndesës së teksteve shkollore, të mbushur plot dhe përplot me krijimet e tyre në dhjetëra dhe dhjetëra vite që nga klasa e parë deri në tekstet e universitetit? Ata përsëri kërkojnë, vëzhgojnë dhe presin. Ndërkohë harrojnë se një brez ikën dhe një tjetër vjen. Të lindur dhe brumosur në të tjera kushte dhe mendësi. Një krijues inteligjent, Fatmir Terziu bën përpjekje serioze por është zë i vetëm.
Ne gjithnjë i kemi respektuar,ndjekur, adhuruar, të djeshmit. Ata gjendeshin kudo, në ëndrra, në diskutime, politikë dhe dashuri, ishin ndihmësit e partisë. Ata kanë qenë të pazëvendësueshëm si ajri, mbasi libri aso kohe ishte gjithçka. Me veprat e tyre na ushqenin çdo ditë, si me pikatore. Ne sytë tanë ata rriteshin-rriteshin, shumë mirë që u ritën, një komb ka nevojë për korifenj, për personalitete ku tu referohesh. Por gjithçka ish atëherë, situatat ndryshojnë dhe epokat gjithashtu…
Ne të mërguarit përsëri shkruajmë dhe shkruajmë. Librat tona që botohen në atdhe zverdhen nëpër shtëpitë e miqve se nuk ka kush të përkujdeset. Çfarë të bëjmë smund të harrojmë një të vërtetë të marrë, dy sy që nuk shikohen shumë shpejt harrohen. Së paku lexoni librat e tyre. Uh, ku kemi kohë dhe në atdhe çmimet, inkurajimet, lëvdatat dhe prezantimet lëmohen si gurët e zallit. Kot nuk doli Lipe Shtogu dhe prapa lista e tij, ai është origjinal sot e gjithë ditën…
Kalimtarët e zakonshëm sigurisht harrojnë se prapa rrugicës ka një kishë po të mos dëgjojnë kambanën që bie. Siç ra kambana për ta për pesëdhjetë vjet me radhë ore dhe minutë. Letërsia e mërgimit është e fuqishme, në to nuk flasin dhe shkruhen interesat e ngushta meskine por atje flet me patos malli dhe zemra…
Fisnikëria e tyre dhe e të tjerëve ritet dhe riparojnë diçka me vlerë, e do vazhdojnë të respektohen, nëse do marrin pozicionin e vërtetë të krijuesit, të shkundin prej supeve petkun e pluhurosur dhe të vështrojnë përreth, të përdorin ato vlera, që u dha koha dhe rastësia, të thonë fjalën e tyre ne se munden, sepse godina e letërsisë është e madhe dhe ka vend për të gjithë. Çdo gjë me vlerë nuk bëhet për krijuesit por për kombin.
MOS HARRONI!
Nga Reshat Kripa/
Duke dëgjuar fjalët e bashkëvuajtësve të mi, më dalin para syve, si në një ekran, portretet e paharruara të dy të përndjekurve politikë, Xhemal Mustafarajt dhe Fadil Ndreut që, megjithë kërcënimin e forcave të sigurimit të zi të shtetit, që ende ishte në fuqi, më 27 nëntor 1991, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin e urryer të komunizmit dhe ngritën lart flamurin e kuq me zhgabën dykrenore, ashtu siç e kishte ngritur dikur edhe Plaku i Urtë i Vlorës. Më dalin pamjet e ditës kombëtare të 28 nëntorit të po atij viti, kur ish-të përndjekurit politikë të Vlorës i thanë:
-Ndal!-kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, komunistit
Mezan Malaj, duke mos e lejuar të ngrinte flamurin e Skëndrbeut.
-Duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e
Ismail Qemalit–i thanë atij dhe flamurin e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, birit të ish- të burgosurit politikë, Burim Kokoshi dhe nipit të nënshkruesit të Aktit të Pavarësisë dhe drejtuesit të Luftës Patriotike të Vlorës më 1920, Qazim Kokoshit.
Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje:
-Mos harroni! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi
pinjollët e tyre janë ata që sot ndodhen në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit tanë politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur.
Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat social-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Valter Harrizin, Lutfi Rapajn, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.
Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është shprehur
: Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë
demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Vini veshin!
Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë, – thotë zoti Benesh.
Ndaj ju bëj thirrje: Rruhuni nga thirrjet e kobshme të këtyre korbave të zinj që na kanë rrethur nga të gjitha anët. Ata i dëgjojmë të këlthasin për gjoja tmerret që paskan jetuar në të kaluarën, në një kohë që ishin ata që i shkaktuan, për të drejtat e njeriut në të sotmen, për liri dhe barazi në një kohë që jo shumë vjet më parë çirreshin, kush më tepër t’ia kalonte shokut, për “sukseset e socializmit”, dhe për “mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”.
Ndodhemi në prag të çeljes së fushatës për zgjedhjet vendore. Mos harroni këto që përmenda më lart. Dilni në zgjedhje dhe votoni për të ardhmen tuaj. Kush është kjo e ardhme? Është aleanca me në krye Partinë Demokratike. Kjo aleancë ka bashkuar demokratët, republikanët, ballistët, legalistët dhe të gjithë ata që përpiqen për një Shqipëri me të vërtetë demokratike, për një Shqipëri ku të sundojë shteti ligjor dhe jo shteti i krimit siç është sot.
Filozofi Friedrich Nietzsche, qysh në vitin 1906, shkruante në librin “Vullneti për pushtet”:
“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.
Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.
Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”
Ndaj, t’i themi “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.
Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i thermi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.
Ndaj, le t’i flakim tutje të gjitha mospërputhjet e mendimeve që mund të kemi me njeri-tjetrin dhe të bashkuar le të përsërisim 28 nëntorin e vitit 1991, të votojmë për kandidatin e Partisë Demokratike dhe partitë e koalicionit të djathtë, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë realitet ëndrrën tonë shekullore për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe moderne. Përndryshe, nesër do të jetë shumë vonë.
Mos harroni!
Mbajtur në konventën e organizuar në Vlorë nga Departamenti i të Përndjekurve Politikë i Partisë Demokratike dhe Shoqatat e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me famil,jet e përndjekura nga regjimi komunist.
LETRA EVËS – SIMBOL POETIK I VIZIONIT JETËSOR
Esse nga AGIM GJAKOVA/*
më merr në tokën e zjarrtë/
më merr atje/
rrëzë Çabratit majë Pashtrikut/
buzë Erenikut/
Të shkruaj Ty/
me fjalë të para/
të shqipes/
Letra janë fletë të shpirtit, të mendjes dhe të qëmtimeve artistike të Mazllum Sanejës Janë dëshmi e vetëdijes së ngarkuar me travajat e jetës, e qenies sa individuale aq shoqërore, e brumosjes së fisnikërisë nëpër fellutat e kësaj bote me njerëz të pamëshirshëm por edhe me të tillë të dashur, mirëkuptues dhe humanistë.
Eva është konkrete dhe simbolikë, ngacmuese dhe paqëtuese, joshëse dhe nxitëse e ëndërrimeve, zbardhje e ditës së jetës që tejpërmbushet me tërë gamën e përjetimeve. I përmbytur me shfrimin ndjenjave që bulojnë nga të katër anët, rreket njerëzimi të ekzistojë në realitetin e përdhosur nga shumë shtrembërime
në këtë
oqean të botës
përplot
ndodhi të papritura
mbërthyer me dredhi
kurthe
dhe komplote
dhe uni poetik i Mazllum Sanejës është ky njerëzim, që rropatet në shumë aspekte dhe as nuk mposhtet, por as nuk del fitues., vazhdon në luftën e përjetshme.
Letra Evës, në kontekstin e përshkrimit të ndjenjave, përbën një mostër për një analizë psikologjike të njeriut të sotëm, i cili është i vetmuar, i braktisur, i përbuzur, i marrë inat, i shtyrë në zgrip të greminës, por me dashurinë që zmbraps gjithë këto, duke dalë në rrahun e së vërtetës së thelbit njerëzor.
Cilat janë aspiratat e këtij uni poetik? Për ta kuptuar më mirë duhet të njohim jetën e Mazllum Sanesë, një jetë tërë peripeci ekzistence, vuajtje mërgimtare, por punë të palodhshme sizifiane në rrahun e letrave. (të pranishmit pothuajse e dinë), prandaj mos të rreket askush të thotë se jeta e tij nuk është vepra e tij.
Të shkruaj Ty
për net të pagjumë
i tretur
në mendime
i mbërthyer nga ëndrrat
ankthi vetmia pritja
të shkruaj ty
të vish të paktën në ëndërrime
Ky unë poetik nuk rreket të ndryshojë botën si Don Kishot, nuk përpushet të hyjë në kalibrin e atyre që shkaktojnë plagë njerëzore dhe gremisin çdo virtyt në humbellë se
loti i një fëmije
nuk vlen
sa tërë bota
ndaj
qaj,
nuk vrapon pas materiales, pasi i gjithi është përfshirë dhe madje mund të them është sunduar nga bota shpirtërore, artistike. Shpresa dhe realizimi, humbja dhe këndellja, konflikti i përjetshëm i kontradiktave përshkohen në prizmin e vargjeve të hedhura me tërë forcën e ndjenjës diku në hapësirë, por që kjo hapësirë është shoqëria, është njerëzimi.
Autorin nuk e ndjek askush, pasi nuk ka frikë nga vetja për rrugën që ka zgjedhur, nuk pendohet se është e tillë dhe se ka bërë këtë jetë të stërmunduar dhe që e stigmatizon në vargje me forcë e bukuri. Ideja se njeriu është i përkohshëm nuk e tremb të thotë se ia ka kushtuar mundin dhe djersën së vërtetës jetësore dhe artistike.
Dashuria për Evën është monument i ndjenjës, jo stil jete i rëndomtë, por i mbrujtur me sinqeritet dhe thellësi shpirti njerëzor, është pasqyrë e vetvetes, dhe reflektim i veprimtarisë, jehonë kumbuese e thelbit të qenies. Hedonizmi u nënshtrohet të gjitha këtyre:
Të shkruaj Ty
për mëkatin
vjedhur
nga qielli
dhe të fal
gjithë të mirat
fjalë të bukura
të mira fjalë
që zemrën shërojnë
si balsam
Nuk ngërthen urrejtje, smirë, xhelozi, mashtrim, lakmi, zili, vese njerëzore, por ka përmbledhur virtytet e së mirës dhe të madhërishmen, ardhmërinë, besimin, karakterin, optimizmin… Poeti nuk i shfaq ndjenjat për t’u mburru, as për të vajtuar. Ai siguron njerëzimin se është i pavdekshëm në shpirtin e tij, se është aleat dhe luftëtar i paepur kundër së ligës dhe poshtërsive njerëzore.
Me sa ethe artistike dhe dashuri të vërtete i lëshohet vargut na shtyn të mendohemi se çka vlon brenda poetit. Është një gamë e gjerë subjektesh e temash, ngjarjet e të cilave e kanë goditur poetin, e kanë fryrë si lumë të rrëmbyeshëm. Rrjedhin dëshirat, zemërimet, melankolitë e pashmangshme ndaj vendlindjes.
Të shkruaj Ty
që të përshkruaj
një fotografi
nga fëmijëria
vendlindja
Madhështia nuk është brumë i qenies së tij. Ai niset nga përkorja, nga thjeshtësia dhe ne e vlerësojmë se arrin aty. Nuk ka dëshirë të duket, nuk përton të stigmatizojë gjithë negativët, nuk heshtë përpara së vërtetës kudo, në çfarëdo rrethane dhe me guxim e rrebesh për ta shkulur gjithë shëmtinë e jetës.
Dhe këto e shumë të tjera i hedh, i shkruan në letra, i skalitë në vargje dhe ia drejton një personazhi që është Eva, simboli poetik i vizionit jetësor për të gjithë ne.
Kohë eksodesh në një përvjetor eksodi
Nga Ilir Levonja/
1)Sot është16 prilli, dita e eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk e di sa po përkujtohet në Shqipëri a Kosovë? Viti i mbrapsht 1999. Një eksod që filloi nga marsi e përfundoi në qershor. Rreth tetëqind mijë njerëz u afruan tokës së ëndërruar. Atdheut të mohuar. Në një karvan njerëzor, mjetesh e pajimesh. Një ushtri e lodhur luftrash, përbuzjesh, reprezaljesh. Serbisë nuk i kishte mjaftuar disfata në Kroaci dhe Bosnje. U duhej edhe kjo me shqiptarët. Edhe pse problem shpërbërje federate, kjo e shqiptarëve trajtohet si toka e shenjtë. Aq sa edhe sot kësaj dite serbi më i thjesht beson verbërisht në ekzistencën e një Jerusalemi sllav.
2)Atij viti kam drejtuar qëndrën kulturore të qytetit tim. Jam thirrur urgjent në mes të natës. Dhe ashtu në agun e një dite të re pranverore, kemi hapur dyert e kinoteatrit Vaçe Zela. Ne u bëm një grup njerëzish, kryesisht drejtues zyrash. Duke formuar kështu një këshill emergjencash sociale. Për herë të parë vumë re se sa të pa përgatirur ishim si qeveri lokale për raste të tilla. Ndërkohë të ardhurit shtoheshin. Salla jo vetëm që u tejmbush, por edhe hollet, kthinat, studiot etj.
Shqetësimit tonë i dha rrugë prania e qytetarëve. Në fillim sollën arka me ujë, termusë me kafe, byrekë të ngrohtë . Specialiteti myzeqar. Më pas shpejt venduan se ajo nuk ishte zgjidhje. Të ardhurit veç trembjes kishin nevojë të shplodheshin, të ndiheshin disi në shtëpi. Kështu nisën kërkesat e para. Derisa nga pasditja salla zuri të ndihej se po zbrazej. Megjithatë, ai kinotear mbeti për javë të tëra si stacioni i parë. Sheshi përpara tij u pritësi edhe i mjeteve të rënda…, të atyre që vazhdonin të vinin.
3)Shumë prej nesh lidhëm miqësi në atë periudhë eksodi. Në atë jetë të përbashkët. Madje pati edhe krushqi të reja. Premtime për vizita të ndërsjella. U lidhën miqësi që vazhdojnë edhe sot.
Unë u njoha me një mësues. Hysri Rrahmanin. Me këtë mbiemër Kosova, letërsia shqipe në përgjithësi, kishte një penë të zot. Po Rrahman kishte shumë. Dhe përkimi i mbiemrave është thjesht një sadisfaksion. Megjithatë ishte një detaj që na çonte tek letërsia. Darkave pinim kafen bashkë. E humbën dikur njëri-tjetrin. Tani e rigjetën sërish këtu në fejsbuk.
4)Mirëpo e çuditshme është se pikërisht këtë periudhë, këto muaj. U shpik sërish një eksod. Tashmë jo përmes shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë. Apo e shqiptarëve në drejtim të Kosovës. Por e shtetarëve shqiptarë në dy shtetet e tyre drejt botës së madhe.
A thua tashmë kemi një armik të përbashkët, jo me tanke, jo me aeroplanë…, por me keq’qeverisje. ? Besoj se po. Fatkeqësisht.
- « Previous Page
- 1
- …
- 466
- 467
- 468
- 469
- 470
- …
- 606
- Next Page »