Thirrje e vogëlushes EBI, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Mbretëreshës së Suedisë dhe shtetarëve të lartë kudo në botë/
Më quajnë Ebi. Vetëm një germë nuk e kemi të njëjtë, ashtu siç nuk e kemi të njëjtë fatin në jetë, një mal i lartë dhe një oqean i paanë na ndan.
Unë në janar nuk munda t’i shuaj nëntë qirinjtë e 9 vjetëve të jetës time. I shuan nëna dhe vëllai im. Nuk mund të ngrihem as ndenjur, as në këmbë, nuk mund të eci, nuk mund të flas. Vetëm një bëj, qaj dhe bërtas, herë – herë në kupë të qiellit. Zhurmat i kam tmerr.
Unë, kur mbusha gjashtë vjeç nuk munda të shkoj në shkollë të mësoj të shkruaj, të lexoj e të këndoj.
Më dhembin në shpirt të gjitha këto. E ndjej këtë në vështrimin e nënës, të babait, të gjyshit e të gjysheve. Ua shoh rrjedhën e lotit faqeve. Nuk mund t’ua thaj. Ua dëgjoj zërin e shqetësuar. Nuk mund t’i qetësoj.
Kam lindur, siç më thotë nëna ime, me një pjesë të trurit të bardhë, pa qeliza që komandojnë jetën e njeriut.
Nënën e kam mjeke. Ka dy diploma për mjekësi dhe farmaci. Ka edhe mastër. Është pedagoge në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Mjekësisë. Babanë e kam specialist ndërtimi. Kemi shtëpinë tonë të mjaftueshme për të jetuar me prindërit dhe vëllanë tim shtatë vjeç. E kemi të ndërtuar jetën pa i shtrirë dorën kujt e pa marrë borxh në fund të muajit.
Dua të ngrihem në këmbë. Dua të hap krahët për të përqafuar babanë dhe nënën, gjyshet e gjyshin. Dua të shkoj në shkollë, të dal me shokët e shoqet e klasës shëtitje nga liqeni apo të ngjitem në Dajt.
Për këtë, në pamundësi që shërimin ta gjej në vendin tim, vendosa të shkoj ta kërkoj në Suedi. Më kishin thënë se është një vend human ku fëmijët trajtohen si engjëj.
U zhgënjeva. Zhgënjimi i madh më erdhi nga Ju i nderuar kryeministri im. Ju kishit qenë para meje në Suedi dhe kishit deklaruar se Shqipëria është vend i sigurt. Kaq ka mjaftuar që shqiptarët që për hall zbresin në Suedi të trajtohen pa nderë e dinjitet. Vetëm shqiptarët dhe asnjë komb tjetër trajtohet në këtë mënyrë.
Kam dhjetë ditë në një kamp refugjatësh. Jemi katër vetë në një dhomë. Jemi me një banjë kolektive. Kam dhjetë ditë që nuk jam larë. E dini se çfarë do të thotë të rrijë një fëmijë jo dhjetë ditë por qoftë edhe një ditë pa bërë banjë?
Kërkova nga ambasada e vendit tim në Stokholm ndihmë. Një zonjë më mbajti dhjetë minuta leksion me citime tuajat se “Shqipëria është vend i lirë…”, “Shqipëria është një vend i sigurt”, për të vazhduar me këshillat… “Nuk duhet të kishit ardhur…Duhet të ktheheni…etj., etj.”.
Shkuam në qendrën e pritjes së refugjatëve. Nëna ime që e zotëron shumë mirë anglishten u tha se kemi një javë pa u larë dhe të ushqyer si skllevër. U tha se po mos na pranoni na jepni pasaportat që na i mbani peng. U tha se do të kthehemi me biletat tona që i kemi prerë vajtje ardhje. U tha se kam të drejtë, bazuar në ligjet ndërkombëtare të qëndroj tre muaj. Bërtiti fort. Dhe kur bërtet ajo unë nuk mbahem. Shpërthej në lot dhe e ngre zërin sa dridhen muret.
Duket sikur u zbutën. Thanë se nesër do të na strehojnë në një shtëpi në Stokholm.
Shkuam të nesërmen. Nuk e mbajtën fjalën. Na thanë se pas dy ditësh do të na çojnë në një kamp refugjatësh në Veri. Ikim nga një kamp për të përfunduar në një tjetër! Si skllevër? Si kriminelë? Dhe kjo kur Bashkimi Evropian na e ka dhënë të drejtën të shkojmë në të gjitha vendet e të qëndrojmë tre muaj në gjashtë muaj.
Ju thashë se nëna ime është mjeke dhe pedagoge në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Mjekësisë. Ka nëntë vjet që krahas kujdesit si nënë merret edhe me studimin e sëmundjes time. E kush më mirë se ajo mund të hyjë në bisedë me shkencëtarë të mjekësisë e të ndihmojë jo vetëm mua por edhe të gjithë fëmijët në botë me të njëjtën sëmundje si imja?
Nëna ime do të bëhet shkencëtare. Kam besim se ajo mund të më shërojë, të më ngrejë në këmbë…
Dua të jetoj i nderuar kryeministri im, kryeministra, presidentë e mbretër në botë. Dua të ngrihem në këmbë, të eci, të vrapoj. Mos ma prisni rrugën me ligje e marrëveshje qeverish e parlamentesh. Brezi im do t’i ndryshojë e përshtasë me ligjet natyrore.
Pushtetarët, ata që i kanë vjedhë Zotit frenat e jetës për t’i përdorë sipas dëshirës, do të thonë si e ke shkruar këtë letër kur nuk di shkrim e këndim, as flet e as ngrihesh në këmbë?
E kam shkruar me shpirtin e një fëmije që flet në gjuhën e vet, gjuhën e shenjave të Zotit, një fëmije që thotë: mos ma prisni rrugën, mos më dilni përpara, mos ma zëni atë. Zoti më dha jetë për ta jetuar atë.
U bëj thirrje të gjithë atyre që i lexojnë këto radhë t’i përhapin ato, t’i përkthejnë në gjuhët e botës së qytetëruar e t’ua përcjellin mbretërve, mbretëreshave, presidentëve, kryeministrave në gjuhën e vendit të tyre me thirrjen time:
MBYLLNI FABRIKAT E BAROTIT QË ÇDO VIT VRASIN MILIONA FËMIJË DHE HAPNI SHKOLLA, UNIVERSITETE, INSTITUTE PËR NGRITJEN NË KËMBË TË FËMIJËVE SI UNË.
Shpresoj që këto radhë t’i lexojë ndokush edhe në Suedi, t’i përkthejë dhe t’ia përcjellë edhe mbretëreshës e princeshës së vendit. Mbase i lexojnë dhe shtrijnë dorën që unë të ngrihem në këmbë. T’i lexojnë e mendojnë jo vetëm për mua por për të gjithë fëmijët që ëndërrojnë të ngrihen në këmbë, të flasin, të bërtasin, të këndojnë e vallëzojnë, t’u hapë portën e madhe të zemrës të popullit suedez humanizmi i të cilit është i njohur kudo në botë.
Zoti që më krijoi mua më ka vënë dhe ju ka vënë në provë. Në qoftë se nuk shërohem atëherë hapni sa më shumë institute ku të mblidhemi të gjithë ne të pashpresët e jetës. Atëherë, dhe vetëm atëherë, mund të deklaroni se “Shqipëria është një vend i sigurt”, “Bota është e sigurt”…
Ngrini lart zërin për mua dhe të gjithë fëmijët në botë që duan të ngrihen dhe ecin përpara…
EBI
Suedi 0046727854979
(E dergoi per Diellin:Abdurrahim Ashiku-Athine)
MËSUESI QË KËMBEU PENËN ME PUSHKË PËR LIRI
Mars 2015, fillim pranvere në fshatin Fllakë, komuna e Karundit të Ri në rrethin e Durrësit. Si kudo në mbarë vendin, “Dita e mësuesit” u festua si rrallë herë edhe në shkollën e re të fshatit Fllakë, që mban emrin e mësuesit, dhe luftëtarit Bajram Gashi, “Deshmor i kombit”. Ndryshe nga motet e tjerë, në këtë ditë të shënuar, veç mësuesve, nxënësve dhe prindërve, erdhën edhe plot mysafirë të ftuar nga fshatrat përrreth, nga Durrësi, Tirana dhe më tej akoma nga komuna e Istogut në Kosovë. Të gjithë së bashku i dhanë festës bukuri e gjallëri, lezet dhe seriozitet. Të pranishëm ishin drejtuesit e Komunës së Katundit të ri, Kryetari z. Hil Priska, kryetari këshillit të komunës z. Sadik LLulla dhe ish drejtori i shkollës së Mesme, tani në pension z. Jusuf Hoti.
Ndoshta kjo festë nuk do të merrte shtrirje e përmasa kaq të mëdha, në qoftë se nuk do të kishte pasur një ngacmim dhe ndihmë nga Bajram Halil Gashi, deri pak vite më parë mësues e drejtor i shkollës së Mesme të bashkuar “Besnik Hidri” në Shënavlash, sot pensionist, studjues dhe botues i librit “Një shekull në udhën e dijes”. Libër kushtuar historikut të shkollës së Shënavlashit, ku një vend të veçantë zenë portretet e heronjëve Bajram Gashi dhe Haki Taha, dy figura të ndritura që i bëjnë nder Shënavlashit dhe Kosovës.
Në një vizitë rastësore në shkollën e Fllakës, në bisedë me drejtoren znj. Tina, duke i dhuruar edhe një kopje të librit të tij, Bajrami i kujton, se ky vit përkon me 70-vjetorin e rënies, (Shkurt 1945), së mësuesit e luftëtarit Bajram Sali Gashi, i cili në krye të çetës me 300 – 400 luftëtarë, u ngrit në luftë kundër forcave serbe që ripushtuan Istogun e Kosovën. U theksuan fjalët e tij: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, më tej thënien e tij profetike: “Kosova do të çlirohet kur fëmijët tanë do t`i kenë 30 vjet shkollë”. Kaq mjaftoi në këtë bisedë dhe mendimi mori udhë.
Drejtorja e shkollës znj. Tina Gjoka, e cila gjeti mbështetje të admirueshme te kolektivi i mësuesve, u kujdes që për këtë dite të madhe e të bukur të kishte diçka të veçantë. Veç koncertit, fjalimeve dhe organizimit të festës, si fillim kërkoi ndihmë për zbukurimin e shkollës, duke vendosur emrin në krye, më pas flamuj dhe stenda në holl, ku me dokumenta dhe foto të paqyrohej jeta dhe vepra e Bajram Gashit. Agim Kabashi, nip i heroit të këtij shkrimi, u tregua i gatshëm dhe i përgatiti të gjitha me shpenzimet e veta. Më pas u përgatitën ftesat, ku të ishin pjesëmarrës familjarë e të afërm të mësuesit dhe heroit tonë Bajram Sali Gashi, që të kujtonin dhe gëzonin së bashku.
Diçka e mirë dhe e bukur lind e piqet, kur detyra dhe nderi bashkohen në një, ndaj dhe të gjitha problemet u zgjidhën si me magji. U mirëprit me nderime znj. Liri Kabashi, vajza e mësuesit, emrin e të cilit po mban shkolla. Ajo sot është e moshuar dhe me zor mban gëzimin, krenarinë, lotët dhe emocionet, pasi në heshtje, ka një jetë që ka pritur këtë ditë. Ishte veç një ëndërr e kyçur në mendje e në zemër, që të shikojë emrin e babës së vet në ballë të shkollës së re, pikërisht në tokën që ai bleu këtu e 75 vjet më parë dhe e dhuroi për shkollë. Ndër familjarët e mirëseardhur ishin znj. Albana Vokshi, mbesa e Bajram Gashit, sot deputete në kuvendin e Shqipërisë. Mes familjarëve dhe miqve ishte edhe akademiku i nderuar z. Fadil Kepi.
“7 Marsi”, ose “Dita e mësuesit”, pararendëse e pavarësisë, është festë kombëtare tradicionale. S`ka pse harxhohen shumë fjalë, për të thënë se ç`bëhet në çdo shkollë, apo qelizë arsimi. Kudo organizohen veprimtari të gëzueshme, ku marrin pjesë mësues, nxënës dhe prindër. Dekori dhe përmbajtja janë të përafërta, meqënëse bëhet fjalë për shkollë: këngë, valle, recitime, lojra, ndonjëherë të ftuar mësues të vjetër, apo ish nxënës, të cilët rrëfejnë kujtimet dhe mbresat e tyre. Në pamje të parë, të gjitha këto na duken sikur janë pjesë të detyruara të programit të festave dhe në shumicën e rasteve nuk tingëllojnë as si lajm, ndaj edhe kalojnë pa u vënë re, pavarësisht se shpesh herë, disa nga pjesëmarrësit janë njerëz të veçantë e shumë prej tyre drejtues e personalitete me zë në jetën shoqërore, arsimore, shkencore e politike të vendit. Megjithatë edhe kaq do të mjaftonte për një reportazh të bukur, për të përgjithsuar këtë veprimtari në shkollën e Fllakës, që i bën jehonë mësimit, edukimit, vazhdimësisë dhe shenjërimit të figurës së mësuesit e të shkollës. Dhe në fund, e gjitha do të kundrohet si një fotografi e bërë nga një njeshtër arti, që fikson njerëzit dhe kohën.
Këtu nuk duhet ngutur, pasi kjo veprimtari është një ngjarje që nuk mbaron me kaq, sepse të ftuar nderi ishin katër përfaqësues të arsimit e medias nga komuna e Istogut, zotërinjtë: Agim Haxhiu, drejtori i Arsimit për komunën e Istogut, Nuredin Ymeraj, koordinator i disa shkollave, Beqir Ibrahimaj, drejtor i shkollës “Tre Dëshmorët” në fshatin Uçë dhe Zeqir Ahmetaj, drejtor i Radios “Fontana”. Të katër këta mysafirë kishin mbi vete dy përgjegjësi ndaj vetes dhe detyrës:
Së pari, nderuan figurën dhe emrin e Bajram Sali Gashit, si mësues dhe luftëtar, që penën e këmbeu në pushkë për liri, duke dhënë jetën si deshmor e martir për Kosovën e lirë. Veç kësaj, Bajram Gashi vërtet ka qënë mësues e drejtor shkolle në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938 – 1941, por rrënjët i ka në Kosovë, pasi vendlindja e tij ëshë në fshatin Uçë, në komunën e Istogut. Ç`duhet shtuar tjetër fjalë, për të thënë se ai është hero me të cilin kanë të drejtë të krenohen, pasi ka dalë nga dheu, vatra dhe gjaku i tyre. Heronjtë kurdoherë meritojnë nderim. Jeta dhe vepra e tyre frymëzojnë brezat ndër shekuj.
Së dyti, me rastin e këtij takimi festiv, mysafirët bënë me dije dëshirën e mësuesve dhe nxënësve të shkollës “Tre deshmorët” në fshatin Uçë, për binjakëzim me shkollën “Bajram Gashi” të fshatit Fllakë. Ashtu siç u shpreh në fjalën e tij edhe Z. Agim Haxhiu: “Sapo i njoftuam për ftesën, na porositën që bashkë me urimin festiv, “Ta gëzojmë 7 Marsin”, t`u përcjellim dëshirën për t`u lidhur mes nesh, sepse vepra dhe gjaku i Bajram Gashit na përket të gjithëve ne shqiptarëve. Jemi të vetëdijshëm, se me ardhjen dhe fjalën tonë, shprehim një ide dhe veprim mjaft i dobishëm. Nxënës e mësues të dy shkollave, njihemi e afrohemi me njëri – tjetrin, formojmë miqësi, shkëmbejmë vlera, ide dhe përvojë në fushën e edukimit dhe mësimit, për të cilën kemi nevojë të gjithë, duke i shërbyer zhvillimit të arsimit tonë mbarëshqiptar”.
Ky është lajmi dhe mesazhi më i bukur që u soll e u përcoll nga ky tubim gazmor e miqësor, në këtë 7 Mars, për t`u dëgjuar e vlerësuar nga prindërit, nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, mbase edhe më përtej, nga të gjitha institucionet arsimore, që të nxisin e mbështesin lidhjet e vizitat e ndërsjellta. Trojet tona këtej e andej kufirit janë të bukur e duhen parë e prekur, sidomos nga të rinjtë. Jemi një komb e kemi shumë ç`t`i themi e ç`t`i japim njëri – tjetrit.
Drejtore Tina, që në hapje të veprimtarisë, me emocionet e nikoqires së festës, falënderoi në emër të kolektivit mësimor, nxënësit, prindërit miqtë e të ftuarit, që erdhën të festojnë së bashku. Njëkohësisht premtoi, punë të pareshtur në mësimdhënie dhe edukim, për të ngritur vlerat e shkollës dhe emrin që ajo mban. Në fund të fjalës së saj, shprehu gëzimin dhe urimin:
“Le të festohetë kjo ditë e shenjtë, për mijëra vite të tjerë!”.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më 10. 03. 2015
ISAK HALILAJ TËRË JETËN NË EDUKIMIN E BREZAVE TË RINJ NË DRENICË
Shkruan: Prof.Skënder Karaçica-Çikago/
Foto: Isak Halilaj/
Brezi im e patëm për respekt nderimin e veprës së arsimtarëve dhe ditarin e dijes në rrugëtimin e shkollës shqipe.Në vitet 70-ta të shekullit të kalur,Në Drenicë,erdhi brezi i mësuesve të Normalës së Prishtinës që për kohën ishte një ,,universitet,,për kuadrin e shkollës shqipe në Kosovë.Në plejadën e mësuesve që erdhi nga Normalja e Prizrenit,ishte Isak Halilaj nga Terdeci që me hove të reja djaloshare e mori ditarin dhe doli para brezave të rinj për të mësuar gjuhën e bukur shqipe dhe,siç e thoshte shpeshherë,për kahet e jetës dhe të ardhmen e Kosovës.
Mësuesi Isak Halilaj e rriti shtatin në kullën e burrërisë në Terdec dhe po nga kulla e Ukë Tahirit,e mori udhën e madhe për të shkuar deri në fund të jetës,në shërbim të kombit dhe të Drenicës,që aq shumë mësoi prej amanetit të baballarëve tanë se si duhet bërë Atdheu…!Isaku e donte shumë zilën e shkollës,buzëqeshjen dhe rritën e nxënësve të tij.Saherë që vi në shkollë,më thoshte mësuesi Isak Halilaj,sikur me përtrihet jeta dhe sikur kam shkelur në livadhet më të mira të jetës!Edhe unë e pata mësues të gjuhës shqipe në Drenas.Kur vinte në klasë mësuesi Isak,ne nxënësit e tij jo vetëm që gëzoheshim,por e dinim mirë se po atë ditë do të kemi ligjëratën e tij të matur mirë për gjuhën shqipe.Ishte i rreptë sa i përket sintaksës,ndonëse ai e thoshte troç se pa fjali të mira sintaksore nuk ka gjuhë të mirë shqipe!Fjalia e tij dhe mendimi sintaksor i mësuesit Isak Halilaj,ishte trajta e jetës dhe rrugëtimi i mëtejmë në kapjen e dijes në horizontet e reja shqiptare.Më vonë ndër vite,e pata kolegë pas studimeve për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Prishtinë dhe gjithnjë në ,,luftën,,e tij intelektuale për pastertinë e gjuhës shqipe me fjalinë e ndërtuar bukur dhe me rregullat e shprehura të mendimit(sintaksë).
Në kohën kur regjimi jugosllav(serbo-sllav)e kishte në shenjestër shkollën shqipe dhe arsimtarët shqiptarë,rrugëtimi i Isak Halilajt u pati rënë në sy regjimit të egër dhe në mesin e mësuesve në Drenicë,edhe për njeriun e dashur të shkollës shqipe dhe për të kaluarën e Kullës së Ukë Tahirit,mezi prisnin rastin që të vënin në kurthat e dorës së fortë.Mirëpo,ai bashkë me kolegët e tij e mbijetoj kohën e këtij regjimi dhe arriti që brezat e rinj të Drenicë të përgatis për jetën dhe të ardhmen e tyre.
Për një periudhë pata rastin që jem bashkëudhëtar i tij edhe në disa segmente të jetës kulturore e arsimore në Drenas.Me këmbnglje e mbronte dhe me prorosite që të flasë në institucionet e kohës për vlerat tona burimore të foklorit,të kulturës,të gjuhës dhe pjesë tjera të entnisë sonë kombëtare.Për këtë arsye,në një mbledhje në Prishtinë,ku diskutohej kultura dhe shoqëritë kulturo-artistike,një surrogat serb nga Beogradi,me retorikën nacionaliste e pati sulmuar SHKA,,Shota Galica,,në Gllogovc(për kohën e atëhershme).Krejt më prorosinë e kohës që me kish mësuar dhe ma kish lanë si testament prej intelektuali Isak Halilaj,unë jam ngritur dhe kam replikaur rreptë me sorrogatin nga Beogradi,duke i dalur në mbrotje vlerave tona kombëtare dhe tabanin shekullor të saj si vlerë që edhe sot mund të participojmë me popujt tjerë në Evropë dhe më gjerë.
Meqë tash sa vjet jetoj larg Drenicës në Amerikën e largët,saherë që kujtimet me sjellin para vetës njerëzit e respektuar,nuk shpeton asnjë rast që mos të kujtoj mësuesin tim Isak Halilaj!Kujtimi i tij dhe vepra arsimore për shkollën shqipe,për brezat e rinj që sot janë bërë pjesë e rritës së shetit të Kosovës,duhet të jenë gurët e kalasë sonë të madhe kombëtare se dje patëm mësues dhe dorën e edukimit për ardhmëri,liri dhe pavarësinë e Kosovës martire.Emri i tij,besoj se do të gjejë vend në librat(monografitë)e komunës dhe të Kosovës,si një nga mësuesit më të mirë të shkollës shqipe në Drenicë!
Skëknder Karaçica
Executive Director
Albanian-American Association
of Intellectuals Businessmen and Activists
1219 W Devon Ave, Chicago, IL 60660
Phone: +1 (708) 983-5394
Email: S_Karaqica99@Hotmail.Com
“IK O QAR, SE KAM ZARAR!?”
Shkruan:Fadil LUSHI*/
Thonë se “modestia është virtyt për aq kohë sa njeriu nuk e proklamon si të tillë”. Ngandonjëherë modestia e tepruar lëre që kalon në banalitet, por edhe keqpërdoret, saqë edhe “di të ta hajë kokën”, të të bëjë budalla a të marrë dhe, në instancë të fundit, shpesh “di edhe të të bëjë njeri pa sherr”. Ç’është e vërteta, disa ditë më parë ca njerëz “vdekatarë”, që hiqen më të ditur se ne e që nuk duan të dinë për modestinë, me a pa qëllim për pak sa nuk “na i hoqën kokat”. Mësuesit korçarë e kanë shumë për qejf ta lakojnë atë proverbin e vjetër shqiptar, ku thuhet se më mirë është të kesh një armik të mençur, sesa një mik budalla a bastard. Kështu, disa ditë më parë, armiku im që është më i mençur se unë, më parashtroi disa pyetje lakonike rreth 7 Marsit. Pyetja e tij e parë ishte: “Deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që hodhën farën e dijes, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që ndërtuan atë kështjellën e pamposhtur të shkollës suaj…, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni me pietet dishepujt dhe shërbëtorët e popullit dhe vatanit tuaj…, deri kur ju shqiptarët myslimanë dhe bektashinj do ta rikujtoni Pandeli Sotirin, atë ortodoksin nga Korça i cili e humanizoi shkollën e parë në gjuhën shqipe, deri kur ju shqiptarët katolikë dhe ortodoksë do t’i rikujtoni vëllezërit nga Frashri i Përmetit, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni rilindësit tuaj dhe të tjerë të tillë si ata”. Ia ktheva se ne shqiptarët myslimanë do ta kujtojmë Pandeliun ortodoks nga Korça për aq kohë sa do të ekzistojnë shqiptarët, do ta rikujtojmë e do ta nderojmë për aq kohë sa do të frymojë harmonia fetare ndër shqiptarë, do ta nderojmë për aq kohë sa do të jetojë ajo shprehja filozofike dhe unike e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Ndonëse pyetjet e armikut tim të mençur ishin lakonike, në esencë mbeten altruiste, emancipuese dhe humaniste…, në krahasim me “mikun tim që është më budalla” se unë, i cili në vigjilje të çdo manifestimi kulturor kushtuar datave të shenjta të shqiptarëve, nuk heziton të më parashtrojë pyetje idiotike, duke më thënë: “Deri kur ti dhe të tjerët të tillë si ti do na bezdisni me këto “telenovela” për 7 marsin, 22 nëntorin, 28 nëntorin e të tjera data të sajuara(!?)”… Nuk ia ktheva përgjigjen, jo se më mungonte, por pse nuk desha ta “trash muhabetin“, që mbase edhe nuk ishte kushedi se çfarë “muhabeti”. Vendosa të hesht duke shpresuar se një ditë do të marr atë lajm që llafos konvertimin e tij nga shqiptari në sllav a në kaur…, nga gjysmë shqiptari në lesh arapi…, nga njeriu në viç provincialisti (!?).
Këtë vështrim nuk e kemi ndërmend t’ia dedikojmë armikut tonë të mençur, aq më pak “mikut tonë bastard”, këtë të fundit do e heqim mënjanë, sepse nëse ky do të zinte vend në këtë opinion, atëherë nga kjo do të dilte pilaf me kos dhe tarator për rakixhinjtë. Para se të vazhdojmë ndërtimin e opinionit në fjalë, do t’i referohemi një paragrafi të Faik Konicës, i cili në revistën e tij mujore “Albania” (që botohej në Bruksel), më 15 shtator të motit 1901, një të riut i kishte shkruar a kishte përcjellë ca këshilla pasonjëse…, në lidhje me një gazetë shqip që asokohe duhej të botohet në Misir (Egjipt). (Ne që shkruajmë këtë opinion, duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se s’është korrekte hiç fare që shkrimin ta “ushqejmë” me mendime të huaja, në rastin tonë me ato të Faik Konicës). Meqenëse, edhe sot e kësaj dite të Perëndisë, ajo thënia e tij mbetet aktuale dhe pse jo edhe unikale, një thënie që reflekton gjithë filozofinë e inatit homerik ndër shqiptarët, një inat që ka zënë vend në përditshmërinë e tyre, andaj edhe përkundër rregullave të gazetarisë “besojmë se do të na lejohet” ta parafrazojmë pikë për pikë.
“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”…
Disa ditë më parë, unë dhe disa miq të mi, nuk deshëm të “… bëjmë gazetë me fletë të mëdha, as me fletë të vogla, as me letra të holla e as të trasha…, as shkrojtëm toskërisht e as gegnisht…, nuk shkrojtëm as për politikën e as për Padishahun, as për Vezirin e as për Turqinë…, nuk shkrojtëm e nuk shajtëm shqiptarët muhamedanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj…,” ne nuk deshëm të themi se ky manifestim dedikuar mësuesit është më i miri…, këtë ua lamë ta vlerësojnë dashamirësit e shkollës shqipe…, përkundrazi organizuam akademi solemne kushtuar ditës më të shenjtë të shqiptarëve, 7 Marsit, gjegjësisht Ditës së Mësuesit…, atë akademi nuk ua kushtuam as politikanëve e as akademikëve, as ministrave, as biznesmenëve, as megalomanëve, as sherrxhinjve, as “mikut tonë” bastard, as njerëzve që mendja u është bërë “havale”, as njerëzve me paragjykime, thjeshtë (e bëmë aq sa mundëm) deshëm t’ia dedikojmë… mësuesit të vërtetë…, atij mësuesi i cili asnjëherë “nuk kërkoi asgjë në këmbim…,” atij mësuesi me shëndet të brishtë, atij mësuesi me një mal dashurie të çiltër për nxënësit të tij…, atij humanisti që është familjarizuar me gjithsecilin prej nesh…, atij iluministi dhe mallit të tij. Ua dedikuam “të gjithë mësuesve të vërtetë…, atyre heronjve të heshtur të dashurisë sonë fëmijërore, udhërrëfyesve të jetës sonë, bartësve të filozofisë së jetës, Mësuesit”, siç do të thotë Lindita Nikolla. Me gjithë sakrificat, me gjithë mundin që dhamë për këtë akademi solemne…, ca njerëzve e gjithë kjo nuk u pëlqeu fare, sidomos atyre që kërkojnë ta gjejnë gjilpërën në thesin me kashtë!? Ngandonjëherë të marrit nuk i duhet koka…, po mbase herë-herë edhe të mençurit nuk i duhet kryet, sepse do ta “përdorë si lavatriçe të vetëlavdërimit dhe mendjemadhësisë së tij”(!?). Modestia e tepruar dhe ajo përulja jo e merituar ndaj njerëzve të paragjykuar, mund të të sjellë “telashe”, sidomos me njerëzit me të cilët nuk ke gjë të përbashkët. Andaj, është mirë të jesh modest, por ama, gjithsesi “me karar dhe pa zarar” Sa shumë kishte pasur të drejtë Konica kur ia kishte përcjellë ato këshilla pasonjëse atij të riut që mëtonte të botonte një gazetë.
*Bashkepunetor i Diellin-Tetove
ORA E RËNJES SË PRANGAVE
(Skllavët nuk shkruajnë)/
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.“Lirinë keni ju, ne hekrat kemi”, u thoshte Ndre Mjeda të bekuarëve amerikanë, pasi kishte shkruar poemthin “Liria”, këtë odë që këndonin zemrat shqiptare. I përhihej, e kapte dhe i zhdukej shpejtësisht, imazhi i atdheut të lirë…
Dhe, njëmend, një popull i ndrydhur gjatë, mbijeton me trupin, por terron, poaq, me frymën. Në vrragët e tij nuk ka asgjë të shkruar…Sepse, thjeshtë, skllavët nuk shkruajnë! Dija apo e drejta e mendimit, ndaj, si një privilegj i të “epërmve të virtytshëm”, ishte rezervuar për aristokratët apo, madje, në viset e kolonive që i banonin popuj “natyrorë”, veçohej për metropolitanë dhe mëkëmbës të tyre të përgjakur.
A nuk ishte pokështu dhe ndër vëndet e arbërit? Qytetninë shqiptare e tjerrnin kryesisht ngulimet mërgimtare, kurse vendësit e përvuajtur gëzonin vetëm rrezet e shpresës së diellit të largët “alegorik”. Dhe në kishte letrari, ajo e tëra rrëmbehej ose pengmerrej nga programi i lirisë. “Kur më pyesin jashtë, keni poetë në Gjermani?, pohonte Niçe me ironi, “u them pa ngurrim: Po, Bizmarkun!” Ndonëse, pra, kishin përbashkuesin e madh, dhe bashkëkohësit e tij, do të jenë përfshirë në letërsinë e misionit politik…A nuk rëndon ende sot zymtor ky makth dhe përpjekja për këthjellim që, e denjë e flijuese, shndërrohet në religjion? Në religjionin e lirisë? Për të thuren më të bukurat ëndrra a farkohen më të ligjshmet ide…
2.Meditimi për fillin e krijimit, filozofinë kosmogonike a kuptimsinë e jetës, pastaj për pushtetin e vdekjes a shpresën e transcendencës – ishte prore i lartë, eterik dhe i pakapshëm si yjet! Të palirët e të shtypurit, nuk vuanin asnjëherë këtë brëngë: mjeshtërinë e mendimit. Vegjetonin në kënaqësinë e vakët të lodhjes dhe instinkteve që i mbanin larg njohjes mundimtare. “Dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në këtë botë, nëntë i kanë pirë robërit dhe një të vetme të mbetur, e gjithë bota tjetër, predikon Talmudi shejtnor. Që këtej, metafizika e Mbinjeriut antikrisht dhe Fausti i mjegullnajave të Bohemisë apo Romeo e Beatriçja e dritareve të ndaluara të dashurisë, duhej të prisnin orën e tyre. Orën e rënjes së prangave…Ç’është e vërteta, letraria, kudo e përherë, është pronë e elitave. “Krijimtaria e masave” nga motet bolshevike ishte zvetnim i saj. Por, megjithatë, elitat e kombeve të lirë qarkullojnë e alternohen, poashtu, lirshëm e paprerë dhe mbi askënd nuk bie mallkimi fatal i Rendit të shpallur përfundimtar apo i Prijësit të cilësuar hyjnor.
“Ai ç’prej vjetësh tremijë
S’mësoj dot gjë për veten
I tretur mbetet në errësi
Nga dita në ditë të shtyjë jetën…”
Kështu shkruante Gëte, ky Patriark i letrave të Europës, e rrjedhimisht, prandaj, pas shekujsh të ndaluar të së drejtës dhe magjisë së shkrimtarisë, shqiptarët ndjejnë, vjershërojnë, mendojnë e shkruajnë! Ç’tjetër mund të pritej nga një popull që ka 2000 vjet gojëkyçur, pa hedhur një të vetme fjalë në letër për bukurinë a dhimbjen e jetës? Shpërthim më të përligjur nuk njeh liria e kësaj bote!
3.Porse mendjecektët fragmentarë, pijnoj të përbuzurish poashtu, (“kam parë njerëz të lidhur të varfër, që i shoqëronin dhunshëm njerëz të armatosur të varfër”, thotë një varg i madh) e përceptojnë gjendjen si krejtësisht natyrale, madje, një tabelë të predestinuar vlerash e popujsh! Kjo qenkësh, sipas llumit moçalor, një prima causa, një shtysë parake e vetë Rruzullimit…Ndonjë prej tyre, ndaj, do të shfrynte: ah, përse shkruajnë kaq shumë shqiptarët? Pyetja, ashtu si intonacioni i saj, sikur ndryn në vete pohimin obskur e të errtë, në formën e klithmës së fshehtë dëshirake: përse nuk mbajnë ende sharrë në supe udhëve të braktisura me thirrjen e thekshme “dru me pre”?! Veçse dilemë-pyetja e njëmendtë fundore do të ishte: si shpjegohet, vallë, ky zhgënjim me kah të kundërt e krejt dëshpërues: jo keqardhje e trishtim për mugëtirën e disfatën – por, përkundrazi, për dritën e ngadhnjimin!
Dhe s’është, ashtu, pos një nostalgji patogjene për kohët e lumura të skllavërisë, kur njerëzia s’kish pse të vriste mëndjen e ndërgjegjen, a mbase, mos o Zot, të “shpirtëzonte kundërshtinë” ndanë statusit robnor! Një letargji e qetë, e pabujë, e paemër dhe e njëjtësuar me fatin përjetësor, si të zbritur qiejsh! Ata thuase bëjnë anglezin imperial, që si më ka rënë të lexoj, i kishte ngarkuar Radios së BBC-së punën e vështirë për të evokuar ditët e paqme të popujve të posamëvetësuar, nën kurorën e dikurshme viktoriane. Apo, ndoshta, duke qenë larg, ah sa larg shkëlqimit të britëve, mallëngjimi i tyre ngjan më real e përafrues: mallin për shkronjëtarë zyrtarë, gjithësesi mediokër e provincialë, në shërbim të despotit lokal ose të sundtarit të huaj.
Tirania e njëshit, hazjajinit politik dhe i kostumprerësit letrar, ka ikur, tashmë, në harresë. E kjo, me sa duket, është votra e pikëllimit të tyre. Po nëse ka vetëm një diell që shkëndijon gjithësinë – në yllin Tokë, diejt e dijes e shkrimit janë të shumtë si lulet, fluturat, cicërimat, lotët, muzgjet, buzëqeshjet…Dhunti e tyre vjen udhësh të padukshme e të pandalshme prej hiresh të shpirtit të ultë njerëzor!
Kur mbreti serbian Aleksandër, gjatë një vizite ekspeditore, kishte zbritur në Fushë Kosovë, i tmerruar nga prania e gjithëkundshme shqiptare, i thotë adjutantit të tij: “ Sa shumë plisbardhë paskëshin mbuluar dhèun”! Mirëpo ai, urtësisht e pa vonuar, ia kthen: “Madhëri, të tillë janë më të mirë, ç’do të bëjmë kur ti heqin ato”! Pikërisht, pra! Adjutanti kishte të drejtë: krijimi intelektiv a thithja e nektarit të tij, iluminojnë mëndjen dhe rimojnë ëndrrën njerëzore…
Sepse, skllavët, mjerisht, nuk shkruajnë!
- « Previous Page
- 1
- …
- 483
- 484
- 485
- 486
- 487
- …
- 607
- Next Page »