• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mëngjeset e bardha në kafe “Rostand”

December 19, 2014 by dgreca

(esse)nga Përparim Hysi/
Jam i magjepsur nga libri i fundit të Ismail Kadaresë dhe, tek do mundohem të jap përshtypjet e mia si lexues, nuk qeshë i zoti që të gjeja një titull të saktë dhe shtova veç epitetin të bardha. Se, kur thotë dhe imeshoqe: Kadare është si rrobë kadife: nuk mban qime! Shkurt: është vështirë që të flasësh për të. Vendos të heshtësh, po nuk të lë ai. Dhe ja tek më vijnë në ndihmë nja dy vargje nga Poeti i bukur Agim Shehu: “… rri, po nuk më rrihet/ se më vijnë mornica/”. Kështu që vendosa të them përshtypjet e mia.
* * *
E lexova me një frymë ” Mëngjeset në kafe “Rostand” dhe them (ndoshta nuk është vetëm imja kjo bindje) se ka shkruar librin më të bukur qëkur ka lënë Shqipërinë. Për kafenetë në Evropë dhe ca më tutje ku më ka çuar hera, kam parë e dëgjuar. Kafenetë vetëm në Shqipëri janë vend çeplendisjeje e më the të thashë, se jashtë është fare ndryshe. Në Florida ku kam jetuar jo pak, por 12-vjet, kish kafene nga të cilat nuk të bënte zemra të largoheshe. Kafe-librari dhe, në kishe nevojë për të dëgjuar muzikë, atje kishe kufjet, disqet dhe e ndjeje veten sikur në të njëjtën kohë ishe dhe në bibliotekë, por edhe duke ndjekur një muzikë dhome, simfonike apo klasike. Më mirë se kaq, nuk kish se si bëhej.
Për kafenetë në Evropë dhe sidomos në Paris kam dëgjuar prej kohësh. Aty, në Paris, gati 100-vjet më parë ka patur një kafe “Rotondo” ku mblidheshin shkrimtarë e artistë, sidomos nga emigracioni. Mblidheshin atje dhe, në shkoj me mend atje para gati 100-vjetësh, ndodh se edhe duke lexuar për Kafe “Rostand”, tak dhe më ravijëzohet një personazh emblematik: piktori italian me prejardhje hebre, Amedeo Modiliani. Atje Modiliani i madh sikur e kish ngritur “atelien” dhe bënte vizatime në kartë ( me laps, sigurisht), dhe i shiste fare “shtrenjtë”: qoftë dhe me një pjatë makarona nga pronari i Rotondos. Atje, veç tjerash, një ditë prej ditësh, u rrëfye “Hera që ngatërroi Perënditë” aliaz Anna Ahmatova një bukuroshe që, aq ia prishi mendjen Modilianit, sa ky, aty për aty, ia bëri portretin që, thonë, e panë të varur mbi kokën e një poeti tjetër të bukur, Aleksandër Bllok. Modiliani vdiq në përkorje. Pronari i Rotondos vuri pasje me pikturat e tij dhe të vjen që të vësh kujën, kur jo më vonë se vjet një pikturë e Modiliantit u shit 25 millionë dollarë!!! Por jo më kot nuk përmend Rotondon. Se kam edhe më. Në Rotondo dukej edhe Aleksej Tolstoi bashkë me të shoqen. Edhe filofrancezi rus, Ilia Ehernburg që, fare rastësisht, i shpëtoi gijotinës së Kobës (Stalinit). Pra, kafenetë në Evropë janë si “qela” ku mblidhen shkrimtarë e artistë. Nga kjo anë, them: dhëntë Zoti që kjo gjë të arrihet dhe në Shqipëri. Kjo dëshirë nuk duhet të jetë vetëm imja. Aq më tepër kur të vetmin klub që kishte Lidhja e Shkrimtarëve e mbylli ish ministri i ç(kuturës), Ylli Pango, dhe e zhbëri për të mos u bërë më. Shkrimtarët bredhin si “çifutët në shkretëtirë” dhe akoma nuk ka dalë një Moisi që t’i shpëtojë. Po kështu kryetari i fundit i Lidhjes bredh duke mbajtur në çantë “tapitë” dhe vulën e thatë. Pak paradoksale, por është e vërtetë.

* * *
Thonë që njeriu plaket duke nxënë. Kësaj thënieje do t’i shtoja vetëm kaq: gjithmonë ka vend për të ndryshuar bindjet. Kur them kështu, nuk flas me apriori. Si një lexues që nuk kam lënë pa lexuar (dhe blerë) qoftë dhe një vepër të Kadaresë, kam patur bindjen që veprat që shkroi, pasi la Shqipërinë, nuk e kishin atë tharmin dhe magjepsjen. Mirëpo ja tek lexoj këtë librin e fundit: “Mëngjeset në kafe “Rostand” dhe bindjet bien. Përmbysen dhe, sado që kam dy ditë që e kam lexuar, nuk ndahem dot. Bëhem agravues po nuk e pashë atje, mbi tavolinë, dhe jo vetëm kaq: jap e marr sikur kam rënë në dashuri. Është kthyer tek unë adoleshenca. E lexoj, i rikthehem dhe prapë më bëhet se dua të them diçka dhe nuk di nga ta nis. Vërtet që libri hapet me ” Mëngjeset…”, por këto mëngjeset u ngjajnë atyre përrallave të “Njëmijë e një netëve” kur Shehrezadeja vinte në gjumë sulltanin. Në një gjuhë kafeneje: “Mëngjeset…”, janë si kafe me bisht.
Tek lexon, befasohesh: e sheh shkrimtarin herë me kobure si Isë Boletinin në Londër dhe herë përbri emrash që të trondisin: “… qe një afishe ku lexoje Shekspir, Miler dhe Kadare… Sikur vetëm kaq, nuk do qe pak. Pastaj, pak nga pak, je dëshmitar i ngjarjeve pa preçedentë: Kadare do dekorohet a do shpallej si anëtar akademie dhe, për turpin e Sqhipërisë, “koksit që mos ta kenë kokën”, përtonin që të assitonin në këtë ceremoni që i bënte nder Shqipërisë më shumë. Pohimi: “Nuk më duan as të majtët dhe as të djathtët” është rrufe në qiell të kthjellët. Tek lexoj, e zezë mbi të bardhë, këtë pohim tronditës, më vinë ndër mend vargjet nga “Visaret e Kombit”( në pastë menden, me ma korit fisin/ gjujma re, njitash, me kokërr rrfeje”). E meritojnë këtë rrufe mbi kokë të gjithë ata shtetarë që e lanë vetëm Kadarenë në atë moment ku, veç tjerash, nuk u luajt himni vetëm e vetëm për këtë nonsens fare të pakuptimtë.
E gjej me vend që të them. Në Turkmeni ku ka vlerë të çmuar ujë, ka një porverb: “Burimit ia dimë vlerën vetëm kur thahet”. Për fat të mirë, Kadare për mabrëshqiptarët, është një burim që kurrë nuk do të thahet. Aty, në kafe “Rostand”, përmjet penës së autorit, has dhe në shkrimtarë të dëgjuar të kohës: ja Le Clezio që nuk ndahej nga Modiano… derisa i pari mori çmimin Nobel dhe, thuaj,se “lidhja” u prish. Modiano nuk është askush tjetër po frnacezi Patrick Modiano që, siç lexojmë, jep e merr me Kadarenë deri për një vizitë familjare. Me sot, me nesër, duket vizita nuk është bërë dhe ka një përkim të çuditshëm: dhe Modiano, dhe Kadare janë nominuar për Nobel.
Kadare për herë të tridhjetë ( vini re: për herë të tridhjetë dhe Modiano për herë të parë). Ku ta dinte Kadare që, ndërsa libri priste dritën e botimit, Modiano në tetor të këtij viti mori çmimin Nobel. Hë, dhe diçka tjetër: sado francez, ky, Modiano, po paskësh pika gjaku (kushëri i largët) me atë Modilianin e “Rotondos”. E, ndërsa Kadare,e pati për të tridhjetën herë, unë, si pak “kumarxhi” që jam, them: -Tridhjettë e njëshi merr paratë! Urimi im në vesh të Zotit!

* * *
Se ku kam lexuar:” Prozatorët e mirë lindin nga poetët e këqij”. Në rastin Kadare, kjo sentencë bie. Kadare ka qenë Poeti më i bukur i Letërsisë Shqiptare dhe nuk e la poezia atë, po qe Kadare që la poezinë. Sa për mua, bëri pak mëkat: sa shkroi poezi, ai qe më i paarriri. Iku si një poet i bukur dhe u bë edhe më i bukur me prozën e tij.
Këtu tek “Kafe Rostand” të ngre mendjen. Nuk di se ku të qendrosh më parë: tek esseja për “Makbethin” apo tek “Requemi” për RReshpjen. Askush si Kadare nuk e ka “qarë” RReshpjen. Është një “requem” aq rrënqethës sa t’i ngre flokët gjemb; mishit ta bën kokrra dhe, qoftë të jesh dhe zemërgur, do të ligështohesh e do mbresohesh. RReshpja është ai Princi i Bukur që përfundoi si një barbon ku nuk kish ku të futte kokën.
* * *
Pak popullorçe: bakllavaja hahet në fund. Në po tentoj që të shkruaj diçka për kafen “Rostand”, dua të jem i drejtpërdrejtë: ma ka bërë mendjen çorap dhe tërë natën nuk e bëj gjumin rehat nga “Kukulla” alias “portreti i nënës”. Është rrëfimi më emblematik, më i bukuri i shkruar në letërsinë shqipe. Më antologjiku. Më prekësi dhe më… që nuk mbarojnë. Ka të drejtë populli, kur thotë: ” Pas çdo të keqe, ka dhe ndonjë të mirë”. Parë me këtë sy, unë them: Kadare, po të jetonte në Tiranë, kurrë nuk do shkruante ( më drejt: kurrë nuk do ta jetërsonte kështu portertin e nënës.). Me “Kukullën” ai vjen aq i bukur,aq njerëzor, aq tokësor dhe i vërtetë, sa nuk i gjendet shoku jo vetëm në Shqipëri, po dhe në botë. Dhe mos kujtoni se po hiperbolizoj. Kadare i ka ngritur nënës monument. E ka treguar ashtu si është: pa makiaazh; pa atë parfumin që mbante në sepete, si nuse e porsaardhur që ia rrëmbyen gjermanët. E ka rrëfyer që nga “çupëria” kur pa “atë” nga dritarja dhe “realizoi” dashurinë e parë!!! E rrëfen duke qenë “vikitmë” të një shtëpie të madhe që po e “ha”; e ka parë në “bankon e drejtëssë” (ziqit të familjes) në raportet vjerrë-nuse; baticat dhe zbaticat e këtyre gjyqeve qenë” lotët” e nuses kur e humbte gjyqin, dhe “mbyllja” në kat të dytë të vjerrës, kur ballanca (ziqi) anonte nga nusja. Sa jetë ka në këtë tregim! Të duket për një çast që nëna nuk është me këmbët në tokë. Tek mbyllet e stërmbyllet me vetveten, ajo bëhet aq e bukur dhe e papërsëritshme, me propozimin aq shpotitës: dua bisedime!!! Pa më gjeni diku të gjashmen! Dhe më tej: a nuk mundesh shkrimtari që ta retushonte këtë figurë dhe ta bënte nga ato nënat që rrezëlinin vetëm intelegjencë e mënçuri. Jo. Retushimet do ta prishnin të gjithë portretin. Ajo është “Kukull” dhe ashtu mbetë në gjithë tregimin. Dashuria nuk ka brirë.Kadare, pse e do sipas mënyrës së vetë, domosdo, na e jep këtë “Kukull” të gjallë, të bukur dhe, gati- gati, si një portret që nuk qëndron i varur në mur, po vete e vjen në gjithë sheshveprimin e tregimit. Jo më kot autori, e vë “Kukullën” që kërkon bisedime, përkrah figurash të tilla potente, të njohur nga të gjithë, si: regjisori Piro Mani që shkëmben mendime për tetarin dhe pikërisht, për “Përbindshin”. Apo ca më tej me kinoregjisorin Kujtim Çashku. A mund që t’i shmangte këto nga tregimi i tij? Patjetër. Do t’i shmangte, mendoj unë, po të jetonte në Tiranë. Po, kur vdiq “Kukulla”, shkrimtari ynë qe në Paris dhe vrapoi me gjithë Helenën që o ta ngjente gjallë, o , në fund të fundit, t’i hidhte një grusht dhe. Ai erdhi me një frymë dhe plotësoi një nga “kërkesat për bisedime”: të më varrosni me “atë”.
Natyrisht, as që më mbarojnë përshtypjet për “Kukullën”. S’ka monument letrar më të bukur. Kjo “Kukull” që, çuditërsiht, më ravijëzohet ngado që lëviz dhe më duket dhe si nëna ime dhe si të gjithë nënat që janë aq të mira.

Tiranë, 18 dhjetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Mëngjeset e bardha, në kafe "Rostand", perparim Hysi

NE PERCJELLJE TE ROZIT….

December 19, 2014 by dgreca

ROZI, KJO TRENDAFILE E RRALLË, E BUKUR, PA GJËMBA!/
“Ndërroi jetë Rozi Theohari” ishte një lajm I hidhur që mori dhenë dhe arriti dhe brigjet e Pacifikut.
Ngushëllime familjes së saj, farefisit, miqëve dhe botës krijuese letrare, artistike e intelektuale shqiptare – e – amerikane, te cilës ajo i takoi me dinjitet dhe të cilën e ndriçoi me nje drite te veçante krijuese dhe idiome artistike te spikatur.
Ajo, ne udhetimin e saj jetesor, ngado qe shkoi, la shenja te rralla të imagjinatës artistike, intelektuale e morale, që buruan nga origjina e saj e fisme dardhare, nga thesari i trashëgimisë së pasur kulturore shqiptare, si dhe nga pasioni dhe përkushtimi i saj i shkëlqyer për t’a bërë këtë botë njerëzore më të bukur seç e gjeti, kur u lind, më të pasur e më shpresëdhënëse për breznitë e sotme e të nesërme.
Në dy dekadat e fundit, në SHBA, ajo e gjeti VATREN e saj dhe DIELLIN e vet, si një forcë natyrore shpërthyen e lulëzuan fuqite e saj krijuese ne një pranverë te dytë të jetës.
Shkrimtarja, edhepse vepron e shkruan në vetmi, ka një status të privilegjuar, sepse mund të krijojë miq e adhurues në anë të ndryshme të ruzullit, të cilët nuk i ka parë ose takuar ndonjëherë.
Rozi, me shkrimet dhe veprat e saj, krijoi miq e adhurues an’e mbanë botës. Dhe unë isha dhe jam një mik e adhurues i heshtur i shkrimeve të saj. Nuk pata fatin t’a takoj ndonjëherë. Por e takova dhe do t’a takojë në shkrimet e saj përherë.
Tani që dielli i saj perëndoi n’ Oqeanin e Amshimit, Rozi, kjo trëndafile e rralë, e bukur, pa gjëmba, e la aromën e saj arbërore si një dhuratë të shtrenjtë botës…
Ja, po e ndjejë aromën e petaleve të zemrës së saj, të cilat bien një nga një, si përshëndetje e fundit lamtumire! Ato janë fshehur e palosur me kujdes midis faqeve të Librit të Jetës së saj, dhe të atij artistik, që vazhdon të jetojë në DIELLIN dhe VATRËN e trashëgimisë së shtrenjtë arbërore e njerëzore.
Lamtumirë, Rozi! Trëndafile e rrallë e bukur pa gjëmba!
Shpirti i saj i pastër u prehtë në paqe e n’ përjetësi!

Ferhat Ymeri
Kent, Washington
E mërkurë, 17 dhjetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Ferhat Ymeraga, NE PERCJELLJE TE ROZIT....

Emigrantët

December 19, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Rreth orës 3 të mesnatës një makinë tepër luksoze, hyri në varrezën nr 234 Boca West, në shtetin e Floridas. Aty po lëshonin trupin tim. Eshtë dt 18 dhjetor, dita e 352 sipas kalendarit Gregorian, e vitit 2014. Në të njëjtën kohë, dita botërore e emigrantit. Çudia më e madhe e imja qe fakti se, përse në varrimin tim mungonin miqtë, përfshi këtu gjithë të gjallët e njohur e të panjohur. Vetëm një shofer që më transoprtoi, një burrë me uniformë që më priti dhe më groposi më këmbë. Më tutje asgjë…, mangot kaba dhe natyra e shuar nga hapësira, buzë një rrjedhe të qetë lumi, që ikte i shuar drejt oqeanit. Mu kujtua një tregim i shkrimtares emigrante A. Mëlyshi Lifschin, mbi vdekjet amerikane. Pak a shumë, habia e personazhit, (emigrantit apo emigrantes shqiptare) se si ishte e mundur që të vdiste fqinja, apo fqinji, dhe t’i e merrje vesh pas tri-katër ditësh?! Asnjë lloj gjëme, asnjë lloj hapje shtëpie, asnjë lloj ndarje kafeje e cigaresh, apo edhe hallva e të dyzetave. Nuk e keni idenë se mall ndjeva për shpalljet nëpër shtyllat e rrugëve, pemët ku koriçkat e mandat’njoftimeve, i ngjanin relieveve të maleve argjilore, tabelat në këndet kryesore të qytetit etj. 
Thua askush nuk ndau njoftime për mua?
Nga ana tjetër, zura të kundroja listat se kujt i kisha shkuar dhe kujt jo, në vaki apo gjëma të tilla. Përse nuk më ka ardhur filani? Përse nuk më ka ardhur fisteku. Punë hesapesh? Dhe si ishte e mundur që, mungon edhe fqinji i ri, këtu? Por me këtë mungesë nuk u lodha shumë, sepse u kujtova që këtij, nuk i kam shkuar në ndonjë vaki. Biles as ai vet nuk shkoi kur i vdiq e ëma. Vendosën bashkë me të vëllain ta konservonin trupin e saj në një morg duke lënë një datë tjetër për ceremoninë kishtare. Pastaj, shty data- datën, dhe dita- ditën, derisa e ndjera u varros po njësoj si unë. Me dy njerëz, trasnportuesin dhe groposësin. Njeriut me valixhe në dorë, me aeroporte nën këmbë, me gjithë të mirat e tjera. Dhe sa për statistikë sot në botë, kjo kategori njerëzish kap shifrën e 232 milionë. Mesazhi nga kombet e bashkuara erdhi i tillë që, shoqëritë të jenë hapura, për mundësi dhe jetë më me dinjitet të emigrantëve kudo që ndodhen.
Në fakt duhet të jetë dita edhe ndjesës së madhe. Për ata që në vende të ndryshme, për arsye absurde, u vranë në kufijtë me tela me gjemba. Për ata që ngrinë në mallet me dëborë. Për ata që shkrumbuan nën kubetë e kamionëve kontrabandë. Për të mbytyrit e Otrantos. E sa e sa, histori të tjera që nuk i dimë. Lista është e përbotshme.
Gjithsesi t’i kthehemi varrimit tim. Që të mos zgjatem më tutje, nga e gjithë kjo vdekje mësova kuptimin e termit emigrant. Njeriut me valixhe në dorë, me aeroportet nën këmbë, me gjithë të mirat e tjera. Duke ia kompesuar, dikujt ekonominë, e dikujt lirinë.
Veç kurrsesi miqësinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Emigrantët, Ilir Levonja

Kur pema bie nën pemë

December 17, 2014 by dgreca

Romani ” Pavijoni i “filozofëve” të Ilinden Spasses/
Esse nga Përparim Hysi/
Titulli i kësaj esseje modeste është lehtësisht i lexueshëm. Vet mbiemri i autorit të çon tek një prozator të madh të gjuhës sonë: tek i pavdekshmi, Sterjo Spasse. Nuk kam qëllim tani që të flas për meritat e prozatorit të madh që ,veç tjerash, kam patur ca arsye që ta dua. Së pari, Sterjo Spasse ka qenë normalist në Elbasan dhe bashkë me jehonën e romanit “Pse?” që vinte si një kollajllëk i madh dhe i volitshëm: – Psenë nuk e ka gjetur Sterjo Spasse, duke i veshur autorit një mantel lavdie dhe të mistershëm, njëkohësisht. Mandej, pak nga pak, ky “mister” siur u zhbirua, kur profesori im i dashur i letërsisë, i ndjeri Azmi Stringa aliaz Babë Stringa më servirte pak veças faqe nga revista “Normalisti” ku gjeja atë: ezhdërhanë që kish shkruar dhe romanin “Pse”. Pastaj Sterjo Spasse u bë aq i njohur, sa mungonte vetëm takimi kokë për kokë. “Të fala nga fshati”, “Afërdita”, “Ata nuk ishin vetëm” (po kush nuk e kujton atë “Rezistenca e Goricarëve” që bënim në shkollë?). Për mos vazhduar dhe me të tjera: Sterjo Spasse, sado që ishte nga pakicat maqedonase në zonën e Prespës, qe autor i një teksti gjuhe që bëhej në shkollat tona. Pra, përfundimisht, qe një nga shkrimtarët e mi të dashur. Mbresat bëheshin më prekëse për Sterjon edhe për faktin tjetër: mësuesja ime e dashur, Vjollca Omari, motra e të ndjerit Mustafa Greblleshi,e lakonte Sterjon si një nga miqtë e të vëllait dhe, para se t’u jap fund përshtypjeve për Sterjon, e gjeta sërishmi miqësinë e Sterjos me të ndjerin Mustafa, edhe prej shkrimeve të fundit të Kadaresë “Mëngjeset e kafes “Rostand”. Kadare shkruan me superlativa për Sterjon dhe miqtë e tij ku përfshihej dhe i ndjeri Mustafa me të cilin kam patur njohje. Dhe kaq, siç e shihni, nuk është pak.

* * *
Objekti i essesë sime modeste nuk ka të bëjë me Sterjon, por me Iliden Spasse që shtë autor i romanit “Pavijoni i “filozofëve”. Ilideni është i biri i Sterjos dhe them që nuk shkruaj me apriori që është “pema që ka rënë nën pemë”. Me Ilidenin, së pari, më ka njohur profesor Muat Gecaj aliaz Babushi që ka punuar së bashku me Ilidenin, ky i fundit si punonjës shkencor në Institutin e Studimeve. Spassja i ri nuk ka vegjetuar pranë atij instituti. Përkundrazi. Skrupuloz për dije, ai ka fituar titullin profesor-doktor dhe, krahas punës shkencore, si “pema nën pemë” ka lëvruar dhe letërsi të mirëfilltë.
Në vitin 1970 ka botuar librin me tregime “Cuca e pavijonit”; në vitin 1976 romanin “Përtëritje”. Në vitin 1995 ka botuar një nga librat më të bukur të memorastikës shqiptare me titullin:” Im atë, Sterjo”. Në vitin 2005 librin “Ankthi” me tregime dhe këtë vit romanin “Pavijoni i ” filozofëve”. Veç këtyre veprave, Ilideni ka përkthyer” 100 personalitete të shquara në histori” të Majkëll Hart qysh në vitin 2001. Sado që ka dalë në pension, ILiden Spasse bën një jetë aktive letrare.

* * *
Për romanin e Ilidenit, para se të më binte në dorë, më foli me superlativa, mikja ime, Meri Lalaj. Kjo, Meri Lalaj, qe dhe “kumbara” që organizoi takimin tonë tek ” Taiwani”. Me ILidenin, thuaj, sikur shkëmbyem tepsitë. Ai më dha romanin e tij dhe unë tri librat e mi në prozë dhe dy me poezi. Sa erdha në shtëpi , zura që ta lexoj romanin. Më intrigonte kurreshtja: vallë a ka atë “vlagë” të cilin ia njihja që me monografinë që kish shkruar për të ndjerin atin e tij aq të nderuar. Dhe e them që në fillim: ILiden Spasse ka shkruar një roman nga më të bukurit të kësaj periudhe të posttranzicionit. Është shkruar me aq thjeshtësi dhe me aq pathos, sa, pasi e mbaron, ke një kënaqësi që rrallë e has nëpër libra të shkruar. Ka një humor çlodhës dhe aq të karikon, sa, dhe po qe në një moment të ngarkuar apo stresant, tak dhe ta heqë si me dorë mjeku ekselent. Të duket se autori ka vënë lupën e tij vëzhguese mbi gjithë peripecitë që kalon vendi ynë, populli ynë në këtë tranzicion- maratonë dhe, ashtu si Shën Thomai në librat e religjionit, i zë plagët me dorë për t’i bërë të besueshme. Kushdo që lexon romanin, sheh tipa të tillë që frymojnë pranë nesh. Në bëhen lolo e qesharakë me veprat e tyre, kjo nuk është shpikje e autorit. Ky është një realitet që ne e shohim përditë; e kemi parasysh dhe, për turpin tonë, bëjmë sikur nuk e shohim. Pikërisht, këtë detyrë i vë vetes: që të na hapë sytë. Na bënë ta “çajmë mjegullën” dhe gjërat t’i shohim açikë. Jo të futim kokën në rërë si struci se, gjasme, kjo nuk ka të bëj me mua dhe, me një gjuhë popullore “një byrek që nuk është për mua, le të digjet. Spassja i ri, i zbulon, i zhvesh, pothuaj, lakuriq dhe na inkurajon që të themi: “mitet janë lakuriq”.
Syri vëzhgues i tij nuk ka lënë fushë të jetës pa vëzhguar. Duke u sjell rreth Malum Lumit e Ban Biles, ai fut në kaleideskopin e vëzhgimit, pothuajëse gjithçka që ndodh në Shqipëri. Në qeveri, në parlament, në letërsi e art, në administratë dhe kudo. Sikur gjithçka ta përmbledhim në një emërues të përbashkët, siç veprohet me thyesat, vërejmë se në Shqipëri veprohet me metodën: nëm të të jap. Është një piramidë e tërë apo një zinxhir ku, secila hallkë, ka peshën e vet specifike të fajit. Kur lexon romanin dhe sheh personazhë të tillë, gati, grotesk,si: Malum Lumi apo Ban Bilja nuk ke se si mos gajasesh. E mbyll për një çast librin dhe futesh në meditim:- Kush është ky, Malumi, që shkruaka aq libra me “vlerë”, sa i paskan mohuar deri Nobelin? Kini parasysh Malum Lumi nuk është nga ata “Ufot” që bie mes nesh dhe ikën mjegullash. Jo. Ai është këtu: ngjitur me ne. Ai është ai grafomani apo plagjiati që nuk e ka as për pesë, të “vjedhë” djersën e të tjerëve dhe, kapur nga të të hyrit vetja në qejf, do të ngjitë shkallët e lavdisë së pamerituar. Si pikëmbështetje në karierën e tij, shërben “vëllaisiamez” i tij, ministri, Bani Bile. Autori duke dashur që mos e merzis lexuesin me syfete të tilla, i bindur se gjithë derrat një turi kanë, loz me penën: janë aq të ngjashëm sa kanë lindur në një ditë e minut në “ditën e shejatnit”. Sa faqe shfleton, aq më shumë befasohesh duke i njohur më mirë këta syfete, që, për çudi, me zvetnimin moral dhe pangopësinë prej “gargantoje” për t’u pasuruar, sa vijnë dhe bëhen jo vetëm qesharakë, por dhe të përçudnuar apo dhe ca më keq: të përbuzur. Autori duke i rënë pragut që të dëgjojë dera, sikur na thotë: krejt sistemi dhe shoqëria është e sëmurë; është e molepsur. Sado që librat e “nobelistit” Malum Malumi dhe me dedikime i gjen të shitet si libra pa vlerë, trotuareve, ai bën përpjetë. Si patericë e njeriut me pushtet, Bani Bile, ai korr “zarfa” të mbushur me para në adresë të ministrit mik dhe ky, t’i kthejë këto “mani-mani”, në tendra për të tretët. Pra, parimi; njëra dorë jep, tjetra merr dhe, që të dyja, ngrejnë ngrehinën e korrupsionit. Ky, korrupisoni, është si metastazë galopante që është përhapur në të gjitha poret apo qelizat e shoqërisë. Iliden Spasse duke e konsideruar shoqërinë apo gjithë sistemin në këtë tranzicion si një trup anatomik, ka marrë bisturinë dhe ka bërë diseksionin e këtij trupi. Natyrisht, si njeri i penës, autori nuk ka si mos stigmatizoj dhe atë “koloni” shkrimtarësh që janë vetshpallur si të tillë: atributet ruse që kanë vënë si spaleta mbi supe, me emra si “Esenin”, “Paustovsk”, “Lermontova” e për mos vazhduar me të tjerë, s’ka se si mos të gajasin, me të vërtetë.
Tek dua t’i mbyll këto shënime, nuk kam se si mos qëndroj tek një fakt shumë interesant. Në roman ka një personazh që përfaqëson njeriun e “dosjeve”. Atyre dosjeve të dikurshme që të bënin gjëmën. Ky njeri ,sado pak vend zë në roman, ka një peshë specifike pak të rëndë: sado “thuqash” dhe i pashkollë, ai jo vetëm kërkon favore, po ende e ndjen veten të fortë. Ndërsa e lakoj, këtë “thuqash”, më bën përshtypje një fakt shumë domethënës: çështja e dosjeve, po lakohet e stërlakohet tani, kurse libri i Ilidenit ka dalë me kohë. A nuk tregon kjo për një shkrimtar që paraprin me intuitën e tij për probleme që janë aq të mprehta në këtë tranzicion. Në përshtypjen time si një lexues, romani i Spasses junior gjëron nga një humor shpotitës e çlodhës që mund të lexohet kohë pas kohe pa u bërë i mërzitshëm. Tek them se ka po atë hare çlodhëse që e gjen tek “Don Kishoti” i Servantesit dhe tek “Shvejku proverbial” i Hashekut, nuk besoj se gaboj. Lexojeni dhe do më jepni të drejtë.
Tiranë, 17 dhjetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Kur pema bie, nën pemë, perparim Hysi

SHQIPËRI, ME RRËNJË TË THELLA

December 17, 2014 by dgreca

Nga Rasim Bebo, Addison, Çikago/
Për të risjellë në kujtesën historike rrënjët “10 mijë vjet histori: Pellazgë > Shqiptarë”, u mbajtë në Tiranë, më 14 – 15 Nëntor 2014, Simpoziumi i III ndërkombëtar, nën drejtimin e kryetarit të shoqatës pellazgjike me qendër në Tiranë, Z. Lutfulla Peza dhe të shoqes së tij Liljana Peza. Ku morën pjesë të ftuar nga vende të ndryshme dhe u mbajtën shumë kumtesa, ku secila komtesë hidhte në rrënjët pellazgjike ujë krisali, për të qenë vazhdimisht e çimentuar dhe sidomos në këtë fillim mijëvjeçari, kur armiku ynë më i betuar, janë drejtuesit tradhtar të atdheut tonë, të molepsur nga komunizmi.
I nderuar lexues, tradhtia e liderëve tanë u duk hapur edhe në mosmarrjen pjesë në të tre Simpoziumet Pellazgjike. Kjo tregoi sërish, se ata ia kanë kthyer vetë shkatërrimin vendit, sipas kursit greko-ruso-sërb. Në vazhdim të kupolës komuniste, “demokracia” e vetëquajtur pas vitit 1990, janë
përqendruar të dy partitë kryesore, PD dhe PS. Të cilat drejtohen nga dy partitë kryesore greke, e para nga “Ta nea demokracia” dhe e dyta nga “PASOK-u”, me të deleguarin e tyre, komisarin Janullatos.
Prof. Dr. Eshref Ymeri i ka përcaktuar kështu: “Janullatosi është guvenatori faktik në Shqipëri i shovenizmit greko-karagjoz, kurse qeveritë shqiptare që hipin e zbresin nga pushteti në Tiranë… janë një turmë kukllash të fëlliqura, që po na nxijnë faqen para opinionit ndërkombëtar.
Janullatosi i përngjan Sokratit të lashtë në uljen dhe ngritjen e brekëve të Mandrinos. Për të ditur përuljen e pështirë në zyrat e qeverisë së Tiranës mësoni: A keni dëgjuar urdhër greku, dhënë palikarëve tonë të PD dhe të PS, nga Ministri i jashtëm grek Venizellosi në zyrën e kryemistrit në Tiranë?… Dëgjoni, ju, shqiptarë!… Kujdes, mos bëni naze për plotësimin e kërkesave të Athinës, siç janë: Kufiri detar, problem i çështjes çame, mosprekja e ligjit të luftës, ngritja e varrezave të reja, përvetësimi i pushtimit të kishës ortodokse etj…” (E. Ymeri 24 – 10 – 2013). Janullatosi po përsërit “aktavizmat” duke vepruar si dikur në antikitet në “Apollogjinë e Sokratit”. Ashtu si përdorte ai Mandrinon, ky sot (Janullatosi) përdor Berishën Ramën etj. Më 28 dhjetor 2011, numri special “AMA-News”, tregon se dy ditë më parë, më 26 dhjetor 2011, në “Vilën 21”, krejt fshehtas, kryekleriku grek i Shqipërisë, Anastas Janullatos, i ka dorëzuar Sali Ramë Berishës, titullin e lartë “Bekimi ynë i Artë”, që u jepet vetëm të huajve, që kontribuojnë me akte dhe vepra të mëdha ndaj kombit grek. Ish kryeministri Shqiptar e ka merituar këtë titull nderi nga grekët, mbasi ka kryer shumë shërbime në dy mandatet e pushtetit të tij, 1992 – 1997 dhe 2005 – 2011. Sali Berisha dekretoi ligje antishqiptare në favor të grekut: p. sh. Kisha Autoqefale e Shqipërisë, do të jetë nën vartësin e Kishës Autoqefale greke, me të drejtë të përhershëm greke dhe shërbesa në gjuhën greke. Dekretoi Ligjin famëkeq agrar 7501, për dhënien në pronësi të tokave shqiptare, familjeve minoritare greke. Në vitin 1994 firmosi për devijimin e vijës së korridorit të 8 nga Durrësi – Elbasan – Shkup – Sofie – Varnë, dhe ua dha grekëve, të kalojë nga Gumenica në Greqi etj. (Për më shumë lexoni: Rasim Bebo, “Artikuj dhe ngjarje”, bot. 2012, f. 15).
Për Janullatosin, duhet shtuar, se ky ka ardhur në Shqipëri në korrik 1991, i pranuar me firmën e Ramiz Alisë, duke deklaruar se vinte si misionar i përkohshëm në krye të kishës së rrënuar ortodokse në Shqipëri. Kaluan 14 vjet dhe vëmë re, se fjala nuk u mbajt, por vazhdon një gjendje e turbullt pa rrugëdalje. Në vitin 1993, ai bëri përpjekje për të legjitimuar pozitën e tij, jolegjitime, duke u kapur te statuti i vitit 1950 i KOASH-it, që nuk është njohur nga Patriakana e Stambollit. Por, a mund të ngrihej një kishë e vërtetë ortodokse shqiptare, nga Greqia, kur ky vend ka luftuar shumë kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe kundër autoqefalisë së KOASH-it, kur shumë klerikë shqiptarë janë vrarë dhe helmuar nga kisha greke, kur ortodoksit shqiptarë i quan si grekë dhe ka vijuar gjithmonë një politikë urrejtjeje kundër gjuhës shqipe, ka shfaqur pretendime territoriale ndaj vendit tonë, ka djegur e masakruar disa herë Shqipërinë e Jugut, përfshirë edhe Çamërinë, kur Greqia e trajton Shqipërinë si “vend armik” dhe shtetasit shqiptarë si “armiq”?!!!… Një vend i tillë, a mund të sjellë paqe dhe mirëkuptim?… Për të gjitha këto krime të rënda, që ka kryer Greqia, ka mbetur pa u ndëshkuar tani e 70 vjet me radhë. Bernard Shou thotë, se mosndëshkimi i krimit është edhe më i rëndë se sa vetë krimi”. Heshtja e Europës para krimeve të Greqisë, të bëra ndaj etnisë shqiptare, ka bërë që grekët të bëhen edhe më harbut ndaj vendit tonë. Diogjeni, thoshte se krimineli i trëmbet së vërtetës sepse ka frikë se mos digjet prej saj.
Tani jemi përpara dy fytyrave të Edi Ramës, në dy data, 28 – 30 tetor 2014 dhe të datës 5 dhjetor 2014. Kryeministri Rama, si një Madrino e lashtësisë, gërmon për të vënë në jetë urdhrin e shefit të tij, kolonelit Janullatos, i cili ka deklaruar në gazetën greke “Kathemerini”: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, që feja e shqiptarit është shqiptaria, këtë tezë do ta luftojmë duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. (Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri).
Bordi i Ministrisë së Arsimit, nën diktatin e kryeministrit Edi Rama, me gjuhë ultimative që është karakteristike e kësaj qeverie, ka thirrur vartësit në ilegalitet më 28 tetor 2014 dhe ka miratuar pa asnjëfarë transparence e kriteri një listë të shpallur, që rekomandon bibliotekat shkollore, dhe libraritë, se janë përjashtuar “Nënë Tereza”, “Ibrahim Rugova”, si dhe “Jeromin De Rada” dhe krejt letërsia studimore e Kosovës, si dhe u hoqën 385 tituj të armiqve politikë… Pra, ky është një “skandal” kombëtar i botuar në shtypin tonë. (Ramiz Dermaku, “Skandali”, gazeta “Bota Sot”, marrë nga gazeta 55).
Kështu Qeveria Shqiptare dhe A. SH. SH. përforcuan mendimin e priftit grek, për të zhdukur “Rilindjen shqiptare”, duke nisur me botimet për Branko Merxhanin, Mehdi Frashërin, Mithat Frashërin, Mustafa Krujën, Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Anton Arapin. At Zef Valentinin, At Zef Pellumin “Nderi iKombit” të vlerësuar me “Penën e Artë”, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Eqerem Kryeziun, Kutelin, Camajn etj, të cilët po provojnë censurën e re të mirditores Lindita Nikolla. Kjo censurë 0rientale është përdorur edhe për librat në shqip të atit të Shënjtë të Benedikti XVI, apo të historianit hebre më i njohuri i shek. XXI, Simon Sebak Montefiore. Dhe lejohen të shkojnë preferencialisht në shkollat tona nëntë vjeçare dhe të mesme, librat e Jorgo Bulos, Rudina Xhungës, Arben Putos, Shaban Sinanit, e Floresha Dados. Me këtë, Edi Rama bëri lojën e pështirë të pështyrjes së botuesve, që nuk ishin në grigjën e tij. Kjo është fytyra e qartë shkatërruese e Edi Ramës,. Kryeministri Edi Rama do të sillej ashtu si u tregua në Beograd e Preshevë, se kështu do të vepronte çdo shqiptar me gene shqiptari, po të ishte në atë pozitë. Po kështu ishin dhe përgjigjet që u ka dhënë të dy presidentëve grekë, Stefanopullit dhe të tanishmit Papulias, të cilëve u ka treguar në mënyrë të tërthortë, se Korçën e kanë quajtur vllaho-greke dhe Himarën greke. Dulja, është sekretari personal i Janullatosit për shumë vjet, një grek i shpifur, armik i betuar i kombit shqiptar, një dinak mashtrues dhe gënjeshtar i pangopur në kërkesa për minoritetin grek që përfaqëson 0.87% të popullsisë, të cilët kanë ardhur me trastën e lypësit para 200 vjetëve për të punuar tokat e Gjirokastritëve në Dropull dhe të Delvinjotëve në Vurgun e Delvinës. Ku kanë përfituar të gjitha të drejtat si minoritet nga Qeveria Shqiptare. Ndërsa shqiptarët e Greqisë, autokton prej stërgjyshërve Pellazgë, nuk kanë asnjë të drejtë si minoritet, por i kanë masakruar, vrarë, therur, përdhunuar dhe dëbuar të gjithë Çamet myslimanë. Çdo shqiptar e ruan në shpirt këtë dhimbje, me një urrejtje të madhe kundër grekut faqezi. Kur ne kemi drejtues të tillë, që i hapim rrugë të keqe atdheut tonë, duke e vënë këtë armik, Vangjel Dulen, si zv/kryetar Parlamenti dhe nga ky kolltuk, ai kërkon “qiqra në hell”, të njihet Himara si greke dhe shumë pretendime të tjera. Debati me Dulen, ku Rama tha: “Himara s’është minoritet” dhe më tej shtoi: “… unë besoj se sa të ketë Parti Socialiste të Shqipërisë në këtë vend, Himara nuk do të jetë një çështje për diskutim”. Tani duhet t’i “lutemi Zotit”, të mos na vdesi Rama dhe PS-ja, se na përlau greku. Turp për idiotizmin e Ramës. Mëso Rama: se ti dhe PS-ja jote, jeni një pjesë e vogël e tërësisë së Shqipërisë 10 mijëvjeçare… Sa debat i pështirë tingëlloi me dy të pështyrët Dule dhe Rama!…
Mëso Rama: Në maj 1944, Hasani, nga Burizana e Krujës, ishte shegert në një dyqan ne Tiranë, shpëtoi një djalë çifut që e ndiqte patrulla gjermane duke e çuar në familjen e tij në fshat. Pas çlirimit ky shkoi në Izrael. Më vonë Hasanit i erdhi një ftesë nga Knosi (parlameti) i Izraelit, ku atë e pritën me madhështi, e ftuan në parlament me fjalime dhe nderime. Së fundi i dhanë fjalën para deputetëve, ku Hasani tha: “ Unë çuditem për këtë pritje madhështore që më bëni mua, Unë skam bërë asgjë më tepër, bëra atë që bën çdo shqiptar.” Ndërsa Edi Rama shkatërron Rilindjen shqiptare, si vegël besnike e grekut dhe kthehet me gjysmë zëri, nga frika e votës që po i humb…
Rasim Bebo, Addison, Çikago, dhjetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ME RRËNJË TË THELLA, rasim bebo, shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 523
  • 524
  • 525
  • 526
  • 527
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT