• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Trashegimia e Faik Konices: ZAKONI I SKLLAVERISE….

September 6, 2014 by dgreca

Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë…/
SHKROI: Faik KONICA/
Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës.
– “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët.
“Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.

DIELLI- Botuar më 1923

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, Zakoni i Skllaverise

KRISTO KIRKA- Me mision në Stamboll

September 6, 2014 by dgreca

Nga Uran BUTKA*/
Shpallja e Kishës Autoqefale Shqiptare ishte një arritje kombëtare. Por, sipas rregullave kishëtare, duhej të njihej edhe nga Patriarkana. U vendos që një përfaqësi e Kishës Autoqefale të Shqipërisë të shkonte për bisedime me patriarkun e Kishës Ikumenike në Stamboll. Një komision kleriko-laik me në krye at Vasil Markon, kryetar i Këshillës së Lartë Kishëtare dhe i përbërë prej kryetarit të bashkisë së Korçës, Vasil Avramit, at Harallamb Tarkës, Thoma Orollogait, Dhosi Havjarit, Simon Shuteriqit dhe deputetëve Kristo Kirka e Dhimitër Kacimbo, u zgjodh për të shkuar atje. Delegacioni kishte një përfaqësi të gjerë, sipas kërkesës së Patriarkut të Stambollit, që delegacioni të kishte edhe përfaqësues të shtetit.
Korçë, më 24 mars 1923
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
Këshilla e lartë Kishëtare
Zotit Kristo Kirka
I nderuar Zot,
Ju bëjmë të njohur se Këshilla e Lartë Kishëtare, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, që bëri më 14 të këtij muaji për punën e zgjedhjes së komisionit, i cili do të dërgohet këto ditë në Patriarkin Ikumenike, për të bërë përçapjet e duhura përsa i përket çështjes së kishës sonë, e pa të pëlqyer t’ju zgjedhë anëtar të këtij komisioni.
Besojmë se kini për ta pranuar këtë detyrë të shenjtë dhe se do të përpiqi me tërë fuqitë tuaja, duke mbrojtur interesat e kësaj kishe, në bazë të statutit të Beratit, të siguroni për Kishën tonë Autoqefale nga Kisha e Madhe gjithë sa kanë siguruar edhe kishat e tjera simotra të Ballkanit.
Përfundoj me bekime dhe duke pritur përgjigjen tuaj,

Kryetari i Këshillës së Lartë Kishëtare
Ikonom at Vasil Marko

Ministri i punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli, e pajisi Kriston me pasaportë diplomatike si deputet, për të udhëtuar për në Kostandinopojë.
Facsimile 11( Kopje e pasaportës)
Kristoja pranoi me kënaqësi të madhe, sepse ky do të ishte hapi i fundit për kurorëzimin e Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare.

“Ishte një veprim i guximshëm, me kokën në torbë, si i thonë fjalës, në gojën e ujkut, – kujtonte Kristo Kirka. – Aty ishte strofka e armiqve tradicionalë të Shqipërisë, nga ishin thurrur aq shumë intriga e platforma antishqiptare. Udhëtuam me vapor. Ishte një udhëim i bukur, por kur hymë në lagjen e Fanarit, ndjemë një pështjellim të rëndë. Godina e madhe e Patriarkanës, sikur të shtypte me ato mure të lartë e të heshtur, që mbanin brenda tyre aq shumë të fshehta të frikëshme.
Na futën në një sallë të madhe, zhytur në një gjysmerrësirë. Ishte një atmosferë e zymtë, angushti. Ajri ishte i rënduar nga era e temjanit dhe e qirinjve të djegur. Në krye, në një poltronë të lartë, rrinte Patriarku Ikumenik, i rrethuar nga shumë klerikë të lartë dhe priftërinj shërbestarë.
At Vasil Marko, në emër të Këshillës së Lartë Kishëtare, i paraqiti kërkesën për njohjen e kishës sonë autoqefale, duke parashtruar argumentet, si edhe dokumentet e Kongresit të Beratit dhe të dekretimit nga ana e shtetit shqiptar.
Patriarku na dëgjoi me vëmendje, mandej, me mospërfillje, na u përgjigj:
“Keni vepruar në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe urdhrat tona, kështu që ne nuk e njohim kishën tuaj të vetëshpallur. Autoqefale mund të jetë, vetëm nëse e dekretojmë ne me Tomos të veçantë. Ndryshe, është sakrilegj.”
Kjo përgjigje na indinjoi, por e mbajtëm veten. Sotir Peci e mori fjalën dhe foli me një urtësi e kulturë të admirueshme. Ai foli për vlerat universale të krishtërimit dhe për detyrat e kishës për t’i përcjellë ato tek njerëzit. Po shqiptarët nuk e kuptojnë gjuhën greke, nuk i marrin vesh predikimet kishëtare në atë gjuhë, as ungjillin, as meshën, as pagëzimin, as kurorëzimin, as përshpirtjen. Përse të mos i bëjmë në gjuhën tonë këto rite, për të qenë të krishterë të devotshëm?
Unë fola pak për themelimin e kishës shqiptare në Amerikë dhe për shërbimet që u solli ajo shqiptarëve ortodoksë. “Jemi kthyer në Shqipëri për ta vazhduar këtë mision të shenjtë. Tani që kemi shtetin tonë të pavarur, duhet të kemi edhe kishën tonë të pavarur, siç e kanë edhe vendet e tjerë” – përfundova unë.
Po Patriarku sërish mohoi. Mund të bisedojmë për një autonomi të kishës, por jo autoqefali, – tha ai.
Atëherë, at Vasili nuk vonoi: “Hirësi, ne erdhëm në selinë e shenjtë me mendimin se do të kishit mirëkuptim për çështjen tonë të drejtë. Por ju, për interesa jashtëfetare dhe në kundërshtim me nomet dhe frymën e besimit tonë të krishterë, po vazhdoni me historinë e vjetër. Por kohët kanë ndryshuar. Duhet ta dini mirë se kisha jonë tanimë është autoqefale dhe do të jetë e tillë në jetë të jetëve. Meqenëse ju po thoni se nuk na njihni, edhe ne po ua themi troç, që në këto kushte, edhe ne nuk ju njohim!”
Kjo ishte një shuplakë e fortë, për ata që ishin mësuar me bindje dhe nënshtrim të verbër. U kthyem shpinën dhe ikëm nga ajo botë e errësirës dhe e mallkimit. Por, gjithsesi, vizita dhe fjalët tona nuk mbetën në ajër, ato e bënë efektin e tyre dhe, në mos ai patriark, tjetri që do të vinte pas tij, do ta njihte faktin e kryer. Ne e bëmë detyrën tonë”
Për këtë akt kombëtar, Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë e dekretoi Kristo Kirkën dhe pjesëtarët e tjerë të Komisionit kishëtar që shkoi në Stamboll, me një dekoratë të veçantë nderi.
* Fragmenti eshte marre nga libri”Kristo Kirka” i autorit Uran Butka, Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për esenë në vitin 2012- Vepra eseistike “Kristo Kirka”, me motivacionin:-“Për zbulimin dhe portretizimin e një prej figurave më të spikatura të botës shqiptare.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kristo Kirka-Me sherbim, ne Stamboll, Uran Butka

DHJETË KËSHILLAT E PAPËS PËR TË QENË I LUMTUR

September 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Pak para disa ditësh lexova në median amerikane njoftime në lidhje me një intervistë që Papa Françesku kishte dhënë muajin e kaluar për gazetën Viva të Argjentinës, gjatë së cilës ai kishte rekomanduar dhjetë këshillat e tija bazuar në përvojën e tij, që ai thotë se po ti zbatojmë, do jemi më të lumtur në jetë. Ndonëse është fund jave dhe jemi si të thuash në vigjiljen e vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator, thashë me vete t’i ndajë me lexuesit, të cilët ndoshta nuk i kanë lexuar deri tani këto dhjetë këshilla të Papës, për të qenë i lumtur në jetë, pasi në fund të fundit, kush prej nesh nuk dëshiron të jetë i lumtur .
Me këshillat e tija, Papa në përgjithësi përpiqet të inkurajojë njerzit të kenë një qëndrim më pozitiv në jetë dhe të jenë më bujarë dhe zemërgjërë ndaj të tjerëve.
Këshillon gjithashtu familjet që të mos shikohet aq shumë televizion pasi nuk u jep antarëve të familjes mundësinë për të komunikuar me njëri tjetrin dhe propozon që njerzit të kërkojnë mënyra më të mira për të kaluar kohën e lirë. Ai tha se është zhdukur kënaqësia për të lexuar libra, njerëzit nuk lexojnë më, fatkeqsisht. Papa, madje rekomandon që të ndalohen përpjekjet për të bindur njerëzit që të përqafojnë
fenë tënde. Rekomandon që për arsye të jetës moderne shumë të ngjeshur, që të pushojmë më shumë, dhe të kalojmë më shumë kohë me familjen dhe të punojmë për paqë,sipas mediave të ndryshme amerikane që kanë botuar intervisten me këshillat e Papës për njerzit që duan të jenë më të lumtur në jetë. Disa prej këshillave të tjera përfshijnë mundësinë për të ndihmuar njerzit që kanë nevojë dhe
thotë se lumturia nevojitë përpjekjet e shoqërisë dhe të politikës për punësimin e të rinjve duke u gjetur atyre punë të dinjitetshme. Dhe mbi të gjitha, një ndër këshillat e Papës për të qenë i lumtur në jetë, është e nevojshme dhe rëndësishme që të respektohet besimi i të tjerve.
Ja edhe 10 këshillat e Papës dhënë gazetës argjentinase Viva, të përkëthyera shqip për ata, që sipas tij, dëshirojnë të jenë më të lumtur në këtë jetë:
1. Jeto jetën tënde ashtu si dëshiron vet, por lejo që edhe të tjerët të jetojnë si pas dëshirës së tyre. Të gjithë, tha Papa, duhet të udhëzohen dhe të jetojnë në bazë të këtij parimi.
2. Të jeshë bujar e zemërgjërë me të tjerët. Është e nevojshme, tha Papa, që njerëzit të jenë të sinqertë dhe bujarë ndaj të tjerëve. Në të kundërtën, shtoi ai, njerëzit rrezikojnë të bëhen egocentrik, duke u përqëndruar vetëm në nevojat e veta dhe askujt tjetër.
3. Përpiqu të jeshë i qetësuar në jetë. Reflekto mbi të kaluarën për të parë se si e ke kaluar jetën.
4. Që njeriu të ketë një kuptim më të shëndosh për pushim, për më shumë kohë të lirë. Papa tha se konsumarizmi i tepëruar ka sjellur shqetësime në shoqëri dhe u rekomandon prindërve që të caktojnë
kohë të posaçme për të luajtur me fëmijtë e tyre dhe që të mbyllin televizorin kur ulen rreth tavolinës për të ngrënë.
5. E Djela duhet të jetë ditë pushimi. Puntorët duhet të pushojnë të djelën, pasi sipas tij, e “Diela është për familje”.
6. Të gjënden mënyra të reja inovuese për të krijuar vende pune me dinjitet për të rinjët e të rejat. Duhet të jemi më të interesuar dhe më krijues për tu përballur me nevojat e rinisë, tha Papa për gazetën argjentinase, Viva.
7. Respekt dhe përkujdesje për natyrën. Degradimi i mjedisit, shtoi Papa Françesku, është një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetvetes, tha ai, është nëse, “njerëzimi po bën vetvrasje me përdorimin tiranik të natyrës dhe të burimeve të planetit, pa marrë parasyshë pasojat.”
8. Të mos jeshë negativ ndaj të tjerëve. Nevoja për të folur keq për të tjerët është në të vërtetë shënjë e mos respektit për vetveten, tha Papa. “Heqja dorë nga ndjenjat dhe qëndrimet negative ndaj të tjerëve sa më shpejt që të jetë e mundur, është shumë e shëndetshme për individin dhe njëkohsisht e bën njeriun më të lumtur, tha ai.
9. Mos u përpiq të këthesh dike në fenë tënde ose që të tjerët të pranojnë me doemos pikpamjet tua. Respekto besimin e të tjerëve!
Gjëja më e keqe, tha Papa, janë përpjekjet e tepëruara për të këthyer dike në fenë tënde. (“Don’t Proselytise: respect others’ beliefs”, ishin fjalët e Papës të përkthyera anglisht). Të tjerët tha ai, mund të frymëzohen nga shëmbulli ynë, po të duan. Çdo person, tha ai, dialogon duke filluar nga identiteti i vetvetes dhe se katolikët duhet të dialogojnë edhe me ata që nuk ndjekin besimin e tyre.
10. Puno për paqë. Jetojmë në një periudhë luftërash e konfliktesh dhe si përfundim duhet të ngrejmë zërin lartë në mbështetje të paqës.
Paqa nganjëherë le të nënkuptohet se është e qetë, por ajo në të vërtetë nuk është kurrë e qetë, tha Papa. Paqa është gjithmonë proaktive dhe dinamike, përfundoi Papa, duke u bërë thirrje njerëzve që të luajnë një rol më aktiv dhe më dinamik në zgjidhjen e konflikteve, anë e mbanë botës.
Këto ishin 10-këshillat e Papa Françeskut, dhënë azetës Viva të Argjentinës, për një jetë më të lumtur në këtë botë plot probleme. Por si individë kalimtarë në këtë botë edhe nëqoftse zbatojmë madje edhe vetëm një prej këtyre këshillave – përfshirë edhe ata që ndoshta nuk duan t’i marrin parasyshë seriozisht këto rekomandime pasi vijnë nga Papa – besoj se do të bëhemi njerëz më të mirë, jo vetëm për veten tonë, për familjen dhe shoqërinë ku jetojmë, por edhe për mbarë familjen e racës njerëzore dhe në proces, si përfundim, do të kontribojmë drejtë një jete më të lumtur, më të pasur dhe më të doemethënse për të gjithë.
Fund jave të këndshëm dhe jetë të lumtur, gjithmonë!

Filed Under: ESSE Tagged With: DHJETË KËSHILLAT E PAPËS, Frank shkreli, I LUMTUR, PËR TË QENË

E sotmja është nxënësja e së nesërmes

September 5, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI /
“I lumtur është ai njeri,i cili fiton mendjemprehtësinë e të mësuarit që në rini,por tri herë më i lumtur është ai që ruan zellin e rinisë në moshë të kaluar”(Dagobert Rune)
Mendimi s ´është më pjesë e gjykimit kur bëhet prangë e kuriozitetit”, kjo thënie, është thelbi i mënyrës së mësimdhënies. Mësimdhenia nuk është thjesht një profesion; mësimdhenia është art, në të cilin mësuesi me pasionin e tij për dijen, me integritetin dhe përgatitjen e tij arrin t’i frymezojë studentët e vet, pasi nuk është thjesht aftësia për t’i mësuar njerëzit, por është aftesia për t’i frymëzuar ata që e bën ndryshimin midis një mësuesi të zakonshëm dhe një mësuesi të mirë. Mësuesi në klasë nuk jep vetëm njohurinë mbi subjektin, të cilën studenti e gjen edhe nëpër libra, por jep edhe atë ccfarë ai është si person në vetvete, eksperiencën personale, tërësinë e vlerave dhe cilësinë e karakterit të tij. Mësimdhënia e mirë ka për kusht domosdoshmërinë për të pasur një komunikim të hapur e të lirshëm midis pedagogut e studentit, një marrëdhënie të bazuar në respekt të vërtetë e të ndërsjelltë, duke krijuar një ambjent në të cilin studenti nuk do të ketë ndroje të shprehë mendime, të bëjë pyetje, të sqarojë paqartësira, si dhe të ofroje nga ana e tij sa herë që të mundet plotësime e risi në dijet në fjalë, duke u ndjerë i mirëpritur, i pranuar dhe i vlerësuar nga profesori. Eshtë ccështje sedre profesionale dhe një interes parësor që studentet të kuptojnë ccfarë u shpjegohet ne leksion dhe te marrin pjese ne aktivitetet qe ndodhin ne seminar. Nuk ka asnjë gjë tepër të vështirë për t’u shpjeguar; asnjë njohuri apo arsyetim nuk është tepër i komplikuar për t’u sqaruar. Nese pegagogu ka kaluar kohë për ta hulumtuar dhe për ta kuptuar konceptin së pari vetë, atëhere asnjëherë nuk është tepër e vështirë t’ua përcjell atë koncept studentëve, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë. Synimi pedagogut është që studenti ta kuptojë leksionin që në klasë, duke e dëgjuar prej tijë, dhe në shtëpi pastaj t’i mbetet vecse thellimi dhe pasurimi i bazave që ka marrë në klasë me detaje të mëtejshme.. Është cështje dinjiteti për një arsimtar të ruajë ndershmërinë, drejtësinë në gjykim dhe vlerësimin në bazë merite. Ruajtja e dinjitetit ka aspektin e vet profesional; besoj që asnjë intelektual, student qoftë apo arsimtar, nuk duhet të përvetesoje në ndonjë lloj mvnyre punën e një tjetri dhe ta paraqesv atë si të vetën, pa i dhënë kredit autorit, apo të përdorë rrugë të tjera të shkurtra që nuk janë të bazuara në studim e hulumtim të vërtetë personal e në punë të ndershme shkencore. Mësimdhenia dhe studimi janë aktivitete idealiste dhe jo materialiste; në këtë këndvështrim, studenti nuk duhet të vijë në universitet thjesht për të marrë një diplomë, por për të marrë arsimim, dhe pedagogu duhet të ketë qëllime të larta në vetvete dhe ta përdorë mësimdhënien jo si mjet shkëmbimi të interesave materiale, por me një mentalitet të ndërgjegjësuar që ndikimi i tij pozitiv apo negativ jehon në brezat dhe influencon drejtpërdrejt mënyrën në të cilën mbruhet shoqëria e një kombi. Mësuesi duhet të jetë një studiues gjatë gjithë jetës së tij; besoj që në momentin në të cilin një mësues pushon se marri informacion, pushon së lexuari material plus që e tejkalon detyrimin e vet të orës së mësimit, ai pushon së dhëni atë substancë të freskët, të padëgjuar më parë, të vërtetë, bashkëkohore, realisht të dobishme e të shijshme për mendjen e një intelektuali, që është dija e vërtetë. “Njerëzit e zgjuar vlersëojnë të gjithë njerëzit, pasi ata shohin të mirën te secili sidomos tek shkollimi dhe e dinë se sa e veshtirë është të bësh dicka të mirë me anë të dijës” ka thënë mbi këtë problem, Baltazar Graciani. Teknologjia dhe ndihma që ajo ofron në mjete për lehtësimin e punës në arsim janë thelbësore për të pasuruar studentin me dije dhe eksperiencë intelektuale. Arsimtari duhet të luajë një rol aktiv në përdorimin e mjeteve teknologjike në mësimdhënien e tij, si dhe në nxitjen e studentëve për punë të pavarur dhe drejtimin e tyre tek burimet e duhura teknologjike në ndihmë të studimit.
Qëllimi në mesimdhënie duhet të jetë i trefishtë: t’u transmetoj studentëve njohuri të sakta, të plota e të mirëinformuara; t’u transmetoj atyre, megjithëse pa fjale, vlerat bazë të moralit e të karakterit dhe pasionin për dijen; t’i frymezoj ata qe t’i cojnë përpara këto vlera në ccfarëdo profesioni të ndodhen në jetën e tyre.
“E sotmja është nxënësja e së nesërmes”(Tomas Fuller)

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Zholi, e së nesërmes, E sotmja është, nxënësja

Medet, s’ke një shtatore Mithat Bej Frasheri!

September 5, 2014 by dgreca

Ne 65 vjetorin e ndarjes nga jeta/
Nga Reshat Kripa/
3 tetor 1949. Në hotelin “Leksington” të New Yorkut, pushonte së rrahuri zemra juaj, i paharruari Mit’hat Bej Frashëri, Aposulli i shqiptarizmës. Në gjashtëdhjetepesë vjetorin e ndarjes tuaj nga jeta, unë kam një brengë. Do të kisha dashur që ky përvjetor të përkujtohej në atdheun tuaj, për të cilin sakrifikuat gjithçka, ashtu siç e meritonte figura juaj e shkëlqyer. Do të kisha dashur që zyrtarët shqiptarë të kishin ngritur një komision të posaçëm për ceremoninë e kësaj përkujtimoreje dhe jo ta ngrinin për shtatëdhjetë vjetorin e robërimit të atdheut. Do të kisha dashur që faqet e medias së shkruar dhe asaj vizive të ishin mbushur me shkrime dhe pamje të aktivitetit tuaj atdhetar, letrar dhe politik, por edhe këto janë të mbushura me hymnizimin e ditës së robërisë apo me intervista me shkaktarët e kësaj katastrofe që kaloi vendi ynë. Do të doja që akademikët dhe historianët të organizonin konferenca shkencore për ju dhe kontributin tuaj, por edhe këta i ka mbuluar heshtja. Mbi të gjitha do të doja që eshtrat tuaja të shenjta të preheshin në truallin ku keni lindur. Tre vjet më parë, me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u premtua se ato do të silleshin në atdhe por, çuditërisht, ky premtim mbeti vetëm në letër. Duket sikur politika shqiptare është e orientuar vetëm majtas. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Në këtyo çaste më dalin parasysh vargjet e pavdekshme të xhaxhait tuaj, Naimit, dhe më duket sikur ato janë shkruar posaçërisht për ju:

Kur më shihni që jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur,
Jam i gjallë e jam në jetë,
Jam në dritë të vërtetë!

Ju nuk keni vdekur i madhi Mit’hat Frashëri, vigan i historisë shqiptare! Megjithëse një pjesë e politikës shqiptare vazhdon t’ju konsiderojë si “armik” apo “reaksionar” dhe një pjesë tjetër preferon t’ju kalojë në heshtje, ju, si një kollos i kësaj toke, jeni ngritur mbi të gjitha figurat e epokës në të cilën jetuat. Kjo vlen edhe për ditët tona. Ju jeni lartësuar si një Promete, ndërsa ata do të zhyten në llumin që kanë përgatitur vetë, sepse ju jeni fitimtari, sepse fituan idealet tuaja të larta dhe sot Shqipëria po mundohet të ndërtojë atë që ju ëndërruat.

Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytkë, pa një qëllim që e bën të eci, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë, Pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdiren dhe shuhen…”

Kështu shkruanit ju vite më parë. Shkruanit pasi kishit luftuar vetë për një ideal. Ne e ndjejmë ende zërin tënd të ngrohtë E kemi ndjerë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe kryetar i tij. E kemi ndjerë në vitet e shpalljes së pavarësisë si Ministër i Punëve Botore ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet., E kemi ndjerë gjatë qeverisjes së princ Vidit si Ministër i Postave dhe Punëve Botore, E kemi ndjerë si Ministër pa portofol në qeverinë e Durrësit të kryesuar nga Turhan Pasha (1919), E kemi ndjerë si përfaqësues i organizatës “Vatra” në Konferencën e Paqes në Paris më 1920 E kemi ndjerë në vitet e Republikës si ambassador i Shqipërisë në Athinë deri në vitin 1926 dhe mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës. Por në një shkallë më të lartë e kemi ndjerë në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin “Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë Balli i këtij kombi. E kemi ndjerë gjithashtu në vitin 1949 kur themeloje në SHBA Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, që do të luftonte për vite të tëra për rivendosjen e demokracisë në vendin tonë.
Por ajo që do të linte gjurmë në jetën tuaj, si në asnjë rast më parë ose më prapa, do të ishte testamenti që ju i linit trashëgiminë tuaj të çmuar atdheut të shtrenjtë. Më 4 mars 1929, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës ju bëtë testamentin sipas të cilit:

“1. Çdo pasuri të tundshme dhe të patundshme, libra. mobilje. karta, plaçka e të tjera, i lë për krijimin e një “Instituti Albanologjik”që të jetë një qendër e studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendërsojë dhe të udhëheqë studimet që i përkasin Shqipërisë dhe shqiptarëve.
2. Dua që nga biblioteka ime private të mos shkëputet asgjë. Të gjitha librat të rrinë bashkë.
3. Gjithë sa më kanë mbetur nga im atë dhe nga ungjërit dhe që sot formojnë muzeun tim
familjar, dëshëroj që të ruhen prapë në formë të një muzeu të vogël bnrenda në institute.”

Më poshtë vijojnë edhe nëntë pika të tjera. Ky është vetmohimi juaj, i nderuar Mit’hat Bej. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ju vazhduat në vazhdën e atit tuaj të nderuar që, vite më parë kishte bërë të njejtën gjë. Dëgjoni si thotë kënga popullore për të:

“Abdyl prishe pasurinë, vajte në Berlin,
Hyre te Bismarku brenda për një bisedim.”

Çfarë i kërkoi ati yt Bismarkut? Këtë na e thotë kënga:

“ S’jemi grekër, as bullgarë. as nga Mali Zi,
Jemi vetëm shqipëtarë dhe duam liri.”

Lirinë e atrdheut kërkonte ati juaj që shkriu pasurinë e tij personale për të. Zhvillimin e këtij atdheu kërkonit ju me testamentin tuaj, duke dhuruar gjithë pasurinë tuaj.
Por a u plotësua amaneti juaj? Rreth 40.000 vepra të bibliotekës “Lumo Skëndo” sot ndodhen në bibliotekën kombëtare. A nuk do të ishte në nderin e saj që, për hir të vetëm kësaj, kjo të quhej “Biblioteka Lumo Skëndo”? Megjithatë një gjë e tillë nuk është realizuar. Ruhen veprat e dhuruara prej tij per emri i dhuruesit është lënë në harresë. A do të vijë vallë dita që kjo padrejtësi të zgjidhet/ Unë nuk e di.
Ja edhe një amanet tjetër juaji i parealizuar:

“Do të doja që varri im të jetë në një cep të kopshtit , në të majtë duke hyrë nga porta e rrugës. Mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do të jem ruajtësi i institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjallërimin e tij.”

Kush do ta realizojë amanetin e këtij dishepulli? Natyrisht që, në një shtet normal, kjo do të ishte detyra e shtetit shqiptar për të cilin ai sakrifikoi gjithçka, deri në fund të jetës së tij. Por, siç e kam theksuar edhe më lart, një pjesë e shtetit shqiptar e ka shpallur armik, ndërsa pjesa tjetër kërkon ta kalojë në harresë. A duhen lënë të prehen në dhe të huaj eshtrat tuaja? Megjithse ai shtet ju mirëpriti dhe ju dha një vend të merituar për t’u prehur, eshtrat tuaja ende nuk e kanë gjetur prehjen. Ato duan të pushojnë në atdheun mëmë.
Sot në Shqipëri ekzistojnë dy parti politike që e quajnë veten pasardhëse të organizatës nacionaliste të krijuar nga ju. Çfarë bëjnë ato për sjelljen e eshtrave tuaja në atdhe? Partia “Lëvizja e Legalitetit”, një parti tjetër nacionaliste, ia arriti të sillte në Shqipëri eshtrat e liderit ta saj, naltmadhnisë Zogu i Parë, madje të ngrinte edhe një shtatore të tij në kryeqytet dhe bëri shumë mire. Nderoi Mbretin por nderoi edhe veten e saj. Po ju, si ka mundësi që nuk keni mundur të realizoni këtë detyrë të shenjtë? Të njejtën pyetje do të doja t’i bëja edhe shoqatës që mban emrin “Lumo Skëndo”. Po mundët përgjigjuni.
Mos vallë ju pengojnë mjetet finaciare? Ky do të ishte arsyetimi më i papranueshëm. Bëjuni thirrje biznesmenëve të djathtë, bëjini thirrje diasporës shqiptare, bëjuni thirrje qytetarëve të djathhtë dhe do të shihni se si do t’iu përgjigjen. Para dy vjetësh, një miku im, ish i burgosur politikë, ngriti problemin e rikthimit të eshtrave të udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar në atdhe. Ai premtoi se shpenzimet mund t’i garantonte vetë. Nuk u realizua pasi, për fat të keq, shpresonim se një gjë të tillë do ta realizonte shteti.
Do të doja të ishit në çdo qytet të Shqipërisë. Do të doja t’ju shikoja nëpër libra dhe
gazeta, nëpër radio dhe televizione Do të doja që emrin tuaj ta mbanin institucionet më të rëndësishme të vendit. Do të doja ta shikoja emrin tënd në shkollat, në bulevardet dhe sheshet e qyteteve. Do të doja ta shikoja përmendoren tuaj në sheshin kryesor të kryeqytetit. Por këto janë vetëm dëshira të miat. A do të realizohen vallë?
Sillini eshtrat e Prometeut të Shqipërisë në atdhe! Vendosini ato në kopshtin e Institutit të Albanologjisë, ashtu siç e ka lënë amanet, ose pranë eshtrave të atit dhe xhaxhait të tij, në kodrat e liqenit artificial. Në rast se Bashkia e kryeqytetit do t’iu pengojë, gjë që unë nuk e besoj, atëherë vendisini brenda varrit ku prehen eshtrat e të atit. Le të prehen së bashku eshtrat e dy burrave të shquar të kombit shqiptar.
Para syve më dalin tre vargje nga soneti i shkëlqyer që miku im dhe adhuruesi juaj, Uran Kostreci jua ka kushtuar juve, i nderuari Mit’hat:
I Ajkës Kombit, prijs, o Lumo, o burrë,
Që nga të kuqtë u shave, t’hodhën gurë,
Ti, ngel profet, medet, s’ke një shtatore!

Filed Under: ESSE Tagged With: Medet, Mithat Bej Frasheri!, reshat kripa, s’ke një shtatore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 552
  • 553
  • 554
  • 555
  • 556
  • …
  • 613
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT