• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Frymëmarrja e lirisë në poezinë shqipe kushtuar UÇK-së

June 11, 2024 by s p

Prof. dr. Emin Kabashi

Këshilltar shkencor

Instituti Albanologjik i Prishtinës/

(Tre poet, tre breza, tri poezi për Luftën çlirimtare të UÇK-së)

Parashtresa e parë

Nuk ka popull në botë që ka bërë luftë çlirimtare, që nuk i ka kënduar lirisë. Po ashtu, kënga, pra poezia për lirinë ka përcjellë ndër breza atë frymëmarrjen e lirisë që e ka karakterizuar luftën çlirimtare. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër veprimet me përmasë kombëtare në historinë popullit tonë, doemos ka gjetur përjetësimin e saj në poezinë shqipe, qoftë përmes tërësisë së ngjarjeve, qoftë përmes individëve si bartës të idealeve të lirisë, qoftë përmes shëmbëllimit të sakrificës për lirinë tonë. Poeti Pano Taçi, ndër krijuesit e rrallë e shumë të veçantë të shkollës së madhe lasgushiane të poezisë shqipe, përveç tharmit të tij të përjetshëm krijues, siç është poezia e tij e dashurisë, ka gjetur frymëzim edhe për luftën e UÇK-së. Pano Taçi nuk ka qenë luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pano Taçi nuk e ka pasur as moshën për të qenë luftëtar i saj. Pano Taçi, e ka përjetësuar UÇK-në mbi bazë të përjetësimit të traditës sonë kombëtare. Poet i shkollës së Lasgushit, nuk është lodhur të bredhë pas fjalëve të mëdha, pas shprehjeve ekspresive. Ai ka qëmtuar edukatën kombëtare të madhështisë shekullore të epokës së madhe të Skënderbeut, të luftës për liri. Andaj, jo rastësisht, vargu i tij, ‘‘Të vdes i bukur’’, bëhet lajtmotiv i përjetësisë së luftëtarit të lirisë, si individ, bëhet shkollë e madhe e përjetësimit të lirisë si kërkesë historike e asaj pjese të popullit që lufton për liri, bëhet kërkesë e shkollës së historisë kombëtare, për ta përjetësuar luftën për liri. Poezia e tij, ‘‘UÇK’’, i ka tri strofa me tri vargje, kurse vargu i katër vjen si kadencë muzikore, për të përmbyllur rrugën e gjatë shekullore të shqiptarëve që kanë luftuar për liri, andaj vdesin bukur: ‘‘jam zgjuar nga përgjumja, e dal në çetë,/ të vdes i bukur’’. E vetmja vdekje që përmbys kohët, shekujt, epokat është ajo e luftës për liri. Prandaj, në vargun përmbyllës të strofës së parë e ka shprehjen përgjumja, që shënjon gjendjen në të cilën ishim, para se të mësojmë të vdesim të bukur. Bota që merrej me hallet tona, e ka bindur poetin, se na do ‘‘fjalëzbehtë’’. Mirëpo, poeti që ka përvojën shekullore kombëtare të luftës për liri, bën këtë veprim: ‘‘flak gurin e Sizifit e dal në çetë/ të vdes i bukur’’. Një ves, thuajse me peshë historike, që na e mëson edhe historia, është prirja për drejtësinë që të na japin të tjerët. Mirëpo, poeti, Pano Taçi, e përmbyll poezinë ‘‘UÇK’’, me këtë varg lapidar, për ta bindur veten dhe botën se lirisë i ka hije: ‘‘Bëj ligjin e Zotit dhe dal në çetë,/ të vdes i bukur’’.

Parashtresa e dytë

Veprimtarja e çështjes kombëtare, edhe si frymë, edhe si edukatë familjare, por edhe si shkollë krijuese, poetesha dhe romansierja Flora Brovina, ka një poezi, me një titull shumë specifik Komandant, kurse nëntitulli, që është sqarues, e përkufizon hapësirën dhe vendin ku rrimë gatitu, që është bërthama e ndjeshmërisë në këtë poezi të autores. Pra, nëntitulli është (‘‘Para varrit të Adem Jasharit’’). Në këtë poezi, shumë të veçantë për nga struktura e ndërtimit, sepse poezia sa duket si një bashkëbisedim, në të njëjtën kohë komunikon me lashtësinë, mund të thuhet natyrshëm, duke shkrirë brenda dy vargjeve, edhe përmasën e tragjedisë, por edhe praninë e legjendës: ‘‘Në Marsin e ngrirë të Kosovës./Kur u ngrinë krushqit’’. Poezia do ta humbte ndjeshmërinë, qoftë edhe të mënyrës së bashkëbisedimit, sikur të mos ishte vargu: ‘‘Në legjenda, të kujtohet?’’. Do të thotë, poetesha ia kujton Komandantit, se marsi i Kosovës ishte i ngrirë, krushqit ishin të ngrirë, por Komandant, a të kujtohet se çka thuhej në legjenda? Kjo pyetje retorike e ka shpëtuar poezinë, nga vargu i zakonshëm me të cilët shumë shpesh ndërtohen poezi me temë luftën. Por, Flora Brovina, krijuese që e di peshën e secilës fjalë në varg, ashtu si i ndërton ajo poezitë e saj, thuajse në të gjitha vëllimet që ka botuar deri tashti, edhe pse në këtë poezi asnjë herë nuk e përmend fjalë UÇK, apo ushtri çlirimtare, apo luftë çlirimtare, fryma që e përshkon strukturën e poezisë, e jep këtë ndjeshmëri. Ndryshe, pse është ai Komandant. Më tutje, mund të thuhet se ky Komandant i poezisë së Flora Bovinës, së bashku me të gjithë ata që ju printe, me ushtarët e lirisë, kishte gjetur forcë për ta mundur peshën e robërisë, barrën e madhe të luftës, por edhe gatishmërinë që të flijohej, në emër të së ardhmes. Poetesha kishte munguar, andaj i kërkon falje. Por, mungesa e saj ishte në një kohë, në një çast, që të dyja thuajse sa një përjetësi, sepse ai kishte me vete diçka nga legjenda, këngën pra: ‘‘Më fal, Komandant, /Të lash vetëm kur këndoje/ Këngë kushtrimi/ Ta mundësh plojën e madhe’’.  Çdo gjë ishte e rëndë, edhe qëndresa, edhe lufta, edhe rëniet, mirëpo kënga e tij, andaj edhe kënga e bashkëluftëtarëve të tij, edhe të atyre që kanë munguar, siç e thotë Flora Brovina, janë bërë pjesë e historisë, edhe për faktin se ai ishte Komandant i një lufte çlirimtare, para të cilit kërkonte falje poetesha, i cili po hiqte robërinë nga më shumë se gjysma e trojeve shqiptare. Qoftë edhe vetëm ky rrafsh i ndërtimit të strukturës së poezisë, i ka dhënë dorë krijuese që të bashkëbisedojë natyrshëm dhe lirshëm me këtë Komandant. Po ashtu, nuk mund as të kuptohen, as të përjetohen ndryshe vargjet që janë ndërtuar përmes pyetje retorike: ‘‘Ti më thua, Gatitu!/ Trupin drejt, më thua!’’. Do të thotë, ai është komandant që jep urdhra, që prin, por para se të fillojë marshimi, ai ia lëshon një sy secilit ushtar, kurse vetë është në ballë, pra prijës. Ndryshe, nuk do të ishte Komandant, as i kësaj poezie të Flora Brovinës. Prandaj, vjen krejt logjikshëm dhe natyrshëm vargu: ‘‘Vetëm i madhi nuk hidhërohet,/ Komandant’’. Ky varg e ka shpëtuar kërkim faljen në këtë poezi të Flora Brovinës, nga patetika që e vret aktin krijues. Prandaj, mund të thuhet se vargjet që përmbyllin këtë poezi të Flora Brovinës, janë edhe e sotmja, edhe përjetësimi i lirisë, e cila nuk vjen pa luftën çlirimtare të UÇK-së, ndryshe, vargu: ‘‘Me lule gjaku’’/ Komandant!’’, që e mbyll poezinë, nuk do të kishte asnjë shtresim kuptimor, për Kosovën, për luftën, për lirinë, që u shtruan në këtë parashtresë.

Parashtresa e tretë

Tahir Desku, poeti luftëtar i lirisë, ka botuar disa vëllime me poezi, por ajo që i kushtohet Luftë së Ushtrisë Çlirimtare, që u kushtohet Dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për liri, që ishin pjesë e luftimeve të përgjakshme, është titulluar nga poeti, ‘‘Engjëjt e lirisë’’ , botuar në vitin 2000. Këta engjëj të lirisë, poeti i ka pagëzuar me emër e mbiemër në poezitë e tij. Poezia ‘‘Xhevat Demaku’’ i kushtohet Dëshmorit të Kombit, Xhevat Demaku. Për çudi, askund nuk zihet në goja lufta, as ushtria, as fronti, as krisma e pushkës dhe sërish poezia i është kushtuar luftëtarit të lirisë, që ia falë gjakun kësaj toke, për të qenë e lirë. Poeti Tahir Desku, mund të thuhet pa dilemë, se është i veçantë në ndërtimin e poezisë së tij, jo vetëm të këtij vëllimi, por thuajse i të gjitha vëllimeve të tij poetike. Nuk lodhet për të gjetur figurat stilistike, as krahasime të mëdha, as epitete të kërkuara dhunshëm, as metafora që e hutojnë lexuesin. Jo, ai vargun poetik e ndërton natyrshëm, duke qëmtuar bërthamën e gjëllimit të heroit të tij lirik. Xhevat Demaku i tij, e hap bashkëbisedimin me lexuesin me vargjet, thuajse krejt popullore: ‘‘ Ç’na u mbush toka plot me vorre /A durohet shkau n’oborre?!’’ Mjafton vetëm kjo dilemë shekullore në jetën e shqiptarëve, që një djalë i ri, siç thuhej, pa i vënë brisk fytyrës, të bëhet pjesë e luftë për liri, Jo vetëm të bëhej, por edhe të përjetësohej për lirinë. Nuk ka shëmbëllim me të plotë, se kjo mënyrë e rënies në altarin e lirisë së atdheut, ngase ai djalë i ri, e di si të vdes bukur, si e shtruam në parashtresën e parë të këtij shkrimi: ‘‘Një mortajë e mban në dorë / në tjetrën një yll’’. Vështirë e mund të ndërtohet më realizueshëm në strukturën e vargut, portreti i një luftëtari të lirisë. Por, çka ka ndodhur me njeriun tonë, a mos ndoshta ka harruar të kaluarën historike, apo për një çast e ka përgjumur vetëkënaqësia e jetës së zakonshme. Atëherë Dëshmori i kombit, e bën atë që zakonisht e bëjnë të gjithë luftëtarët e lirisë, të cilët kaherë janë pajtuar me jetën, e cila nuk ka kuptim nëse jetohet në robëri: ‘‘Kur shfaqet harresa / Ai zgjohet e bën roje / Maleve të Arbërisë’’. Për çudi, duke bërë roje, ndoshta si një lajtmotiv, që e përshkon, jo vetëm këtë poezi kushtuar Dëshmorëve të Kombit, ai kujtohet se në atë moshë nuk ka kuptim për të vdekur. Andaj, e thotë natyrshëm, thuajse bashkëbisedon me shokët e luftës, thuajse i tregon dikujt që e do shumë, dhe: ‘‘E thotë-jam tepër i ri/ për të vdekur’’. Poeti nuk ka nevojë as të shpjegojë, as ta thotë se cila ishte lufta e tij, heroizmi i tij, përpjekja e tij për lirinë e kësaj pjese të atdheut. Heroi i tij lirik, krejt natyrshëm, duke ecur nëpër tokën që nuk e duronte robërinë, përkulet pak dhe mbjell një lule. Një gjetje e mrekullueshme poetike, kur rënia për liri e një luftëtari shëmbëllen me lulen që mbjell njeriu në atdheun e tij. Pra, vetëm në atdheun e lirë, ka kuptim të mbillen lule, sepse nuk i shkel më këmba e pushtuesit. Kjo gjetje e poetit Tahir Desku, andaj e bën poezinë e tij të veçantë, qoftë si strukturë e ndërtimit të vargut kushtuar Dëshmorëve të Kombit, qoftë kur trajton motive të tjera, që në poezinë  tij janë aq të larmishëm. Nuk është gjetje gand dhe e rastit kjo në këtë poezi të poetit, ngase heroi i tij lirik, Dëshmori i Kombit, Xhevat Demaku, bën edhe këtë veprim dhe nuk harron se është shumë i ri për të vdekur: ‘‘Ndalet sërish e mbjell një lule / Midis atdheut / Bën roje-është tepër i ri për të vdekur’’. Ky është lapidari shpirtëror që poeti Tahir Desku ju ka ndërtuar të gjithë Dëshmorëve të Kombit, që i ka përjetësuar në poezinë e tij me temë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse në këtë rast Dëshmorit të Kombit, Xhevat Demaku.

Prishtinë, qershor, 2024 

Referencat

Pano Taçi, Prit e prit, poezi, Tiranë, 2007

Flora Brovina, Përflakje e stuhi, poezi, Prishtinë, 2021

Tahir Desku, Engjëjt e lirisë, Poezi, Prishtinë, 2000

(Kumtesa është lexuar në Tribunën shkencor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Festivalin Drini poetik, që mbahet për nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit).

Filed Under: ESSE

“I HUAJI – METAFORË E TJETËRSIMIT NJERËZOR

June 8, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

Ishte një i ri pa vlera kolektive, mezi një individ. “I huaji” është vepra më e njohur e Alber Kamysë (Albert Camus, 1913-1960). Ajo i ka sjellë famë botërore. Kjo vepër shënoi një epokë të re në letërsi. Pasqyroi një vështrim nihilist dhe negativ mbi botën, vështrim pa rrugëdalje, të paraqitur në mënyrë të përkryer me figurën e personazhit kryesor të veprës – Mersosë. Është vepër e absurdit.

Protagonist i romanit është nëpunësi Merso. Veprimi i veprës zhvillohet në Algjer. Romani fillon në një mënyrë të pazakontë. Personazhit kryesor i vjen një telegram ku thuhet se në azilin e pleqve i ka vdekur nëna. Mersoja nuk është i sigurt në ka ndodhur kjo dje, pardje apo mbase sot. Ai konsideron se kjo është diçka normale ngase me vdekjen ballafaqohet çdo njeri. Rrjedhimisht, këtij akti nuk i kushtoi ndonjë vëmendje të veçantë. Por ka shumë të tillë që thonë se djali nuk u shqetësua gjithaq nga vdekja e gruas që e kishte sjellë në jetë.

Ndonëse lajmi për vdekjen e së ëmës përbën hyrjen e këtij romani të çuditshëm, lexuesi nuk merr kurrfarë informate për raportin e nënës dhe të birit. Shtrohet pyetja: A kanë kontaktuar këta dy ndonjëherë ndër vete. Në një moment, gjatë përgatitjeve të varrimit, Mersoja nuk e di saktë se sa vjeçe ka qenë e shkreta nënë. Krijohet përshtypja sikur Mersosë gjërat e tjera, më shumë se vdekja e së ëmës. Madje në rrugën për në varreza kënaqet bukuritë e natyrës. Sillet sikur çdo gjë është normale, sikur s’ka humbur asgjë të rëndësishme.

Këto ngjarje dhe ndjenja, për të mos thënë “mungesë ndjenjash” shumë shpejt për lexuesin do të jenë më se të qarta, ngase rrjedha e ngjarjeve flet për një hiç-gjë të përgjithshme të protagonistit. Prandaj nuk është për t’u habitur sesi edhe në këtë moment tragjik Mersoja sillet sikur s’ka ndodhur diçka. Marrë në përgjithësi, shenja e indiferencës shtrihet përgjatë tërë veprës dhe kjo mund të vërehet në gjërat më bizare, siç janë pyetjet e fqinjit Rajmon për t’u shoqëruar apo të shefit të firmës ku punon Mersoja për t’u bërë përfaqësues i kompanisë së tyre në Paris. Të dyja pyetjeve si dhe shumë pyetjeve të tjera që pasojnë, Mersoja u përgjigjet: “krejt një për mua”. Kjo frazë rezulton nga këndvështrimi i jetës si një absurd. Me fjalë të tjera, jeta për Mersonë është një absurd, në të cilën kurrë dhe asgjë nuk do të ndryshojë, as që mund të ndryshojë.

Po të ishte përpjekur për ta marrë jetën e vet në duart e veta, ndoshta Mersoja nuk do t’i kishte gjithë ato koncepte nihiliste. Por kjo nuk ndodh. Mersoja vazhdon të jetojë me jetën e tij monotone ku secila ditë është e njëjtë, e njëjta punë, e njëjta banesë …

Për ta kuptuar kuptimin e kësaj kryevepre të Kamysë, në radhë të parë duhet kuptuar filozofinë e absurditetit të narratorit, përkatësisht të personazhit të cilin e përcjell i tërë veprimi i veprës. Duhet njohur më mirë jetën psikike të Mersosë, por edhe mënyrën se si e sheh ai mjedisin që e rrethon dhe shoqërinë në të cilën jeton. Kur të zhytemi më thellë në mozaikun kompleks të Mersosë, e kuptojmë se ai ndjehet i huaj në botën të cilën nuk e njeh dhe të cilën kurrë s’ka për ta njohur. Monotoninë e thyen ftesa e Rajmonit i cili e fton Mersonë dhe Marinë për vajtur të dielën me të në shtëpizën e Masonit. Ndonëse pa dëshirë, Mersoja e pranon ftesën, por qysh në mëngjes nuk ndjehet disi mirë. Gjatë gjithë rrugës e përcjell një ndjenjë e çuditshme e zbrazësisë.

Shthurja e veprimit fillon pikërisht në atë plazh, atë të diele, kur në rrugë e sipër, në afërsi të shtëpizës takojnë dy arapë. Për shkaqe fare nebuloze dhe të kota, Rajmoni deshi të krisë me revole ndaj arapëve të cilët më vonë përsëri i takuan derisa rreziteshin në plazh, por Mersoja e parandalon shokun e vet të bëjë një marrëzi të tillë. Ia del ta bindë atë për t’ia lënë revolen. I mbetur vetë, Mersonë sikur e tërhoqi diçka që përsëri t’u afrohet arapëve. Në vepër nuk duket qartë përse ndodh kjo. Mos ndoshta për shkak të vapës dhe nxehtësisë së madhe që mund ta kenë shkaktuar reagimin nervoz të Mersosë?! Mos ndoshta për ndjenjat e ndrydhura nga vdekja e së ëmës apo për shkak të mungesës së dëshirës për jetë në një udhëkryq të pashpresë?!

Por ngjarjet që pasojnë gjithsesi meritojnë analizë të mëtejme. Arapi ia nxori thikën Mersosë, kurse ky e qëlloi atë me plumb. Pas kësaj, krisi mbi arapin edhe katër herë të tjera. Lexuesit i mbetet të gjykojë vetë se ç’ishte ajo që e shkaktoi këtë sjellje të papritur të Mersosë. Duket sikur ky veprim, pa vetëdije paraqet revoltë ndaj monotonisë dhe dëshirën e mundshme të Mersosë që t’i ndodhë diçka e çuditshme, në një jetë plot ankth dhe të zbrazët që e përcjell që nga shkolla e mesme.

Tërësia tjetër e romanit është e ndarë në tri pjesë dhe përfshin burgosjen e Mersosë, gjykimin dhe më vonë edhe aktgjykimin. Dukej se ky rast nuk paraqiste ndonjë rëndësi të veçantë për autoritetet e qytetit. Dukej sikur edhe për vetë të akuzuarin kjo ngjarje nuk paraqet diçka të rëndësishme.

Mersoja nuk mbrohej, nuk ndjente kurrfarë nevoje për t’u arsyetuar para gjykatës, as që ndjente ndonjë farë faji.

Ndjenja e tij e të qenit rob i vetë jetës, akoma më shumë e ndërlikoi rrjedhën e gjykimit, fillimi i të cilit nuk kishte asnjëfarë lidhjeje me vrasjen. Çdokujt në gjykatë më së tepërmi i interesonte përse Mersoja nuk ndjente kurrfarë dhimbjeje për të ëmën dhe përse ndjehej krejtësisht i tepërt. Nuk kishte dëshirë të mbrohej, ndaj lejoi ta prezantonin si njeri pa zemër dhe shpirt, me të cilin sundonte zbrazësia.

Gjatë procesit Mersoja ishte përpjekur t’i sqaronte rrethanat e vrasjes së arapit në plazh. Por në sallën ku zhvillohej procesi gjyqësor dhe të mbushur plot e përplot, sqarimi i rrethanave të ngjarjes nga Mersoja hasën në vesh të shurdhët. Të pranishmit në sallë brohoritnin: “Ky që s’paska qarë në varrimin e së ëmës, nuk është veçse një i pashpirt, vrasës i lindur. Si i tillë, nuk meriton asgjë më pak se litarin në fyt”.

Pyetjes së gjyqtarit: “Përse e vrave arapin dhe pas plumbit të parë shkrepe mbi të edhe katër të tjerë”, Merso u përgjigj: “Për shkak të diellit”.

Për ta shpëtuar kokën, për t’i ikur dënimit me vdekje, avokati e sugjeroi klientin e tij në qeli që të deklaronte në gjykatë se pendohej për vrasjen e kryer. I akuzuari e refuzoi sugjerimin dhe i tha mbrojtësit të vet: “Nuk është e moralshme të thuash se pendohesh, vetëm e vetëm për t’i ikur dënimit me vdekje”.

Me aktgjykimin e shqiptuar, Mersoja u dënua me vdekje. Për prokurorin dhe gjyqtarin, rrethanë rënduese ishte fakti se ai s’kishte qarë në varrimin e së ëmës. Pas varrimit, në mbrëmje, kishte vajtur me Marinë për të parë një komedi. Pas kësaj kishin kryer edhe marrëdhënie intime. Me t’i dëgjuar këto fakte dhe argumente, krejt salla u ngrit në këmbë dhe brohoriti njëzëri: “Nëna i ka vdekur, e ky horr shkon në teatër, madje për të parë, jo një dramë apo tragjedi, por komedi. Në mesditë e ka varrosur të ëmën , ndërsa po atë natë ky i pashpirt ka kryer marrëdhënie intime. Vdekje vrasësit”!

Me të dëgjuar shqiptimin e dënimit me vdekje, Mersoja nuk tregoi shenja shqetësimi. Nuk deshi të paraqiste ankesë kundër aktgjykimit. As lutje për zëvendësimin e dënimit me vdekje.

Dita e ekzekutimit po afrohej. Mersoja nuk manifestonte kurrfarë shenjsh frike. Tani absurditeti i jetës dhe i vdekjes iu bënë fare të qarta.

Në qeli e vizitoi prifti me kryqin në gjoks. I kërkoi djaloshit të dënuar me vdekje që t’i lutet Zotit t’ia falë mëkatet. I dënuari ia ktheu: ”Askush, pra as Zoti, s’më kanë thënë se jam mëkatarë. Më ka thënë gjykata se jam fajtor. Prift, nuk i lutem Zotit të m’i falë mëkatet, unë jam ateist”. Prifti u turbullua: “O Zot, ç’njeri qenkësh ky”?!

Para se të ekzekutohej, Mersonë e vizitoi edhe Maria. Atë e sugjeroi që sapo të dilte nga qelia e errët, t’ia dhuronte buzët e njoma një të dashuri tjetër.

Dëshira e të dënuarit me vdekje ishte që këto skena të pakuptimta të marrin fund sa më parë. Ditën e ekzekutimit tim le të ketë sa më shumë njerëz. Le të më shajnë, le të më urrejnë sa më shumë që të jetë e mundur dhe le të më qëllojnë me gurë. Mbase tani e tutje nuk ka për të qenë vetë dhe i parëndësishëm. Më në fund, do të pushojë të jetë i huaj, si në mendjen e vet, ashtu edhe në gjykimet e të tjerëve.

* * *

Gjatë gjithë jetës Mersonë e ka përcjellë ndjenja e indiferencës. Kjo dramë e absurdit është studiuar dhe është interpretuar në hollësi prej kritikëve letrarë më eminentë dhe prej filozofëve më të shquar të Perëndimit.

Studiuesit thonë se për Mersonë ekziston vetëm e tashmja dhe asgjë tjetër përtej saj. Me asnjë veprim të tij, i riu 22-vjeçar nuk i plotëson normat e mjedisit, ndaj privohet nga liria dhe dënohet me vdekje pa fije racionaliteti. Për aparatin ndëshkues, rasti Merso është i pashpresë. Mungesa e vullnetit për jetë e bën atë person të determinuar të jetë humbës, të jetë askush dhe asgjë, një hiç.

Njeri absurd në një botë absurde, këtu qëndron thelbi i këtij romani. Ai pajtohet me fatin. Nuk jep shenja se i vjen keq për mënyrën e jetesës. Nuk ka për çka lufton në një botë të vrazhdët dhe plot djallëzi. Ikjen nga një realitet i egër, qoftë edhe në mënyrën më makabre, nuk e merr për humbje. Megjithëkëtë, ai mbetet në konflikt të përhershëm me botën përreth.

* * *

Tjetërsimi i njeriut dhe revolta ndaj tjetërsimit është nyja kryesore nga e cila udhëhiqet Alber Kamy. Pakënaqësia me vetveten dhe me botën përreth është burimi kryesor i kësaj drame të absurdit. Por Kamy e hedh poshtë edhe dëshpërimin të shkaktuar nga rrethanat e pakuptimta. Individi nuk duhet të lejojë që të përshkohet nga ndjenja e humbjes. Realiteti është simbiozë e situatave, sa të zeza, po aq edhe të bardha. Individi patjetër t’i bëjë ballë ligësisë. Kështu është vepruar gjatë gjithë historisë.

Vetëdija për vetveten dhe revolta ndaj një bote të rrejshme është çmimi që e pagoi heroi kryesor i këtij romani.

* * *

Vrasje fëmijësh dhe nënash, fëmijë pa kokë, nëna pa gjymtyrë, skena si te “Gernika” e Pablo Pikasos, sulm ndaj spitaleve, vrasje e personelit mjekësor, rrëmbime dhe arrestime, tortura, të plagosur të mbetur nën gërmadha, vdekje nga uria, krekosje për numrin e madh të të vrarëve të palës kundërshtare, shkatërrim infrastrukture, djegie fshatrash dhe qytetesh, ndarje familjesh, shpërngulje masive, rritje investimesh për armatim, kanosje me armë bërthamore dhe çmenduri të tjera të pafund. Hekur dhe zjarr në të katër anët, propagandë, gënjeshtra dhe mashtrime, shpëlarje truri, koka pa sy, trupa pa duar. E shëmtuara, e liga, e keqja është bërë normalja e njerëzimit. Valles makabre i prin djallëzorja. Bota qyqare hesht. Djajtë sundojnë, ata e kanë fjalën. Kohë e turpshme kundër qenies njerëzore. Ajo që është ndërtuar me dekada, rrënohet brenda pak kohësh. Para kamerave dalin alamet burra shteti, secili më i ligë se tjetri, më i djallëzuar se tjetri. Ja absurdi!

Photo: theaustralian.com

Filed Under: ESSE

ME NDËRTUE EDUKATËN EVROPIANE

June 6, 2024 by s p

Nga BERNARD SPITZ – “Corriere della Sera”, 2 qershor 2024 – Përktheu Eugjen Merlika/

Pyetja e vetme për Evropën mbas votimeve është ajo e përgjigjes sonë kolektive një çasti në të cilin barazpesha e botës është përmbysur.

Romani i parë i Romain Gary-t, Edukata evropiane, ishte mjedisuar në qëndresën polake kundër mësyesve nazistë. Pothuaj një shekull mbrapa, Evropa e Lindjes na kujton se nuk jemi më të sigurtë në asgjë, madje edhe nga rreziku bërthamor.

Kërcënimit rus i shtohen belegët e Jugut global, e demokracive, e Islamit radikal, e të gjithë atyre që janë bashkuar nga armiqësia për Petrëndimin. Që të jenë për ambicje tregtare (Rruga e Mëndafshit kinez), për shtrishmëri (lufta në Ukrainë), për revanshizëm kundër-kolonial (milicitë Wagner n’Afrikë), apo për fanatizëm totalitar (terrorizmi islamik), këtyre u shtohet rreziku i një thyerjeje atllantike me Donald Trumpin. Sepse edhe në qoftë se Shtetet e Bashkuar do të qëndrojnë në NATO, kjo do të ndodhte me çmimin e lëshimeve të ashpra të detyruar për evropianët: në një shtim fondesh për përpjekje ushtarake, gjë që është e kuptueshme; por edhe në blerjet e detyruara të centraleve bërthamorë, të bonove të thesarit etj.

Në furinë e harxhimeve në kohë të shkurtëra, do të gjindemi si gjinkalla, të paaftë për të financuar atë që është në themelin e sovranitetit të vërtetë: mbrojtja, industria, energjia, teknologjia, etj. Për të shpëtuar t’ardhmen e të rinjve tanë, ky mandat i ri duhet të jetë një mandat i vendimeve të mëdha. Evropa gjindet përballë dy zgjedhjeve; mbrojtëse e sulmuese. Vështrimi mbrojtës është ai i tërheqjes kombëtare. Kjo nuk do të thotë shkërmoqjen e Bashkimit, që mbetet një treg me rregullat e tij të përbashkëta. Por do të thotë një Bashkim ku secili antar merr vendime simbas interesave të tij. Kjo i përshtatet programeve populiste që e shesin tortën, madje edhe e hanë, pra që thonë se mund të ruajmë dobitë e Bashkimit pa disiplinat që rrjedhin, duke fshehur faktin se fundi i lidhjeve do të thotë edhe fund i ndihmave e mbrojtjeve ekzistuese.

Ndërsa vështrimi sulmues i bën thirrje projektit politik evropian. Për t’a zhvilluar, duke mbajtur parasysh mosfunksionimin e dukshëm, si pa-aftësinë tonë për të prodhuar mjaftueshëm municione për Ukrainën ose grumbullimin e normave që lindin pakënaqësi të përgjithëshme. Por është një projekt që duhet edhe t’a meritojmë, duke i kushtuar mundin e nevojshëm, sepse vetëm ai mund të n’a japë mundësi të përballojmë sfidat e botës.

Edukata evropiane është diçka shumë e ndryshme nga grumbullimi i politikave kombëtare: është bashkëndarje e evropianëve të një vështrimi të përbashkët përballë belegëve të stërmëdhenj, të cilët Evropa mund t’i përballojë vetëm e bashkuar. Cilat janë përparësitë? Si duhet të financohen? Cilat janë reformat institucionale për t’u kryer? Shumë pyetje të shmangura gjatë një fushate zgjedhore të tejngopur në pjesën më të madhe të Vendeve nga shqyrtime të politikës së brendëshme.

Do të jenë të turbullta kohët që na presin. Do të kemi nevojë për një komision të fuqishëm e një Parlament të bashkuar rreth një shmice. Për të arritur këtë synim do të kemi nevojë për shumë më tepër se sa gjysma e deputetëve plus një. Përndryshe, edhe çështja më e pakët e ndjeshme në një Vend mund të paralizojë gjithshka. E vështirë, mbas një zhvendosjeje djathtas e një copëtimi më të madh. Nëse duhet që të dalë një vijë e qartë, në vend të një rrëmuje të shumicave që ndryshojnë simbas çështjeve, nën trysninë e së djathtës skajore, do të jetë i nevojshëm një koalicion i gjërë. Kjo do të thotë pashmangshërisht kompromis ndërmjet pjesëmarrësve të tij. Duke përjashtuar skajorët që janë mbështetës të kaosit; e duke u përgatitur të vihen së bashku, nga socialdemokratët deri tek qëndra e Ripërtëritjes, nga e djathta e PPE tek grupi i Xhorxha Melonit. E vështirë, por jo e pamundur, duke parë piskamën e gjëndjes.

Për Evropën e ngrirë nga pafuqia prej pesë vitesh, nuk mbetet tjetër veçse përsiatja mbi mendimin e gjeneralit McArthur, që përmblidhte të gjitha humbjet në dy fjalë: shumë vonë. Në të kundërt, të ndërtojmë një shumicë me përparësi të bashkëndarë në një kontratë ligjore në Parlament, atëherë – e vetëm atëherë -Evropa mund të dalë faqebardhë në pështjelljen e madhe ndërkombëtare. Do të ishte fitorja e edukatës evropiane.

Filed Under: ESSE

Shprehu…

June 5, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Mendime të frikshme ndryshojnê natyrën kur fliten, bëhen të shëndetshme psikologjike. Romani “Po flas, Tani” i Maria Teresa Liuzzo, skicohet me madhështi. Flet për një përzierje varfërie njerëzore, shkelje personaliteti, vuajtje, dhunim. Shumica e personazheve nxisin të keqen, disfatën; Maria bën që e mira të mbes; del nga kjo betejë, si foshnjaja e larê në gjak në lindje, që merr këmbë; dhe me penë, si Dante Alighieri, pikturon me fjalë udhën nga Ferri e këndej.

Në këtë udhëtim shoqërohet nga Princi imagjinar, ku ajo gjen mbështetje ndërsa kalon humnerën e tmerreve plot shpirtra të penduar. Maria bëhet simbol i të menduarit të Heiddeger-it: “Në gjuhën e vetmisë, që është shtëpia e thelbit, zbehet”

Nga një varg në tjetrin, nga një histori në tjetrën, ajo shndërrohet në një qenie të lirë në pavetëdijen e saj.

“Jeta nuk përbëhet thjesht nga ngjarjet…”. Faktet nuk ekzistojnë në vetvete, gjithçka duhet të tregohet. Të flasësh është thelbësore për t’u treguar të tjerëve, se jeta nuk mund të ekzistojë pa rrëfimin e saj, ashtu si “artet nuk mund të admirohen pa përfaqësimin e tyre”.

Libri është fund e krye njē thirrje njerëzve në mbarë botën që ‘të flasin…’, të çlirohen nga e kaluara e errët, edhe pse janë “të lirë” dalë në dritë nga terri.

Duke u kthyer në kohën e kaluar, kujtoi kur vështrimi i saj i uritur u drejtua drejt Krijuesit duke iu lutur që ta lironte nga mizeria, të gjallë. Aty ku buka ishte e varfër me kripë dhe gjumi ishte i munduar, ajo bërtiti duke qarë: “O Zot, të lutem, më shpëto ose më vrit!” Vdekja zbulon një identitet të ri dhe tani….. flet!

Askush nuk qau për vdekjen e Marisë. Ndoshta sepse askush nuk dinte për të. Ajo ishte braktisur në heshtje dhe me dhimbje në të njëjtën mënyrë që kishte jetuar si dridhje e ëmbël ose erë.

Photo: dooleysbooks.com

Filed Under: ESSE

KASEM TREBESHINA, SHTIGJE TË PARRAHURA QË TRAZOJNË PRUSHIN E ËNDRRAVE DHE BASHKOJNË KOHËT

June 4, 2024 by s p

Kosta Nake/

Libri me tregime “Ku bie Iliria?” nga Kasëm Trebeshina hapet me një parathënie në vargje, por ajo duhet rilexuar pasi kthen edhe faqen e fundit të librit për të kapur mesazhet e kriptuara aty. Së pari, mëria që nuk u zbut e nuk u shua deri në fund të jetës ndaj Ismail Kadaresë, suksesin e të cilit edhe jashtë kufijve të Shqipërisë e përtypi, por nuk e pranoi, “Pun’ prej dëngla-shumi!” (f.9) Së dyti, mbrojtja e thesareve të një vendi sipas modelit gjerman. Së treti, shkrirja e kufirit midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, sjellja e të gjithë kohëve në bashkëkohësi, pa i përzier me njëra-tjetrën.

Lehtësisht mund të vihet re vëmendja e veçantë të autorit për formën. Të gjithë tregimet janë me tituj të dyfishtë, të gjithë janë të ndarë me kapituj që pasohen me një shpjegim lakonik të përmbajtjes ose thjesht formal, në të gjithë tregimet vjen një çast shpesh i mezidallueshëm kur fillon ëndrra që mban ngarkesën kryesore të mesazheve. Brenda ëndrrës bashkëjetojnë realja dhe surrealja, miti dhe legjenda, e vërteta dhe imagjinarja.

Në rrafshin gjuhësor ka një qasje të vetën që nuk duket e ndikuar nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972.

Përdorimi i zanores –ë- atje ku standarti e ka me –e-: vënd, zëmra, mëndja, dhën, dërra, trëmbej, çmënd.

Përdorimi i zanores –ë- tek emrat që nuk e kanë si tingull fundor, pasuar me prapashtesën ~shme: e tmerrëshme, e përvajëshme, e jashtëzakonëshme.

Fjalë të tipit Trebeshina që të kujtojnë leksikun lazgushjan: e pakuptuarshme, i njohshëm, e pamohuarshme, e përnjëhertë, e vyershme, stëprapthi, fshehtërisht, historikan, lashtëri.

Përdorimi i disa fjalëve me –rr- aty ku duhej -r-: mjekërr, torrua, coprrat, qeverri, e furrishme.

*

“Lashtëri moderne, një rrëfenjë Odërrase”

Është një rrëfenjë me konceptim dhe strukturë servanteske duke filluar me udhëtimin që ndërmarrin drejt Egjiptit dy personazhe Asmut Rrakaraku dhe Dylon Shuploin të cilët të kujtojnë Don Kishotin dhe Sanço Pançën, me ndarjen në kapituj që sjellin një përmbledhje lakonike të përmbajtjes, por largohet nga Servantesi me tonin të hidhur sarkastik dhe veshjen mjegullore e surrealiste.

Le të përpiqemi të besojmë që Odërrasi, vendi i përrallave më të bukura në botë, është Tirana, madje edhe më gjerë – Shqipëria, pastaj ngjashmëritë e tjera janë qartësisht të kapshme, me atë vërshim leksikor aq të pasur sa diçka që shihet përtej qelqit të tejdukshëm.

Mbreti i meteoritshëm dhe i oborrtarshëm Hu Lëngu, mëkëmbës i Lolonit të Madh, “atij që kishte vetëm datën e lindjes pa mort” (f.14), i dërgon dy misionarët e mësipërm për t’i sjellë një piramidë si ajo e Keopsit. Piramida në këtë rast mund të shihet në disa rrafshe kuptimorë: Së pari, në kuptimin simbolik si pushtet i pakufizuar diktatorial. Së dyti, si rimarrje e një vepre me të njëjtin titull, ku Trebeshina zbulon se është gabuar historikisht kur flitet për duhanin dhe misrin në Egjiptin e lashtë. Së treti, piramida si mauzole për diktatorin dhe së fundi, piramida e Lidhjes së Shkronjëtarëve ku Asmutin e shikojnë si të paprekshëm.

Pjesën e parë të përmbushjes së misionit e zënë peripecitë e udhëtimit që karrikaturizohet pasi nuk është e sigurtë në se shkuan në këmbë apo hipur në gomar, nuk dihet si e kanë kapërcyer detin, nuk dihet në se deveja ishte me një apo me dy gunga, përcjellë me pasthirrmën ironike “bre, bre, bre!” Të dy misionarët përballen me situata të vështira dhe vuajtje, siç ishte mbyllja në banjë, zhveshja lakuriq dhe larja e mirë; ndëshkimi me njëzet fshikuj në prapanicë që u zbut me ndezjen e prapanicës me hithra dhe së fundi, futja në burgjet faraonike ku Asmuti bëri disa punëra të mëdha që s’i kishte bërë njeri tjetër: gjeti datën e saktë kur do liroheshin dy të burgosur, zbuloi dy vjedhës, paralajmëroi ndryshimin e kohës dhe gjeti unazën e humbur të mbretëreshës faraonike.

Ëndrra dhe thirrja në skenë e xhindeve është pjesë e artificës për ngjarje pa kufi në kohë dhe hapësirë. Gjerësisht janë përdorur edhe aliteracionet për të krijuar pompozitet: lidhur me zhuka të zhulatura (f.14), librat e shkencëruara shkencërisht (f.19), do të gjenden këngëtarë që t’i këndojnë këngët që ti këndoje me këngëtarinë e zjarrtë këngëtare (f.30), në zyrën perandorisht të perandorishme (f.38), ai punoi punëra që s’i kishte punuar njeri i punësuar (f.45), fjalimi i tij nga më të rëndësishmit që kishin rënduar në rëndësinë e rëndësishme (f.66).

Rrëfimit nuk mund t’i mungonte Dylqinja e Tobozës dhe ja ku vjen bukuroshja Harmjana që bën zbulimin e madh: “Pikërisht tani arrita të kuptoj se dashuria nuk kalon përmes shalëve, por nëpër portat e zemrës.” (f.72)

Edhe pse rrëfenja është e vitit 1992, ajo përmbyllet dëshpërimisht: “ata nga Odërrasi nuk heqin dorë nga të kërkuarit skelete dhe piramida.” (f.73) Kjo tregon se lufta e klasave që zhvillohej në vend dhe finalizohej me prerje kokash dhe internime, zhvillohej edhe brenda kastës së krijuesve që duhej të sillnin një model të ndryshëm tolerance e qytetërimi. Kërkesa për të gjetur engjëjt te Lidhja e Shkronjëtarëve është surreale, ajo tingëllon iluzive edhe sot, pas më shumë se 30 vitesh transformimesh demokratike, thjesht sepse tek i gjalli është edhe engjëlli, edhe djalli.

*

“Ngatërresa në Apoloni – Ëndërr qershori”

Tregimi vendos në qendër Nazo Ymerin që është shpallur kulak, prandaj të parët e partisë e të pushtetit jo vetëm që e quajnë reaksionar, por edhe e shqepin me gjoba. Fshatarët ia kërkojnë gomarin për punë, e punojnë në një ditë sa për një muaj dhe, kur mbarojnë punë, e lëshojnë në arat e kooperativës. Me një akt revoltues Nazifi e djeg samarin e gomarit të vet, por kjo vetëm ia shton hallet, pasi interpretimi është politik dhe jo ekonomik.

Kaq mjafton nga realiteti dhe pastaj Nazifi, në kërkim të të ardhurave për gjobën që rritet e duhet paguar shpejt, bie në një gjumë me ëndrra ku shkrihen kufijtë kohorë dhe në të njëjtën skemë hyjnë romakët, gotët, turqit, partizanët e ballistët, në një pamundësi për të vepruar në kohën e të tjerëve. Është e njëjta teknikë e lojës me kohën që ndeshet edhe te tregimet paraprijës “Lashtëri moderne, një rrëfenjë Odërrase” dhe “Dy mijë vjet në një natë – Ëndërr e një nate vjeshte.” Djegia e samarit çon në kërkimin e lëkurëve të kunadheve dhe plekset me rrëmbimit e vajzës së Klaud Viniçio Marçelit, njeriut më të pasur në Apoloni, me ardhjen e trupave të Isa beut që dallohen nga çallmat turke dhe kanë lidhje me Ahmed Gjedik Pashain, me shfaqjen e Sinan Malos që nuk është Sinan po Alvini i gotëve dhe së fundmi njeriu i vogël që vjen nga thellësia e katër mijë viteve dhe ftillon teorinë trebeshiniane për kohën: “Këtu të gjithë u ndodhëm rastësisht dhe secili do kalojë atje ku ka vëndin, për të mos ardhur më kurrë këtu, për të mos u parë më kurrë tek flakërima e përnjëhertë e së tashmes së përjetëshme.” (f.137) “Nuk do të arrini kurrë të përzjeni ëndrrën me jetën dhe të bashkoni kohët që nuk janë takuar kurrë me njëra-tjetrën.” (f.138)

Cila është zgjidhja që ofrohet? “Atje më poshtë, pranë një gjiri, është një barkë. Hipni në të e çani detin ku t’ju shohin sytë!” (f.139)

Ky tregim është shkruar në janar 1993 kur ngjarjet kishin ndodhur dhe braktisja e atdheut po merrte përmasat e eksodit biblik.

*

“Hani i Bregomirës – një bukuri e shëmtuar”

Është tregimi më i mirë i këtij vëllimi, një përqeshje e jetës në fshatin socialist që tregon se kooperativizmi solli edhe një bjerje të moralit shoqëror duke filluar nga krerët e partisë dhe të ekonomisë.

Pasi ironizohet ajo që ndodh në fshatin Bregomirë, në skenë hyn mjeshtri këpucar Zigur Goti, i cili, pasi ka mbetur pa gruan që iku me arixhiun, bëhet objekt i mbledhjeve nga që dehet dhe, për të shpëtuar, lë qytetin e shkon në fshat. Po në atë kohë internohen atje një nënë me të bijën, pas pushkatimit të burrit si armik i popullit. Dëbimi në fshat nuk është fundi i vuajtjeve, pasi atyre do t’u qepet operativi i ri që urdhëron kuadrot e kooperativës të mos ia njohin sasinë reale të punës së kryer dhe t’ia dërgojnë në zyrën e tij në katin e dytë. Ziguri e ka dyqanin e tij në katin e parë, prandaj dëgjon disa nga bisedat që zhvillohen lart, intrigat që thuren kundër të tjerëve. Fillimisht këpucari mendon të bëjë nga një palë këpucë për të dyja të persekutuarat, por nuk gjen mundësinë t’ua japë. Atëherë shkon të kërkojë para borxh te një mik që t’ua japë për të kompesuar mungesat jetike, por nuk ia del sepse ato i japin fund jetës duke u mbytur në liqenin e bukur të Bregomirës. Atëherë autori i rikthehet artificës artistike të fshirjes së kufijve kohorë, të shkrirjes së ëndrrës me zhgjëndrrën: shfaqet dikush me emrin e ngjashëm Zig Gynter nga fisi i gotëve që zgjedh të vdesë me dënimin Shqiponja. Në mëngjes Ziguri gjendet i varur te dera e Hanit.

Operativi i ri është personazhi i dytë i vendosur në fokus dhe autori, si pjesë e strukturave të sigurimit, i njeh politikat dhe teknikat me të cilat operohet. Fillimisht zbulohet morali i tij kur thuhet “ra në dashuri që në vështrimin e parë me gruan e kryetarit të kooperativës” (f.182) dhe kjo shpjegon dhe rrugët dhe metodat vetjake të punës së tij: “Kryetari i kooperativës duhej të ndiqej, që të merrej vesh çfarë bënte dhe ku shkonte. Duhej të hapej një proces për atë brigadierin që e kishte gruan të bukur. Duhej t’i hiqej një hu atij që i falej Zotit fshehurazi.” (f.184-85) Që sigurimi ishte organi i plotfuqishëm mbi gjithçka duket te urdhri kategorik i operativit për magazinierin: “Dëgjo ti këtu! Të thonë që normën t’ua shënosh të pakryer dhe ti kështu do të bësh! Të tjerat i di unë” (f.186) Ose kur ai i bërtet brigadierit për dy të persekutuarat: “I dua këtu! Tashi! Dhe nuk dua të dëgjoj fjalë të tjera!” (f.203)

Pika kulmore e demaskimit të sistemit shënohet në dialogun e operativit me gruan e persekutuar. Në fjalët e gruas luhet me shprehjen “do të hamë bar dhe parimet nuk i tradhëtojmë”: “Po qe se nuk e kemi bërë normën, mos na paguani! Do të jetojmë duke ngrënë bar.” (f.189) Përgjigja e operativit është sintezë e demagogjisë: “…Në pushtetin tonë asnjeri nuk vuan për bukë!… Të gjithë ne duhet të punojmë për të ndërtuar socializmin… Rruga me të vërtetë që është e vështirë, sa nga të gjitha anët na kanë rrethuar armiqtë e tërbuar të vendit tonë kështjellë heroike,… ne do të mbulohemi me lavdi ngaqë jemi i vetmi vend socialist në botë. Kështu duhet të mendoni edhe ju, megjithëse jeni një rezervë e reaksionit më të egër kundër vendit tonë!” (po aty)

Autori bën edhe një kapërcim në kohë për të deklaruar që këta inkuizitorë të diktaturës vazhduan të vegjetojnë edhe pas ndryshimit të sistemit politik: “Për operativin shqetësohesh, zotrote?! As mos e bëj gjakun ujë, se është shëndoshë e mirë, si molla në degë dhe ka hapur një dyqan të bukur atje në mes të fshatit. Ku i gjeti të hollat?! As mos pyet fare! Se ka aq shumë, sa nuk di as t’i numërojë.” (f.210)

Tregimi fillon një ton humoristik duke i dhënë rrëfimit ngjyrat e ligjërimit bisedor: E di, zotërinj! Bre, bre, bre! Po, more, po! Aty qëndro e mos shko më tutje. Të thuash atë që ishte. Prit, more dashamir, prit! Kështu janë punët, more dashamir!

Ku dhemb dhëmbi vete gjuha, prandaj autori u kthehet edhe një herë thumbave ndaj figurave të Lidhjes së Shkrimtarëve që pati artikuluar te tregimi i parë i këtij vëllimit: “Do të mbahet mend gjersa të prishet bota ajo jetë e bukur që bëhej në Bregomirë në ato kohëra të lavdëruara edhe nga shkronjëtarë si Asmut Rrakatakja dhe Dordolec Aghorri.” (f.183) U rikthehet edhe një herë atyre i vendosur në bashkëkohësi, duke mos kursyer as figura të reja që provuan burgjet e komunizmit: “Europa e do shumë Asmut Rrakataken dhe Dordolec Aghorrin.” (f.210)

*

“Koka e Artemidës – tregimi i Murgut të Zi”

Në pranverë profesori plak i letërsisë në shkollën e mesme i drejtohet një nxënëse duke e quajtur Koka e Artemidës dhe atë verë ajo vret veten; punëtorët hapin themelet e një shtëpie dhe kazma godet mbi mermer duke zbuluar kokën e Artemidës; Murgu i Zi tregon si e gdhendi në mermer statujën e Artemidës dhe turmat e copëtuan sepse ishte nudo. Të trija këto Artemida mblidhen bashkë për të rrëmbyer mesazhe nga thellësitë e kohës dhe për t’i sjellë në ditët tona si prushi i Prometeut. Sipas mitologjisë, Artemida ishte e bija e Zeusit dhe e Letos dhe motra binjake e Apolonit, perëndesha e gjuetisë dhe e natyrës së egër që shfaqet te të dyja poemat homerike. Kur veçojmë kokën e një femre, vetëtimthi përvoja na çon te bukuria e përsosur që e bën të luhatshëm karakterin e një të moshuari, i bën të papërmbajtshme thashethemet e komunitetit, e bën të pakontrollueshëm tërbimin e turmës.

Tregimi merr ngjyrimin surreal kur njëri nga ustallarët që bënë zbulimin, pretendon se mermeri iu duk si një gjë e butë, se koka kishte hapur sytë, prandaj tjetri e copëton me vare. Paria e dy fshatrave bën provën e kalit për kapërcimin e varrit të nxënëses, fshatarët arrijnë në përfundimin se ishte ngjallur lugat, prandaj varri përdhoset e kufoma digjet.

Një mbrëmje shokësh me misra të pjekur bëhet shkas që rrëfimtari të mësojë për Murgun e Zi për të cilin njerëzit besojnë se shfaqet përtej manastirit. Dikush tregon një vidh të vetmuar që zhduket pas mesnate dhe kaq mjafton që kufiri i kohës të rrafshohet sipas parimit “ne jemi aty ku s’jemi.” (f.231) Murgu i Zi vjen e tregon duke u bërë shprehës i filozofisë së autorit mbi të vërtetën: “E vërteta e secilit është e veçantë, ndaj dhe secili kupton dhe jeton vetëm të vërtetën e tij. Ai e tregon atë të vërtetë që nga toka dhe gjer te yjtë dhe përsëri i duket sikur nuk e ka treguar… E tregon dhe e tregon pa mbarim, se vetëm atëherë mund të qetësohet, kur ta ketë varrosur në zemrën e një tjetri, në zemrën e zhuritur nga e vërteta e ngjashme. Mjerë ajo zemër e përvëluar që nuk gjen një zemër tjetër për ta varrosur të vërtetën e veçantë që e mundon.” (f.228) Mesazhi që përcjell autori nëpërmjet këtij tregimi është: “Asnjë nga të gjitha sa shohim nuk mund të jetë e mallkuar. Të gjitha sa ka krijuar jeta në pafundësitë ku nuk mund të arrijë mendimi, kanë bekimin e jetës…” (f.233) Rrjedhimisht asgjë nuk duhet shkatërruar në emër të paragjykimeve që flenë e zgjohen në shpirtin e vogël të turmës. Ca më keq kur këto fshihen pas ligjeve që bëjnë një grup njerëzish “që sjellin një besim të ri, por… vazhdimi është vetëm ligësi.” (f.241) Si tek shprehja “bjeri pragut të dëgjojë dera”, edhe këtu bëhet aluzion për atë që ndodhi pas çlirimit të Shqipërisë. Kjo përforcohet nga reflektimet e Murgut të Zi mbi përmbysjen revolucionare: “Të varfërit duhej të shpëtoheshin nga ajo gjendje, ndaj dhe u shfaq besimi i ri me besimtarët e tij të devotshëm. Por mos vallë duhej të mbytej në gjak njerëzimi duke u nisur nga ana e kundërt?” (f.244) Në këtë vështrim, asgjësimi i vajzës dhe përdhunimi i varrit të saj mund të shihet edhe si goditje e së bukurës nga valët e indoktrinuara. Së fundi, autori ndalet dhe te marrëdhënia e njerëzve me Zotin të cilin “e thërrasin vetëm për një dëshmi të detyruar, për një dëshmi në mes të njerëzve dhe për puna që nuk kanë të bëjnë fare me të.” (f.248)

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT