Kosta Nake/
Libri me tregime “Ku bie Iliria?” nga Kasëm Trebeshina hapet me një parathënie në vargje, por ajo duhet rilexuar pasi kthen edhe faqen e fundit të librit për të kapur mesazhet e kriptuara aty. Së pari, mëria që nuk u zbut e nuk u shua deri në fund të jetës ndaj Ismail Kadaresë, suksesin e të cilit edhe jashtë kufijve të Shqipërisë e përtypi, por nuk e pranoi, “Pun’ prej dëngla-shumi!” (f.9) Së dyti, mbrojtja e thesareve të një vendi sipas modelit gjerman. Së treti, shkrirja e kufirit midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, sjellja e të gjithë kohëve në bashkëkohësi, pa i përzier me njëra-tjetrën.
Lehtësisht mund të vihet re vëmendja e veçantë të autorit për formën. Të gjithë tregimet janë me tituj të dyfishtë, të gjithë janë të ndarë me kapituj që pasohen me një shpjegim lakonik të përmbajtjes ose thjesht formal, në të gjithë tregimet vjen një çast shpesh i mezidallueshëm kur fillon ëndrra që mban ngarkesën kryesore të mesazheve. Brenda ëndrrës bashkëjetojnë realja dhe surrealja, miti dhe legjenda, e vërteta dhe imagjinarja.
Në rrafshin gjuhësor ka një qasje të vetën që nuk duket e ndikuar nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972.
Përdorimi i zanores –ë- atje ku standarti e ka me –e-: vënd, zëmra, mëndja, dhën, dërra, trëmbej, çmënd.
Përdorimi i zanores –ë- tek emrat që nuk e kanë si tingull fundor, pasuar me prapashtesën ~shme: e tmerrëshme, e përvajëshme, e jashtëzakonëshme.
Fjalë të tipit Trebeshina që të kujtojnë leksikun lazgushjan: e pakuptuarshme, i njohshëm, e pamohuarshme, e përnjëhertë, e vyershme, stëprapthi, fshehtërisht, historikan, lashtëri.
Përdorimi i disa fjalëve me –rr- aty ku duhej -r-: mjekërr, torrua, coprrat, qeverri, e furrishme.
*
“Lashtëri moderne, një rrëfenjë Odërrase”
Është një rrëfenjë me konceptim dhe strukturë servanteske duke filluar me udhëtimin që ndërmarrin drejt Egjiptit dy personazhe Asmut Rrakaraku dhe Dylon Shuploin të cilët të kujtojnë Don Kishotin dhe Sanço Pançën, me ndarjen në kapituj që sjellin një përmbledhje lakonike të përmbajtjes, por largohet nga Servantesi me tonin të hidhur sarkastik dhe veshjen mjegullore e surrealiste.
Le të përpiqemi të besojmë që Odërrasi, vendi i përrallave më të bukura në botë, është Tirana, madje edhe më gjerë – Shqipëria, pastaj ngjashmëritë e tjera janë qartësisht të kapshme, me atë vërshim leksikor aq të pasur sa diçka që shihet përtej qelqit të tejdukshëm.
Mbreti i meteoritshëm dhe i oborrtarshëm Hu Lëngu, mëkëmbës i Lolonit të Madh, “atij që kishte vetëm datën e lindjes pa mort” (f.14), i dërgon dy misionarët e mësipërm për t’i sjellë një piramidë si ajo e Keopsit. Piramida në këtë rast mund të shihet në disa rrafshe kuptimorë: Së pari, në kuptimin simbolik si pushtet i pakufizuar diktatorial. Së dyti, si rimarrje e një vepre me të njëjtin titull, ku Trebeshina zbulon se është gabuar historikisht kur flitet për duhanin dhe misrin në Egjiptin e lashtë. Së treti, piramida si mauzole për diktatorin dhe së fundi, piramida e Lidhjes së Shkronjëtarëve ku Asmutin e shikojnë si të paprekshëm.
Pjesën e parë të përmbushjes së misionit e zënë peripecitë e udhëtimit që karrikaturizohet pasi nuk është e sigurtë në se shkuan në këmbë apo hipur në gomar, nuk dihet si e kanë kapërcyer detin, nuk dihet në se deveja ishte me një apo me dy gunga, përcjellë me pasthirrmën ironike “bre, bre, bre!” Të dy misionarët përballen me situata të vështira dhe vuajtje, siç ishte mbyllja në banjë, zhveshja lakuriq dhe larja e mirë; ndëshkimi me njëzet fshikuj në prapanicë që u zbut me ndezjen e prapanicës me hithra dhe së fundi, futja në burgjet faraonike ku Asmuti bëri disa punëra të mëdha që s’i kishte bërë njeri tjetër: gjeti datën e saktë kur do liroheshin dy të burgosur, zbuloi dy vjedhës, paralajmëroi ndryshimin e kohës dhe gjeti unazën e humbur të mbretëreshës faraonike.
Ëndrra dhe thirrja në skenë e xhindeve është pjesë e artificës për ngjarje pa kufi në kohë dhe hapësirë. Gjerësisht janë përdorur edhe aliteracionet për të krijuar pompozitet: lidhur me zhuka të zhulatura (f.14), librat e shkencëruara shkencërisht (f.19), do të gjenden këngëtarë që t’i këndojnë këngët që ti këndoje me këngëtarinë e zjarrtë këngëtare (f.30), në zyrën perandorisht të perandorishme (f.38), ai punoi punëra që s’i kishte punuar njeri i punësuar (f.45), fjalimi i tij nga më të rëndësishmit që kishin rënduar në rëndësinë e rëndësishme (f.66).
Rrëfimit nuk mund t’i mungonte Dylqinja e Tobozës dhe ja ku vjen bukuroshja Harmjana që bën zbulimin e madh: “Pikërisht tani arrita të kuptoj se dashuria nuk kalon përmes shalëve, por nëpër portat e zemrës.” (f.72)
Edhe pse rrëfenja është e vitit 1992, ajo përmbyllet dëshpërimisht: “ata nga Odërrasi nuk heqin dorë nga të kërkuarit skelete dhe piramida.” (f.73) Kjo tregon se lufta e klasave që zhvillohej në vend dhe finalizohej me prerje kokash dhe internime, zhvillohej edhe brenda kastës së krijuesve që duhej të sillnin një model të ndryshëm tolerance e qytetërimi. Kërkesa për të gjetur engjëjt te Lidhja e Shkronjëtarëve është surreale, ajo tingëllon iluzive edhe sot, pas më shumë se 30 vitesh transformimesh demokratike, thjesht sepse tek i gjalli është edhe engjëlli, edhe djalli.
*
“Ngatërresa në Apoloni – Ëndërr qershori”
Tregimi vendos në qendër Nazo Ymerin që është shpallur kulak, prandaj të parët e partisë e të pushtetit jo vetëm që e quajnë reaksionar, por edhe e shqepin me gjoba. Fshatarët ia kërkojnë gomarin për punë, e punojnë në një ditë sa për një muaj dhe, kur mbarojnë punë, e lëshojnë në arat e kooperativës. Me një akt revoltues Nazifi e djeg samarin e gomarit të vet, por kjo vetëm ia shton hallet, pasi interpretimi është politik dhe jo ekonomik.
Kaq mjafton nga realiteti dhe pastaj Nazifi, në kërkim të të ardhurave për gjobën që rritet e duhet paguar shpejt, bie në një gjumë me ëndrra ku shkrihen kufijtë kohorë dhe në të njëjtën skemë hyjnë romakët, gotët, turqit, partizanët e ballistët, në një pamundësi për të vepruar në kohën e të tjerëve. Është e njëjta teknikë e lojës me kohën që ndeshet edhe te tregimet paraprijës “Lashtëri moderne, një rrëfenjë Odërrase” dhe “Dy mijë vjet në një natë – Ëndërr e një nate vjeshte.” Djegia e samarit çon në kërkimin e lëkurëve të kunadheve dhe plekset me rrëmbimit e vajzës së Klaud Viniçio Marçelit, njeriut më të pasur në Apoloni, me ardhjen e trupave të Isa beut që dallohen nga çallmat turke dhe kanë lidhje me Ahmed Gjedik Pashain, me shfaqjen e Sinan Malos që nuk është Sinan po Alvini i gotëve dhe së fundmi njeriu i vogël që vjen nga thellësia e katër mijë viteve dhe ftillon teorinë trebeshiniane për kohën: “Këtu të gjithë u ndodhëm rastësisht dhe secili do kalojë atje ku ka vëndin, për të mos ardhur më kurrë këtu, për të mos u parë më kurrë tek flakërima e përnjëhertë e së tashmes së përjetëshme.” (f.137) “Nuk do të arrini kurrë të përzjeni ëndrrën me jetën dhe të bashkoni kohët që nuk janë takuar kurrë me njëra-tjetrën.” (f.138)
Cila është zgjidhja që ofrohet? “Atje më poshtë, pranë një gjiri, është një barkë. Hipni në të e çani detin ku t’ju shohin sytë!” (f.139)
Ky tregim është shkruar në janar 1993 kur ngjarjet kishin ndodhur dhe braktisja e atdheut po merrte përmasat e eksodit biblik.
*
“Hani i Bregomirës – një bukuri e shëmtuar”
Është tregimi më i mirë i këtij vëllimi, një përqeshje e jetës në fshatin socialist që tregon se kooperativizmi solli edhe një bjerje të moralit shoqëror duke filluar nga krerët e partisë dhe të ekonomisë.
Pasi ironizohet ajo që ndodh në fshatin Bregomirë, në skenë hyn mjeshtri këpucar Zigur Goti, i cili, pasi ka mbetur pa gruan që iku me arixhiun, bëhet objekt i mbledhjeve nga që dehet dhe, për të shpëtuar, lë qytetin e shkon në fshat. Po në atë kohë internohen atje një nënë me të bijën, pas pushkatimit të burrit si armik i popullit. Dëbimi në fshat nuk është fundi i vuajtjeve, pasi atyre do t’u qepet operativi i ri që urdhëron kuadrot e kooperativës të mos ia njohin sasinë reale të punës së kryer dhe t’ia dërgojnë në zyrën e tij në katin e dytë. Ziguri e ka dyqanin e tij në katin e parë, prandaj dëgjon disa nga bisedat që zhvillohen lart, intrigat që thuren kundër të tjerëve. Fillimisht këpucari mendon të bëjë nga një palë këpucë për të dyja të persekutuarat, por nuk gjen mundësinë t’ua japë. Atëherë shkon të kërkojë para borxh te një mik që t’ua japë për të kompesuar mungesat jetike, por nuk ia del sepse ato i japin fund jetës duke u mbytur në liqenin e bukur të Bregomirës. Atëherë autori i rikthehet artificës artistike të fshirjes së kufijve kohorë, të shkrirjes së ëndrrës me zhgjëndrrën: shfaqet dikush me emrin e ngjashëm Zig Gynter nga fisi i gotëve që zgjedh të vdesë me dënimin Shqiponja. Në mëngjes Ziguri gjendet i varur te dera e Hanit.
Operativi i ri është personazhi i dytë i vendosur në fokus dhe autori, si pjesë e strukturave të sigurimit, i njeh politikat dhe teknikat me të cilat operohet. Fillimisht zbulohet morali i tij kur thuhet “ra në dashuri që në vështrimin e parë me gruan e kryetarit të kooperativës” (f.182) dhe kjo shpjegon dhe rrugët dhe metodat vetjake të punës së tij: “Kryetari i kooperativës duhej të ndiqej, që të merrej vesh çfarë bënte dhe ku shkonte. Duhej të hapej një proces për atë brigadierin që e kishte gruan të bukur. Duhej t’i hiqej një hu atij që i falej Zotit fshehurazi.” (f.184-85) Që sigurimi ishte organi i plotfuqishëm mbi gjithçka duket te urdhri kategorik i operativit për magazinierin: “Dëgjo ti këtu! Të thonë që normën t’ua shënosh të pakryer dhe ti kështu do të bësh! Të tjerat i di unë” (f.186) Ose kur ai i bërtet brigadierit për dy të persekutuarat: “I dua këtu! Tashi! Dhe nuk dua të dëgjoj fjalë të tjera!” (f.203)
Pika kulmore e demaskimit të sistemit shënohet në dialogun e operativit me gruan e persekutuar. Në fjalët e gruas luhet me shprehjen “do të hamë bar dhe parimet nuk i tradhëtojmë”: “Po qe se nuk e kemi bërë normën, mos na paguani! Do të jetojmë duke ngrënë bar.” (f.189) Përgjigja e operativit është sintezë e demagogjisë: “…Në pushtetin tonë asnjeri nuk vuan për bukë!… Të gjithë ne duhet të punojmë për të ndërtuar socializmin… Rruga me të vërtetë që është e vështirë, sa nga të gjitha anët na kanë rrethuar armiqtë e tërbuar të vendit tonë kështjellë heroike,… ne do të mbulohemi me lavdi ngaqë jemi i vetmi vend socialist në botë. Kështu duhet të mendoni edhe ju, megjithëse jeni një rezervë e reaksionit më të egër kundër vendit tonë!” (po aty)
Autori bën edhe një kapërcim në kohë për të deklaruar që këta inkuizitorë të diktaturës vazhduan të vegjetojnë edhe pas ndryshimit të sistemit politik: “Për operativin shqetësohesh, zotrote?! As mos e bëj gjakun ujë, se është shëndoshë e mirë, si molla në degë dhe ka hapur një dyqan të bukur atje në mes të fshatit. Ku i gjeti të hollat?! As mos pyet fare! Se ka aq shumë, sa nuk di as t’i numërojë.” (f.210)
Tregimi fillon një ton humoristik duke i dhënë rrëfimit ngjyrat e ligjërimit bisedor: E di, zotërinj! Bre, bre, bre! Po, more, po! Aty qëndro e mos shko më tutje. Të thuash atë që ishte. Prit, more dashamir, prit! Kështu janë punët, more dashamir!
Ku dhemb dhëmbi vete gjuha, prandaj autori u kthehet edhe një herë thumbave ndaj figurave të Lidhjes së Shkrimtarëve që pati artikuluar te tregimi i parë i këtij vëllimit: “Do të mbahet mend gjersa të prishet bota ajo jetë e bukur që bëhej në Bregomirë në ato kohëra të lavdëruara edhe nga shkronjëtarë si Asmut Rrakatakja dhe Dordolec Aghorri.” (f.183) U rikthehet edhe një herë atyre i vendosur në bashkëkohësi, duke mos kursyer as figura të reja që provuan burgjet e komunizmit: “Europa e do shumë Asmut Rrakataken dhe Dordolec Aghorrin.” (f.210)
*
“Koka e Artemidës – tregimi i Murgut të Zi”
Në pranverë profesori plak i letërsisë në shkollën e mesme i drejtohet një nxënëse duke e quajtur Koka e Artemidës dhe atë verë ajo vret veten; punëtorët hapin themelet e një shtëpie dhe kazma godet mbi mermer duke zbuluar kokën e Artemidës; Murgu i Zi tregon si e gdhendi në mermer statujën e Artemidës dhe turmat e copëtuan sepse ishte nudo. Të trija këto Artemida mblidhen bashkë për të rrëmbyer mesazhe nga thellësitë e kohës dhe për t’i sjellë në ditët tona si prushi i Prometeut. Sipas mitologjisë, Artemida ishte e bija e Zeusit dhe e Letos dhe motra binjake e Apolonit, perëndesha e gjuetisë dhe e natyrës së egër që shfaqet te të dyja poemat homerike. Kur veçojmë kokën e një femre, vetëtimthi përvoja na çon te bukuria e përsosur që e bën të luhatshëm karakterin e një të moshuari, i bën të papërmbajtshme thashethemet e komunitetit, e bën të pakontrollueshëm tërbimin e turmës.
Tregimi merr ngjyrimin surreal kur njëri nga ustallarët që bënë zbulimin, pretendon se mermeri iu duk si një gjë e butë, se koka kishte hapur sytë, prandaj tjetri e copëton me vare. Paria e dy fshatrave bën provën e kalit për kapërcimin e varrit të nxënëses, fshatarët arrijnë në përfundimin se ishte ngjallur lugat, prandaj varri përdhoset e kufoma digjet.
Një mbrëmje shokësh me misra të pjekur bëhet shkas që rrëfimtari të mësojë për Murgun e Zi për të cilin njerëzit besojnë se shfaqet përtej manastirit. Dikush tregon një vidh të vetmuar që zhduket pas mesnate dhe kaq mjafton që kufiri i kohës të rrafshohet sipas parimit “ne jemi aty ku s’jemi.” (f.231) Murgu i Zi vjen e tregon duke u bërë shprehës i filozofisë së autorit mbi të vërtetën: “E vërteta e secilit është e veçantë, ndaj dhe secili kupton dhe jeton vetëm të vërtetën e tij. Ai e tregon atë të vërtetë që nga toka dhe gjer te yjtë dhe përsëri i duket sikur nuk e ka treguar… E tregon dhe e tregon pa mbarim, se vetëm atëherë mund të qetësohet, kur ta ketë varrosur në zemrën e një tjetri, në zemrën e zhuritur nga e vërteta e ngjashme. Mjerë ajo zemër e përvëluar që nuk gjen një zemër tjetër për ta varrosur të vërtetën e veçantë që e mundon.” (f.228) Mesazhi që përcjell autori nëpërmjet këtij tregimi është: “Asnjë nga të gjitha sa shohim nuk mund të jetë e mallkuar. Të gjitha sa ka krijuar jeta në pafundësitë ku nuk mund të arrijë mendimi, kanë bekimin e jetës…” (f.233) Rrjedhimisht asgjë nuk duhet shkatërruar në emër të paragjykimeve që flenë e zgjohen në shpirtin e vogël të turmës. Ca më keq kur këto fshihen pas ligjeve që bëjnë një grup njerëzish “që sjellin një besim të ri, por… vazhdimi është vetëm ligësi.” (f.241) Si tek shprehja “bjeri pragut të dëgjojë dera”, edhe këtu bëhet aluzion për atë që ndodhi pas çlirimit të Shqipërisë. Kjo përforcohet nga reflektimet e Murgut të Zi mbi përmbysjen revolucionare: “Të varfërit duhej të shpëtoheshin nga ajo gjendje, ndaj dhe u shfaq besimi i ri me besimtarët e tij të devotshëm. Por mos vallë duhej të mbytej në gjak njerëzimi duke u nisur nga ana e kundërt?” (f.244) Në këtë vështrim, asgjësimi i vajzës dhe përdhunimi i varrit të saj mund të shihet edhe si goditje e së bukurës nga valët e indoktrinuara. Së fundi, autori ndalet dhe te marrëdhënia e njerëzve me Zotin të cilin “e thërrasin vetëm për një dëshmi të detyruar, për një dëshmi në mes të njerëzve dhe për puna që nuk kanë të bëjnë fare me të.” (f.248)