Xhelal Zejneli/
Ishte një i ri pa vlera kolektive, mezi një individ. “I huaji” është vepra më e njohur e Alber Kamysë (Albert Camus, 1913-1960). Ajo i ka sjellë famë botërore. Kjo vepër shënoi një epokë të re në letërsi. Pasqyroi një vështrim nihilist dhe negativ mbi botën, vështrim pa rrugëdalje, të paraqitur në mënyrë të përkryer me figurën e personazhit kryesor të veprës – Mersosë. Është vepër e absurdit.
Protagonist i romanit është nëpunësi Merso. Veprimi i veprës zhvillohet në Algjer. Romani fillon në një mënyrë të pazakontë. Personazhit kryesor i vjen një telegram ku thuhet se në azilin e pleqve i ka vdekur nëna. Mersoja nuk është i sigurt në ka ndodhur kjo dje, pardje apo mbase sot. Ai konsideron se kjo është diçka normale ngase me vdekjen ballafaqohet çdo njeri. Rrjedhimisht, këtij akti nuk i kushtoi ndonjë vëmendje të veçantë. Por ka shumë të tillë që thonë se djali nuk u shqetësua gjithaq nga vdekja e gruas që e kishte sjellë në jetë.
Ndonëse lajmi për vdekjen e së ëmës përbën hyrjen e këtij romani të çuditshëm, lexuesi nuk merr kurrfarë informate për raportin e nënës dhe të birit. Shtrohet pyetja: A kanë kontaktuar këta dy ndonjëherë ndër vete. Në një moment, gjatë përgatitjeve të varrimit, Mersoja nuk e di saktë se sa vjeçe ka qenë e shkreta nënë. Krijohet përshtypja sikur Mersosë gjërat e tjera, më shumë se vdekja e së ëmës. Madje në rrugën për në varreza kënaqet bukuritë e natyrës. Sillet sikur çdo gjë është normale, sikur s’ka humbur asgjë të rëndësishme.
Këto ngjarje dhe ndjenja, për të mos thënë “mungesë ndjenjash” shumë shpejt për lexuesin do të jenë më se të qarta, ngase rrjedha e ngjarjeve flet për një hiç-gjë të përgjithshme të protagonistit. Prandaj nuk është për t’u habitur sesi edhe në këtë moment tragjik Mersoja sillet sikur s’ka ndodhur diçka. Marrë në përgjithësi, shenja e indiferencës shtrihet përgjatë tërë veprës dhe kjo mund të vërehet në gjërat më bizare, siç janë pyetjet e fqinjit Rajmon për t’u shoqëruar apo të shefit të firmës ku punon Mersoja për t’u bërë përfaqësues i kompanisë së tyre në Paris. Të dyja pyetjeve si dhe shumë pyetjeve të tjera që pasojnë, Mersoja u përgjigjet: “krejt një për mua”. Kjo frazë rezulton nga këndvështrimi i jetës si një absurd. Me fjalë të tjera, jeta për Mersonë është një absurd, në të cilën kurrë dhe asgjë nuk do të ndryshojë, as që mund të ndryshojë.
Po të ishte përpjekur për ta marrë jetën e vet në duart e veta, ndoshta Mersoja nuk do t’i kishte gjithë ato koncepte nihiliste. Por kjo nuk ndodh. Mersoja vazhdon të jetojë me jetën e tij monotone ku secila ditë është e njëjtë, e njëjta punë, e njëjta banesë …
Për ta kuptuar kuptimin e kësaj kryevepre të Kamysë, në radhë të parë duhet kuptuar filozofinë e absurditetit të narratorit, përkatësisht të personazhit të cilin e përcjell i tërë veprimi i veprës. Duhet njohur më mirë jetën psikike të Mersosë, por edhe mënyrën se si e sheh ai mjedisin që e rrethon dhe shoqërinë në të cilën jeton. Kur të zhytemi më thellë në mozaikun kompleks të Mersosë, e kuptojmë se ai ndjehet i huaj në botën të cilën nuk e njeh dhe të cilën kurrë s’ka për ta njohur. Monotoninë e thyen ftesa e Rajmonit i cili e fton Mersonë dhe Marinë për vajtur të dielën me të në shtëpizën e Masonit. Ndonëse pa dëshirë, Mersoja e pranon ftesën, por qysh në mëngjes nuk ndjehet disi mirë. Gjatë gjithë rrugës e përcjell një ndjenjë e çuditshme e zbrazësisë.
Shthurja e veprimit fillon pikërisht në atë plazh, atë të diele, kur në rrugë e sipër, në afërsi të shtëpizës takojnë dy arapë. Për shkaqe fare nebuloze dhe të kota, Rajmoni deshi të krisë me revole ndaj arapëve të cilët më vonë përsëri i takuan derisa rreziteshin në plazh, por Mersoja e parandalon shokun e vet të bëjë një marrëzi të tillë. Ia del ta bindë atë për t’ia lënë revolen. I mbetur vetë, Mersonë sikur e tërhoqi diçka që përsëri t’u afrohet arapëve. Në vepër nuk duket qartë përse ndodh kjo. Mos ndoshta për shkak të vapës dhe nxehtësisë së madhe që mund ta kenë shkaktuar reagimin nervoz të Mersosë?! Mos ndoshta për ndjenjat e ndrydhura nga vdekja e së ëmës apo për shkak të mungesës së dëshirës për jetë në një udhëkryq të pashpresë?!
Por ngjarjet që pasojnë gjithsesi meritojnë analizë të mëtejme. Arapi ia nxori thikën Mersosë, kurse ky e qëlloi atë me plumb. Pas kësaj, krisi mbi arapin edhe katër herë të tjera. Lexuesit i mbetet të gjykojë vetë se ç’ishte ajo që e shkaktoi këtë sjellje të papritur të Mersosë. Duket sikur ky veprim, pa vetëdije paraqet revoltë ndaj monotonisë dhe dëshirën e mundshme të Mersosë që t’i ndodhë diçka e çuditshme, në një jetë plot ankth dhe të zbrazët që e përcjell që nga shkolla e mesme.
Tërësia tjetër e romanit është e ndarë në tri pjesë dhe përfshin burgosjen e Mersosë, gjykimin dhe më vonë edhe aktgjykimin. Dukej se ky rast nuk paraqiste ndonjë rëndësi të veçantë për autoritetet e qytetit. Dukej sikur edhe për vetë të akuzuarin kjo ngjarje nuk paraqet diçka të rëndësishme.
Mersoja nuk mbrohej, nuk ndjente kurrfarë nevoje për t’u arsyetuar para gjykatës, as që ndjente ndonjë farë faji.
Ndjenja e tij e të qenit rob i vetë jetës, akoma më shumë e ndërlikoi rrjedhën e gjykimit, fillimi i të cilit nuk kishte asnjëfarë lidhjeje me vrasjen. Çdokujt në gjykatë më së tepërmi i interesonte përse Mersoja nuk ndjente kurrfarë dhimbjeje për të ëmën dhe përse ndjehej krejtësisht i tepërt. Nuk kishte dëshirë të mbrohej, ndaj lejoi ta prezantonin si njeri pa zemër dhe shpirt, me të cilin sundonte zbrazësia.
Gjatë procesit Mersoja ishte përpjekur t’i sqaronte rrethanat e vrasjes së arapit në plazh. Por në sallën ku zhvillohej procesi gjyqësor dhe të mbushur plot e përplot, sqarimi i rrethanave të ngjarjes nga Mersoja hasën në vesh të shurdhët. Të pranishmit në sallë brohoritnin: “Ky që s’paska qarë në varrimin e së ëmës, nuk është veçse një i pashpirt, vrasës i lindur. Si i tillë, nuk meriton asgjë më pak se litarin në fyt”.
Pyetjes së gjyqtarit: “Përse e vrave arapin dhe pas plumbit të parë shkrepe mbi të edhe katër të tjerë”, Merso u përgjigj: “Për shkak të diellit”.
Për ta shpëtuar kokën, për t’i ikur dënimit me vdekje, avokati e sugjeroi klientin e tij në qeli që të deklaronte në gjykatë se pendohej për vrasjen e kryer. I akuzuari e refuzoi sugjerimin dhe i tha mbrojtësit të vet: “Nuk është e moralshme të thuash se pendohesh, vetëm e vetëm për t’i ikur dënimit me vdekje”.
Me aktgjykimin e shqiptuar, Mersoja u dënua me vdekje. Për prokurorin dhe gjyqtarin, rrethanë rënduese ishte fakti se ai s’kishte qarë në varrimin e së ëmës. Pas varrimit, në mbrëmje, kishte vajtur me Marinë për të parë një komedi. Pas kësaj kishin kryer edhe marrëdhënie intime. Me t’i dëgjuar këto fakte dhe argumente, krejt salla u ngrit në këmbë dhe brohoriti njëzëri: “Nëna i ka vdekur, e ky horr shkon në teatër, madje për të parë, jo një dramë apo tragjedi, por komedi. Në mesditë e ka varrosur të ëmën , ndërsa po atë natë ky i pashpirt ka kryer marrëdhënie intime. Vdekje vrasësit”!
Me të dëgjuar shqiptimin e dënimit me vdekje, Mersoja nuk tregoi shenja shqetësimi. Nuk deshi të paraqiste ankesë kundër aktgjykimit. As lutje për zëvendësimin e dënimit me vdekje.
Dita e ekzekutimit po afrohej. Mersoja nuk manifestonte kurrfarë shenjsh frike. Tani absurditeti i jetës dhe i vdekjes iu bënë fare të qarta.
Në qeli e vizitoi prifti me kryqin në gjoks. I kërkoi djaloshit të dënuar me vdekje që t’i lutet Zotit t’ia falë mëkatet. I dënuari ia ktheu: ”Askush, pra as Zoti, s’më kanë thënë se jam mëkatarë. Më ka thënë gjykata se jam fajtor. Prift, nuk i lutem Zotit të m’i falë mëkatet, unë jam ateist”. Prifti u turbullua: “O Zot, ç’njeri qenkësh ky”?!
Para se të ekzekutohej, Mersonë e vizitoi edhe Maria. Atë e sugjeroi që sapo të dilte nga qelia e errët, t’ia dhuronte buzët e njoma një të dashuri tjetër.
Dëshira e të dënuarit me vdekje ishte që këto skena të pakuptimta të marrin fund sa më parë. Ditën e ekzekutimit tim le të ketë sa më shumë njerëz. Le të më shajnë, le të më urrejnë sa më shumë që të jetë e mundur dhe le të më qëllojnë me gurë. Mbase tani e tutje nuk ka për të qenë vetë dhe i parëndësishëm. Më në fund, do të pushojë të jetë i huaj, si në mendjen e vet, ashtu edhe në gjykimet e të tjerëve.
* * *
Gjatë gjithë jetës Mersonë e ka përcjellë ndjenja e indiferencës. Kjo dramë e absurdit është studiuar dhe është interpretuar në hollësi prej kritikëve letrarë më eminentë dhe prej filozofëve më të shquar të Perëndimit.
Studiuesit thonë se për Mersonë ekziston vetëm e tashmja dhe asgjë tjetër përtej saj. Me asnjë veprim të tij, i riu 22-vjeçar nuk i plotëson normat e mjedisit, ndaj privohet nga liria dhe dënohet me vdekje pa fije racionaliteti. Për aparatin ndëshkues, rasti Merso është i pashpresë. Mungesa e vullnetit për jetë e bën atë person të determinuar të jetë humbës, të jetë askush dhe asgjë, një hiç.
Njeri absurd në një botë absurde, këtu qëndron thelbi i këtij romani. Ai pajtohet me fatin. Nuk jep shenja se i vjen keq për mënyrën e jetesës. Nuk ka për çka lufton në një botë të vrazhdët dhe plot djallëzi. Ikjen nga një realitet i egër, qoftë edhe në mënyrën më makabre, nuk e merr për humbje. Megjithëkëtë, ai mbetet në konflikt të përhershëm me botën përreth.
* * *
Tjetërsimi i njeriut dhe revolta ndaj tjetërsimit është nyja kryesore nga e cila udhëhiqet Alber Kamy. Pakënaqësia me vetveten dhe me botën përreth është burimi kryesor i kësaj drame të absurdit. Por Kamy e hedh poshtë edhe dëshpërimin të shkaktuar nga rrethanat e pakuptimta. Individi nuk duhet të lejojë që të përshkohet nga ndjenja e humbjes. Realiteti është simbiozë e situatave, sa të zeza, po aq edhe të bardha. Individi patjetër t’i bëjë ballë ligësisë. Kështu është vepruar gjatë gjithë historisë.
Vetëdija për vetveten dhe revolta ndaj një bote të rrejshme është çmimi që e pagoi heroi kryesor i këtij romani.
* * *
Vrasje fëmijësh dhe nënash, fëmijë pa kokë, nëna pa gjymtyrë, skena si te “Gernika” e Pablo Pikasos, sulm ndaj spitaleve, vrasje e personelit mjekësor, rrëmbime dhe arrestime, tortura, të plagosur të mbetur nën gërmadha, vdekje nga uria, krekosje për numrin e madh të të vrarëve të palës kundërshtare, shkatërrim infrastrukture, djegie fshatrash dhe qytetesh, ndarje familjesh, shpërngulje masive, rritje investimesh për armatim, kanosje me armë bërthamore dhe çmenduri të tjera të pafund. Hekur dhe zjarr në të katër anët, propagandë, gënjeshtra dhe mashtrime, shpëlarje truri, koka pa sy, trupa pa duar. E shëmtuara, e liga, e keqja është bërë normalja e njerëzimit. Valles makabre i prin djallëzorja. Bota qyqare hesht. Djajtë sundojnë, ata e kanë fjalën. Kohë e turpshme kundër qenies njerëzore. Ajo që është ndërtuar me dekada, rrënohet brenda pak kohësh. Para kamerave dalin alamet burra shteti, secili më i ligë se tjetri, më i djallëzuar se tjetri. Ja absurdi!
Photo: theaustralian.com