• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET NË SHQIPËRI-NUK KA KUFINJ MES SHTETIT DHE PARTISË-SHTET

April 30, 2021 by dgreca

-OSBE-ODHIR: Keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, shqetësim më i madh sesa shit-blerja e votes/

-Zgjedhjet në Shqipëri – Gacek: Vëmendje e madhe ndaj çdo ankimi apo rinumërimi votash

  • Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Ambasadorja Urszula Gacek në intervistën për DW e quan shqetësues keqpërdorimin e burimeve të administratës për zgjedhjet e qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit.

DW: Znj. Ambasadore, çfarë ju ka bërë përshtypje deri tani në zhvillimin e procesit zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare, 2021, që u zhvilluan të dielën e kaluar, më 25 prill, në Shqipëri?

Urszula Gacek: Besimi në sistemin zgjedhor që ka filluar të rikthehet. Partitë politike dhe votuesit morrën pjesë. Ajo çfarë do të ndodhë pas ditës së votimit është shumë e rëndësishme. Ne po ndjekim numërimin e votave për të parë, nëse njerëzit mendojnë që shifrat janë një reflektim i ndershëm i realitetit në kutitë e votimit. Do të shikojmë me shumë vëmendje çdo ankim apo rinumërim në ditët në vijim.

DW: Cilat janë sfidat kryesore që misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it ka përballuar deri tani në vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare, 2021?

Urszula Gacek: Kemi pasur dy sfida kryesore: të parën pandeminë Covid -19, që na u desh ta merrnim parasysh për numrin e vëzhguesve, që do sillnim në Shqipëri, vendin se ku do t’i vendosnim, mënyrën sesi do të lëviznim. Për fat të mirë, në Shqipëri, nuk ka kufizime për udhëtimet brenda vendit. Natyrisht, pandemia ndikoi në mënyrën e punës sonë. Kemi realizuar shumë intervista ballë për ballë sidomos në rajone, ku njerëzit nuk përdorin platformën ZOOM. Por ia kemi dalë mbanë duke respektuar masat kufizuese dhe distancimit social. Sfida e dytë lidhet me përmbajtjen e punës sonë dhe ka të bëjë me numrin e madh të amendimeve dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u bënë shumë vonë, në tetorin e kaluar dhe prandaj ka pasur shumë mospërputhje dhe paqartësi në raportin mes ligjit zgjedhor dhe rregulloreve.

DW: A ka prekur shit-blerja e votës besueshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor?

Urszula Gacek: Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit -blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës. Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Europës, Ambasadat, shoqëria civile. Rekomandmi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën ka rëndësi mënyra sesi e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.

DW: Ambasador Gacek, më lejoni të rikthehem tek shqetësimi për keqpërdorimin e burimeve të administratës publike nga forca politike qeverisëse. A mund të ketë ndikuar në besueshmërinë dhe integritetn e procesit? 

Urszula Gacek:Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë. Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi psh. kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka patur vizitata inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale. Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid , nëse je duke mbajtur fjalim dhe  thua “Më votoni” atëhere kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t’i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t’i shikojmë në detaje.

DW:Çfarë mund të thoni për pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim?

Urszula Gacek: Nuk kemi qenë kaq shumë të interesuar për përqindjen e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime. Për dy arsye: Së pari shifrat zyrtare të pjesëmarrësve në votim mund të jenë më të ulëta se 3.6 milionë zgjedhës që figurojnë në listat e zgjedhësve. Kemi të dhëna zyrtare që jashtë Shqipërisë jetojnë rreth 1.6 milionë shqiptarë. Nëse heqim nga kjo shifër fëmijët dhe njerëzit që për arsye të ndryshme nuk kanë të drejtën e votës, atëherë mbeten 1 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë me të drejtë vote që janë në listat e zgjedhësve. Për shkak të kufizimeve për udhëtim nga pandemia Covid-19, që janë kufizime ndërkombëtare, ata nuk vinin për të votuar. Ndërkohë nuk ka ende dispozita për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të tyre, gjë që nuk përbën një standard ndërkombëtar. Në qendrat e votimit, ku isha të dielën e kaluar, njerëzit ishin të interesuar për të votuar, ndërkohë që mendoj se shqiptarët jashtë vendit nuk kanë të njëjtin interes.

Arsyeja e dytë është që fokusi ynë pas mbylljes së votimit është tek procesi i numërimit, që këtë vit është më i komplikuar pasi në fillim duhen numëruar sesa mandate ka marrë secila parti dhe pastaj duhet vendosur, se cili kandidat duhet të marrë mandatin duke patur parasysh opsionin e votës preferenciale që aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Një tregues interesant janë votat e pavlefshme që mund të na dëshmojnë sesa  të informuar kanë qenë zgjedhësit sesi do të votonin nga pikëpamja teknike. Ka pasur disa programe për edukimin e votuesve që u zbatuan me vonesë. Pyetja që ngrihet është nëse këto programe kanë qënë të mjaftueshme apo jo. Votat e pavlefshme janë tregues i problemeve që do të përfshihen në rekomandimet tona në raportin përfundimtar.

DW: Znj. Ambasadore, ju po flisni për rekomandime. Ju lutem a mund të ndalemi tek rekomandimet e misioneve vëzhguese të OSBE / ODIHR-it për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë adresuar dhe që kanë ndikuar në procesin e tanishëm zgjedhor dhe sidomos tek votuesit?

Urszula Gacek:Kam parërekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Shumë prej tyre janë adresuar plotësisht apo pjesërisht. Por dy prej tyre nuk janë adresuar fare dhe sigurisht do të jepen përsëri. Rekomandim i parë, i paplotësuar, është ai për të patur një raport të ndërmjetëm para ditës së zgjedhjeve lidhur me burimet e financimit për fushatën dhe kandidatët. Votuesi mund të mësojë pas fushatës elektorale nga kush u financuan kandidatët për deputetë. Por do të ishte e preferueshme dhe dëshirueshme që këtë informacion votuesit ta kishin para ditës së votimit, që të merrnin vendimin e tyre se për kë do të votojnë. Votuesit duhet të dinë paraprakisht cili qëndron pas kandidatit para se të hedhin votën dhe jo pas hedhjes së saj.

Rekomandimi i dytë, shumë i rëndësishëm, që nuk është adresuar, është përdorimi i vazhdueshëm i materialeve të partive politike në garë në edicionet e lajmeve. Nuk është fjala për reklama, por edicion lajmesh. Kemi rekomanduar që kjo nuk duhet të ndodhë, por nuk është marrë parasysh. Në raportin tonë përfundimtar do të përfshijmë këto dy rekomandime dhe të tjera që nuk janë plotësuar nga zgjedhjet e kaluara si edhe rekomandime te reja, që dalin nga zbatimi i Kodit të reformuar elektoral, ku ka risi të tila si identifikimi elektronik i zgjedhësve apo votimi elektronik.

Rekomandimet do të përfshijnë edhe ꞔfarë ndryshimet duhen bërë në disa fusha të veçanta. Për këte lypset një diskutim publik përfshirës. Shqipëria si gjithë 57 vendet e tjera, anëtare të OSBE, ka marrë zotime për t’i zbatuar rekomandimet, por kjo në fund të fundit varet nga qeveria. Rekomandimet jepen për t’u zbatuar, kur kjo nuk ndodh ka sanksione. Në përgjithësi konstatojmë që Shqipëria ka zbatuar disa rekomandime në të shkuarën dhe ka parë përfitime prej zbatimit të tyre. Besojmë që rekomandimet tona do të pranohen nga administrata e re, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

DW: A po shënon Shqipëria progres demokratik me zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare 2021, mbështetur në raportin tuaj paraprak dhe sesi po ecën deri tani procesi i numërimit të votave?

Urszula Gacek:ProgresDemokratik? Zgjedhjet janë një pjesë shumë e rëndësishme e progresit demokratik, por jo i gjithë progresi demokratik. Mendoj që pjesë shumë e rëndësishme për progres demokratik, sidomos këtu në Shqipëri, është reforma gjyqësore. Nuk jemi këtu për të gjykuar, nëse refoma në gjyqësor është sipas, le të them, standarteve të Këshillit të Europës ose nëse ligji për mbrojten e të dhënave është konform me standartet e BE. Ne jemi të fokusuar tek zgjedhjet parlamentare 2021, por kjo nuk do të thotë që gjërat që po ndodhin, në periferi të misionit tonë nuk ndikojnë tek zgjedhjet.

DW: A ka gjasa që këto zgjedhje të vlerësohen të lira dhe të ndershme? Nga përvoja ime në pasqyrimin  e zgjedhjeve të mëparshme parlamentare ka ndodhur që në raportin përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR-it vlerësimi ka qenë  “këto zgjedhje janë më të mira se të kaluarat” vlerësim që nuk ka lidhje me përcaktimin”, të lira , të ndershme apo sipas standarteve ndërkombëtare”.

Urszula Gacek: Ne nuk krahasojmë një zgjedhje me një tjetër në analizat tona. Nuk përdorim të dhëna krahasuese. Ajo që marrim nga raportet e zgjedhjeve të mëparshme janë rekomandimet për të parë nëse janë adresuar ose jo. Jemi shume të kujdesshëm të mos bëjmë krahasime për të  treguar një lloj trendi. 

DW:Znj. Ambasadore, gjithsesi a mund t’i shihni këto zgjedhje si një ndikim pozitiv që Këshili Europian të vendosë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Ministrore, lidhur me hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE? 

Urszula Gacek: BE ditët e fundit doli me një deklaratë lidhur me këto zgjedhje parlamentare, ku përmend raportin tonë paraprak. Kjo është shumë e kënaqshme për misionin tonë pasi ajo që kemi bërë i jep komunitetit ndërkombëtar një informacion të besueshëm për të marrë vendime të mëdha strategjike. Ndërkohë që ne jemi në Shqipëri për të dhënë një vlerësim të bazuar në të dhëna dhe të paanshëm. Ne nuk mund të ndikohemi nga presioni prej asnjë pale, psh. që mund të thotë, se për Shqipërinë duhet të jepen këto apo ato konkluzione, se duhet të hapen negociatat e anëtarësimit. Puna jonë përfundon me raportin përfundimtar me rekomandime. Pastaj administrata e re, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar mund ta përdorë raportin tonë për qëllimet që u duhen atyre.

Ambasadorja Urszula Gacek është drejtuese e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it

Intervistoi Ani Ruci-DW

Filed Under: Featured Tagged With: Osbe/Odhir, Zgjedhjet shqiptare

Presidenti Biden rendit arritjet në tubimin në 100 ditët e para në detyrë

April 30, 2021 by dgreca

Në ditën e 100 të administratës së tij të re, Presidenti Biden tha se nuk kishte qenë kurrë më optimist për të ardhmen e Amerikës, sepse vendi “është përsëri në veprim. Ne kemi zgjedhur shpresën mbi frikën, të vërtetën mbi gënjeshtrat, dritën mbi errësirën”.

Presidenti Biden foli në një tubim ku pjesëmarrësit qëndruan në makina, të mbledhur pranë Atlantës në shtetin Xhorxhia. Aktiviteti u organizua nga Komiteti Kombëtar Demokrat.

“Ju po dëshmoni se demokracia ofron zgjidhje për njerëzit,” tha presidenti. Fjalët e tij u përcollën me zhurmën entuziaste të borive të makinave.

Shteti i Xhorxhias siguroi dy vende ekstra për demokratët në Senat pas zgjedhjeve të fundit, duke e bërë më të lehtë miratimin e nismave legjislative të presidentit në Kongres.

Presidenti Biden arriti të sigurojë miratimin e Planit për Shpëtim muajin e kaluar, falë 50 demokratëve në Senat.

Në përgjigje të brohoritjeve nga pjesëmarrësit që kërkuan veprim në ndihmë të familjeve imigrante pa dokumente, të bllokuara në qendra federale në kufi, presidenti tha:

“Po punoj në atë drejtim. Më jepni pak kohë”.

Më pas presidenti u kujtoi pjesëmarrësve se kishte mbajtur premtimin për të shpejtuar vaksinimet dhe për t’u dërguar ndihma amerikanëve në nevojë në mes të pandemisë.

Turneu i fitores nga Presidenti Biden u zhvillua më pak se 24 orë pasi ai mbajti fjalimin e tij të parë në një seancë të përbashkët të Kongresit, ku promovoi propozimet e tij për shtimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, ndihmën për familjet, kujdesin për fëmijët si dhe mbështetje për arsimin që do të kushtonin triliona dollarë. 

100 ditët e para të një presidenti amerikan janë bërë një moment i rëndësishëm historik që kur Franklin D. Roosevelt mori detyrën në vitin 1933 gjatë Depresionit të Madh. 

“Aspiratat e amerikanëve kanë përkufizuar këto 100 ditë të para,” tha Nënpresidentja Kamala Harris të enjten në një qendër të madhe vaksinimi në një stadium në Baltimorë. 

Nënpresidentja tha se kur ajo dhe Presidenti Biden morën detyrën, “Më shumë se 10 milionë amerikanë ishin pa punë. Shkollat dhe bizneset ishin të mbyllura. Dhe përveç pandemisë, demokracia jonë ishte shenjestruar. Kapitoli ynë sapo ishte sulmuar nga kryengritësit”. 

Arritjet e ekipit Biden-Harris në 100 ditët e para nuk u kanë bërë përshtypje udhëheqësve të republikanëve në Senat. 

Axhenda e demokratëve është “një përpjekje për të vazhduar ta tërheqin zvarrë vendin por ta çuar sa më shpejt e më thellë nga e majta,” tha senatori Mitch McConnell. 

“Presidenti ynë nuk do të lërë gjurmë në histori nëse vazhdon me këtë qëndrim të njëanshëm përmes radikalizmit”, shtoi senatori McConnell në një deklaratë në lidhje me 100 ditëshin e parë të Presidentit Biden. “Ai nuk do të ketë shumë arritje në këtë mënyrë. Kjo nuk do të jetë e mirë për vendin. Dhe çfarëdo që demokratët bëjnë përmes forcës së egër partiake do të jetë e brishtë”, thuhet në deklaratën e udhëheqësit të pakicës republikane në senat.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 ditet, Presidenti Biden

Kosova kadetë të rinj në akademitë ushtarake Amerikane

April 29, 2021 by dgreca

-Kosova edhe këtë vit me kadetë të rinj në akademitë ushtarake të SHBA-së – Komunikatë për media  e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës/ 

PRISHTINË, 29 Prill 2021-Gazeta DIELLI/ Në kuadër të bashkëpunimit, partneritetit  dhe mbështetjes së vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe pas një procesi të konkurrencës shumë të fortë nga qindra konkurrentë nga shumë shtete të ndryshme të Botës, kandidatët Enderon Vuthaj  dhe Arlind Shefiku janë dy studentë-kadetët e radhës të përzgjedhur të Kosovës  për të studiuar në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake të SHBA-së West Point.  

Studentë-kadetët e rinj, Enderoni dhe Arlindi, me suksesin e tyre kanë nderuar dhe bërë krenar Kosovën dhe urojmë që pas katër vite të studimeve me dijen dhe shkathtësitë e tyre të kthehen për ti shërbyer vendit tonë. 

SHBA, si partneri ynë kryesor strategjik vazhdon përkrahjen gjithëpërfshirëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga fusha e arsimimit dhe trajnimit, donacionet në pajisje, këshillime profesionale e deri te stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta. 

Filed Under: Featured Tagged With: Kadete te rinj, kosova

NJE VATRANE E RE NE 109 VJETORIN E THEMELIMIT

April 28, 2021 by dgreca

MIRË SE ERDHE NE VATER FRANKA !

Sot ME 28 prill, në 109 vjetorin e themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” fituam një vatrane të re,, studente e shkelqyer e Baruch College, Franklin Veliu, mbesa e Sekretares se Vatres, Nazo Veliu. Franka prej kohësh ishte pjesë e Vatres, një nga ndihmeset me të palodhura të gazetës Dielli se bashku me motren si dhe shoqen e saj Mirea Hasani. Mirë se erdhe në Vatër Franka!

Filed Under: Featured Tagged With: Anetaresim ne VATER, Franka Veliu

109 VJET- GËZUAR DITËLINDJEN VATRËR SHQIPTARËVE!

April 28, 2021 by dgreca

GËZUAR DITËLINDJEN VATËR SHQIPTARËVE!/

VATRA ËSHTË VLERË KOMBËTARE-TA RUAJMË!/

        Vatra krenohet sot në 109 vjetorin e Lindjes, me shumë punë të  mëdha Kombëtare që i kryen vatranët në kohët më kritike që prej dy dekadave të para atë shekullit XX:

  • I parapriu Pavarësisë së Shqipërisë dhe orientoi Kuvendin e Vlorës që të shihte nga Perëndimi.
  • Krijoi Trupat VULLNETARE të Mbrojtjes më 1916, i stërviti për 5 vite,dhe më 1920 i dërgoi në Shqipëri, ku djemtë e Vatrës i dolën për zot Atdheut, stabilizuan kufijtë jugorë dhe u bënë pjesë e Luftës së Vlorës. Ata u bënë pjesë e Gardës Kombëtare, paçka se Komandantin që i stërviti në SHBA dhe i udhëhoqi në Shqipëri, Aqif Përmetin, e pushkatuan. Pse? La Amerikën që t’i shërbente Atdheut.
  • VATRA, krijoi që më 1915 Bandën Muzikore të saj, që njihet si “BANDA KOMBËTARE E VATRËS” e cila në Shkurt 1920 shkoi në Shqipëri dhe ngriti frymën Kombëtare me koncertet nëpër Shqipëri. Banda e Vatrës u bë pjesë e Luftës së Vlorës dhe Hymni i asaj Lufte heroike ka për kompozitor dirigjentin e Bandës së Vatrës, Thoma Nasi.
  • Vatra organizoi më 3 Qershor 1917 Fushatën e madhe të ndihmave”Të shpëtojmë Shqipërinë”, ku u mblodhën 150 mijë dollarë(një punëtor merrte në ato kohë 5-7 dollarë në javë), janë miliona dollarë me kursin e Këto para u përdorën për të lobuar për Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësi që e kishim humbur gjatë Luftës së Parë Botërore.
  • VATRA-Ndërhyri pranë Presidentit Wilson, që të shpëtonte Pavarësinë e Shqipërisë. Fan s Noli e takoi Presidentin amerikan më 4 Korrik 1918, tek bëheshin homazhet tek varri i Presidentit George Washington, dhe iu Lut, që të mbronte pavarësinë e Kombit më të vjetër në Ballkan, trojet e të cilit ishin uzurpuar nga fqinjët.
  • Vatra organizoi shërbimin e munguar diplomatik në mungesë të shtetit shqiptar: Emëroi delegatët e saj nëpër Europë dhe SHBA, duke i paguar ata me rroga përmes fushatave që thirreshin”Dita e Delegatit”. Delegatët vepronin në Kryeqytetet e Fuqive të Mëdha: Londër, Paris, Washington, Gjenevë etj. Kryedelegati Mehmet Konica paguhej me 1,600 franga në muaj. Delegatët diplomatik të Vatrës sensibilzuan shtetet e mëdha që të njihnin pavarësinë e humbur.
  • Vatra organizoi një Fushatë të madhe financiare më 1920 -1922, ajo që thirret Huaja e Parë e Shtetit Shqiptar, patriotin Mithat Frashëri, të deleguarin e Qeverisë që doli nga Kongresi Lushnjës, të kryesuar nga Sulejman Delvina, dhe arriti t’i siguronte shtetit shqiptar 198 mijë dollarë.
  • Vatra shtypi për nevojat e shtetit, zyrave, shkollave më shumë se 120 mijë libra që i dërgoi në Shqipëri.
  • Vatra i qëndroi me stoicizëm për gati një gjysëm shekulli luftës së ashpër që bënë kundër saj Tirana dhe Beogradi.
  • Në Nëntor 1969, në përvjetorin e 60-të gazetës së Saj”Dielli” Vatra” organizoi bashkimin e Diasporës shqiptare të Amerikës dhe asaj të Arbëreshëve të Italisë. Në atë veprimtari 10 ditore, Vatra u tregoi amerikanëve se kush ishin shqiptarët, cila ishte kultura dhe trashëgimia e tyre: Konferenca, ekspozita, Mesha të përbashkëta për të gjithë besimet, një paradë e madhe me 5 mijë pjesmarrës në Manhattan, etj…
  • Vatra, sot Vatra, duke ringritur degët e saj në shumë shtete të Amerikës së Veriu dhe Kanada si dhe duke organizuar”Miqtë e Vatrës” në trojet Kombëtare, vazhdon të jetë në shërbim të Kombit në shekullin e dytë të jetës së saj dhe mbanë gjallë traditat, kulturën Kombëtare, gjuhën, Historinë dhe gjithçka shqiptare.
  • VATRA ËSHTË VLERË KOMBËTARE-TA RUAJMË!

Le ta ruajmë Vatrën edhe nga vatranët që e duan atë për veten e tyre, për familjet e tyre, për lavdinë e tyre personale! Të ruhemi nga përçarjet dhe përçarsit!

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar ditelindjen, Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT