• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Driton Salihu: „Në 321 shtëpi të shëndetit në Serbi, isha i vetmi i kombësisë shqiptare“

April 17, 2021 by dgreca

Intervistë ekskluzive me Dr.Driton Salihu, tash më ish drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë

Salihu: „Në 321 shtëpi të shëndetit në Serbi, isha i vetmi i kombësisë shqiptare“

„Konsideroj që arsyja e vetme e shkarkimit tim është ai politik. Komuna e Preshevës ka qenë njërsa ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksnimit të popullatës.“, na tha ndër të tjera, z.Salihu. 

Në këtë kohë të rëndë kur pandemia thuajse në çdo skaj të botës po qëndron dhe po merr jetë njerëzish, në Luginë të Preshevës, në vend se të bashkëpunohet, atje po krijohet panikë te qytetarët e Preshevës me rrethinë, duke e shkarkuar edhe drejtorin e shtëpisë së Shëndetit. Presheva me rrethinë, duke lënë anash simpatitë politike lokale, të gjithë së bashku, përcillnin çdo informacion që vinte nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, ku ai në forma të ndryshme në fillim të pandemisë, mundohej që në mënyrë profesionale me ato mundësi që kishte, që ti informoj banorët e asaj treve me një pandemi që e ka kapluar gjithë botën. Qysh në fillim edhe lexuesit tanë, kanë pasur mundësi të lexojnë një intervistë nga drejtori z.Driton Salihu, ku ai gjithnjë i bënte thirrje banorëve, që ti respektojnë masat e vendosura dhe ashtu u veprua, për një kohë, Presheva me rrethinë, nuk kishte as një person të infektuar. Kur dihet, se egziston shtëpia e shëndetit dhe është stafi që punon aty dhe punonte në çdo kohë edhe në fillim të pandemisë edhe telefoni privat i drejtorit nuk pushonte, për t`u informuar, ku edhe vetë ai nuk pritonte, por postonte githnjë informacione përmes FB, se si është gjendja dhe të mos bëhet panikë, por jepte informacione profesioniste. Shkurt e shqip, qytetari ndjehej më i besueshëm, kur në krye të një institucioni të shëndetësisë është një shqiptarë. Edhe pse një qytet me një përqindje mbi 90 përqind shqiptarë në pandemi, aty shkarkohet drejtori i shëndetësisë dhe në vend të tij vendoset një mjekë serb. Për të kuptuar më shumë pse ka ndodhur ky rast, se si është gjendja aktuale në Preshevë e me rrethinë në këtë pandemi si dhe për projektet që i ka pasur ndërmend ti ndërmarë, na flet ekskluzivisht, Dr.Driton Salihu, tash më, i shkarkuar nga detyra e të parit të shtëpisë së shëndetit në këtë qytet. 

Z.Salihu, përshëndetje të përzemërta. Të falënderoj fillimisht për kohën, që do të ndani për të realizuar këtë intervistë. Lajmin për shkarkimin tuaj nga detyra e e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, thuajse çdo banorë i Preshevës e me rrethinë e kanë pritur keq, sepse jemi në një kohë të rëndë të Pandemisë me Covid-19, plus kur dihen sukseset tua gjatë gjithë pandemisë. Lexuam disa prononcime tuat në disa media, por a mund t`na tregoni drejt, keni menduar, se do merni një shkarkim nga detyra në këtë kohë?


Ju falënderoj edhe juve gjithashtu. Presheva po kalon një situatë të vështirë epidemiologjike, sidomos nga muaji mars kur ndihmë në shtëpi të shëndetit kanë kërkuar 2211 pacient me simptome febrile ku prej tyre 412 kanë qenë pozitiv në Covid-19, çka është një shifër e lartë për një komunë si Presheva. Deri sapo përballeshim me pandeminë globale dhe vaksinimin masiv, unë me një letër nga ministri i shëndetësisë së Serbisë jam shkarkuar dhe në vend timin është emëruar një mjek i kombësisë serbe.

Pse, sipas jush jeni shkarkuar?


Në dokument shkarkimin nga ministria e shëndetësisë nuk ka asnjë edhe një arsyje të vetme për shkarkimin tim. Në momente kur përballesh me probleme në menaxhimin e shëndetsisë, por gjatë kësaj rruge duhet të përballesh edhe me letra “anonime” e procese të montuara gjyqësore e sabotime të inicuara nga persona të ndryshëm.

Kjo sfidë në asnjë moment nuk ndaloi motivacionin tim për një shëndetësi efikase dhe profesionale për Komunën e Preshevës. Këto në foto, që do ta shihni edhe në profilin tim në FB janë vetëm një pjesë e letrave “anonime” të cilat janë dërguar në Beograd për rë inicuar kontrollime të inspektorëve, për të shpifur, e shantazhuar dhe kompromituar Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Ata të cilët kanë qenë pjesë e këtij komploti e mbajn përgjegjësinë për këtë katrahurë. 

Mua më mbetet vetëm keqardhje për pacientet tanë që më së pakti e kanë merituar këtë situatë.

Sigurisht, keni pasur kontakte më herët me ndoj zyrtarë të ministrisë së shëndetit të Serbisë më herët, se si të menaxhohet kjo pandemi?

Po kontaktet kanë qenë të vazhdueshme me Insitutin për shëndet publik pasi ka të bëj me vaksnimin e popullatës po edhe testimet me Covid-19.

Pandeminë e keni menaxhuar që në fillim mirë, por tash, dita ditës, po vijnë lajme nga Presheva me rrethinë, se shumë po ka të infektuar dhe po ndahen nga jeta. Ku është faji?

Rastet e vdekjeve janë rritur, pasi Covid-19 nuk po pyet më as moshën po as gjininë. Të gjithë ata që po kanë sëmundje dytësore po edhe në një far mënyre po lajmrohen me vonesë, një numër i tyre po përfundon edhe me fatalitet.

Ishit i vetmi drejtor shqiptarë i Shtëpisë së Shëndetit në Republikën e Serbisë. Mos ndoshta, pse jeni shqiptarë jeni larguar?

Në 321 shtëpi të shëndetit që janë në Serbi, unë i vetmi i kombësisë shqiptare. Konsideroj që arsyja e vetme e shkarkimit tim është ai politik. 
Komuna e Preshevës ka qenë njërsa ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksnimit të popullatës.

Doktor, padyshim se edhe stafi i mjekëve e kanë pritur keq. Si ishte reagimi i tyre?

Në një komunë ku janë 95% e banorëve shqiptar dhe një drejtues i një institucioni kaq të rëndësishëm vendoset i kombësisë serbe, atherë len të kuptohet edhe revoltimi i shumicës së qytetarëve.

Cili është suksesi juaj më i madh gjatë mandatit tuaj?

Ne kemi qenë përfitues i projektit më të shtrenjtë financiar në Renovimin e plotë të objekteve të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, projekt i cili ende nuk është tenderuar nga Qeveria serbe, edhe pse të gjitha procedurat paraprake kanë kaluar që nga 2017-ta.

Renovimi i urgjencës me mjete Ndërkombëtare, realizimi i Programit të asistencës shtëpiake në bashkëpunim me Komunën e Preshevës për punësimin e stafit mjekësor, zgjerimin dhe avancimin e shërbimeve mjekësore në vendbanimet e komunës së Preshevës, renovimi i ambulantave në vendbanimet e komunës sonë, rekonstruksioni i sistemit të ngrohjes qendrore në një sistem ekologjik, sigurimi i autoambulancave si donacion nga vendet evropiane, vendosja e Sistemit të menaxhimit të orarit të punës për stafin medicinal, sigurimi i vendeve të punës në afat të pacaktuar për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve medicinal, pajisje me aparaturë të re në laborator  e shumë projekte të tjera që janë me rëndësi vitale për një shëndetësi më të mirë për qytetarët e Preshevës.

„Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës“

Përpos disa projekteve, që i keni realizuar, sa jemi të informuar, keni pasur edhe një projekt kërkese për të realizuar edhe spitalin e parë shqiptarë në Luginë të Preshevës, aty diku në mes të Preshevës e Bujanocit?

Presheva dhe Bujanoci e kanë momentin e fundit që të kenë një spital rajonal. Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës.
Unë iu kam drejtuar me arsyje të qarta presidentit serb, kryeministres së Serbisë, ministrit të shëndetësisë si dhe së bashku me vetqeverisjen lokale që kjo iniciativë sa më shpejtë të aktualizohet pasi momentalisht kërkesat primare janë që reparti i pediatrisë dhe sëmundjeve interne janë të patjetërsueshme për qytetarët e komunës së Preshevës që mos të udhëtojnë në qytetet tjera.

Na flisni më shumë ju lutem në lidhje me këtë projekt, ku e keni menduar mbështetjen, nga Ministria e Serbisë, Shqipërisë, Kosovës apo nga diaspora jonë, apo tek të gjitha nga pak, me rëndësi të realizohet ky projekt?

Ne për fillim kemi nevoj vetëm për leje nga Ministria e shëndetësisë gjegjësisht nga qeveria e Serbisë. Vendin, ndërtimin apo edhe realizimin e këtij projekti e kemi më të lehtë, pasi siç dihet edhe diaspora e jonë ka shpreh interesim të madh që Presheva dhe Bujanoci të ketë spital, po ashtu edhe qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë me fondin e premtuar të solidaritetit mund të jap kontribut të veçant. Ne staf kemi, po edhe me angazhimin e mjekëve shtes, do të kompletohej i tërë spitali.

„Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital“

Pse sipas jush, nuk është ndërtuar deri më tash, një spital në Luginë të Preshevës?


Nuk ka pas interes as shteti, po edhe asnjëherë nuk është bë një kërkesë e mirëfilltë dhe e detajizuar që Presheva të ketë spitalin rajonal.
Kur një komunën si Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital, atherë edhe pse Lugina e Preshevës mos të ketë?

Qytetarët e Luginës së Preshevës, siç e dini edhe Ju, duhet të shkojnë në Vranjë, Nish, Shkup edhe më larg për ndoj sëmundje serioze, pse a nuk ka kapacitet mjekësorë lugina. Komenti juaj?

Po, qytetarët e Preshevës për edhe një shërbim më të vogël sekondar mjeksor duhet të udhëtojnë për nëspitalet tjera nëpër Serbi.

Ti kthehemi shkarimit tuaj nga detyra, a keni bërë ndoj ankesë apo keni ndërmend që të ankoheni?

Vendimi për shkarkim është i plotfuqishëm andaj edhe nuk ka asnjë mënyrë ankese.

Besoni, se do të fitoj drejtësia?

Të shohim, është vendim arbitrar nga Ministria e shëndetësisë.

Z.Salihu, edhe njëherë, si e shini shëndetësinë e Preshevës me rrethinë, mu në valën e tretë të Covid-19, ku dita ditës po merr jetë?

E rënduar, andaj edhe qytetarët duhet të kenë shumë kujdes në preventivën ndaj kësaj pandemie. Ende asgjë nuk ka përfunduar edhe pse vaksinimi po shkon mirë.

Për fund të kësaj interviste, mundem të them, nga shumë mendime të banorëve të asaj ane, sa i kemi përcjellur, se kanë thënë, po e humbëm një drejtorë, që nuk është ndal asnjëherë, që të jetë sa më afër nesh, sidomos tash me pandemi. Komenti juaj?

Ne kemi dhënë maksimumin dhe me mundësitë tona i kemi dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë pasë nevoj në luftë kundër Covid-19 dhe ia kemi arritur të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të flm edhe njëherë e u dëgjofshim për gëzime.

Ju lutem. Ju falënderoj edhe juve dhe përshëndes të gjithë lexusit tuaj kudo që ndodhen. Lutem, që të kalohet kjo pandemi sa më shpejt, por edhe kësaj here, edhe pse nuk jam në detyrë, si bashkëqytetarë, ju kisha lutur të gjithë banorëve, që të kenë kujdes, ti mirëmbahen rregullave, sepse pandemia është e pamëshirshme. Prandaj, ju lutem, kujdes, jo panikë, por të kemi mirëkuptim për rregullat që janë vendosur, që të gjithë së bashku të dalim fitues para kësaj pandemie.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Filed Under: Featured Tagged With: Dashnim Hebibi, Dr. Driton Salihu

Liridon Mziu: Baleti për mua është oksigjen

April 17, 2021 by dgreca

Intervistoi E.B., Nju Jork/

Liridon Mziu ka lindur në vitin 1990 në Mitrovicë, Kosovë. Është balerin profesionist i diplomuar prej 12 vitesh. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë në 2010. Ka përfunduar Akademinë e Arteve, dega Muzikë në vitin 2017. 

Kërcimin e ka filluar që në moshën 15 vjeçare kur filloi të mësojë hapat e baletit, karrierë të cilën e ka ndjekur dhe si një profesionist i talentuar nën kujdesin e profesorëve Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Veçon vallëzimin neoklasik dhe kontemporan për stilet e tij të preferuara.

Në vitin 2010 Liridon Mziu u bë pjesë e trupës profesionale të Baletit Kombëtar të Kosovës. Njihet për shfaqet: Bukuroshja e fjetur, Carmen, Oh my god, Don Quixote, O. Taka, Andërr, La fille mal gardée, Sisters, Spartacus, etj. Në vitin 2011ka marrë pjesë në festivalin e Zyrihut në Zvicër me shfaqen “Oh my God”, e cila bëri shumë bujë për publikun zviceran. 

Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?

Liridon Mziu: Jeta e një balerini në Kosovë nuk është aspak e lehtë për faktin se kushtet në të cilat punojmë janë të mjerueshme.

Cilat janë ëndërrat e tua? 

Liridon Mziu: Ëndrrat e mia janë qe të krijoj shfaqje dhe të arrijmë një nivel më të lartë artistik. 

Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?

Liridon Mziu: Në vitin 2006 si student pastaj në vitin 2010 si profesionist. Është mjaft privilegj dhe kënaqësi të jesh pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Cilën shfaqe do veçonit? 

Liridon Mziu: Shfaqja “Ngjyrat e Vallzimit” me koreografi nga Mehmet Ballkan. Nuk kam patur ndonjë rol të veçantë, mirpo gërshetimi i muzikës me lëvizjet e Baletit është arsyeja pse me bën t’a veçoj. 

Çfarë është baleti për ju?

Liridon Mziu: Baleti është pjesë e jetës sime, me të jetoj. Është vallëzim i cili të bën t’i harrosh të gjitha problemet në botën e jashtme. Baleti për mua është Oksigjen.

Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?

Liridon Mziu: Zakonisht e kërcejmë atë çfarë koreografi e kërkon mirpo vallëzimi neoklasik dhe kontemporan janë vallëzime të cilat i kisha veçuar.

Ku jeni përgatitur si balerin?

Liridon Mziu: Në Prishtinë.

Për cilat shfaqe ruani kujtimet më të mira dhe pse?

Liridon Mziu: Gjatë përgaditjeve të shfaqjeve gjithmonë kemi kujtime të mira por e kisha veçuar shfaqjen “Bukuroshja e fjetur|” sepse ka qenë njëra ndër shfaqjet e para që kam marr pjesë si balerin.

Po për mentorin apo profesorin tuaj?

Liridon Mziu: Fatmirsisht kam pas fatin t’i kem dy profesor, profesorin Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Këta kanë dhënë një kontribut të madh në ngritjen dhe nivelin tim e sidomos prof. Ahmet i cili jo vetëm për mua por për të gjithë balerinët ka dhënë shumë. 

Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?

Liridon Mziu: Do ta veçoja pjesmarrjen në festivalin e Zyrihut në Zvicër, ku kemi pas një pritje të jashtëzakonshme si nga organizatorët ashtu edhe nga publiku. 

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Liridon Mziu: Krenohemi me atë qe jemi pjesë e një trupe profesionale dhe me ndikimin që kemi tek publiku i cili deri më tani nuk na ka braktisur as edhe një herë.

Me cilën shfaqe po angazhoheni tani? 

Liridon Mziu: Tani jemi duke punuar në shfaqjen “Entres des Aguas” dhe “Troy Game”, një shfaqje e punuar nga koreografi i mirënjohur amerikan Robert North.

Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?

Liridon Mziu: Perveq baletit me pëlqen të luaj kitar ose piano dhe ecja në natyrë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Baleti, Ermira Babamusta, Kiridon Mziu, Oksigjen

PSE U PENGUA VOTA E DIASPORËS?

April 16, 2021 by dgreca

Florian Haçkaj drejtues i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën politike në Shqipëri, votën e munguar të diasporës, keqqeverisjen, opozitën, gjuhën e urrejtes, kërcënimit në fushatë dhe mbi të gjitha thirrjen për diasporën shqiptare që të bëhet pjesë e ndryshimeve rrënjësore në Shqipëri. Me Florian Haçkaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA. 

QEVERIA NUK REALIZOI AS GJËRAT JETIKE NË SHQIPËRI

Çdo shqiptar sot duhet të bëjë një bilanc të thjeshtë me arkën e tij financiare, me nivelin e shkollave, shëndetësinë, sigurinë kombëtare, punësimin, reformat jetike për vendin, integrimin, luftën ndaj krimit e korrupsionit, rritjen e standartit të jetesës etj. Janë gjërat jetike që mungojnë në Shqipëri e nëse një qeveri që ka 8 vite në pushtet e shumë nga këto më sipër, jo vetëm që nuk i ka realizuar por i ka përkeqësuar, atëhere përse e do përsëri një mandat tjetër? Për rritjen e borxhit publik në nivele marramendëse, për rritjen e taksave, për cënimin e të drejtës së fjalës dhe të tubimeve, për dhunën policore, për kapjen e shtetit, për krijimin e fenomenit parti-shtet apo për çfarë tjetër? Qeveria nuk e meriton asnjë mandat tjetër. Dështoi në përmbushjen e kontratës me zgjedhësit. Shumica e lexuesve tuaj jetojnë në perëndim prej vitesh dhe sado që shohin FB e Ramës me foto që shkëlqejnë, ata janë në gjendje të bëjnë krahasimin me vendet e tyre dhe të mos bien pre e propagandës, duke u nisur nga dashuria për të parë një Shqipëri më të begatë. E kanë krahasimin me vendet e tyre ku nëse shtrohet një rrugë, nuk ka 10 punëtorë e një fotografe të cilët e marketojnë atë më pas. Shteti paguhet nga taksat tona për të na shërbyer kështu që edhe kur bëjnë punë, thjeshtë po bëjnë detyrën por edhe atë po e bëjnë keq sepse mungon gara nëpër vepra publike dhe paratë i shkojnë vetëm disa firmave afër pushtetit. Mirëqënien e një vendi nuk e tregojnë fotot e bukura në FB por shifrat e investimeve të huaja në vend, numri i ulët emigrimit masiv të qytetarëve apo rikthimi i trurit, niveli i lartë i shëndetësisë dhe renditja e universiteteve kombëtare në nivel ndërkombëtar. Të gjitha këto janë si mos më keq dhe Shqipëria renditet në një rang me shumë vende afrikane, sado që jemi në mes të Europës dhe vetëm 2 orë fluturim nga Brukseli, kryeqyteti i familjes së madhe evropiane, ku metojmë të bëhemi pjesë. 

KUSH E PENGOI VOTËN E DIASPORËS?

Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë, është një lëvizje gjithëpërfshirëse dhe premtojmë të jemi opozitë e keqqeverisjes, pa marrë parasysh cila parti është në qeveri. E keqja më e madhe e Shqipërisë sot, është partia-shtet që drejton dhe këtu bëjmë thirrje për ndëshkim me votë. Vota e diasporës si fillim nuk u miratua si pasojë e mungesës së vullnetit politik në tërësi por edhe e qeverisë në veçanti. E them këtë sepse qeveria ka tashmë 8 vite në pushtet dhe prej mëse 2 vitesh që kur se opozita ka dalë nga Parlamenti, ajo ka marrë vendime pa fund në interes të saj. Përveç vullnetit politik kemi të bëjmë edhe me anën teknike që ishte rrjedhojë e mungesës së vullnetit, ana e zgjidhjes teknike iu la KQZ-së për një kohë shumë të shkurtër ku asgjë nuk ishte e sigurtë. Baza e regjistrimit të Shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, do ishte e-Albania dhe sot që flasim, kemi mbi 910000 shtetas, të dhënat e të cilëve janë vjedhur më shumë mundesi nga e-Albania. Aq më tepër që këto të dhëna janë përdorur nga partia socialiste për të mbushur bankën e të dhënave të veta duke bërë kalkulime rreth votuesve. Gjej rastin t’i bëj thirrje të gjithë komunitetit të diasporës shqiptare nëpër botë, të bashkohet e të ngrejë zërin fort që Diaspora të ketë mundësinë e votës në zgjedhjet e ardhshme por edhe të ketë përfaqësuesit e saj në Parlamentin Shqiptar. Diaspora për Shqipërinë e Lirë është e hapur për këdo që dëshiron të ndihmojë.

“DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË” PËR NJË SHQIPËRI TË BEGATË DHE TË ZHVILLUAR

Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’, është një nismë qytetare e lindur në mërgatë, e cila angazhohet në mënyrë pro-aktive për përfshirjen e mërgatës shqiptare në proceset politike dhe ato politikbërëse brenda Shqipërisë. Duke ndjekur me keqardhje gjendjen e vështirë ekonomiko-politiko-sociale në të cilën gjendet Shqipëria, jam i bindur se ka ardhur momenti që gjenerata e re Shqiptare e mirëformuar jashtë, të japë kontributin e vet për fatet e vendit. Kjo ëndërr për një Shqipëri më të mirë e të begatë është mishëruar fort në lëvizjen “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ku janë bashkuar me qindra mbështetës aktivë, të cilët janë motivim për këdo që ka fatin të punoje me ta. Ajo ç’ka e bën të mundur ekzistencën e lëvizjes tonë është ndjeshmëria ndaj çështjeve politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” mbron me pasion e profesionalizëm kauzat për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” është një bashkësi patriotësh, atdhetarësh, profesionistësh, njerëz që kanë pasion e këmbëngulje për ta ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë sa më dinjitoze në sytë e botës dhe për të rritur mirëqënien për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë aty. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” synon që të faktorizojë diasporën e bashkë me të, të sjellë ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri. 

GJUHA BULLISTE DHE URREJTJES NË FUSHATËN E RAMËS 

Fushata po bëhet e tensionuar dhe kryeministri Rama përgjatë gjithë kësaj periudhe ka përdorur në publik, në fushatë ndaj kundërshtarëve një gjuhë tallëse, urryese, fyese, kërcënuese dhe përqeshëse. Një gjuhë totalisht e pa pranueshme për një kryeministër. Më habit shumë fakti se si nuk flasin edhe vetë socialistët por rrinë të ulur në një sallë duke i konfirmuar kryeministrit që ai është në rrugën e duhur. S’po flasim pastaj për shoqërinë civile, e cila pak e ngriti zërin kundër këtij fenomeni të turpshëm.

QEVERIA PO PËRDOR PËR FUSHATË VAKSINIMIN

Qeveria po bën fushatë politike me vaksinat. I tërë procesi po propagandohet publikisht si një meritë e qeverisë dhe posaçërisht e kryeministrit. Vaksinat erdhën një herë me valixhe e më pas në një masë më të madhe, fiks gjatë fillimit të fushatës. Kryeministri po shprehet në daljet e tij publike, citoj: nëse s’më votoni mua, s’ka më vaksina. Nuk di c’të them por të jesh 8 vite në qeveri dhe ta ndërtosh gjithë fushatën mbi 2 fatkeqësi natyrore si termeti dhe pandemia, duhet të kesh dështuar në çdo anë tjetër gjatë qeverisjes tënde. 

QEVERIA NËPËRMJET FORCËS, TREGOI DOBËSINË E SAJ

Përgjatë pandemisë kryesisht por edhe përgjatë protestave e tubimeve, reagimi shtetëror policor ka qenë i dhunshëm, komik e deri absurd. Policë, tanke, forca të armatosura, në rrugë etj ishin një forcë e dobët e qeverisë. Intimidimi dhe dhuna ndaj qytetareve përgjatë qeverisjes së Ramës, duket se janë e vetmja gjuhë që kjo qeveri ka gjetur për të komunikuar me qytetaret e saj e kjo është për të ardhur keq. Bllokimi i fjalës së lirë, shantazhimi i vazhdueshëm i qytetarëve, dhuna policore në rritje e shumë fenomene të tilla në rritje e kanë kthyer shtetin në shkelës të të drejtave të njeriut dhe jo më garantues i tyre.

QEVERIA E KTHEU VËNDIN NJË SHTET MONIST

Europol, Transparency International e të tjera organizata prestigjoze kanë shprehur në publikimet e tyre të fundit, kapjen e shtetit në çdo hallkë nga rilindja e drejtuar nga z. Rama. Gjithçka është nën kontroll total të një individi. Në vitin 2019 në Shqipëri në fakt patëm zgjedhje moniste ndërsa sot kryeministri i partisë-shtet bën thirrje që nëse ai nuk merr mandatin e tretë, çdo gjë do duhet të rifillojë nga fillimi. Pra e sheh veten si një lloj mbreti që kërkon legjitimitet në mënyrë autokrate se si po e drejton shtetin, financat publike, luftën ndaj krimit e korrupsionit, reformat jetike në vend e këto për mua janë qartazi hapa në drejtimin e gabuar për Shqipërinë si pasojë direkte e qeverisjes së keqe. Sipas shprehjeve të ditëve të fundit të Ramës, me atë fillon e mbaron historia, por unë mendoj se Shqipëria është më e madhe se cilido kryeministër që drejton apo dëshiron të drejtojë vendin. Njerëzit ikin e vijnë, Shqipëria ngelet.

KUSH ËSHTË FLORIAN HAÇKAJ?

Është larguar nga Shqipëria pas gjimnazit në vitin 2002, për të studiuar në Gjermani ku dhe u diplomua në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bielefeld-it, në fushën e Ekonomisë, me fokus në Menaxhim ndërkombëtar. Gjatë studimit ka qenë i angazhuar vullnetarisht me rrjetin ASAN (Albanian Students Abroad Network), duke këshilluar e ndihmuar studentët Shqiptarë që dëshironin të studionin në Gjermani. Fill pas përfundimit të studimeve, Florian Haçkaj filloi karrieren e tij profesionale si menaxher në një kompani ajrore në Belgjikë e Gjermani, duke e vazhduar atë më pas në një tjetër kompani në Austri e Zvicër. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu një studim post-Master në «Menaxhim Turizmi» në Universitetin e Lucernës në Zvicër. Pas mëse 5 vitesh në fushën e aviacionit kaloi në fushën e informatikës e përkatësisht asaj të Sigurisë Kibernetike ku punon prej më shumë se 6 vitesh. Prej 4 vitesh drejton departamentin që punon ngushtë me agjensitë e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Ndërkombëtare, misionet e të cilave, janë tejet motivuese për të. Në vitin 2018 kreu studimet shtesë për “Ekselencë në Menaxhim” pranë HSG (Hochschule St. Gallen). Sido që më shumë se gjysmën e jetës së tij e ka kaluar jashtë Shqipërisë, Florian Haçkaj mbetet një qytetar i preokupuar shqiptar. Pasioni i tij për alpinizmin i ndërthurur me atdhedashurinë, e ka bërë të valvisë flamurin Shqiptar në majat më të larta në botë.  

Filed Under: Featured Tagged With: diaspores, Pengimi I Votes, Sokol Paja

MUAJI I RAMAZANIT NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN

April 15, 2021 by dgreca

DIELLI me shqiptarët në Melburn – Australi./

RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN /

Imam Dr. Bekim Hasani, imami i komunitetit shqiptar në Melburn të Australisë rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, organizimin e komunitetit shqiptar në Melburn, rëndësinë e muajit të Ramazanit, bashkëjetesën vëllazërore, vepra të ndryshme bamirësie si: ushqimi i të varfërve, vizita e të sëmurëve në spitale, shtëpi të pleqve, grumbullimi i ndihmave për popullin shqiptar, ndihma të ndryshme gjatë pandemisë etj. Me Imam Dr. Bekim Hasani bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

RËNDËSIA E MUAJIT TË RAMAZANIT NË BESIMIN ISLAM

Ramazani ka një rëndësi të veçantë në fenë islame. Agjërimi i muajit të Ramazanit konsiderohet si njëra nga pesë shtyllat e fesë islame. Allahu na ka treguar në librin e shenjtë se qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm dhe të afrohemi sa më afër Krijuesit tonë. Agjërimi ka një shpërblim të madh tek Zoti Fuqiplotë ngaqë njerëzit të cilët agjërojnë, e bëjnë këtë vetëm për ta kënaqur Zotin e tyre edhe pse askush nuk mundet ta dijë se kush agjëron dhe kush jo. Nga Pejgamberi alejhi selam transmetohet: Allahu i Madhëruar ka thënë: -“Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj”. Nga ky hadith kuptojmë gjithashtu se agjërimi nuk do me thënë vetëm abstenim nga ushqimi dhe pija mirëpo tërë trupi i njeriut duhet të agjërojë duke filluar nga sytë, veshët, duart, këmbët e posaçërisht gjuha e njeriut. Gjuha duhet të largohet nga fjalët e ndyta dhe nga sharjet edhe nëse dikush e ofendon muslimanin me fjalë, ai duhet t’ju tregoj atyre se është agjerueshëm. Pejgamberi a.s gjithashtu thotë: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe punën me të (shpifjen), All-llahu nuk ka nevojë që i tilli ta lë ushqimin dhe pijen e tij. “Në transmetimin tjetër, hadithi fillon me fjalët: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe ashpërsinë në shprehje dhe sjellje”. Zoti xh.sh i ka nderuar agjëruesit duke e quajtur një derë të xhenetit “Er-rejjan” nëpërmjet të cilës vetëm agjëruesit do hynë në xhenet. Pejgamberi a.s thotë: “Në Xhennet ekziston një derë që quhet Rejjan nga e cila hynë agjëruesit në Ditën e Kijametit dhe askush tjetër nuk hyn nga ajo derë . E kur të hyjnë ata, ajo mbyllet e askush tjetër nuk hyn”. 

RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR NË MELBURN 

Komuniteti shqiptar musliman në shtetin e Viktorisë ka organizuar aktivitete të ndryshme gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në katër xhamitë shqiptare që gjenden në shtetin e viktorisë (xhamia shqiptare në qytetin e Sheppartonit konsiderohet si xhamia më e vjetër jo vetëm në shtetin e Viktorisë por në tërë australinë ngaqë qysh nga themelimi i saj ka qenë e hapur dhe funksionale deri me sot. Por edhe xhamia shqiptare në Melburn konsiderohet si xhamia më e vjetër në Melburn që është themeluar në vitin 1969. Nga aktivitetet fetare gjatë Ramazanit, vlen të theksohet organizimi i iftareve të ndryshme kolektive, falja e teravive në katër xhamitë shqiptare, manifestim i veçantë për hir të natës së madhe të Kadrit, falja e Bajramit, si dhe organizmi i mbrëmjeve gazmore për hir të festes së Bajramit etj.

RELIGJIONI NË KUSHTE PANDEMIE, MOTIVIMI I BESIMTARËVE

Koha e pandemisë është një sfidë për të gjithë duke përfshirë edhe komunitetin shqiptar musliman në Melburn të Australisë. Unë si prijës fetar i komunitetit shqiptar musliman në Melburn por edhe prijësit e tjerë, jemi munduar të jemi pranë bashkatdhetarëve tanë në këto kohë të vështira duke mbajtur ligjërata të shumta nëpërmjet rrjeteve sociale, komunikimi me telefon, duke i vizituar ata në shtëpitë e tyre posaçërisht ata që janë më të vjetër dhe nuk kishte kush të kujdeset për shëndetin dhe ushqimin e tyre. Unë kam një leje udhëtimi nga shteti që të kam mundësi të udhëtoj në kohe pandemie kur shteti ka qenë i mbyllur dhe të i ndihmoj ata që ballafaqohen me me dhunë familjare, depresion, apo çfarëdo ndihme që komuniteti kërkon nga ne. 

HARMONIA NDËRFETARE NJË SHEMBULL EDHE NË AUSTRALI

Komuniteti shqiptar në Australi ka një harmoni ndërfetare të shkëlqyeshme që është shembull për shumë komunitete tjera në këtë vend. Çdoherë kur kemi manifestime të ndryshme si fetare ashtu edhe kombëtare, ne gjithmonë jemi të bashkuar, vizitojmë njëri-tjetrin për festa fetare. Kur ne si musliman kemi festat tona si festa e Bajramit, komuniteti shqiptar katolik na viziton dhe i ndajmë ato momenti gëzimi së bashku. Kur komuniteti katolik organizon ndonjë manifestim për hir të Krishtlindjeve apo Pashkëve, ne marrim pjesë. Por edhe kur kemi ndonjë varrim, ne shkojmë në xhami apo në kishë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit personit të ndjerë. Këtë traditë e kemi trashëguar nga familjet tona në vendlindje ku ne si shqiptarë gjithmonë kemi bashkëjetuar dhe kur ka qenë në pyetje kontributi për vendin tonë, ne gjithmonë kemi qenë të bashkuar pavarësisht përkatësisë fetare.  

VEPRA BAMIRËSIE QË LARTËSOJNË SHQIPTARËT NË AUSTRALI 

Ne gjithmonë mundohemi të jemi në shërbim të komunitetit shqiptar në Australi por edhe komunitetit të gjerë australian. Ne kemi marr pjesë në shumë aktivitete të ndryshme siç është: ushqimi i të varfërve, vizita e të sëmurëve në spitale, shtëpi të pleqve, grumbullimi i ndihmave për popullin shqiptar, ndihma të ndryshme gjatë pandemisë etj. Ne veç e konsiderojmë Australinë si vend tonin, duhet të kontribuojmë sa më shumë për ta bërë këtë shtet një vend më të mirë, pasi është vendi ku kanë lindur dhe rritur fëmijët tanë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Bekim Hasani, Melburne-Australi, Muaji i Ramazanit, Sokol Paja

PROMOVIM NË VATËR

April 15, 2021 by dgreca

-VATRA PROMOVOI “DOKUMENTET DIPLOMATIKE ITALIANE” TË STUDIUESIT DR.PAULIN MARKU/

Nga Sokol PAJA /

Të martën më 13 prill 2021, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, promovoi librin e studiuesit Dr. Paulin Marku me titull “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”, Vëllimi I, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë. Në një atmosferë pozitive dhe shumë miqësore, studiues, historianë, gazetarë, patriotë, vatranë, kërkues shkencorë, familjarë, të ftuar, kryetarë shoqatash atdhetare dhe autoritetet drejtuese më të larta të Vatrës, kishin mbushur plot sallën qëndrore të Vatrës në nderim të kësaj dite të shënuar. Ky promovim i rëndësishëm për Vatrën, Institutin e Historisë dhe vetë autorin e botimit Dr. Marku, u prit me shumë entuziazëm nga të pranishmit si një festë e ligjshme e fillimit të fitores ndaj pandemisë globale. Në këtë promovim mori pjesë duke referuar kumtesën e parë Prof. Dr. Muharrem Dëzhgiu i cili theksoi rëndësinë e dokumenteve italiane mbi historinë e shqipërisë dhe viseve e trevave shqiptare, publicisti Idriz Lamaj që foli rreth rëndësisë së dokumenteve arkivore e fakteve historike për historinë tonë kombëtare, editori i Diellit Dalip Greca i cili theksoi në fjalën përshëndetëse rëndësinë e dokumenteve autentike të padeformuara nga sistemi dhe propaganda komuniste etj. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në promovimin e librit të Dr. Paulin Marku me “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”, Vëllimi I, u shpreh se ky promovim hedh dritë për një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve siç është koha e pavarësisë. Z. Berisha i shprehu falenderimet në emër të Vatrës Dr. Markut për studimin voluminoz. “Vatra do të mbështesë pa hezitim Dr. Paulinin dhe të gjithë ata studiues që hulumtojnë në Biblioteka e Arkiva për të sjellë libra që i shërbejnë historisë, albanologjisë, gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare” – siguroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Prof. Dr. Muharrem Dëzhgiu në promovimin e librit të studiuesit Dr. Paulin Marku me titull “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”, Vëllimi I, ndër të tjera u shpreh se botimi i dokumenteve diplomatike italiane ishin shumë të nevojshme për periudhën e para pavarësisë, dokumente këto të marra direkt nga arkivi i diplomacisë italiane për çështjet politike e diplomatike kryesisht. “Dokumentet diplomatike, referuar relacioneve, telegrameve dhe informatorëve që punonin për konsullatat dhe për legatat e ndryshme italiane, evidentohet se Roma i ndiqte me interes primar zhvillimet në Ballkan dhe informohej vazhdimisht për organizimin e shqiptarëve, për gjendjen e brendshme të Perandorisë Osmane dhe rreth qëndrimit të Fuqive të Mëdha” argumentoi Prof. Dr. Muharrem Dëzhgiu. Publicisti Idriz Lamaj në promovimin e librit të studiuesit Dr. Paulin Marku vlerësoi gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të dokumentacionit arkivor si dëshmi e fakteve historike dhe fakteve të tjera relevante jetësore. Vlerën e këtij vëllimi, sipas publicistit Lamaj, e shton më tepër edhe puna e rëndë profesionale dhe e dedikuar e autorit, në përzgjedhje të lëndës, transkriptim dhe përkthim të këtyre dokumenteve në gjuhën shqipe, si dhe në renditjen kronologjike të përsosur shkencore. “Përzemërsisht e përgëzoj Dr. Paulin Markun për nxjerrjen në dritë të këtyre dokumenteve më rëndësi të veçantë në fushën e studimeve historike, pa të cilat nuk mund të shkruhet historia jonë kombëtare drejtë dhe si duhet” – përfundoi publicist Idriz Lamaj. Gazetari i Diellit Sokol Paja, veçoi në këtë promovim figurën e lartë fetare dhe atdhetare Imzot Jak Serreqin i cili në dokumentet diplomatike italiane zë një vend të veçantë si një njeri me ndikim të fuqishëm fetar, diplomatik dhe patriotik. Imzot Serreqi paraqitet në dokumentet italiane diplomatike, si një njeri i besuar i Vatikanit dhe Austrisë. Imzot Serreqi për shkak të ndikimit që kishte, sipas gazetarit Paja, u sulmua fuqimisht prej osmanëve që kërkonin me çdo kusht largimin e tij nga Shkodra. Imzot Serreqi përbashkoi forcat e krerëve të fiseve të Malësisë për ti bërë bashkë në fuqinë e kërkesave mbrojtëse të popullsisë shqiptare “Nëpërmjet lidhjeve e njohjeve personale e fetare, imzot Serreqi loboi fort për të drejtat e malësorëve. Ai e bëri shqetësimin e tyre nga shqetësim kombëtar në shqetësim rajonal e europian” argumentoi z. Paja. Ish nënkryetari i Vatrës z. Asllan Bushati gjatë kumtesës së tij u përqëndrua te karakteri ushtarak i letërkëmbimeve diplomatike italiane duke theksuar se mendimi politiko- diplomatik Italian, është pasqyruar bukur, me vërtetësi, kronologji, vend, kohë etj. Z. Bushati u ndal gjërësisht në armatosjen e popullsisë së viseve e trevave shqiptare në luftën kundër osmanëve. “Dr. Paulin Marku në gjykimin tim ka sjellë një kontribut të shumëanshëm në zbulimin dhe njohjen e të vërtetave historike, diplomatike dhe ushtarake. Metodologjia e studimit e Dr. Paulin Markut, gjuha e përdorur, citimet ekzakte e korrekte, argumentat e dala nga studimi janë pasuri e shtuar në fushën e studimeve historike” –përfundoi fjalën e tij z.Asllan Bushati.

Editori i gazetës Dielli z. Dalip Greca në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e  relacioneve, telegrameve diplomatike e raporteve pasi ato saktësojnë gjendjen në Shqipëri dhe viset e tjera në një periudhë gjashtë muaj para Pavarësisë së Shqipërisë. “Disa nga dokumentat i kam të konsultuara dhe më parë ku shfaqin rolin e diasporës së Amerikës në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë, rëndësinë që pati kryengritja e Malësisë së Madhe në Pavarësinë e Shqipërisë, një kumtesë e mbajtur me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së heroit Ded Gjon Lulit” saktësoi editori i Diellit z.Greca. Në përfundim të promovimit të librit të Dr. Paulin Markut, Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj pasi falenderoi të pranishmit dhe përgëzoi organizatorët e autorin e librit theksoi se populli shqiptar ka një histori të lashtë dhe me karakteristika të veçanta. Sipas z.Rexhaj dokumentet e huaja të botuara na japin mundësinë të shohim në brendësi politikën e një shteti dhe ndikimi nga ngjarjet kombëtare e rajonale. 

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË DOKUMENTET DIPLOMATIKE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË 

Sipas Dr. Paulin Markut Dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë ndriçojnë katër pika kyçe të ngjarjeve në vilajetet shqiptare:

1. Ngjarjet e fillimit të janarit të vitit 1912 i cili ishte vazhdimësi e përplasjeve parlamentare midis përfaqësuesve shqiptarë dhe qeverisë xhonturke. Krahas problemeve të shumta që po përjetonte Porta e Lartë, përplasjet e saj me shqiptarët e rënduan situatën politike. Në vazhdimësi dokumentet pasqyrojnë se si krerët shqiptarë ranë dakord për të organizuar një kryengritje të përgjithshme në të cilën do të angazhoheshin të gjitha viset shqiptare, detyrat që secili prej tyre duhet t’i përmbushte në Kryengritje që do të shpërthente në pranverë të vitit 1912 në vilajetin e Kosovës, pastaj do të shtrihej në vilajetin e Shkodrës e kështu me radhë synohej përfshirja sa më e gjerë e të gjitha viseve shqiptare. Dokumentet paraqesin lidhje dhe kontakte të vazhdueshme të disa prej krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, Sokol Baci, Simon Doda e shumë përfaqësues të tjerë me kancelaritë e huaja. Ata kërkonin në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen e kancelarive evropiane për kauzën e tyre dhe ndihma financiare e armatime për kryengritjen antiosmane. 

2. Ky vëllim dokumentar shërben për të analizuar situatën politike të kohës dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1912 për në Parlamentin Osman. Sipas këtyre dokumenteve, rezulton se një shqetësim i madh për elitën politike shqiptare ishte mënyra se si po bëhej fushata zgjedhore në pranverë të vitit 1912. 

3. E fundit për nga renditja por aspak nga rëndësia është pasqyrimi përmes këtyre dokumenteve të ndikimit të jashtëm në situatën e krijuar në viset shqiptare. Përmbajtja e këtyre dokumenteve nxjerr në pah qëndrimin e Fuqive të Mëdha dhe ndikimin e vendeve fqinjë ballkanikë në çështjen shqiptare. Sipas dokumenteve, ashtu si Perandoria Austro-Hungareze edhe Mbretëria e Italisë ishte për ruajtjen e status-quo-së. Megjithëse Vjena zyrtare, ndërhyri herë pas here tek Porta e Lartë për çështjen shqiptare, ajo nuk arriti të ndalojë kryengritjen e vitit 1912. Ndërsa, Mali i Zi kishte ndikim tek krerët e Malësisë së Madhe dhe u përpoq të përfitojë nga situata për të shtrirë influencën e tij për shkak se shqiptarët ia kishin nevojën për të futur armë nëpërmjet territorit malazez. 

4. Dokumentet e botuara dëshmojnë se Roma kishte informacione të bollshme për organizimin e brendshëm dhe të jashtëm të krerëve shqiptarë në kryengritje si dhe rreth kancelarive evropiane. Në këto dokumente gjendet një numër i madh relacionesh dhe telegramesh që dërgoheshin nga ambasada, legata e konsullata italiane për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe një numër i pakët i dërguar nga kryediplomati San Giuliano për të udhëzuar diplomatët rreth qëndrimit që po ndiqte politika e jashtme italiane ndaj kryengritjes së vitit 1912. Një falënderim të veçantë kam për drejtorin e Institutit të Historisë, akademik prof. dr. Beqir Meta që pranoi recensionimin e këtij vëllimi dokumentar, i cili shprehu gatishmëri bashkëpunimi që nga dita e parë dhe nëpërmjet sugjerimeve, këshillave në mënyrë që libri të ketë të gjitha kriteret shkencore akademike. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dokumente Diplomatike, Dr. Paulin Marku, italiane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT