• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE U PENGUA VOTA E DIASPORËS?

April 16, 2021 by dgreca

Florian Haçkaj drejtues i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën politike në Shqipëri, votën e munguar të diasporës, keqqeverisjen, opozitën, gjuhën e urrejtes, kërcënimit në fushatë dhe mbi të gjitha thirrjen për diasporën shqiptare që të bëhet pjesë e ndryshimeve rrënjësore në Shqipëri. Me Florian Haçkaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA. 

QEVERIA NUK REALIZOI AS GJËRAT JETIKE NË SHQIPËRI

Çdo shqiptar sot duhet të bëjë një bilanc të thjeshtë me arkën e tij financiare, me nivelin e shkollave, shëndetësinë, sigurinë kombëtare, punësimin, reformat jetike për vendin, integrimin, luftën ndaj krimit e korrupsionit, rritjen e standartit të jetesës etj. Janë gjërat jetike që mungojnë në Shqipëri e nëse një qeveri që ka 8 vite në pushtet e shumë nga këto më sipër, jo vetëm që nuk i ka realizuar por i ka përkeqësuar, atëhere përse e do përsëri një mandat tjetër? Për rritjen e borxhit publik në nivele marramendëse, për rritjen e taksave, për cënimin e të drejtës së fjalës dhe të tubimeve, për dhunën policore, për kapjen e shtetit, për krijimin e fenomenit parti-shtet apo për çfarë tjetër? Qeveria nuk e meriton asnjë mandat tjetër. Dështoi në përmbushjen e kontratës me zgjedhësit. Shumica e lexuesve tuaj jetojnë në perëndim prej vitesh dhe sado që shohin FB e Ramës me foto që shkëlqejnë, ata janë në gjendje të bëjnë krahasimin me vendet e tyre dhe të mos bien pre e propagandës, duke u nisur nga dashuria për të parë një Shqipëri më të begatë. E kanë krahasimin me vendet e tyre ku nëse shtrohet një rrugë, nuk ka 10 punëtorë e një fotografe të cilët e marketojnë atë më pas. Shteti paguhet nga taksat tona për të na shërbyer kështu që edhe kur bëjnë punë, thjeshtë po bëjnë detyrën por edhe atë po e bëjnë keq sepse mungon gara nëpër vepra publike dhe paratë i shkojnë vetëm disa firmave afër pushtetit. Mirëqënien e një vendi nuk e tregojnë fotot e bukura në FB por shifrat e investimeve të huaja në vend, numri i ulët emigrimit masiv të qytetarëve apo rikthimi i trurit, niveli i lartë i shëndetësisë dhe renditja e universiteteve kombëtare në nivel ndërkombëtar. Të gjitha këto janë si mos më keq dhe Shqipëria renditet në një rang me shumë vende afrikane, sado që jemi në mes të Europës dhe vetëm 2 orë fluturim nga Brukseli, kryeqyteti i familjes së madhe evropiane, ku metojmë të bëhemi pjesë. 

KUSH E PENGOI VOTËN E DIASPORËS?

Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë, është një lëvizje gjithëpërfshirëse dhe premtojmë të jemi opozitë e keqqeverisjes, pa marrë parasysh cila parti është në qeveri. E keqja më e madhe e Shqipërisë sot, është partia-shtet që drejton dhe këtu bëjmë thirrje për ndëshkim me votë. Vota e diasporës si fillim nuk u miratua si pasojë e mungesës së vullnetit politik në tërësi por edhe e qeverisë në veçanti. E them këtë sepse qeveria ka tashmë 8 vite në pushtet dhe prej mëse 2 vitesh që kur se opozita ka dalë nga Parlamenti, ajo ka marrë vendime pa fund në interes të saj. Përveç vullnetit politik kemi të bëjmë edhe me anën teknike që ishte rrjedhojë e mungesës së vullnetit, ana e zgjidhjes teknike iu la KQZ-së për një kohë shumë të shkurtër ku asgjë nuk ishte e sigurtë. Baza e regjistrimit të Shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, do ishte e-Albania dhe sot që flasim, kemi mbi 910000 shtetas, të dhënat e të cilëve janë vjedhur më shumë mundesi nga e-Albania. Aq më tepër që këto të dhëna janë përdorur nga partia socialiste për të mbushur bankën e të dhënave të veta duke bërë kalkulime rreth votuesve. Gjej rastin t’i bëj thirrje të gjithë komunitetit të diasporës shqiptare nëpër botë, të bashkohet e të ngrejë zërin fort që Diaspora të ketë mundësinë e votës në zgjedhjet e ardhshme por edhe të ketë përfaqësuesit e saj në Parlamentin Shqiptar. Diaspora për Shqipërinë e Lirë është e hapur për këdo që dëshiron të ndihmojë.

“DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË” PËR NJË SHQIPËRI TË BEGATË DHE TË ZHVILLUAR

Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’, është një nismë qytetare e lindur në mërgatë, e cila angazhohet në mënyrë pro-aktive për përfshirjen e mërgatës shqiptare në proceset politike dhe ato politikbërëse brenda Shqipërisë. Duke ndjekur me keqardhje gjendjen e vështirë ekonomiko-politiko-sociale në të cilën gjendet Shqipëria, jam i bindur se ka ardhur momenti që gjenerata e re Shqiptare e mirëformuar jashtë, të japë kontributin e vet për fatet e vendit. Kjo ëndërr për një Shqipëri më të mirë e të begatë është mishëruar fort në lëvizjen “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ku janë bashkuar me qindra mbështetës aktivë, të cilët janë motivim për këdo që ka fatin të punoje me ta. Ajo ç’ka e bën të mundur ekzistencën e lëvizjes tonë është ndjeshmëria ndaj çështjeve politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” mbron me pasion e profesionalizëm kauzat për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” është një bashkësi patriotësh, atdhetarësh, profesionistësh, njerëz që kanë pasion e këmbëngulje për ta ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë sa më dinjitoze në sytë e botës dhe për të rritur mirëqënien për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë aty. “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” synon që të faktorizojë diasporën e bashkë me të, të sjellë ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri. 

GJUHA BULLISTE DHE URREJTJES NË FUSHATËN E RAMËS 

Fushata po bëhet e tensionuar dhe kryeministri Rama përgjatë gjithë kësaj periudhe ka përdorur në publik, në fushatë ndaj kundërshtarëve një gjuhë tallëse, urryese, fyese, kërcënuese dhe përqeshëse. Një gjuhë totalisht e pa pranueshme për një kryeministër. Më habit shumë fakti se si nuk flasin edhe vetë socialistët por rrinë të ulur në një sallë duke i konfirmuar kryeministrit që ai është në rrugën e duhur. S’po flasim pastaj për shoqërinë civile, e cila pak e ngriti zërin kundër këtij fenomeni të turpshëm.

QEVERIA PO PËRDOR PËR FUSHATË VAKSINIMIN

Qeveria po bën fushatë politike me vaksinat. I tërë procesi po propagandohet publikisht si një meritë e qeverisë dhe posaçërisht e kryeministrit. Vaksinat erdhën një herë me valixhe e më pas në një masë më të madhe, fiks gjatë fillimit të fushatës. Kryeministri po shprehet në daljet e tij publike, citoj: nëse s’më votoni mua, s’ka më vaksina. Nuk di c’të them por të jesh 8 vite në qeveri dhe ta ndërtosh gjithë fushatën mbi 2 fatkeqësi natyrore si termeti dhe pandemia, duhet të kesh dështuar në çdo anë tjetër gjatë qeverisjes tënde. 

QEVERIA NËPËRMJET FORCËS, TREGOI DOBËSINË E SAJ

Përgjatë pandemisë kryesisht por edhe përgjatë protestave e tubimeve, reagimi shtetëror policor ka qenë i dhunshëm, komik e deri absurd. Policë, tanke, forca të armatosura, në rrugë etj ishin një forcë e dobët e qeverisë. Intimidimi dhe dhuna ndaj qytetareve përgjatë qeverisjes së Ramës, duket se janë e vetmja gjuhë që kjo qeveri ka gjetur për të komunikuar me qytetaret e saj e kjo është për të ardhur keq. Bllokimi i fjalës së lirë, shantazhimi i vazhdueshëm i qytetarëve, dhuna policore në rritje e shumë fenomene të tilla në rritje e kanë kthyer shtetin në shkelës të të drejtave të njeriut dhe jo më garantues i tyre.

QEVERIA E KTHEU VËNDIN NJË SHTET MONIST

Europol, Transparency International e të tjera organizata prestigjoze kanë shprehur në publikimet e tyre të fundit, kapjen e shtetit në çdo hallkë nga rilindja e drejtuar nga z. Rama. Gjithçka është nën kontroll total të një individi. Në vitin 2019 në Shqipëri në fakt patëm zgjedhje moniste ndërsa sot kryeministri i partisë-shtet bën thirrje që nëse ai nuk merr mandatin e tretë, çdo gjë do duhet të rifillojë nga fillimi. Pra e sheh veten si një lloj mbreti që kërkon legjitimitet në mënyrë autokrate se si po e drejton shtetin, financat publike, luftën ndaj krimit e korrupsionit, reformat jetike në vend e këto për mua janë qartazi hapa në drejtimin e gabuar për Shqipërinë si pasojë direkte e qeverisjes së keqe. Sipas shprehjeve të ditëve të fundit të Ramës, me atë fillon e mbaron historia, por unë mendoj se Shqipëria është më e madhe se cilido kryeministër që drejton apo dëshiron të drejtojë vendin. Njerëzit ikin e vijnë, Shqipëria ngelet.

KUSH ËSHTË FLORIAN HAÇKAJ?

Është larguar nga Shqipëria pas gjimnazit në vitin 2002, për të studiuar në Gjermani ku dhe u diplomua në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bielefeld-it, në fushën e Ekonomisë, me fokus në Menaxhim ndërkombëtar. Gjatë studimit ka qenë i angazhuar vullnetarisht me rrjetin ASAN (Albanian Students Abroad Network), duke këshilluar e ndihmuar studentët Shqiptarë që dëshironin të studionin në Gjermani. Fill pas përfundimit të studimeve, Florian Haçkaj filloi karrieren e tij profesionale si menaxher në një kompani ajrore në Belgjikë e Gjermani, duke e vazhduar atë më pas në një tjetër kompani në Austri e Zvicër. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu një studim post-Master në «Menaxhim Turizmi» në Universitetin e Lucernës në Zvicër. Pas mëse 5 vitesh në fushën e aviacionit kaloi në fushën e informatikës e përkatësisht asaj të Sigurisë Kibernetike ku punon prej më shumë se 6 vitesh. Prej 4 vitesh drejton departamentin që punon ngushtë me agjensitë e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Ndërkombëtare, misionet e të cilave, janë tejet motivuese për të. Në vitin 2018 kreu studimet shtesë për “Ekselencë në Menaxhim” pranë HSG (Hochschule St. Gallen). Sido që më shumë se gjysmën e jetës së tij e ka kaluar jashtë Shqipërisë, Florian Haçkaj mbetet një qytetar i preokupuar shqiptar. Pasioni i tij për alpinizmin i ndërthurur me atdhedashurinë, e ka bërë të valvisë flamurin Shqiptar në majat më të larta në botë.  

Filed Under: Featured Tagged With: diaspores, Pengimi I Votes, Sokol Paja

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS DHE QEVERIA RAMA

May 27, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Ditë e fundit, lexova me vëmendje deklaratën që ka bërë Kёshilli Koordinues i Diasporёs (KKD) mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, deklaratë në të cilën anëtarët e këtij Këshilli shfaqin “shqetësimin” e tyre për shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe për gjëndjen aktuale politike në vend.  Siç dihet, ky institucion pёrfaqёson interesat e diasporёs dhe synon njëherazi të jetë edhe një urë urё lidhёse, kryesisht, me institucionet qeveritare, të pakën ashtu duket deri më tani.  Në deklaratën e lëshuar me 22 Maj, 2020 — KKD thotë se: “Ka ndjekur me shqetёsim tё veҫantё situatёn e krijuar nga shembja e godinёs sё Teatrit Kombёtar.  Mёnyra dhe momenti qё u zgjodh nga qeveria pёr tё prishur godinёn, shoqёruar me arrogancёn kundёr atyre me mendim ndryshe, n’a shqetёson pasi vihet seriozisht në diskutim e ardhmja e Shqipёrise si njё shtet demokratik.  Ështё e pakuptueshme se si nё ҫastet e rёnda tё pandemisё, një nga prioritetet e qeverisё ishte prishja e Teatrit Kombёtar.  Shoqёria shqiptare nё kёtё periudhë të paprecedent ka nevojё pёr qetёsi dhe unitet dhe jo veprime tё nxituara dhe konflikte të panevojsheme”, theksohet në deklaratën e Këshillit të përfaqsuesëve të diasporës shqiptare.  KKD me të drejtë i referohet edhe dhunës së përdorur kundër protestuesve ditën e shembjes së Teatrit, si “një akt i shemtuar dhe aspak demokratik”, ndërkohë që thekësohet se: “Ne dёnojmё pa asnjё rezervё veprimet e qeverisё pёr shёmbjen e Teatrit Kombëtar, mungesёn e transparencёs, shkeljet ligjore, dhe nxitimin nё marrjen e vendimeve”.  KKD u bën thirrje forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani dhe që të ndalohet menjëherё ndjekja penale kundёr personave tё arrestuar e dhunuar nё protestёn e datёs 17 Maj, ndërsa theksojnë se “ndjekje penale ndoshta duhet rezervuar pёr ata qё urdhёruan shembjen dhe ushtruan dhunёn”.

Dihet se Këshilli Koordinues i Diasporës është organizuar dhe miratuar nga qeveria e Kryeministrit Rama, por KKD thotë se megjithkëtë këtë lidhje, ky ent është një institucion i pavarur nga qeveria.  E përshëndes KKD-ën për këtë deklaratë mbi shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar!  Por megjithëse kjo deklaratë e KKD-së kundër shembjes së Teatrit Kombëtar nga autoritetet shqiptare është mjaft e fortë në përmbajtje, për mua çdo organizatë që formohet dhe miratohet nga një qeveri — më bën të dyshojë për qëllimet dhe objektivat e cilësdo qeveri qoftë, përfshir edhe qeverinë e Kryeministrit Rama, për përdorimin e një orgnaiztae të tillë për qëllime politike personale dhe partiake.

Ç’prej fillimit, unë e kam mirëpritur “Samitin e Diasporës” dhe krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si një masë me vend megjithse e vonuar, për vëmendjen që meriton diaspora.  Më ka pëlqyer ideja e takimeve të organizuara për diasporën edhe nga Kosova dhe Maqedonia sepse takime të tilla merrnin një domethënje të rëndësishme kombëtare.  Të pakën në takime të tilla ishim të bashkuar, mendoja unë.  Samitin e parë të Diasporës në Tiranë e kam konsideruar si fillimi i një dialogu të mirëfilltë kombëtar, dialog i cili ka munguar për një kohë të gjatë midis diasporës dhe Atdheut.

Kjo ishte shpresa, por e vërteta është ndryshe.  Fatkeqësisht, Samitet e Diasporës i përngjanin më shumë një mitingu politik të Ramës dhe nuk pasqyruan dialog kombëtar as politik, siç pritej, midis diasporës dhe autoriteteve shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup.  Në këtë përfundim, besoj se mund të vinë edhe antarët e KKD-së, të cilët kanë marrë pjesë në ato samite.  Në deklaratën e tyre më sipër, KKD u bënë thirrje, “forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani”.

Unë i kisha menduar takimet e diasporës në Atdhe si tubime kombëtare, të shqiptarëve të diasporës nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha anët e botës.  Tubime që do të pasqyronin vlerat më të mira stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe vlerat perëndimore të tolerancës politike dhe traditave stërgjyshore dhe do të shërbente si një rast për të bashkrenduar forcat për një bashkpunim më të ngushtë, për të mirën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve. 

Në gusht, të vitit 2016 duke folur në New York para disa përfaqsuesve të komunitetit në lidhje me planet për samitet e ardhëshme të diasporës, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama ishte shprehur duke njoftuar mbajtjen e samitit të diasporës se samiti, sipas tij, ishte  “Një moment për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, gjuhës dhe identitetit tonë unik shqiptar.  Një moment për të diskutuar mbi rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit me shembuj suksesi nga heronjtë e diasporës”. Ka thënë ai.   Zoti Rama ishte shprehur gjithashtu se Samitet e Diasporës duhej të “promovonin edhe imazhin e vlerave tona më të mira”.

Shumë prej nesh jashtë Atdheut për një gjysëm shekulli ose më shumë, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, u jemi përshtatur vlerave politike perëndimore, demokracisë, tolerancës për kundërshtarin dhe respekt ndaj mendimeve të kundërta, respekt për të drejtat e njeriut në përgjithësi, lirisë së fjalës dhe të shtypit në veçanti, e të tjera.  Andaj këto vlera perëndimore, Z. Rama, ne të diasporës shqiptare jemi munduar t’i gjërshetojmë me vlerat tona tradicionale kombëtare stërgjyshore.  Më vjen keq të them por nga ajo që kemi parë deri sot, ne të diasporës shqiptare nuk kemi asgjë të përbashkët me ju.  Z. Kryeministër, shembja e stilit terrorist nga autoritetet shqiptare e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe qeverisja juaj aktuale –siç ve në dukje edhe deklarata e Këshillit Koordinues të Diasporës më lartë – tregon se nuk kemi asgjë më, të përbashkët me ju sa u përket vlerave politike e morale – qofshin ato stërgjyshore, qofshin ato perëndimore.  Shembja e Teatrit Kombëtar është vetëm një çeshtje shqetësimi për diasporën.

Si përfundim, urat po prishën dhe lidhjet shpirtërore po pakësohen gjithnjë e më shumë midis diasporës shqiptare dhe Atdheut tonë të shtrenjtë, pikërisht për arsye të qeverisjes tuaj autoritare, siç u pasqyrua kohët e fundit edhe me shembjen e ilegale të Teatrit Kombëtar, si vetëm një nga ngjarjet shqetësuese, që sipas deklaratës së Këshillit Koordinues të Diasporës është, “me karakter të rrezikshëm për demokracinë e vendit”.

Filed Under: Politike Tagged With: diaspores, Frank shkreli, keshilli kordinues, Rama

Kryetarja e re e Gjakovës kërkon ndihmën e gjakovarëve të diasporës

February 13, 2014 by dgreca

Kryetarja e re e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila të martën ka zhvilluar në Lucern një takim me bashkatdhetarët nga komuna e saj me qëndrim në Zvicër/

Gjakova ka pasur një të kaluar të pasur industriale. Por, ndryshimet e së paku dy dekadave të fundit dhe përfundimisht lufta, i dhanë një goditje të rëndë kësaj tradite. Sot, edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës, komuna në perëndim të Kosovës nuk po mund të marrë veten. Kjo po ndodh pjesërisht si pasojë e gjendjes përgjithësisht të keqe të ekonomisë kosovare por edhe për shkak të politikave jo të përshtatshme që janë ndjekur nga qendra dhe nga komuna.Në këtë gjendje e ka gjetur Gjakovën kryetarja e re e komunës, Mimoza Kusari Lila dhe ajo është zotuar që ta ndryshojë atë. Në kuadër të përpjekjeve të saj në këtë drejtim, ajo po qëndron në Zvicër, ku mbrëmë në Lucern ka pasur një takim me bashkatdhetarët nga komuna e saj. Ajo me këtë rast ka qenë e shoqëruar edhe nga Valdrin Lluka, shef i Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve, si dhe nga nikoqirët, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj dhe ministri këshilltar në këtë ambasadë, Mustafë Xhemajli.

“Arsyeja për të cilën unë kam hyrë në politikë, në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ka qenë qeverisja lokale”, ka nisur kryetarja e Gjakovës bashkëbisedimin me të pranishmit në hotelin Lux në Emmenbrücke të Luernit, të bashkëqytetarit të saj Bekim Raja. “Niveli i qeverisjes komunale ka të bëjë në radhë të parë me menaxhimin. Politikat e mëdha këtu kanë pak vend. Ne kemi nevojë për një model zhvillimi të qëndrueshëm, sepse nga ajo që po shohim në vende të ndryshme, pakënaqësitë dhe trazirat ndodhin vetëm për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike”, ka theksuar Kusari-Lila.

“T`i mbërrijmë komunat tjera dhe t`i tejkalojmë ato”

Më tutje ajo ka radhitur sfidat para të cilave ndodhet si kryetare që posa ka marrë detyrën. “Kemi dy detyra kryesore: të mbërrijmë nivelin e komunave tjera dhe detyrën tjetër, t`ua kalojmë atyre”, ka shprehur ambicien e saj e vetmja femër e zgjedhur kryetare e një komune kosovare.

Sipas saj komunat tjera e kanë kaluar e zhvillim Gjakovën përkundër faktit se ajo ka qenë dukshëm më e zhvilluar se të tjerat dhe ka potencial për të qenë sërish e tillë. “Prandaj synimi ynë është që të bëhemi lider në zhvillim. Një pjesë e mirë e atyre që duhet të ndihmojnë në këtë drejtim jeni edhe ju, pjesëtarët e diasporës”, ka thënë ajo, duke vënë theksin jo vetëm në kapitalin por edhe në përvojat dhe ekspertizën e punës të njerëzve nga diaspora.

“Kemi aplikuar para Komisionit Evropian për hapjen e zyrës për promovimin e zhvillimit ekonomik të Gjakovës. Ne do të kemi njerëz konkretë të angazhuar vetëm për të përcjellë këtë fushë, në mënyrë që ata të bartin edhe përgjegjësi për punën që bëjnë”, ka thënë ajo.

Si risi që për herë të parë në Kosovë do të ndodhë në Komunën e Gjakovës, Kusari-Lila ka përmendur konferencën e donatorëve që do të mbahet që shpejti në këtë qytet.

Konferencë donatorësh vetëm për Gjakovën

“Kjo do të jetë konferenca e parë që do t`i kushtohet vetëm një komune. Në këtë konferencë që organizohet më 22 dhe 23 mars do të prezantojmë projekte konkrete si ai i Liqenit akumulues të Ponoshecit etj, ai i aeroportit, gjegjësisht kthimi i tij në aeroport komercial etj. Kemi vënë kontakte edhe me Bankën Botërore”.

Sipas kryetares së re të Gjakovës, kjo komunë deri më tash fare pak ka aplikuar për projekte zhvillimore nga qeveria dhe nga agjencitë zhvillimore të huaja. “Ne po bëjmë shumë që të mos lëmë pa shfrytëzuar asnjë mundësi të tillë”, ka thënë Kusari Lila. Në këtë kuadër ajo ka përmendur investimin e madh që është duke bërë DEZA e Zvicrës në ujëmbledhës dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Investimi prej 40 milionë eurosh do të jetë i përbashkët në mes të qeverisë së Zvicrës dhe asaj të  Gjermanisë, me participim edhe nga komuna.

Duke folur për qasjen e saj në postin e ri, ajo ka thënë se synon që ta ndryshojë atë perceptimin se të gjithë ata që marrin pozita në pushtet e kanë për qëllim vetëm pasurimin, interesat e tyre personale. “Ne do të japim shembullin se duam të punojmë për përmirësimin e kushteve të jetës të qytetarëve, por për të realizuar këtë, e kërkojmë edhe ndihmën, vullnetin dhe idetë e tyre. Nuk bën vetëm të ankohemi por edhe të gjejmë zgjidhje”.

Kryetarja e Gjakovës i është referuar edhe çështjes së sigurisë së investimeve në komunën e saj dhe sigurisë në përgjithësi. Në këtë kontekst ajo është zotuar se prioritet do të ketë sundimin e ligjit, ndalimin dhe flakjen e praktikave që njerëz të caktuar të privilegjohen për shkak të “meritave” të supozuara etj. “Të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit”.

Në kuadrin e qëndrimit të saj në Zvicër, kryetarja e Gjakovës sot takohet me Odën Ekonomike Zvicër-Kosovë, në Gjenevë, me përfaqësuesit e të cilës do të shqyrtojë mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ndërsa në ditët në vijim ajo do të vizitojë Italinë. Përveç katër bizneseve italiane (njëri prej të cilëve tashmë ka investuar në Gjakovë) ajo do të ketë edhe një takim me kryebashkiakun e Torinos.

Mimoza Kusari Lila ka folur edhe për statusin e ri të Komunës së Gjakovës si zonë e lirë tregtare, status që mundëson lehtësime të ndryshme për zhvillimin e ekonomisë në komune dhe regjion.

Bashkëqytetarët e ardhur nga qendra të ndryshme të Zvicrës kanë zhvilluar një debat interesant me kryetaren e tyre, duke i dhënë mbështetje qasjes së saj të re si kryetare dhe duke u interesuar për kushtet e investimit. Anton Nikolla, afarist nga Bazeli është interesuar për sjelljen në Gjakovë të investitorëve nga Zvicra, Ndërsa Fatmir Hyseni, po ashtu afarist nga Cyrihu, ka kritikuar praktikat në Kosovë sa i përket investimeve në bujqësi, që sipas tij duhet të trajtohen me prioritet. Afaristi Besnik Sadrija ka pyetur për sigurinë e investimeve në Gjakovë dhe për politikat fiskale. (B.SH.)(Kortezi:albinfo.ch)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: diaspores, kerkon ndihme, Mimoza Lila

MEDIET NE KOSOVE NUK I JAPIN HAPESIRE DIASPORES

April 4, 2013 by dgreca

Mediet në Kosovë nuk po i japin hapësirë të duhur informatave nga diaspora, madje mërgatën kosovare vazhdojnë ta konsiderojë si çështje të dorës së dytë. Që të ketë një informim më objektiv kërkohet një qasje më proaktive nga mediet kosovare, kryesisht nga Radio Televizioni i Kosovës, si televizion publik.Kështu u tha të shtunën në kuadër të konferencës organizuar nga projekti “Diaspora për Zhvillim” DfD, në mbështetje me Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe platformes Albinfo.ch.

Në këtë konferencë u prezantua hulumtimi me titull: “Përmirësimi i komunikimit dhe informimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës”..

Hartuesit e këtij hulumtimi, Edona Musa dhe Kastriot Jaha prezantuan në mënyrë të detajuar qasjen që diaspora ka në mediet kosovare. Ata thanë se diaspora ka vazhduar të nëpërkëmbët nga mediat kosovare, për faktin se nuk i është dhëne hapësira e duhur në informim.

Edona Musa kishte vërejtje kryesisht në RTK, si televizion publik që nuk po i japin hapësirë të duhur diasporës. Ajo tha se mërgata shqiptare meriton trajtim më serioz. Përveç RTK’së ajo nuk ishte e kënaqur as në RTV21 as në Koha Vizion.

Sipas saj, janë dhënë vetëm disa emisione nga Turqia, por jo edhe nga Evropa dhe SHBA.

Kastrio Jahaj ndërkaq u fokusua në praktikat më të mira të vendeve të botës sa i përket raportimit nga diaspora. Ai mori si shembull Izraelin, ku nuk ka trajtim ndryshe diaspora nga ata që janë në vendlindje. Po ashtu si praktika të tjera ai mori edhe Moldavinë dhe shumë vende të tjera.

Ai tha se Kosova nuk trajtohet në nivelin e duhur sa i përket informacionit.

Edhe Bashkim Iseni, nga Albinfo.ch u angazhua për praktikat më të mira të informimit në Zvicër por edhe në Kosovë. Edhe ai kërkoi që mediet kosovare, në veçanti RTK si televizion publik, të jetë më efikase dhe të trajtoj në nivel më serioz çështjet e diasporës.

Ndërsa Naim Dedushaj nga Ministra e Diasporës ka përgëzuar autorët për një studim të tillë, i cili sipas tij ka një rëndësi të veçantë për Ministrinë e Diasporës dhe për mërgatën. Ai tha se ky hulumtim mund t’iu shërbej MeD-it, i cili është duke hartuar strategjinë për mërgatën, për periudhën 2013-2018.

Në fund, ndërkaq u dhanë disa konkluzione nga nikoqiri i konferencës, Elbansan Morina nga Diaspora për Zhvillim DfD. Ai tha se debati është fokusuar kryesisht rreth informimit, por jo edhe komunikimit Kosovë-Diasporë.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga RTK dhe RTV21, sikurse edhe gazetarë të tjerë të medieve kosovare, përfshirë edhe Arbër Vëllahiun nga Presidenca e Kosovës dhe përfaqësuesin edhe disa përfaqësues të portaleve informative nga mërgata.

Nga Konferenca dolën disa rekomandime

Në fund u nxorën edhe disa rekomandime. U kërkua që ketë koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve vendore, lidhur me aktivitetet që i dedikohen diasporës. “Misionet diplomatike dhe konsullore të kenë një qasje më proaktive në raport me pjesëtarët e diasporës; çështje prioritare të jetë mësimi i gjuhës shqipe, Programe të veçanta për fëmijët që jetojnë në diasporë; Cilësia e lajmeve për diasporën dhe filtrimi i tyre;

Po ashtu u kërkua që mediet të bëjnë sondazhe lidhur me nevojën e diasporës për informim…; Të ndërpritet qasja e transmetimit të programeve ndaras (satelit & tokësor) nga mediumet në Kosovë: te krijohen programe të veçanta që do të tërheqin gjeneratën e dytë dhe të tretë për tu informuar nga mediumet kosovare, etj.

Kryeziu, për krijimin e një Këshilli Trans-nacional

Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër, Jeton Kryeziu gjatë debatit dy ditor në Prishtinë, kërkoi krijimin e një Këshillit Trans-nacional të diasporës, por edhe emërimin e një përfaqësuesi për t’u takuar me përfaqësuese të vendeve tjerë, të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Diasporës dhe partitë politike për të avancuar konkretisht këtë nismë.

Ai po ashtu ishte kritik edhe në çështjen e informimit diasporë-Kosovë, por edhe brenda vetë diasporës. Kryeziu tha se po mungon një koherencë e plasimit dhe informimit të zhvillimeve të diasporës në Kosovë, përfshirë këtu edhe zhvillimet e Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër.

“Nuk i kushtohet mjaftë kujdes dhe kohë Diasporës në media, sidoqoftë në krahasim me rolin si ka luajtur, e luanë aktualisht dhe ka me luajtur në të ardhmen Diaspora për Kosovën”.

“Po ashtu nuk mjafton vetëm informimi “Kosovë – Diasporë” por duhet edhe më shumë informim “Diasporë – Diasporë”, si p. sh. rreth ekzistimit dhe qëllimet e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës dhe manifestime, organizime, projekte, etj:, tha ai.

Këto komente Kryeziu i dha gjatë debatit dyditor organizuar në Prishtinë organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) dhe Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD) në kuadër të projektit “Diaspora për Zhvillim”, i cili financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.(AlbInfo.ch)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: diaspores, hapesire, Mediet ne Kosove, nuk i japin

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të Heroit të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku
  • Presidentja Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin
  • Lot të bardhë…
  • UDHËKRYQET E KOSOVËS…
  • Çfarë është deliri madhështisë?
  • Nevoja urgjente për lidership
  • NJË KËSHILL MBARËKOMBËTAR, PËR TË KOORDINUAR STRATEGJITË DHE MBROJTJEN E INTERESAVE TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN…
  • Woodrow Wilson: Do të bëhej një komb i harbuar…
  • Veprat bamirëse të Mehmet Ali Pashë Kavallës në vendlindjen e tij
  • “VATRA” DHE SHTETFORMIMI KOMBËTAR
  • Aktivitetet e Vatrës kanë gjurmë të fuqishme në historinë e re të Kosovës
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • STATEMENT BY AMBASSADOR JEFFREY M. HOVENIER September 24, 2023
  • Sulmi terrorist serb ndaj policisë së Kosovës, sulm ndaj sovranitetit të Kosovës
  • Kryeministri Kurti me anëtarë të kabinetit ndezën qirinj në nderim të heroit, Afrim Bunjaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT