• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-SHBA, përkushtim për marrëdhënie të shkëlqyera

April 7, 2021 by dgreca

-Ambasadori Amerikan Philip Kosnett uron Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani/

-Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Amerikan Kosnett/

PRISHTINË, 7 Prill 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, priti të nakim Ambasadorin e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett.

Me këtë rast, Ambasadori Kosnett e uroi dhe njëherë Presidenten Osmani për marrjen e detyës, duke theksuar që ashtu siç Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të, e njëjta vlenë dhe për SHBA-të dhe angazhimin e tyre karshi vendit tone, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca.

Duke folur për prioritetet dhe çështjet të cilat do t’i shtyej përpara Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj, ajo theksoi që në përputhje me kompetencat kushtetuese, politika e jashtme, siguria, e forcimi tutje i shtetësisë do të jenë pamëdyshje në fokus të parë. Gjersa, theksoi tutje që do të punojë në mënyrë aktive për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendit. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe nevojen për mobilizim ndër institucional për menaxhim të suksesshëm të saj, Presidentja Osmani pohoi që do të angazhohet për të ndihmuar në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë. Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojen për respektim të plotë të masave të prezantuara të qëverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë.

Në takim, Presidentja Osmani po ashtu e siguroi Ambasadorin Kosnett që do të angazhohet në plotni që të krijojë një platform të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jap konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.

Filed Under: Featured Tagged With: Kosnett-Osmani, SHBA-Kosove

Ceremonia e pranimit të dëtyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

April 6, 2021 by dgreca

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 6 Prill 2021/ Është zhvilluar sot ceremonia e pranimit të dëtyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e zgjedhur me 71 vota nga Kuvendi 120 anëtarësh në seancë të jashtëzakonshme mbrëmjen e të dielës së 4 Prillit 2021.

“Për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19 nuk do të organizohet një Ceremoni e Inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës. Mirëpo, do të organizohen një sërë aktivitetesh për ta shënuar pranimin e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe të cilat janë përshtatur me rrethanat”, theksonte njoftimi i dërguar nga Presidenca.

Axhenda nisi në orën 10:00 me arritjen e Presidentes Osmani te hyrja e ndërtesës së Kuvendit e të Presidencës në Sheshin Ibrahim Rugova të Prishtinës, ku u zhvillua Ceremonia e revistës së trupave të Togut Ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pastaj pritja e parë në takim në Kabinetin e Presidentes së Republikës ishte për ekipin e xhudistëve kampionë…

Në ceremoni ishte edhe Kryeministri Albin Kurti  me anëtarë të Qeverisë,  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës,  Philip Kosnett, dhe diplomat të tjerë.

Ishin bashkë edhe me dy vajzat e tyre binjake  Presidentja Osmani me bashkëshortin.

Vjosa Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. I pari ishte  Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.Ushtruesi i detyrës së Presdentit – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,  ka shkruar:I nderuar që sot ia dorëzova Kushtetutën e Republikës së Kosovës Presidentes znj. Vjosa Osmani-Sadriu me rastin e ceremonisë së pranimit të detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

NJOFTIMI I DËRGUAR NGA PRESIDENCA E KOSOVËS:

CEREMONIA E PRANIMIT TË DËTYRËS SË PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19 nuk do të organizohet një Ceremoni e Inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës. Mirëpo, do të organizohen një sërë aktivitetesh për ta shënuar pranimin e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe të cilat janë përshtatur me rrethanat.

Në vijim ju prezantojmë agjendën zyrtare të organizuar me këtë rast:

AGJENDA (6 PRILL 2021)

10:00Arritja e Presidentes së Repubikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu Lokacioni: Përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës (Hyrja e parë, Sheshi Ibrahim Rugova) 
10:00 – 11:00Ceremonia e revistës së trupave të Togut Ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës 
11:00 – 11:30Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim ekipin e xhudistëve kampionë Lokacioni: Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, C-101 
11:30 – 12:00Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim nxënësit e Institutit ATOMI Lokacioni: Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, C-101 
12:45Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, e shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, viziton Qendrën e Vaksinimit në Prishtinë Lokacioni: Salla “1 Tetori”, Prishtinë 
13:15Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, bënë homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova Lokacioni: Varri i Presidentit Ibrahim Rugova, Velani, Prishtinë 
13:30Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, vendosë buqetë me lule tek Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës Lokacioni: Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (Hyrja e parë, Sheshi Ibrahim Rugova) 
13:40Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, vendosë buqetë me lule tek Monumenti “Heroinat” Lokacioni: Sheshi i heroinave, Prishtinë 
14:30Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Lokacioni: Prekaz, Skenderaj 
 17:00Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe gjeneralët e FSK-së Lokacioni: Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, C-101

Filed Under: Featured Tagged With: Ceremonia zyrtare, presidente, Presidente e Republikes

NDEROHET JONUZ NDREU

April 3, 2021 by dgreca

NDEROHET ME RESPEKT NGA FAMILJA, KOMUNITETI DHE VATRA, JONUZ NDREU/

-Me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta u organizua veprimtaria përkujtimore, u vendosën kurora e buqeta me lule tek varri, dhe u shtrua drekë për shpirtin e Jonuz Ndreut-

Të shtunën, 3 Prill 2021, në një vjetorin e ndarjes nga jeta u kujtua me respekt Jonuz Hysen Elezi(Ndreu), një nga ikonat e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ceremonia përkujtimore nisi në orën 11 paradite në varrezat Totowa, në New Jersey. Një masë e madhe nga komuniteti kishin ardhë për të nderuar fisnikun e Dibrës, pinjollin, nipin e Heroit Kombëtar Isuf Elezi, të birin e antikomunistit Hysen Elezi, nëntogeri i Ushtrisë Amerikane, vatrani shembullor,i nderuar me Mirënjohjen e lartë të Vatrës .

       Përkujtimi ka nisë me ceremoninë fetare, ku imamët e Qendrës Islame Shqiptare në Garfield, NJ u lutën për shpirtin e Jonuz Ndreut. Më pas e bija e Jonuz Ndreut, Desi, përmes lotëve kujtoi e nderoi të atin dhe falenderoi të pranishmit e shumtë që kishin ardhë për ta nderuar qytetarin ikonë të komunitetit, qytetarin shembullor amerikan, atin e saj të dashur.

Në ceremoninë përkujtimore ishte e pranishme edhe një përfaqësi e Vatrës me Kryetarin Elmi Berisha, nën/kryetarin Pashko Camaj, sekretaren Nazo Veliu, anëtarët e Kryesisë: Marjan Cubi me zonjën Dila, Anton Raja, Mark Mernçaj, Dalip Greca, nipërit Çezar Ndreu(anëtar i Këshillit të Vatrës), Ramiz Ndreu etj. Në ceremoni dhe drekë ishin të pransihëm edhe një numër i konsiderushëm vatranësh.

Kryetari dhe Kryesia e Vatrës kishin përgatitur një kurorë në nderim dhe respekt të vatranit të përjetshëm Jonuz Ndreu.

Pas ceremonisë përkujtimore familja shtroi drekën përkujtimore për shpirtin e njeriut të dashur të saj Jonuz Ndreut në restorantin Venetia, në Garfield.

Përveç Imamëve që përcollën lutje fetare, gjatë drekës ka përshëndetur edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha. Kryetari Berisha tha se Jonuz Ndreu ishte vatrani model, siç ishte dhe qytetar model i Amerikës, atdhetar i përkushtuar, prind i dashur dhe i respektuar, që na la pas modelin se si duhet ta duam dhe të luftojmë për ta nderuar Kombin, kudo ku jetojmë, si të respektojmë familjen dhe komunitetin! 

I përjetshëm kujtimi dhe vepra që la pas Jonuz Ndreu!

Siç u tha gjatë drekës, edhe ish kryetari i Vatrës, dr.Gjon Buçaj kishte dërguar një përshëndetje me e.mail për familjen e Jonuz Ndreut.

(Më hollësisht për veprimtarinë përkujtimore do t’ju informojmë në Diellin në print)

Filed Under: Featured Tagged With: Jonuz Ndreu, nje vjetori, PERKUJTIMI, Vatra

PASHKËT, KRISHTI I NGJALLUR SHKATËRRON VDEKJEN DHE MËKATIN

April 2, 2021 by dgreca

Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York në një komunikim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, uron në mënyrë solemne besimtarët e krishterë në USA dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botën me rastin e festës së Pashkëve. Famullitari Popaj falenderon dhe bekon besimtarët e famullisë së tij për përballimin me sukses të pandemisë në një kohë që jo vetëm nuk ia kthyen shpinën Zotit por dëshmuan fe dhe shpresë si dhe lutet për shpirtrat e humbur gjatë pandemisë globale.  Famullitari Popaj apelon për dashuri, vëllazëri, lutje, bekim, shpresë dhe pendesë.

PASHKËT, FESTA KU KRISHTI MUNDI VDEKJEN

Festa e Pashkëve është festa më e rëndësishme për ne të krishterët, është koha dhe festa më e shenjtë. Kjo festë është misteri i mistereve. Është koha në të cilën Krishti tregon se pse ka ardhur në botë për shëlbimin tonë, për të shkatërruar atë që na ka shkatërruar neve, vdekjen tonë e për të na ringjallur në jetën e pasosur. Vdekja ka ardhur prej mëkatit. Jezusi e shkatërron të keqen me ardhjen e tij. Për shëlbimin tonë Jezusit i është dashur të kalojë në shumë mundime njësoj si mundimet tona në jetë. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që përkojnë me vuajtjet dhe sakrificat e Jezusit 40 ditë e netë në shkretëtirë, që quhen Kreshme. Ne perkujtojmë atë rrugëtim sprovash e mundimesh që Jezu Krishti ka kaluar për shëlbimin tonë. Krejt besimi i krishtërë është themeluar në misterin e Pashkëve, në mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit prej të vdekuri. Ne vdesim me Krishtin e ngjallemi me Krishtin. Pashkët fillojnë përgatitjen që nga e “Mërkura e Përhimeve”, që fillojnë Kreshmet 40 ditë që na përgatisin si të krishtërë, për ti jetuar shpirtërisht këto kohë. Është një kohë thellimi në jetën tonë, kohë reflektimi në vepra të mira, në pendesë, në sjellje të mirë, në rrëfime, përshpirtshmëri, ka shumë rëndësi jo vetëm me u duk i krishterë por me jetu si i krishterë. Ashtu siç Krishti çrrënjosi vdekjen, ashtu dhe ne duhet të çrrënjosim brenda vetes tonë mëkatin. Më pas fillon e Enjtja e Madhe, ose tre ditëshi i Pashkëve që është themelimi i meshës së shenjtë dhe urdhëri i Krishtit që thotë: ‟Bëjeni këtë në përkujtimin tim”. Është themelimi i urdhërit të meshtarisë, shugurimi i apostujve. Jezusi u lan këmbët apostujve duke treguar dashuri të madhe. Se dashuri nuk do të thotë vetëm gjëra të mira por edhe sakrificë, edhe pluhuri i këmbëve, që simbolizon pluhurin e mëkateve tona. Është një shenjë e madhe dashurie e sakrifice. Kjo është shenjë e dashurisë së Zotit ndaj nesh, i cili përveç të tjerash vdes në kryq për shëlbimin tonë, për larjen e mëkateve tona. Në Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujtojmë kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Të shtunën është vdekja e Jezusit, e vetmja ditë që s’ka meshë. Të shtunën Krishti pushon në varr.  E Diela e Pashkëve është Ringjallja e Krishtit nga varri. Fjala ‟Pashkë” do të thotë “pesa” në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Kalimi nëpër detin e kuq, është një formë pagëzimi, kalim në tokën e premtuar. Kalimi i ëngjullit të vdekjes mbi dyert e shtëpive që ishin të lyera me gjakun e qingjit të Pashkëve në formë T. Qingji i Pashkëve është Krishti vetë, ai ofron theroren dhe bëhet vetë therore. Gjithçka që është thënë në testamentin e vjetër është zbuluar dhe plotësuar në testamentin e ri, testamentin e Krishtit. Pashka është festa e festave për ne të krishterët. Sa fort don Zoti me shëlbuar njerëzimin mbarë me anë të vdekjes e ringjalljes së Krishtit.

PANDEMIA NA FORCOI NË FE DHE SHPRESË

Për famullinë tonë ka qenë një vit shumë i vështirë. Me ndihmën e Zotit kemi dalë të jemi të fortë në fe dhe në shpresë. Ne jemi një popull shumë i ndërgjegjshëm dhe që zbatojmë me përpikmëri rregulloren dhe ligjet e Administratës së shëndetësisë dhe rregullat e kishës. Jemi një popull i vuajtur që kemi kaluar shumë në të kaluarën. Kjo na ka bërë më të fortë në fe dhe të dëgjueshëm. Kemi pasur mirëkuptim te njerëzit në zbatim të rregullave. Edhe ceremonitë kanë qenë në zbatim të plotë të rregullave dhe besimtarët kanë dëshmuar një qytetari të veçantë në këtë kohë. Ishte një kohë e pazakontë dhe na ka ardhur keq kur u kemi thënë besimtarëve mos hajdeni në Kishë, sa herë ndryshonin rregullat e shtetit për pandeminë. Edhe pse kishim shumë humbje, feja e njerëzve veçse rritej e nuk pakësohej. Besimtarët kanë qenë të shkëlqyer në këtë periudhë të vështirë për mbarë globin e jo vetëm për famullinë tonë. I falenderoj dhe i bekoj në mënyrë të veçantë.

RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË

Ka qenë shumë e vështirë që të realizonim proceset fetare në famulli në kushtet e izolimit dhe pandemisë masive por nepërmjet LiveStream kemi ofruar çdo shërbesë fetare pothuajse si në kushtet normale. Në çdo moment ne kemi qenë prezent për besimtarët tanë. Besimtarët nuk u shkëputën nga kisha por qëndruan të lidhur shpirtërisht. Besimtarët tanë kanë pasur një fe të gjallë. Jam ndjerë i mrekulluar prej besimtarëve tanë që na kanë ndjekur dhe kanë treguar besim të fortë. Kjo është një shenjë e mrekullueshme prej Zotit. Duke qëndruar të lidhur me Zotin, në lutje dhe shpresë, duke ia dedikuar Zotit, duke i motivuar fort, duke u qëndruar pranë me këshilla dhe lutje kemi arritur të formojmë një marrëdhënie të fortë në fe dhe shpresë me besimtarët tanë. Lavdi i qoftë Zotit për besimin që kanë në zemër besimtarët tanë. Ata gjatë kësaj periudhe kanë treguar një shenjtë të fortë feje. Historikisht, ne shqiptarët kemi treguar shenja e lidhje të veçantë me besimin. Në kohërat më të vështira shqiptari nuk e humbi fenë. Këtë e dëshmuan edhe në këtë pandemi. Kjo është dhuratë dhe bekim prej Zotit. 

FAMULLIA ZOJA E SHKODRËS PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE

Numri i vdekjeve dhe infektimeve jo vetëm në famullinë tonë por globalisht ka qenë një vit që nuk mbahej mend më parë. Bota u gjend sa hap e mbyll sytë nën një kërcënim dhe infektim masiv. Bilancet ishin si të luftës. Për këdo ishte e vështirë. Shumë gjëra ndryshuan por feja jonë nuk ndryshoi. Që prej pandemisë më shumë se 135 vetë ndërruan jetë, vdekje të parakohshme, një shifër kjo shumë e lartë për famullinë tonë. Në kushte normale, kjo famulli regjistronte nga 10 deri në 15 vdekje në një vit, imagjinoni sot sa të larta janë shifrat. Ky ishte një vit i rëndë pasi mbi të gjitha njerëzit nuk dinin fundin e kësaj pandemie dhe shqetësimi sa vinte e shtohej. Ne jemi popull që kemi vuajtur gjithmonë. Vuajtja nuk na ka frikësuar, vuajtja na ka forcuar më shumë. Shqiptari është i gjallë, është i fortë. 

JETA FAMULLITARE NË FAMULLINË ZOJA E SHKODRËS

Besimtarët e mi nuk janë thjeshtë besimtarë, ata janë familja ime. Unë kam 30 vjet këtu me këtë popull të dashur e të nderuar. Ne kemi një lidhje speciale mes nesh. Ne jemi rritur së bashku, ne jemi një familje e madhe. Njihemi familjarisht e kemi lidhje shumë të fortë. Shqiptarët janë model për jetën katolike që bëjnë. Kjo sëmundje ka shkaktuar dëme dhe çregullime politike, ekonomike, sociale, psikologjike. Kjo pandemi ka vënë në rrezik krejt njerëzimit në të gjitha aspektet. Pavarësisht sfidave të mëdha sidomos tek emigrantët e rinj, ata gjithmonë e gjejnë kohën të ndjekin procesionet fetare dhe të jenë të rregullt në kishë. U jam mirënjohës për fenë dhe besimin që kanë. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë më të mira për besimin dhe devotshmërinë që kanë. 

MESAZHI I URIMIT PËR FESTËN E PASHKËVE

Kjo është një festë e madhe për të gjithë ne. Si fillim lus Zotin që në këtë kohë të shenjtë të pendesës, të uratës e të bamirësisë që të na shërbejnë për përmirësimin tonë të vazhdueshëm shpirtëror e fizik. Festë të gëzuar, të paqtë e të lumtur për të gjithë. Lus Zotin për të gjithë ata njerëz që e ndjejnë vetën të larguar pak prej Zotit që kjo kohë ti afrojë afër Zotit e njëri tjetrit. Kush vjen afër Zotit vjen afër familjes e afër vetvetes. Lus Zotit që të shërohen të gjithë ata që po lëngojnë prej pandemisë e të gjitha sëmundjeve e shqetësimeve të tjera. Lus Zotit që të shërojë çdo njeri ashtu si Krishti na sheroi ne prej sëmundjes së vdekjes. Lutem që pandemia të mbarojë sa më shpejt dhe bota të gëzojë paqen, zhvillimin e begatinë, pa kërcënime e shqetësime sëmundjesh, por me lumturi e besim te i madhi Zot. Lus Zotin që të kemi një kohë shërimi për të gjallët dhe për të ikur në botën e pasosur të kenë jetën nëpërmjet Krishtit me anë të Ringjalljes. I lumi Jezu Krisht me anë të Ringjalljes dhe dritës së tij, të lutemi që ta shkatërrojë terrin e vdekjes e të sjellë për të gjithë njerëzit shpëtimin e shëlbimin që ne presim dhe lutemi çdo ditë. Shërimi i Krishtit dhe shpëtimi që vjen prej tij le të jetë prezent në jetën e secilit prej nesh. Pashkë të gëzuara e të bardha për të gjithë. 

Filed Under: Featured Tagged With: dom Pjeter Popaj, Pashket

KUJTESË- TRE VJET PA AGIM KARAGJOZIN ”NDER I KOMBIT”…

April 1, 2021 by dgreca

PËR SHPIRTIN FRYMEN VATRANE TË AGIM KARAGJOZIT/*

1 Prilli shënon ditën e mbrame dhe kalimin në amshim të Kryetarit të Federatës VATRA për dy dekada Ing.Agim Karagjozi. Ai na la pas nja Vatër të bashkuar, kombëtare dhe antikomuniste. U mbushën tre vjet nga dita që shkoi të pushojë”Nderi i Kombit” , “Qytetari i Nderit i Gjirokastrës”, atdhetari i nderuar me Urdherin e Shqiponjes nga Presidenti I Shqipërisë, me Medaljen e Lidhjes se Prizrenit nga Presidenti Rugova etj…. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës, frymën Kombëtare, kundër përcarjes. Po po, Vatra është  Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt  atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Na e përcolli këtë aksiomë Persidenti Karagjozi! Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm  të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton ta thuash, port a bësh- duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e  Vatrës, jo të përcarjes. Përcarja nuk . ka shërbyer Vatrës në 109 vitet e jetës së saj. Vatar është familja e madhe vatrane, por askush nuk mund ta “privatizojë” atë për familjen e vet apo për një grup të pakëqaurish. Titujt dhe dneret që të jep Vatra duhet t’i meritosh derisa të mbyllësh sytë!

         Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir, por edhe i vatranëve që me kursimet e tyre paguan vlerën e ndërtesës.

   Në fjalën përcjellëse  që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e  vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.

         Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e  obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup. 

Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”

Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.

       “Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.

  Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët. 

          Kryetari Karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndihma në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj. 

Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. 

          Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse në ceremonine e varrimit, nuk duhet marrë thjesht si  vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.

 Vatranët do ta kujtojnë kryetarin e tre edhe si”kosovari” nga gjirokastra sic e epitetoi gazetari, ish Drejtori i Radios Zeri I Amerikës pëe Euro –Azinë Frank Shkreli, në artikullin e tij përcjellës publikuar në Dielli.

Pusho në Paqë Agim Karagjozi, idelaisti, nacionalisti, vatrani i përjetshëm.

*Per me shume fotografi shih ne FB

Filed Under: Featured Tagged With: 3 Vjet nga Ikja e Agim Karagjozit, dalip greca, pa Agim Karagjozin, tre vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT