• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISHTLINDJA I PERKET EDHE KRISHTERIMIT, EDHE ISLAMIT…

December 23, 2020 by dgreca

Krishtlindja i përket edhe krishterimit, edhe islamit, prandaj dritësojeni Kosovën e gjithandej trojet shqiptare 

Të krishterët shqiptarë dhe islamë takohen qenësisht dhe jetësisht në shkronjën Gj: jemi të një gjaku! Përpiqemi në shkronjën SH: jemi shqiptarë. Me rrënjën e kësaj fjale kemi emrin e pakufishëm gramatikisht: Shqiptaria, shprehje e shumëpërfolur dhe kurrë e kuptuar sa duhet.

Shkruan: Don Prend Kola-Toronto-Kanada*/

Bibla ka vargje të shumta shprehjesh dhe urimesh për Krijesën, duke e lartësuar atë pa masë, ndërsa pikërisht në fillim bën të ditur që Zoti krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet (Libri i Zanafillës). Edhe në traditën islame flitet për njohjen e Hyjit përmes krijesës, krijimit. Në Surenë II lexojmë rreth krijimit dhe njohjes së Hyjit: “Kahdo që të kthehemi, atje është anë e Hyjit”. Mistikët islamë, sidomos ata të sufizmit, kanë vëzhguar dhe hetuar po ashtu pranishmërinë e fytyrës së Hyjit në gjurmët e krijesës. A. S. Kiriani thoshte: “Bukurinë Tënde e sodisim në krijesat, si në një pasqyrë të mahnitshme”. Edhe judaizmi, edhe islami, edhe krishterimi, e sodisin njeriun porsi krijesën ndaj të cilës duhet të kemi nderim, sepse vetë urdhëri i pestë Mos vrit, në rrasëzën e Moisiut, i dhënë nga Zoti, bën të ditur se sa shumë Hyji e ka për zemër njeriun, ndërsa mençuria teologjike sufiste ka vërejtur në krijesën të quajtur NJERI Bukurinë e Krijuesit; e ka parë hijeshinë e Perëndisë në vëllaun e motrën njeri. 

Kur’ani fillon me shkronjen B: bismil – lahi al Rrahmani al Rrahim. Bibla fillon po ashtu me shkronjen B: Bereshit. Që të dyja fjalët tregojnë fillimin. Që të dyja këto besime kanë zanafillën te Hyj Krijues. Por çka na dallon? Të themi kalimthi dhe pa hyrë në spekullime teologjike as të krishtera, as islame, as judaike, sepse ato na çojnë në përplasje. Islami para së gjithash është pranim, akceptim i Kur’anit dhe jo ndjekje, shëmbëllim i Muhamedit. Krishterimi, përkundrazi, para së gjithash, është shëmbëllim i Krishtit, i Birit të Hyjit. Të krishterët thonë: Fjala u bë njeri në Jezu Krishtin dhe erdhi të banojë ndër ne dhe tanimë është i pranishëm në kremtimin liturgjik të Meshës. Fjala e mishëruar është për të krishterin fjalë e pandërmjetme e Hyjit, ndërsa Bibla fjalë e ndërmjetësueme. Përkundrazi, në Islam, Kur’ani, si libër, është fjala e pandërmjetësueme e Hyjit. Islamët e bazojnë besimin e vet në Kur’an, ndërsa të krishterët në personin e Krishtit për të cilin flet Bibla. 

Pa ndjekur rreshtin alfabetik të shkronjave, nga B: bismil – lahi al Rrahmani al Rrahim dhe Bereshit, kthehemi në shkronjën A, me të cilën fillon fjala më e shenjtë islame: Allah, dhe emërtimi më i përditshëm për Hyjin në gjuhën hebraike: Adonai, që kanë kuptimin: Zot, Hyj, Perëndi. Këtu po shtojmë dhe fjalën tonë shqipe, Atë, Ati ynë, me të cilën përditë i krishteri shqiptar, e thërret Zotin. Në shkronjën A bashkohemi më së miri nën krahët e Krijuesit dhe njohim së bashku një Zot të vetëm, një Atë, një Krijues. Islamët, të krishterët dhe judenjtë veçanërishti i bashkon përsëri një emër tjetër që fillon me A. Nëse A-së ia shtojmë një H, do të fitojmë AH, një britmë që del me shpirt për të shprehur një ndjenjë habie pas ndonjë harrese ose për të shprehur një ndenjë gëzimi pas vetëdijesimit tonë. Prandaj, përmes A-së na lidh Abrahami (Ibrahimi), Ati ynë i fesë. Kjo nuk guxon të tretet në harresë dhe nga kjo e vërtetë e përbashkët dhe e pranueshme nga të gjitha palët duhet të përshkohemi gjithmonë me ndenjë gëzimi, duke ditur që dikur motit, tashmë kryehershëm, kishim dhe kemi një zanafillë. 

Po çka i bashkon të krishterët shqiptarë dhe islamë? Ne takohemi qenësisht dhe jetësisht në shkronjën Gj: jemi të një gjaku! Përpiqemi në shkronjën SH: jemi shqiptarë. Me rrënjën e kësaj fjale kemi emrin e pakufishëm gramatikisht: Shqiptaria, shprehje e shumëpërfolur dhe kurrë e kuptuar sa duhet. Shqiptari, – a,  ndërgjegjja kombëtare si popull shqiptar dhe dashuria për atdheun tonë. «Feja e shqiptarit është shqiptaria» u përdor gjatë në kuptimin se duhet të bëhemi ateistë që mos të kemi përqarje fetare, se feja po dashka të zhduket dhe populli ynë më pastaj do të ketë rehati. Kjo shprehje rrënon mitin shqiptar të tolerancës dhe harmonisë fetare. Gjaku dhe kombi, shqiptaria si ndjenjë kombëtare na bashkojnë në rrënjët tona dhe nuk duhet të tretet Zoti në harresë. 

Alfabeti ynë i begatshëm ka shkronjën T, me të cilën fillon fjala shumë e përfolur dhe e përsëritur TOLERANCË. Shkronja T, na lidh tanimë veçanërisht dhe përmes saj dallohemi nga shumë kombe e grupe etnike që njohin beteja dhe luftime, qoftë dhe sporadike për shkak të besimit. Toleranca do të thotë durim i tjetrit, por durim fetar mund të ketë një besimtar i rryer dhe i rexhur në fenë e vet në një Zot të vetëm nga i cili pret Amshimin dhe lutet për tjetrin që të arrijë po ashtu, ose një ateist për të cilin fetë, por edhe beotkuptimet e tjera nuk çojnë shumë peshë në të gjallët e tij. Toleranca fetare, më shumë se sa durim i thjeshtë, është dhimbje shpirti, kullim i brendshëm gjaku për besimtarin e bindur në fenë që i përket, sepse bindja se feja ime është e verteta dhe që përtej saj nuk ka tjertër, të nxitë edhe në mënyrën më qëllimmirë dhe pozitive për t’u bërë misionar i fesë, për ta përhapur atë gjithandej botës, për t’i ndihmuar tjetrit vëlla, e tjetrës motër që të gjejë të vërtetën. Prandaj këtu shpesh, qoftë me qëllimin më të mirë, qoftë me lajthitje fillojnë radikalizmat dhe përbuzjet e tjerit, emërtimet se tjeri s’ka fe, se beson rrejshëm dhe kot, prandaj duhet ta shpëtoj, t`ia ofroj fenë time “të vërtetë“ qoftë edhe me dhunë, dhe nëse nuk e pranon, ta vras, e ta shpëtoj që mos të besojë më tutje rrejshëm. Por toleranca jonë shqiptare nënkupton diçka ndryshe, islami shqiptar dhe krishterimi do të duhej më parë të mendonin: konvertimet e ndërsjella janë të lejueshme, ato mund të ndodhin, le të ndoshin! për hir të vetë dinjitetit të personit në zgjedhje të besimit, për hir të paqes në kombin që i përksim. Jo rrallë, Kisha katolike ndër shqiptarë u ka bërë ballë akuzave të qarqeve të ndryshme të cilat për t’i aneksuar trojet tona e kanë paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarët si të rrezikshëm për shkak të fesë islame. Lufta e fundit rugoviane dhe e UÇK-së është dëshmia më e fresket dhe përkrahja jetike që Kisha jonë katolike i ka bërë besimit islamë ndër shqiptarë. 

Tani, që mos të lëndonim besimtarët në përgjithësi, mund të shtronim pyetjen se çka na bashkon si besimtarë? Kush është besimtari. Kjo fjalë do të duhej të ishte sinomim për fjalët: i mirë, i drejtë, i mëshirshëm, i butë, i urtë, dorëdhënës, por edhe atdhetar, e të tjera. Sot fjala besimtar është shndërruar në fjalët: i rrezikshëm, i zorshëm, i pakuptimtë, rrënues, shkatërrues. Ateistët, filozofët dhe mendimtarët e tjerë shqiptarë i bashkon universalizmi botëror, humanizmi, pikëpamjet politike dhe shoqërore, disa sish dikur dhe ndoshta dhe tani pjesërisht, mund t’i ketë bashkuar iternacionalja komuniste, ideologjia e proletariatit që doli eskstrem kundër njeriut dhe shkaktoi të keqen më të madhe në historinë njerëzore. Po besimtarët islamë dhe të krishterë në çka bashkohen dhe ku gjejnë pikësynimin? Ata pikësëpari dhe gjithmonë duhet t’i bashkojë besimi. Synimi i besimtarit islam është xheneti, parajsa, po ashtu edhe për të krishterin. Besimtarët gjenden së bashku, qoftë edhe me dallime, në ushtrimin e lutjes: lutja kanonike e besimtarit islam është qëndrimi para Hyjit dhe shtrirja para tij. Të krishterët po ashtu gjunjëzohen, ngriten dhe përkulen në kremtimin e Meshës.  

Besimtari islam dhe i krishterë takohen në besimin e tyre në qenësinë e të dyja besimeve: besimi në një Zot! Pastaj në engjëj, në nderimin ndaj Mejremes (Marisë) dhe në veçanti, në respektin ndaj Isait (Jezusit). Kur’ani e nderon dhe lartëson Jezusin, duke i dhënë tituj dhe duke i ngjitur emra të shumtë. Studiues të shumtë bëjnë të ditur që emri në orient nuk është tingull dhe tym, por koncentrati dhe identiteti i emërbartësit. Isai në Kur’an: përmendet rreth 25 herë, dhe ndër këto përmendjeje 16 herë si “I Biri i Marisë” (Īsā ibn Maryam). Jezusi në Kuran është “Fjala e Hyjit” (kalima minAllāh), “Shpirt nga Hyji” (rūh min Allâh). Jezusi është njeri “i ndershëm”(sālih) dhe “i bekuar”(mubārak), i zgjedhur nga Perëndia si “profet”(nabī) dhe “I dërguari”(rasūl), i cili me vete sjell një shpallje. Ai është besimtar shembull dhe shembullor (mathal) dhe “shërbëtor i Perëndisë” (abdAllāh). Në Medinë, Jezusi do të emërohet me emrin e vërtetë, me emrin e vet (personal): Jezusi Krisht (Jezu Krishti ose Jezus Krishti). Përfundimisht në suretë mediniane, në suretë që kanë prejardhjen nga Medina, Kur‘ani e quan Jezusin “Mesia”(al-masīh). Jezusi në Kuran (në suretë: 3,45; 4,157.171; 5,17.72.75; 9.31) tetë herë quhet: “Mesia Jezus, Biri i Marisë” (al-masīh Īsā ibn Marya). Për Jezusin flet dhe një literaturë tjetër e bollshme letrare dhe mistike islame, nga del që, Jezusi, veçanërisht këndshëm, përmendet si biri i Marisë. Këto përshkrime janë në të vërtetë të bukura, poetike dhe vargje mistike. Një ndër to, thotë: Tha Jezusi biri i Marisë: Lum ai që gjuhën e vet e vë në peshtaf, i mjafton shtëpia e vet dhe vajton mëkatet e veta (Ibn Al-Mubârak, † 797, në Kitab al-zubd, 40-1, n. 124). 

Vetë Maria zë një vend të veçantë në Kur’an dhe është në përgjithësi i vetmi personazh femër që, duke u përmendur, gëzon nder në Ku’ran.  

Pra, sa shumë na bashkon Bibla dhe Kur‘ani, prandaj Krishlindjen dhe Pashkët duhet t’i kremtojë bashkë! Na mbetet të respektojmë e të nderojmë edhe shpjegimet teologjike përkatëse, por mbi gjithçka kemi nevojë ta shtojmë besimin tonë në Zotin, të rrisim me dashurinë tonë dinjitetin dhe madhështinë që ka Njeriu si krijesë e Hyjit, t’i mësojmë të gjithë njerëzit, të gjithë e në tërësi shqiptarët ta besojnë emrin e Hyjit Perëndi dhe vetëm atij tij t`i përkulen në krenari për kombin dhe popullin që i përkasim. 

*Shkrimi u dergua enkas per redaksine e Diellit. Faleminderit Don Prend Kola! 

dhjetor, 2020 

Toronto, CA 

Filed Under: Featured Tagged With: Don Prend Kola, Krrishtlindja

VITI I MBRAPSHTË QË LAMË PAS DHE URIMI PËR VITIN E RI

December 23, 2020 by dgreca

NGA DR. RUKI KONDA/

Viti 2020 u prit me gezim nga kushdo, por shume shpejt u përballëm me gjënë e panjohur dhe pothuaj absurde të COVID-19. Shume  gjera ndryshuan në jetët tona natyrisht për keq, si mbyllja totale e paparë më pare, ku çdo gjë ra në një heshtje që të ngjallte pasiguri sikur ndali gjithcka, maska, distancimi nga njerëzit, etj, etj…gjëra  të panjohura për të gjithë . Njerëzit  vetë krijuan ngjarje online, artistet dhanë aq shumë për të motivuar njerzit, për të ringjallur shpresa, për të jetuar jetën ashtu si të vjen, njerezit shpalosen talentet në fusha te ndryshme, mjekesia u përball me situata të panjohura si kurrë më parë.Në prizmin personal e familjar në kete situatë pati dhe gezime si dasma e djalit tim të madh Gazmend me Katie të cilët të vendosur të dy për mos e shtyrë dasmen e realizuan dhe u gezuam shumë , në prizmin shoqeror gezim te madh kam pasur duke ndjekur suksesin e yllin tone shqiptaro kanadez Ana Golja me filmin “ The Cuban”.

Ana Golja, producente dhe aktore e këtij filmi korri një sukses të pa parë, ky film në kohe rekord i kaloi pritshmeritë dhe i hapi kufijtë e mbyllur, u nderua dhe u nominua me plot çmime ku se fundi dhe me çmimin e filmit më të mire të vitit 2020 ndër dhjetë të tille. Nuk është  rastesi që kjo vajzë e talentuar e ka nisur karrierën e filmit që kur ishte femije dhe talenti i saj është  zhvilluar  me hapa shumë të shpejtë e kjo falë talentit, punës, vullnetit, perkushtimit të saj, por mbi të gjitha Ana mbart virtyte të çmuara të një  vajze model të brezit të saj , thjeshtesia dhe modestia e saj e lartesojne deri në madheshti. E njoh Anen për më shume se një dekade, e rritur në një familje me virtyte të larta, por edhe e angazhuar në aktivitetet në komunitet që e vogel edhe pse aq e angazhuar në filma ajo kurrë nuk u tha jo angazhimeve me pjesemsrrje direkte në moderim të dhjetra aktiviteteve të muajit të trashegimise kulturore shqiptare në Parlament e në shume aktivitete te tjera te SHBSHK dhe mbare komunitetetit. Për Anen kam aq shume shumë të dhënë, por në këtë prag festash po shkruaj   këto  rreshta në respekt të figures se saj , si perfaqesuese shume e denje e ketij breza të ri, të suksesit madhor që ka arritur me mbeshtetje absolute të familjes së saj e sidomos nënës  së saj Ardiana Golja që është  dhe mentore e saj . Dy vjet më pare me ftese të Dives Inva Mula ajo mori pjesë në festivalin e 57 të kenges në RTSH krahas gjigandit të skenes Viktor Zhusti ku shfaqi gjithë  talentin, elegancen , profesionalizmin, thjeshtesine e me të drejte u cilesua si imazhi I ri I festivalit e dikush në shkrim e quajti si fituesja e ketij festivali, për fat këto kujtime na i risolli në memorje fb e që është bukur kur vijne në kujtese këto  gjera kaq të bukura . Ndermjet këtij shkrimi të thjeshte duke dhënë modelin e suksesit të Ana Goles në kohe pandemie ju uroj të gjitheve nje vit te mbare e të shendetshem për vitin 2021, suksese të gjitheve shqiptareve kudo ku jane.

 Gezuar VITI I RI 2021!

Gezuar KRISHTLINJEN!

Filed Under: Featured Tagged With: Ana Golja, Dr. Ruki Konda, Urimi per Vitin e Ri

MJEKU I LUFTËS SË UÇK RRËFEN SI RA NË BETEJË KOMANDANTI LEGJENDAR MUJË KRASNIQI

December 23, 2020 by dgreca

Dr. Pashk Buzhala mjeku i UÇK përgjatë luftës në Kosovë rrëfen ekskluzivisht për gazetën  DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York,  angazhimin në luftë si mjek, mjekimin e komandantit legjendar Mujë Krasniqi, situatën në Kosovë pas  arrestimeve nga Specialja dhe kundërshton me force akuzat ndaj krerëve të shtetit e të luftës në Kosovë.  Sipas mjekut Buzhala, Europa duket sikur ia ka kthyer shpinën Kosovës.  E vetmja shpresë për shqiptarët në Ballkan sipas mjekut Pashk Buzhala, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me Dr. Pashk Buzhala bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

DOKTOR PASHK BUZHALA NGA DEMONSTRATAT E STUDENTËVE, MJEK I UÇK NË LUFTË

Si fëmijë kam mësuar shumë nga baba im për krimet serbe në Kosovë. Baba me ka fol shumë për Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, për Lëvizjet Kaçake të Azem Bejtes, për NDSh-në e Ndue Përlleshin (baba ka qenë bashkëpunëtor i Ndue Përlleshit), për luftën e Drenicës të udhëhequr nga Shaban Polluzha, e shumë histori tjera të popullit tonë, këndej dhe andej kufirit. Por jo vetëm nga baba që kam mësuar për lëvizjet dhe kryengritjet kundër Turqisë dhe Serbisë, por edhe nga të tjerë nëpër kullat tona, pastaj në shkollë, nga profesor të historisë, gjuhës shqipe etj. Si rrjedhojë e kësaj, duke qenë i mirë informuar me historinë e popullit tonë, si student i vitit të tretë në Fakultetin e Mjekësisë, marr pjesë në demonstratat e studentëve të vitit 1981 e që më pas, vazhdimisht jam munduar që të bëjë diçka për vendin tim edhe me aktivitete politike në vitet e “80 dhe ’90-ta e deri në fillim të luftës.Pasi i kreva studimet në mjekësi dhe fillova të punoj, gjithmonë kam menduar dhe i përgatitur edhe nga aspekti psikik, se në rast lufte, kontributi im duhet të orientohet në ofrimin e kujdesit shëndetësor për luftëtarët e lirisë dhe popullin në përgjithësi. Është e ditur se, pa shërbim mjekësor, nuk mund të imagjinohet menaxhimi i një situate emergjente duke përfshirë edhe luftën. 

SI RA HEROIKISHT KOMANDANT MUJË KRASNIQI ME 40 BASHKËLUFTËTARË

Kështu edhe ndodhi, luftëtarit të parë të UCK-së që i trajtova plagët ishte Komandanti i njohur Mujë Krasniqi në natën mes 15 dhe 16 prillit 1998 dhe ate ne shtepine time, kur akoma Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk vepronte mjaftueshëm publikisht në Drenicë e në të gjithë Kosovën. Pothuajse menjëherë, jam angazhuar në Ambulancën Shëndetësore në Ujmir, ekipi mjekësor i së cilës ka shërbyer gjatë gjithë kohës së luftës. Ambulanca e Ujmirit i ka takuar Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës, Komandant i të cilës ka qenë Mujë Krasniqi. Pas rënies se Komandantit Mujë Krasniqi, Brigada 113 e merr emrin e vet Komandantit “Mujë Krasniqi”. Në kohën kur është pamundësuar puna në objektin e Ambulancës në Ujmir, shërbimin mjekësor për luftëtarët dhe popullin e kemi ofruar edhe në male, duke ju qëndruar afër luftëtarëve dhe popullit të zhvendosur. Për Mujen mund të flasim shumë, por në këtë rast do ti them dy fjalë. Me Mujen njifeshim mire, sepse jemi të te njetit fshat, Çabiq i Klinës. Për rreth tri vjet nuk e kisha takuar sepse vepronte në ilegalitet. Takimi me te qe i dhimbshem për mua, sepse ishte i plagosur rëndë. Muja nuk ka ditur të ndalet asnjëherë edhe pse i plagosur. Për të dytën herë, u plagos në fund të korrikut 1998 por plagët nuk do ta ndalnin asnjëherë për të luftuar për çlirim, deri sa ra në fushëbetejë më 14 dhjetor 1998 në kufirin shqiptar-shqiptar duke i pri kolonës. Ai ra së bashku me 40 bashkëluftëtaret e tij dhe me vlla Aliun e dhëndrrin Beqir Gashi. Vrasja e Mujës ishte humbje e madhe për UÇK-në, sepse ra njëri nga komandatët më të zotë që pat Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por njëkohësishtë  ishte dhembje e madhë për shokët dhe bashkluftëtarët e tij. Muja ra për të mos vdekur kurrë. Mujën e ka karakterizuar guximi dhe trimnia. Nuk me ka rastisur që të takoj ndonjë luftëtar më trim dhe të vendosur për të luftuar deri në çlirim. Për Mujën, vrasja në luftë për liri ka qenë si me lind. Muja i ka dashur shumë bashkluftëtarët. Më kujtohet një moment, teksa i mjekoja plagët në shtëpinë e tij, kur akoma ishte në një gjendje jo të mirë fizike i kërkova që derisa të forcohet edhe pak, të mos shkojë në vijat e frontit. Muja mu përgjigj shkurt: “Doktor, nuk mund ti lë vetëm shokët”. Muja nuk e ka njoftë dorëzimin. Shpesh kujtoj momente lufte me të vrarë e të plagosur, të zhvendosur në male dhe gjithmonë i bëjë pyetje vetës, se a e kam bërë më të mirën e mundshme në ato rrethana lufte. Faktikisht, këtë pyetje ia bëja vetes edhe gjatë luftës në çdo mbrëmje. Përgjigjja është se, kam bërë më te mirën e mundshme, ashtu siç është dashtë të bëhet, si nga aspekti profesional ashtu edhe ai njerëzor. Përveç kujtimeve të hidhura të luftës, ne sot kujtojmë edhe momente gazmore  me këngë dhe humor. 

NE LUFTUAM KUNDËR OKUPUESIT SERB, JO KUNDËR NJËRI-TJETRIT

Po e dëftoj një moment të luftës, që mu kujtua pas aktakuzave të ngritura nga Gjykata e Hagës, që e cila po tenton të ndajë shqiptarët në katolik dhe mysliman, madje edhe në luftë.Me 3 korrik 1998 gjatë një ofensive të forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së, në magjistralen Pejë-Prishtinë, kishim disa ushtarë të UÇK-së të plagosur, shumica prej tyre rëndë. Pasi e përfunduam trajtimin e ushtarëve të plagosur e disa nga ata i dërguam në Spitalin Ushtarak në Likoc, dola në qendër të Ujmirit që të pushoj pak jashtë ambulance dhe të takoj njerëzit. Papritmas dëgjoj një zë që me thërret, ai ishte një i njohur i imi nga Drenasi. U përshëndetëm me të dhe menjëherë më pyeti për gjendjen e krijuar në atë ditë luftimesh. Pastaj tregoi se ishte duke shoqëruar një ekip të Televizionit të CNN-it dhe me luti që t’ i takoj dhe të bisedoj me ta. Iu ofruam makinës së tyre, i përshëndeta dhe miku im ju tregoi se jam mjek që po shërbej në ambulancë dhe se mund t’i njoftoj për atë që ka ndodh atë ditë. Pasi iu tregova për situatën, njëri nga gazetaret (ashtu u prezantuan) më pyeti se a ka katolik të kyçur në luftë? Për shkak se u befasova shumë me pyetjen, mua me erdhi një e qeshur krejt spontane dhe menjëherë m’u drejtua se, pse po qesh? Ia ktheva, po unë jam katolik. Gazetari përsëri mu drejtua, mirëpo ti qenke doktor dhe vazhdoi me pyetje se, a ka ushtarë të UÇK-së katolik, që janë në vijat e frontit? Për të ia dëshmuar se ka mjaft ushtarë katolik në vijat e frontit, i thashë, qenkeni me makinë dhe ejani shkojmë bashkë, do të gjesh me dhjetëra ushtarë të besimit katolik në vijat e frontit, (meqenëse nuk i tregova për dëmet e asaj dite, nuk munda t’ua tregoja se, nga ushtaret e plagosur atë ditë, rreth 30% prej tyre ishin të besimit katolik). Atëherë ata shikuan njëri tjetrin dhe më thanë, jo s’ka nevojë të shkojmë atje. U përshëndetëm dhe së bashku me shoqëruesin shqiptar u larguan.

ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS DHE LUFTËS TË PAPRANUESHME

Fillimisht, insistimi i miqve ndërkombëtar për krijimin e dhomave të specializuara në Hagë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës , ka qenë i padrejtë.Krijimii kësaj gjykate ka ardhur si pasojëe raportitshpikës dhe fantastik të Dick Martyt. Mendoj se, ajo që e ka shtyrë bashkësinë ndërkombëtare të bëjë presion tek institucionet dhe liderët kosovar,që të krijohet kjo gjykatë,ka qenëpikërisht shpifja e Dick Martyt për trafikim organesh.Për mua, që kam kryer detyrën e mjekut në luftë, ku jam ballafaquar me kushte tepër të vështira (me mungesë të barërave dhe materialit sanitar) në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të plagosurit dhe të sëmurët, kjo shpikje e Dick Martyt, ka qenë njëçmenduri,djallëzi dhe injorancë e të gjithë atyre që e kanë besuar dhe aprovuar këtë raport në Parlamentin Evropian. Mendoj se nga institucionet e Kosovës, ka pas neglizhencë duke mos e marrë mjaftueshëm si serioz ketë raport dhe si pasojë edhe reagim jo të duhur ndaj këtij raporti. Ndoshta edhe deputetet e Shqipërisë në Parlamentin Evropian, kanë mundur të bëjnë më tepër në parandalimin e aprovimit të këtij raporti. Por, kjo duhet të rendojë në ndërgjegjen e atyre deputetëve, sigurisht, nësekanë mundur të bëjnë më shumë në parandalimin e aprovimit të këtij raporti apo jo?Krahasimi i krimeve të Serbisë që ka bërë në Kosovë, me pretendimet për krime nga Prokuroria e Specializuar nëHagë e të servirura nga Prokuroria Serbe, janë të pa pranueshme, absurde dhe për më tepër djallëzore.Sidomos, kur vetë jemi dëshmitarë të krimeve serbe të kryera në Kosovë nga vetë shteti Serb që tashmë janë të njohura botërisht.Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, këtu po tentohet të gjykohet lufta e drejtë e popullit shqiptar për liri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës por edhe aleatet e UÇK-së dhe të Kosovës, në rend të parë SHBA dhe NATO.Personalisht, kështu e kuptoj gjithë këtë tragji-komedi,  sepsenë vend që të ndiqen krimet serbe në Kosovë, sot të targetuar janë udhëheqësit e luftës për liri,pothuajse komplet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së,e me vonë liderët e Shtetit të Kosovës. Duke i lexuar akuzat, shihet qartë se aty ka shpifje dhe të pavërteta. Shpreh bindjen time të thellë se që të gjithë udhëheqësit e luftës, Gjykata do t’i shpallë të pafajshëm. Kjo edhe për faktin se lufta nuk ka pasur organizim shtetëror,pasi që Kosova nuk ka qenë shtet. Lufta është nisënga të rinj, burrat dhe gratë më të mirë të Kosovës, të cilët kanë qenë të gatshëm të vdesin për këtë tokëpër çlirimin e Kosovës nga okupimi qindra vjeçar, e shumë prej tyre kanë dhënë edhe jetën.

EUROPA SIKUR E KA BRAKTISUR KOSOVËN

Ne i jemi shumë falënderues Evropëskur u gjendnë anën e se drejtës, duke e përkrahë luftën për liri dhe iu bashkëngjitë SHBA-së, për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Jemi të bindur se pa SHBA, Kosova nuk do ta gëzonte lirinë dhe Shtetin që ka sot.Evropa vazhdon të bëjë padrejtësi sidomos lënja e Kosovës në një”Geto”, sepse jemi shteti i vetëm në Ballkan që nuk kemi liberalizim të vizave dhe nuk kemi lëvizje të lirë.Ne i jemi falënderues dhe mirënjohës për jetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila edhe sot ndihmon nështetndërtim. Zoti e bekoftëAmerikën!

AKUZAT POLITIKE, TË TRILLUARA, DJALLËZORE DHE TË SHPIFURA

Akuzat i konsideroj politike, të trilluara, djallëzore dhe të shpifura,të përgatitura nga Serbia dhe të përkrahura nga disa qarqe evropiane. Poashtu mund të konsiderohen edhe si akuza inatçore e të pamenduara mirë, nëse ka akuzat ngritura nga ndonjë shqiptar.UÇK-ja ka qenë një ushtri vullnetare, që ka zhvilluar më tepër luftë guerile me një armatim të pamjaftueshëm. Veprimet luftarake dhe aksionet tjera guerile janë zhvilluar varësisht nga tereni në përgjigje të sulmeve nga ushtria dhe policia serbe. UÇK-ja, ka bërë çdo gjë që të ju dalë në mbrojtje popullatës civile të zhvendosur në male, madje kanë renë edhe shumë dëshmor.Kështu që për Shtabin i Përgjithshëm ka qenë e pamundur të kontrollojë çdo veprim luftarak dhe çdoveprim të ushtarëve në terren.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN NJË ÇMENDURI

Barazimi i agresorit me viktimën, jo veç se është i turpshëm por edhe absurde. Por, fatkeqësisht shumë shpesh nga disa qarqe evropiane po ndodhëky barazim. E keqja e madhe është se, as disa ndërkombëtarë dhe as disa shqiptarë (tëcilët si dukët kanë harru për fatkeqësitë që i kanë ndodhë popullit të tyre), nuk ndalen për vetëm një moment qët’i kujtojnëdhe t’i shikojnë dëshmitë e masakrave të shumta serbe në Kosovë. Në këtë pikë mendoj se kemi faje edhe ne në Kosovë, sidomos institucione shkencore dhe kryesorja Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që shumë pak apo fare nuk janë marrë me prezantimin e krimeve serbe në Kosovë gjatë luftës 1998/1999. Pastaj institucionet e drejtësisë fillimisht UNMIK-u dhe pastaj EULEX-i as që kanë denjuar që hetojnë krimet serbe në Kosovë për kohën e luftës. Për me keq, kanë zhvillu hetime dhe procese gjyqësore për ushtaret dhe komandantët e UÇK-së, për me tepër me akuza të trilluara.

GJYKATA E HAGËS NA QËNDRON MBI KOKË SI SHPATA E DEMOKLEUT

Personalisht situatën në Kosovë e shoh më keq sot se sa në qershor të vitit 1999 sepse atëherëshqiptaret janë mjaftuar me lirinë, kthimin në shtëpi apo nëtruallintyre(shumica e shtëpive kanë qenë të djegura), preokupim kryesor kanëpassigurimin e njëstrehe dhe ushqiminpër familjet e tyre (nga organizatat të ndryshme ndërkombëtare mjaftueshëm është ndihmuar Kosova për të rinisur jetën në vendin e tyre), gjë që sot, ekonomikisht jemi shumë më mirë se sanë të kaluarën.

Pse e shoh më keq sot? Mendoj se, sot po jetojmë në një shtet mjaftueshëmtëkonsoliduar, me një gjykatëe Hagës që na qëndron mbi kokë si Shpata e Demokleut dhe që tenton t’i dënojëkrerët e shtetit dhe krerët e UÇK-së qëudhëhoqën luftën për liri dhe bënë shtetin e Kosovës, me një Qeveri tëbrishtë, me një politikë e cila para interesit tështetit e venë interesin partiak, me padituni dhe shumë protagonizem, pikërisht ashtu siçthotë Fishta; “Përderisa ecin krah për krah menjemadhësia dhe paditunia, nuk ka për të parë hajr Shqypnia”.

KRIJIMI I DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË VEPRIM I PADREJTË DHE FYES

Krijimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për ndjekjen vetëm të shqiptarëve e konsiderojmë jo vetëm veprim të padrejtë por edhe fyes.Mendoj se reagimi i shtetit sidomos i Kuvendit të Kosovës, duhet të jetë shumë më i fuqishëm në lidhje me veprimet e gjykatës sepseështë vënë nëpikëpyetje legaliteti dhe legjitimiteti i kësaj gjykate. Kam përshtypjen se ka dalë jashtë fushëveprimit dhe qëllimit që është krijuar, sepse deri tash në asnjë rast të aktakuzave të ngritura nuk përmendet trafikimi i organeve e pikërisht ka qenë trafikimi i organeve, arsyeja e themelimit të kësaj Gjykatenga Kuvendi i Kosovës. Nëse Qeveria heziton të reagojë për gjoja mosndërhyrje në drejtësi, KomisioninParlamentarpër Legjislaciontë Kuvendit të Kosovës, nuk mund ta ndalojë askush, sepse ne fushëveprimin e saj ka edhe shqyrtimin e çështjevetë gjyqësisë në Kosovë, mbikëqyr zbatimin e ligjeve në fushën e gjyqësisë në përgjithësi (Dhomat e Specializuara janë krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet të veprojnë në harmoni meKushtetutën dhe ligjete Kosovës). Sigurisht, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të vazhdojnë të reagojnë dhe do ta gjejnëmënyrën e duhur për të reaguar, por patjetër qësë pari,duhet tëdëgjohet zëri i tyre nga Qeveria e sidomos nga Kuvendi i Kosovës.

SOT, GJENDJA NË KOSOVË NUK ËSHTË E MIRË

E si ndihem sot? Sot nuk ndjehem mirë, kur shoh një politikë të çakorduar, arsimim me nivel jo të kënaqshëm, gazetari jo profesionale, një rini që mendon vetëm të dalë jashtë Kosove e që nuk e sheh perspektiven brenda shtetit të tij, e shumë çka tjetër. Idealet e mija kanë qenë fillimisht liria dhe ndërtimi i një shteti funksional, demokratik dhe të zhvilluar. Për Kosovën Shtet, në të cilin të gjithë qytetaret e saj të ndjehen të barabartë dhe të gjithë të kontribuojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Në fund dua të ju përshëndes ju dhe të gjithë lexuesit e gazetës Dielli dhe Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Pashk Buzhala, mjeku i UÇK, Sokol Paja

PROF. DR. RIFAT LATIFI: GJITHË ENERGJINË DHE KAPACITETET E MIA DO TI JAP PËR VATRËN

December 21, 2020 by dgreca

  • -Sot Prof. Dr. Rifat Latifi gjatë vizitës në Vatër u anëtarësua në Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhe dhuroi $1,000.00(Një mijë dollarë)

Nga Sokol PAJA/

Dr. Rifat Latifi , kryetar dhe Profesor i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të New York, Shkolla e Mjeksisë dhe Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester në Valhalla, New York vizitoi Federaten Panshqiptare të Amerikës VATRA. Në takimin vëllazëror Dr. Rifat Latifi Shefi i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester dhe anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS), Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS) dhe të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha dhe përfaqësia më e lartë e kryesisë së Vatrës si nënkryetari Besim Malota, Anëtari i Kryesisë Anton Raja e Mark Mrnaçaj, Arkëtari Marjan Cubi dhe gazetari i Diellit Sokol Paja.

Në takimin mikëpritës vëllazëror kryetari Elmi Berisha deklaroi: “Mirësevjen në Vatër Prof. Rifat Latifi.Për mua personalisht, për Vatrën dhe çdo vatran është një ditë shumë e gëzuar teksa në mesin tonë kemi një mjek, një patriot, një shqiptar dhe një profesor të mirënjohur në nivel ndërkombëtar. I dashur Profesor Latifi, ju jeni figurë e jashtëzakonshme që na bën krenarë të gjithëve, jeni një profesionist i shkëlqyer dhe një njeri me zemër të madhe që shërben me përkushtim duke dhënë kontributin tuaj të vyer dhe të pakushtëzuar në ndihmë të njerëzve e bashkepatrioteve shqiptarë. Sukseset tuaja për ne janë një motivim i madh. Dr. Rifat Latifi si Kryetar dhe Profesor i Kirurgjisë në Westchester në Valhalla, New York, si autor ose bashkëautor i më shumë se 330 artikujve dhe kapituj librash dhe autor / redaktues i 20 librave, arritje këto që na bëjnë të ndjehemi krenarë dhe të përulemi para kontributit e vepres suaj të jashtëzakonshme shkencore.

Prof.Latifi shërben në bordet editoriale të shumë revistave ndërkombëtare. Prof. Latifi është anëtar i një numri të organizatave të shumta kirurgjikale shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi kaq shumë për të thënë për këtë mjeshtër duarartë në kirurgji, për këtë profesionist shembull të lartë për kirurgët e rinj, një shembull i njeriut human dhe punëtor, i palodhur dhe që na bën krenar anembanë botës.

Mirësevjen në Vatër profesor, në këtë shtëpi të madhe të të gjithë shqiptarëve” përfundoi kryetari i Vatrës Elmi Berisha në fjalën mikëpritëse. Dr. Rifat Latifi u shpreh shumë i lumtur për pritjen në Vatër dhe theksoi se të gjitha kapacitetet e tij dhe mundësitë e tij do i vërë në shërbim të Vatrës në të ardhmen. Prof.Latifi ndër të tjera theksoi: “Jam shumë i gëzuar që jam sot në mesin tuaj. U gëzova shumë kur erdha dhe e gjeta derën e Vatrës të hapur. Kjo derë duhet të qëndrojë e hapur përgjthmonë për secilin prej nesh që të kontribuojmë me aq sa mundemi. Unë kam qenë pjesë e Vatrës që kur kam qenë në specializim në Yale University në vitet 90. Përveç gëzimit që përjetoja në sallat kur operacionet dilnin me sukses, gëzimi dhe kënaqësia e dytë ishte kur vija në Vatër. Edhe pse kam shetit shumë shtete të botës dhe Amerikës, kurrë Vatrën nuk e kam hequr nga zemra e mendja ime. Lidhja me Vatrën është një lidhje me atdheun, me tokën tonë, kjo lidhje e shënjtë duhet të adaptohet dhe të respektohet prej të gjithëve neve sa jemi e kudo që jemi. U jam mirënjohës për ftesën z.kryetar, por ju nuk duhet të na ftoni, ne duhet të vijmë vetë këtu. Se kjo është toka jonë, kjo është Shqipëria jonë, Kosova jonë, struktura jonë, krejt jeta jonë. Para 20 vitesh ne filluam implementimin në Kosovë të telemjeksisë e teleshëndetësisë. Ishte një hap gjigand për kohën, ndërsa sot krejt bota e ka adaptuar atë sistem. Sot Shqipëria ka 47 qendra të telemjeksisë ndërsa Kosova ka vetëm 9 qëndra. Ne e kemi pasur si vizion që tash 20 vjet. Ne sapo kemi themelu Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës. Kemi lidh besë për me e ndërru faqen e mjeksisë shqiptare. Ne duhet të ndihmojmë sa më shumë shtetin tonë e kombin shqiptar. Nëse para 30 vitesh do më thonte dikush se do ishe pjesë e një tavoline, e një zyre, e një organizate ku ka kontribu  Noli e Konica do më dukej si një ëndërr e largët. Të jesh sot në Vatër është nder dhe krenari. Sot përbetohem se krejt energjinë time fizike, kapacitetin tim shkencor e intelektual kam për t’ia dedikuar kauzës me të cilën Vatra jeton tash e më shumë se një shekull” përmbylli fjalimin e tij Dr. Rifat Latifi. Në përmbyllje të takimit vëllazëror, Prof Latifi u anëtarësua në Vatër dhe u deklaroi kryetarit dhe vatranëve se do të jetë kurdoherë në shërbim të vatrës e axhendës patriotike e diplomatike që ka Vatra ka në dobi të çështjes kombëtare. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Refat Latifi, vizite ne Vater

MJEKËT SHQIPTARË NË ITALI PËRBALLË PANDEMISË COVID-19

December 21, 2020 by dgreca

Sokol  PAJA  –  DIELLI/

Mjekët shqiptarë në Itali janë pjesë e sistemit shëndetësor në betejën që shteti italian po zhvillon ndaj pandemisë globale Covid-19. Mjekët shqiptarë Dr. Drieda Zaçe, Mjeke, Kërkuese shkencore, Romë; Dr. Ilda Hoxhaj, Mjeke, Kërkuese shkencore, Romë; Dr.Shk. Hektor Grazhdani, Mjek Radiolog, Romë; Dr. Vitan Demiraj, Mjek Pediatër, Romë; Dr. Anida Kondakçiu, Mjeke Anesteziste, Romë; Dr. Besar Kolçe, Mjek në specializim për Kirurgji të përgjithshme, Romë; Dr. Adela Sulejmani, Mjeke në specializim për Patologji Klinike dhe Biokimi Klinike, Milano, kanë themeluar Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Itali. Kjo shoqatë jofitimprurëse, apartiake dhe apolitike, synon të mundësojë një rrjet bashkëpunimi multidisiplinor dhe ndër-sektorial ndërmejt mjekëve shqiptarë që kryejnë veprimtarinë e tyre profesionale në Itali, si dhe koordinimin e aktiviteteve me shoqata të tjera me qëllime të ngjashme në vendin e origjinës dhe gjithashtu në nivel ndërkombëtar.

ITALIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19, MASAT E RREPTA SHTRËNGUESE

Italia që prej fundit të muajit tetor 2020 ka përjetuar një rritje të theksuar të numrit të të prekurve nga COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, numri më i lartë i të infektuarve në 24 orë që prej rastit të parë të konfirmuar në Itali, u shënuanë 13 nëntor, me 40.902 raste të reja ditore. Prej kësaj dite, numri i rasteve ka ardhur duke u ulur gradualisht,duke arritur në mesatarisht 21.220 të infektuar në ditë nëjavën e parë të dhjetorit. Numri i testimeve molekulare është rritur ndjeshëm, duke arritur dhe mbi 250.000 teste ditore. Rajonet më të prekura janë Lombardia, Piemonte, Kampania, Veneto dhe Emlia-Romana, në të cilat sistemi shëndetësor është i mbingarkuardhe në vështirësi për të përballur situatën aktuale.Sipas të dhënave të fundit, 39% e shtretërve të terapisë intensive janë tëzënë nga pacientë me COVID-19. Pjesa më e madhe e pacientëve janë dukë marrë trajtim në shtëpi dhe gjëndja e tyre po ndiqet nga mjeku i familjes. Përballë një ecurie të tillë, në 3 nëntor autoritetet klasifikuan rajonet dhe provincat në varësi të situatës së tyre epidemiologjike, në trezona: zona e kuqe, me rrezik të lartë; zona portokalli, me rrezik mesatar; dhe zona e verdhë, me rrezik të ulët. Qeveria ka ndërmarr masa kufizuese të pergjithshme sikurse mbyllja e bareve dhe restoranteve në orën 18.00, mbyllja e qëndrave tregtare në fundjavë, gjithashtu dhe masa specifike për rajonet sipas klasifikimit përkatës, duke moslejuar lëvizjen e qytetarëve midis rajoneve me ngjyrë të kuqe ose portokalli. Këto masabënë që të uleshin rastet e infektimeve ditore, duke arritur 16.803 të infektuar në24 orë në datën 19 dhjetor. Gjithsesi, duke qenë prag festash mund tëjetë në rrezik kontrolli i situatës duke e bërë kështu shumë të mundshme ardhjen e një vale të tretë në periudhën janar-shkurt 2021. Për të parandaluar një gjë të tillë dhe për të evituar grumbullimin e njerëzve gjatë festave të fundvitit, dekreti më i fundit i qeverisë, shton masa të tjera shtrënguese, sikurse moslejimi i lëvizjes në periudhën e Krishtlindjeve në të gjithë Italinë.

VAKSINIMI I POPULLSISË

Një pjesë shumë e rëndësishme e strategjisëështë vaksimi i popullatës. Ndërkohë që vaksinimi ka filluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë do të fillojë më vonë, pasi Agjensia Europiane e Barnave pritet të mblidhet në datën 29 dhjetor 2020 dhe të bëjë vlerësimin e vaksinave që ofrohen deri më tani. Në Itali, vaksinat do t’i nënshtrohen dhe vlerësimit të mëtejshëm nga Agjensia Italiane e Barnave dhe sipas strategjisë kombëtare pritet që fushata e vaksinimit tëfillojë në janar 2021.Tëparët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit shëndetësorë në vijë të parë, të cilëve u është kërkuar që tani konsensusi për aderim, duke qenë se vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Prioritet gjithashtu do të kenë dhe të moshuarit, personeli i qendrave të kujdesit për të moshuarit dhe personat me patologji kronike. Me sigurimin e më shumë dozave të vaksinës, do t’i nënshtrohenvaksinimitdhe kategoritë e tjera të popullatës, të tilla si mësuesit dhepersoneli i shkollës, zbatuesite ligjit, personeli i burgjeve, etj.

ROMA KRYEQYTETI PA “KRISHTLINDJE” 


Roma, si çdo qytet tjetër i Italisë, është përballur me situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e COVID-19. Në periudhën tetor-nëntor 2020 është regjistruar numri më i lartë i rasteve në 24 orë. Në ditët e fundit, numri i të infektuarve në qytetin e Romës është ulur nën 900 dhe fatmirësisht është rritur numri i të shëruarve. Ajo që të bën përshtypje është së Roma e zhurmshme, e mbushur duket e tjetërsuar. Nuk gumëzhijnë më rrugët nga turistët e panumërt që kanë qënë çdo ditë. Qyteti është thuajse bosh. Shikon vetëm njerëz me maska, që nxitojnë të mbarojnëpunët e tyre dhe të shkojnë në shtëpi.Vendet turistike dhe muzetë duken si të lëna thuajse në harresë. Dëgjon nga ata pak kalimtarë që Roma është më e bukur kështu e boshatisur, sepse mund ta shijosh të gjithën për vete. Por, Roma kështu duket e trishtë…Aq më shumë tani për periudhën e festave. Do të jetë Krishtlindje e vështirë për italianët dhe familjet e tyre, sikurse për çdo qytetar tjetër në botë.Do të jetë ndoshta hera e parë që rreth dritave të pemës në qendër të qytetit nuk do ketë njerëz të mbledhur me familjet e tyre. 

SHQIPTARËT NË ITALI    

Sipas të dhënave statistikore, deri në vitin 2019 kanë qënë rezident në Itali 441.027 shqiptarë, të vendosur kryesisht në Milano, Breshia dhe Firenze.Pas viteve ’90 Italia ka qënë një nga destinacionet kryesore të diasporës shqiptare, për arsye punësimi, sikurse dhe shkollimi. Një numër i madh mjekësh shqiptarëjanë pjesë e strukturave shëndetësore dhe kërkimore, ndër më me emër jo vetëm në Itali por edhe më gjerë në Europë. Pavarësisht se komuniteti shqiptar ka krijuar shoqata dhe grupime të ndryshme që kanë organizuar aktivitete të shumta për bashkëveprimin e shqiptarëve, gjatë këtyre viteve ka munguar një organizim zyrtar i mjekëve. Për të mundësuar njohjen dhe bashkëveprimin e mjekëve shqiptar është krijuar Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali (Assocazione Medici Albanesi in Italia). Këshilli drejtues i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Itali përbëhet nga:Dr. Drieda Zaçe, Mjeke, Kërkuese shkencore, Romë; Dr. Ilda Hoxhaj, Mjeke, Kërkuese shkencore, Romë; Dr.Shk. Hektor Grazhdani, Mjek Radiolog, Romë; Dr. Vitan Demiraj, Mjek Pediatër, Romë; Dr. Anida Kondakçiu, Mjeke Anesteziste, Romë; Dr. Besar Kolçe, Mjek në specialzim për Kirurgji të përgjithshme, Romë; Dr. Adela Sulejmani, Mjeke në specializim për Patologji Klinike dhe Biokimi Klinike, Milano.

SHOQATA E MJEKËVE SHQIPTARË NË ITALI

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali e krijuar si jofitimprurëse, apartiake dhe apolitike, synon të mundësojë një rrjet bashkëpunimi multidisiplinor dhe ndër-sektorial ndërmejt mjekëve shqiptarë që kryejnë veprimtarinë e tyre profesionale në Itali, si dhe koordinimin e aktiviteteve me shoqata të tjera me qëllime të ngjashme në vendin e origjinës dhe gjithashtu në nivel ndërkombëtar. Në situatën e krijuar nga pandemia, me mbingarkimin e sistemin shëndetësor dhe enigmat e përballjes me një virus të ri të panjohur më parë, ka qënë mëse e nevojshme bashkëpunimi dhe ndarja e përvojave dhe protokolleve të trajtimit. Një ndër problemet gjatë kësaj pandemie, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, ka qenë keqinformimi i publikut mbi epidemiologjinë, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes, si dhe masat e shëndetit publik që duhen marrë e zbatuar për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së infeksionit nga SARS-CoV-2. Për këtë arsye një nga përparësitë e kësaj shoqate është dhënia e informacionit të saktë, të bazuar në të dhënat e përditësuara shkencore. Anëtarët e shoqatës, nëpërmjet hapësirës mediatike (televizione, gazeta, rrjete sociale), janë përpjekur të informojnë publikun shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Duke qenë se Italia ishte vendi i parë në Europë që u përball me pandeminë, u përpoqëm që të ndanim përvojën dhe mësimet e marra për të mundësuar një kontroll më të mirë dhe në kohë të situatës në Shqipëri.

KONTRIBUTI SHKENCOR GJATË PANDEMISËSË COVID-19

Nga ana tjetër Shoqata ka bashkëpunuar me një grup studiuesish nga vendet e Ballkanit për të krijuar një platformë informimi për popullatën në të gjitha gjuhët e Ballkanit të quajtur “Covid19Balcans”, si dhe me Universitetin e Montrealit në Kebek, për të zhvilluar një studim mbi perceptimin, sjelljet dhe përvojat e popullatës shqiptare gjatë pandemisë, nëpërmjet një pyetësori. Ky studim përfshin një ekip ndërkombëtar prej 150 studiuesish nga më shumë se 25 shtete, dhe të dhënat do të bëhen publike vazhdimisht. Së fundmi, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali, ka marrë pjesë në konferencën e parë mjekësore ndërkombëtare multidisiplinore, të organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe “Albanian Committee of Medical Students”, me qëllimin e ndarjes së eksperiencave të mjekëve shqiptarë kudo nëpër botë dhe krijimin e urave të bashkëpunimit midis tyre. Konferenca pati një nivel të lartë shkencor dhe tregoi dëshirën e mjekëve shqiptarë që të vazhdojnë të kontribuojnë për vendin e origjinës pavarësisht se në cilin shtet ndodhen dhe ushtrojnë profesionin e tyre. Në vijim Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali, synon të organizojë dhe të jetë pjesë e konferencave dhe takimeve të mjekëve shqiptarë, si dhe të mbështesë publikun shqip-folës me informacione të sakta mbi çështje të ndryshme të shëndetit.

MESAZH I SHOQATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË NË ITALI PËR SHQIPTARËT KUDO NË BOTË

Meqë jemi në prag festash Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali dëshiron tu urojë të gjithë shqiptarëve festa sa më të qeta e të bukura. Shpresojmë që vështirësitë, sfidat, humbjet e përjetuara gjatë vitit 2020 të lihen pas dhe që viti i ri të jetë sa më i shëndetshëm. Për këtë, secili nga ne mund të luajë nje rol të rëndësishëm, duke zbatuar rregullat e shëndetit publik dhe duke u kujdesur për veten dhe komunitetin. Së bashku mund t’ia dalim. 

Filed Under: Featured Tagged With: Itali, mjeket shqiptare, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT