• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKUZAT NDAJ SHTETARËVE DHE LUFTËTARËVE TË UÇK PËR TË DËMTUAR SHTETËSINË DHE IMAZHIN NDËRKOMBËTAR TË KOSOVËS

December 18, 2020 by dgreca

Ambasador Arben Çejku, Drejtor Ekzekutiv i ACGG (Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë), anëtar i bordit drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, ish-Ambasador në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, autor i librit “Sovraniteti vs Integriteti”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ngjarjet në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë. Sipas z. Çejku, këto arrestime dhe akt-akuzat kanë dëmtuar imazhin e brishtë ndërkombëtar të Kosovës. Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës është në interes të stabilitetit të rajonit dhe perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria sipas z. Çejku, duhet të japë kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, duke mos praktikuar paternalizmin, por partneritetin vllazëror. Me Arben Çejkun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SOKOL PAJA.

Z.Ambasador, si i shikoni ngjarjet në Kosovë pas arrestimit të kreut të shtetit Thaçi e ish-kryeparlamentarve Krasniqi, Veseli dhe ish komandantëve e luftëtarëve të tjerë të UÇK? 

– Procesi gjyqësor që ka nisur nga Dhomat e Specializuara (shkurt “Specialja”) ndaj një numri të caktuar të shtetasve të Kosovës, ku përfshihen disa nga figurat më të njohura të saj, ka shkaktuar panik dhe tension në një pjesë të madhe të shoqërisë. Arrestimet e disa prej figurave kryesore të shtetit, dikur ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë goditje në dy plane: në planin e brendshëm dhe në atë të jashtëm. Në planin e brendshëm, kjo goditje ka dëmtuar (ndërprerë) fillimisht karrierën politike dhe përditshmërinë publike të personave të arrestuar dhe ka krijuar shqetësim e tronditje tek familjet e tyre biologjike e politike. Po ashtu, në vijim të kësaj, zbrazëtia që ka lënë pas largimi nga detyra i personaliteteve të tilla, si Presidenti i Republikës, Kryetari i PDK-së etj, ka nxitur zhvillime të brendshme politike të papritura. Kosova e ka shumë të nevojshme zgjedhjen sa më të shpejtë të kreut të saj të shtetit, Presidentit të Republikës. Klasa politike e Kosovës duhet të vendosë interesin e shtetit mbi çdo lloj interesi personal dhe politik. Pas dëmtimit që ka marrë imazhi i Kosovës me arrestimin e ish-Presidentit Hashim Thaçi, duhet që në mënyrë urgjente të gjendet konsensus për një figure sa më përbashkuese dhe përfaqësuese. Ushtruesja e detyrës së Presidentit, për vetë kornizat ligjore dhe politike si dhe për ngarkesën që ka vetë axhenda e saj si Kryetare e Kuvendit, e ka të pamundur të plotësojë nevojën e vendit për një president të ri. Nga këndvështrimi kushtetues nuk ka kufizime, por nga tradita e vendeve demokratike dhe nevojat e Kosovës, kjo formë e përfaqësimit të Kosovës nga Ushtruesi(ja) e detyrës së Presidentit, nuk është e dobishme. Kosovën e presin sfida që kërkojnë një president aktiv dhe të gjithëpranuar. Në planin e jashtëm, këto arrestime dhe akt-akuzat e shqiptuara kanë dëmtuar imazhin e brishtë ndërkombëtar të Kosovës. Për fat të keq, gjatë këtyre viteve liri dhe pavarësi, qeveritë e Kosovës nuk kanë shkëlqyer në drejtim të qeverisjes së mirë, por kanë qenë në një valle me qeverisjet problematike të rajonit, ku në disa raste gëlon korrupsioni, mungesa e shtetit ligjor dhe kontrolli mbi median. Udhëheqësit e rinj të Kosovës, që ishin edhe luftëtar të lirisë dhe kontribues të pavarësisë së saj, duhej të punonin më shumë për Shtetin, sesa për Pushtetin. Kosova sot është më e varfër se vendet e tjera dhe ka më shumë armiq, sesa miq. Propaganda serbe kundër saj, tek arrestimet dhe sidomos akuzat, ka gjetur “argumentat” për vazhdimin e një fushate denigruese kundër shtetësisë së Kosovës dhe njohjeve të saj. Mendoj se duhet një bashkim forcash në Prishtinë për të identifikuar dhe më pas zgjidhur problemet sipas prioriteteve bazë. Një figurë dinjitoze në postin e Presidentit, duke përfshirë edhe kandidatë nga diaspora e Kosovës, do të ishte një fillim premtues. Kosova ka shancin të zgjedhë një president që bashkon dhe pajton. Miqtë e Kosovës duan të shohin një Kosovë demokratike dhe vitale, që di të ballafaqohet me sfidat e saj, pa rënë në batakun e luftës së klaneve për pushtet.

Drejtësia ndërkombëtare, a po luan një padrejtësi shqiptare duke e barazuarUÇK me një ndërmarrje të përbashkët kriminale? 

– Duhet të sqarojmë se, në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një drejtësi plotësisht “ndërkombëtare”, po aq sa nuk kemi të bëjmë me një drejtësi plotësisht “vendore”. “Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar i Kosovës” me bazë në Hagë, në fakt konsiderohen zgjatim ose përplotësim i drejtësisë së Kosovës, me fokus hetimin dhe dënimin për krime të pretenduara nga raporti “Dick Marty”. Pra, formalisht, në aspektin juridik, kjo drejtësi është e Kosovës dhe për Kosovën, edhe pse ka prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtar. Deri më tani, nuk kam vënë re se ka një aktakuzë on block kundër UÇK-së si formacion ushtarak. Formulimi dhe adresimi në akt-akuzë për gjoja “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, kam përshtypjen se lidhet me terma juridik që drejtësia përdor ndonjëherë për të adresuar krimet e pretenduara tek një grup personash, që lidhen mes tyre nga ngjarja që ka ndodhur dhe jo nga organizata politiko-ushtarake, ku ata kanë bërë pjesë individualisht. Për mua, por edhe për shumë shqiptar, ka qenë e befasishme dhe e pakëndshme të dëgjonte prokurorin tek pretendonte për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ky formulim është diabolik dhe shumë provokues, kur është fjala për marrëdhënien specifike të të akuzuarve me komandën e përgjithshme të UÇK-së.

A e rrezikojnë stabilitetin e shtetit dhe unitetin e popullit ngjarjet e fundit në Kosovë, kur njëra ndër akuzat e Prokurorisë speciale është vrasja e katolikëve në Kosovë?

– Unë nuk besoj që këto zhvillime e cënojnë unitetin e popullit, i cili ka ditur të tejkalojë situata më të vështira sesa ky gjyq. Maksimumi, ky proces do të ketë ndikimet e veta në gjirin e klasës politike dhe përfaqësimin institucional. Duhet të pranojmë se zhvillimet e fundit nuk kanë ardhur si një rrufe në qiell të hapur, edhe vetë të akuzuarit e kanë ditur që një ditë do të ballafaqohen me drejtësinë “speciale”, bazën ligjore të së cilës e votuan vetë. Kurse përsa i përket formulimit djallëzor nga akt-akuza për “vrasjen e katolikëve”, kuptohet që ka prapavijë anti-shqiptare dhe formulim provokativ. Kur është fjala për të sfiduar këto lloj provokacionesh, ne bashkohemi tek postulati i Pashko Vasës se, “feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe se të gjithë jemi vëllezër të një gjaku, pavarësisht llojit të besimit.

Si diplomat karriere, si i gjykoni akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” dhe burgjet e pretenduara të UÇK në Shqipërinë verilindore? 

– Mesa di unë, në akt-akuzën zyrtare të ngritur nga Gjykata Speciale, nuk ka të përfshirë asgjë nga pretendimet e dikurshme të senatorit zviceran, Dick Marty për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”. Pjesët e tjera të akuzës mbeten për t’u provuar nga drejtësia në mënyrë të pavarur. “Shtëpia e verdhë” u rikthye në skenën e debatit publik me indicien e një statusi në internet të Kryeministrit Edi Rama. Kjo shërbeu për të tërhequr vëmendjen nga kriza e rëndë ku ndodhet vendi dhe për ta zhvendosur fokusin tek lideri i opozitës, Lulzim Basha. Pas një maratone disa-ditëshe me akuza dhe fabrikime propogandistike, të gjithë pranuan në heshtje se kjo lëvizje e Ramës, jo vetëm që nuk e ndihmoi Kosovën dhe të akuzuarit e saj “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, por përkundrazi, sikur bënte apel për të përfshirë edhe këtë fragment të Dick Martyt në aktakuzën finale. Gjykata Speciale u themelua, sepse në bazë të raportit famëkeq të Dick Martyt ishte akuza për trafik organesh tek e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri. Prej në fillim u tha se kjo është shpifje e ulët anti-shqiptare. 

A besoni në pafajësinë e UÇK dhe luftëtarëve të saj? Si do dalë Kosova pas kësaj përballje në Gjykatën Speciale? 

– E përmenda edhe më herët se ky nuk është një gjyq kundër UÇK-së dhe askush, perveç Serbisë dhe Rusisë ndoshta, nuk e ka cilësuar “kriminale” luftën e drejtë për liri, që ka zhvilluar Kosova në kuadër të UÇK-së. Unë uroj në pafajësinë e të akuzuarve. Lufta e UÇK-së, sakrifica e ushtarëve të lirisë dhe familjeve të tyre, përpjekjet e popullit të Kosovës për liri, drejtësi dhe barazi, mbeten të shenjta. Çdo sakrificë që është bërë në emër të lirisë së Kosovës, do të mbetet në piedestalin e lavdisë dhe nderimit të përhershëm kombëtar. Nëse gjatë apo pas kësaj lufte, ka patur individë që kanë kryer krime të caktuara, ato nuk përfaqësojnë kauzën e drejtë për liri dhe për secilin krim të vërtetuar nga gjykata, përgjegjësia duhet të jetë individuale. Në përgjithësi, mendoj se Kosova do ta tejkalojë shpejt këtë ngërç politik dhe institucional, qëështë krijuar pas arrestimit të disa prej figurave të saj të njohura dhe në një periudhë të shkurtër do të rivihet në udhën e saj të konsolidimit të shtetësisë. Kosova do të dalë më e fortë pas përballjes së ish-luftëtarëve të saj me drejtësinë. Po ashtu ajo do të dëshmojë se ka kapacitete për të ecur përpara.  Nga këndvështrimi juridik, kjo lloj gjykate hibride, mund të përdoret si precedent edhe për krime të tjera të rënda si korrupsioni dhe krimi i organizuar, që lulzon në disa vende të Ballkanit Perëndimor. 

Si e gjykoni qëndrimin publik të kryeministrit të Shqipërisë në artikulimin mediatik rreth çështjes së Kosovës? 

– Qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë, në përgjithësi nuk kanë qenë produktive dhe lehtësuese, përsa u përket sfidave të Kosovës. Deklaratat kundërthënëse dhe veprimet kontradiktore, kanë shkaktuar një kaos të vërtetë në marrëdhëniet ndër-qeveritare mes dy vendeve tona. Në librin tim “Sovraniteti versus Integriteti” kam shpjeguar në hollësi qasjen e gabuar të zotit Rama në raport me Kosovën, kur kam përmendur rolin e tij si aktor në bisedimet Prishtinë-Beograd, duke braktisur traditën shumëvjeçare të diplomacisë së Shqipërisë. Shqipëria mund të jetë një faktor me rëndësi për çështjen e Kosovës, por jo një aktor. Roli i aktorit i takon Kosovës dhe institucioneve të saj përfaqësuese. Akuzat që janë formuluar ndaj tij se është një nga aktorët e strategjisë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë, janë shumë të rënda dhe përbëjnë një përgjegjësi historike para kombit. Ai u tërhoq nga një gjyq që thirri kundër ish-Kryeministrit Haradinaj. Haradinaj udhëhoqi disa prej akuzave kundër Ramës në cilësinë e dëshmitarit. Kjo tërheqje nga ballafaqimi me Haradinajn, la shumë hije dyshimi për veprimtarinë e zotit Rama prapa perdes në marrëdhënien e tij të ngushtë me Aleksandër Vuçiq. Nga këndvështrimi diplomatik, përtej akuzave të ndërsjella që janë bërë nga Rama dhe për Ramën, mund të them se diplomacia kryeministrore shqiptare e ka trajtuar Serbinë si një vend fqinj, duke anashkaluar Kosovën në disa nga nismat rajonale. Një nga postulatet që qeveritë shqiptare (të majta e të djathta) i kanë trashëguar njëra-tjetrës ka qenë se, marrëdhëniet me Beogradin, duhet të kalojnë nga Prishtina. Për fat të keq, Rama e injoroi këtë parim të politikës sonë të jashtme si edhe disa të tjera duke shkaktuar pasoja të rënda. 

A po tenton të fitojë pikë në publik Kryeministri Rama duke akuzuar kundërshtarët politik në Shqipëri rreth raportit të Dik Martit dhe liderin e opozitës Basha si hetues të UÇK. Ky amplifikim shtetëror dhe i mediave pranë Kryeministrit Rama, a e dëmton Kosovën? 

– Ajo çfarë inicioi Kryeministri Rama menjëherë pas arrestimit të disa udhëheqësve të Kosovës ishte një tendencë e hapur shfajësimi ndaj mikut të tij Hashim Thaçi, të cilit, kohë më parë i ofroi retorikën e një mbrojtjeje të pamundur. Kur zoti Thaçi në fillim të korrikut u intervistua nga Haga për katër ditë me radhë, Edi Rama adresoi një lum akuzash kundër Gjykatës Speciale dhe për më tepër ai e vizitoi Thaçin në Prishtinë në shenjë solidariteti vllazëror. Solidariteti pompoz i Ramës nuk ndikoi aspak në axhendën e prokurorëve në Hagë, të cilët lëshuan mandat arrestin për Presidentin Thaçi pak javë pas vizitës së Ramës në Prishtinë. Rama bëri sikur u dëshpërua dhe lëshoi shigjeta të helmatisura kundër liderit të opozitës, Lulzim Basha. Rama risolli në vëmendjen e publikut akuzat e Dick Marty-t duke e paraqitur zotin Basha si hartuesin e tyre. Kjo ishte një fortune propogandiste në gotë, përderisa brenda pak ditësh e gjitha u kthye në një bumenrang për vetë zotin Rama. Zoti Rama, në vazhdën e gabimeve që bën zakonisht në raport me Kosovën, ndërhyri në mënyrën e gabuar tek debati dhe problemet e Kosovës, pa ofruar asnjë ndihmë konkrete. Të gjithë e panë se fushata e tij kundër Bashës ishte për qëllime të mirëfillta politike dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me solidaritetin vëllazëror për shqiptarët e akuzuar nga Haga.  

Parlamenti i Shqipërisë votoi ngritjen e një Komision Parlamentar që do hetojë raportin e Dik Martit, a është kjo një përpjekje e funksionarëve të qeverisë dhe institucioneve për të larguar vëmëndjen nga dështimet e qeverisë dhe dështimet e menaxhimit të pandemisë globale në Shqipëri? 

– Në përgjithësi, komisionet hetimore të Parlamentit të Shqipërisë kanë qenë një dështim. Nuk mbahet mend që ndonjë komision të ketë realizuar ndonjë “hetim” serioz. Dështimi i fundit ishte komisioni që hetoi veprimtarinë e Presidentit Meta. Përsa i përket komisionit “Dick Marty” që ka ngritur mazhoranca socialiste, mendoj qëështë një“fake komision”  apo një farsë elektorale, që synon të mbajë ndezur bishtukun e akuzave kundër liderit të opozitës. Deputetë të mazhorancës socialiste, të cilët në vitin 2011 votuan për lejimin e EULEX-it që të hetonte akuzat e Dick Marty-t për Shqipërinë, sot do të “hetojnë” hetimet e Dick-ut. Po ashtu, ky komision është një betejë “post factum”, që zoti Rama po bën me drejtësinë ndërkombëtare gjoja për të “mbrojtur” zotin Thaçi. Unë besoj që ky komision nuk do të sjellë asgjë të re në ndryshimin e rrjedhave të punës së Dhomave të Specializuara dhe në fatin e të akuzuarve. Përkundrazi, propaganda serbe, tashmë ka të drejtën të thotë, që akuzat e Dick-ut nuk i hetoi vetëm Haga, por po i heton edhe Tirana. Po ta vini re, askush nga bota e jashtme nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj aventure politike që ka ndërmarrë mazhoranca moniste e Ramës. 

Cila do ishte zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës në raport me Serbinë? 

– Zgjidhja e vetme dhe përfundimtare e kontestit Kosovë-Serbi, është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të jetë hapja e një kapitulli të ri marrëdhëniesh reale mes të dyja vendeve fqinje dhe plotësim i integrimit të brendshëm të rajonit tonë. Pa vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës e Serbisë, çdo nismë rajonale dhe vetë perspektiva e rajonit janë në një pikëpyetje të madhe. Rusia duhet të heqë dorë nga çdo formë e presionit mbi Serbinë, sepse ajo po e përdor veton e saj kundër Kosovës dhe vetë Serbinë, vetëm për qëllimet e saj strategjike dhe aspak në emër të parimeve themelore tëOKB-së. Në momentin që Serbia do ta njohë Kosovën, vetoja ruse në OKB dhe influenca moskovite në Beograd e humbin vlerën e tyre. Administrata e re Biden, duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin, me qëllim që perspektiva integruese e Serbisë në BE të kushtëzohet realisht me aktin formal të njohjes së shtetit të Kosovës.

Në marrëdhëniet me Serbinë, BE dhe USA sipas gjykimit tuaj, a e ka ruajtur Kosova sovranitetin dhe integritetin e saj?

– Kosova e ka ruajtur integritetin e saj territorial, pavarësisht sfidave me të cilat është ndeshur. Po ashtu edhe sovranitetin. Duhet të kuptojmë se Kosova është ende një shtet në konsolidim e sipër dhe ka nevojë të përforcojë disa elementë të rëndësishëm të sovranitetit të saj. Kosova po funksionon si shtet demokratik me të gjitha elementët e shtrirjes së integritetit dhe sovranitetit të saj, qoftë në marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë në treguesit e zbatimit të ligjit. Ajo ka shumë pengesa, kryesisht në pjesën veriore të territorit të saj për të shtrirë rendin dhe ligjin sikurse e ka në pjesën jugore. Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës është në interes të stabilitetit të rajonit dhe perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Çdo përpjekje për të vënë në dyshim parimet bazë të shtetësisë së Kosovës, shkojnë në drejtim të destabilitetit të rajonit dhe rikthimit të tij në skenën e konflikteve të përgjakshme ndër-etnike. Shqipëria duhet të japë kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, duke mos praktikuar paternalizmin, por partneritetin vllazëror.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Çejku, Haga, Sokol Paja, UÇK

Menaxhimi i Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit

December 18, 2020 by dgreca

-Prezantohen planet e menaxhimit të Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit, mirënjohje për Ambasadën e Amerikës dhe misionin e OSBE-së në Kosovë që po përkrahin vazhdimisht projektet/

PRIZREN, 17 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/ Ministrja Kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka bërë prezantimin e planeve të menaxhimit të Qendrës historike në Prizren dhe Kalasë së Prizrenit.

Me këtë rast Ministrja Vlora Dumoshi tha se Muzeu Kombëtar i Kosovës edhe në këtë kohë pandemie mbetet nga institucionet që po na bën bashkë për aktivitete të ndryshme.

“Sot jemi së bashku për të miratuar dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Prizrenit.” tha ministrja Dumoshi.

“E veçantë e këtij procesi është gjithëpërfshirja dhe transparenca e bartësve të këtyre proceseve që të dyja të hartuara nga organizatat jo qeveritare më përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore Organizata Ec më ndryshe dhe Organizata e CHëB Kosova të kombinuara e mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet varëse të saj. Pavarësisht sfidave kanë bërë një punë të shkëlqyer” – tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu ministrja Dumoshi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e Amerikës në Kosovë dhe misionin e OSBE-së në Kosovë të e cilat po përkrahin vazhdimisht projektet e MKRS-së.

“Qendra historike e Prizrenit vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë. Është hartuar projekti për ndërtesën e ish-burgut në Prizren dhe jemi në procedurë përfundimtare për disa projekte në Prizren. Ne do të angazhohemi edhe në finalizimin e memorandumit për ndërtimin e muzeut të filigranit,” tha ministrja ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

 Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me këtë rast tha është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sot është ngjarje e veçantë meqë me anë të këtyre dy planeve ë menaxhimit, atij të Qendrës historike të Prizrenit dhe atij të Kalasë së Prizrenit po mundësohet ruajtja e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm” – tha Kryeministri.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Qendra e Prizrenit

Dr.Vjosa Osmani: SHQIPËRIA ËSHTË ËNDRRA JONË E PËRBASHKËT

December 17, 2020 by dgreca

TIRANË, 17 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot – 17 Dhjetor 2020, në Kuvendin e Shqipërisë: Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!/

FJALIMI I U.D. PRESIDENTES SË KOSOVËS VJOSA OSMANI NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Meta!

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Ruçi!

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të këtij kuvendi, përfaqësues të medieve;

Fort të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Jam tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, t’u drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur, e nëpërmjet tyre, bashkëkombësve të mi gjithandej botës!  

Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor.

Është, pra, nder i madh për mua t’ju drejtohem dhe t’ju flas sikur i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë aq shumë dashuri.

Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!

Të dashur qytetarë!

Sot, kur unë gjendem para jush, hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore, për shkak të rrënjëve etnike, po thellohen dhe komunikimi ynë po na ofron më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, janë shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës dhe duke dhënë e marrë me njëra tjetrën në procesin e integrimeve europiane, duke e njohur dhe respektuar njëra-tjetrën.

Por, sot, kur unë jam para jush duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin e sakrificën e brezave për këtë ditë. Duhet të kujtojmë se këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë, gjaku i derdhur i mbi 13.000 të vrarëve, shumica nga ta gra, pleq e fëmijë, nga të cilët mbi 1.600 ende të pagjetur dhe i mbi 1.133 fëmijëve, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, emrat e të cilëve qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë. Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne ia njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë në vendimet tona.

Të dashura deputete e deputetë!

Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah.

Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit.

Të dashur qytetarë!

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë, dhe si Presidente në detyrë e Republikës, unë dua t’i thërras sidomos të rinjtë e vendeve tona, e sidomos vajzat e gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen: të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë ato do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës e të bizneseve. Sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova e Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës së tyre, që e përbëjnë gratë.  Të rinjtë tanë, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë kapitali ynë më i çmuar. Ata janë ambasadorët tanë në botë, me të cilët po krenohemi çdo ditë e më shumë. Andaj, është obligim i yni që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të tillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.

Prandaj, ftoj përfaqësuesit politikë, ata që sot janë në këtë dhomë, sikur edhe ata që janë jashtë saj, që ta kultivojnë këtë besim. Si të përzgjedhur të popullit ata duhet të kujdesen që vullneti i tyre të realizohet, që Shqipëria të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Është thelbësore që institucionet tona dhe politikbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të Shqipërisë sonë!

Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës.

Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë,

REZOLUTA

Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh.

Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim.

E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull po ashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet.

Ky kapitull po ashtu na mëson, se rinia briliante shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, e çdo kund  tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh.

Detyra jonë është të punojmë, që ata vendin e tyre ta shohin si vend që nuk e meriton braktisjen, por si vend që e meriton gjithë kontributin e dashurinë e tyre. Prandaj të punojmë bashkë të gjithë, që si dy shtete sovrane, me dy flamuj por me nje shpirt që nuk ka mundur askush t’a mposhtë ndonjëherë, të dëshmojmë par botës mbarë, se ne, ilirët e lashtë e evropianët më të rinj, populli më paqedashës, me pro-evropian e më pro-amerikan në botë, mund dhe do t’ia dalë. T’i kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyer shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimeve evropiane, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi në mes të dy vendeve tona është kundrejt frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë! Eruditi jonë i madh, Konica e përmbledhë më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën “Abania”.

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kishte thënë Konica.

Prandaj, ju ftoj që të punojmë që edhe flamuri i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombet e Bashkuara e në NATO, krahas atij të Shqipërisë, e të ecim me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Bashkëkombas të dashur,

Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur.

Në fund, më lejoni t’ju falënderoj sërish për mikpritjen, në shtëpinë tonë të përbashkët dhe t’ju ritheksoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës gjithë dashurinë që ndiejmë për Shqipërinë, për motrat e vëllezërit shqiptarë dhe gatishmërinë tonë që me vullnet e me punë t’i çojmë përpara dy shtetet tona.

 Ju faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, endrra Jone e perbashket, shqiperia

Dr. Vjosa Osmani u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta

December 16, 2020 by dgreca

Zonja Osmani u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ata shprehën në një konferencë shtypi gadishmërinë e të dy vendeve për bashkëpunim më të ngushtë në fushat e ekonomisë, diplomacisë dhe të shëndetësisë.

Zonja Osmani kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë, që dënon genocidin serb në Kosovë.

Ajo i kërkoi Presidentit Meta që bashkërisht të kundërshtojnë idetë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse për momentin mund të duket një ide e vdekur.

Të dy krerët e shteteve diskutuan për kujdesin më të madh ndaj Luginës së Preshevës, për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, si dhe liberalizimin e vizave.

Zonja Osmani tha se shumë marrëveshje janë nënshkruar ndër vite, por se duhet parë zbatimi i tyre, ndërkohë që hapësira për bashkëpunim mes dy vendeve është mjaft e gjerë.

Gjatë tre ditëve zonja Osmani do të ketë një seri takimesh me përfaqësuesit më lartë të shtetit dhe politikës shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, Presidenti Meta, pritje zyrtare

TE HENEN E 15 DHJETORIT NDERROI JETE FAIK KONICA

December 16, 2020 by dgreca

…Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor(1942), kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”…(Dielli 15 Dhjetor 2016)

Filed Under: Featured Tagged With: 15 Dhjetor, Faik Konica, Ilir Ikonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT