• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA FESTOI MË GËZIM E KRENARI FESTËN E PAVARËSISË

November 29, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA-

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni festive patriotike me rastin e 108 vjetorit të festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Të mbledhur në Vatër me gëzim e vëllazëri, patriotët vatranë në zbatim të rregullave të guvernatorit të New Yorkut në lidhje me masat e pandemisë globale, në rakordim me masat e autoriteteve shëndetësore, festuan ditën e lirisë së shtetit shqiptar.

Një traditë e shkëlqyer që u ruajt edhe këtë vit edhe pse kushtet ishin të jashtëzakonshme.Takimi vëllazëror u hap me mbajtjen e një minuti heshtje për vatranët e humbur këtë vit dhe viktimat e Covid-19.

Takimin e hapi Editori i Diellit Dalip Greca i cili pasi falenderoi miqtë, uroi Pavarësinë dhe theksoi rëndësinë historike që ka kjo datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar. Editori i Diellit Dalip Greca i cili prej 11 vitesh ka bërë një punë të jashtëzakonshme në krye të gazetës Dielli, sidomos me numrat special të Pavarësisë, pasi uroi shqiptarët kudo ndodhen për festën e Flamurit, bëri një retrospektivë nga Pavarësia te gjendja e vështirë e shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Z.Greca ndër të tjera tha: “Është një ditë e shënuar, dita e ngritjes së flamurit kuq e zi, e cila e ka zanafillën e saj që në  28 Nëntorin e vitit 1943 në fortesën e Krujës, ku Gjergj Kastriot Skënderbeu heroi ynë kombëtar lartesoi flamurin dhe shpartalloi garnizonin turk dhe vendosi atje flamurin kuq e zi të cilin dorë pas dore e trashëguan shqiptarët derisa e ringritën duke bërë përpjekje herë pas here. Gjurmët e Flamurit i gjejmë nëpër vite,ku shqiptarët e Amerikës e kanë që në 1908, e kanë çuar edhe në Shqipëri dhe janë kthyer prapë, ndërkohë që në 6 Prill 1911 malësorët tanë më në krye Ded Gjon Lulin e ringritën flamurin kuq e zi për të ardhur dita e madhe të ciles i paraprijnë edhe kryengritjet e Malësisë dhe të Kosovës të viteve 1910 -1911 dhe 1912. Shqiptarët qenë të pafat që atë Flamur ta kishin ngritur në Shkup dhe qe aty ta shpallnin Shqiperine e mosvarme nga Turqia. Për të ardhur tek data 28 Nëntor 1912, ngritja e Flamurit në Vlorë nga Ismail Bej Qemali, duke pase prane kreret nga e gjithe Shqiperia Etnike. Vatra ka meritën se e orientoi pavarësinë e Shqipërisë, orientoi edhe Kuvendin e Vlorës, duke qënë Faik Konica Kryetar i Vatrës në ato momente, pra në Nëntorin e 1912 ai do ti dergonte një telegram Kuvendit të Vlorës dhe do të kërkonte që Kuvendi i Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi, orientojeni Shqipërinë nga perendimi, gjeni një Princ që të na vijë nga perendimi sepse 28 Nëntori e gjeti Shqipërinë aty ku ishte pa asnjë lloj infrastrukture, asnjë shkollë Shqipe dhe asgjë tjetër. Të tre armiqtë kryesorë të Shqipërisë ndër shekuj edhe sllavët,grekët e turqit, shkollën Shqipe e kishin halë në sy dhe nuk e lejuan gjuhen kombetare shqipe. Kjo ishte arsyeja që Konica orientonte që Shqipëria të kishte orientim perendimor. Fatmirësisht princi perendimor, princ Vidi erdhi por fat i keq ishte që iku para se të vinte. Qe në ato momente s’kemi më shtet shqiptar nga 1914 deri në vitin 1920. Kemi Vatrën tonë që i priu mbrojtjes së shtetit, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë” përfundoi editori i Diellit z.Dalip Greca. 

 Më tej fjalën e rastit për të uruar festën e flamurit e mori Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ai uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë. Kryetari Berisha deklaroi: “Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA uron të gjithë shqiptarët GËZUAR FESTËN E FLAMURIT. Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarsisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij. Në emër të VATRËS, vatranëve dhe diapsorës shqiptare në Amerikë, perzemersisht shpreh nderimet e mia më të thella, respektet më të veçanta dhe përuljen time ndaj çdo patrioti të nderuar që me veprimtarinë e tyre atdhetare e perpjekjet e pa ndalura, ne gëzojmë shtetin që kemi sot. Uroj të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet etnike që të festojnë me krenari e shpirtin plot 28 Nëntorin, ditëlindjen e shtetit shqiptar. Në këtë ditë nderimi dhe mirënjohje, ftoj të gjithë shqiptarët që të jemi më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më bashkëpunues me njëri-tjetrin që ta çojmë përpara drejtë përparimit, progresit, zhvillimit dhe lulëzimit atdheun tonë të bukur e të shtrenjtë. Jetojmë në kohë të vështira globale për shtetin dhe kombin tonë, ndaj lutjet tona në këtë moment shkojnë për të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me pandeminë globale. VATRA do të mbështesë me çdo mjet dhe me çdo kusht Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në rajon dhe çdo shqiptar kudo në botë. VATRA do jetë çdo herë një zë unifikues dhe i fuqishëm dhe do të luftojë për Shqipërinë, Kosovën e çdo shqiptar. Vatra do të afrojë edhe më shumë patriotë, bij e bija të nderuar të Shqipërisë e Kosovës, intelektualë, duke bërë krenar çdo shqiptar për formacionin patriotik që do i bashkangjitet elitës shqiptare në VATËR. Bashkë do të jemi më të fortë. Ne do ta bëjmë atdheun tonë krenar çdo ditë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha viset shqiptare. Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Agim Rexhaj Presidenti i Nderit të Vatrës u shpreh: “Të nderuar dhe të dashur vatran, Kryetar i nderuar, zonja Sekretare , Kryeredaktor, Nënkretar, Anëtar dhe të gjithë ju të pranishëm me gjithë zemer ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, të 28 Nëntorit. Shfrytëzoj rastin të uroj dhe të përshëndes të gjithë vatranët që sot s’munden të jenë me ne, të gjithë vatranëve kudo që janë nëpër të gjitha degët e Vatrës. Në të njëjten kohë përshëndes dhe uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, dashtë Zoti që shqiptarët në një të ardhme të afërt të jenë të bashkuar. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Pavarësinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohërat. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Vatrën dhe vatranët, gazetën Dielli që e kemi gazetën më të vjetër në botën shqiptare më në krye Kryeredaktorin dhe zotin Sokol i cili po bën punë të mrekullueshme, stafin e tyre dhe të gjithë ata që kanë kontribuar dhe po kontribuojnë. Kjo gazetë në këto kushte edhe pse jemi në pandemi del rregullisht dhe sot ka dal me një numër mjaft special, dhe jam i bindur sepse që prej 11 vitesh Kryeredaktori ka bërë një punë të shkëlqyer. Edhe një herë ju përgëzoj për punën, ju përshëndes të gjithëve dhe Gëzuar Festën” u shpreh ai. Dr. Pashko Camaj, Nënkryetari i Vatrës, uroi në emër të të gjithë nënkryetarëve ku theksoi: “Gëzuar Festën e Flamurit të gjithëve. Vitin që vjen do ta festojmë pa maska. Situata e pandemisë do kalojë shpejt. Ishte një vit i vështirë me sfida. Vitin që shkoi kishim ditët e tmerrshme të termetit në Shqipëri. Ju uroj dhe përgëzoj të gjithëve për këtë festë shumë të rëndësishme. Uroj për të gjithë gëzim dhe të shohim përpara për të mirën e secilit prej jush dhe për të mirën e Vatrës e gjithë shqiptarëve kudo në botë” uroi Dr.Camaj. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu përkujtoi në ditën e Pavarësisë Nolin e Konicën: “Desha të them që bashkë me ne sot janë shpirtrat e Nolit e Konices, shpirti i Zotit Ndreu, i Kryetarit Karagjozi dhe i Zotit Zef Perndocaj. Qoftë në amshim shpirti i tyre dhe njëkohësisht gjithnjë pranë nesh për patriotizmin dhe për mundësinë që ata patën që të na e lënë Vatrën kështu siç e kemi. Faleminderit dhe Gëzuar Festën” uroi ajo. Ibrahim Kolari, anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Ju të gjithë që keni ardhur sot Gëzuar dhe dhashtë Zoti që vitin e ardhshëm ta festojmë më madhështore. Faleminderit që na keni ardhur dhe fjalët e bukura që thatë. Gëzuar Festën e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve” uroi ai. Luigj Gegaj, Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë dega Malësi e Madhe, deklaroi në Vatër për Pavarësinë: “Kam nderin të jem pjesëmarrës në këtë festë. Për shqiptarët është një festë jashtëzakonisht e madhe, është identiteti dhe pashaporta e shqiptarit. Më bëhet zemra mal që ju shoh të bashkuar dhe që as pandemia s’po mundet tju ndajë. Ju shpreh ngushëllimet familjarëve dhe Vatrës për disa vatranë që kanë humbur jetën nga Covidi. Të falenderoj ty Dalip për punën e palodhur, uroj Kryetarin për detyrën që ka marrë, është një detyrë shumë fisnike, më shumë se 1 shekullore, që ta përmbushni me sukses sepse është një mision i bekuar. Ju po mbani kulturen gjallë, po mbani shqiptarizmin gjallë  edhe ndonëse shumë larg amës, ju po e mbani gjallë. Ky është një akt shumë fisnik. Ju përshendes të gjithëve dhe Gëzuar” u shpreh ai. Të gjithë të pranishmit uruan e përgëzuan njëri-tjetrin në fund të takimit festiv përmbyllës për ditë më të bukura e më të lumtura për Vatrën, familjet e tyre dhe gjithë shqiptarët kudo në botë. 

Vatra falenderon z. Tony (Tush) Musaj, i cili sponsorizoi darken qe u shtrua me rastin e Festes, nderkohe pijet i sponsorizoi Kryetari Elmi Berisha.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: 28 nentori, Sokol Paja, Vatra festa

SHOQATA “SKËNDERBEJ” I UROI FESTËN E FLAMURIT VATRËS…

November 27, 2020 by dgreca

Sot në mesditë, 27 nëntor, Kryetari i shoqatës “Skënderbej” me qendër në Nju Jork, vizitoi mjediset e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA me rastin e 28 Nëntorit, 108 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit Kuq e Zi.

Në emër të shoqatës’Skënderbej” kryetari Mark Qehaja uroi Vatrën, vatranët dhe të gjithë shqiptarët në Mërgim dhe në vendlindje:Gëzuar Festën Kombëtare të Pavarësisë!

Gëzuar festën e Flamurit!

Ai kërkoi që diaspora shqiptare në SHBA të jetë e bashkuar për të tejkaluar situatën e ëvshtirë që gjendet Kombi! Kush nxit përcarje nuk i shërben Kombit.

Përshëndetën edhe Dr. Fatjon Zogjani, avokat Artan Haxhi,Esat Seci, Binak Alia, ambasadori i artit Klevis Tafa. Për historinë e Federatës Vatra, udhëtimin e saj në 108 Vite dhe rolin e saj në Pavarësinë e Shqipërisë, si dhe historinë e Gazetës Dielli, informoi Kryeredaktori Dalip Greca.

Ish nënkryetari i Vatrës z. Asllan Bushati, I përshëndeti mysafirët dhe i falenderoi për vizitën. Ai u ndal në detaje në luftën Kombëtare të  Vatrës si ambasadore e shtetit shqiptar, si avokate e interasve shqiptare në SHBA dhe më gjerë. Përshëndetën edhe anëtarët e Kryesisë së Vatrës Zef Balaj dhe Marjan Cubi.

Nga mysafirët përcollën urime për Ditën e Flamurit; Avokat Artan Haxhi, Dr. Fatjon Zogjani, Klevis Tafa, Esat Seci, Binak Aliaj.

Mysafirët Mark Qehaja, Artan Haxhi, Esat Seci, Fatjon Zogjani dhuruan ndihma në vijim të fushatës të hapur nga gazeta Dielli në mbështetje të gazetës më të vjetër të botës shqiptare që ende është në  print dhe që ka publikuar sërish një edicion special prej 108 faqesh.

GËZUAR 28 NËNTORI!

Filed Under: Featured Tagged With: Marka Qehaja, Shoqata Skenderbej, Vatra

108 VJET PAVARËSI:JUG – VERI NJËSH ME PAVARËSI, PREJ KOSOVE E ÇAMËRI

November 27, 2020 by dgreca

Akti i shpalljes së Pavarësisë është një akt madhor që e ndan kohën e re historike të shqiptarëve në dy pjesë : para dhe pas Pavarësisë. Deri para saj, historia jonë kombëtare  pat rrjedhur në një shtrat të ngushtë, ku shpesh rrebeshet dhe cunamet e ardhur nga jashtë, por herë – herë dhe nga brenda, e  dëmtuan dhe pse jo devijuan rrugëtimin natyral çështjes  shqiptare. Pavarësia bëri që ky shtrat të shkonte në normalitetin e vet dhe,me gjithë  sfidat me të cilat ajo do të ndeshej, deviza historike e saj do të mbetej e patjetërsueshme. 

  Pavarësia ishte dhe mbetet kurorëzimi i ideve të gjeniut të lëvizjes sonë kombëtare Gjergj Kastriot Skënderbeu, sendërtimi i vizionit arketip të rilindësve tanë për Shqipërinë, mishërim i platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kulmim i gjithë aksionit historik të kombit tonë, për të gjetur vetveten në udhëtimin e tij sa të vështirë e kapriçioz, aq dhe të lavdishëm historik. Në analet e kësaj Pavarësie u shkrinë në një të gjitha viset shqiptare, jugu dhe veriu, mali dhe fusha, Vlora, Dibra, Shkodra, Ulqini, Elbasani, Kosova etj, duke sjellë protagonistë që me bëmat e tyre atdhetare e mbartën atdheun si një peng dashurie të përjetshme, duke na treguar udhët nga mund të kalojë në të gjitha epokat dashuria për trojet stërgjyshore. 

  Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën, , formimit dhe funksionimit, të shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës, duke shpallur Pavarësinë në emër të të gjitha trevave shqiptare që dërguan përfaqësuesit e tyre në të, institucionalizoi një Besëlidhje të Re të shqiptarëve, në gjurmët e Besëlidhjes së Lezhës, të kryer nga Skënderbeu. Ky Kuvend e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë, shembi muret dhe muranat e kobshme të ngritura nga fryma e ndasive të gjithfarshme  dhe projektoi bashkimin kombëtar. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare e Ismail Qemalit, e dalë nga ky kuvend me frymë profetike,  u shfaq në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë dhe e të gjitha tokave shqiptare, pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e territoreve të kombit tonë  mbetej e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike.  Akti i 28 Nëntorit 1912 sanksiononte të drejtën legjitime historike të kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e tij, bashkë me popujt e tjerë të Gadishullit të vjetër. Kjo ishte një e drejtë e mohuar nga paragjykimet e të mëdhenjve të kësaj bote, e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.

Nëse Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar, ne do t’i referohemi atij në të gjitha kohërat dhe brezat që do të vijnë, si një etalon i së drejtës shqiptare, për të pasur një përfaqësim institucional të vullnetit tonë kolektiv, për institucionin e shtetit dhe të drejtën njerëzore e gjithëkombëtare, për t’u vetëqeverisur. Nga ana tjetër, me shpalljen e Pavarësisë, shqiptarët nënshkruan vullnetin e plotë të bashkimit nga skaji më i thellë i Veriut në skajin më të thellë të Jugut, duke hedhur në erë psikozat dashakeqe të çdo përçarje, qoftë krahinore  qoftë politike apo fetare, në emër të unitetit kombëtar, të mishëruar në simbolin e flamurit dhe të lirisë e prosperitetit të bijve të shqipes. 

Për t’u ngritur në lartësinë e këtij mesazhi gjithëkohor, popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme bënë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar,  duke pasuruar përvojën e traditat  luftarake dhe  premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar. Ajo mobilizoi vetëdijen kolektive të bashkimit kombëtar në llogoren e një qëndrese të pashembullt, gjatë së cilës u promovua dinjiteti i një kombi që kërkonte me çdo çmim të rilindte si Feniksi, nga hiri i kohëve të këqija dhe paragjykimi i dritëshkurtërve të kontinentit të vjetër. 

  Autonomia e shpallur nga Lidhja e Prizrenit dhe pavarësia e institucionalizuar nga  Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre, si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, shpallja e pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.

Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit  mund të cilësohet  si një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare . Nga ana tjetër, grindjet dhe përçarjet e vazhdueshme të parësisë, me anë të grupimeve dhe lobimeve të tyre politiko-fisnore e të tjera dukuri penguese, e shtynë për një kohë relativisht të gjatë shpalljen e Pavarësisë. Por, edhe mbi Shqipërinë rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar qëndroi gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar thuajse i vetëm, pa aleatë të vërtetë, herë-herë me aleatë të çastit, që hynin në lojë jo për hir të ndonjë dashurie për Shqipërinë, por për shkak të konjukturave të kohës. Ajo që e bënte më të trishtë gjendjen, ishte fakti se shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat  e siguruan pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare , e cila për nga qëllimet e saj  i kundërshtonte planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik  në dëm të Shqipërisë. Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX i përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare, duke iu dhënë “alibi” armiqve tanë tradicionalë në aventurën e tyre pushtuese e aneksuese ndaj trojeve historike të vendit. 

Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa, e sidomos nga Rusia e krishterë, si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike po iu vinte fundi. Në këto kushte, lufta për Pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për një platformë reale për realizimin e saj.
  Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre patriotëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
  Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej, megjithatë, jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e Sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të veta, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Gadishullin vjetër problematik të Ballkanit.

  Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 u bë  premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar shtetin e pavarur shqiptar, pavarësia objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Epoka aktuale e riformulimit të problemeve të Ballkanit dhe tentativa për zgjidhjen e tyre duke ridimensionuar botën shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të imponuar politikë, e vërteton më së miri këtë devizë të saj dhe e ilustron aktin e Pavarësisë si një veprim i plotë lirie e sovraniteti i një kombi me vlera dhe kontribute të shpalosura.

Qatip Mara

Nju Jork Nëntor 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 28 Vjet Pavaresi, Qatip Mara

GJYKATA SPECIALE E INSKENUAR NGA SERBIA. SHPRESË VETËM TEK AMERIKA

November 27, 2020 by dgreca

Metush Kryeziu, Komandant Batalioni në UÇK, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Malishevë, ushtrues detyre i Nënkryetarit të OVL në Selinë Qëndrore Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale ka si qëllim diskreditimin e luftës së UÇK. Kjo gjykatë sipas Komandant Kryeziut është e inskenuar nga Serbia dhe se e vetmja shpresë për zgjidhje të drejtë është Amerika.

GJYKATA SPECIALE DO TË DISKREDITOJË LUFTËN E UÇK

Gjykata Speciale tregoi se qëllim të vetëm ka diskreditimin e luftës së UÇK-së dhe jo drejtësinë, sikur e pretendon. Gjykata Speciale është gjykatë e njëanshme dhe kjo gjykatë arrestoi krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës pa të drejtë juridike. Tashmë, është e qartë për secilin, që nuk i mbyll sytë me dashje, se themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një mashtrim dhe padrejtësi e madhe që po i bëhet popullit shqiptar. 

GJYKATA SPECIALE E INSKENUAR NGA SERBIA

Kjo Gjykatë e inskenuar nga Serbia dhe qarqet anti shqiptare ishte një mashtrim dhe vetëmashtrim i imponuar edhe me joshje e beneficione, por edhe me shtrëngim, kërcënim e shantazhim individual e kolektiv, me gjoja rrezikun e një Gjykate të njëanshme të miqve të Serbisë në Këshill të Sigurimit e në OKB, nga njëra anë, dhe me liberalizim vizash e përshpejtim të integrimit euroatlantik, në anën tjetër. Kjo Gjykatë naziste ashtë një e pa drejtë më e madhe që njeh historia ndonjëherë, e cila po tenton te degradojë luften e shenjtë të Kombit Shqiptar, luften e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

AKUZA ME DËSHMITARË TË RREMË

Këto akuza mbi të cilat ka prerë fletëarrestet Prokuroria Speciale, janë akuza të fabrikuara në Serbi me dëshmitarë të rremë. Një proces farsë. I gënjeshtërt dhe i papranueshëm. Gjykata Speciale po bën një krim të madh me këtë drejtësi të stisur. Kjo është një Gjykatë e rremë e krijuar në një proces politik të rremë e të padrejtë mbi kauza që nuk qëndrojnë dhe nuk kanë qenë kurrë të vërteta. Kur akuza e Gjykatës ra për trafikimin e organeve, në mënyrë djallëzore dhe tinëzare, kjo Gjykatë ndërroi kahjen dhe ngriti akuza të tjera të bazura në prokurori e kriminelë serbë. Asnjë gjykatë, asnjë prokurori, asgjë institucion në këtë botë nuk mund të hedh baltë mbi luftën e drejtë e të pastër të UÇK.

AGRESORI U KTHYE NË VIKTIMË

Turpi më i madh i kësaj Evrope është që merret me akuzimin e viktimave të luftes, ndërsa agresorin e ka kthyer në viktimë. Kjo gjykatë po vret edhe njëherë 13.000 viktimat që vrau Serbia. Kjo gjykatë po “perdhunon” prapë 20.000 motrat tona. Kjo gjykatë po vret të mitur pleq e gra. Kjo gjykatë po shfaros, po shkatërron gjithçka që është ndërtuar në Kosovën e pas luftës. Kjo është tepër e rëndë për popullin tonë, për shtetin tonë, për kombin tonë. 

SITUATA E RËNDË INSTITUCIONALE

Arrestimet e padrejta të krerëve të shtetit të Kosovës dhe të krerëve të luftës kanë shkaktuar një situatë të rëndë në vend. Institucionet në Kosovë janë të brishta. Situata pandemike po bëhet çdo ditë më e rëndë. Arrestimi i kreut të shtetit dhe atyre që udhëhoqën për të ardhur kjo liri përbëjnë një ngjarje tepër të papranueshme. Krerët e shtetit dhe të luftës akuzohen padrejtësisht në emër të Drejtësisë. Situata është e pa përballueshme. Vendi ynë jeton ditë të zymta. 

GJYKATA SPECIALE NË KUSHTETUESE

Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës jemi duke punuar për ti mledhur nënshkrimet nga Deputetët për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë gjykatë Speciale. Kjo gjykatë është një maskaradë. Kjo gjykatë është e paligjshme. Asnjë Gjykatë në botë nuk mund të veprojë me mandat të skaduar. Gjykata Speciale është e vetmja gjykatë në planet që po vepron pa mandat. Si mundet Evropa ta pranojë këtë? Kjo nuk ndodh askund. Që nga Gushti i këtij viti, kjo gjykatë nuk ka më asnjë mandat dhe asnjë të drejtë. Disa deputetë na kanë premtuar për inicim të procesit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Po punojmë fuqishëm. Jemi duke menduar dhe skenarin e protestave dhe çdo skenar të mundshëm deri sa të dalë e drejta jonë. Askënd në këtë botë nuk do ta lejojmë të veprojë padrejtësisht në kurrizin tonë. 

SHPRESA VETËM TEK AMERIKA

E vetmja shpresë në Kosovë dhe në këtë proces të pandershëm dhe të padrejtë është Amerika. Shpresojmë, u bëjmë thirrje dhe kemi besim se Shtetet e Bashkuara do ta ndalin hovin dhe qëllimet e kësaj gjykate poshtëruese që ka per qëllim të barazojë luften e popullit, luften Çlirimtare me agresorin serb që ushtroi genocid në Kosovë. Kjo Gjykatë Speciale po përkrahet fatkeqësisht edhe nga disa shtete Evropiane si dhe qarqe të brendshme për interesa personale , duke lënë mënjanë interesin kombëtar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Koamndanti, Metush Kryeziu, Sokol Paja

AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ

November 27, 2020 by dgreca

  Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan: AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ/

-Me rastin e 35-Vjetorit të Meshës së Parë në Nju Jork-

Nga Frank Shkreli/

Ishte Nëntori i vitit 1985, kur Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, me qendër në Nju Jork, lajmëronte me një njoftim të posaçëm, komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe për shugurimin e priftit të ri katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, nga Kardinali i Nju Jorkut, John O’Connor, në Katedralën e madhe të Shën Patrikut në Manhatan me 16 Nëntor, 1985. Në këtë ceremoni morën jesë qindra shqiptaro-amerikanë.

Komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim, ftohej gjithashtu të merrte pjesë me 24 Nëntor, 1985 edhe në ceremoninë fetare kur meshtari i ri dhe i pari prift katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, do të kremtonte Meshën e parë në Kishën e lartëpërmendur.  Njoftohej gjithashtu mbarë komuniteti, se përveç ceremonisë fetare për të shënuar atë ditë të rëndësishme në jetën e Don Pjetrit,  të Kishës katolike shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi – me këtë rast, do shtrohej edhe një darkë madhështore në Imperial Manor — njërin prej lokaleve më të njohura të shtetit fqinj, Nju Xhersi, një darkë që u kryesua nga aktivisti i njohur për shumë dekada i komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Tonin Mirakaj –një darkë që ende kujtohet si ndër më të dalluarat e komunitetit, me një pjesëmarrje prej më shumë se 1000-bashkatdhetarëve, përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve në Amerikë.

Ndër këta pjesëmarrës kisha nderin të isha edhe unë i pranishëm në këtë ceremoni historike – i ardhur enkas nga Washingtoni – për të festuar së bashku me shumë shqiptarë të ardhur nga shumë vende të Amerikës, por edhe nga Evropa dhe Kanadaja. Ishte një ditë që do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e shumë shqiptaro-amerikanëve dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot po e kujtojmë si një ngjarje, ndër më të dalluarat e komuntetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, për nga pjesëmarrja dhe për nga rëndësia historike e vet ngjarjes – e që u përshëndet edhe nga i pari i shtetit të Nju Jork-ut, ish-governatori Mario Cuomo, i cili kishte bërë një deklaratë të veçantë me këtë rast.

Në një shkrim të ditëve të fundit për gazetën Illyria në Nju Jork, kryetari i asaj darke,  35 vjetë më parë, Z. Tonin Mirakaj kujton se në darkën e cilësuar si “Darkë Gazmore” në “Imperial Manor”, në Paramus, Nju Xhersi, me një pjesemarrje të më shumë se 1000-personave, që në mes tyre dalloheshin, Mons. J.Dougherty, udhëheqës Episcopal i Bronxit, Mons. Simon Filipaj, i ardhur enkas nga Ulqini, priftërinjt shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshi, Don Prenk Ndrevashaj, At Andrea Nargaj, Don Lazer Sheldia, Don Rrok Mirdita e të tjerë klerikë amerikanë vendas. I ftuar nga Z. Mirakaj për të marrë pjesë në darkën madhështore të shqiptarëve, ishte edhe Guvernatori i atëhershëm i Shtetit të New York-ut, i ndjeri Mario Cuomo, por në pamundësi të merrte pjesë, Krye-ekzekutivi i shtetit Nju Jork, pat lëshuar me atë rast, një Deklaratë të posaçme duke thekësuar dhe duke përshëndetur Dom Pjetër Popaj si të parin shqiptar, i shuguruar prift katolik në New York, për të cilin u shpreh se, Don Pjetër Popaj “ka sjellur krenari dhe gëzim në radhët e komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.”  Këte deklaratë e lexoi ndihmësi i Governatorit Cuomo për Marrëdhënie Etnike, z. John Nikas.

Z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë” dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të pranishmit në shqip dhe anglisht.

“Vlen të shënohet se kjo darkë madhështore kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht vëllazërore dhe shoqërore”, do të shkruante Gjekë Gjonlekaj, në një kronikë për gazetën Dielli, duke i akorduar meritat për suksesin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për komunitetin edhe sot e 35-vjetë më parë — komisionit përgatitës të kryesuar nga Don Rrok Mirdita më vonë i emëruar nga Vatikani si Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, tani i ndjerë  —  dhe Z. Tonin Mirakaj i cili jeton në Nju Jork, gjithnjë aktiv në komunitet — ndonëse, aktualisht, në pension.

Shugurimi i Don Pjetër Popaj, 35-vjet më parë, ishte një ngjarje me rëndësi për të dhe për familjen e tij, por ishte gjithashtu një rast krenarie për ta dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, atëherë dhe sot, sidomos kur reflektojmë sot,  mbi veprimtarinë e këtij prifti të dalluar shqiptar, jo vetëm në fushën fetare, por edhe si udhëheqës në fushën kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nën drejtimin e Don Pjetrit, famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ai vet dhe qendra, “Nëne Tereza” pranë kësaj kishe, i ka gjithmonë dyertë e hapura për të gjithë komunitetin pa dallim feje a krahine.  Gjatë 35 viteve të kaluara, si udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork, Don Pjetri ka inkurajuar dialogun vëllazëror dhe bashkpunim me të gjitha grupet e komunitetit, për të mirën edhe zhvillimit të vlerave të përbashkëta morale e kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine, përfshir edhe bashkpunimin dhe respektin për njëri tjetrin midis përfaqësuesve të feve të tjera. 

Dom Pjetri, është një pasardhës i denjë,  si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York — i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tiranë-Durrës, të ndjerit Rrok Mirdita — famulli kjo që siç dihet tani –kishte mbrenda  praninë e të Madhit Zot — i cili gjatë një periudhe kur dukej se katolicizmi shqiptar po zhdukej nga regjimi komunist në Shqipëri – në të vërtetë, po mbillte një farë të re rritjeje e lulëzimi, që është sot Kisha Katolike në Shqipërinë post-komuniste, me të gjitha veprimtaritë e saja, në të mirë të besimtarëve dhe të Kombit shqiptar.

Këtu në Amerikë, me veprimtarinë e tij të palodhëshme, Don Pjetër Popaj ka bërë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhën e grupeve të kombeve te tjera këtu në Amerikë, duke berë të mundur dhe duke orgnaizuar dhe inkurajuar pjesemarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York — duke shpalosur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare e folklorike, para popullit amerikan dhe para botës.

Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, ne New York dhe me jehonën e fjalës se tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjithëherë Kishën Katolike Shqiptare, por në të njejtën kohë ai ka promovuar edhe virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar.  Don Pjetri, për nga arritjet e tija në shumë fushë, me krenari, rreshtohet në listën e gjatë te klerikëve katolikë shqiptarë të cilët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, kanë qenë shtylla të rendësishme të ajkës se patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe.  Dom Pjetri këte vazhdon ta bejë cdo ditë, — ndër të tjera aktivitete— edhe me botimin e vazhdueshëm të revistës Jeta Katolike, si dhe me organizim simpoziumesh, konferencash, e akademishë, në përkujtim të personaliteteve me të dalluar të historisë kombëtare.

E falenderojmë të Madhin Zot dhe “Zojën e Shkodres”, Zojën e Këshillit të Mirë, që veprimtaria fetare e kombetare e Don Pjetrit dhe atyre që bashkpunojnë me të, të vazhdojë të jetë ashtu si nëtë kaluarën, tani dhe gjithmonë, në dobi të përparimit shpirtëror, kombëtar e kulturor të komunitetit shqiptar këtu në Amerikë due  më gjërë. Urojmë në këtë përvjetor që ai të vazhdojë të jetë një trashëgimi e pavdekëshme e historisë sonë këtu në Amerikë dhe një kujtim i martirëve të shumtë të klerit katolik shqiptar, të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën e veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, në rrethana shpesh shumë të vështira, ndërkohë që ata i dedikuan dijen, pendën dhe jetën e tyre, ngritjes së Kombit shqiptar.

Në rastin e 35-vjetorit të shugurimit tuaj si meshtar, e kemi gojën plot me falënderime (në këtë ditë të Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara) duke të uruar: Ad Multos Annos i nderuar Don Pjetër, në shërbim të Kishës dhe të Kombit.

Frank Shkreli

*Fotot e bashkangjitura janë furnizuar nga Z. Tonin Mirakaj

Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj, Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.

    Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.

Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: 35 Vjet nag Mesha e Pare, don Pjeter Popaj, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT