• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ

November 27, 2020 by dgreca

  Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan: AD MULTOS ANNOS, DON PJETËR POPAJ/

-Me rastin e 35-Vjetorit të Meshës së Parë në Nju Jork-

Nga Frank Shkreli/

Ishte Nëntori i vitit 1985, kur Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, me qendër në Nju Jork, lajmëronte me një njoftim të posaçëm, komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe për shugurimin e priftit të ri katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, nga Kardinali i Nju Jorkut, John O’Connor, në Katedralën e madhe të Shën Patrikut në Manhatan me 16 Nëntor, 1985. Në këtë ceremoni morën jesë qindra shqiptaro-amerikanë.

Komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim, ftohej gjithashtu të merrte pjesë me 24 Nëntor, 1985 edhe në ceremoninë fetare kur meshtari i ri dhe i pari prift katolik shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, do të kremtonte Meshën e parë në Kishën e lartëpërmendur.  Njoftohej gjithashtu mbarë komuniteti, se përveç ceremonisë fetare për të shënuar atë ditë të rëndësishme në jetën e Don Pjetrit,  të Kishës katolike shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi – me këtë rast, do shtrohej edhe një darkë madhështore në Imperial Manor — njërin prej lokaleve më të njohura të shtetit fqinj, Nju Xhersi, një darkë që u kryesua nga aktivisti i njohur për shumë dekada i komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Tonin Mirakaj –një darkë që ende kujtohet si ndër më të dalluarat e komunitetit, me një pjesëmarrje prej më shumë se 1000-bashkatdhetarëve, përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve në Amerikë.

Ndër këta pjesëmarrës kisha nderin të isha edhe unë i pranishëm në këtë ceremoni historike – i ardhur enkas nga Washingtoni – për të festuar së bashku me shumë shqiptarë të ardhur nga shumë vende të Amerikës, por edhe nga Evropa dhe Kanadaja. Ishte një ditë që do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e shumë shqiptaro-amerikanëve dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot po e kujtojmë si një ngjarje, ndër më të dalluarat e komuntetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, për nga pjesëmarrja dhe për nga rëndësia historike e vet ngjarjes – e që u përshëndet edhe nga i pari i shtetit të Nju Jork-ut, ish-governatori Mario Cuomo, i cili kishte bërë një deklaratë të veçantë me këtë rast.

Në një shkrim të ditëve të fundit për gazetën Illyria në Nju Jork, kryetari i asaj darke,  35 vjetë më parë, Z. Tonin Mirakaj kujton se në darkën e cilësuar si “Darkë Gazmore” në “Imperial Manor”, në Paramus, Nju Xhersi, me një pjesemarrje të më shumë se 1000-personave, që në mes tyre dalloheshin, Mons. J.Dougherty, udhëheqës Episcopal i Bronxit, Mons. Simon Filipaj, i ardhur enkas nga Ulqini, priftërinjt shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshi, Don Prenk Ndrevashaj, At Andrea Nargaj, Don Lazer Sheldia, Don Rrok Mirdita e të tjerë klerikë amerikanë vendas. I ftuar nga Z. Mirakaj për të marrë pjesë në darkën madhështore të shqiptarëve, ishte edhe Guvernatori i atëhershëm i Shtetit të New York-ut, i ndjeri Mario Cuomo, por në pamundësi të merrte pjesë, Krye-ekzekutivi i shtetit Nju Jork, pat lëshuar me atë rast, një Deklaratë të posaçme duke thekësuar dhe duke përshëndetur Dom Pjetër Popaj si të parin shqiptar, i shuguruar prift katolik në New York, për të cilin u shpreh se, Don Pjetër Popaj “ka sjellur krenari dhe gëzim në radhët e komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.”  Këte deklaratë e lexoi ndihmësi i Governatorit Cuomo për Marrëdhënie Etnike, z. John Nikas.

Z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë” dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të pranishmit në shqip dhe anglisht.

“Vlen të shënohet se kjo darkë madhështore kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht vëllazërore dhe shoqërore”, do të shkruante Gjekë Gjonlekaj, në një kronikë për gazetën Dielli, duke i akorduar meritat për suksesin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për komunitetin edhe sot e 35-vjetë më parë — komisionit përgatitës të kryesuar nga Don Rrok Mirdita më vonë i emëruar nga Vatikani si Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, tani i ndjerë  —  dhe Z. Tonin Mirakaj i cili jeton në Nju Jork, gjithnjë aktiv në komunitet — ndonëse, aktualisht, në pension.

Shugurimi i Don Pjetër Popaj, 35-vjet më parë, ishte një ngjarje me rëndësi për të dhe për familjen e tij, por ishte gjithashtu një rast krenarie për ta dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, atëherë dhe sot, sidomos kur reflektojmë sot,  mbi veprimtarinë e këtij prifti të dalluar shqiptar, jo vetëm në fushën fetare, por edhe si udhëheqës në fushën kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nën drejtimin e Don Pjetrit, famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ai vet dhe qendra, “Nëne Tereza” pranë kësaj kishe, i ka gjithmonë dyertë e hapura për të gjithë komunitetin pa dallim feje a krahine.  Gjatë 35 viteve të kaluara, si udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork, Don Pjetri ka inkurajuar dialogun vëllazëror dhe bashkpunim me të gjitha grupet e komunitetit, për të mirën edhe zhvillimit të vlerave të përbashkëta morale e kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine, përfshir edhe bashkpunimin dhe respektin për njëri tjetrin midis përfaqësuesve të feve të tjera. 

Dom Pjetri, është një pasardhës i denjë,  si famullitar në Kishën Zoja e Shkodrës në New York — i Monsinjor Zef Oroshit dhe ish-Arkipeshkvit Tiranë-Durrës, të ndjerit Rrok Mirdita — famulli kjo që siç dihet tani –kishte mbrenda  praninë e të Madhit Zot — i cili gjatë një periudhe kur dukej se katolicizmi shqiptar po zhdukej nga regjimi komunist në Shqipëri – në të vërtetë, po mbillte një farë të re rritjeje e lulëzimi, që është sot Kisha Katolike në Shqipërinë post-komuniste, me të gjitha veprimtaritë e saja, në të mirë të besimtarëve dhe të Kombit shqiptar.

Këtu në Amerikë, me veprimtarinë e tij të palodhëshme, Don Pjetër Popaj ka bërë të mundur rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhën e grupeve të kombeve te tjera këtu në Amerikë, duke berë të mundur dhe duke orgnaizuar dhe inkurajuar pjesemarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje kulturore e muzikore që organizohen në New York — duke shpalosur kështu pasurinë tonë kulturore, kombëtare e folklorike, para popullit amerikan dhe para botës.

Me veprimtaritë e Kishës “Zoja e Shkodrës”, ne New York dhe me jehonën e fjalës se tij, Dom Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjithëherë Kishën Katolike Shqiptare, por në të njejtën kohë ai ka promovuar edhe virtytet dhe emrin e mirë të Kombit shqiptar.  Don Pjetri, për nga arritjet e tija në shumë fushë, me krenari, rreshtohet në listën e gjatë te klerikëve katolikë shqiptarë të cilët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, kanë qenë shtylla të rendësishme të ajkës se patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës shqipe.  Dom Pjetri këte vazhdon ta bejë cdo ditë, — ndër të tjera aktivitete— edhe me botimin e vazhdueshëm të revistës Jeta Katolike, si dhe me organizim simpoziumesh, konferencash, e akademishë, në përkujtim të personaliteteve me të dalluar të historisë kombëtare.

E falenderojmë të Madhin Zot dhe “Zojën e Shkodres”, Zojën e Këshillit të Mirë, që veprimtaria fetare e kombetare e Don Pjetrit dhe atyre që bashkpunojnë me të, të vazhdojë të jetë ashtu si nëtë kaluarën, tani dhe gjithmonë, në dobi të përparimit shpirtëror, kombëtar e kulturor të komunitetit shqiptar këtu në Amerikë due  më gjërë. Urojmë në këtë përvjetor që ai të vazhdojë të jetë një trashëgimi e pavdekëshme e historisë sonë këtu në Amerikë dhe një kujtim i martirëve të shumtë të klerit katolik shqiptar, të cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan jetën e veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, në rrethana shpesh shumë të vështira, ndërkohë që ata i dedikuan dijen, pendën dhe jetën e tyre, ngritjes së Kombit shqiptar.

Në rastin e 35-vjetorit të shugurimit tuaj si meshtar, e kemi gojën plot me falënderime (në këtë ditë të Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara) duke të uruar: Ad Multos Annos i nderuar Don Pjetër, në shërbim të Kishës dhe të Kombit.

Frank Shkreli

*Fotot e bashkangjitura janë furnizuar nga Z. Tonin Mirakaj

Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj, Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.

    Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.

Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: 35 Vjet nag Mesha e Pare, don Pjeter Popaj, Frank shkreli

Anton Çetta – personalitet me të cilin identifikohen një epokë…

November 26, 2020 by dgreca

-Kryeministri Hoti: Anton Çetta ka bërë historinë moderne të Kosovës-

Në 100 vjetorin e lindjes së Anton Çettës, dhe në 25 vjetorin e vdekjes së tij, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës, është promovuar botimi i kompletit të veprave të veprimtarit, shkrimtarit, mbledhësit të folklorit shqiptar, profesor Anton Çettës.

Muaji nëntor me vendim të qeverisë është shpallur muaji i Anton Çettës me propozim të ministres Vlora Dumoshi e cila ishte në këtë aktivitet bashkë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, drejtorin e Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, vajzat e Anton Çettës, Donika dhe Agata, dhe shumë personalitete tjera. Aktiviteti në fjalë u shënua në kuadër të këtij muaji.

Kryeministri Avdullah Hoti, duke vlerësuar lartë kontributin e Çettës, tha se ai së bashku me ish-presidentin Ibrahim Rugova kanë bërë histori moderne.

”Përgëzojmë punën që kanë bërë këta hulumtues për personalitetin me emrin e të cilin identifikohen epokat. E ka ndarë historinë para dhe pas ngjarjes me të cilën Çetta identifikohet, pra me pajtimin e gjaqeve. Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërrimin e kulturës. Ai dhe Rugova kanë bërë histori moderne”, tha Hoti.

Ndërsa Ministrja e Rinisë Kulturës e Sportit Vlora Dumoshi, tha se ky aktivitet po shënohet në kuadër të muajit të Anton Çettës, të shpallur nga kryeministri Hoti. Duke e vlerësuar profesorin Çetta, si një nga studiuesit më serioz të folklorit shqiptar ka themeluar edhe çmimin Anton Çeta.

 “Viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së profesorit Anton Çetta. Edhe sot së bashku jemi në aktivitetin e radhës të muajit të Anton Çettës të shpallur nga kryeministri Hoti. Sot promovojmë një pjesë të konsiderueshëm të botimeve të profesorit”, tha ministrja e cila edhe sqaroi se MKRS-ja ka publikuar thirrjen publike për të konkurruar për çmimin Anton Çetta, i cili është themeluar në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore. 

Ministrja Dumoshi falënderoi të gjithë ata që kanë bërë të mundur botimin e kompletit të veprave të profesor Çettës.

Hysen Matoshi drejtor i Institutit Albanogjik, tha se kompleti i veprave të Çettës përmban 13 vëllime e të cilat janë të njohura për lexuesin.

Donika Çetta, vajza e profesor Antonit tha se ky përvjetor i përkujtimit për babanë u erdhi më ndryshe dhe për këtë shprehu mirënjohjen në emër të familjes Çetta për të gjithë ata që mundësuan botimin deh promovimin e veprave të tij.

***

Kryeministri Hoti: Anton Çetta ka bërë historinë moderne të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti mori pjesë në promovimin e kompletit të veprave të Profesor Anton Çettës.

Kryeministri Hoti i përgëzoi hulumtuesit me punën e të cilëve është bërë realitet ky botim për  personalitetin,  ndër më të mëdhenjtë të historisë tonë, me emrin e të cilit identifikohen epokat, Profesorin Anton Çetta.

 “Në fushën e tij, bashkë me veprimtarin në hulumtimet në Institutin Albanologjik, në ditët e para me Presidentin Rugova, ai në fushën e politikës e ky në fushën e pajtimit të gjaqeve vërtet kanë bërë historinë moderne të Kosovës,” u shpreh Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti ndërkohë ka vizituar edhe ekspozitën që përmbante libra dhe artikuj për Anton Çettën.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjet, Anton Çetta, Behlul Jashari

KOMBI RRITET ME GJUHEN

November 26, 2020 by dgreca

-SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONE” NE FILADELFIA NJE EMER I KERKUAR NGA SHQIPTARET NE SHBA-

             Nga Tajar Domi-

Pandemia e Covid-19, tashmё ёshtё bёrё fjala mё e pranishme nё ambjentet tona. Kjo, pёr arёsye tё shqetёsimeve tё mёdha, qё solli ndёr njerёzit kudo nё botё, prej gati nje viti kohё. Tё vendosur para televizionit, ne ndjekim vazhdimisht atё cfarё po ndodh kёtu ku banojmё, por edhe nё vendlindje, nё Shqipёrinё e madhe. Kjo fjalё qё pёrmban mallkimin brenda nё cdo bisede kontakti mes shokёsh e miqsh, nё cdo bisedё telefonike qё gjatё gjithё kёsaj periudhe ka zёvendёsuar vizitat tek njeri tjetri e organizimet festive, ёshtё bёrё ajo me tё cilёn ngrihemi nё mёngjes duke pyetur, e shtrihemi nё darkё nё krevat duke u lutur. Humbje jete nё njё numёr tё pa imagjinueshem mё parё, goditje e madhe dhe ndalim i zhvillimit tё ekonomisё nё tё gjitha shtetet, pёrfshi edhe Ameriken, rritje e papunёsisё si kurrё ndonjёherё, mjekё e infermierё qё shihen si heronj me shёrbimin ndaj tё sёmurёve, tё tjerё mes stresit e frikёs tё kёsaj murtaje , tё shoqёruara edhe me kronika televizive debatesh shpesh herё tё turpёshme midis grupeve politike e udhёheqesive tё tyre si kёtu edhe nё Shqipёri. Tё gjitha kёto e shumё tё tjera janё refreni i kёtyre muajve me tё cilat kalojmё kohёn duke sjellё brenda nesh vetёm pa siguri, ankth e frikё.  

E nё kёto kushte, edhe shkollat nuk mund tё funksionojnё mё si mё parё. Me sistemin online, gjithcka po tentohet tё mbajё fёmijtё e rininё shkollore tё cdo niveli, sa mё pranё pёrvetёsimit tё njohurive qё nxёnёsit duhet tё arrijnё. Sigurisht ёshtё njё rrugё e imponuar nga kushtet e krijuara, dhe me plot vёshtёrsi si pёr nxёnёsit ashtu edhe pёr mёsuesit e prindёrit. Ne si komunitet, jemi pjesё e kёsaj situate qё dhёmb. Por duhet menduar pёr jetёn pas kёtij fundi, e cila shpresojmё tё rifillojё me pёrdorimin e vaksinёs, qё me sa duket do tё jetё e afёrt nё kohё. E pёr kёtё, shoqata atdhetare-kulturore “Bijte e Shqipes” nё Filadelfia, nuk e ndёrpreu asnjёherё punёn, pёr krijimin e kushteve tё vazhdimёsisё sё mёsimit tё gjuhёs shqipe me fёmijtё e bashkatdhetarёve. Ajo ka formuar njё experiencё tё gjatё, mbi 18 vjecare, vite tё pandёrprera pune qё i kanё sjellё asaj edhe rezultate tё lavdёrueshme. E nё misionin e saj, konsolidimi e zgjerimi i shkollёs shqipe, ёshtё angazhimi kryesor. Me emrin kuptimplotё “Gjuha Jone”, kjo shkollё e hapur mё 7 Mars 2004, nga viti nё vit pёrmes njё pune tё palodhur e vullnetare (deri para 5-6 vitesh), tё mbi 20 mёsueseve qё janё angazhuar nё mёsimdhёnien, tё arrijё nё rreth 700 numri i nxёnёsve qё kanё pёrfunduar kёtё shkollё, ku shumica e tyre e kanё ndjekur atё nё tё gjitha nivelet nga klasa e parё deri nё tё pestёn. Eshtё njё kontribut jo i vogёl pёr tё mbajtur gjallё e trashёguar nё brezin e ri gjuhёn tonё tё bukur shqipe, kёtu kёtej oqeanit. Por shumё mё tepёr duhet bёrё, qё cdo bashkatdhetar tё jetё i mundshёm tё kap kёtё avantazh sic mёshirohet nё shprehjen: “Ne gjuhё tё tjera edhe mund tё flas, por kur mё dhёmb shpirti vetёm shqip bёrtas”. Prandaj Kёshilli Drejtues i Shoqatёs, qё nё fillim tё gushtit qё kaloi, hartoi njё program pune nё pёrshtatje me kushtet qё u krijuan nga pandemia, duke kёrkuar e ngarkuar secilin e tё gjithё sё bashku tё punojmё qё viti i ri mёsimor tё filloi mё 20 shtator 2020, onlinё, sic punonin edhe shkollat publike tё shtetit tё Pennsylvanisё . Por, ishte njё experiencё e re, dhe qё kёrkonte mjete, kompjutera pёr mёsueset, e njohuri teknologjike pёr ta realizuar. 

I menjёhershёm qe reagimi anёtarit tё kёtij kёshilli, bisnesmenit Eldjon Pajollari qё sё bashku me bashkёshorten Megan Pajollari na siguruan falas laptopёt qё nevoiteshin pёr mёsueset, ndёrsa veprimtarja e ish antare e kryesisё znj. Orela Suku bёri pёrgatitjen (set-up) e platformёs Google Classroom si dhe trajnimin e mёsueseve pёr pёrdorimin e kёsaj platforme. Inxhinieri Mirush Cenaj, bёri instalimin e programit nё tё gjithё kompjuterat. Pra mё tё rinjtё, falё shpirtit tё tyre sa human aq atdhetar, krijuan shumё shpejt mundёsinё qё shkolla tё nisё mёsimin nё ditёn e caktuar. U gjykua qё nxёnёsit duhet tё mbyllnin vitin e mёparshёm mёsimor qё ishte ndёrprerё pёr arёsye tё pandemisё qё nё mars 2020. Prandaj nё periudhёn 20 shtator – 20 nёntor do tё vazhdonin pёr tё pёrfunduar klasat pёrkatёse nga secili nxёnёs dhe nё pёrfundim tё merrnin deftesat. Dhe ashtu u bё. Gjithcka shkoi pёr mrekulli. Tashmё ka filluar, viti i ri shkollor 2020-2021, dhe falё punёs kёmbёngulёse tё drejtuesve tё shoqatёs pёr tё mos u ndalur, kanё vazhduar regjistrimet e reja nё tё gjitha klasat, por me njё dallim nga vitet e kaluara nxёnёsit nё klasёn e parё janё mё shumё se dyfishuar. Kryetari, z. Bujar Gjoka me tё dy zёvendёsit e tij znj. Rudina Bami e z. Dritan Matraku, kanё qenё nё preokupim tё vazhdueshёm. Por jo mё pak tё angazhuar, si gjithmonё ishin edhe mё  “tё rinjtё”, z. Llazar Vero e Vlashi Fili, tё cilёt me eksperiencёn e gjatё tё punёs nё kёtё Qendёr, i japin lehtёsi procesit duke u marrё drejtё pёr sё drejti mё punёt qё kanё mundёsi tё kryejnё. Me frymёn e kёtij angazhimi janё edhe antarёt e tjerё tё kёshillit drejtues, veprimtarёt e shumtё nё komunitet, prindёrit,  vecanёrisht mёsueset aktuale qё me plot vullnet e profesionalizёm po realizojnё njё process model tё tё mёsuarit online tё nxёnёsve. Ato janё duke perdorur metoda dhe materiale tё kohёs tё shfrytёzuara nga interneti, krahas librave qё disponojnё nxёnёsit, pёr t’ua bёrё orёt e mёsimit sa mё tёrheqёse e funksionale, dhe pёr kёtё meritojnё vlerёsim e mirёnjohje tё gjitha mёsueset qё sipas klasave janё : znj. Irini Zenelaj e znj. Mimoza Sotiri pёr klasёn e I-rё , znj. Ermira Tusha pёr klasёn e II-tё, znj. Rudina Bami pёr klasёn e III-tё, znj. Aferdita Muzhaqi pёr klasёn e IV-rt dhe znj. Rajmonda Bardhi pёr klasёn e V-tё. Pёr njё punё tё palodhur ndёr vite, pёr tre nga mёsueset e kёsaj shkolle, kryesia e shoqatёs po pёrgatit kёrkesёn qё organet e pushtetit lokal tё qyteteve nga vijnё kёto mёsuese, ti vlerёsojnё me “Nderi I Qytetit”, pёr kёtё punё tё palodhur atdhetare nё shёrbim tё komunitetit, pёr trashёgiminё e gjuhёs shqipe nё brezat e fёmijve tanё. Frut i kёsaj pune tё pёrbashkёt, tё tё gjithё kёtyre grupeve, qё si nё asnjё organizёm tjetёr komunitar, plotёsojnё njeri tjetrin pёr tё pёrballuar e cuar pёrpara punёt, ёshtё shtimi i regjistrimeve tё reja jo vetёm nga qyteti i Filadelfias, por edhe nga qytete e shtete tё tjera tё Amerikes, duke i dhёnё shkollёs shqipe ”Gjuha Jone”, vendin e njё institucioni tё rёndёsishёm arsimor nё diasporёn shqiptare. Deri mё tani janё rregjistruar nё klasёn e parё 22 nxёnёs tё moshave 5 – 14 vjec. Ato janё Ana, Orioni, Arditi, Cielle, Niki, Denisi, Erdioni, Kristi, Anika, Sabiha, Erti, Katja e Sidriti nga Filadelfia, Rea, Lukas e Aurora nga Baltimore–Maryland, Yasen e Noah nga New York: Harper nga San Diego–California, Curtis from Los Angeles-California, Enesa e Kenza nga Springfield–Massachusetts. 

Ndёrsa sipas klasave tё tjera, deri tani po ndjekin mёsimin si mё poshtё: Klasa e II-tё 6 nxёnёs, klasa e III-tё 9 nxёnёs, klasa IV-rt 9 nxёnёs dhe klasa e V-tё 3 nxёnёs.  Grupi i fёmijve me moshёn 5 vjec do tё jenё nё klasёn pёr para shkollorёt, me njё mёsuese tё vecantё nё dispozicion. Duhet theksuar se interes kanё shprehur dhe shumё prindёr tё tjerё por ato preferojnё ti sjellin fёmijёt e tyre tё mёsojnё klasё.

Nga vёzhgimi i kёtyre evidencave, sipas meje dalim nё disa mendime apo konkluzione qё na nxisin pёr nё tё ardhmen: Se pari, shpirti atdhetar i shqiptarёve tё larguar nga vendlindja, tё cilin shpesh e akuzojmё nё bisedat tona si tё zbehur, ёshtё po aq brenda vetes tё secilit, sa edhe nё epokёn e rilindasve tё mёdhenj. U duhen ofruar disi kushte e mundёsi atyre, pёr tu cfaqur. 

Se dyti, nё kёtё kohё ёshtё kapёrcyer ajo faza e mёparshme kur emigrantet synonin vetёm si e si tё pёrshtateshin nё jetёn e re atje ku banojnё, duke mos pas nё konsideratё humbjen e identitetit tё origjinёs, historisё e kulturёs sё tyre. Tashmё shqiptarёt e shohin veten jo mё inferior se komunitetet e tjera nё gjithanshmёrinё e jetёs dhe nuk kanё frikё tё shpalosin veten si tё tillё.

Se treti, bashkatdhetarёt tanё qё menaxhojnё me sukses bisneset e tyre, sё bashku me brezin e ri qё po shkёlqen pas shkollimit nё pozicione tё ndryshme punёsimi, kanё detyrimin pёr tё mbёshtetur me mundёsitё e tyre, grupet e organizuara nё komunitet si shoqatat, shkollat shqipe etj , kur shihet se ato dukshёm punojnё jo pёr interesa personale e familjare, por nё shёrbim tё asaj qё quhet kombёtare.

Se katёrti , shohim me kёnaqёsi se shoqata “Bijte e Shqipes” me shkollёn shqipe “Gjuha Jone” brenda saj , ka formuar njё emёr qё dallon nё diasporё lidhur me punёn model pёr trashёgiminё e gjuhёs, historisё e kulturёs tonё kombёtare nё brezin e fёmijve tanё. Tashmё ajo ka hedhur baza qё ta zgjerojё veprimtarinё e saj , gjithmonё nё shёrbim tё komunitetit . 

Ajo ёshtё vlerёsuar nga qeveria shqiptare me “Ambasador i Kombit” dhe nga shoqatat si motra e institucione tё tjera me Certifikata e falenderime tё ndryshme. 

Se pesti, tё mos harrojmё pёr asnjё cast, porosinё e Sami Frasherit: “Kur njё komb e humb gjuhёn, humb dhe veten”, ku secili prej nesh ka pjesёn e tij tё angazhimit pёr ta mbajtur gjallё kёtё porosi.

Filadelfia , me 25 Nentor 2020

Filed Under: Featured Tagged With: filadelfia, Gjuha Jone, Shkolla shqipe, Tajar Domi

DITA E FALENDERIMEVE NE SHTEPINE E BARDHE…

November 26, 2020 by dgreca

WASHINGTON, DC – NOVEMBER 24: First lady Melania Trump (R) looks on as U.S. President Donald Trump gives the National Thanksgiving Turkey “Corn” a presidential pardon during the traditional event in the Rose Garden of the White House November 24, 2020 in Washington, DC. The turkey pardon was made official in 1989 under former President George H.W. Bush, who was continuing an informal tradition started by President Harry Truman in 1947. (Photo by Chip Somodevilla/Getty Images)

-Falja e kokës së gjelit nga Presidentët në Shtepinë e Bardhë/

Nga Keze Kozeta ZYLO/ Dita e falënderimeve në Amerikë është festa më e madhe tradicionale amerikane. 

Miliona amerikanë udhëtojnë nga shtete të ndryshme të Amerikës për t’u mbledhur me familjet rreth tryezës së tyre.

Në Shtepinë e Bardhë kanë traditë që të bëhet falja e gjelit të detit, domethënë koka e gjelit të mos shkojë në tehun e thikës.

Edhe këtë vit u zhvillua ceremonia e faljes së gjelit të detit në Shtëpinë e Bardhë në kopshtin e trëndafilave të drejtuar nga Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë e Amerikës Melania Trump.

Duke filluar nën Presidentin George H.W. Bush, këta gjela deti kanë marrë falje zyrtare çdo vit.

Sot, është nderi im që t’ju prezantoj gjelin me fat të këtij viti, Corn, dhe, në rast se do të kishim nevojë për të, Cob. Misri dhe kalliri. Kjo nuk është shumë e vështirë për tu mbajtur mend, apo jo? – tha presidenti Trump gjatë ceremonies.

Këta dy gjela të mrekullueshëm u zgjodhën nga tufa zyrtare presidenciale e 30 gjelave, disa bukuroshë të vërtete. Ato u rritën nga vetë Kryetari i Federatës Kombëtare të Turqisë, Ron Kardel. Punë e mrekullueshme.

Kjo është një traditë unike e Shtëpisë së Bardhë që zanafillën e saj e ka me Presidentin Lincoln në vitin 1863 për një gjel deti, të regjistruar në një dërgim të vitit 1865 nga reporteri i Shtëpisë së Bardhë, Noah Brooks.

Brooks vuri në dukje se: “një gjel deti ishte sjellë në shtëpi për darkën e Krishtlindjes, por djali i Linkolnit, Tad ndërhyri në emër të jetës së tij … Tad iu lut qe të mos therrej, ndaj dhe u pranua qe jeta e gjelit të vazhdonte.  Tad e quajti gjelin e detit Jack dhe e trajtoi atë si një kafshë shtëpiake.

Gjelat e detit që paraqiten si dhurata për presidentët amerikanë mund të gjurmohen që në vitet 1870, kur tregtari i pulave ne fermën Rhode Island Horace Vose filloi të dërgonte gjela të ushqyer mirë në Shtëpinë e Bardhë. Dhurata vjetore nga Vose fitoi publicitetin e tij të gjerë në fermë dhe u bë një institucion i vërtetë në Shtëpinë e Bardhë.

Deri në vitin 1914, dhënia e gjelave një presidenti u bë e zakonshme dhe këto oferta prekeshin shpesh me patriotizëm dhe gëzim. Dhuratat e gjelave te detit u bënë simbole kombëtare të gëzimit.

Ndërsa disa pretendojnë se Presidenti Harry S. Truman e filloi këtë traditë festash edhe pse ka zgjatur shekuj, Truman nuk “i fali” gjelat që mori. 

Biblioteka dhe Muzeu Presidencial Harry S. Truman kundërshton nocionin se ai ishte i pari që e bëri gjithashtu.

Falja e një gjeli deti u bë një normë nën Presidentin Ronald Reagan, dhe një traditë vjetore kur Presidenti George H.W. Bush vazhdimisht i falte gjelat e detit çdo vit.

Presidenti Bush tha, “Më lejoni t’ju siguroj, dhe këtë gjel deti, se ai nuk do të përfundojë në tryezën e darkës së askujt, jo këtë gjel – ai ka marrë faljen e Presidentit tani – dhe lejoi që ai të jetojë gjatë ditëve të tij në një fermë për fëmijë jo shumë larg këtu. ”   

Jane shfrytezuar materiale nga “Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë”.

Kredia e imazhit: George H.W. Biblioteka dhe Muzeu Presidencial i Bushit / NARA

25 Nentor, 2020

New York

Filed Under: Featured Tagged With: dita e Falenderimeve, Keze Kozeta Zylo, ne Shtepine e Bardha

Lamtumirë Maradona-Argjentina 3 Ditë Zi!

November 25, 2020 by dgreca

– Bota i thotë lamtumirë një gjeniu të përjetshëm, mjeshtrit  magjik të futbolli –

Përgatiti:Albano KOLONJARI/

Legjenda Diego Maradona vdiq në moshën 60 vjeç pas një sulmi në zemër. Matias Morla, agjenti i vjetër i Maradona, konfirmoi lajmin ditën e  Mërkurën. Maradona kishte kryer një operacion të suksesshëm në fillim të këtij muaji për të adresuar një mpiksje gjaku në tru para se të largohej nga spitali më 11 nëntor

Një deklaratë Shoqata e Futbollit të Argjentinës shkruajti: “Shoqata e Futbollit Argjentinas, përmes Presidentit të saj Claudio Tapia, shpreh dhimbjen e saj më të thellë për vdekjen e legjendës sonë, Diego Armando Maradona. Ju do të jeni gjithmonë në zemrat tona.”

Presidenti i Argjentinës Alberto Fernandez gjithashtu konfirmoi tre ditë zie kombëtare pas lajmit. Fernandez postoi një fotografi të tij në Twitter duke përqafuar Maradonën me mesazhin: “Ju na çuat në vendin më të lartë në botë. Na bëtë jashtëzakonisht të lumtur. Ju ishit më i madhi nga të gjithë. Faleminderit që ekzistuat, Diego. Ne do të humbasim  gjithashtu një pjesën tjetër të jetës sonë “.

Ylli në pension Brazilian Pele mbajti zi për vdekjen e Maradona në një deklaratë të shkurtër dhënë për Reuters nga një përfaqësues.

“Sigurisht, një ditë ne do të godasim një top së bashku në qiellin lart”, tha ai.

Leo Messi: Një ditë shumë e trishtuar për të gjithë argjentinasit dhe futbollin. Ai na lë por nuk largohet, sepse Diego është i përjetshëm. Unë marr të gjitha momentet e këndshme të jetuara me të dhe doja të përfitoja për të dërguar ngushëllime për të gjithë familjen dhe miqtë e tij. PREHU NE PAQE

Cristiano Ronaldo :’Sot i them lamtumirë një shoku dhe bota i thotë lamtumirë një gjeniu të përjetshëm. Një nga më të mirat ndonjëherë. Një magjistar i pashembullt.

“Ai largohet shumë shpejt, por lë një trashëgimi pa kufij dhe një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Pusho në paqe, ace. Ti nuk do të harrohesh kurrë”.

Klubi i Napolit:’Gjithmonë në zemrat tona. Lamtumirë Diego. Të gjithë i presin fjalët tona. Por cilat fjalë mund të përdorim për dhimbjen si ajo që po përjetojmë? Tani është koha për lot. Atëherë do të jetë koha për fjalë.

Maradona kohët e fundit ishte ndeshur me çështje shëndetësore dhe iu nënshtrua një operacioni urgjent për një hematomë subdurale disa javë më parë. Ai pësoi një sulm në zemër në shtëpinë e tij në periferi të Buenos Aires të Mërkurën, theksun mediat argjentinase. Legjenda e futbollit Diego Maradona, lindi më 30 tetor 1960 në Lanus, Buenos Aires të Argjentinës. Në sezonet 1976-1981 luan me Argentinos Juniors të Argjentinës ke në 167 ndeshje shënon 116 gola. Më pas luam për një sezon më Boca Juniors 1981-1982 ku në 40 ndeshje shënon 28 gola. Barcelona do të ishte ekipi i parë europian për Maradonën, ku në 36 ndeshje shënon 22 gola. Por Maradona do të kthehej në yllin e Napolit në Itali. Më sezonet 1984-1991 në 188 ndeshje shënon 88 gola. Më pas Sevilla Spanjë, 1992-1993 26 ndeshje, pesë gola, 1993-1994 Neëells Old Boys, pesë ndeshje dhe e mbyll karrierën tek Boca Juniors 30 ndeshje 7 gola. Në total Maradona luajti 491 ndeshje dhe shënoi 259 gola. Maradona njihet më së miri si kapiteni që ndihmoi në udhëheqjen e Argjentinës drejt titullit të Botërorit 1986. Me kombëtaren e Argjentinës luajti 91 ndeshje dhe shënoi 34 gola. Për dy vite 2008-2010, Maradona ishte edhe tranjer i Argjentinës. Pikërisht në vitin 1986 Maradona fitoi zemrat e shumë futboll dashësve shqiptarë të cilët fillun që tu vënë fëmijëve emrin e tij, si Diego, Armando etj. 

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, Lamtumire Diego Maradona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT