• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË ITALI SI VAZHDIMËSI E RUAJTJES SË GJUHËS DHE IDENTITETIT TONË KOMBËTAR

September 17, 2020 by dgreca

Adelajda Matuka, zv.presidente e “Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali” dhe kërkuese  shkencore në Universitetin e Macerata në Itali rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Itali. Me Adelajda Matukën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË ITALI

Angazhimi im me Lidhjen e Mësuesve fillon këtë vit. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali është një shoqatë jo fitimprurëse që është krijuar në vitin 2018 dhe është ura lidhëse ndërmjet Ministrive të Arsimit në Shqipëri, Kosovë dhe mësuesve që japin mësim në shkollat shqipe në Itali. Lidhja e Mësuesve merret me shpërndarjen e librave të gjuhës shqipe, me organzimin e trajnimeve, seminareve të ndryshëm për mësuesit dhe konkurseve, aktiviteve kulturore për fëmijët e komunitetit. Në lidhje bëjnë pjesë 62 shkolla në të gjithë Italinë dhe më tepër se 160 mësues. Sinqerisht, mbrëmjen e votimeve  kam qenë shumë e emocionuar. Fakti që isha shumë herë më e re se pjesa më e madhe e mësuesve dhe bashkëbisedimi me mësues që ndoshta dikur i kisha parë si heronj, si idhuj për kontributin e tyre në mësimdhënien e gjuhës së ëmbël shqipe në Itali, më bënte të ndihesha fatlume por edhe me shumë përgjegjësi që do të vihesha përballë syrit të tyre kritik. Votimet e fundit sollën ndryshime rrënjësore në organizimin e lidhjes, dhe atë natë është krijuar edhe Kryesia e Lidhjes, bord ky me anëtarë intelektualë në rajone të ndryshme të Italisë për të lehtësuar menaxhimin e saj. Së fundmi, pas një pune të frytshme kemi nisur drejt Komisionit Europian një letër zyrtare drejtuar Komisioneres së Lartë për barazinë  me anën e të cilës synojmë njohjen e punës se mësuesve shqiptarë në Itali dhe institucionalizimin e Lidhjes së Mësuesve. Mësuesit shqiptarë po bëjnë punë vullnetare në ambiente të siguruara nga komuna në disa raste ndërsa pjesa më e madhe po punojnë në ambiente të marra me qera e të paguara nga prindërit. Veç kësaj, me situatën aktuale të COVID 19, mësimdhënia rrezikohet edhe më tepër, duke qenë se puna me kushte jo të përshtatshme mund të çojë në rritjen e infeksioneve. Shpresojmë dhe besojmë  që gjuha shqipe të futet në shkollat dhe universitetet italiane si gjuhë zyrtare duke eleminuar të gjitha vështirësitë dhe mësuesit të kenë respektin e merituar. 

STUDENTËT SHQIPTARË NË RAJONIN E MARCHE- ITALI

Që prej vitit 2018, në Itali drejtoj Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në rajonin e Marche si zëvendës presidente dhe së fundmi kam patur nderin të zgjidhem edhe nën/kryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali. Kam qenë shumë e re kur jam larguar nga shtëpia, vetëm 19 vjeç dhe eksperienca ime në Varshavë, në një mjedis ndërkombëtar më ndihmoi të rritesha personalisht. Pas kthimit tim nga Varshava, fillova të angazhohesha me organizata të ndryshme jo fitimprurëse  si pjesë e bordit drejtues dhe ndihesha vërtet e plotësuar që mund të jepja kontributin tim për vendin tim dhe moshatarët e mi. Ardhja në Itali ishte një biletë e artë për karrierën time por fillova të ndihesha sikur kisha humbur vetveten. E kisha shumë të vështirë të jetoja në një qytet ku flitej shumë pak anglisht (për të mos thënë fare) dhe të bëja dokumentat italiane me një ndihmë vetëm minimale nga Welcome Office në universitet. Nuk kisha informacion praktik për vendodhjen e pjesës më të madhe të institucioneve apo dokumenatve të nevojshme dhe nuk isha as në dijeni se kishte një komunitet të tërë shqiptar në Marche. Rastësisht, 2 javë pas ardhjes time në Macerata, në një seminar të organizuar nga universiteti me pjesëmarrjen e profesor Arben Malaj, u njoha me kolegen dhe miken time më të mirë, me të cilën po drejtojmë aktualisht shoqatën e studentëve dhe diskutuam për idenë e krijimit të shoqatës.  Të dyja kishim patur vështirësi dhe bazuar mbi eksperiencën personale do të krijonim diçka që do të shërbente si strehë për studentët e rinj. Në 27 prill, 2018 shoqata u themelua zyrtarisht mbi bazën e kontributeve vullnetare. Pas krijimit të shoqatës, arritëm të themelonim shkollën shqipe në Macerata, “Shqiponjat” dhe fatmirësisht patëm mbështetjen e Universitetit të Maceratës për të dhënë mësim në ambientet e universitetit. Synimi ka qenë të ofrojmë jo vetëm ndihmë për studentët e ardhur në Itali por të jemi edhe urë lidhëse ndërmjet universiteteve shqiptare e atyre italiane, për shkëmbimin e personelit akademik, seminareve të përbashkëta etj. Me mbështetjen e komunitetit shqiptar, kemi themeluar edhe shkollën shqipe në Tolentino, në të cilën kemi përafërsisht 60 nxënës nga trevat shqiptare. Në dhjetor të vitit 2018, patëm një eksperiencë me një delegacion të Universitetit të Maceratës në Universitetin e Prishtinës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Vizita u pasua me vizitën e ish-Ministrit të Arsimit Z. Shyqyri Bytyqi në Itali dhe në një mbrëmje me komunitetin shqiptar, pas ftesës së rektorit të Universitetit të Camerino-s për të marrë pjesë dhe premtimin të tij për të ndenjur vetëm 5 minuta, në ekzaltim e sipër nga tingujt e çiftelisë, Prof. Pettinari mori mikrofonin dhe deklaroi se do të jepte 10 bursa falas për studentët e Kosovës për 2 vjet. Vitin e kaluar arritëm të rrisnim numrin e bursave në 14, ndërsa këtë vit kemi 11 studentë nga Shqipëria dhe 11 nga Kosova.  

NJË SHQIPTARE QË STUDION POLITIKAT MONETARE EUROPIANE

Tema ime e doktoraturës lidhet me “Impaktin e politikave makroprudenciale të Bankës Qëndrore Europiane në shtetet Nordike” . Kjo është një temë e lidhur me bankat qëndrore, puna në bankë qëndrore nuk më tërheq, ndihem më rehat në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor. Arsyeja që kam zgjedhur këtë temë është se pas krizës financiare globale të vitit 2007-2008, të gjitha bankat qendrore dhe agjentët e ekonomisë kufizuan ekspozimin e tyre dhe filluan të kuptonin se politikat monetare që kishin përdorur deri tani nuk ishin më efiçente.  Kriza solli politika të reja, të cilat synonin të reduktonin tensionin në sistemin bankar, injektonin likuiditet dhe të trajtonin riskun e institucioneve jo më si njësi të vetme por si pjesë e një sistemi të tërë. Studimi im përbën risi për arsye se  prek një temë që shumica e akademikëve tentojnë të fokusohen në pjesën makro-ekonomike të studimit ndërsa unë jam përqendruar në tregjet financiare. Për më tepër, është ndër të paktat kërkime që përdor të dhëna aktuale deri në vitin 2018, ndërkohë që shumica e punimeve përqendrohen deri në vitin 2014-2015. Jam shumë krenare për këtë pjesë dhe shpresoj që të jem shumë e vlerësuar në rrethin e akademikëve për arsye se vetëm mbledhja e të dhënave dhe krijimi i database më ka marrë rreth një vit kohë, të dhëna që nuk janë dhe nuk ekzistojnë në literaturën ekzistuese. Së fundmi, pjesa më e madhe e kërkimeve fokusohen në rajone apo shtete që  kanë qenë shumë të ndikuara nga kriza financiare si Italia, Spanja apo Greqia ndërsa unë po punoj me shtetet Nordike. Mendoj se kam bërë një zgjedhje të zgjuar, për arsye se ky rajon është lënë shumë në hije, edhe pse shtetet Nordike janë ekonomi të vogla por të avancuara. Së dyti, duke punuar për këto shtete më krijon mundësi punësimi më të larta në një rajon ku kërkimi shkencor dhe puna akademike është shume herë më e vlerësuar se disa shtete Europiane.

KUSH ËSHTË ADELAJDA MATUKA

Adelajda Matuka ka lindur në Vlorë më 1993. Momentalisht po përfundon studimet  e doktoraturës në Universitetin e Maceratës në Itali në Ekonomi të Aplikuar me anë të një burse të akorduar nga Ministria e Arsimit Italiane. Sapo është kthyer nga një periudhë kërkimore 8 mujore nga Spanja, në Barcelona Graduate School of Economics dhe ka qenë e rekrutuar në Qendrën Shkencore për Ekonomi Ndërkombëtare. Ka përfunduar studimet Bachelor në Kontabilitet  dhe Master në Master i Shkencave në Financë pranë “Universitetit të Vlorës Ismail Qemali”, ndërsa gjatë përfundimit të vitit të parë të masterit ka kryer një exchange (shkëmbim) si përfituese burse nga programi Erasmus Mundus Sigma Agile 2 i financuar nga Bashkimi Europian në Universitetin e Varshavës. Ka patur edhe eksperienca në institucione të tjera të rëndësishme si Banka Qëndrore në Shqipëri, Levy Institute of Bard College (USA), University of South Wales (UK), Ministria e Jashtme (Gjermani), Parlamenti Gjerman dhe ai Europian si dhe zyrat e NATO-s në Gjermani, Hollandë e Belgjikë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Adelajda Matuka, Lidhja e Mesueseve shqiptare-Itali

Njё e diel mes shqiptaresh nё parkun e “Manhattan Beach”

September 16, 2020 by dgreca

Shkruan: Luljeta Xhediku, New York/

Kur gratё dhe vajzat shqiptare bёhen bashkё tё duket sikur ёshtё krijuar njё Shqipёri e vogёl nё mes tё New York-ut. Sa bukur ёshtё tё dёgjosh tё flitet shqip, kёndohet dhe vallёzohet nёn tingujt e muzikёs shqiptare e ndёrthurur kjo muzikё me melodinё e dallgёve buzё oqeanit dhe valёvitjen e flamurit kuqezi. Gratё dhe vajzat qё u mblodhёn tё dielёn pёr tё kaluar njё ditё tё kёndshme, pas njё pandemie tё gjatё, nё parkun e “Manhattan Beach” janё pjesёtare tё grupit “Albanian Women in USA”. Ky grup u formua rreth tre vjet mё parё dhe ishte ideja e gazetares nga Shqipёria, Arjola Alldashi.  Njё grup ku gratё shqiptare mund tё njiheshin me njёra-tjetrёn, tё shkёmbenin pёrvojat e tyre nё tokёn amerikane, e cila pёr shumё prej nesh ka qenё ёndёrr. Mё vonё kёtij grupi iu bashkangjitёn  si drejtuese  edhe Alma Muçaj, Aida Gora, Eda Gega dhe Gina Torra. Si fillim ky grup ishte fare i vogёl prej 10 vetash, por sot pas tri vitesh numёron plot 9800 anёtare nga tё katёr anёt e Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs dhe pёr shumё prej nesh ёshtё vёrtet bekim. Misioni i kёtij grupi, pёrveç  njohjes dhe mbajtjes sё lidhjeve me njёra-tjetrёn ёshtё ndihmesa falas nё shkёmbimin e informacioneve tё ndryshme, gatishmёria pёr tё ndihmuar nёnat nё nevojё pёr punё apo qoftё edhe gratё nё situata tё vёshtira shёndetёsore ose financiare, sidomos pёr tё sapoardhurat qё janё nё fillimet e tyre nё Shtetet  e Bashkuara tё Amerikёs, ku ky grup tё ngjan me njё familje tё vogёl. Tё dielёn u zhvillua njё aktivitet i larmishёm ku qёllimi kryesor ishte ruajtja e traditёs sё gatimeve tradicionale shqiptare. Sapo tavolinat filluan tё shtroheshin ndieje aromёn e mrekullueshme tё gatimeve qё amvisat tona i kishin pёrgatitur me shumё dashuri. Tavolina e parё kishte tё veçantё flinё e gatuar nga njё shqiptare e Kosovёs. Nё tavolinёn e dytё ta bёnte me sy njё tepsi e mbushur plot e pёrplot me petulla tё fshira nga Dibra e Korça. Patjetёr qё nuk mungonte byreku, lakrori i shijshёm i Korçёs, tradita elbasanase e shkodrane, japrakёt edhe turshitё, meqenёse po lёmё pas verёn e po i afrohemi stinёs sё ftohtё. Tavolina e tretё ishte e ёmbёlsirave ku vendin kryesor e zinte bakllavaja, e pёrgatitur nga dy vajza nga Pogradeci,  syri mё zuri hallvёn edhe pengjiren me tё cilёn njё shqiptare donte tё pёrcillte traditёn e mamasё sё saj. Tavolina e katёrt ishte e mbushur me fruta e pije edhe ato tё servirura aq kёndshёm ashtu siç  gratё shqiptare dinё t’i bёjnё. Aktiviteti u hap me njё valle pogonishte pёr tё vazhduar me valle tё krahinave tё tjera shqiptare nga jugu nё veri. Mё tej lojёra tё ndryshme qё na kujtonin fёmijёrinё tonё nё Shqipёri, ishim kujdesur qё tё kishim edhe njё top volejbolli me flamurin kuqezi. Tingujt e kitarёs nuk munguan po ashtu. Nё mesin tonё ishin tri parukere tё talentuara qё pavarёsisht erёs qё frynte nuk ngurruan qё t’u jepnin grave dhe vajzave njё model ndryshe flokёsh. Flamuri kuqezi, rrethuar me njё dekor tullumbacesh dhe lulesh tё punuara mjeshtёrisht nga duart e dy vajzave drejtuese tё kёtij grupi posaçёrisht pёr kёtё rast, tёrhiqte vёmendjen e çdo kalimtari dhe sigurisht mbushte plot zemrёn tonё dhe duart kryqёzoheshin pёr tё bёrё shqiponjёn dykrenare dhe sigurisht pёr ta ngulitur nё kujtesё  kёtё ditё. Nuk munguan fotografёt profesionistё shqiptarё, tё cilёt kapnin  çdo detaj me syrin e tyre, kamera e televizionit shqiptar Usalb TV dhe gazetari qё merrte nё intervistё pjesёmarrёset. E veçanta e kёtij takimi ishin fёmijёt, ku zёrat e tyre nё atё park u ngjanin cicёrimave nё gjuhёn e ёmbёl shqipe. Njё surprizё e kёndshme pёr tё gjithё pjesёmarrёset ishte hedhja e njё shorteu nga pёrfaqёsuesja e “Buy to America” e cila ndau tri çmime fituese. U takuam nё kёtё park rreth orёs 11:00 dhe u shpёrndamё plotёsisht vetёm me perёndimin e diellit, pasi dukej sikur askush nuk donte tё largohej  nga shoqёria dhe atmosfera e ngrohtё qё u krijua.

Filed Under: Featured Tagged With: Luljeta Xhediku, mes shqiptaresh, ne Parkun-Manhattan Beach

Shuhet aktori Adem Mikullovci…

September 15, 2020 by dgreca

Adem Mikullovci, 2 Korrik 1990-

Shuhet aktori Adem Mikullovci, firmëtar i Deklaratës për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990

-Liderët institucinalë: Adem Mikullovci, edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 Korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 Shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjithnjë ishte në shërbim të vendit tonë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Shtator 2020/ Është shuar sot, në orën e parë të 15 Shtatorit 2020, aktori Adem Mikullovci, i cili si delegat i Kuvendit të Kosovës ishte firmëtar i Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut 1990, e në Kosovën e pavarur ishte deputeti më i vjetër zgjedhjeve parlamentare të 11 Qershorit 2017.

 “Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndëroj jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci!”, ka njoftuar bashkëshortja Lumnije Mikullovci, e cila është regjisore.

“Për informata tjera dhe ceremoninë e varrimit ju lajmërojmë”, ka shkruar ajo.

Adem Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri. Ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Mes tjerash, prej vitit 1968 e deri në Korrik të vitit 1990 Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore, si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. 

PRESIDENTI THAÇI: KONTRIBUTI I ADEM MIKULLOVCIT DO KUJTOHET PËRGJITHMONË

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:

Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij!

KRYEMINISTRI HOTI: AKTORI I MADH SHQIPTAR, ADEM MIKULLOVCI…

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar sot:

Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.

Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.

Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.

Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.

Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!

KRYEPARLAMENTARJA OSMANI: SOT, VENDI MBETI PA AKTORIN E POLITIKANIN E SHQUAR

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkruan:  Sot me dhembje të thellë e mësova lajmin për ikjen nga kjo botë të klasikut të teatrit, mjeshtrit të skenës e ish-deputetit Adem Mikullovci.

Skena teatrore humbi njeriun e madh, i cili jetën e tij prej aktori nuk e ndante nga angazhimi qytetar, duke qenë delegat i përbërjes së Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut për ta përmbyllur angazhimin e tij politik në mandatin e kaluar si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Guximin e skenës teatrore e manifestoi në cilësinë e delegatit/deputetit, duke u bërë personifikim i njeriut kauza e të cilit është interesi qytetar.

Aktroi për publikun, siç edhe foli për mbrojtjen e interesit të tij!

Një takim përgjatë kësaj jave, ashtu siç ishim dakorduar, na mbeti peng Adem Mikullovci. Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden!

Sot, vendi mbeti pa aktorin e politikanin e shquar, mbeti pa një zë kritik, i cili iku me dëshirën për një Kosovë më të mirë.

Mjeshtër, një është e sigurt; që ti do të mbetesh shenjë e kohës dhe që ne nuk do të pushojmë së punuari që këtë vend ta bëjmë siç deshte ti!

Sipari i Teatrit për TY u mbyll për prezencën fizike, porse jo për veprat që le pas!

Familjes e komunitetit artistik, ngushëllime!

Prehu në paqe Adem Mikullovci!

TELEGRAM NGUSHËLLIMI I MINISTRES DUMOSHI ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË ADEM MIKULLOVCIT

“E nderuar familja Mikullovci,

Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem.

Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Ai do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.

Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit.

Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt.

Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar.

Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës.

Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”.

Sinqerisht,

Vlora Dumoshi

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Mikullovci, Behlul Jashari, Shuhet aktori

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR

September 15, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË TURQI-

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Turqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Teuta Tabakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË TURQI

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në mënyra të ndryshme sipas mundësive dhe kushteve që ka komuniteti Shqiptar në Turqi. Është për tu theksuar se qeveria Turke dhe Ministria e Arsimit e kanë organizuar në këto mënyra:

1- Gjuha Shqipe në shkollat fillore si lëndë me zgjedhje

2- Në shkollat publike sipas niveleve

3- Gjithashtu edhe në Universitetin e Edirnesë dega e gjuhës dhe letërsisë Shqipe në nivelin e arsimit të lartë.

Arsimi i nivelit fillor fatkeqësisht nuk pati jetëgjatësi pasi mungonte interesi i fëmijëve të cilët janë brezi i gjashtë dhe më larg. Këtu nuk duhet të paragjykojmë për arsyen e niveleve të ndryshme të arsimit dhe formimit të familjarëve. Për këtë program institucionet tona në bashkëpunim me institucionet Turke, duhet të përgatisin pedagogë ose mësimdhënës të kësaj fushe për të filluar edukimin e gjuhën amtare duke filluar nga prindërit. Së dyti ishte mungesa e teksteve të rifreskuara e nevojshme për të mbështetur procesin mësimor.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULA MËSIMORE

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në disa nga qytetet e mëdha të Turqisë si Bursa, Ankara, Izmir, dhe Stamboll. Unë në qytetin e Bursës për mësimdhënien punoj me programin e niveleve A1, A2, B1, B2, C1, dhe C2. Këtë program e kam filluar në vitin 2017 në shkollën publike të Bursës ku përfshihen metoda dhe materiale nga pedagogë të Universitetit të Tiranës. Duke u nisur nga përvoja ime mendoj se ky program është më i përshtatshëm për të mësuar gjuhën si gjuhë të dytë dhe për Komunitetin Shqiptar në Turqi. Ashtu sikurse e përmenda edhe më lart, mendoj se institucionet tona duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur mësues për mësimdhënien e gjuhës Shqipe në Turqi. Në kurset e gjuhës Shqipe kam punuar me vullnet e dëshirë të madhe për të rritur interesin gjithashtu edhe numrin e nxënësve, pavarësisht vështirësive të ndryshme. Punoj dhe jap mësim vullnetarisht me disiplinë dhe korrektësi. Kjo punë ka dhënë frutat e veta dhe ka bërë që numri i nxënësve të vijë duke u rritur. Për tu mësuar gjuhën amëtare bashkëkombesve të mi këtë vit hapa edhe kursin e gjuhës Shqipe për amvisat me origjinë Shqiptare. Une çdo vıt hap 4 klasa me numër të ndyshëm nxënësish duke filluar nga 15 e deri në 25, 30 në varësi të interesit dhe kushteve. Sepse interesi mund të jetë i madh por mospërputhja e orareve të kursit me jetën e përditshme ndikon në numrin e pjesëmarrësve. Situata pandemike sigurisht krijoi vështirësi edhe në këtë fushë pasi jo të gjithë kanë mundësinë për të ndjekur mësimet online, por me durim dhe përkushtim mund të them që ia dolëm. Për këtë vit arsimor deri tani kam dy klasa online. Një të nivelit A1 me 20 nxënës dhe një klasë të nivelit A2 me 25 nxënës. Kjo e dyta ka mundësı të ndahet në dy klasa sipas kërkesave që mund të shtohen. Theksoj se është dhe kënaqësi për mua fakti që do të hap edhe një klasë onlinë me moshat e vogla, si 9 dhe 10 vjeç. Për klasat në shkollën publike besoj se ato do të hapen sipas programit dhe protokollit të Covid-19. Numri i mësimdhënësve për gjuhën shqipe është i pakët.

GJUHA SHQIPE SI MJET I RUAJTJES SË IDETITETIT KOMBETAR

Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e identitetit por është rruga e vetme për brezat e ardhshëm  që ta transmetojnë në brezat e tjerë. Duke folur e shkruar Shqip mbrojmë identitetin, rrënjët dhe traditen tonë. Komuniteti Shqiptar në Turqi duhet të jetë më i bashkuar për të mbrojtur identitetin dhe kulturën. Komuniteti Shqiptar është i organizuar në shoqata civile dhe kulturore të cılat janë të ligjshme në Shtetin Turk. Ashtu sikurse dihet Komunıtetı Shqiptar në Turqi ka një rol të rëndësishëm në çdo fushë dhe sukseset janë pafund.

TË MËSOSH SHQIP NË TURQI, REAGIMET

Edhe këtu mësimi i gjuhës shqipe është pritur mirë sepse komuniteti Shqiptar është një nga komunitet më të vjetra që jetojnë e punojnë bashkë me popullin Turk. Normalisht pritet mirë sepse historikisht kanë patur marrëdhënie vllazërore. E rëndësishme është se duke ruajtur e jetuar traditat e veta çdo komunitet ka respekt reciprok. Po bëjmë një punë shumë të mirë në shërbim të identitetit, kulturës, traditës, miqësisë me bashkëpunimin me vendin ku jetojmë.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për diasporën në USA është se duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku kudo ku jemi. Vetëm nëse kemi bashkëpunim mund të jetë e mundur të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturen tonë kombëtare.

 KUSH ËSHTË MËSUESE TEUTA TABAKU

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë. Ajo u largua nga Shqipëria në qershor të vitit 1992. Pas një periudhe të gjatë integrimi, u angazhua vullnetarisht për të dhënë kontributin e saj në komunitetin shqiptar në Turqi, për informimin dhe zhvillimin e Diasporës atje. Me hapjen e Konsullatës së Nderit, një hap i rëndësishëm nga ana e saj ishte hapja e Kursit të Gjuhës Shqipe (pa pagesë), identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha familjeve shqiptare që emigruan në Turqi në vitet ’90. Ky regjistrim solli pajisjen e tyre me dokumente dhe regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve në Shkollat Publike Turke. Përgjatë viteve 2003-2015 në strehën e Konsullatës së Nderit, ajo organizoi aktivitete të ndryshme kulturore e historike lidhur me njohjen  reciproke të trojeve shqiptare dhe turke, si dhe për përkrahjen sociale e ekonomike të nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre. Këto aktivitete vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Për thuajse tri dekada, ajo ka punuar për ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar atje, i cili përfshin bashkëkombës nga të gjitha trojet shqiptare. Në vitin 2017, me mbështetjen e bashkisë, ajo hapi zyrtarisht Kursin e Gjuhës Shqipe në shkollën Publike të Bursës në Turqi. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e seminare për informimin, mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, zhvillimin e marrëdhënieve turko-shqiptare, si në Turqi, ashtu dhe në trojet shqiptare. Për kontributin e saj vullnetar për komunitetin, Teuta Tabaku u nderua me titullin “Ambasadore e Kombit”. Në vitin 2019, Qeveria dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës e vlerësoi me çmimin “Gruaja në Diasporë, Digë e fuqishme kundër asimilimit”.

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla shqipe, Sokol Paja, Teuta tabaku

Gjirokastër, nderohen dëshmorët nacionalistë që ranë në Grehot

September 14, 2020 by dgreca

Nga Raimond Kola-*

14 shtatori shënon në Shqipëri Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë. Në Grehot të Gjirokastrës formacione të djathta nderuan sot 36 luftëtarë mes të cilëve edhe komandantin e Ballit Kombëtar Hysni Lepenica. Pjesëmarrësit në ceremoni kërkuan nga historianët të rivlerësohen ngjarjet që lidhen me rolin e Ballit Kombëtar dhe luftën e Grehotit.

14 shtatori shënon në Shqipëri Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë. Kjo datë lidhet me 14 shtatorin e vitit 1943 ku në një betejë në Grehot të Gjirokastrës me pushtuesit italianë që po linin Shqipërinë u vranë 36 luftëtarë të Ballit Kombëtar. Shumë prej tyre ishin udhëheqës te cetave të Ballit ndërsa në këtë betejë u vra edhe komandatin i Ballit Komebatr Hysni Lepenica. Familjarë por edhe pëfaqësues të subjekteve të djathta nderuan sot ne ceremoni të ndara të rënët. Kreytari i shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politike Nebil Cika tha se nderimi për këtë ditë ishte nderim për kontributin e shquar të nacionalistëve shqiptarë në mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë.

Këta njerëz u vranë për të mbrojtur integrtitetin tokësor, Shqipërinë etnike, lirinë dhe demokracinë. Kishin një program politik “Dekalogun” që garantonte lirinë politike dhe shoqërore dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Sot janë një frymëzim i madh dhe një shembull për ata që duan të ndryshojnë Shqipërinë.

Mes deputetëve dhe përfaqesuesve politikë të Partise Demokratike ishte edhe Myzafer Elezi. Ai tha tha se historia duhet te rishkruhet Jo vetem per betejen e Grehotit por edhe për rolin e Ballit Kombëtar

Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që janë shkruar.Janë historianët shqiptarë që pa ngacmime ,pa ndikime politike duhet të flasin për realitetin që është ndryshe nga ai që kemi mësuar në bankat e shkollës.Nacionalistët shqiptarë kishin një mision ata donin që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur.

Në një ceremoni të ndarë përfaqësues të Partisëe së Ballit dhe familjarë të Hysni Lepenicës kryen nderime në varrezat e Grehotit. Deputeti Adriatik Alimadhi tha se kjo ditë ishte e shënuar për Ballin Kombëtar.

Kjo ditë është historike sepse lidhet me ditë e dëshmorëve të Ballit Kombëtar dhe njëkohësiht me vrasjen e komandatit të pëgjithshëm të forcave të Ballit Hysni Lepenica së bashku me 36 luftëtarë të tjerë të Ballit.

Ndërsa Ridvan Mersini, përfaqësues i kësaj partie në Vlorë tha se duhej vullenti i bashkimit te nacionalistëve edhe në cermoni të tilla.

Do ishte në nderin e tyre që krah përkrah kryetarit të Ballit dhe familjarëve të vendosnin kurora së bashku.

Masakra e Grehotit vlerësohet nga burimet historike se u shkaktua nga një sulm i beftë i ushtarëve italianë që përgatiteshin të braktisnin kazermat e Grehotit pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nacionalistët e mbledhur nga disa krahina që kishin negociuar për një dorëzim pa kushte u qëlluan në pabesi dhe 37 luftëtarë, mes të cilëve edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica humbën jetën.(Fotot:Kortezi Nebil Cika)

Filed Under: Featured Tagged With: nderohen dëshmorët nacionalistë, Nebil Cika, Raimond Kola

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • 199
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT