• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi: Dita e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë

September 4, 2020 by dgreca

Pasditen e së premtes, në Uashington pritet të nënshkruhet një dokument nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë, kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni ku, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ndonëse ende nuk dihet se cila është përmbajtja e dokumentit, nikoqirët e takimit të së enjtes në Uashington, të kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët kishin deklaruar se përmbajtja e bisedimeve ka në fokus bashkëpunimin ekonomik.

Takimi ndërmjet dy liderëve, të Kosovës dhe të Serbisë, ka nisur ditën e enjte dhe sipas këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, janë zhvilluar bisedime “shumë të mira” dhe se të dyja palët “kanë bërë përparim të vërtetë”.

Kryeministri Hoti e ka cilësuar takimin në Uashington si historik dhe se bisedimet në këtë takim, sipas tij “paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, ka thënë Hoti.

Sipas Hotit, të premten, pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme për Kosovën “asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë”.

Një nga pikat e parashtruara në takimin e së enjtes ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, ka qenë edhe njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Pas takimit, Vuçiq ka theksuar se e ka bërë të qartë që “nuk mund ta pranoj” pavarësinë e Kosovës.

Sinisha Malli, anëtar i delegacionit të Serbisë në këtë takim, ka theksuar se palës serbe i është paraqitur një listë me 16 pika, në mesin e të cilave edhe njohja e ndërsjellë dh ka theksuar që “ ky është propozimi më i keq” që e kanë parë “në historinë e bisedimeve me shqiptarët”.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Grenell: Nuk ka bisedime pa befasi

“Mendoj që nuk ka bisedime, të cilat nuk kanë ndodnjë befasi, të cilat janë gjithmonë të mira”, ka thënë Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë pë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për “Newsmax”.

“Ato (befasitë) bëjnë presion në të dy palët që të bëjnë më shumë, që të krijojnë më shumë. Pra, po, kemi shfaqur disa befasi, por mendoj që asnjëra palë nuk ishte aq e befasuar. Ndonjëherë shtihen para mediave se kjo është befasi më e madhe se që është. Të dyja palët janë njoftuar dhe mendoj që kemi realizuar përparim dhe shpresoj për zgjidhje”, theksoi Grenell, pas ditës së parë të bisedimeve në Uashington.

Godfrey: Ditë e shkëlqyeshme për Kosovën dhe Serbinë

Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, ka vlerësuar që dita e sotme është e shkëlqyeshme për Serbinë dhe Kosovën.

“Normalizimi ekonomik do të thotë punë për të rinjtë , investime të reja, ekonomi të qëndrueshme dhe të fortë”, ka shkruar ambasadori Godfrey në Twitter.

Ai, gjithashtu, ka vlerësuar që njerëzit në Kosovë dhe në Serbi meritojnë standard më të mirë të jetës.

“Përshëndesim përpjekjet e liderëve të Serbisë dhe Kosovës në kërkim të paqes, pajtimit dhe normalizimit ekonomik”, ka porositur ambasadori Godfrey në shkrimin e tij në Twitter, në të cilin e ka shpërndarë edhe orarin e sotëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Gjatë bisedimeve të së enjtes, ka arritur edhe Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, që është gjithashtu edhe këshilltare e tij, me të cilën palët kanë biseduar për zhvillimin e ndërmarrësisë në Ballkan, veçanërisht për ndërmarrësinë e grave në Beograd dhe Prishtinë.

Gjatë ditës, ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit. Haradinaj ka thënë se që prej 3 shtatorit është në dijeni se çështja e Ujmanit është njëra nga pikat e marrëveshjes.

“Kam komunikuar me të gjitha palët relevante, kam kërkuar që të hiqet si pikë, përndryshe nuk do të jemi pjesë e saj”, ka thënë Haradinaj.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj ka theksuar se nëse marrëveshja nënshkruhet sot, më 4 shtator, dhe ka çështjen e Ujmanit në të, ai dhe partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahin.

“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë, e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, ka deklaruar Haradinaj.

Takimi, i cili po mbahet në Shtëpinë e Bardhë, është i dyti i thirrur nga Uashingtoni. Takimi i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një draft-aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit. Thaçi nuk është duke marrë pjesë në takimin aktual.

Nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të dyja vendet, në janar dhe shkurt të këtij viti kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi, të cilat ende nuk kanë nisur të zbatohen.

Nënshkrimi i këtyre letrave të interesit është bërë në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ishte pezulluar, si pasojë e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik.

Bashkimi Evropian, edhe këto takime i sheh vetëm si “plotësim” të përpjekjeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, korniza kryesore e së cilave, sipas BE-së, është dialogut i Brukselit.

Kështu ka thënë më 4 shtator në Bruksel, në një konferencë për gazetarë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kur është pyetur për të komentuar takimet që po zhvillohen në Uashington.

Bashkimi Evropian është njoftuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara rreth agjendës së takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, dhe kjo është e zakonshme në bashkëpunimin e partnerëve.(Kortezi: Bekim Bislimi-Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Marrveshjes

BISEDIMET KOSOVE-SERBI- O’BRIEN:ËSHTË DUKE U ARRITUR PROGRES…

September 3, 2020 by dgreca

–– Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj 108 Vjecare, është aty ku vendosen fatet e Kombit. Një ekip i Vatrës po i ndjek nga afër bisedimet: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj me  bashkëpunëtorët e tyre në Washington  janë në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës-

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, ka deklaruar të enjten se është arritur progres në ndërmjet dy liderëve, të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Hoti- Vuçiq është duke u mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington,raporton Evropa e Lire.

“Liderët e Serbisë dhe të Kosovës tash janë duke arritur progres. Diskutimet tona këtë mëngjes janë fokusuar në përforcim të lidhjeve ekonomike dhe në normalizim ekonomik. Në pritje për diskutime të mëtejshme këtë pasdite”, tha O’Brien në një postim në Twitter.

Ndërkaq, i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“E pavërtetë”, ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.

Më herët, ministri i Financave i Qeverisë së Serbisë, Sinisha Malli, i cili është pjesë e delegacionit të Serbisë në Uashington, u ka thënë gazetarëve që Serbia, gjatë bisedimeve, “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.

“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.

Ai vlerësoi që presioni ndaj delegacionit serb është “i madh”.

“Deri më tash, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë.

Në pyetjen se a mund të pritet që takimet të vazhdojnë edhe nesër, Malli ka theksuar që lidhur me këtë nuk dëshiron të spekulojë.

Përfundon pjesa e parë e takimit

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është duke u zhvilluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, janë nikoqirë të takimit.

Arritja e liderëve, të Kosovës dhe atij të Serbisë, ishte konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Twitter, nga Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

“Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke”, ka deklaruar Hoti.

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë bashkë me delegacionin për të diskutuar projektet e zhvillimit ekonomik në mes të dy vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive me komunikimet që kemi pasur deri më tash. Unë ju falënderoj për interesimin, do të keni informata sapo ta kryejmë raundin e parë të takimeve”, ka shtuar ai.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

“Ne duam paqe, duam stabilitet, duam përparimin e Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë rajonit tonë, dhe mbi të gjitha do të duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.

Ai i ka quajtur si arrogante deklaratat e zyrtarëve të Kosovës në lidhje me njohjen e Kosovës.

“Mesazhi im për të gjithë në Serbi është: Dorëzimi asnjëherë nuk ka qenë opsion”, ka thënë Vuçiq.

Të mërkurën O’Brien ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Për tash, nuk është e sigurt se bisedat do të vazhdojnë edhe pas 4 shtatorit.

“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka deklaruar, në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të martën.

Është paralajmëruar se projektet infrastrukturore do të jenë temat e takimit të liderëve, të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenellit.

“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, ka thënë një zyrtar i administratës amerikane, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë. Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.

“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka mirëpritur ftesën e Shtëpisë së Bardhë për takimin e ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë ditën e enjte, “në kërkim të një marrëveshjeje për paqe”.

“E inkurajoj delegacionin e Kosovës për të bërë hapa të guximshëm drejt paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek nga afër bisedimet KOSOVË-SERBI-

– – Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj 108 Vjecare, është aty ku vendosen fatet e Kombit. Një ekip i Vatrës po i ndjek nga afër bisedimet: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj me  bashkëpunëtorët e tyre në Washington  janë në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës-

Federeata Panshiptare e Amerikës VATRA është duke i ndjekur nga afër bisedimet Kosovë –Serbi. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, I kontaktuar nga kryeredaktori I Diellit,  tha nga Ëashingtoni se VATRA ka qenë afër delegacionit të Kosovës dhe ka pasë kontakte edhe para bisedimeve edhe përgjatë bisedimeve.Sot dhe nesër ekipi i Vatrës do të vazhdojë  të qëndrojë në Washington.

Gjatë ditës së bisedimeve në Washington janë të pranishëm Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj,nënkryetari Besim Malota, arkëtari Marjan Cubi, anëtari i këshillit të Vatrës Mehmet Kadrija e të tjerë. Ndërkohë ekipi i Vatrës ka pasë takime me miq amerikanë të interesuar për Kosovën. Në mbrëmje, vatranët me kryetarin e tyre Berisha e Presidentin e Nderit Rexhaj,do të jenë në një darkë pune me kryeministrin dhe delegacionin negociator.

Filed Under: Featured Tagged With: Bisedimet, Vatra

DIALOGU KOSOVË-SERBI, PËR HERË TË PARË NË SHTËPINË E BARDHË NË AMERIKË

September 3, 2020 by dgreca

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari-

  • Sot, kur Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite-

PRISHTINË, 3 Shtator 2020/ Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku sot delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bisedimet, që pritet të vazhdojë edhe nesër,  i ndërmjetësojnë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe dërguari i Presidentit Amerikan Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell. Delegacioni i Kosovës udhëheqet nga Kryeministri  Avdullah Hoti, ndërsa delegacioni i Serbisë nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës Avdullah  Hoti në Uashington deklaroi:

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, diskutuam projektet e zhvillimit ekonomik mes të dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive. Do të keni informata sapo të kryejmë raundin e parë të takimit. Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke. Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe që është vetë njohja reciproke”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar:

 “Duartrokas lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, presidentit amerikan Donald Trump dhe ambasadorit Richard Grenell për t’i bërë bashkë përsëri Kosovën dhe Serbinë në kërkim të një marrëveshjeje të paqes. E inkurajoj delegacionin e Kosovës të bëjë hapa të guximshëm drejtë paqes, njohjes dhe zhvillimit ekonomik”.

Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para më shumë se 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kontribuojnë me trupa në Forcën e Kosovës (KFOR) të prirë nga NATO, e ngarkuar me ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kontribuuan me staf për Misionin e BE-së për Sundim të së Drejtës (EULEX) që nga vendosja e tij më 2008, duke shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në një mision të BE-së për Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, White House

PRESIDENTI NDEROI BANDEN KOMBETARE “VATRA”, POR ANASHKALOI FEDERATËN “VATRA”

September 2, 2020 by dgreca

-NJË PYETJE PËR PRESIDENCËN: PËRSE NUK U THIRR NJË PËRFAQËSUES I VATRËS PËR TË QENË PREZENT NË CEREMONINË E DEKORIMIT TË BANDËS SË VATRËS?

  • PYETJA E DYTË: DERI TANI DEKORATAT QË KANË DALË NGA PRESIDENCA : NDER I KOMBIT DHE URDHËRI I FLAMURI PËR VATRËN, NDERI I KOMBIT PËR DIELLIN, APO PËR INDIVIDËT, JANË REKOMANDUAR NGA VATRA DHE U JANË DORËZUAR DREJTUESVË TË VATRËS- ATO  JANË EKSPOZUAR NË VATËR, PO KJO E BANDËS MUZIKORE”VATRA” DO TË QËNDROJË NË PRESIDENCË?…
  • Nëse Vatra do të pyetej në këtë rast, ajo do të rekomandonte edhe Dekorimin e Trupave Vullnetare, që pasi u stërvitë nga Vatra për 4 vite, u dërguan njëkohësisht me Bandën Muzikore, për të mbrojtë kufijtë e Shqipërise dhe pas stabilizimit të vendit, ata nuk u kthyen më në SHBA, por formuan Gardë e Shtetit Shqiptar.
  • Nga Dalip GRECA-
Banda e Vatres duke hyre ne Vlore-

Sic njofton Agjensia Telegrafike Shqiptare me 31 Gusht 2020, Presidenti Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në kopshtin e Institucionit të Presidencës, ka vlerësuar Bandën Kombëtare Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me dekoratën“Nderi i Kombit”.

Kjo dekoratë u dha me motivacionin“Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Ky është një lajm i mirë dhe Presidenti duhet vlerësuar për inisiativën, por anashkalimi i Vatrës nuk të lë shije të mire institucionale.

Besojmë se nuk do t’ia ulte imazhin ceremonial veprimtarisë,nëse Kryetari i Vatrës qëndronte pranë ambasadores amerikane dhe dekorata i dorëzohej Atij!

Institucionet historike të Diasporës, që i ka provuar koha për qëndrushmëri shekullore, sic është rasti i Vatrës 108 vjecare, dikton më shumë respekt institucional. Mos është kjo shenjë e mosrespektit ndaj Vatrës?

 Nëse deri tani derën e Vatrës nuk e kanë parë udhëheqësit më të lartë të së Majtës Shqiptare kurdo kur kanë qeverisur Shqipërinë, faji nuk është i Vatrës, por i atyre që nuk kanë dashtë që rruga t’u bjerë drejt Vatrës.-, edhe pse Vatra ka shkelë mbi veten dhe-kur ata nuk kanë ardhë në Vatër, ka shkuar Vatra tek ata- duke e takuar kryeministrin aktual të së majtës shtator 2013, si dhe Presidentin aktual 2019, ne hotelet ku pushonin… ata vetë nuk kanë tentuar ta gjejnë derën e Vatrës!!!!

Nëse Vatra do të pyetej në këtë rast, ajo do të rekomandonte edhe Dekorimin e Trupave Vullnetare, që pasi u stërvitë nga Vatra për 4 vite, u dërguan njëkohësisht me Bandën Muzikore, për të mbrojtë kufijtë e Shqipërise dhe pas stabilizimit të vendit, ata nuk u kthyen më në SHBA, por formuan Gardë e Shtetit Shqiptar.

Mirë që Vatrës nuk iu kërkua një mendim për Dekorimin, por në ceremoni duhej të ishte medoemos e pranishme. Deri tani vlerësimet e bëra për Vatrën si institucion Kombëtar,si dhe dekorimi i Gazetës së saj 111 vjecare-DIELLI, po ashtu dhe vlerësimi i individëve, kanë dalë nga VATRA, me ndonjë përjashtim kur propozimet i kanë hartuar vetë këshilltarët e presidencës.

Mirë do të ishte që Presidenca të gjej një shkas dhe së paku le t’na dërgojë dekoratën në VATËR, që t’u tregojmë viztorëve.

Sërish Jemi mirërnjohës!(Gazeta DIELLI)

Filed Under: Featured Tagged With: banda e vatres, dalip greca, Presidenti Meta

Presidenti Meta në Konferencën Shkencore mbi Luftën e Vlorës 1920, thekson rëndësinë e saj historike

September 2, 2020 by dgreca

2 Shtator 2020 Presidenti Meta në Konferencën Shkencore mbi Luftën e Vlorës 1920, thekson rëndësinë e saj historike

Vlorë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Konferencën Shkencore kushtuar Luftës së Vlorës 1920 me temë “Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë”, që u zhvillua në Teatrin “Petro Marko” nën kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit shqiptar.

Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë historike dhe kombëtare të Luftës së Vlorës që edhe në këtë 100-vjetor mbetet një shembull frymëzues atdhedashurie dhe krenarie për popullin tonë.

  Në praninë e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, historianëve, autoriteteve vendore të Vlorës dhe Gjirokastrës, Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe drejtues të besimeve të tjera fetare, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Do të doja të përshëndesja në radhë të parë angazhimin e të gjithëve ju, historianë e shkencëtarë për rëndësinë e madhe dhe vëmendjen që i keni kushtuar në këtë 100-vjetor, Luftës Kombëtare të Vlorës.

E mbështes fuqimisht idenë që 3 shtatori duhet të jetë një Ditë Feste Kombëtare, sepse është një ngjarje kombëtare, që plotëson dhe e vë në jetë Pavarësinë që ne e festojmë çdo 28 Nëntor.

 Të dashur miq,

Shpesh ne harrojmë që figurat e mëdha kombëtare janë njerëz të zakonshëm, që përveç interesit kombëtar, kanë edhe interesa të tjera të ditës.
Por ata janë heronj, sepse në momentet më të rëndësishme për kombin, kanë dhënë gjithçka për të duke sakrifikuar edhe jetën.

Këto figura janë mishërimi i vlerave më të mira të kombit dhe është shumë e rëndësishme për ta patur parasysh që kur vlerësojmë heronjtë të mos lejojmë të mbizotërojë një gjykim i caktuar.

Ndaj kam qenë shumë i kujdesshëm si President i Republikës, që të gjitha vlerësimet e figurave tona kombëtare, t’ua lë historianëve.

Në këtë drejtim besoj se kemi bërë disa rivlerësime që duhet të vazhdojnë dhe besoj se edhe Konferenca e sotme Shkencore do të hedhë më shumë dritë.

 Meqë Profesor Pëllumb Xhufi përmendi sot ‘Lëvizjen esadiste’, le të mos harrojmë se kur flasim për Luftën e Vlorës dhe për vitin 1920 si një vit shpëtimtar dhe të bekuar në historinë e kombit tonë, midis Kongresit të Lushnjes dhe fillimit të Luftës së Vlorës, kemi një ngjarje tjetër të rëndësishme: aktin shtetformues të Avni Rustemit në Paris.

Të gjithë e dimë shumë mirë se veprimtaria e Esat Pashës ishte një veprimtari vetëm në interes të pushtetit të tij dhe të gjithë fuqive grabitqare që e ndihmonin, e sponzorizonin dhe e paguanin në dëm të qeverisë së Ismail Qemalit dhe kundër përpjekjeve kombëtare për të pasur një shtet funksional shqiptar.

Të mos harrojmë se çfarë entuziazmi patriotik dhe urrejtje popullore ndaj tradhëtarëve krijoi akti shtetformues i Avni Rustemit, me dekurajimin e ‘Lëvizjes esadiste’.

Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se në vitin 1920 kemi edhe dy figura të shquara, më pas antagoniste për arsye të bindjeve politike, të cilat ishin në një front: Ahmet Zogu dhe Avni Rustemi.

E përmend këtë, sepse është e rëndësishme që të japim mesazhe pa komplekse për atë që është bërë mirë në momentin më të rëndësishëm, por pa mbuluar ato që mund t’i konsiderojmë si veprime që nuk i kanë shërbyer një interesi të përgjithshëm apo kombëtar, stabilitetit të vendit apo demokracisë.

Për mua ishte kënaqësi që të bashkëpunoja me shumë prej jush gjatë këtij procesi. Le të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen në mënyrë që të tregojmë kujdes më të madh për historinë!

T’i mbrojmë ngjarjet më të mëdha të vendit tonë, edhe të kombit tonë!

T’i lartësojmë ato, sidomos para brezit më të ri, sepse jetojmë në një kohë, e cila siç ka gjëra shumë të mira, ka edhe rrezik të madh për kombe që flenë, siç na ka thënë edhe Ismail Qemali: ‘Fëmija që fle, rritet. Një komb që fle, vdes!’

Globalizimi, siç ka shumë aspekte të mira, është kërcënues për vende që nuk tregojnë kujdes për historinë, për identitetin kombëtar, për edukimin patriotik të të rinjve, për të dhënë mesazhin e bashkimit në momentet më të rëndësishme.

Unë jam i sigurt se ju do të jepni një kontribut shumë të madh në këtë drejtim dhe nga ana ime do të keni gjithmonë mbështetjen më të madhe.

Dritëro Agolli, gjithmonë theksonte se: “Kënga e ka shpëtuar popullin tonë”. Sepse përmes këngës ruhet gjuha, por përmes këngës u transmetua edhe historia brez pas brezi.

Dritëroi nënvizonte me forcë që: Populli ynë, historinë, ngjarjet më të mëdha dhe ata që kanë luftuar, i ka përcjellë gjithmonë brez pas brezi përmes këngës.

Sa më e bukur kënga, aq më e madhe ka qenë lufta!

Po të dëgjosh këngët dhe poezitë e Luftës së Vlorës, e kupton se sa shumë shkëlqen kjo epope e lavdishme e kombit shqiptare.

Mirënjohjen më të madhe edhe poetit të lirisë Ali Asllanit, por edhe të gjithë të tjerëve, të cilët e kanë përjetësuar këtë epope mjaft frymëzuese, që vjen si një himn i dytë për mbarë kombin shqiptar”.

Filed Under: Featured Tagged With: Lufta e Vlores

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT