Pasditen e së premtes, në Uashington pritet të nënshkruhet një dokument nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë, kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni ku, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ndonëse ende nuk dihet se cila është përmbajtja e dokumentit, nikoqirët e takimit të së enjtes në Uashington, të kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët kishin deklaruar se përmbajtja e bisedimeve ka në fokus bashkëpunimin ekonomik.
Takimi ndërmjet dy liderëve, të Kosovës dhe të Serbisë, ka nisur ditën e enjte dhe sipas këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, janë zhvilluar bisedime “shumë të mira” dhe se të dyja palët “kanë bërë përparim të vërtetë”.
Kryeministri Hoti e ka cilësuar takimin në Uashington si historik dhe se bisedimet në këtë takim, sipas tij “paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, ka thënë Hoti.
Sipas Hotit, të premten, pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme për Kosovën “asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë”.
Një nga pikat e parashtruara në takimin e së enjtes ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, ka qenë edhe njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Pas takimit, Vuçiq ka theksuar se e ka bërë të qartë që “nuk mund ta pranoj” pavarësinë e Kosovës.
Sinisha Malli, anëtar i delegacionit të Serbisë në këtë takim, ka theksuar se palës serbe i është paraqitur një listë me 16 pika, në mesin e të cilave edhe njohja e ndërsjellë dh ka theksuar që “ ky është propozimi më i keq” që e kanë parë “në historinë e bisedimeve me shqiptarët”.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Grenell: Nuk ka bisedime pa befasi
“Mendoj që nuk ka bisedime, të cilat nuk kanë ndodnjë befasi, të cilat janë gjithmonë të mira”, ka thënë Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë pë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për “Newsmax”.
“Ato (befasitë) bëjnë presion në të dy palët që të bëjnë më shumë, që të krijojnë më shumë. Pra, po, kemi shfaqur disa befasi, por mendoj që asnjëra palë nuk ishte aq e befasuar. Ndonjëherë shtihen para mediave se kjo është befasi më e madhe se që është. Të dyja palët janë njoftuar dhe mendoj që kemi realizuar përparim dhe shpresoj për zgjidhje”, theksoi Grenell, pas ditës së parë të bisedimeve në Uashington.
Godfrey: Ditë e shkëlqyeshme për Kosovën dhe Serbinë
Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, ka vlerësuar që dita e sotme është e shkëlqyeshme për Serbinë dhe Kosovën.
“Normalizimi ekonomik do të thotë punë për të rinjtë , investime të reja, ekonomi të qëndrueshme dhe të fortë”, ka shkruar ambasadori Godfrey në Twitter.
Ai, gjithashtu, ka vlerësuar që njerëzit në Kosovë dhe në Serbi meritojnë standard më të mirë të jetës.
“Përshëndesim përpjekjet e liderëve të Serbisë dhe Kosovës në kërkim të paqes, pajtimit dhe normalizimit ekonomik”, ka porositur ambasadori Godfrey në shkrimin e tij në Twitter, në të cilin e ka shpërndarë edhe orarin e sotëm të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Gjatë bisedimeve të së enjtes, ka arritur edhe Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, që është gjithashtu edhe këshilltare e tij, me të cilën palët kanë biseduar për zhvillimin e ndërmarrësisë në Ballkan, veçanërisht për ndërmarrësinë e grave në Beograd dhe Prishtinë.
Gjatë ditës, ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit. Haradinaj ka thënë se që prej 3 shtatorit është në dijeni se çështja e Ujmanit është njëra nga pikat e marrëveshjes.
“Kam komunikuar me të gjitha palët relevante, kam kërkuar që të hiqet si pikë, përndryshe nuk do të jemi pjesë e saj”, ka thënë Haradinaj.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj ka theksuar se nëse marrëveshja nënshkruhet sot, më 4 shtator, dhe ka çështjen e Ujmanit në të, ai dhe partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahin.
“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë, e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, ka deklaruar Haradinaj.
Takimi, i cili po mbahet në Shtëpinë e Bardhë, është i dyti i thirrur nga Uashingtoni. Takimi i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një draft-aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit. Thaçi nuk është duke marrë pjesë në takimin aktual.
Nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të dyja vendet, në janar dhe shkurt të këtij viti kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi, të cilat ende nuk kanë nisur të zbatohen.
Nënshkrimi i këtyre letrave të interesit është bërë në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ishte pezulluar, si pasojë e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik.
Bashkimi Evropian, edhe këto takime i sheh vetëm si “plotësim” të përpjekjeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, korniza kryesore e së cilave, sipas BE-së, është dialogut i Brukselit.
Kështu ka thënë më 4 shtator në Bruksel, në një konferencë për gazetarë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kur është pyetur për të komentuar takimet që po zhvillohen në Uashington.
Bashkimi Evropian është njoftuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara rreth agjendës së takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, dhe kjo është e zakonshme në bashkëpunimin e partnerëve.(Kortezi: Bekim Bislimi-Evropa e Lire)