• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja e Zvicrës nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji

August 3, 2020 by dgreca

-Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga me rastin e Ditës Kombëtare nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji me mirënjohjen”Heroinë e Përditshmërisë”-

Nga Elida Buçpapaj- Voal.ch – Këtë vit 1 Gushti Festa Kombëtare e Zvicrës u kremtua në mënyrë të veçantë.E megjithatë, nën rregullat që dikton situata pandemike e koronavirusit, u festua nëpër familje, rrethe shoqërore e komunat në të 26 kantonet.

Po ashtu Presence Swisse hapi një faqe online për diasporën zvicerane nëpër botë.

Fishkzjarret shkëlqyen qiellin helvetik prej natës të 31 korrikut deri pas mesnatën e 2 gushtit.

Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga për ta kremtuar këtë ditë me kaq rëndësi kombëtare zgjodhi një mënyrë shumë të veçantë.

Në Rütli, në vendin që quhet “djepi i Zvicrës” buzë Liqenit të Lucernës, atje ku çdo vit kremtohet festa zyrtarisht, për të patur të pranishme gjithë Konfederatën, zonja Sommaruga kishte ftuar për çdo kanton nga një grua dhe burrë që ishin dalluar për kontributin e tyre gjatë pandemisë. Po ashtu ishin të ftuar edhe 2 përfaqësues të “Zvicrës të Pestë”, sikur quhet diaspora zvicerane. Gjithësej 54 përfaqësues, të cilëve  zonja Sommaruga u ndau mirënjohjet për kontributin e tyre të çmuar në përballimin e krizës, duke i quajtur ata “Heronjtë e Përditshmërisë”.

Në fjalën e saj zonja Presidente nënvizoi faktin se “forca e Konfederatës është solidariteti”. Ajo përmendi me nderim ndihmën e qytetarëve të Zvicrës në mbështetje të më të dobtëve dhe të moshuarve  me qëllim përballimin e situatës të jashtëzakonshme, që jeta e vendit në kushte aspak normale të vijonte normalisht, duke filluar nga supermerkatot, farmacitë, mjetet e transportit publik, por jo vetëm. Në ato momente të vështira u dëshmua solidariteti zviceran i qytetarëve për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë blerje dhe u ardhur në ndihmë atyre që kishin vështirësi ekonomike.

“Sot dua të them faleminderit. Faleminderit atyre që bënë blerje për të moshuarit në lagjet e tyre, atyre që i shërbyen vendit tonë pavarësisht virusit, stafit në spitale, stafit të shitjeve, punonjësve të hekurudhave, drejtuesve të kamionëve, fshatarëve, punëtorëve në vendet e ndërtimit dhe stafit në shtëpitë e të moshuarve “: këto ishin fjalët e Simonetta Sommaruga në kremtimet zyrtare për 1 gusht. “2020 ishte viti i koronavirusit, tha ajo, “por shpresoj që të quhet edhe viti i solidaritetit”.

Ceremonia po për shkak të situatës korona zgjati vetëm 90 minuta dhe prania ishte shumë e kufizuar, gjithësej ishin 150 të pranishëm.

Midis të nderuarve ishte edhe shqiptaro-zvicerania Xhemile Fetaji, me origjinë nga Gostivari, e cila mori direkt nga Presidentja e Zvicrës mirënjohjen bashkë me nga një fidan molle, që do të mbjellen në kantonet ku jetojnë.

Xhemile Fetaji është dalluar për kontributin e saj shembullor gjatë pandemisë si shitëse në Migros. Xhemilja ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë periudhës të lockdown.  Xhemilja është shumë aktive në jetën sociale. Këtë vit kandidoi për parlamentare në zgjedhjet lokale të kantonit të saj.

Për voal.ch Xhemile Fetaji tha: “Dje ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta hiç natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Aktiviteti kishte një organizim të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Kur filloi ceremonia më prekën shumë fjalët e Presidentes, zonjës Sommaruga, kur na u drejtua dhe tha :” Ju me siguri e keni pyetur veten pse pikërisht unë jam e ftuar këtu!” Edhe unë kur më erdhi ftesa për Rütli i kisha bërë vetes të njëjtën pyetje: Përse unë. Sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj unë, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne, 54 përfaqësuesave nga e gjithë Zvicra. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Voal.ch e uron për këtë nderim duke i uruar suksese të tjera./Elida Buçpapaj

**** Bisedë me Xhemile Fetajin,e nderuar nga Presidentja e Zvicrës me mirënjohjen si “Heroinë e Përditshmërisë” Nga Elida Buçpapaj

Në ceremoninë zyrtare me rastin e 729 vjetorit të Ditës Kombëtare të Zvicrës kishin një ftesë të veçantë 54 zviceranë, që përfaqësuan nga dy persona të dy gjinive 26 kantonet përfshi Zvicrën e Pestë, sikurse quhet diaspora zvicerane. Ata ishin të ftuar në kremtimet festuese me Presidenten e Konfederatës Simonetta Sommaruga-n në Rüetli, “djepin e Zvicres” kur më 1291 u lidh besa, u firmos pakti i përhershëm dhe lindi Konfederata Helvetike. (CH)

Ky vit është shumë i veçantë për shkak të koronës që kërkon respektimin e rregullave. E megjithatë, zonja Sommaruga e shfrytezoi Festën Kombëtare për të falenderuar e shprehur mirënjohjen një grupi qytetaresh që simbolikisht përfaqësonin atë komunitet që, në kushtet e lockdown-it, i shërbyen vendit duke bërë që jeta të përvijonte normalisht.

Midis atyre të cilët Presidentja e Zvicrës i quajti “Heronjtë e përditshmërisë” në kohë krize, ata të cilët nuk “e respektonin” sloganin “stay home be safe” ishte edhe Xhemile Fetaji, një shqiptaro-zvicerane me origjinë nga Gostivari, e cila në mënyrë shembullore i shërbeu qytetarëve si shitëse në Migrosin e Steckborn, qytezë me rreth katër mijë banorë në kantonin e Thurgaut në verilindje të Zvicrës buzë Liqenit të bukur të Konstancës.

Dje kur biseduam Xhemilja ishte me plot emocione.

“Kur znj.Sommaruga na tha gjatë ceremonisë nëse i kishim bërë pyetjen vetes “përse unë jam ftuar në Rütli” unë në fakt ia kisha bërë vetes këtë pyetje”, më tregoi ajo.

Xhemilja është një “heroinë” e lockdown-it, periudhës kur ne ishim të këshilluar të rrinim të mbyllur dhe të dilnim nga shtëpia vetëm pēr domosdoshmeritë tona, sikur jane blerjet e ushqimeve, shkuarja ne postë, farmaci, mjek etj.etj.

“Gjatë gjendjes lockdown” më thotë Xhemilja, “u ndryshuan krejt planet e punës. U desh që ne të punonim pa plan, sepse, sapo i vendosnim mallet dhe ushqimet në raftet e Migrosit, ato zbrazeshin menjëherë, aq shumë bliheshin nga qytetarët.”.

E kush nuk i kujton ato ditë plot zymtësi kur njerëzit mbushnin karrocat me majë për të krijuar rezerva sa më të mëdha për familjet e tyre që nga mielli, majaja e bukës deri tek letrat higjenike që zhdukeshin nga raftet e supermerkatove sa hap e mbyll sytë, pa marrë parasysh se gjithë ditën mediat në Zvicër qetësonin popullatën duke u thënë se nuk ka asnjë arsye për shqetësim se dyqanet do të jenë gjithmonë plot e përplot, e, megjithatë, të qetësohej popullata ishte e pamundur.

“Kur i shihja raftet e zbrazura dhe njerëzit që mbushnin karrocat, të merrte frika, kaq e tmerrëshme dukej situata”, vazhdon të më tregojë Xhemilja. “Shefi më thirri me ndihmu 2 orë plus, por nuk dilnin as dhjetë orë për të mbushur raftet nga ku mallrat bliheshin menjëherë. Dukej qartë që njerëzit kishin frikë. Frikë kisha edhe unë. Por kujtoja njerëzit nëpër botë që vdesin për një kore buke, ndërsa ne jetojmë në Zvicër me gjithë të mirat.” “E megjithatë”, ngulmon Xhemilja për një situatë që unë e njihja shumë mirë, “dukej sikur do të niste lufta. Çuditesha, por bënim gjithçka që të plotësoheshin kërkesat e blerësve, edhe kur disa kishin dëshira speciale, kur kërkonin papaya apo letër higjenike të aromatizuar. Atë periudhë, prej ngarkesës së punës unë në shtëpi isha shumë pak e pranishme dhe bashkë me bashkëshortin jemi shumë krenarë se fëmijët tanë (kanë dy fëmijë, djale e vajzë, Emirin dhe Emirën përkatësisht 12, 15 vjeç) nē atë periudhë aq të vështirë u organizuan shumë mirë, studionin vetë dhe u treguan shumë të përgjegjshëm edhe pa ndihmën time. Sepse unë nuk kam punuar 100% por 200% se më duhej që t’iu ndihmoja kolegëve, rrija pa orar në punë, në shërbim të blerësve. Dhe fëmijëve u them gjithmonë të ndihmojnë, të japin ndihmën e tyre sa herë të kenë mundësi. ”

“Përveç kësaj”, vijon Xhemilja, “në mbrëmje kur kthehesha, kisha kontakte përmes WhatsApp-it me shumë gra shqiptare në kantonin e Thurgaut, ku u sqaroja situatën, masat mbrojtëse kundër koronës, u jepja informacion, i pyesja si i kishin hallet, si shkonin me bashkëshortët, u jepja këshilla atyre me fëmijë të vegjël. Ishte ky një angazhim ndryshe nga ai i Migrosit, por edhe këtë e bëja me shumë përkushtim.”

Xhemilja kësaj pranvere në zgjedhjet lokale ishte kandidate e PS për parlamentin në Kantonin e Thurgaut. “Ylfeten e kam shembull, por më duhet ende pune”, më thotë ajo. E ka fjalën për Ylfete Fanajn, anëtare e parlamentit të Lucernës. Ylfetja ka lindur në Prizren. Bijë emigranti. I jati ishte punëtor ndërtimi, ndërsa Ylfetja gjatë 2020/21 drejton parlamentin e kantonit të Lucernës. Arritje të paimagjinueshme për dy dekada më parë!

Më tutje, Xhemilja më tregon: “Nē mëngjes fillonte ngarkesa e punës nga e para. Kishte njerëz që dëshironin t’jua çonim mallin në shtëpi. Kishte të moshuar që më vinte shumë keq kur i shihja të mundoheshin dhe i ndihmoja e ua çoja vetë blerjet nëpër shtëpi”.

“Kētu në Steckborn më njohin të gjithë!”, më thotë Xhemilja dhe pa dashur ajo i kishte dhënë përgjigje pyetjes: “Përse kishte marrë ftesë për në Rütli”.

Të gjithë ne banorët e Zvicrës në ditët kritike të rrezikut eksponencial të përhapjes të koronës, në mungesë të plotë të maskave, sepse me Kinën ku importoheshin ishin pezulluar fluturimet, ndërsa Franca e Gjermania kishin maska vetëm për vete, nuk harron frikën, si një paranojë kolektive kur të duhej të dilje nga shtëpia për blerje, ndërsa shitësit nëpër supermerkato të dukeshin kushërinj me ET, Samaritanë të Mirë apo superheronj.

Xhemilja është njëra prej tyre. Pjesë atij komuniteti që sakrifikuan pēr interesin e përgjithshëm kombëtar. Së bashku me ushtrinë e mjekëve, infermierëve dhe ekipet ndihmëse nëpër spitale.

Presidentja e Zvicrës në fjalën e saj gjatë ceremonisë midis të tjerave tha se “2020 ka qenë viti i koronavirusit, shpresoj se 2020 të jetë edhe viti i solidaritetit”, duke e nënvizuar këtë tipar të Konfederatës. Jo më kot motoja kombëtare e Konfederatës Helvetike është: “Unus pro omnibus, omnes pro uno” –
«Einer für alle, alle für einen» – “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Biseda jonë u përmbyll duke më treguar për ceremonë e kremtimeve në Rütli. Nuk kanë kaluar as 24 orë nga takimi me Presidenten e Konfederatës, por Xhemilja është plot emocion: “Dje”, më thotë ajo, “ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta fare natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Ceremonia ishte organizuar në mënyrë të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Moderatorja ma shqiptoi emrin shumë bukur. E falenderova. Zonja Sommaruga na takoi. I dhurova disa produkte të kantonit tonë. Bëmë edhe foto. Isha me fat sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Presidentja e Zvicres, Xhemile Fetaji

RRËFIM NGA NJU JORKU- NË NDERIM E RESPEKT TË INTELEKTUALIT CAUSH AZEM ÇOKU…

August 1, 2020 by dgreca

RRËFIM NGA NJU JORKU- NË NDERIM E RESPEKT TË INTELEKTUALIT CAUSH AZEM ÇOKU, QË NDËRROI JETË NË VENDLINDJE/

Lajmi i ndarjes nga nga jeta i Caush Azem Çoku është pikëllus, i dhimbshëm.Tek ngushëlloja sot vëllezërit Esat dhe Bedri Çoku,si dhe nipin Frenkie, më dridhej zëri. Kam qenë me fat qe i kam njohur vëllezërit Çoku, edhe Caushin.Herën e fundit e takova së bashku me shkrimatrin e ndjerë Halil Jacellari.Halili dhe Caushi jetonin në Itali, unë në SHBA. Drekuam bashkë në restorant Peshku në Lushnjë.Debatuam gjatë drekës për Letërsinë. Folëm edhe për Kadrenë. Unë me Halilin, ishim mbrojtës fanatik të Kadres, Caushi bëri oponentin. Natyrisht që pëlqente artin dhe mjeshtrinë e të shkruarit të Kadaresë, ama kishte rezereva për velin politik të Shkrimtarit. Por Caushi dinte të debantonte, pa ngritje zëri, me kulturë, edukatë fisniku. Ishte intelektual i formatit të lartë. Nuk u mor me politikë, i qëndroi larg asaj sepse ishte dënuar prej politikës, edhe pse pa faj. Jetoi mes Romës, Lushnjës dhe Tiranës.

Familja humbi njeriun e dashur,fëmijët babanë e dhembshur, vëllezërit humbën vëllanë shumë të dashur, ne miqtë humbëm mikun tonë të shtrenjtë.

Lamtumirë Caush Çoku! I mbijetove ferrit të burgut- Pushofsh në Paqen e merituar!

Në kujtim të Caushit dhe në nderim të Familjes Çoku, ndër më te persekutuarat e Myseqesë, po sjell rrëfimin me vëllanë e tij, mikun tim, ish deputetin Esat Çoku, kur ai jetonte në Nju Jork, ku shpaloset jeta e familjes!

***

DASHURI NE VEND TE URREJTJES

Historia e familjes Çoku, që edhe pse i “dhuroi” socializmit një shekull burg dhe internime, nuk kërkoi hakmarrje, nuk ushqeu urrejtje, por i fali dhe u pajtua edhe me dëshmitarët fatkeqë të proçeseve të montuara.Ishin shumë ata që kishin pranuar të dëshmonin kundër Cokëve me deklarata të rrejshme… 
- Shprehje e tolerancës është edhe akti i pajtimit të familjes Çoku me 26 dëshmitarët e rremë, që dolën kundër tyre në proçeset gjyqsore, kur u dënua Azemi me djemtë, Bedriun, Caushin e Esatin.
-Dashuri në vend të urrejtjes është mesazhi i familjes Çoku, që, në tranzicionin e zgjatur, është shpërndarë nga Shqipëria, në Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 NGA DALIP GRECA*(Me shuem foto gjeni ne Facebook)
Esat Çoku bashkë me të shoqen, Zyhranë dhe të birin Francin, jetojnë(jetonin) në Pelham Parkway, në Bronx, NY. Në historinë e jetës së përditshme të Esatit dhe Zyhrasë nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të shënuar. Ata janë emigrantë, si gjithë të tjerët, punojnë në punë të zakonta, lodhen e rropaten dhe jo rrallë mund të ndodhë që të shprehin dhe ndonjë lloj "pendese" për mërgimin në moshën e pensionit. Por, kur kthejnë kryet nga i biri dhe shohin përkushtimin e tij në mësime, rezultatet shumë të mira integruese në jetën amerikane, i bëjnë "hallall" vuajtjet e mërgimit. Ky çift, që ju prezantova, gjithë ditët e javës lodhen në punët e mundimshme, siç janë të gjitha punët e pakualifikuara, ndërsa në fundjavë do t’i gjeshë të gëzuar në shoqërinë, që kanë zgjedhur këtu në emigracion, me të cilën shkojnë kohën e lirë fundjavave, herë duke dalë një shëtitje, herë një bisedë në klubet e shqiptarëve, herë në aktivitetet e shumta që zhvillohen në Nju Jork dhe jo rrallë, duke bërë vizita tek njeri-tjetri. Në shoqërinë e tyre ka njerëz të zakontë, ka ish diplomatë, ish oficerë, inxhinierë, gazetarë, doemos që ka edhe ish të përndjekur të sistemit komunist, me të cilët i bashkon vuajtja dhe rezistenca antikomuniste. Esati shpesh gjendet ne mjediset e Vatres, dhe aty ndjehet mire sepse eshte oaz Mememdhetarie. Aty takon edhe bashkvuajtesit e vet: Fatbardh Kupin, Dine Dinen, Lek Miraken, vellezerit Muja,Pellumb Lamaj e shume te tjere. Të përndjekurit janë bashkëvuajtësit e Esatit, por ai nuk i paragjykon njerëzit, është krejtësisht tolerant, i paparagjykueshëm në ato ç’ka ka hequr ai dhe familja e tij. Vuajtjet e tij dhe të familjes nuk ia faturon çdo lloj njeriu, ato qenë pjellë e sistemit komunist. Ish deputeti i Partisë Demokratike ka marrë rrugën e mërgimit këtu ne SHBA, Caush Çoku, rrugët e mërgimit nisi t’i shkelë menjëherë pas burgut, që në vitin 1991ne Itali. Edhe pse qe shpallur armik dhe qe arrestuar në emër të popullit si armik i popullit (kush e pyeti popullin?!), Esati orë e çast mendon me mall për Shqipërinë dhe thotë se vështirë do ta ketë, nëse nuk kthehet një ditë atje, ku ka lënë gjithçka; edhe gëzimet, edhe vuajtjet, edhe prangat, edhe varret e të dashurve; edhe tokën, edhe vreshtin, edhe shtëpinë në Muçias(ne fakt eshte kthyer familjarisht). Edhe “armiqtë” e dashkan Atdheun!!!!
Shprehje e tolerancës është edhe akti i pajtimit të familjes Çoku me 26 dëshmitarët e rremë, që dolën kundër tyre në proçeset gjyqsore, kur u dënua Azemi me djemtë, Bedriun, Caushin e Esatin.
            “Nuk arritëm të  pajtohemi vetëm me gjashtë prej dëshmitarëve, të cilët patën vdekur, para se ne të liroheshim prej burgjeve, thotë Esati. Për ne ata ishin fatkeqë të një sistemi antinjerëzor. Falja dhe mëshira ishin më e shumta që mund të bënim ne për ata.” 
Toleranca dhe dashuria njerëzore e çoi Esat Çokun deputet në  Parlamentin Shqiptar (1992-96). Ishte rasti më i veçantë në Shqipëri, kur ish i përndjekuri ishte në një sallë me ish hetuesin e vet. Esati dhe hetuesi i tij, Bashkim Caka, ishin njëkohësisht deputetë, njëri për PD-në dhe tjetri për PS-në! Kur ishte në krye të Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë të Lushnjës(1991- 1995), apo pjestar i kryesisë të Shoqatës Kombëtare të Ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në po këto vite, Esati nuk kultivoi as urrejtje, as hakmarrje, vetëm kërkoi integrimin e bashkëvuajtësve. Kështu donin edhe vëllezërit, Bedriu dhe Caushi, të cilët, edhe pse nuk u morën me politikë, u treguan qytetarë të denjë. Trazicioni 15 vjeçar i Shqipërisë e ka shpërndarë familjen Çoku. Njëri vëlla, Bedriu, ka mbetur në Shqipëri, i cili, pas 15 vitesh, ka vendosur të trokasë në politikë, duke pranuar të jetë kandidat për deputet i “Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar”, ndërsa Caushi jeton në Romë, si gazetar i Komunitetit Europian. Esati jeton në New York. edhe për një fakt tjetër, për tolerancën. Në kohën e krizës së pushtetit demokratik, Bedriu ishte ne krye te burgjeve të Shqipërisë. Atëherë Fatos Nano ishte në burg. Bedriu urdhërohet që të mos i ndodhte asnjë e keqe me jetën e kryetarit të opozitës. Shkoi vetë me helikopter dhe e shpëtoi Nanon nga rreziqet, që i kanoseshin. Kur socialistët erdhën në pushtet me Nanon kryeministër, vetë i pari kërkoi që t’i bëjë një vizitë në shtëpi për ta falenderuar, se i kishte shpëtuar jetën. Bedriu ia çeli derën e apartamentit dhe e priti.Shefi i opozites e “shperbleu” , pas vizites e shkarkoi dhe e la pa pune! Një javë pas vizites jetëshpëtuesi i Nanos, edhe pse kishte përfunduar studimet për jurist, edhe pse zotëronte tri gjuhë të huaja, u gjend i papunë…Shpërblim i bukur!
 
Nëna e burgjeve
 
Në fillimet e emigrimit, Esati  kaloi një provë të vështirë. Nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje të rënduar psikologjike, tmerrësisht dëshpëruese. Në  shtëpi ishte vetëm me nipin( I ndjeri nip u kthye ne Shqiperi, por para nje viti nderroi jete). Esati kishte marrë lajmin e hidhur të vdekjes së nënë Esmasë.  
-         Qenka e thënë që të mos i hedh një dorë dhe nënës, ashtu siç nuk i hodha babait, (ishet ne burg ate kohe) - qante dhe psherëtinte ato ditë Esati.
 Kur u vdiq babai, me 12 dhjetor 1982, tre vëllezërit qenë në burg dhe nuk mundën të ishin në varrimin e atit të tyre të dashur, ndërsa tani që vdiste nëna, Esati ishte këtu, larg, shumë larg, dete e oqean kaptuar. Statusi nuk e lejonte që të udhëtonte….
Nënë Esmaja kishte ikur nga kjo botë, ndërsa ai kishte vënë fotografinë e saj në një kënd dhe vajtonte e priste njerëz, që vinin t’i mjekonin plagën e dhimbjes…
Dukej se gjoksi nuk ia mbante dhimbjen. Miqtë dhe të njohurit nuk reshtnin, por plaga e shpirtit s’mbyllej kollaj….Ai i binte telefonit herëpashere dhe merrte informacion rreth varrimit. Fliste me vëllezërit, por  fjala lagej nga lotët dhe telefoni bëhej memec…E shoqëroi kortezhin së largu, deri sa përfundoi varrimi.
- Së paku t’i kisha hedhur një dorë dhe,- përsëriste herëpashere Esati, që kapte tëmthat, i shtërngonte fort dhe fshinte sytë, nga të cilët rridhnin lotët e dhimbjes. Ishte fillikat. E mbyti dëshpërimin me lot dhe psherëtima….

….Kishte vdekur Esma Çoku, një nënë e vuajtur, një ndër nënat e rralla që e kishte përballuar të keqen me stoicizmin e saj të rrallë. Shumë fatkeqësi patën rënë mbi të gjatë 50 vjetëve. Fillimisht i kishin prangosur burrin, Azemin, të cilin, pasi i sekuestruan pasurinë, e damkosën “kulak”. Ajo nuk e la të shoqin të vdiste i vetmuar në qeli, së paku nuk e la të uritur, por torbën në shpinë dhe i shpinte ushqime. Fatkeqja, guximshëm, përpiqej të rriste djemtë, që t’i bëheshin të mbarë. Ajo nuk ishte thyer as atëherë, kur familjen e deklasuar Çoku e internuan nga qyteti i Fierit, në Tokën e Vdekur të Myzeqesë, as kur i arrestuan djalin e vogël, Caushin, as kur i prangosën të dytin, Bedriun (të dy ushtarë pa pushkë në xhenjo), as kur e lanë të vetmuar, pasi i morën edhe Esatin. Do të mbetej vetëm me Zyhranë, bashkëshorten e Esatit, e cila iu kthye si shoqe dhe motër në ditët e vështira. Bashkë e  merrnin rrugën për t’u takuar me të tre djemtë, që njëkohësisht vuanin burgjeve të Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit….Udhëtonin dy-tre ditë për të shkuar tek djemtë-armiq të pushtetit… Rrugë pa rrugë, qëllonte që të flinin edhe jashtë, kur nuk ua hapnin dyert nga frika se ishte nëna e djemve të dënuar politikë, ndërsa, e reja, nusja e armikut. …Ja, kështu me atë torbën në krahë e mira nënë baritej maleve të Shqipërisë për të mbajtur gjallë shpirtrat e djemve, që vuanin absurdin. Ajo vërtetë nuk ishte e burogosur, por shpirti i saj qe njëqind herë më i prangosur se sa duart e ënjtura nga prangat e të shoqit dhe e bijve të saj. Ata u planifikuan nga ai sistem si kundërshtarë të vijës së parë dhe qenë ndër të fundit që lanë qelitë e ferrit. Bedriu ishte ndër të burgosurit e fundit që la qelitë pas vizitës të Peres De Kuelarit në Shqipërinë komuniste.

Vëllai i dytë i Esatit, Bedriu, duke e përshkruar nënën e tij në librin, që ka në dorëshkrim, shkruan: “Kanë kaluar gjithë ato vite pritjeje që i kanë dhuruar asaj shumë ankth, dhimbje dhe tmerre, tani nuk i besohet se është e lirë dhe djemtë i ka të lirë…”.
…. Viti 1991. Bedriu, një ndër të dënuarit politikë, që u lirua i fundit nga burgjet shqiptare, me ndihmën e shoqërisë së vjetër, që kishte në Fier, arriti të merrte një shtëpi në qytetin e tij të fëmijërisë dhe të ëndrrave, pikërisht në atë vend, ku ata patën barakën e tyre, para se t’i internonin në “tokën e  vdekur”. Nënë Esmaja, që qe mësuar me jetën e fshatit, sikur e kishte të vështirë të rimësohej me jetën e qytetit, nga e kishin shpërngulur në një natë të errët. Por, nga ana tjetër, i dukej vetja si në ëndërr, kur e shihte veten në atë shtëpi të re së bashku me të birin, i cili shkonte si zotni në shkollë, i veshur për bukuri me kostum e kollare, ku jepte mësim gjuhët e huaja, që i kishte mësuar atje, në universitetin- burg!
- Mos jam në ëndërr? -  pyeste veten e zonja e shtëpisë dhe dëshironte që të jetonte sa më gjatë, për ta gëzuar lirinë…!
 
Tre vëllezër në një prangë. COKËT, një shekull burg e internim
Rrallë mund të gjesh familje, që të ketë kaluar tërë jetën në burgjet komuniste. Të marra së bashku, vitet e burg-internimeve bëhen shumë dhe rëndojnë në kujtesën e kombit si për mijëra familje të tjera, të cilëve iu mohua jeta e lirë, thjeshtë, sepse qenë rreshtuar në anën e kundërt të barrikadës komuniste. Le të ndjekim statistikën: 
- Azem Çoku, babai  -  11 vite burg
- Caush Çoku, djali i vogël  -  22 vite burg
- Bedri Çoku, djali i dytë  -  23 vite burg
- Esat Çoku, djali i madh  -  8 vite burg dhe internim…
- Esma Çoku -  e internuar me dekada… bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur;  64 vite dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe të bijve…
-         Vëllai tjetër, nipër e mbesa, lindur e rritur nëpër baltën e fushave të Myzeqesë së përvuajtur  -  të internuar… 
    ***
Po të bashkosh vitet e e burgut dhe ato të internimit për familjen Çoku, të dalin më shumë se një shekull dënime. Statistikat e mësipërme ndoshta nuk kanë nevojë për koment, por historia duhet kujtuar me qëllimin e mirë, që të mos harrohet. Poeti, publicisti dhe shkrimtari Visar Zhiti, për të cilin poezia qe prostitutë, që e futi në burg dhe njëkohësisht Shën Maria, që i ruajti shpirtin në vuajtjet e ferrit komunist, tek ka paraqitur dy vëllezërit Çoku, në parathënien e librit të tyre “Caush Çoku& Bedri Çoku, dy vëllezër në një prangë”, shkruan kështu në përcjelljen parathënëse: 
 “Si personazhet e një drame, duken dhe ashtu janë, të një drame tepër të rëndë, të gjallë, që s’u luajt dot në skena, po në jetë; aktet e së cilës u zhvilluan në purgatorin e mërzitshëm të socializmit dhe brenda në ferrin e diktaturës së tij.
Janë anëtarët e një familjeje të ndershme, punëtore, të shtypur, të dënuar dhe anash emrit vitet e burgut, ku shpesh numri i tyre është më i lartë se gjysma e jetës të secilit. Së bashku bënë gati një shekull burg e internim, deri në rënien e komunizmit.
Familja Çoku ishte në konflikt me sistemin e ri komunist.Konflikti vinte që nga vitet e Luftës, kur Azem Çoku, i ati i djemve, do gjendej i rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar, në luftë për të çliruar Atdheun nga fashizmi dhe nazizmi e do të ndëshkohej pas çlirimit vetëm pse nuk qe i rreshtuar në radhët e partizanëve.Madje, një herë, do ta shpëtonte nga skuadra e pushkatimit i ati i Ylli i Bufit, që asokohe ishte udhëheqës me partizanët lokalë, ngaqë vetë ai ia kishte borxh jetën Azemit. Pushkatimi i shokëve në sytë e tij e bënë Azem Çokun më të vendosur në idealin e tij nacionalist, por kjo do t’i kushtonte jo pak, por 11 vite burg dhe një jetë të privuar nga liria; i braktisur nga miqtë, iu sekuestrua pasuria dhe do të tregohej me gisht “ja, kulaku!”. Kjo ishte vula, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës atë dhe familjen. Pas burgimit të tij, familjen e hoqën nga qyteti dhe e internuan në Tokën e Vdekur, sinonim i vetë vdekjes. Internimi i familjes ua vrau ëndrrat djemve….”
Bedriu, ish kampioni i gjimnastikës, një ndër qëndrestarët e Spaçit
Bedri Çoku, vëllai i dytë, nuk e kishte menduar se një ditë jeta e tij do të merrte atë krisje të pariparueshme. Ai ishte ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit në Fier. Ishte ndër djemtë “e përkëdhelur” në kuptimin e personalitetit; ishte kampion i gjimnastikës, shquhej për talentin si instrumentist, i vetmi fizarmoniçist i gjimnazit, një ndër volejbollistët e spikatur të ekipit të të rinjve të “Apollonisë”, një letrar me talent. Nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë do t’i hidhte prapa krahëve të gjitha këto dhe do të përfundonte në një fshat të humbur moçalor, ku edhe emri të ngjallte datën…Toka e Vdekur do të ishte vendi pritës pas dëbimit. Ku do të jetonin? Sarajet, që kishte pasur dikur babai i tyre, ishin sekuestruar për nevoja publike;  ata duhej të ndërtonin vetë një shtëpi me drurë e baltë, drurët e marra në pyll dhe balta aty, e vetmja që nuk mungonte në Myzeqe. Atje filloi të tërhiqej zvarrë jeta e gjimnazistit dhe e sportistit të talentuar. Kur gati po mësohej me atë jetë vuajtjesh, në fshatin e tij vijnë për një aktivitet gjimnazistët e shkollës, ku dikur ai kishte studiuar. Deshën t’i bënin një surpirizë shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por shokët e partisë dhe rinisë në fshat i kishin marrë masat. Ata shpërndanë helmin ideologjik, para se të niste aktiviteti dhe për Bedriun thanë një mijë të zeza. Gjimnazistët iu hodhën në mbrojtje ish shokut të tyre, por e paguan shtrenjtë. Edhe ata i gjeti gjëma më vonë. Ata që e mbrojtën, u përjashtuan nga aksioni dhe nga gjimnazi, se kishin mbrojtur armikun! Kjo qe një ngjarje e hidhur, që do ta trondiste më shumë shpirtin rebel të Bedriut dhe ishte prologu i asaj, që do të vinte më pas. Ai ishte një i dënuar, ngaqë qe bir kulaku, të cilin e priste vetëm arrestimi dhe  nuk vonoi; ashtu si edhe vëllanë e tij të vogël Caushin, i kishin thirrur ushtarë. I kishin çuar në xhenjo, atje ku atdheu mbrohej me pushkë druri, me kazëm e lopatë. Edhe atje ai përpiqej të mos u jepte shkas për ta rrasur në qeli. Por ata e kishin planifikuar. Arrestuesit e tij qenë “burra” që e mbanin veten për “heronj të kombit”; një ndër ta ishte vetë Mark Dodani. Bedriu thotë se arrestimi i tij ishte i denjë për skenar filmi, si në ato të Xhejms Bondit. E trasferuan në Korpusin e Gërhotit, pasi kishin hapur fjalë se do ta merrnin në qendër të korpusit, sepse, si fizarmoniçist i talentuar, i duhej qendrës dhe se do të aktivizohej me ekipin e gjimnastëve të  Gjirokastrës. Mirëpo skenari qe shkruar; vëllanë më të vogël e kishin arrestuar e tani ishte radha e Bedriut. Me 9 dhjetor 1968, Mark Dodani përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe Agron Çoba, përfaqësuesi i Sigurimit të Ushtrisë e morën në makinë, gjoja se po e trasferonin, siç qenë hapur fjalët kohët e fundit dhe rrugës i vunë prangat: “Në emër të popullit je i arrestuar!”

Proçesi i montuar i gjyqit, ku u gjykua ai dhe i vëllai, Caushi, përbën një akt sa tragjik në jetën e dy të rinjve, aq edhe komik për nga besueshmëria. Esati, që u thirr në sallën e gjyqit, u zbraz para trupit gjykues, duke thënë se vëllezërit e tij ishin viktima të luftës së klasave. U shpallën armiq dhe tradhëtarë, pa kryer asnjë tradhëti ndaj Atdheut dhe popullit. Në librin e tij Bedriu tregon se në ditëgjyqin e tyre ishin edhe sportistët e Apollonisë, të cilët kishin asistuar në gjyq pas një ndeshjeje në Gjirokastër. Ata kishin duartrokitur, kur vëllezërit kishin mbrojtur veten nga akuzat shpifëse.

CAUSH COKU, Gazetari që jeton mes Romës dhe Lushnjes
Me Caush Çokun, më të voglin e djemve të Azem Çokut, jam njohur në mesin e viteve ’90, edhe pse me të kisha bashkëpunuar shumë si tek gazeta lokale “Ora e Fjalës”, edhe tek “Republika”, ku ai kishte dhënë ndihmesën e tij jo vetëm me shkrimet e veta, por edhe me poezitë e ndjera, të shkruara në rininë e tij dhe në kohëburgimin e vet absurd.
Caushi, ashtu si dhe vëllai i tij, Bedriu, u burgos pa bërë asnjë faj, asnjë krim; u burgos thjesht se ishte planifikuar të burgosej. Gjyqi ishte një farsë e inskenuar, ku regjisorë ishin operativët, hetuesit, gjykatësit dhe prokurori.  Formula funksiononte mekanikisht. Një ditë prej ditësh, në vend që të gjendej në repart mes shokëve të tij ushtarë të xhenjos, e hodhën në qelinë e ftohtë të burgut, pa kryer asnjë faj, asnjë krim, nuk pat shkelur asnjë ligj, asnjë rregullore ushtarake. Por ç’rëndësi kishte? Ai duhej dënuar. Ditën e gjyqit, asgjë e veçantë për t’u shënuar. Akt-akuza ishte fallso, dëshmitarët fallso, ndërkohë që gjyqtari e ndihmësgjyqtarët kënduan në të njëjtin kor me prokurorin…dhe kaq…  Pas 6 vitesh burg të ashpër, me 21 maj 1973, dy vëllezërit, Bedriu dhe Caushi morën pjesë në revoltën e Spaçit, madje nuk ishin thjeshtë pjesëmarrës, por ishin dhe organizatorë. Bedriu dhe Caushi ishin frymëzues dhe flamurmbajtës. Revolta qe e përmasave tronditëse për shtetin komunist; ishte krejt e veçantë në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes. Një revoltë, e shtypur egërsisht nga diktatura, do të kishte padyshim edhe viktimat e veta. Ndër viktimat ishin dhe vëllezërit Çoku, të cilët u izoluan nëpër qeli dhe u hetuan egërsisht për rolin që patën në aktin  kundërshtues ndaj shtetit. Secilit i bënin presion; Bedriut i thoshin se vëllanë tjetër, Caushin, e kishin ekzekutuar, ndërkohë që edhe Caushit i thoshin se do të të ekzekutojmë njësoj si vëllanë tjetër, Bedriun. Por askush prej vëllezërve nuk hyri në lojën-kurth. Të dy u ridënuan me 25 vjet burg. Pas gjyqit special i heqin nga Spaçi dhe i çojnë në burgun-tmerr, atë të Burrelit, ku thuhej hapur se, po hyre në Burrel, s’del më! Atje ishin kundërshtarët më të rrezikshëm të qeverisë komuniste. Burgu i Burrelit kishte një kapacitet  prej 180 vetash, pra me më kundërshtarët e sistemit. Edhe pse ishin në të njëjtin burg, dy vëllezërve u ishte ndaluar të takoheshin me njeri-tjetrin. Takoheshin një herë në 6 muaj, apo një herë në vit, vetëm me lejen e komandës dhe nën vëzhgimin e rreptë të gardianëve.
Pasi doli nga burgu, Caushi nuk notoi në ujrat e politikës shqiptare; e përfshiu vala e mërgimit duke hipur në anijen “Panama” dhe mbërriti në brigjet e përtej detit në ditët e marsit 1991. Ishte fat për emigrantët shqiptarë që qenë të shoqëruar me të, ngaqë Caushi ishte një përkthyes i mirë për ta. Shumë shpejt u bë i njohur në shtypin italian. Shkrimet e tij filluan të botohen në gazetat “Corriere Della Sera”,”Il Mattino” etj.. Shpejt fitoi statusin e gazetarit europian “C.E.A.”, ndoshta ndër të paktit shqiptarë, që e gëzojnë këtë status. Ka shkruar edhe për gazetat qendrore e lokale shqiptare. Prej vitesh mban lidhje me njerëz të shquar të gazetarisë dhe artit. Caushi ka dhënë një kontribut të veçantë në ndihmën e pakursyer ndaj refugjatëve shqiptarë në Itali.
   
Dy vëllezërit, që shkruanin poezi dhe tregime në burg
 
Dy vëllezërit e shfrytëzuan burgun, kryesisht për të mësuar gjuhë të huaja. Duke shfrytëzuar të burgosurit politikë, që ishin shkolluar nëpër Europë, ata arritën të mësonin anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kjo do t’i shërbente Bedriut pas burgut, që të hapte kurse private të gjuhëve të huaja e më pas të punonte si mësues i anglishtes në shkollën e mesme në Fier, ndërsa Caushi do të bëhej përkthyes i emigrantëve shqiptarë në Itali e do të shkruante për Shqipërinë në gazetat më të mëdha të Italisë.
Në kohëburgimin e tyre dy vëllezërit nuk do të ndaheshin nga pasioni i rinisë, krijimtaria letrare, e cila qe bërë pjesë e akt-akuzës, kur u kishin rrëmbyer lirinë. Caushi pat shkruar shumë poezi, si poemën “Iliriada”, në tre cikle – “Iliria, Arbëria dhe Shqipëria”, ciklin “Moti i Madh”, “Skënderbeu” me 25 këngë e 495 vargje etj.

Në shënimet e tij poeti Visar Zhiti, në vend të parathënies, që shoqëron librin “Dy vëllezër në një prangë”, shkruan:

“Caushi në qelinë e tij sajonte vjersha, mohonte burgun, i këndonte me zë të heshtur nënës, lirisë, dashurisë së humbur, vendlindjes, dinjitetit dhe hynte thellë, thellë (si i burgosuri, që zbret nëpër aktet e lagura të  minierës) tek rrënjët e kombit, sajonte Iliriadën e tij dhe përsëriste betejën me sllavët e ardhur nga Kaukazi, andej, nga ku u prangua Prometeu.

Vargu i Caushit herë është i lidhur si cigaret e burgut, të dredhura me letër nga veprat e Enver Hoxhës, herë i ashpër si sytë e lidhur para pushkatimit, i ëmbël si hëna që vjen frëngjive, cicëritës si “Dallëndyshja e Burrelit”, që të burgosurit e ushqenin me thërrimet e zemrës së tyre, herë i hutuar si muzgjet atje, rebel, ulëritës dhe i përtharë si plagët.”

Për krijimtarinë e Bediut, Visari do të meditojë:

“Bedriu në qelinë e tij do të mbaronte një nga romanet “Njeriu që kapërcen vetveten” e vazhdimisht do të shkruante tregime. Natyrisht, që ishte e vështirë dhe një aventurë e tmerrshme të shkruaje hapur kundër diktaturës e diktatorit. Honorari do të ishin brilantet e gjakut tënd, pushkatimi yt. Dhe të burgosurit shkrimtarë i mërgonin ngjarjet në tjetër vend apo në tjetër epokë. Kështu është dhe tregimi “Sitamarrtaha”, një  alegori ndaj dhunës, ndaj gënjimit dhe zhgënjimit me kumbim rrënqethës aktual.

Bedriut i intersojnë plagët sociale, prapambetja mentale e shoqërisë socialiste, aktet ordinere (tregimi “Zemërimi” apo “Krimineli”). Personazhet e tregimeve të tij duan të vdesin, kanë depresione, i trondit mungesa e dashurisë, apo humbja e saj dhe dinë të qajnë burrërisht.

Bedri Çoku fluturon me fantazi edhe përtej telave me gjemba të kufirit shtetëror dhe del në Kosovën e tradhëtuar, duke shkruar tregimin e habitshëm “Liri”; jep ambiente, peisazhe e idera fisnike…

Tani Bedriu ka në dorë romanin autobiografik me titull të përkohshëm “Ne dhe ata – Blloku dhe antiblloku”, ku gjithçka shihet qetë, pa urrejtje në jetën e përmbysur të kësaj familjeje fisnike. Duke qenë vetë personazh, nga të fundit e liruar në vitin 1991 prej burgjeve komuniste, ai hedh sytë pas dhe shfleton jetën e tij të trazuar, jetën e familjes dhe të të gjithë shqiptarëve.

 
          ***
Esati, deputet së bashku me ish hetuesin e tij
 
Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar si Sekretar të Komitetit Ekzekutiv Pluaralist, edhe pse deri atëherë nuk isha anëtar i asnjë partie poltike.
Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, ndërkohë që ai ishte edhe Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Lushnjës dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare. 
Nuk isha takuar ende me Esatin, kur në zyrat e kryeministrisë në kryeqytet, ku kisha shkuar me nënkryetarin demokrat, më bëri përshtypje një burrë i gjatë e zeshkan, i cili, kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti: 
- Paskit Esatin ju të PD-së? 
- E njihni?- e pyeti nënkryetari demokrat.
- Kam qenë hetuesi i tij…  por, nuk i kam hyrë në hak. I thashë se ne, për ç’ka e akuzonim, i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë, kishim 
inçizime, pastaj (ish hetuesi pushoi pakëz) … ai ishte planifikuar prej kohësh, sepse kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë që edhe i ati kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe armik….Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit Bashkim Caka, që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit të kryeministrit Ylli Bufi.
 Më vonë, Esati do të ishte në të njëjtin Parlament me ish hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i P.S.-së. Ky ishte një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare!
Kur u kthyem në Lushnjë, ia thamë Esatit ndodhinë me ish hetuesin Caka. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vonë, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të edhe ish hetuesi i vet si deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por  nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit, para se të bëheshin deputetë në një kuvend me viktimat e tyre, duhej të kërkonin falje… Më pas do të botonte një shkrim kurajoz në gazetën lokale "Ora e Fjalës", të cilën unë e drejtoja atë kohë, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë, kur ish hetuesit tanë, pa na kërkuar falje, vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje në emër të popullit, natyrisht, pa e pyetur fare popullin.  
Ish hetuesi i tij kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende deri më sot. 
Me Esatin qeverisëm në një kohë të vështirë, kohë, kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në “tokë e djegur”. U dogjën furrat, që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të  Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u shkaterruan fabrikat e Ushqimores, ku punonin 10 mije lushnjare…u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegja e ullinjve, u shkulën vreshtat, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave. Në këto kushte Komiteti Pluralist (ku Esati ishte anëtar i tij, përfaqësues i PD dhe unë sekretar, përfaqësues i PR) përpiqej të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër, që kishim për të ruajtur rendin, në të shumtën e rasteve, ishte bashkëpunuese me ata që shktërronin. Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek Kryeminsitri, por ai s’kishte kohë të na priste; iu afruam Presidencës, që ende kishte  në krye Ramiz Alinë, por, para nesh, atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatësja socialiste, kështu që nuk kishte vend për ne. Përfundimisht, na priti Ministri i Rendit, Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për rendin, kështu që kërkuam ndëshkimin e policisë.
U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të rendit, duke kërkuar largimin e tij. Më bënte përshtypje kurajo e Esatit; ai ua thoshte copë mendimin e tij kujtdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.
Një ndër bashkëpunimet me Esatin ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 67 viktimave të komunizmit, pushktuar nga Mehmet Shehu në fshatin Matjan. 67 burra, ndër ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës; motivi i vrasjes ishte pjesëmarrja e tyre me Ballin dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepës nga Çerma, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu se ai derr bëhej, por komunist, jo. Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithë në  plumb….Bashke me Esatin shkuam per dite em ardhe tek fshati Matjan, ku ishin groposur te masakruarit dhe prekem dhimbjen permes rrefimeve te fshatareve, qe ate kohe e kishin apre me syte e tyre tragjedine…
Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist ishte një ndër prioritetet  e pushtetit të ri demokratik, i cili sapo ngrihej në këmbë.Ceremonia, që u organizua në qytetin e Lushnjës, pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin, ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe, me ndihmën e fshatarëve, siguruam eshtrat e tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i shtetit u përpoq të pengonte me çdo kusht ceremoninë. Veteranët u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar për faktin se Komiteti ynë Pluralist mori një vendim të guximshëm; arkivolet do të varroseshin në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës, ku ishin varrosur dëshmorët partizanë, si shenje e pajtimit, se paku pajtonim te vdekurit. Komiteti i Veteranëve filloi të lëvizte, duke u ankuar në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist, duke thënë: “Ju kërkoni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat, që i keni çuar në varre pa gjyq, pa kërkuar falje për 64 vite burg të familjes time, shtuar këtyre edhe  dhjetëra vite të tjera internime, pa kryer asnjë lloj krimi dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pafajshëm?” Debati u mbyll me fitoren e  Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza dëshmorët nacionalistë. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë nga parashikimet kërcënuese të veteranëve nuk ndodhi.
Më pas, Esat Çoku kreu detyrën e Sekretarit të Komitetit Pluralist, edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhjeje për hallet e qytetarëve. Ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë, ndërsa në takimet e partisë së vet ai ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.
Edhe detyra, që kreu në Komisariatin e Policisë, ia rriti kredibilitetin ish të përndjekurit politik Esat Çoku, ndërkohë që, si ish kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve, ai u përpoq të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre t’i nisë drejt universiteteve. Koha, kur përfaqësoi Partinë Demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi me sukses, ndërsa në kohën e “revolucionit” përmbysës të pushtetit demokratik, ai u përpoq sa mundi, që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve….
*** 
Nderim e respekt per familjen Çoku!
U prehet ne paqe shpirti i Caush Çokut!
 

Filed Under: Featured Tagged With: Caush Coku, dalip greca

ODETA XHEKA PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI

August 1, 2020 by dgreca

ARTISTJA, SHKRIMTARJA  ODETA XHEKA FLET PER DIELLIN: BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI 

Piktorja Odeta Xheka rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, procesin e të krijuarit si edukim përmes shkrimit dhe pikturës. Me artisten Odeta Xheka bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

BOTA SI NJË VEND KU ARTI ËSHTË DOMOSDOSHMËRI 

Krijoj e ripunoj punë në një përpjekje vargan të gjatë me veten ndër vite për të mos humbur atë vetinë speciale të të perceptuarit të botës si një vend ku arti është domosdoshmëri e artisti është i mbrojtur nga cinicizmi neoliberal. E megjithatë, nëse dikush do të më pyes se ç’më nxit që të mbaj gjallë vrullin e krijimit ne formën që kam zgjedhur, përgjigja s’është e vështirë për t’u gjetur. Së pari, është fakti që dashur pa dashur, herë shpeshtazi e herë pas një periudhe të gjatë monotonie krijuese, e gjej veten duke krijuar forma të reja e ngjyrime të brishta që më shumë se çdo formë tjetër i japin zë gëzimeve, shqetësime, mërzive, dëshpërimeve të mia. Së dyti, sado të ndryshme të jenë punët, përsëri është një element i brendshëm unik që i lidh të gjitha këto pune e i bën të afta të formojnë një sistem të mirëfilltë komunikimi. E së treti, ngjyra është ajo ç’ka depërton gjithçka, zhbiron detajet më të vogla e pushton hapësirat më të mëdha – ngjyrimi i jep jetë mendimit, si në kuptimin figurativ ashtu edhe atë parësor. Për vetë faktin që arti im është e përditshmja ime, vetvetiu çdo punë shëmbëllen njëfarëlloj stadin tim momental. Rrjedhimisht, ajo çka synoj, së paku në fazën e tanishme të krijimtarisë, është krijimi i një marrëdhënie të pastër (flawless) midis lehtësisë fluturake të mundanes e peshës së hekurt të eternes. Qartazi, koha, eksperiencat private e profesionale, realiteti i dyzuar që jetoj, pështjellimi i kulturave ndërkontinentale etj, në të njëjtën masë që më mbërthejnë e më shtrëngojnë në darrën e përditshmërisë prozaike po aq më shërbejnë edhe si burime shtojcë për të eksploruar ndjesi intime. Kujdes, kur flas për bërthamën emotive të realitetit, kulmin e ngrehinës sime artistike, nuk duhet nënkuptuar një nocion romantik i dalëkohe por një orvatje themeltare për të krijuar njw urë-lidhje midis mundanes fluturake e së përjetshmes peshërëndë. 

CILËT ARTISTE APO RRYMA ARTISTIKE PËRFSHIN NDËR INFLUENCAT KRYESORE?

Ndërkohë që artistët kontemporanë si Julie Mehretu, Sheila Hicks, William Kentridge, Gunther Forg, Albert Oehlen, Cecily Brown dhe Adrian Ghenie influencojnë drejpërdrejtë konceptin tim mbi artin, punët e mia kanë të tjera pika referimi: Henry Matisse është “i pranishëm” nëpërmjet balancimit të nuancave ngjyrore brenda llojit, Jay DeFeo nëpërmjet ashpërsisë së materialeve të përzgjedhur, Jean-Baptiste-Simeon Chardin nëpërmjet të konceptuarit të punës si nje sistem i mbyllur referimi -a world of infinite durability- ç’ka e bën edhe më të natyrshme sintezën e kanavacës në arenën ku bota e jashtme puqet me të brëndshmen, intimen, emocionalen nën ndikimin e Edward Hopper në mënyrë që më së fundmi të mbërrij, frymëzuar nga Joseph Cornell, në të tërën (punën e përfunduar) që mirëpret çdo grimcë associacioni poetik. 

Ndoshta kundër rrymes, por në një moment artistik (post modern) kur psiko-analiza e analiza sociale janë mënyra më e sigurt për të interpretuar artin e sotëm, une insistoj që arti im të mtoj bukurinë; jo bukurinë ideale të papërkufizueshme, por atë bukuri të qashtër e të gjithëgjendshme që Lui Aragon e kthen në poezi: 

  Ai, që në Zotin besonte

  E ky, që na ishte pafe

  Secili të bukrën e donte

  Q’ robinë e ushtare qe. 

Me fjalë të tjera, nëse detyra ime si artiste nuk është krijimi i së bukurës e domosdoshmëria e përcimit të së vërtetës emocionale, atëherë ç’vlerë ka të qenët artiste? Më pëlqen ta sqaroj më tej këtë qëndrim nëpërmjet fjalëve të Ragnar Kjartasson (performance artist islandez): “… vepra e artit bëhet skena në të cilën instikti i hershëm i hunter-gatherer mbizotëron… ngjyrat, kompozimi, kujtimet, përjetimet sheshohen në mendje e shpirt në mënyrë të tillë që çdo refleksion a meditim merr trajtë përmes imazhit artistik që mton një eksperiencë estetike të mirefilltë”. Gjithçka tjetër është politikë ose teater. E artisti nuk është kameleon politike, aq më pak aktor me shumë petka. Përkundrazi!

VEPRA, SUBJEKTI, KONCEPTI, MESAZHI

Për të ndjerë një lidhje të ngushtë me kanavacen unë ngutem ta kthej atë në një pjesë integrale të veprës së përfunduar duke ndërkallur materiale jo domosdoshmërisht “artistike” por të tillë që i shtojnë një dimension të rëndësishëm balancës së arritur permes ngjyrave. Qëllimi  im është që të kthej kanavacën në një objekt-bizhu të aftë të zbuloj bukurinë sensuale edhe mes prozaizmit. I manipuloj punët në kërkim të një lidhjeje të menjëhershme me audiencë, në të njëjtën kohë që eksploroj përdorimin e mediumeve të ndryshme e aftesinë e secilit element artistik për të bashkë ekzistuar. Ndërkohë që krijoj, koncepti është primar por jo në kurriz të ngjyrave (prej ku buron poetika e gjithë krijimtarisë) dhe materialeve/medium (prej ku buron veçoria specifike e secilës punë). Kjo zgjedhje stilistikore shpesh edhe me të padrejtë përkthehet vetëm në “vlerë estetike”. www.odetaxhekavisuals.com. Në këtë këndvështrim, punët e mia janë “veç të bukura” ose, thënë ndryshe, jo mjaftueshëm të angazhuara apo kritikë ndaj sistemit. Kjo s’është e rastësishme. Siç e kam thënë edhe tjetërkund, artisti nuk është politikan e nuk bën teater. Pretendimet për social redemption apo rilindje (një term që në gjuhën shqipe vitet e fundit vjen i ngarkuar me një mori reagimesh pro e kundër) nuk janë një vlerë e shtuar nëse jane shtegu i vetëm për të kuptuar e vlerësuar një vepër arti. Në këtë kuptim, qëndrimi im mbështetet (teorikisht) nga Michael Fried, kritik arti i cili ngurron ta karakterizoj artin (veprën) si një event. Sipas tij, nëse kjo ndodh  në sytë e artdashësve, vepra nuk përfaqson më një krijim artistikë të mëvetshëm por shndërrohet në emblemën e një konteksti specifik kulturor/social, gjë që automatikisht e vendos atë në raport të drejtpërdrejtë me kushtet socio-historike ku e kur është krijuar e në raport tangencial, për të mos thënë të munguar, me vlerat artistike që janë vetë bërthama e aktit krijues.

ÇFARË DO TË THOTË TË EDUKOSH PËRMES ARTIT?

Nuk jam partizane e idesë se një ndër detyrat kryesore të artit është edukimi i masave (apo edhe i individit). Sigurisht që një vepër arti përmes stilit, medium-it dhe artistit flet edhe për kohën e kushtet kur është krijuar por thënë me një rresht (shkëputur nga libri Optic Nerve): “Arti gëlon mes asaj ç’ka është estetikisht e pëlqyeshme e asaj ç’ka mbërthen imagjinatën”, jo ndër udhëkryqe rrugësh qartërsisht të përkufizuara. Aftësia (e vetmja që i perket tërësisht botës së krjuesit) për të hapur shtigje të reja imagjinate është ajo ç’ka e veçon dhe ndoshta e bën të përjetshëm artin.

PËRMES ARTIT DHE LIBRIT TUAJ PËR FËMIJE, SA IA KENI ARRITUR TË ZHVILLONI AFTËSITË KRIJUESE DHE ZHVILLUESE TE FËMIJËT? 

Librat për fëmijë duhet të ofrojnë një përshkrim të vërtetë të realitetit edhe pse kjo gjini përgjithsisht promovon një botëkuptim pozitiv e të thjeshtësuar të jetës. Here Comes Ingo është përpjekja ime e ndershme (parimore) si artiste e si prind i dy fëmijeve tu jap lexuesve të vegjël një sërë “veglash” që do t’u shërbejnë në të ardhmen për të luftuar mungesën e tolerancës që vjen nga mosnjohja e asaj ç’ka shfaqet ndryshe. Nga faqja në faqe, fëmijët priten të mos hutohen a frikësohen nga ajo që fillimisht shfaqet si një situatë e papritur (një peshkaqen që ha cupcakes) apo e panjohur (një ujk me ngjyrat e ylberit mbi kurrizin e të cilit ka mëshuar një ushtri milingonash). Përkundrazi, nën shembullin e Ingo, macaw/papagalli protagonist,  ata inkurajohen të mbështeten në aftesitë e tyre zhbiruese për tu familiarizuar në fund me atë ç’ka në fillim ishte e huaj, në mënyrë që të bëjnë të tyren një mendësi tolerante të bazuar në mirësi. Po kaq me rëndësi, aventurat e Ingos jo vetëm i ftojnë fëmijët të arrijnë në përfundime vetjake se çfarë po ndodh nga ilustrimi në ilustrim, ç’po mendojnë, ndjejnë, perjetojnë a rrezikojnë personazhet por edhe të bëhen bashkëautorë e bashkë ilustrues duke shkruar, vizatuar, ngjyrosur  drejt e në faqet e librit. Një ndër mënyrat më të mira per tu mësuar fëmijëve ndjeshmëri/empati e tolerancë është tu lihet dorë e lirë të shfaqin botën e tyre të brendshme pa frikë e ndrojtje. Fëmijë, prindër, gjysher dhe dado janë të mirëpritur ta bëjnë librin pjesë të lojërave të tyre kur kalojnë kohë së bashku duke treguar e ritreguar historinë e Ingos, çdo herë në një formë të re. Mëse i përshtatshëm për femijë të moshës parashkollore e fillore (grupmosha 4-8 vjec), ky liber është i duhuri edhe për mësueset e kopshtit e klasës së parë e të dytë të cilat janë vazhdimisht në kërkim të metodës ideale për të shtjelluar sekretet e comprehension (shihe këtë ilustrim – çfarë po ndodh?), predicting (çfarë mendon se do të ndodh më pas?), inferring (përse mendon kështu?), reasoning (c’mendon se ndodhi?) dhe sequencing (çfarë ndodh në fillim? Po më pas? Në fund?). Libri plotësohet me një seri nursery art prints me të cilat ndan jo vetëm personazhet por edhe gjallërinë e ngjyrave që i fton të vegjlit t’i japin krahë imagjinatës.

ANGAZHIMET PROFESIONALE TË ARTISTES XHEKA

Kam ideuar e drejtuar një workshop përjavorë pranë Il Centro, FIAO ku pjesëmarrësit familjarizohen me elementë të visual literacy në përputhje me National Core Standards dhe angazhohen me eksperienca krijuese open-ended duke përdorur librin Here Comes Ingo si shkëndijën fillestare. Gjithashtu, mirëmbaj blogun Have Child, Need Art ku shkruaj për influencën e artit përgjatë viteve të fëmijërisë së hershme. Disi në mënyrë më sporadike, por jo të lënë pas dore, botoj edhe shkrime (Literary Mama Magazine, Mutha Magazine, The TodayShow Parenting, etj) mbi shumë dimensionalitetin e mëmësisë. Kurdo mundem, nëpërmjet artit tim jam e pranishme edhe në përpjekjet për të grumbulluar fonde të organizatave të tilla si ArtWorks, The Naomi Cohain Foundation, ArtAccess Brooklyn Art Council, Federation of Italian American Organizations, dhe Albanian American Women Organization. 

Filed Under: Featured Tagged With: arti, Bota, Odeta Xheka

Në front, të cilin nuk mund ta lënë…

July 31, 2020 by dgreca

Kryeministri Hoti ka vizituar sot Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Klinikën Infektive, për t’u njoftuar nga afër për situatën në menaxhimin e pandemisë: T’i respektojmë masat – jeta është mbi të gjitha/

PRISHTINË, 31 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ *Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Klinikën Infektive, për t’u njoftuar nga afër për situatën në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se kishte ardhur për të takuar stafin shëndetësor që edhe në këtë ditë feste janë në krye të detyrës, në front, të cilin nuk mund ta lënë.

“E di që janë lodhur, tash e gjashtë muaj përballen me këtë situatë. Unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëjnë, për të dëgjuar vlerësimin e tyre për situatën nëpër të cilën po kalojmë, parashikimet për javët dhe muajt e ardhshëm dhe përgatitjet që ne duhet të bëjmë”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti, më tej tha se gjendja është e rëndë, derisa ka falënderuar të gjithë qytetarët për respektimin e masave edhe në këtë ditë feste.
“Apeli që kemi bërë si Qeveri bashkë me të gjitha institucionet tjera dhe akterët e përfshirë në menaxhimin e kësaj situate, ka dhënë efekt. Unë shpresoj të vazhdoj kjo gjendje, që njerëzit plotësisht t’i respektojnë masat, të jenë të vetëdijshëm se jeta është mbi të gjitha dhe se vetëm kështu ne mund ta menaxhojmë këtë situatë”, tha kryeministri Hoti.

Pasi ka falënderuar të gjithë stafin shëndetësor për punën që po bëjnë, kryeministri Hoti i ka uruar ata edhe për festën e Bajramit, duke thënë se “ndonëse nuk janë afër familjeve të tyre, por duhet të jenë në vendin e tyre të punës për të kryer një mision kombëtar për t’i dalë në ballë kësaj pandemie, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre”.

*Me shume foto i gjeni Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Front, Instituti i Shendetit Publik, Klinika infektive, Kryeministri Hoti

FLET NGA SUEDIA EKSKLUZIVISHT PËR DIELLIN DR.PERPARIM CERRI

July 31, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE  BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19       

Dr. Perparim Cerri mjek në Spitalin Universitar të Skånes në Malmö rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rreth menaxhimit të pandemisë globale në Suedi. Me Dr. Perparim Cerri  bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SHQIPËRIA NË SYRIN TUAJ, ÇʼPO NDODH REALISHT?

Situatën në Shqipëri e kam ndjekur me vëmendje që në fillimet e pandemisë, pa u regjistruar pacienti zero, madje pa u shpallur nga Organizata  Botërore e Shëndetësisë si pandemi. Atëherë kur Italia fqinje po përballej me një numër të frikshëm rastesh dhe arritja në Shqipëri e virusit ishte çështje ditësh, e pashmangshme, për veçoritë e marrëdhënieve që kemi ne me Italinë. Atëherë në Suedi u regjistruan rastet e para të disa turistëve që kishin qenë për ski në Italinë e veriut. Habia qëndronte që përse akoma Shqipëria s’po regjistronte pacientin zero edhe pse komunikimi socio-ekonomik me Italinë nuk ishte ndaluar. Unë mendoj që pacientin zero Shqipëria e ka pasur javë më parë se ai që u regjistrua ne fillim të Marsit. Gjurmimi dhe diagnostikimi i rasteve ishte i vështirë sepse virusi ka thuajse të njëjtat simptoma me viruset stinore që janë të zakonshëm në atë periudhe. Shqipëria ndoqi një strategji sikurse pjesa më e madhe e vendeve të Europës. Izolimi total ishte traumatik për popullsinë tonë. Si në këndvështrimin ekonomik ashtu edhe në atë socio-psikologjik, pasojat e të cilit mendoj që do i vuajmë për një kohë të gjatë. Ishte i domosdoshëm për vetë specifitetin që kemi ne si popullsi që nuk i respektojmë me rigorozitet rregullat higjeno-sanitare dhe distancimit fizik dhe ajo çka është më e rëndësishme  fakti që ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme shëndetësore për të përballuar një fluks pacientësh që mund të shkonte me mijëra dhe mund ta çonte sistemin shëndetësor në kolaps. Dua të theksoj që Shqipëria ka numrin më të ulët të shtretërve dhe të mjekëve për banor në rajon. Pra përballja me një strategji ndryshe siç bëri Suedia do të ishte katastrofike për vendin tonë. Karantinimi në momentin e duhur  i popullsisë bëri që të kemi dhe një rezultat pozitiv nëse mund të shprehemi kështu duke shënuar numrin më të vogël të humbjeve të jetëve në rajon. Në përgjithësi menaxhimi i situatës gjatë periudhës së karantinimit është për tu vlerësuar, por mendimi im është që hapja duhej të fillohej të bëhej më parë dhe në mënyrë graduale dhe jo me ato fashat e orareve që shpesh ishin qesharake. 

Përsa i përket situatës së tanishme dua të them që një situatë e tillë pritej pas izolimit. Është epidemiologjikisht dhe statistikisht e justifikueshme. Por dua të theksoj që në kushtet e Shqipërisë nëse vazhdohet me këtë ritëm do rrezikojmë shumë sepse siç e thamë më lart kapacitetet trajtuese tona janë tepër të ulta. Nuk mund të frenosh përhapjen dhe nuk mund të izolosh popullsinë pafundësisht. Ajo që unë mendoj  që duhet të bëjnë autoritetet ose më saktë duhej planifikuar para hapjes janë masat që duhet të merreshin për shtresën më vulnerabër që janë mosha e tretë dhe ata me sëmundje kronike, duke i ekspozuar sa më pak nëpërmjet  lehtësive që mund ti krijosh kësaj shtrese për të marrë shërbimet e përditëshme të domosdoshme. Infektimi i personelit mjeksor në QSUT duhej të reduktohej sa më shumë nëpërmjet masave më të rrepta të pranimit të qytetarëve dhe familjarëve të tyre që marrin shërbim spitalor. Numri i testeve duhet të jetë më i lartë për arsye që të krijohet një panoramë më e mirë epidemiologjike ku të kemi mundësinë  jo vetëm të gjurmimit dhe parandalimit por edhe mundësinë e parashikimit më të qartë të situatës në vazdim.  Kontrolli rigoroz dhe shtimi i mjeteve të transportit publik, higjena, respektimi i distancimit fizik dhe mbajtja e maskave në mënyrën e duhur gjithmonë kur distancimi fizik nuk është i mundur janë pikat kryesore. Duhet të bëhet kontroll i rreptë i bizneseve sidomos fasoneritë, gjithashtu tani në periudhën e turizmit  kontroll i rreptë higjeno sanitar i hoteleve, bareve, restoranteve dhe i ambjenteve të tjera që pushuesit frekuentojnë më shumë në këtë periudhë të vitit. 

COVID-19 NJË VIRUS ME SHUMË TË PANJOHURA

Unë mund të jap një panoramë të përgjithshme kryesisht në aspektin klinik. Di të them që është një virus me shumë të panjohura për të gjithë sferën e shkencëtarëve dhe klinicistëve në të gjithë botën. Bota pret në mënyrë të dëshpëruar fundin e pandemisë Covid-19. Pandemia vazhdon të ketë ndikim katastrofik mbi ekonominë globale, sistemin shëndetësor dhe cilësinë e jetës së njerëzve. Deri më tani asnjë provë bindëse nuk ka konfirmuar terapi të përshtatshme për trajtimin e virusit, madje shumë terapi janë bërë në mënyrë empirike, pa asnjë qasje shkencore. Spekullime të shumta janë bërë në lidhje me trajtimin medikamentoz, ku shpesh herë është përfshirë në mënyrë të pakuptimtë edhe politika. Marr shkas këtu nga deklaratat e presidentit Trump në lidhje me një preparat që e prezantoi si fitore ndaj Covid-19 por që në realitet nuk ka asnjë bazë shkencore si terapi kundra Covid -19 dhe me efekte anësore të shumta, kryesisht tek të sëmurët kardiopatë. Mjekimi sot në të gjithë botën ka marrë trajta të shumta dhe shpesh është specifik për pacientë të ndryshëm. Po studiohet shumë në lidhje me virusin sidomos në aspektin e imunizimit nëpërmjet vaksinës. Është një virus i ri, me shumë pikpyetje në disa aspekte dhe kryesisht në mënyrën si vepron nga ana fispatologjike, reagimi ndaj virusit i  grupmoshave të caktuara si edhe tek pacientët me patologji të ndryshme, imunizimi që le ky virus pasi pacienti shërohet ose e kalon ne mënyrë asimptomatike. Në lidhje me këtë të fundit dua të theksoj që është bërë një studim në një nga universitetet më të mëdha në Suedi ku konkludohet që imunizimi pas prekjes nga virusi mund te jetë i formave të ndryshme, e thënë ndryshe, ka përgjigje të ndryshme imunitare duke përfshirë lloje të ndryshme të qelizave të sistemit imun. Vaksinimi është një pikëpyetje e madhe sot edhe nëse së shpejti njerëzimi do ta ketë një të tillë. Nuk dihet nëse nëpërmjet saj do të arrihet imunizimi afatgjatë, përfitimet dhe risqet që ajo do të ketë. Shumë kompani janë hedhur në një garë të ethshme për arritjen e një vaksine,  ku shpesh nëpër media spekullohet që vaksina është në prag të zbulimit ose e kemi një të tillë tashmë. Unë mendoj që do të duhet shumë kohë deri në arritjen e nje vaksine me efektivitet 100%.Si përfundim dua te them që bota duhet të mësojë të bashkëjetojë me Covid-19.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË SUEDI

Numri i Shqiptarëve që jetojnë në Suedi arrin në shifrat nga 50 000 – 60 000  dhe janë kryesisht Shqiptarë të ardhur nga Kosova, Maqedonia e veriut, Mali i zi dhe së fundmi po shtohet edhe numri i Shqiptarëve brënda trojeve. Shqiptarët janë integruar më së miri në shoqërinë Suedeze. Nuk janë të paktë ata që janë personazhe të njohur të botës së artit, politikës, sportit, shkences dhe në shumë sfera të tjera të jetës suedeze. Përsa i përket Covid-19 në Suedi nuk është bërë një studim në bazë të etnive dhe nuk mund të them që Shqiptarët këtu mund të kenë një statistikë përsa i përket prekjes nga Covid-19. Por si pjesa tjetër e popullsisë edhe nga  Shqiptarët ka të prekur nga Covid-19 dhe që janë hospitalizuar për arsye të komplikacioneve që kanë shfaqur. Por me sa informacion kam unë në regjionin ku unë jetoj nuk ka pasur humbje jete për shkak të virusit tek Shqiptarët. Por kjo nuk përjashtohet të ketë ndodhur në regjione të tjera më të mëdha ku përqindja e të prekurve me Covid është më e lartë dhe ku numri i Shqiptarëve është më i madh.  Dua të theksoj që pjesa më e madhe e shqiptarëve këtu i përkasin grupmoshës relativisht të re 25-55 vjec dhe si e tillë risku për komplikacione në këtë grup moshë është më i ulët.

COVID-19, PASOJAT NË EKONOMI DHE SHËNDETIN MENDOR

Edhe pse Suedia ndoqi një qasje ndryshe nga bota në lidhje me Covid-19 duke qënë totalisht e hapur dhe vetëm me masa sensibilizuese për popullsinë dhe me tendencën që mos ta privonte përditshmërinë në nivele të ndryshme si në sferën socio-kulturore ashtu edhe në atë ekonomike,  pandemia sërish i ka prishur ekuilibrat socio-ekonomikë. Frika dhe ankthi janë të pranishëm kryesisht tek grupmosha e tretë që ka patur edhe numrin më të lartë të vdekjeve. Aktualisht autoritetet Suedeze po i japin prioritet kësaj grupmoshe sepse në fillimet e pandemisë nuk u menaxhua siç duhet situata në lidhje me këtë grupmoshë. Shumë shtëpi të moshuarish u bënë vatra të infeksionit dhe humbjet më të mëdha të jetëve Suedia i kishte pikërisht këtu. Qasja ndryshe që pati Suedia ndaj pandemisë bëri që suedezëve tu privohej udhëtimi në një  numër të madh shtetesh, përfshirë këtu edhe nga fqinjët e tyre danezë dhe norvegjezë. Të shumtë janë ata që  nuk mund të udhëtojnë jo vetëm për pushime por edhe për arsye të tjera. Kjo situatë ka ndikim të fortë psikologjik tek një popullsi ku 80 % e tyre udhëtojnë në vende të ndryshme të botës për të pushuar. Dua të theksoj që kjo ka ndikuar shumë te komuniteti shqiptar këtu. Shumica e shqipëtarëve kanë anulluar vizitat për në vendlindjet e tyre, qoftë për të takuar të afërmit apo edhe për të kaluar pushimet atje. Përsa i përket sferës ekonomike specialistët shprehen që çfarëdo politike të ndjekë Suedia ndikimi i pandemisë në nivel global, dukshëm influencon edhe në ekonominë suedeze. Sipas  shifrave zyrtare papunësia në Suedi ka arritur në 9% dhe pritet të ketë rritje dhe kjo është alarmante sipas autoriteteve. Shumë po humbin vendet e punës dhe shumë biznese janë në prag falimentimi. Shifrat e fundit flasin për raportim falimentimi të 40 000 bizneseve të vogla. Shteti ka përgatitur paketa subvencionimi për bizneset por kjo po has vështirësi dhe sipas specialistëve nuk i shpëton  nga falimenti. 

MODELI SUEDEZ DHE MENAXHIMI  I RASTEVE

 Si në çdo vend të botës edhe në Suedi pati momente ku sistemi shëndetësor përjetoi frikën e mbingarkesës për shkak të fluksit të shtuar të pacientëve. Suedia ishte më e rrezikuar sepse nuk ndoqi shembullin e karantinimit siç bëri gjithë Europa. Sistemi shëndetësor në këtë situatë funksionoi sinkron në të gjitha hallkat dhe po e përballon shumë mirë situatën. Hallka kryesore spitalore në këtë situatë padyshim që është departamenti i urgjences. Është përballja e parë me pacientin, të infektuar ose jo. Me ardhjen e pacientit në  urgjence pasi ka kaluar disa filtra parahospitalore siç janë kontaktet  24 orë me ekipet e ngritura enkas për identifikimin dhe ndjekjen, menjëherë fillon triazhimi i tij që do të thotë bëhet vlerësimi dhe vendoset prioriteti që do të marrë në varësi të simptomave që paraqet i sëmuri. Ne të gjitha urgjencat spitalore dhe në klinikat që funksionojnë pasdite dhe në fundjavë janë ngritur çadra triazhimi dhe pacienti kalon disa filtra drejt hospitalizimit, observimit ose dërgimit në shtëpi. Mjekët dhe personeli i urgjences përballen me nje risk të lartë kontamimi dhe janë të shpeshta rastet kur personeli mjekësor është infektuar. Rastet që dyshohen për Covid-19 menjëherë izolohen  dhe ndiqet protokolli strikt i observimit dhe pas testimit pozitiv hospitalizohen në pavionet Covid ose nëse parametrat jetësorë janë stabël dhe pacienti nuk plotëson kriteret e hospitalizimit dërgohet në shtëpi me rekomandimet përkatëse dhe bëhet ndjekja në kushtet e izolimit të plotë në shtëpi. Pacientët që kanë numrin më të madh të hospitalizimeve dhe të komplikacioneve janë pacientët me sëmundje kronike. Për çdo sëmundje kronike janë marrë masa që pavionet përkatëse të kenë qëndrat e tyre Covid. Fatkeqësisht kjo është shtresa më vulnerabël dhe me përqindjen më të lartë të vdekjeve.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA 

Në radhë të parë  do të doja ti përshëndesja të gjithë shqiptarët e diasporës kudo që ndodhen, dhe në veçanti lexuesit e gazetës Dielli. Ju faleminderit që me anë të shkrimeve tuaja na afroni dhe na jepni mundësinë te njohim njëri-tjetrin. Është kënaqësi dhe krenari njëkohësisht të lexosh për arritjet e Shqiptarëve kudo në botë. Në këto kohë të vështira pandemie, mesazhi im për shqiptarët e diasporës në USA është që përveç se të respektojnë me përpikmeri masat e nxjerra nga autoritetet shëndetësore (higjenën, distancimin social dhe maskat), të tregojnë sa më shumë solidaritet me njëri-tjetrin. Kjo periudhë, përveç frikës dhe ankthit, ka nxitur tek shumë persona edhe shfaqjen e depresionit dhe ndjenjës së të qënit i braktisur për vetë situatën e krijuar të izolimit dhe distancimit, veçanërisht tek moshat e treta të cilët jetojnë vetëm. Le të ruajmë fizikisht distancën, por moralisht dhe shpirtërisht të jemi pranë njeri-tjetrit me anë të telefonit, mesazheve, email-eve etj. Të tregojnë mungesë egoizmi, pasi duhet të mendojnë jo vetem për veten, por të mendojnë dhe të mbrojnë ata që janë më të dobët e më të riskuar. Të zbatojnë me përpikmëri rregullat e higjenës dhe distancimit fizik, kjo është jo vetëm për tu mbrojtur nga virusi  por mbi të gjitha për të prishur zinxhirin e transmetimit, në mënyrë që të shpëtojmë sa më shpejt të jetë e mundur prej pandemisë covidiane.

KUSH ËSHTË DOKTOR PËRPARIM CERRI

Dr. Perparim Cerri ka përfunduar studimet ne degën e Mjekësisë së Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës në 2004. Ka punuar si mjek i përgjithshëm deri në vitin 2010. Më pas është specializuar në fushën e Mjekësisë së Urgjencës (2015). Ka punuar si mjek në Urgjencën e Sëmundjeve të Brëndëshme në QSUT deri në vitin 2017, ku më pas është zhvendosur në Suedi për të kryer fillimisht një post-specializim në Spitalin Universitar të Skånes, ku edhe vazhdon aktualisht të punojë. Ka kryer disa trajnime afatgjata ndërkombëtare në lidhje me mjekësinë e urgjencës. Gjithashtu, Dr. Perparimi ka marrë pjesë në trajnimin e personelit mjekesor në të gjithë Shqipërinë per Basic Life Support (BLS) dhe Advanced Cardiac Life Support (ACLS). Ka punuar si pedagog i lëndës së Mjekësisë së Urgjencës në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë dhe aktualisht punon në Spitalin Universitar të Skånes në Malmö si dhe është i përfshirë në fushen e kërkimit shkencor në Universitetin e Lundit ku investigon rolin e enzimes Cyr61 ne prognozën dhe ndjekjen e pacientëve me sëmundje endokrinologjike. Dr. Cerri është i martuar dhe ka një vajzë 3-vjeçare.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Perparim Cerri, Malmoe-Suedi, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • 214
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT