-Presidenti historik i Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr.Ibrahim Rugova, në 2 Korrik 2002 duke zbuluar Shtatoren e Nënë Terezës në Prishtinës shprehej me shumë vlerësim e mirënjohje: Kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar. Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze… -Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës/
PRISHTINË, 6 Gusht 2020- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
2 KORRIK 2002: PRESIDENTI RUGOVA NË SHESHIN QENDROR TË PRISHTINËS PËRURON SHTATOREN E NOBELISTES SHQIPTARE NËNË TEREZA, DHURATË E LEKË GOJÇAJT
Në 2 Korrik 2002, ditën e 12 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi, Presidenti historik i Republikës së Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr. Ibrahim Rugova, në Sheshin qendror të Prishtinës, para mijëra qytetarëve, ka zbuluar Shtatoren e Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza. Ishin të pranishëm personalitete të jetës publike, politike e ushtarake të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës.
Para pjesëmarrësve në solemnitet, Presidenti Rugova tha se sot është ditë e madhe për Prishtinën dhe për Kosovën.
“Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, Nënës sonë të dashur.
Këtë shtatore të çmuar po e zbulojmë në Rrugën kryesore të Kryeqytetit, që para sa vjetesh e emëruam me emrin e Nënës Tereze, që e pranoi Prishtina dhe e gjithë Kosova”, tha Presidenti Rugova.
Ai vijoi se, “kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze, që do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”.
“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova.
“Ne ndiehemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”, theksoi ai.
Dr. Rugova tha se kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar.
“Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova.
Presidenti Rugova me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për këtë dhuratë bërë Prishtinës dhe Kosovës, duke madhëruar festën e 2 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Rugova uroi qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës për Shtatoren e Nënës Tereze dhe përmbylli fjalën e tij me lutje-urime bekimi:
-Zoti e bekoftë Nënën Tereze, siç e ka bekuar.
-Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës.
-Zoti i bekoftë SHBA-të.
-Zoti e bekoftë Kosovën.
7 DHJETOR 1995: RRUGËS PËR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS PRESIDENTI RUGOVA TAKON NËNË TEREZËN
Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.
Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen. “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova. Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.
RUGOVA: NËNA TEREZË MË KA FRYMËZUAR SHUMË GJATË KËSAJ KOHE PREJ QË MERREM ME PUNË EDHE TË SHTETIT TË KOSOVËS
“Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.
Ai ka vlerësuar se, Nëna Terezë është sublimim shekullor i kulturës e traditës shqiptare, nënës shqiptare dhe se shenjtërimi i saj është një përjetësim i filozofisë së saj, merr një formë institucionale dhe kanonike.
“Mbas Skenderbeut që ka fut popullin shqiptar në historinë moderne të Evropës e të perëndimit e të botës, Nëna Tereze e ka inkuadrur popullin shqiptar sot në universin, në botën globale të sotme që ne identifikohemi me të dhe ajo identifikohet me ne, por është edhe e gjithë njerëzimit dhe ky është ndër kontributet më të madha të Nënës Terezë, që i ka bërë kombit shqiptar, Kosovës, popullit të saj… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë”, është shprehur Presidenti Rugova.
Në punën e Shtetit, ka thënë Presidenti i Kosovës Rugova, unë gjithmonë jam frymëzuar nga vepra e madhe e dashurisë së ushtruar ndaj të afërmit nga Nënë Tereza dhe pandërprerë e kam pasur shembull e ideal timin.
“Mua më ka frymëzuar shumë gjatë kësaj kohe prej që merrem me punë edhe të Shtetit të Kosovës që e kemi formuar Shtetin modern të Kosovës, pra po bëhen rreth 15 vite, dhe Nënën Terezë e kam pasur si një shembull të dashurisë, të paqes, të mirëkuptimit mes njerëzve, të shërbimit për popullin e vet, për kombin e vet, ka qenë edhe një ideal, një prehje”, ka theksuar Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Ai ka përkujtuar edhe se, në Kosovë që nga viti 1990 ka funksionuarr shoqata “Nëna Terezë” e cila ka luajtur rolin e një ministrie sociale, ministrie të shëndetësisë…
NË 26 GUSHT 2005 RUGOVA VURI GURTHEMELIN E KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.
Presidenca e Kosovës tradicionalisht ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare.
Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
4 SHTATOR 2016, FESTË PËR SHQIPTAREN NËNË TEREZA E SHPALLUR SHENJËTORE NGA PAPA FRANÇESKU NË VATIKAN
Në 4 Shtator 2016, në Kosovë ishte atmosferë feste për shqiptaren Nënë Tereza e shpallur atë ditë shenjëtore nga Papa Françesku në Vatikan, në meshën e shenjtërimit që u ndoq nëpër familje e kudo në transmetimet televizive.
Papa Françeskut në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, në Vatikan, i kanë shërber edhe diakonët e Kosovës, Don Daniell Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj.
“Ky privilegj i bukur i dy diakonëve të Ipeshkvisë sonë është një shenjë e kujdesit që Selia e Shenjtë tregon për popullin e Nënë Terezës në festën e madhe të 4 shtatorit”, theksonin në Ipeshkvinë e Kosovës.
Në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës.
Nëna Terezë u bë edhe urë lidhëse në mes të shqiptarëve dhe botës.
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton në Qershor të vitit 2002 ka thënë: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.