• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në SHBA përkujtohet George Floyd

June 5, 2020 by dgreca

Aktivistët e të drejtave të njeriut, politikanë dhe personalitete tjera u mblodhën më 4 qershor për të përkujtuar George Floyd, 46-vjeçari afrikano-amerikan, vdekja e të cilit, derisa ishte nën arrest të policisë, ka nxitur një valë protestash për drejtësinë racore në Shtetet e Bashkuara.

Organizimet përkujtimore për Floyd, do të mbahen për gjashtë ditë ne tre shtete, tha avokati i familjes Floyd. 

Disa nga protesta për vdekjen e Floydit kanë qenë të dhunshme, me zjarrvënie dhe plaçkitje, por protestat më të qeta u zhvilluan më 3 qershor pasi prokurorët në Minesota akuzuan tre oficerë të tjerë të policisë dhe ngritën një akuzë të re, më të ashpër kundër Derek Chauvin, policit kryesor të përfshirë në këtë rast.

Chauvin tani përballet me akuzën për vrasje të shkallës së dytë, dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Më parë ai, u akuzua për vrasje të shkallës së tretë për të cilën parashihet dënimi deri në 25 vjet.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison ka thënë më 3 qershor se tre zyrtarë policorë, Tou Thao, 34-vjeçar, J. Alexander Kueng, 26-vjeçar, dhe Thomas Lane, 37-vjeçar, janë akuzuar për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje, andaj janë lëshuar fletarrestet për secilin prej tyre.

Në njoftimin për akuzat e reja, Ellison i quajti protestat mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e Floyd-it si “dramatike dhe të domosdoshme”, duke u zotuar se do të kërkonte drejtësi për Floyd.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, gjithashtu mbrojti të drejtën e amerikanëve për të protestuar, duke e quajtur atë “të shenjtë”, por tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kishte udhëzuar atë, të mos kursente asnjë përpjekje për të siguruar që të mos ketë dhunë.

Si ndodhi vdekja e Floyd? 

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

Protestat filluan në Mineapolis, por shumë shpejt ato u zgjeruan në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Uashingtonin, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin , ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.

Presidenti Trump më 30 maj e quajti vdekjen e George Floyd një “tragjedi të rëndë” që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por ai tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shëndrrohen në dhunë.(Kortezi Radio Europa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: perkujtohet, SHBA

Edhe një aktore nga Kosova pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

June 5, 2020 by dgreca

-Ilire Vinca ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit, e 25-ta nga Kosova/


Prishtinë, 5 Qershor 2020- Gazeta DIELLI/ Aktorja e njohur kosovare Ilire Vinca është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit, bën të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës në një njoftim të dërguar.

 Ilire Vinca ka një karierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.



Ajo u bë e njohur edhe si aktorja e parë që mori pjesë në Berlinale me filmin ‘Falja e Gjakut’ në 2011, pastaj edhe me filmin ‘Burrneshat’ në 2015 poashtu në Berlinale. ‘Zana, ‘Pranverë e paharruar në fshatin e harruar’, ‘Gardhi’, dhe ‘Martesa’ janë disa nga filmat e fundit kosovar ku luan Ilirja.

“Përderisa kufinjtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race e gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta. Jam e nderuar të jem anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit” u shpreh aktorja kosovare Ilire Vinca. Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Ilire Vinca është anëtarja e 25-të nga Kosova që bëhet pjesë Akademisë Evropiane të Filmit.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilire Vinca, Pjese e Akademise Evropiane te Filmit

SHQIPËRIA NË SYTË E ADI KRASTËS

June 4, 2020 by dgreca

“Tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi”/

Adi Krasta, prezantuesi i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, ka rrëfyer dhe analizuar ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA New York, Shqipërinë aktuale dhe betejën e shtetit shqiptar ndaj Covid-19, keqqeverisjen e vendit në kohë pandemie, dështimin e reformës në drejtësi, kohën për rrotacion të domosdoshëm politik, shëmbjen e Teatrit Kombëtar si akt tinëzar, opozitën shqiptare dhe kryesorja apeli për diasporën shqiptare kudo në botë për të kontribuar në betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Me Adi Krastën bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

COVID-19 DHE SHQIPËRIA

Sipas prezantuesit të mirënjohur Adi Krasta “Covid-19 e gjeti botën të papërgatitur. Është paradoksale por si të gjithë vendet komuniste e diktatoriale Shqipërinë e dikurshme nuk do e gjente kaq gafil. Mosmbyllja e rrugës me Italinë e Veriut që në janar, nxitimi për të bërë tendera të dyshimtë të maskave, komunikimi vetëm nga Kryeministri me FB dhe zgjatja e bllokimit u konsideruan gabime të qeverisë në ballafaqimin me pandeminë globale”- citoi ai.

MANIPULIM DHE PROPAGANDË

Administrimi shtetëror i Shqipërisë në kohë pandemie u shoqërua me : masa estreme izolimi, urdhra shproporcionalë, tejzgjatje e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore, dhunë policore ndaj qytetarëve etj. Sipas Krastës “ka patur padyshim edhe nga këto që përmendni. Por unë gjej manipulimin, mungesën e çiltërsisë dhe propagandën si defekte serioze” – shpjegon ai.

REFORMA NË DREJTËSI, GJUETI SHTRIGASH

Reforma në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri e trumbetuar si reforma më e rëndësishme e dekadave të fundit, sipas Adi Krastës ka qenë një dështim i plotë. “Jam i mendimit që reforma në drejtësi ka dështuar. Ka qenë boshe, selektive, bazuar mbi pritshmëri jo realiste. Roli i ambasadoreve amerikanë ka qenë naiv dhe i pasinqertë. Nga pala shqiptare, dëshira për reformë u shoqërua siç ndodh gjithmonë me klientelizëm dhe gjueti shtrigash” – arsyeton Krasta.

TETË VITE MJAFTOJNË PËR TË SHKATËRRUAR GJITHÇKA

Adi Krasta këmbëngul që rrotacioni i pushtetit politik në Shqipëri është një domosdoshmëri. “Unë e ndjek politikën nga larg. Kulisat i dinë ata që janë afër establishmentit. Unë nuk kam qenë kurrë. Kam folur vetëm për atë që ka qenë para syve të mi. Ajo që kuptoj unë është se tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi. Rrotacioni është imperativ” – thekson Krasta.

LYPSET NJË KRYEMINISTËR NDRYSHE

Sipas Adi krastës “sytë e shqiptarëve janë tek Kryeministri i të ardhmes, cilido qoftë ai. Bën mirë që ky kryeministër të jetë seriozisht i ndryshëm nga paraardhesit e tij. Dhe po. Një parti politike mundet të vijë në pushtet pas tetë vjetësh opozitë. Problemi është se çfarë do sjellë në pushtet? Të njëjtën çmenduri, arrogancë, kurrupsion dhe hajvanllëk politik të përjetshëm? Shpresoj që jo” – lutet Krasta.

KRASTA SHOW, OPOZITË NGA EKRANI

Monologu i Adi Krastës ka qenë një formë e shkëlqyer gazetarie për të ndërgjegjësuar publikun dhe për të nxjerrë në pah anën tjetër të politikës, asaj që njerëzve u fshihet nga propaganda qeveritare. Modestisht këtë Krasta e arsyeton kështu: “Kam folur si një njeri i zakonshëm por që punon në televizion. Jam i lumtur se konstatoj që më kanë dëgjuar. Nuk kam pretendime iluminuese. Nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht veten. Por më është dukur e domosdoshme ti flas shpirtit kundërshtues të popullit tim si një njeri i medias” – mbyll shpjegimin e tij Krasta.

SHËMBJA E TEATRIT AKT I SHËMTUAR E TINËZAR

Sipas Adi Krastës “shembja e Teatrit Kombëtar ka shkaktuar një shembje në shpirtin tim. Ka qenë kaq e parashikuar, burracake, tinëzare dhe e shëmtuar. Jam i bindur se Teatri dhe ata që vdiqën të nderuar dikur sepse punuan në të do jenë Karma për ata që guxuan ta rrënojnë” – shprehet i revoltuar Krasta.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË

USAAdi Krasta e quan diasporën shqiptare kudo në botë si pjesë të pandashme të shpirtit e zemrës së Shqipërisë. Ai kujton se “në vitin 1996 kam bërë një dokumentar në USA. Intervistova Gergian, një zonjë në të 80-tat që ishte me origjinë nga Korça. Kishte kindur në Amerikë por fliste një shqipe të shkëlqyer. Kam një veneracion për brezat e shqiptarëve që jetojnë në Usa. Kishin një guxim të admirueshëm që kërkuan Tokën dhe Jetën e ëndrrave. Shpresoj që ata do gjejnë gjithmonë kohë të jenë të pranishëm në jetën dhe betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Distanca nuk do të duhet ti bëjë këta shqiptaro-amerikanë të mos e kuptojnë më shpirtin dhe sjelljen e shqiptarëve që jetojnë ende në vendin e vogël nga ku u larguan. Ne kemi nevojë për solidaritet jo për paternalizëm. Vlerësojmë ndjeshmërinë jo marrjen e pozicioneve të prera. Ne kemi nevojë që shqiptarët e Amerikës dhe të të gjithë botës të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës dhe zemrës sonë” – mbyll prononcimin e tij për gazetën Dielli prezantuesi i 

Filed Under: Featured Tagged With: Adi Krasta, shqiperia, Sokol Paja

NJOFTIM PER ADRESEN E DIELLIT NE FB

June 3, 2020 by dgreca

Njoftim per vatranet e miqte e Vatres,per lexuesit, bashkepunetoret dhe miqte e Gazetes Dielli /

Te nderuar miq /

per arsye te kerkesave strikete te regjistrimit nga qendra e facebook-ut, llogaria qe kishim regjistruar :dielli vatra, qe sot mbyllet pasi paralelishte ne kishim te hapur edhe nje faqe tjeter e cila ka shumefishin e miqeve qe ksihet faqja dielli vatra. Ju lutem behuni miq me faqen Gazeta Dielli….

Ne kishim kohe te mjaftueshme qe te sistemonim e ruanim materialin arkivor sepse njoftimin e morem nje jave me pare. Per siguri materialet e Diellit jane te gjitha te ruajtura edhe ne Diellionline edhe ne sever.

Nderkohe ju njoftojme websiti i ri i Federates Vatra eshte ne perfundim dhe se shpejti do t’ju behet i njohur.

Filed Under: Featured Tagged With: Adresa e Diellit, FACEBOOK, Njoftim

3 QERSHOR, NJË DATË E SHËNUAR PËR VATRËN

June 3, 2020 by dgreca

-NJË DATË E SHËNUAR SI 3 QERSHORI- 103 VITE TË SHKUARA, VATRA NISI FUSHATËN HISTORIKE PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË…

-3 QERSHOR 1917- “VATRA” DHE SHPËTIMI I SHQIPËRISË NGA SHQIPTARËT E AMERIKËS/

Kole Tromara.

* Fushata 3 Qershorit 1917, ku vatranët nga 40 mijë dollarë, që parashikuan, arritën të mblidhnin më shumë se $150 mijë(pagesa javore atë kohë ishte $6-7).

Bahri Omari/

– 9 Ditë para çeljes së fushatës, me 25 Maj 1917, Noli nxori nga shpirti vargjet: Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë…. 

* Shumë vatranë dhuruan pagesat, që fitonin për një apo dy javë.

* “Vatra” pyeste shqiptarët e Amerikës: Cili shqiptar i mirë, që i dhimbet shpirti për vëllezërit e robëruar, nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë?

* Thirrja: Shqiptarë-Ç’i doni paratë, kur të na e rrëmbejnë vendin grekët dhe sllavët? 

-80 degët e Vatrës hynë në garë me njera tjetrën, vatranët hynë në garë me njeri tjetrin, dhe ftuan në këtë garë edhe kolonitë përtej Atlantiku, ku u treguan të gatshëm shqiptarët e Argjentinës…

NGA DALIP GRECA

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” po e ndiqte me shqetësim teatrin e zhvillimeve luftarake gjatë Luftës së Parë Botërore, veçanërisht në Ballkan, ku fqinjët kishin synim të coptonin Shqipërinë. Vatranët nuk qëndruan duarkryq. Që më 1916, “Vatra” nisi organizimin e shërbimit diplomatik, duke i vënë një rrogë mujore rreth 1600 frangash delegatit të saj në Londër, Mehmet Bej Konica, duke emëruar ambasado(apo delegate të Vatrës), Mithat Frasheri, dr. Mihal Turtulli etj. Pagesa sigurohej përmes organizimit të “Dita e delegatit”. Po ashtu, gjatë vitit 1916 nisi pranë degëve të mëdha përgatitjet e trupave vullnetare të Vatrës për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e kufijve jugorë.

     “Vatra” dhe miqtë e saj në Europë e Washington po mendonin se si ta shpëtonin pavarësinë që realisht nuk ekzistonte më, mundësisht të kthenin territoret e humbura nga Konferenca e Londrës. Fundi i luftës nuk duhej ta gjente të papërgatitur Vatrën. Këtij qëllimi i shërbeu fushata e madhe për shpëtimin e Shqipërisë, e cila synonte për të organizuar lobimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë.

3 Qershori i vitit 1917 ka hyrë në historinë kombëtare si “Dita e shpëtimit të Shqipërisë nga shqiptarët e Amerikës”.

 Shkak për lëvizjen shpëtimtare ishte raporti që Mehmet Konica, delegati i Vatrës për Evropën, me qendër në Londër, i dërgoi Vatrës në Boston, si dhe një letër mallëngjyese e delegatit tjetër të Vatrës në Gjenevë, Dr. Mihal Turtulli. Komisioni qendror i Vatrës, që në atë kohë drejtohej nga kryetari KolëTromara dhe sekretari Loni Kristo, mori në shqyrtim raportin dhe letrën në mbledhjen e pasdites të së dielës të 20 Majit, 1917. Raporti i Mehmet Konicës u hapi sytë vatranëve për gjendjen reale ku ishte Shqipëria, e kthyer në shesh lufte dhe pre e fqinjëve, që kërkonin t’i zhvatnin të tjera territore, në ato vite kaotike të Luftës së Parë Botërore. Përveç humbjeve të territoreve, që i kishte shkaktuar Konferenca e Londrës, paslufta shtonte pikëpyetjet për egzistencën e mëpastajme. Ndërsa letra mallëngjyese e delegatit të Vatrës në Zvicër, Dr. Mihal Turtulli, që shoqërohej edhe me njëmijë dollarë, ishte një thirrje që preku thellë zemrat e vatranëve.

Komisioni Qendror i Vatrës, pasi e lexoi letrën e Dr. Turtullit dhe raportin e delegatit Mehmet Bej Konica, arriti në përfundimin se “Vatra” do të mbetej përgjithnjë e turpëruar në sytë e botës, po të mos i përgjigjej pozitivisht thirrjes për të nisur fushatën shpëtimtare.

-“Po! – iu përgjigjen vatranët thirrjes, ashtu si ua do nderi, trimërisht dhe me dorën hapur”- u shkrua në rekordin e mbajtur me 20 maj 1917.

Propozimi i Dr. Turtullit ishte që të mblidheshin së paku nja 40 mijë dollarë, që do të përdoreshin për shpëtimin e Shqipërisë, duke ngritur një Komision Shpëtimi.

Në mbledhjen e 20 majit, Komisioni Qëndror vendosi që të caktohej e diela e 3 qershorit 1917, për të nisur fushatën e madhe të shpëtimit të Shqipërisë, duke synuar mbledhjen e 40 mijë dollarëve, sa ç’propozonte Dr. Turtulli. Ftoheshin të gjitha degët e Federatës Pan shqiptare të Amerikës “VATRA”, të gjitha shoqëritë shqiptare, të gjitha shoqëritë fetare, kombëtare dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës, që të bëheshin bashkë në qendrat, ku jetonin dhe, nën moton: “Të shpëtojmë Shqipërinë!” të jepnin kontribute sipas mundësive por, pa u kursyer. U ftuan gazetat dhe revistat shqiptare, të shpërndanin këtë mesazh kombëtar dhe të kontribuonin nën frymën e Rilindjes. Në thirrje ftoheshin shqiptarët e Amerikës që, së paku, të jepnin 10 dollarë e sipër për këtë fushatë.

Komisioni Qendror i Vatrës orientoi delegatin Mehmet bej Konica në bashkëpunim me Dr. Mihal Turtullin, të organizonin Komitetin e Shpëtimit Kombëtar në bashkëpunim me shqiptarët e Amerikës.

Vendimet u përcollën përmes mikut të sprovuar të shqiptarëve z. Aubrey Herbert.Në atë kohë Komisioni Qendror i Vatrës përbëhej nga këta atdhetarë : 

Kolë Tromara – Kryetar i Vatrës, 

Loni Kristo –   Sekretar 

Bahri Omari ishet kryeredaktor i Diellit.

Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi dhe Fan S. Noli – ishin kontrollorë 

                         LETRA QË NGRITI PESHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

      “Vatra” hartoi një letër-qarkore, firmosur nga Kolë Tromara dhe Loni Kristo, që ia adresuan të gjitha degëve të Vatrës (në atë kohë numëroheshin rreth 80 degë), shoqërive shqiptare, fshatare, fetare dhe patriotike, që vepronin në SH.B.A.. Në atë letër informoheshin shqiptarët se Atdheu ishte në rrezik të humbte pavarësinë e 1912-ës, prandaj kërkohej bashkim për ta shpëtuar Shqipërinë.

  Letër-qarkorja nuk linte hapësirë për diskutim. Në të shkruhej shkoqur: 

“Komisioni kërkon nga atdhetarët e Amerikës një gjë, për një qëllim, mbi të cilin s’ka bisedim.”… 

Pra gjithçka ishte e vendosur, shuma duhej mbledhur medoemos. Komunikimi ishte i 

hapur:

 “Na duhen para për të mbrojtur të drejtat tona, për të fituar një Shqipëri të lirë dhe të madhe, për të organizuar Atdheun tonë, pas çlirimit. S’ka bisedim mbi këtë pikë!” Ky ishte urdhëri i Atdheut.

Gjithçka ishte përcjellë në mënyrën urdhërore, pa vënë në dyshim realizimin. Komisioni arsyetonte: 

“Çdo shqiptar i mirë e ka për detyrë të bëjë sakrificë për  këtë qëllim të shenjtë për shpëtimin e Shqipërisë. As mbi këtë pikë s’ka bisedim!”

     Pra, shqiptarët viheshin para faktit të kryer, pa patur nevojë për negociata e pa diskutime.

Komisioni arsyetonte se në Amerikë ishin në atë kohë rreth 50 mijë shqiptarë, por vetëm një pjesë e vogël e këtij numri ishte e gatëshme për sakrificë. Komisioni përllogariste rreth 3 mijë vetë të përfshirë në këtë aksion kombëtar, por parashikimi u tejkalua. Rreth 5 mijë vetë u bënë pjesë e fushatës, ku, natyrisht, prinë vatranët. 

                                     THIRRJA E KUVENDIT TË VATRËS

Kuvendi i Federatës “Vatra” i motit 1917, lëshoi këtë thirrje, para se të niste fushata e 3 Qershorit:

“Shqipëria është e rrethuar prej armiqsh, që duan ta copëtojnë. Shpëtimin e saj e pret vetëm nga bijtë e saj fisnikë të Amerikës. Asnjë i huaj s’mund të na japë Lirinë dhe Indipendencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tona, me djersën dhe gjakun tonë dhe me delegatët tanë të zgjedhur lirisht me zërin e popullit. Ndihni pra të gjithë, me sa të mundni! Mos dëgjoni fjalët e gabuara të njërit, apo tjetrit, por dëgjoni zërin e delegatëve tuaj të besuar, që dërguat në Kuvendin e Federatës tuaj të Madhe.” 

“Vatra” informonte anëtarësinë: 

“I pamë punët e delegatit tonë, z. Mehmed Bej Konitza; I gjetëm të mira me një zë dhe prapë me një zë vendosëm t’i japim dy shokë të tjerë, Dr. Turtullin dhe Nikoll Kasneci. Jemi të bindur, që këta delegatë do të bëjnë detyrën e tyre, po t’u japim “armë të mira” (dollarë) dhe sa t’u duhen. Ndihmoni pra pa u kursyer, që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe ta trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë dheun e lavdëruar të Skënderbeut.

Jepni qesen dhe shpirtin për Shqipërinë e lirë dhe të madhe! O burrani!”

Në fund firmosnin: 

Kryetari i Kuvendit: Hasan Bitincka

Sekretari: Ndreko Stavro

Komisioni:

Kolë Tromara, Loni Kristo, Fan S. Noli, Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi.

Më pas vinin emrat e delegatëve të Kuvendit: Bahri Omari, Kostaq Leçishti, Mina Grameno, Spiro K. Lubonja, Josif Pani, Ilias J. Përmeti, Stire Luka, Shefki Aliko, Mustafa S. Leshnja, D.J. Tushemishti, Foto Dukati, Koto Trebicka, Vangjel Spiro, Qani Bilishti, Duro Tabaku, Sadik Duro, Misto Papa, Vangjel Miller, Nico V. Grabocka, Marko Adams, Veli Harshova, Matto Tasi, George Luarasi, Angelo Sotir, KolëRodhe, Stathi Suli, Hajrulla Starja, Maliq Picari, Llambi Kreshpani, Andrea Kristo, Shefqet Frashëri, S. Blushi, Kostë Çekrezi, Adem Vishoshica, Faik Babani.

PERËNDIA ZGJODHI SHQIPTARËT E AMERIKËS SI SHPËTIMTARË TË SHQIPËRISË

Kryetari i Vatrës Kolë Tromara dhe Sekretari Loni Kristo, para fushatës e nisnin mesazhin drejtuar shqiptarëve të Amerikës, botuar në Gazetën “Dielli” e “Vullnetari” dhe shtypin tjetër të shqiptarëve të Amerikës, me thënien e Dr. Turtullit në letrën drejtuar Vatrës: “Çlirimi dhe e ardhmja e Shqipërisë varen nga shqiptarët e Amerikës”.

 Drejtuesit e Vatrës arsyetonin: 

“Domethënë, ne vatranët dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës, mund ta shpëtojmë Shqipërinë nga robëria dhe nga coptimi dhe t’i japim Atdheut tonë lirinë e kufijtë e vet kombëtarë nga Veriu, Jugu, Lindja dhe nga Perëndimi. Ne mund ta madhojmë Shqipërinë e Konferencës së Londrës, duke fituar nga Konferenca e Paqes copërat e Atdheut, që na rrëmbyen fqinjët lakmonjës, duke marrë që tani masat, që ta mbrojmë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.”

  Kryetari Tromara dhe Sekretari Kristo, i prekën në shpirtra shqiptarët e Amerikës, tek shkruanin: 

“Perëndia na zgjodhi ne, Shqiptarët e Amerikës, si shpëtimtarë të Shqipërisë. Shqipëria jonë e pret shpëtimin dhe sigurimin e saj nga ne. S’ka shpresë nga ndonjë tjetër. Kështu na  porositi Dr. Turtulli.”

    Përse i duheshin Vatrës paratë e shqiptarëve të Amerikës, e sqaron mesazhi, përcjellë vatranëve dhe tërë shqiptarëve të Amerikës: 

“Delegati i Vatrës, Mehmet Bej Konica dhe Dr. Mihal Turtulli, na e tregojnë se si ta shpëtojmë Shqipërinë. Duhet të dërgojmë delegatë nëpër Evropë, që të flasin e të mbrojnë Shqipërinë. Këta delegatë dhe të tjerë personalitete të zotë dhe miq të shqiptarëve, të shkojnë në Konferencën e  Paqës dhe të kërkojnë me argumenta një Shqipëri të lirë me kufinjtë e saj ethnografikë. Këta  shqiptarë të zotë, më pastaj, të kthehen dhe të bëjnë Shqipërinë për shqiptarët. Për ta nisur këtë punë do të duhen së paku 40 mijë dollarë, na thotë Dr. Turtulli dhe ai vetë jep shembullin: “Duke na dërguar 1,000 dollarë, ndërkohë që do të mjaftonte që shqiptarët  e Amerikës të dhuronin secili nga 10 dollarë.” Po ia nisim, – shkruajnë drejtuesit e Vatrës, – që sot, kështu e do nderi dhe detyra e shqiptarëve të Amerikës.”

    Ata shtronin pyetjen: 

“Cili shqiptar i mirë, që i dhimbet Atdheu i mjeruar, nuk e do çlirimin, zgjerimin dhe sigurimin e Shqipërisë? Cili shqiptar i mirë, që i dhimbet shpirti për vëllezërit e robëruar, nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë?

Cili shqiptar i mirë nuk jep, jo vetëm qesen, po dhe shpirtin e tij për qëllimin e shenjtë? Ai që rri dhe diskuton këto pyetje, s’mund të jetë shqiptar i mirë dhe me këta s’kemi punë! E vetmja pyetje që do të bëjnë atdhetarët e mirë dhe fisnikë të Amerikës duhet të jetë: KUR? dhe SA?

Kur?  

“3 qershor, në Ditën e Shpëtimit të Shqipërisë. Të gjithë bashkë, shoqërisht, si në kohë lufte me Flamurin përpara, një tok këtu, një tok atje, si taborë të një ushtrie që mblidhen, kur i thërret Trumbeta e detyrës.”

SA?

“Sa të mundni, më tepër se ç’keni dhënë deri tani!…Aq sa do t’i jepnit mjekut për të shpëtuar  nënën tuaj të sëmurë për vdekje. Të tërë qesen me shpirtin bashkë! Rrogën e një muaji, a rrogën e një jave, të paktën. Mos ia kurseni dhuratën Shqipërisë, se ia jepni vetes tuaj. Ç’i doni paratë, kur të na e rrëmbejnë vendin grekët dhe sllavët? Ç’e doni jetën jashtë Shqipërisë, të huaj në dhe të huaj, syrgjyn gjer në vdekje? Ç’e doni paranë dhe shtëpinë në Shqipërinë e robëruar pa liri, pa siguri, pa nder, me kokën ulur nën kërbaçin e shkelësit të huaj në vendin tuaj?”

  Këtë fushatë jetike e diktonte gjendja e Shqipërisë. Për drejtuesit e Vatrës, Shqipëria ishte e sëmurë, ishte në rrezik për vdekje, e shkelur, e djegur, e plagosur, e neveritur, pa ndihmës, e pa mbrojtës. Po e mban shpirtin ndër dhëmbë, me një fjalë e një shpresë: “Kam djemtë në Amerikë. Ata do t’më shpëtojnë!” Ashtu, siç thoshte Korça, kur e dogji zjarri dhe e rrëzoi tërmeti. Ajo ngushëllohej se “ kish djemtë kurbetli, në Misir e në Vllahi….”, që do ta ndërtonin dhe do ta bënin më të bukur…

       Në thirrje shkruhej: 

“Na ka dalë namë, që kemi para’, që kemi shoqërira të mëdha këtu, në Amerikë, që s’flemë, veçse me një ëndërr; që s’flasim, veç për një dëshirë; që s’punojmë, veç për një qëllim, TA SHPËTOJMË SHQIPËRINË!”

      Thirrja depërtonte në shpirtra e zemra: “Dhe tani po na e këndojnë këngën jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe gurët, edhe drurët e ngushëllojnë dhe i japin garjet Nënës tonë Shqipëri në shtrat të zisë me këto fjalë:

             Mbahu, nëno, mos ki frikë

Se ke djemtë n’Amerikë!

A do ta lëmë të presë më kot e të mos i vemë kurrë? A do t’i dalim të pabesë Nënës sonë në orën e saj të ligë? A do të bëhemi të shurdhët për thirrjen e saj të funtme? Kurrën e kurrës!

Në qoftë se fati i saj varet nga ne, shqiptarët e  Amerikës, Shqipëria do të çlirohet e do të trashëgohet. Në qoftë se mund ta ngjallim me paret tona, do të japim sa të mundim…”

Në thirrjen drejtuar shqiptarëve të Amerikës, përmendej shembulli i shkëlqyer i Dr. Mihal Turtullit, që dhuroi i pari dhe ftonte të tjerët.

Për aktin e tij shkruhej: 

“Dyfeku i parë gjëmoi! Fisheku i parë vërshëlleu. Është një plumb prej 1,000 dollarësh. Ushtari, që e dha shenjën, është një nga ata djemtë e zgjedhur që ka Shqipëria në kurbet.

Nëna jonë e dëgjoi këtë shkrepje të parë dhe do të ketë thënë: “Vjen një djalë…! Po ata të tjerët, ku janë?… Pse s’dëgjohen?… Po ngrihet me mundim në shtrat, po vë veshin, po prêt, duke numëruar minutat…..A po vijnë djemtë, të më shpëtojnë?!”

      BAHRI OMARI: LE TË NDJEKIM SHEMBULLIN E FRANCEZËVE ME BISMARKUN

Gazeta “Dielli” ishte lokomotiva, që udhëhoqi fushatën dhe që e mbajti të ndezur për shumë kohë shpirtin e garës. Editor i “Dielli”-t ishte Bahri Omari. Në editorialin e publikuar para fushatës, ai sillte si shembull aktin patriotik të francezve, të cilët, në vitin 1871, qenë mundur nga gjermanët. Bismarku, për të ruajtur zotërimet e disa territoreve, përmes Traktatit të Versajës kërkoi si dëmshpërblim një shumë të madhe për atë kohë, 5 miliardë franga, ndryshe nuk do t’i lëshonte territoret. Mendoi se kjo shumë nuk mund të shlyhej, por francezët treguan shpirtin patriotik. Secili francez dhuroi edhe monedhën e fundit, sendet e shtrenjta, orët, gratë hidhnin nga ballkonet e shtëpive stolitë e tyre të çmuara dhe shuma u sigurua. Bismarku u zhgënjye përballë patriotizmës franceze, por s’kishte ç’bënte e ua ktheu territoret. Ja, kështu të bëjmë dhe ne, të japim sa të mundim dhe të shpëtojmë Shqipërinë, apelonte editori i “Dielli”-t, Bahri Omari.

Më pas, ai sillte shembullin e një shqiptari të Amerikës, që ofronte për fushatën 500 dollarë, në ndihmë të Shqipërisë, por, vetëm një njeri nuk e shpëton Shqipërinë, duhet të gjithë të japim sa të kemi, shkruante editori i “Dielli”-t.

Omari e mbyllte editorialin me thirrjen: 

“Shqiptarë! Ne duhet që, në këto çaste kritike për vendin, të lozim rolin e madh historik, që kemi për barrë. Le të bëjmë, siç bënë patriotët francezë, duke zbrazur qeset tona për hir të Atdheut. Le të japim dhe ne, unazat dhe sahatet e vyera, siç i dhanë francezët. Ne, as na prish e as na ndreq, ndenja një javë apo dy pa rrogë, duke e dhënë atë për Shqipërinë, por, ndihmat tona bashkë, e shpëtojnë Shqipërinë.

Le të japim dollarët, që të marrim Shqipërinë!”

NOLI DHE POEZIA QË FRYMËZOI SHQIPTARËT

 Poezia – hymn e Nolit për shqiptarët e Amerikës ka lindur pikërisht për të frymëzuar shqiptarët e Amerikës në fushatën e Shpëtimit të Shqipërisë. Poezia  kaloi gojë më gojë dhe u mësua shumë shpejt përmendësh. Ajo e  kreu misionin jo vetëm për atë fushatë, por mbetet aktuale edhe sot. Në fakt, poezia ka si ditëlindje ( datë krijimi) 25 Majin e 1917-ës, me titull:

”Jepni për Nënën”…

                    JEPNI PËR NËNËN

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë, 

-Mbretëreshë pa kurorë- 

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, 

Shpirt e zëmër përvëluar; 

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë, 

Nënës mos ia bëni varrë!” 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Qan e lutet Nën’ e mjerë, 

Kërkon vatrën edhe nderë, 

Do lirinë dhe atdhenë, 

Siç e pat me Skënderbenë, 

Bijt’ e besës thërret pranë. 

Kur i thirri dhe s’i vanë? 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Cilët jan’ ata tiranë,

Që të pren’ e që të vranë, 

Që të therrë bij e bija, 

Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija? 

Derthni plumba, o shqiptarë, 

Gjakn’ e Nënës për të marrë. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Cilët bij të trathëtuan, 

Dhe të doqnë dhe të shuan, 

Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë, 

Pa fole, pa zog, pa shpatë? 

Këta qena, o shok’ i mbytni, 

Mbushni gjylet që t’i shtypni. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Sa kërkon e sa të duhen? 

Burrat nga detyra s’ndruhen! 

Trim’ i mirë do të japë, 

S’kursen jetën as paratë; 

Hithni, hithni tok dollarë, 

Të mos mbetemi të sharë. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë. 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Do të ndihim pa kursyer,

Për ty, Nëna jon’ e vyer, 

Që me drit’ e nder të thurresh, 

Dhe me bijt’ e tu të mburresh. 

Cila Nënë lyp paranë? 

Cilët bij me shpirt s’i dhanë? 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Armë dhe fishekë mblithni, 

Qesen edhe shpirtin hithni: 

Për lirin’ e vëndit t’onë, 

Sot, se nesër është vonë. 

Jepni, Nënën të shpëtoni, 

Komb e vatra të nderoni. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Boston, 25 Maj, 1917. 

Kjo poezi dhe nxitja e fuqishme, që përcillte gazeta “Dielli”, bënë mrekullinë. “Dielli”, për të nxitur rekordmenët, që udhëhiqnin garën, shkruante me shkronja të mëdha në faqen e parë: 

“Plumbi goditi në shenjë. Rekordin e mori Ali Kuçi”… Një punëtor nga Worcester, pasi kishte hedhur në shportën e fushatës aq dollarë, sa kishte në xhep, kishte thënë: “Ah, i mjeri unë, nuk kam të tjera!”… Hoqi xhaketën e trupit dhe e hodhi në shportën e ndihmave kombëtare duke thënë: “Ndoshta u bën punë!”

Kur u mblodhën shumat për të gjitha degët, askujt nuk i shkonte ndër mend, se do të mblidhej ajo shumë. Ata punëtorë, që rropateshin 12-14 orë punë në ditë dhe merrnin 8-9 dollarë në javë, ia kishin dalë që të mblidhnin jo 40 mijë, sa kishin shpresuar, por 150 mijë, që, krahasuar me kursin  e sotshëm, janë miliona. Ditës historike të 3 qershorit i kushtoi një poezi me 70 vargje edhe vjershëtori Ramiz Harxhi, që e lartësonte këtë ditë, si ditën e shpëtimit të Shqipërisë.

                  NDËSHKIMI…

Shqiptarët e Amerikës, ata të Kandasë, madje dhe kolonia e shqiptarëve të Argjentinës, iu përgjigjën bujarisht thirrjes së Vatrës. U mblodh jo vetëm shuma e kërkuar nga Dr. Turtulli, po gati  katërfishi i saj. Asnjë vatran nuk mbeti jashtë fushate. Fryma e garës i nxiti degët e individët, kush e kush të jepte më shumë.

Pikërisht, ata punëtorë, që kishin lënë familjet për të rregulluar ekonominë, që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë, që merrnin 8-9 dollarë në javë, që flinin bashkë 10-12 veta në një konak për të kursyer pak dollarë, bënë mrekullinë për shpëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët e Amerikës i dhanë çdo gjë Shqipërisë dhe nuk kërkuan kurgjë. Shumë nga këta patriotë as që mundën të shkelnin tokën e Shqipërisë, ndërsa një pjesë u kthyen për t’i shërbyer Shqipërisë dhe u dënuan si armiq nga diktatura komuniste!! 

Kolë Tromara, kryetari i Vatrës, që hartoi thirrjen e shpëtimit, – u pushkatua nga diktatura komuniste; 

Bahri Omari, editori i “Dielli”-t, frymëzues për fushatën, u pushkatua; 

Aqif Përmeti, që përgatiti trupat vullnetare të Vatrës, duke i udhëhequr edhe në rrugëtimin e tyre nga Amerika nëpër Shqipëri, që, në kohën e fushatës ishte anëtar aktiv i Komisionit, u ndëshkua me plumba; 

Kolë Rodhja, anëtar i fushatës dhe botues i gazetës “Vullnetari” u burgos, siç ishin burgosur edhe bashkëthemeluesit e tjerë tëVatrës si: 

Kristo Kirka, ish kryetari dhe editori i “Dielli”-t, Aqile Tasi e të tjerë.

Të ndëshkohesh, se shpëtove Shqipërinë?!!

Shkruan vatrani Petro Ktona në Misionin e Federatës “Vatra”: 

“Emigracioni i ri le t’u jetë mirënjohës këtyre shqiptarëve, le t’i respektojë për patriotizmin dhe të kaluarën e tyre dhe të mos shikojë influencën politike, që kanë pësuar nga rrethanat e kohës. I gjithë Kombi duhet t’i jetë mirënjohës VATRËS. Këta janë të gjithë patriotë shqiptarë.”

Shuma prej 150 mijë dollarësh ka qenë e mjaftueshme për të mbajtur delegatët në Konferencën e Paqes (jo vetëm të Vatrës), për të dërguar ambasadorë në kryeqytetet e ndryshme të Evropës dhe për të përballuar protestat e shumta të shqiptarëve, peticionet, dërgimin e kablogrameve, shtypin, dhe të tjera shpenzime të nevojshme për një ndërmarrje kaq të madhe organizuar nga “VATRA”. Kjo sakrificë e vatranëve ndihmoi shumë në shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku i copëtimit.

Ali Kuçi, vatrani shpirtbujar, që pat kryesuar kryesinë e Pleqësisë së Vatrës në PA, (Ali Kuçi ishte kryetari i pleqësisë së Vatrës në Pennsylvany, që shënoi rekordin e fushatës me 680 dollarë, para tij rekordmen ishte Banush Fetah, që pat shënuar rekord me dollarë) la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri, nën thirrjen e Fan S Nolit “Të bëjmë Shqipërisë”. Madje, ai ngriti edhe një fermë të tipit amerikan në Shqipëri. Nuk u kthye më në Amerikë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, i mbrujtur me parimet e Demokracisë Amerikane, ndihmoi këdo, që luftonte për liri. Përkrahu edhe partizanët, edhe nacionalistët, por, menjëherë pas lufte, ai u arrestua dhe iu kërkua që të jepte llogari, “pse i kishte ndihmuar ballistët”! Asnjë fjalë për kontributet, që u kishte dhënë partizanëve. Shpirti i tij i lodhur nga torturat fizike të trupit, u shua në qelitë e hetuesisë së Beratit. Ky ishte shpërblimi për kontributin, që kishte dhënë ai si prijës i fushatës (mbajti rekordin deri në fund si dhuruesi i shumës më të madhe)…dhe i pesëmijë vatranëve të tjerë, që nuk kursyen asgjë për shpëtimin e Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: 3 qershor, dalip greca, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • 242
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT