• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPANJA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SHTETIN IBERIK

May 5, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Profesor Arben Merkoçi, drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoshkencës e Nanoteknologjisë  në  Barcelonë, Spanjë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Sipas Profesor Arben Merkoçit, qeveria spanjolle në përgjigje të krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 ngriti një grup të veçantë qeveritarë dhe ekspertë për ti dhëne zgjidhje situatës nga pikëpamja epidemiologjike, klinike etj. U bë një mobilizim të jashtëzakonshëm duke filluar nga pajisja e shpejtë e spitaleve me materiale që mungonin e deri tek ngritja në një kohë rekord e spitaleve të përkohshëm. Spanja mbylli kufijtë e vendit dhe e të gjitha aktiviteteve jo jetike/thelbësore dhe shumë hotele dhe mjedise të tjera u shndërruan në spitale si dhe u bë grumbullim urgjent i materialeve sanitare. Shteti spanjoll nxiti dhe financoi projekte urgjente shkencore e teknologjike për ti ardhur në ndihmë luftës ndaj COVID-19.   

SITUATA NË SPANJË

Sipas të dhënave të gazetës “La Vanguardia” të datës 3 maj 2020, numri i personave të infektuar nga virusi SARS-CoV-2 ka arritur në 217.466, numri i personave që kanë humbur jetën deri tani është 25.264, numri i personave të shëruar është 118.902. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 164 persona ndërkohë që dje ky numër ishte 276. Ky është numri me i vogël i humbjeve te jetës në një ditë që nga Marsi. 

MASAT E MARRA NGA QEVERIA SPANJOLLE

Qeveria spanjolle mori një seri masash për përballimin e situatës së pandemisë. Sikurse ndodhi edhe në shume vende të tjera ajo që bëri qeveria spanjolle ishte ngritja e një grupi të veçantë qeveritar (me disa ministra) si dhe një grupi ekspertesh për ti dhëne zgjidhje situatës nga pikëpamja epidemiologjike, klinike etj. Përveç masave ekonomike dhe ato të sigurisë shumë të nevojshme për një situatë pandemie, e ngjashme me atë të një lufte. Pati një mobilizim të jashtëzakonshëm duke filluar nga pajisja e shpejtë e spitaleve me materiale që mungonin (situata ishte shumë e papritur) deri tek ngritja në një kohë rekord e spitaleve të përkohshëm për të përballuar numrin shumë të lartë të të sëmurëve. Nga masat më të rëndësishme ka qenë padyshim mbyllja e kufijve të vendit dhe e të gjitha aktiviteteve jo jetike/thelbësore. Nga ana tjetër u morën një seri masash për distancimin social dhe ju dhanë këshilla të vazhdueshme popullsisë nëpërmjet të gjitha mjeteve të komunikimit masiv. Qeveria spanjolle nxiti apo urdhëroi edhe institucionet shtetërore dhe private qe ti përgjigjeshin urgjentisht me ndihma kësaj situate. Pati edhe hotele dhe mjedise të tjera që u shndërruan në spitale si dhe grumbullim urgjent i materialeve sanitare që ndodheshin në shumë sektorë të tjerë për t’ju vënë në dispozicion spitaleve. Shteti mori gjithashtu masa të rëndësishme ekonomike për të ndihmuar sidomos biznesin e vogël dhe të gjithë atë pjesë të popullsisë të prekur nga papunësia e papritur. Një masë tjetër shumë e rëndësishme e shtetit dhe shoqërisë spanjolle ishte dhe nxitja dhe financimi i projekteve urgjente shkencore e teknologjike për ti ardhur në ndihmë luftës ndaj COVID-19. Në këtë kuadër edhe instituti ku unë punoj, Instituti Katalan i Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Barcelonë, vuri në dispozicion pjesë të projekteve në shërbim të kërkimit dhe zhvillimit shkencor të lidhur me COVID-19. Grupi që unë drejtoj është i angazhuar pikërisht në një projekt për zhvillimin dhe përdorimin e nanobiosensorëve për diagnostikime në lidhje me COVID-19.   

SHQIPTARËT NË SPANJË 

Me sa kam dëgjuar nuk ka pasur Shqiptarë të prekur nga pandemia botërore Covid-19. Jam në dijeni të ndihmës së vazhdueshme që tregon Ambasada shqiptare në Madrid për riatdhesimin e Shqiptarëve dhe ndihmën ndaj atyre që kanë pasur nevojë ndërkohë që janë ndodhur përkohësisht në Spanjë në këtë periudhe, për arsye të ndryshme.

E ARDHMJA DHE KTHIMI NË NORMALITET I SPANJËS

Pas katër javësh në një gjendje pothuaj alarmante masat e marra për distancimin/mbylljen e aktiviteteve e dhanë rezultatin e tyre. Kurba që tregon numrin e atyre që infektohen dhe humbin jetën çdo ditë nga koronavirusi është tashmë në rënie. Jemi në javën e shtatë të mbylljes dhe kjo tendencë e kurbës është e konsoliduar ndërkohë që numri i vdekjeve dhe infeksioneve të reja vazhdon por me një ritëm më të ngadaltë. Shteti spanjoll ka njoftuar dhe po vë në zbatim një plan mjaft rigoroz prej katër fazash për rihapjen e vendit. Ndryshe nga disa vende të tjera nuk ka data fikse për secilën faze pasi gjithçka mund të ndryshojë në funksion të vlerësimit rigoroz të situatës që do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme për të evituar çdo të papritur. Fazat kanë të bëjnë që nga fillimi i daljeve nga shtëpia, sipas moshave të ndryshme, për shëtitje, sporte e deri tek hapja graduale e aktiviteteve jo esenciale (sektorëve të ndryshëm të aktiviteteve ekonomike) e deri tek hapja e plotë. Kjo e fundit besoj do të jetë e lidhur / e varur edhe nga hapja e vendeve të tjera.

MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE SHQIPTARËT NË USA

Së pari do të doja të përgëzoja Gazetën Dielli dhe Shoqatën Vatra për punën e shkëlqyer që bën prej më se 100 vjetësh për të mbajtur pranë shqiptarët në Amerike dhe informuar ata në gjuhën Shqipe. Si për çdo Shqiptar, edhe për ne që jemi jashtë atdheut prej shume vitesh, pra edhe për lexuesit e Gazetës Dielli, jam i sigurtë që është kënaqësi të lexojmë në gjuhën tonë për gjithçka, për çdo vend dhe kështu edhe për Shqipërinë, tokat shqiptare dhe Shqiptarët kudo që ndodhen.  Ruajtja e gjuhës shqipe është ndoshta mesazhi më i rëndësishme që do të doja ti transmetoja lexuesve të Gazetës Dielli. Flituni gjuhën shqipe fëmijëve, nipërve dhe mbesave tuaja! Ruajta e gjuhës, ruajtja e identitetit është respekt për veten, rrit personalitetin dhe ndikon tek niveli i respektit që merr edhe nga të tjerët.  Ruajtja e gjuhës ndikon në lidhjen dhe forcimin e familjes, lidhjen me të afërmit kudo që janë, komunikimin e natyrshëm me ta, mos harrimin e origjinës dhe pse jo, bashkëpunimin me vendin e origjinës. Diaspora shqiptare ka një mundësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe kulturore për të ndihmuar apo ndikuar sado pak për çfarë ka nevojë Shqipëria, Kosova apo edhe zonat e tjera Shqiptare. Ruajuni nga virusi, qëndroni sa të mundeni në shtëpitë tuaja, dhe paçi shëndet të mirë të gjithë!

KUSH ËSHTË PROFESOR ARBEN MERKOÇI

Arben Merkoçi është aktualisht Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shipërisë, Profesor IKREA dhe drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin.Katalan te Nanoshkencës e Nanoteknologjisë i vendosur në Universitetin Autonom të Barcelonës në Bellaterra (Barcelonë), Spanjë. Pas doktoraturës (1991 ) në Universitetin e Tiranës, në fushen e Elektrodave Jono Selektive ( ISE) dhe aplikimin a tyre në analizën klinike dhe mjedisore, Prof. Merkoçi kreu studimet e Postdoktoraturës në disa qëndra të tjera hulumtuese evropiane dhe SHBA duke punuar në fushën e nanobiosensorëve dhe teknologjive të quajtura laboratorë në një çip. Kërkimi shkencor i Prof Merkoçit është i përqendruar në zbulimet dhe aplikimet e nanoteknologjisë dhe nanoshkences tek biosensorët. Nanobiosensorët që ai studjon janë bazuar në integrimin e molekulave biologjike me mikro/nanomateriale e biomateriale të tjerë. Ato gjejnë aplikim në diagnostikim, monitorimin ose mbrojtjen dhe sigurinë e mjedisit etj. Prof Merkoçi është Editor i revistës prestigjoze të Elsevier “Biosensors and Bioelectronics” më e rëndësishmja në nivel ndërkombëtar përkushtuar kërkimit shkencor, zhvillimit dhe aplikimeve të biosensorëve dhe bioelectronikës. Është anëtar i bordit editorial të revistave Electroanalysis, Microchimica Acta etj. Aktualisht Prof. Merkoçi është drejtuesi i Konferencës Onlinë që do të mbahet më dt.6 Maj: “Biosensowet për pandemitë” si një përgjigje urgjente e pandemisë COVID-19. 

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

MERITOJNE RESPEKT E MIRËNJOHJE

May 4, 2020 by dgreca

DHANE DASHURI NEPERMJET HUMANIZMIT TE TYRE, PRANDAJ 

MERITOJNE RESPEKT E MIRËNJOHJE/

… gjatë kësaj karantine spikatën më dëshirën e humanizmin e tyre, tre biznese restaurantësh, që zotërohen nga shqiptarët me banim në Filadelfia, dhe që e shtrijnë bisnesin e tyre edhe në Nju Xhersi.  Ata jane “AMICI Restaurant” me pronar z. Aleks (Astrit) Daku, “IL FIORE Restaurant “me vëllezërit Jashar e Hekuran Daku, si dhe Grupi i restauranteve “LA FONTANA Della Citta” e “LA FONTANA Coast” me pronar vëllezërit Gani e Bujar Daku dhe Rafael (Mefail) Kupa, “Caffe Ida” në South Philadelphia.

Nga Tajar Domi/*

Periudha e izolimit të pa precedent që kaploi mbarë botën, për tu mbrojtur nga sulmi i rrufeshëm i virusit vdekje prurës Covid- 19, angazhoi të gjitha shtetet e qeveritë e tyre, që të përcaktojnë e zbatojnë sa më shpejt masat në mbrojtje të njerëzimit. Gjatë kësaj lufte në vijën e parë të zjarrit, u panë të vendosen si kurrë më parë, personeli shëndetësor mjek e infermier, por edhe Qendrat e Institucionet shkencore më me zë në botë, të cilat po bëjnë përpjekjet e tyre për të përcaktuar ilacin efikas e vaksinën për tu mbrojtur nga ky virus i rrezikshëm. Por akoma këto përpjekje nuk kanë arritur në rezultatin e kërkuar. Për pasojë, bota numëron sot miliona njerëz të infektuar e disa qindra mijë jetë të humbura, numri i të cilëve vazhdon të rritet nga dita në ditë. Dhe cdo shtet raporton me dhimbje për qytetarët e vet. Shqiperia, midis tyre…, qeveria e së cilës me sa duket u tregua e qartë me masat e marra që në fillim të situatës së krijuar. Shpresojmë dhe urojmë që vendlindja jonë, të ndalojë në numrin e tanishëm të humbjeve, deri në kthimin e jetës normale. 

Amerika është duke përjetuar gjithashtu ditët pa jetë në rrugët e ambjentet e qyteteve të saj, qofshin këto edhe metropolet e mëdha. Kjo atmosferë ndjehet edhe në qytetin e Filadelfias, ku jeton sic dihet edhe një komunitet shqiptar me rreth 30 mijë persona.

Sigurisht që është folur e është shkruar cdo orë e cdo ditë, për situatën e rëndë të krijuar, shpesh duke qenë kritik për befasinë në të cilën u ndodh bota, pra edhe Amerika, nga ky sulm “biologjik” nëpërmjet covid-19. Vlen të theksohet për informacionet e përditëshme që zotërinjtë Dalip Greca e Ruben Avxhiu nëpërmjet gazetave “Dielli” e “Iliria” në Nju Jork kanë dhënë për diasporën shqiptare këtu në Amerikë, e për këtë duhen falenderuar.

 Në të njëjtën kohë, kjo periudhë ishte edhe ajo e afirmimit të vlerave të përgjithshme njerëzore të shqiptarëve nëpër botë, vecanërisht atyre humane, të aftësive intelektuale, konkurimit e punësimit të tyre në institucione e pozicione të rëndësishme që deri më sot nuk njiheshin. Kemi parë me kënaqësi në emisione televizive si dhe kemi lexuar artikuj të shkruar në media, për shumë mjek, infermier, farmacist, inxhinier, mësues, psikolog, shkencëtar, artistë etj shqiptar, që punojnë e renditen të barabarte tashmë në vendet e ndryshme të botës ku ata banojnë. Kështu edhe në Filadelfia. Jemi ndjerë krenar kur në këto ekrane si në Shqipëri edhe këtu në Amerikë, kemi parë bashkatdhetarët tanë të fushave të ndryshme të udhezojnë me profesionalizëm kapërcimin e krizës, të njohin veten me pozicionet e nivelet e arritura të punës këtu. Të tillë si Dr. Gentian Toshkëzi (neurokirurg), Ing. Lorenc Koka, Eris Cani, BS, PharmD, etj, me këshillimet e tyre i erdhën në ndihmë komunitetit shqiptar me gjuhën shqipe të folur apo të shkruar në këto media. Shumë të reja e të rinj, të punësuar në rrjetin spitalor në Filadelfia, kanë punuar cdo ditë në pozicionet e tyre si mjek e infermier, duke pas në cdo moment rrezikun e infektimit, por me dashurinë për jetën e tjetrit, kanë marrë me vete në cdo kohë edhe kënaqësinë e punës të  këtyre ditëve të vështira.

Ndërsa të tjerë nga bashkatdhetarët tanë, ishin të gatshëm për të ndihmuar e kontribuar me mundësitë e tyre, duke u ardhur në ndihmë njerëzve. 

Menjëherë shprehën dëshirën e gadishmërinë për të përgatitur maska bashkatdhetarët Telua Tashua (Alma Telushi), Arseda Buhali Mihali, Adelina Ina Uznova e Juli Llapushi, të cilat i dhuruan në spitalin Holy Redeemer – Filadelfia  për personelin e këtij spitali. Ishin ditët e para, kur maskat mungonin e një veprim i tillë ishte mjaft i mirë pritur.

Por gjatë kësaj periudhe, spikatën më dëshirën e humanizmin e tyre, tre bisnese restaurantësh, që zotërohen nga shqiptarët me banim në Filadelfia, dhe që e shtrijnë bisnesin e tyre edhe në Nju Xhersi. Ata jane “AMICI Restaurant” me pronar z. Aleks (Astrit) Daku, “IL FIORE Restaurant “me vëllezërit Jashar e Hekuran Daku, si dhe Grupi i restauranteve “LA FONTANA Della Citta” e “LA FONTANA Coast” me pronar vëllezërit Gani e Bujar Daku dhe Rafael (Mefail) Kupa, “Caffe Ida” në South Philadelphia. Nuk ishte hera e parë për to, të shpalosnin ndjenjat e tyre njerëzore, në situata të tilla ku të gjithë duhet të japim dicka nga vetja për të tjerët në nevojë, apo për komunitetin shqiptar në vecanti. Ata kanë hapur dyert e bisneseve të tyre disa herë, për grumbullimin e fondeve financiare duke i dhuruar për situatën e pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019 në Shqiperi, apo gjatë vitit 2018 në ndihmë të shoqatës Bijte e Shqipes, për blerjen e Qendrës së re social-kulturore, për situata fatkeqësish në komunitet etj. Ata janë dera e parë që hapet vecanërisht për punësimin e të rinjve që vijnë në SHBA, që sigurisht fillimi është i vështirë për to.  

Por këta bisnese, na bënë të ndjehemi krenar, vecanërisht gjatë këtyre javëve të izolimit, kohë gjatë së cilës mund të themi se ata punuan vetëm për të ndihmuar, për të dhuruar ushqimin e pergatitur të tyre, falas, kryesisht për moshat mbi 65 vjec e sidomos për njerëzit që punojnë në vijnë e parë të kësaj situate, për mjekët e infermieret. Me stafin dhe menaxherët e tyre Arjan e Enver Parllaku, Riza Ndreu, Arianit Domi, Luan Koka, Drilon Collaku, ishin gjithnjë në kërkim të ambjenteve spitalore, ku punohej për të mbrojtur jetë njerëzore. U panë të dhuronin dreka për  mbi 100 – 200 përsona secila , tek Jefferson Hospital – Filadelfia, Virtua Hospital on Marlton – NJ, Jefferson Hospital në Cherry Hill – NJ, Our lady of Lourdes Hospital Camden – NJ, Cherry Hill Police Department – NJ, Cape Regional Health System – Atlantic City, Cooper Hospital Marlton – NJ.  “Caffe Ida” u shërbeu me ushqim punonjësve të Policisë si dhe atyre të shërbimit shëndetësor në South Philadelphia. Ishin ditë tepër të ngarkuara për to, por që u jepte kënaqësi të madhe. U shkrua për këta bisnesmen shqiptar ndoshta jo të mëdhenj, por që falë zemrës së tyre të madhe u munduan tu japin jetë e kënaqësi të tjerëve, me ndihmat e tyre. U shkrua në gazetat e këtueshme në Filadelfia e Nju Xhersi, u pasqyrua edhe në ekranët e këtyre qyteteve, duke e vlerësuar veprimin dhe humanizmin maksimalisht. I pamë edhe në ekranet shqiptare, Top Chanel, Tv Klan, Zëri i Amerikës, ndërkohë që lajmi ishte i pasqyruar edhe në disa gazeta në Shqiperi. Ndjemë kënaqësi edhe në që jemi mbërthyer brenda ambjenteve ku rrimë, duke bërë një jetë detyruese për tu mbrojtur nga i ligu, që me pak pakujdesi mund të na rrëmbejë për të mos u kthyer kurrë. Edhe unë, që po shkruaj këto pak rreshta, kam si qëllim njohjen akoma më shumë nga bashkatdhetarët, të këtyre bisnesmenëve, që ndoshta jo për koincidencë i bashkon mbiemri Daku dhe Kupa. 

Të gjithë kanë ardhur nga zona e Kalase së Dodes dhe kanë lindur në të njëjtin fshat, në atë të Radomirës, që shtrihet në rrëzë të malit të Korabit. Në këtë zonë jeta ka ardhur gjithmonë me bukuritë dhe vështërsitë e veta, ku vështërsitë i kanë kalitur dhe bërë bashkë banorët. Duke sjellë në kujtesë thënien e popullit “Ku ka rrjedhur, do pikojë”, mua më shkon ndërmend edhe origjina jo shumë e hershme e këtyre djemve që synuan Ameriken në kohë e rrugë të ndryshme. 

Gjyshi i Astritit (dhe xhaxhai i Hekuranit), Selim Daku, një burrë i zgjuar që kurrë nuk i iku energjia derisa vdiq, officer pas të qenit partizan i luftes nacional-clirimtare, në punë të ndryshme drejtuese, por edhe “i rënë nga kali” sic ndodhte jo rrallë atëherë me burra të tillë.  Vetëm episodi i mëposhtëm mjafton për ta njohur atë: Kthehej nga puna, kur punonte si sekretar i Lokalitetit Sllove ne vitet ’60-të, e në rrugë takon punonjësin e ri të sigurimit që kishte marrë (shoqëruar) një banor të Radomirës për në degën e brendshme të rrethit. Ku e con, e pyeti Selimi sigurimsin? Ka bërë…, ju pergjigj ai. Ktheje në shpi dhe herë tjetër mos guxo të marrësh njeri nga ky fshat, i tha Selimi dhe e mori me vete bashkëfshatarin për në shpi. 

Gjyshi i Bujarit e Ganiut, Rrahim Daku, kishte emër në zonë ndërsa ishte i zgjedhur për shumë vite si kryeplak i Radomirës. Sic e mbaj mend unë, atij i kishte hije veshja, muhabeti e qëndrimi në krye të rreshtit të burrave të fshatit, bujar e me shpirt bisnesi.

 Ndërsa gjyshi i Mefailit, Bajram Kupa, një burrë serioz, i mencëm e punëtor. I doli zot Radomirës, në ditë të vështira të saj. Familje e madhe, me pasuri të konfiskuar nga pushteti i asaj kohe e kulak për disa vite. Por banorët e asaj zone kurrë nuk i ndanë nga votrat e tyre ata qe u ndëshkuan nga sistemi i diktaturës së djeshme, përkundrazi ishin bashkë në gëzime e hidhërime duke ndihmuar njëri-tjetrin. 

Të tria këto familje, kishin në cdo kohë nga pasuria e ndershme jo dhe aq madhe e tyre, për të dhuruar tek të tjerët në nevojë, dhe këtë e bënin si në raste festash, gëzimesh e fatkeqësish pa e kërkuar njeri, ashtu edhe kur dikush ishte në pamundësi e drejtohej për ta ndihmuar. Kjo vazhdoi edhe në brezin tjetër.  Pra prej tyre, prej ketyre familjeve të mëdhaja e të qenësishme, vijnë edhe nipërit që sot i japin shkëlqim vlerave të trashëgimisë së tyre familjare, dhe krenari shqiptarëve këtu në Filadelfia e kudo në diasporë. Sigurisht që sakrifica e tyre ka qenë e madhe për të ardhur deri këtu. Bujari u largua nga vendlindja në moshën 18 vjecare, duke thyer kufirin që në vitin 1989 kur akoma nuk kishte ardhur përmbysja e sistemit socialist në Shqipëri. Astriti, më vonë, fillimisht në Itali, e pas pak vitesh këtu në Amerikë. Po kështu edhe Rafa …, ndërsa Hekurani vjen pas disa vitesh qëndrim në Angli si emigrant. Të gjithë i bashkon lodhja e madhe, vështërsitë pa fund derisa kanë arritur në Amerikë, në mënyra të ndryshme por gjithnjë me rrezikun mbi kokë. Ndërsa sot janë qytetar të Amerikës, dhe gëzojnë me familjet ecurinë e suksesin në bisneset e tyre, duke mos harruar të kthejnë kokën pas për të kujtuar nga kanë ardhur. Në një intervistë për zërin e Amerikës, pronari i Amicit, Alex Daku , pyetjes se gazetares se cfarë ju shtyn juve për të dhënë këto kontribute, i përgjigjet midis të tjerave : “ …vij nga një familje që ka shprehur gjithmonë humanizëm, por në kujtesën time ruaj momentet kur arrita në Itali e nuk kisha asgjë me vete , ndërkohë që u gjenda në ndihmën e të tjerëve për ushqim e për punë. Prandaj akoma më shumë më është forcuar ndjenja për të dhuruar , vecanërisht si kjo periudhë izolimi, pasi mendoj se u jap kënaqësi shumë njerëzve, ashtu sic e merrja unë prej tyre kënaqësinë, vite më pare” 

Por ata, djemte e Radomires, duke vlerësuar të shkuarën e duke parë të tashmen, projektojnë edhe të ardhmen për më shumë arritje e kontribute.

Duke pas një histori të tillë, nuk kishte se si këta djem të qëndronin jashtë bashkimit e afirmimit të këtyre vlerave, prandaj u bënë anëtar e ndër mbështetësit kryesor të veprimtarive të gjithanshme atdhetare e kulturore të shoqatës “Bijte e Shqipes” këtu në Filadlelfia. Nga ana e saj kjo shoqatë, nuk mund të rrijë pa nxjerrë në pah e pa bërë të njohura këto vlera e kontribute. Ajo i ka vlerësuar e përshendetur vazhdimisht në mënyra të ndryshme, ashtu sic u veprua edhe këto ditë, kur këshilli drejtues i saj vendosi t’ju japë të katër bisneseve Certifikatë “Krenaria Shqiptare”, për kontributin e madh e humanizmin e treguar në kushtet e vështira të karantinimit nga virusi Covid-19, duke dhuruar ushqim falas. Ne mbyllje të këtij shkrimi po citoj nga ish presidenti amerikan John Kendedy thënien e mëposhtme: “Teksa shprehim mirënjohjen, ne nuk duhet të harrojmë kurrë se vlerësimi më i lartë nuk është ti shqiptosh fjalët, por të jetosh prej tyre”.

            Suksese të mëtejshme bisnesmeneve tanë zemër mirë dhe zoti i ndihmoftë në jetë!

Filadelfia, me 2 Maj 2020

*Me shume fotografi i gjeni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Meritojne mirenjohje

SUKSESI I GJERMANISË NË LUFTËN NDAJ COVID-19. ROLI I MJEKËVE SHQIPTARË

May 3, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e bashkëshortëve mjekë Dr. Learta Pervizaj-Oruqaj dhe Dr. Gani Oruqaj, të cilët punojnë në Giessen Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Gjermania është shteti evropian më i suksesshëm në luftën ndaj covid-19. Masa e menjëhershme të qeverisë gjermane dhanë sukses në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19, në mbrojtjen e popullatës së rrezikuar, rritjes së kapaciteteve mjekësore dhe uljen e numrit të vdekjeve në përgjithësi. Masat e ndërmarra në fillim ishin strikte, mirëpo më të lehta se në vendet tjera. Shoqërimi maksimal me jo më shumë se 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajtja e distancës prej 1,5m, mbajtja e higjienës personale, dezinfektimi në supermarkete, mbajtja e maskave në institucione shëndetësore, ndalimi i vizitave për të moshuarit, ndalimi i vizitave familjare tek të sëmurët në klinika përveç përjashtimeve të caktuara te fëmijët ose personat me nevoja të veçanta sipas bashkëshortëve mjekë Dr. Learta Pervizaj-Oruqaj dhe Dr. Gani Oruqaj dha një sukses të madh. Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani ka marrë një nismë që nga fillimi i pandemisë, si dhe ka mbledhur gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani nën një kulm për t´u vënë në shërbim të pacientëve shqiptarë përmes fushatës sonë në Facebook, krijimit të grupeve të punës dhe mjekëve në dispozicion për landet në Gjermani për konsultime rreth COVID-19. Personat të cilët kanë shqetësime rreth simptomave, mund të kontaktojnë mjekët në dispozicion të paraqitur në linkun e shoqatës në Facebook.

SITUATA NË GJERMANI

Aktualisht në Gjermani gjendja është në përmirësim e sipër. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 164478, numri i të sëmurve kritik është 2105, ndërsa i të shëruarve  129000, dmth. mbi 78% janë shëruar nga COVID-19, ndërkaq vdekshmëria ka një trend të vogël të rritjes rreth 4 %, ashtu edhe si pritej nga ekspertët e Institutit Robert Koch, por është shumë më e ultë në krahasim me vendet tjera të prekura. Numri i personave të shëndoshë që infektohen nga një person i infektuar është nën 1, i cili ishte edhe qëllimi i Institutit Robert Koch, pasi që dihet se një person i infektuar mund të infektojë 2-3 persona të tjerë. 

SUKSESI I MODELIT GJERMAN

Testimi i popullatës është shumë me rëndësi. Gjermania ka testuar deri tani mbi 2,5 milion, mbi 30000/1 milion banor, pacientë me simptoma apo persona të kontaktit. Ekzistojnë disa faktorë për suksesin e Gjermanisë, numër 1, mendoj që masat parandaluese ishin në kohë dhe vetëdijësimi i qytetarëve për të respektuar këto masa ishte në nivelin e duhur. Arsyeja numer 2, numri i testimeve është bërë tek njerëzit e grupmoshave më të reja, mosha mesatare rreth 49 vjeç, dhe kështu është shkëputur zinxhiri i përhapjes së infeksionit tek grupmoshat e rrezikut, si psh. personat me sëmundje kronike, sëmundje kardiovaskulare apo respiratore, sëmundje me imunitet të dobësuar, diabet, adipizitet apo me kimioterapi tek pacientet me tumore. Dhe numër 3, faktori kyç gjithashtu është përgatitja e sistemit shëndetësor duke rritur kapacitetet e veta, angazhimi i mjekësisë primare dmth. mjekësisë familjare përmes testimit të pacientëve me simptoma dhe karantimit të tyre pastaj, si dhe rritjes së kapaciteteve në kujdesin intenziv duke anuluar operacionet elektive, dhe duke ofruar personel shëndetësor shtesë dhe material shpenzues gjatë pandemisë.  

MASAT QË NDËRMORI SHTETI GJERMAN

Masat preventive të ndërmarra nga shteti gjerman kanë dhënë sukses në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19, në mbrojtjen e popullatës së rrezikuar, rritjes së kapaciteteve mjekësore dhe uljen e numrit të vdekjeve në përgjithësi. Masat e ndërmarra në fillim ishin strikte, mirëpo më të lehta se në vendet tjera. Shoqërimi maksimal me jo më shumë se 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajtja e distancës prej 1,5m, mbajtja e higjienës personale, dezinfektimi në supermarkete, mbajtja e maskave në institucione shëndetësore, ndalimi i vizitave për të moshuarit, ndalimi i vizitave familjare tek të sëmurët në klinika përveç përjashtimeve të caktuara te fëmijët ose personat me nevoja të veçanta. 

SHQIPTARËT NË GJERMANI

Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani ka marrë një nismë që nga fillimi i pandemisë, si dhe ka mbledhur gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani nën një kulm për t´u vënë në shërbim të pacientëve shqiptarë përmes fushatës sonë në Facebook, krijimit të grupeve të punës dhe mjekëve në dispozicion për landet në Gjermani për konsultime rreth COVID-19. Personat të cilët kanë shqetësime rreth simptomave, mund të kontaktojnë mjekët në dispozicion të paraqitur në linkun e shoqatës në Facebook. Unë kam pasur disa pacientë në konsultim, të cilët i kemi ndihmuar për diagnostifikim apo udhëzime të mëtejshme, në lidhje me masat që duhet marrur për pacientet në fjalë.

KTHIMI I GJERMANISË NË NORMALITET

Masat parandaluese kanë filluar për momentin tani të zbuten, mirëpo mbeten akoma në fuqi masat, si shoqërimi maksimal me 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajta e distancës prej 1,5 m, si dhe tani nga java e kaluar mbajtja e maskës së thjeshtë në vendet publike. Dyqanet deri në 800 m2 janë të hapura, përpos hoteleve dhe restauranteve të cilat do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë të pacaktuar. Rreth hapjes së shkollave ekziston një diskutim akoma se te cilat grupmosha duhet filluar mësimi, grupi i parë mendon që higjiena të nxënësit e shkollës së mesme do të ishte më e mirë dhe të fillohet me ato klasa njëherë, mirëpo nuk ka pajtueshmëri për momentin në mes të landeve dhe do të vendoset ashtu që secili land të marrë vendimin ndaras.  Pushimet dhe udhëtimet jashtë shtetit me gjasë janë të ndaluara deri në qershor ose korrik. Ndërsa, organizimet me numër të madh të pjesëmarrësve do të mbeten të ndaluara deri në verë. Nëse të gjithë bashkëpunojmë, mund të jetojmë të lirë, të vazhdojmë punën pa masa të rrepta dhe orë policore, dhe gjithashtu do të mund t´i themi Good bye COVID-19. 

E ARDHMJA E GJERMANISË

Kurba e të infektuarve tani është në rënie, ka gjithnjë e më pak raste të reja me COVID-19, shkaqet e vdekjes janë sigurisht pneumonia virale me shok septik, koinfeksion bakterial apo dhe distres akut respirator (ARDS), zakonisht te pacientët me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo imunitare. Fundi i pandemisë është i panjohur edhe për ekspertët në Gjermani, do të shpresohet në zbulimin e shpejtë të vaksinës, apo imunizim të personave përmes kalimit të sëmundjes. Trendi i paraqitjes së rasteve parashikohet të vazhdojë dhe për një kohë, apo në rastin më të keq do të ketë një valë tjetër të pandemisë, gjatë sezonës së dimrit. Vaksina përveç që duhet të jetë efikase dhe e sigurtë, duhet testuar gjithashtu që të kalojë dhe testin e imunigjenitetit dhe të krijimit të antitrupave te personat e vaksinuar. Dhe këto tre faza testuese të vaksinës mund të marrin kohë 6-12 muaj. Përderisa, terapi specifike për virusin nuk ka ende, por vetëm medikamente në testim për të ndaluar futjen e virusit në qelizat alveolare, apo terapi antivirale dhe antiinflamatore, duke bllokuar interleukine të caktuara, si dhe studimi me Imunoglobuline nga personat të cilat kaluar sëmundjen. Remdesivir, nje bër i inhibimit të RNA virale ka treguar sukses në prognozën e sëmundjes.  Suksesi i disa tjerave medikamente në shumë studime është kundërthënës. Prandaj mbetet të shihet në grupe më të medha të studimeve për suksesin e tyre. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË USA

Mesazhi jone për lexuesit është, që të kenë durim në kalimin e pandemisë. Kujdes duhet shtuar distancimit fizik, prevenimit, higjienës personale, të shmangim kontaktet me personat e grupit të rrezikut, dhe vetëm kështu do të pengojme eskalimin e situatës dhe vetëizolimit tonë, pasi që institucionet e shtetit do të jenë të detyruara të marrin masa më të rënda, në rast të rritjes së numrit të të infektuarve, të cilat do të kishin vështirësuar edhe mëtej jetën e qytetarëve. Rregullat strikte preventive duhet të mbeten nëpër institucione shëndetësore si psh. klinika, shtëpi për përkujdesje të të moshuarve, si dhe duhet bërë rivlerësim i gjëndjes në mënyrë permanente. Institucionet tjera si shkollat, kopshtet e femijëve duhet t´i kthehen në mënyrë graduale normalitetit duke bërë rivlerësime të situatës kohë pas kohe.

KUSH JANË ÇIFTI I BASHKËSHORTËVE MJEKË ORUQAJ

Dr. Laerta Pervezaj Oruqaj.

Dr.sc. Learta Pervizaj-Oruqaj, Ka mbaruar doktoraturën në Justus Liebig Universität, Gießen në 2016. Masterin në Analiza bio-farmaceutike në Universitetin e shkencave të aplikueshme në Idstein Gjermani, dhe studimet bazë në Farmaci në Universitetin e Marmaras në Stamboll. Punon aktualisht si Postdoc në kërkime shkencore të distresit akut respirator-ARDS, të shkaktuar nga virusi Influenza. Instituti i kërkimeve shkencore për semundje infektive pulmonale, Universiteti Justus Liebig, Giessen.  Dr. Gani Oruqaj, MD, PhD është doktor i shkencave mjekësore, i cili ka mbaruar doktoraturën – PhD për sëmundjet e mushkërive përkatësisht fibrozën pulmonale në Justus Liebig Universität Gießen më 2016, është i specializuar në Biologji Molekulare dhe Mjekësi e Mushkërive (Molecular Biology and Medicine of the Lung Graduate Program), specialist i mjekësisë interne dhe urgjente, punon në Klinikën Universitare të Giessen, në pneumologji dhe kujdesin intenziv internistik te pacientët me Covid-19. 

Filed Under: Featured Tagged With: Mjeket shqiptar ne Gjermani, Sokol Paja

KRYETARI I VATRES FLET PER “BOTA SOT”

May 2, 2020 by dgreca

Elmi Berisha nga New Yorku: Milosheviqi kishte thënë, se Serbia nuk ka problem me shqiptarët e Kosovës, por me ata të Amerikës!

Nga Nefail MALIQI/

Me rastin e 108-vjetorin e themelimit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA”, gazeta Bota Sot ka zhvilluar nje bisede ekskluzive me presidentin e saj z. Elmi Berisha!

Shpeshere disa lidere kan abuzuar me fjalen “bodigard” pa bere asgje per kombin tonë.  Jo me fjale por me vepra duhet deshmuar veten. Nese vertete flasin per “bodigart” te kombit tone, jane shqiptaret e Amerikes ata qe meritojne kete epitet, te tubuar perreth “Vatres” qe sot drejtohet nga Elmi Berisha!

Berisha: Amerika ka mbeshtet gjithmone Kosoven nga gjitha qeveritë.. Ne Kosove, perkunde rpropgandes serbe,  atje ska shqiptar pro amerikan e antiameriken te gjithe jane me Amerikën!

Sot e para 108 vitesh po aq sa edhe sa lindja  e shtetit shqiptar, u lind shkëndija e parë, shpresa dhe dëshira e fuqishme e Shqiptarëve të Amerikës me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën me bashkëpunëtorët e tyre për të krijuar Federatën Pan Shqiptare të Amerikës me emrin e ngrohtë “VATRA” qe drejtohet sot nga veprimtari yne i shquar Ilmi Berisha, e cila i shërbente dhe po i shrebn me përkushtim Kombëtar nevojave dhe interesave të shqiptarëve.

“Vatra” duke i prire themelimit te shtetit shiptar (pak muj para shpallej se Shqipërise se pamvarur) deri në ditët e sotme ishte kujdestar dhe zedhenes e ceshtjes shqiptare ne ballkan ne SHBA permes bijvave dhe bijve tane ne Amerikë te ciklet bene dhe po bejne shume ne sensibilizimin e ceshtjes sone kombëtare ne arenen nderkombëtare.

“Une shprese se ne te ardhmen e afert shiptaret ne Amerike do te kene sentaor, kongresistr, sekrtar shetit, ps ejo nje dite edhe presidntin ta kemi shqiptare ne Amerike. Ketu ne Amerike kemi djemt dhe bjaza te zonja q ekane bere emer ne profesione te ndyrshme duke i dhne i mazh t emire kombit tone. Keta jane bijte dhe bijat tona nga Kosova, sqhiperia , Malii i Zi, Jana, Shkupi e Presheva te cilet me sukeseset e tyre mun dt’i quja ambasador te kombit tone. E them kete me plot bindje sepse shqiptaret ne Amerike e kane deshmuar veten si me integrime ashtu edhe me suksese e tyre te shumta jo vetem ne biznese por edhe ne politike, ku sot kemi shume politikaj e deputet ne komuna e qytete te ndryshme si dhe zyrtare te larte ne Shtepine e Bardhe..” ka thëne ne z. Ilmi Berisha ne biseden tone  per gazeten “Bota Sot”

Sipas tij “Vatra” eshte e te gjitheve dhe poltika te Vatres jane gjithkombëtare. Vatra ishte suporti kryesor në formimin e shtetit të parë shqiptar dhe shteti te dyte shqiptar Kosovës. Ne jemi veq ne filanilizim te nje politike strategjie mbarekombëtare e cila do te vazhdoje ne perfaesimin e intersave te popullit shqiptar. Vatra ne njefare menyre eshte sikur Uashngtoni qe nuk mbeshtet asnje parti politike, por ka pas dhe ka gjithmone perkrahje te te gjitheve ne Kosovë, pamvaresisht nga kundershtie apo ardhjet dhe shkuajrjet e qeverive. The shkurt Amerika ka mbeshtet gjithmone Kosoven nga gjitha qeveritë.. Ne Kosove, perkunde rpropgandes serbe,  atje ska shqiptar pro amerikan e antiameriken te gjithe jane me Amerikën! “

Berisha: Sikur te ishte gjalle presidenti yne Rugova nuk do te kishin ndodhe keto marrina, qe i qiten faqen e zeze Kosoves

I pyetur per zhvillimet e fundit ne Kosovë z.Berisha en vazhdim ka delaruar : “Tju them te drejten jo vetem se nuk jemi te kënaqur, por edhe shume jemi te zhgenjyer me qasjen dhe manovrimet politike te llidereve ne Kosovë ne kete kohe pandemie kur e tere bota eshte quar ne kemebe te shpetojen jeta te njerezve, kurse ata te shpetojne ose fitojnë karrigat?! Eshte turp kjo cfare po ndodhe sot vetem ne Kosovë. Besoj se sikur te ishte gjalle presidenti yne Rugova nuk do te kishin ndodhe keto marrina, qe i qiten faqen e zeze Kosoves. verq kesaj kjo cfare po dndohe diteve te fundit ne Kosove eshte nje mesdazh i keq per aletaet tane sidomos per Ameriken, ne vend qe te merren me luften kunder pandimise ata jane perqendruar ne luften per pushtet. turp. Ndryshe as krykrimineli Miloshevic nuk do te kishte thene se “Serbia nuk ka problem me shqiptaret e Kosoves, por problemin me te madh e ka me shqiptaret ne Amerike”, qe sigurish i paska rene ne vesh dhe qenka frikesuar nga refreni yne tashme i njohur: Neno moj  mos ke frike se ke djemt n’Amerikë…” ka thëne presidenti i Vatres  z.Berisha.

Duke folur rreth numrit te shioptareve ne Amerike z.Berisha ka shtuar se” Mendohet qe sot ne Amerike te jen jo me pak se nje milion shqiptare sot ne Amerike se bashku me arbereshë dhe te tjeret si ata nga Kosova, Shqiperia, Maqedonia, Malisija, Sanxahku,  ata nga e dhimshja Qamrija dhe Lugina e Preshevës. Mos te harrjme se 90% e shqiptarve nga Mali I Zi jan jasht kufive shqiptare!

Veq tjerash deklaratat e Miloshevecit se  “Serbia nuk ka problem aq me shqiptaret e Kosoves, sa me shqiptaret ne Amerike”,  ne njefare menyre sot po dalin fjalet  e tij, se lideret kosovare te cilet Kosoven e kane sjellur ne kete gjendje, permes marrevshjeve misterioze me presidnetin serb Aleksander Vucic, duke shkaktuar kriza te vazhdueshme politike ne vend qe keto eneregji te  grindjeve, perqarjeve, polemikave, letrave te perditshme qe tashme jane bere edhe monotone, te cilat edhe kane lodhur popullin tone.. Due perkujtuar fjalet e Milosheviqi kishte thene, se Serbia nuk ka problem me shqiptaret e Kosoves, por me ata te Amerikes, mjafton te pramendim ketu shume veprimtar, sikur ai nga Medvegja Jim Xhema i cili ju hapi dyer ne Shtëpine e Bardhe ne Uashington për shqiptaret e Kosovës

“Sikur lideret e Kosoves qe po hargjojne energji per keto manovirme politike dhe znka koti qe po shkojne ne mulliri serb, t’i shndrronin ne pune, bashkepunim dhe lobim ne favor e ceshjes se Kosovës dhe kombit tone nepergjithesi duke sensibilzuarate ne arenen nderkombetare per integrime evropiane dhe euroatlantike, sigurisht sot Kosoven do ta kishim anetare te BE-se, OKB-së, NATO-s, Interpolit, UNESCO-s  dhe organizat tjera boterore..” ka thene ne fund presidenti i “Vatres” ne SHBA z.Ilmi Berisha për gazeten kombëtare Bota Sot.

Filed Under: Featured Tagged With: Bota Sot

NEW YORKU, I LEHTËSUAR NGA MAKTHI I KORONAVIRUSIT…

May 1, 2020 by dgreca

TË GJITHË SINJALET DËSHMOJNË SE NEW YORKU ËSHTË LEHTËSUAR NGA MAKTHI I KORONAVIRUSIT, POR BETEJA S’KA MBARUAR/

-Sot Spitali Javits Center në Manhattan bëri përgatitjet e fundit për t’i mbyllur dyert…Të Enjten, anija COMFORT la New York-un pasi kreu misionin; spitalet janë kthyer në normalitet, numri i viktimave kanë shënuar minimumin e shifrave. Në fund të tunelit po duket drita…

-Prej dy ditësh radhazi New Jersey shënon më shumë viktima se sa New Yorku.

Spitali i përkohshëm i Ushtrisë amerikane në Qendrën Jacob K. Javits në Manhattanin perëndimor është mbyllur të Premten pas trajtimit të afro 1100 pacientëve.

Media e New York-ut e dha lajmin të konfirmuar nga një zëdhënës i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Pacientët e fundit në qendrën spitalore dolën të shëruar ndërsa pjesa e mbetur u transferua në spitalet e tjerë. Në fakt deri të premten në mëngjes atje kishin mbetë rreth 10 pacientë.

Më shumë se 1,094 pacientë u trajtuan në këtë qendër spitalore të përkohshme. Spitali i improvizuar, me 1.000 dhoma në pjesën perëndimore të Manhattanit u hap në fund të marsit.

Pajisjet mjekësore vitale dhe furnizimet e tjera në Javits Center dhe tre objektet e tjera të përfunduara – përfshirë ato në kampuset e Universitetit Stony Brook dhe Universitetit Shtetëror të New York College në Old Westbury në Long Island – do të mbeten në vend, për të qenë të gatshëm për të pritur pacientë në rast se ka një valë të dytë të COVID-19.

Stafi ushtarak në Javits Center është planifikuar të largohet nga Manhattan nga fillimi i javës tjetër.

Spitali fushor i ngritur në Central Park me kapacitet 68 shtretër mund të mbyllet në fund të javës së ardhshme.

Sinjali tjetër i lehtësimit të qytetit nga makthi i Koronavirusit është dhe përfundimi i misionit nga Spitali lundrues i Marinës, anija Comfort, e cila u largua nga qyteti të enjten, e përcjellë me nderime nga zyrtarët dhe NYPD.

Duket se New Yorku është lehtsuar nga makthi i koronavirusit. Vala e egër Koronovirusit ka kaluar, por beteja nuk ka mbaruar, aq më shumë po të marrim në konsideratë paralajmërimet e rikthimit. Gjithësesi nuk do të jetë si makthi që kaluam. COVID-19 nuk është më fare i panjohur, një përvojë u fitua, pavarësiht kostos së lartë dhe jetëve të humbura. Plagët që shkaktoi do të duhen kohë të mjekohen. Njerëzit e dashur që shkuan,nuk mund të kthehen më. Fatkeqsisht shumë prej tyre ikën pa”Lamtumirë”. Shumë nipër e mbesa mbetën pa gjyshër. Ikën dhe mosha të reja. Jeta e gjithësecilit ka ndryshuar thelbsisht. Njerzit kanë mbetur me trauma në shpirt.

Por nëse “bisha” e padukshme kthehet spitalet dhe personeli mjeksor janë të përgatitur, ventilatorët nuk do të mungojnë, maskat dhe dorshkat gjithashtu.Në pritje të vaksinës, administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka miratuar ilaçin kurues që ka rezultuar efektiv në mjekimet e bëra në spitale. 

Presidenti Donald Trump deklaroi se udhëheqësi i kompanisë Gilead, ka premtuar se do të dhurojë një milion shishe të ilaçit, remdesivir. Zëvendës Presidenti Pence njoftoi se ilaçi, i cili është krijuar fillimsiht për trajtimin e Ebola-s, do të shpërndahet që të hënën. Ilaçi ka dhënë efekte progressive dhe është eksperimentua në disa spitale në vende të ndryshme të botës.Veprimi i remdesivir zvoglon ditët e shfaqjes së simpotmave të koronavirusit nga 15 në 11…

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të prekurit nga COVID-19, me 1 milion 126 mijë 432 të infektuar(Vetëm të Premten u raportuan 31 mijë e 409 të infektuar të rinj), ndërkohë që edhe për viktimat mbanë vendin e parë me 65 mijë e 598 (Gjatë ditës së Premte u raportuan 1 mijë e 742 të vdekur). Edhe për numrin e të shëruarëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë vendin e parë me 160 mijë e 179 të rikuperuar, ashtu siç mbajnë vendin e parë edhe për testimet duke testuar deri tani 6 milion e 668 mijë e 458 persona.

New Yorku nuk mbanë më peshën e rëndë të ditëve të më parshme si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për viktimat ditore. Guvernatori Cuomo u tregua opitmist gjatë konferencës së shtypit të Premten tek përmendi dhe shifrën e ulët të viktimave në 24 orshin e fundit, por ai paralajmëroi se nuk ngutet që t’i japë fund mbylljes së New Yorkut, veçanërisht për Big Apple. Ulja e kurbës, tha ai, e ka burimin edhe tek distancimi dhe mbyllja. Ai sërish deklaroi se distancimi social dhe puna e madhe e ët gjitëhve atyre që e parballuan betejën, kanë bërë të mundur që të mbajnë larg spitaleve rreth 100 mijë njujorkez, të parashikuar se do të prekeshin nga COVID-19.

Gjatë së Premtes guvernatori u mor gjatë edhe me procesin mësimor të këtij viti akademik dhe mbajtjen mbyllë të shkollave.

Guvernatori Cuomo urdhëroi të premten që të gjitha shkollat ​​në New York do të mbeten të mbyllura për pjesën tjetër të vitit akademik dhe paralajmëroi që mësimi tradicional në klasë mund të mos kthehet në kohë për semestrin e vjeshtës, pasi kriza e koronavirusit vazhdon të shkatërrojë shoqërinë.

Duke folur gjatë konferencës së tij të përditshme për COVID-19 në Albany, Cuomo tha se ekipi i tij kishte përcaktuar se nuk ka asnjë mënyrë për të rihapur shkollat ​​para se të përfundojë semestri më 26 qershor.

    Po si janë shifrat? Gjatë ditës së Premte New Yorku regjistroi vetëm 289 viktima(nga 306 të Enjten), duke e çuar shifrën e përgjithshme në 24 mijë e 69, ndërkohë që të infektuarit e rinj e kaluan shifrën 3 mijë, duke regjistruar gjithsej 315 mijë e 222 të infektuar. Fqinji i tij, New Jersey prej dy ditësh regjistron më shumë viktima; sot u raportuan 310 të vdekur(nga 458 të Enjten), ndërkohë që u shënuan 2 mijë e 388 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm është 118 mijë e 652).

Massachusetts regjistroi 157 viktima mes së Enjtes dhe të Premtes, duke e çuar numrin e përgjithshëm të jetëve të humbura në 3 mije 562, Ilinoisi raportoi 140 të vdekur(numri i përgjithshëm i viktimave 2 mijë e 355, California 90(numri i përgjithshëm 2 mijë e 14), Pannsylvania 187(numri i përgjithshëm 2 mijë e 541, Michigani 119(numri i përgjithshëm 3 mijë e 789, Florida 50 të vdekur gjatë së premtes, Teksasi 33, Louisiana 60, Connecticut 89, Georgia 34, Maryland 62, Ohio 38, Indiana 49, Virginia 30, Minnesota 24 etj…

Përgatiti: Dalip Greca

New York, 1 Maj 2020.

Filed Under: Featured Tagged With: New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT