• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES

December 30, 2019 by dgreca

Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh librin/

Daniel GAZULLI – Fritz RADOVANI/

Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!/

Ia kushtojnë, Autorët./

Dhjetor 2010./

Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007/

                Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani, 2010./

JETA DHE VEPRA E

AT GJERGJ FISHTËS OFM.

ASHT  PËRGJITHMONË:

MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR!

30 Dhetor 1940…

Nalt nga qielli zbret një Engjëll e bie tue përplasë Flatrat  e Tij…

          Asht Flamuri i Shqipnisë, që mbulon Fytyrën e Poetit tonë Kombëtar…

          E bashkë me Te… vorroset edhe Ai, ndoshta përgjithmonë….

Themi përgjithmonë, mbasi atë ditë nuk u vesh vetëm Shkodra, Malet e fushat e saja me të zeza, po u vesh gjithë Shqipnia, tue hy në zi të pafund të vitit 1941…

Plot 70 vjet ma parë! Kur Shqiptarët menduen se një zemër e madhe pushoi së rrahuni, pikërisht prej asaj dite Ajo vazhdoi me gufue ma shumë se kurrë, për t’ i ndejë fjalës së dhanun:

          Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue,

          Edhe në vorr me t’ përmend kam.

E kjo, me siguri, asht arësyeja që At Gjergj Fishta, vazhdon mos me u prehë në vorrin e vet!

Me mbarimin e luftës, re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyrë kulisash serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta edhe yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:

          Ndërtue kishte ‘i pomendore,

          rr’fe as mot mos m’e dërmue.

Nuk mund të shkatrrohej vepra e Tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej Ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat katilë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: Ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin e zymtë shqiptar të letrave.

          Dhe ja, yjet e rralluem kanë zanë përsëri vend në Panteon.

          Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 70-vjetorin e vdekjes.

Që ky komb ynë i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’ i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e botës mbarë; duhesh dituni, pa të cilën asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjellat, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse pakufi të Tij.

Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar, Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e randë osmane, nga një gjumë vërtet vdekjeprues. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.

Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte përjetësisht në gji Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’ i jepte  Atdheut në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, Apostullin e Lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, e ndoshta i lanun në harresë me dashje, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo përreth ku gjendet “gjaku ynë i shprishur.”

Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë mizore”, që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 23 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e Tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.

Po Zoti nuk do kurrë  me e humbë Truellin e Kastriotit të Madh…

E n’ ato gërmadha të braktisuna, Ai i Lumnueshmi, dërgoi një djalë me emnin Zef…Kur ishte 9 vjeç, porsa Françeskanët kishin çelë në Troshan një shkollë, ndër nxanësit e parë ishte edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.

Një studjues dhe adhurues i Popullit Shqiptar, At Lavro Mihaçeviq, pikërisht Ai profesor i Kolegjit Françeskan të Troshanit, ishte që zgjodhi dhe çoi në Bosnje për studime At Gjergj Fishtën dhe At Shtjefen Gjeçovin. Më 1886, Zefi 15-vjeçar asht në Bosnje për të vazhdue ma tej studimet. Atje filloi me marrë nektarin e dijes…

Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa ishte gjallë.Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes mureve të Kuvendeve të Guçjagorës e të Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.

Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe e ditunisë.

Kurse më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:

          qielli i kaltër, toka e blerë,

          njeti dimën, këtu pranverë …

Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: Kishte rrahë botën në mërgimin e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi. Abati do të bahej udhëheqësi shpirtnor e kulturor jo vetëm i Tij, po edhe i shumë klerikëve të tjerë.

Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, At Shtjefen Gjeçovin, Dom Ndre Mjedën. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun i “Bashkimit”, e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh që shkelqej në gjithë Shqipninë.

Image result for gurakuqi, mjeda dhe fishta"

Luigj Gurakuqi, At Gj. Fishta dhe Don Ndre Mjedja, 1923.

Image result for Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit Shkodër"

Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit Shkodër.

Arkitekt At Gj. Fishta. Foto Marubi 1935.

Kuvendi Françeskan ishte kthye në berthamë të një qendre të studimeve albanologjike. Krahas shërbimeve fetare, ata banin edhe jetë shkencore sikur të ishin në një institut të mirëfilltë studimor. Shoqnia “Bashkimi”, e  ma vonë edhe revista “Hylli i Dritës”, ishin monumenti që ndërtoi Akademia Françeskane.

Që në nisje të veprimtarisë së Tij poetike, pedagogjike, gjuhësore, publiçistike, ende nën sundimin otoman, At Fishta u kosiderue menjëherë Apostull i Shqiptarisë, por me një vizion përveçse thellësisht kombëtar, kryekëput edhe përendimor dhe europian.

Aty ku vuni kambën e zbathun të fratit t’ Asizit, vështroi me kujdes dhe përvetësoi me saktësi nga goja e popullit frazeologjinë e tij, që arrijti me e njohë si pak kush para e mbas Tij dhe e vuni në punë ma aq mjeshtri, sa rrallë kush mundet me lidhë fjalën me psikologjinë e popullit të vet, për me lanë në thesarin e kulturës sonë kombëtare kryevepren e letërsisë shqipe, “Lahuta e Malsisë”, e cila ngërthen 15.563 vargje ndër 30 kangë. Krijimtaria poetike e botueme e At Fishtës kalon 50.000 vargje.

Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës françeskane më 1861. Asht ky një çast në jetën e Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:

Kur në shkollë zbutun shqiptari,

N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën

E me dije të ket kapun ai punën,

Shqipnisë fati do t’i çilet taman.

Duen apo nuk duen disa, Ai na mësoi të gjithë Shqiptarëve me shkrue e me lexue në Gjuhën Shqipe. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, po një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, grindje, mni e ngatrresë, për atë gjuhë që ishte:

          Porsi kanga e zogut t’ verës,

          Që vallëzon n’ blerim të prillit;

          Porsi i ambli fllad i erës,

          Që lëmon gjinjtë e drandofillit:

          Porsi vala e bregut t’ detit,

          Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,

          Porsi ushtima e një tërmeti,

          Ashtu asht gjuha jonë Shqiptare!

Melbourne, 29 Dhjetor 2019.

Filed Under: Featured Tagged With: At Gjergj Fishta, Fritz radovani

LEK PREVIZI: VATRANE, GEZUAR VITIN E RI 2020!

December 29, 2019 by dgreca

Viti 2020 qofte i mbare e me suksese per ju dhe gazeten e lavdishsme historike DIELLI, qe vazhdon te ndrise mbi boten shqiptare. Ju lumte e rrofshi !/

Te nderuar miq Vatrane,/


Urime ! 

Gezuar Festat funvjetore, dhe posaçerisht Vitn e Ri, qofte i mbare e me suksese per ju dhe gazeten e lavdishsme historike Dielli, qe vazhdon te ndrise mbi boten shqiptare. Ju lumte e rrofshi !Ne jemi (une me miq te mi)  disa te mrekulluar  qe i shptuam termetit te diktatures komuniste, tashma ne pleqeri te shtyre, por me zemer te re per lavdine e perparimet e Attdheut ,  Shqiprise sone te dashur, dhe te Kombit Shqiptar. Me aq sa kemi fuqi, shendet e dije,  mundohemi te hedhim nje fjale te mire, per lartesimin   e Kombit tone dhe per historine e tij te lavdishme ne shekuj e mijavjeçare. Kjo eshte detyra jone e perbashket dhe kesaj detyre ju ti qendroni te vendosur gjithmone. Me gjithe keto fjale te mira, s’ka dyshim se na dhemb zemra per katastrtofen e termetit, me shprese se Shqiperia e shqiptaret te dijne te bashkoheh per sherimin e plageve e shkaterrimev qe ka shkatuar. Jeta ecen perpara, dhe ne jemi te bindur se Shqiperia do ta marre veten nga kjo fatkeqesi, dhe nga fatkeqesite e tjera, siç ishte termeti i tmerrshem i diktatures komluniste, qe s’duhet harruar, e qe plaget qe ka lene jane akoma te hapura  per ata qe e perballuan me sakrifica njerezore me vujtje, tortura e mundimle te papershkrueshme. Zoti qofte me ne sikur ka qene gjithmone qe kombi yne perballoi stuhite e shekujve dhe ruejti identitetin e tij me krenari e dinjitet. Gezuar Vitin e Ri 2020   me arritje e sukses te reja ! Me respekt: Lek Pervizi 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar Vitin e Ri 2020, Lek Previzi

VATRA ËSHTË KRIJUAR NJË HERË MË 1912 DHE NUK MUND TË RIKRIJOHET

December 27, 2019 by dgreca

— …Mund të formohen organizata në shërbim të çështjes kombëtare, po Vatra është një e pandarë, Kombëtare dhe demokratike dhe me dt 19 Janar 2020 shkon në Kuvendin e saj me një bilanc suksesesh dhe me bindjen, se si në të kalumen e suksesshme,si në të tashmen e sukseseshme do të vazhdojë në misionin e saj në shërbim të çështjes kombëtare.

– Mirë u takofshim në Kuvendin e Vatrës me dt 19 Janar në Teqen e Baba Rexhepit, fole e shqiptarizmës!

Nga Lek MIRAKAJ/*(me shume foto gjeni ne Facebook dielli vatra

Një ribotim shumë i vlefshëm dhe domethënës.Më pak se një vit më parë të gjith këta vatran e patriotë e ndjenin vehten të nderuar kur vlerësoheshin për kontributin e tyre në shërbim të çështjes kombëtare.Asgjë nuk ka ndryshuar,vetëm se aktiviteti i Vatrës ka qenë edhe më i vazhdueshëm. Kujtojmë promovimin e librave të ish të përndjekurve politikë: si libri i Dine Dines ,Visar Zhitit, shkrimet e Fritz Rodovanit, Evgjen Merlikës e sa e sa të tjerve. Pjesmarja e organizuar në Paradën e komunitetit në përkrahje të çështjes Çame. Demonstrata e organizuar nga kryetari i bijve të shqipes Marko Kepi me kryetarin e Vatrës Dritan Mishto para Misionit Grek në përkrahje të popullsisë Çame.Pjesmarja e organizuar ne Washington DC,në përkujtimin e revoltave të burgosurve në burgun e Spaçit e Qafe Barit, apo protesta para Shtëpisë së Bardhë….Vendosja e kontakteve direkte me Departamentin e shtetit dhe kohët e fundit përcjellja e promemorjes së ish pronarve drejtuar qeverisë amerikane, ku Vatra e konsideroi vehten si bashkëautore. Nëse do të vazhdonim me arritjet që Vatra ka pasur gjatë këtij mandati, lista do ishte shumë e gjatë.Vatra është krijuar në vitin 1912 dhe nuk do rikrijohet, mund të formohen organizata në shërbim të çështjes kombëtare, po Vatra është një e pandarë, Kombëtare dhe demokratike dhe me dt 19 Janar shkon në Kuvendin e saj me një bilanc suksesesh dhe me bindjen, se si në të kalumen e suksesshme ,si në të tashmen e suksesshme do të vazhdojë në misionin e saj në shërbim te çështjes kombëtare.Vatra është e të gjithve. Le të kontribojmë të gjithë me aq sa kemi mundësi, që Vatra ta vazhdojë misionin që i lanë të parët trashëgim.Mirë u takofshim në Kuvendin e Vatrës me dt 19 Janar në Teqen e Baba Rexhepit, fole e shqiptarizmës.

* Lek Mirakaj, ish i burgosur politik, iu bashkua Vatrës sapo erdhi në SHBA në fillim vitet ’90. Ai mbetet një nga anëtarët më akitiv të Këshillit të Vatrës, për gati 3 dekada. Ky koment është bërë në fb në faqen dielli vatra, ku editori i gazetës DIELLI solli në kujtesë festimin e 106 vjetorit të Pavarësisë, ku Vatra nderoi disa prej vatranëve me kontribut në Fedearatë, dhe së bashku me vatranët festuan edhe anëtarët e Autoritetit të Dosjeseve të ish Sigurimit të Shtetit.

***

Lexoje nje pjese te kronikes qe percolli kete event te Vatres.

VATRA, MIRËNJOHJE PËR MË TË MIRËT*

Vatra kishte përzgjedhur disa nga figurat e saj të njohura për t’i nderuar në përvjetorin e 106-të të Pavarësisë së Shqipërisë si dhe disa prej organizatave të komunitetit, që janë dalluar për qëndrime dinjitoze në prezantimin e çështjes kombëtare në SHBA.
Kush ishin ata?
Grupi i parë i nderuarëve me mirënjohje ishin të përzgjedhur vatranë që kanë më shumë se 50 vite anëtarësi të shkëlqyer në Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe që janë dalluar edhe si qytetarë shembullorë amerikanë.
I pari ishte përzgjedhur një vatarn i kahershëm i anëtarësuar në Vatër që në vitin 1968. Ai është bir i një familje të ndruar nacionaliste mirditore, familje antikomuniste, anëtar i degës së Vatrës në Michigan, Kujtim Qafa, i cili edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetsore kishte kishte sakrifikuar, duke udhëtuar 13 orë me makinë për të qenë në këtë manifestim të Vatrës.Mesazhi i Kujtimit ishte i qartë: Të jemi të bashkuar, të mbështesim kryetarin e Vatrës dhe ekipin e tij dhe ta mbajmë Vatrën në lartësinë e kohës. Unë tha ai, jam republikan me bindje, kam votuar gjithmonë për republikanët,por kur shkoi në Shtëpinë e Bradhë demokrati Obama, e mbështeta atë si shumica e amerikanëve sepse shumica e amerikanëve votuan për të. Kështu edhe në Vatër,mandatin në Kuvend e ka fituar kryetari Mishto.Le ta mbështesim atë dhe të shkojmë përpara….
Lista e të nderuarëve ishte e gjatë: vatrani i kahershëm Lumo Cungu, u nderua me të njëjtën motiv-50 vjet në Vatër dhe u shpall vatran i përjetshëm. Me të njëjtin motivacion, por pas vdekjes, u nderua Mustafë Elezi. Më pas Ndrecë Gjergji, me zë të dridhur nga emocioni falenderoi Vatrën për nderimin, duke e shpallë vatran të përjetshëm. Po në këtë grup ishte dhe një tjetër vatran, Vasel Ujkaj prej Michigani-edhe ai- vatran i përjetshëm.Mirënjohja iu dorëzua kryetarit Mondi Rakaj.
Tek të nderuarit e mbrëmjes ishin përfshirë edhe tre anëtarë të kryesisë së Vatrës; sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, arkëtari i Vatrës-Marjan Cubi dhe kryetari i degës së Queensit Dr. Skënder Murtezani. Nga Këshilli i Vatrës ishin përzgjedhur për t’u nderuar Uk Gjonbalaj dhe Ahmet Hoti.
Nga komuniteti,Vatra kishte veçuar për të nderuar me mirënjohje,Televizionin Kultura Shqiptare, Adem Belliu, Shoqatën Rugova, Këshillin Shqiptaro-Amerikan me president artistin Haxhi Dauti dhe Shoqatën Albanian American Open Hand Association me president Aleksandër Nilaj.
Ndër individët e nderuar ishin përzgjedhur: Marash Mrnaçaj, i cili në krye të familjes antikomuniste arriti të arratisej nga Shqipëria, bashkë me pleq, fëmijë e bagëti, dhe gjatë të gjithë jetës, së bashku me familjen e madhe Mrnaçaj,u shqua në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare, ndërkohë që i biri i tij, Nika, u përjetësua si martir i Demokracisë. Në emër të Marashit, Mirënjohjen e mori, vëllai i tij, Pjetër Mrnaçaj, i cili me fjalë zemre falenderoi Vatrën dhe u bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës ta mbështesin Vatrën dhe të bëhen pjesë e festave të tilla.
Pëllumb Lamaj ishte përzgjedhur prej Vatrës për qëndresën e tij antikomuniste në burgjet e diktaturës komuniste, për veprimtarinë e tij në mbështetje të çështjes Kombëtare, si një zë i fortë kundër ringjalljes së komunizmit dhe denocues i krimeve të diktaturës e promovues i figurave nacionaliste.
Falenderimin e tij Pëllumb Lamaj e bëri përmes një fjale të shkurtër dhe interpretimit të një poezie e shkruar prej tij.
Gjeto Ivezaj ishte një ndër të nderuarit me Mirënjohje prej Vatrës si intelektual dhe veprimtar i dalluar për çështjen kombëtare. I veçantë për mbështetje të Vatrës, për suportin e artistëve shqiptar dhe promovues i kulturës Kombëtare në SHBA, ishte përzgjedhur Demë Balidemaj.
Imzot Noli, Ati i Kishës Autoqefale Orthodokse në SHBA dhe bashkëthemeluesi i Vatrës, thoshte se Vatrën e mbanë gjallë anëtarësia e thjeshtë, ata që japin gjithçka për Vatrën. Katër nga të thjeshtët e zgjedhur për t’u nderuar nga Vatra ishin: Ilir Spata, Naim Gjeleshi, Arif Mata dhe Shpëtim Ndreu.
Ndër zonjat e nderuara nga Vatra gjatë mbrëmjes, e cila u duartrokit gjatë, ishte ,bashkshortja e anëtarit të Këshillit të Vatrës Valentin Lumaj, veprimtar i njohur për fe e Atdhe, – nëna shembullore e pesë fëmijëve, mësuesja e dalluar, zonja Merushe Lumaj.
Janë befasuar përfaqësuesit e familjes Drishti, kur kryetari i Vatrës Dritan Mishto, ka shqiptuar emrin e prindërve të tyre, Bahri e Zylfie Drishti, të cilët rritën fëmijë shembullorë, u lanë trashëgim gjuhën e bukur shqipe dhe kulturën kombëtare. Ishte veçuar për t’u nderuar nëna e tyre e mirë, Zylfie Drishti, e lindur në Tropojë, e shkolluar në Kosovë. Bijtë e Zylfies dhe Bahrisë, oficerët e policisë, Eddi dhe Arbeni, mbetën pa fjalë tek falenderuan Vatrën. Eddi ka folur shqip dhe ka përcjellë mesazhin: Bashkathdetarë, i sillni fëmijët dhe nipërit tuaj në këto festa të shkëlqyera të Vatrës nëse nuk doni që ta humbni identitetin kombëtar.Faleminderit Vatrës!( Mirënjohjet u dhanë gjatë darkës së Flamurit. Më gjërësisht shihni Diellin e printuar Faqe 22-23)

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra eshte krijuar njehere

ZHVILLIM I PAPRITUR NË SEANCËN KONSTITUIVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS

December 26, 2019 by dgreca

Speciale e Diellit nga Prishtina/

-Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca propozohet nga lideri i partisë Albin Kurti për kryetar Kuvendi dhe zgjedhjet edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e jo nënkryetarja e saj Vjosa Osmani, e cila në negociatat për bashkëqeverisje LVV-LDK  ishte përmendur si kryeparlamentare e ardhëshme. Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës erdhën pa marrëveshje dy partitë fituese të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 LVV e LDK/

-Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (LVV), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) e Fikrim Damka (komunitetet tjera/

-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti i akredituar në Kosovë Behlul Jashari – raportim nga Kuvendi i Kosovës

PRISHTINË,  26 Dhjetor 2019/ Një zhvillim i papritur ndodhi sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Por, zhvillimi i sotëm i papritur në Kuvend e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.

Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër, edhe pse kjo paraqet problem nëse do ishte shkelje e Kushtetutës së Repubilikës së Kosovës, e cila në Nenin 95 nuk është krejt e qartë se si duhet të procedohet nëse i nominuari i parë për kryeministër i partisë fituese të zgjedhjeve nuk arrinë të ketë votat e duhura për t’u zgjedhur.

Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 4 Kushtetuta  përcakton se  “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i 

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës 

Procedurë”.

Neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i plotë është ky:

“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për 

Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e 

nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.  

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet 

përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 

3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të 

Kuvendit të Kosovës. 

4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i 

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës 

procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall 

zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria 

bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin 

që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 

 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet 

me ligj.”

Në seancën e sotme konstituive, me 75 vota për, kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës u zgjodh deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (Vetëvendosje), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) dhe Fikrim Damka (komunitetet tjera)

 Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit ka shënuar sot edhe konstituimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Zgjedhjes së kryetarit dhe Kryesisë së re i parapriu verifikimi i kuorumit dhe mandateve të deputetëve, nga komisioni i përkohshëm i themeluar nga Kuvendi, si dhe më pas betimi i deputetëve.

Nga Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh 111 deputetët e pranishëm dhanë betimin në seancën e kryesuar nga deputeti më i vjetër Jahja Kokaj dhe deputetja më e re e kësaj legjislature, Fjolla Ujkani.

Në vazhdim, konform rendit të ditës, u procedua me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetar të Kuvendit propozoi deputetin Glauk Konjufca, për të cilin 75 deputetë votuan për, 27 ishin kundër dhe 6 të tjerë abstenuan.

Pas këtij votimi kryesuesi konstatoi se kryetar i Kuvendit zgjidhet Glauk Konjufca.

Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shqiptare. Në pako për nënkryetarë të Kuvendit u votuan Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Në votim morën pjesë 111 deputetë, prej të cilëve 104 votuan për, 1 ishte kundër dhe 3 abstenuan.

Lista Serbe propozoi deputetin Sllavko Simiq, ndërsa deputeti Fikrim Damka u propozua nga komunitetet e tjera pakicë.

Të propozuarit morën besimin e 92 deputetëve, ndërsa 2 të tjerë votuan kundër dhe 2 abstenuan.

Pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mbajti një fjalë rasti, gjatë të cilës falënderoi të gjithë ata që mundësuan themelimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 “Ne qysh në fillim duam t’ju falënderojmë që e themeluat Legjislaturën VII. Ju falënderojmë që na besuat këtë detyrë të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi. Ne ju garantojmë që si Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kryejmë detyrat tona ashtu siç kërkohet, me shumë nder, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës sonë që është në fuqi. I falënderojmë ambasadorët e pranishëm në këtë seancë themeluese të Kuvendit dhe të gjithë mysafirët të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre”, theksoi ndër të tjera kryetari i ri i Kuvendit.

 Kryetari Konjufca falënderoi gjithashtu edhe qytetarët për besimin, përderisa njoftoi për mbylljen e punimeve të seancës konstituive të legjislaturës së re dhe paralajmëroi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të merret vendimi kur do mbahet seanca vijuese.

DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët. I nxisim udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do ti përmbushë mandatin e votuesve. Ne mezi presim që të bashkëpunojmë me qeverinë e re në çështjet urgjente që kanë të bëjnë me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi I ri, Zhvillim I papritur

Krishtlindja, meshë solemne në Katedralen Shën Nënë Tereza

December 25, 2019 by dgreca

“Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte Mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit tw Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 25 Dhjetor 2019/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2020-tën e 21 vjetorit të Lirisë e të 12 vjetorit të Pavarësisë.

Mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar para dy vitesh në 5 Shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

 “Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit Gjergji duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020.

Katedralja ishte përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Programi kremtimit në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi. 

Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt  Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00, mbahet mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kremton meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Mbrëmjen e sotme në orën 18:00 nbahet Mesha e Shenjtë në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 Dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 21-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para  11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Krishtlindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 285
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT