• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PETRIT SKËNDE MBLODHI SHQIPTARËT E USTERIT

October 30, 2018 by dgreca

1 fuati grupore

Nga Fuat Memelli/*1 fuati1Është hera e dytë që brenda një viti mbledh dardharët dhe miqtë e tyre në qytetin e Usterit të Amerikës, i ndjeri Petrit Skënde. Herën e parë na mblodhi në kishën shqiptare” Fjetja e Shën Mërisë”në qytetin e Usterit,  kur i dhamë lamtumirën në muajin shkurt të këtij viti. U mblodhëm përsëri të dielën e fundit të tetorit në sallën e kësaj kishe, por këtë herë për të parë dokumentarin “Njeriu i shkencës dhe i dijes”, kushtuar fizikantit të shquar dhe intelektualit të kompletuar, Prof. Petrit Skëndes. Ishte një dokumentar i bukur i realizuar nga TRSH “Korça”me skenariste gazetaren e këtij institucioni Erjona Pambuku, operator Alban Mborjen dhe montazhier Pirro Gjatën. Për realizimin e dokumentarit grupi realizues pati mbështetje nga drejtori i  RTSH Korçës, Muharrem Meko. Veprimtaria u çel me një përshëndetje nga dardhari, Sotir Minolla, shok fëminie i Petritit, për t’ja lënë më pas vendin dokumentarit. Me gjuhën filmike, u shpalos figura e Petrit Skëndes në “stacionet” e ndryshme të jetës së  tij, që nga fëminia në Dardhë, nxënës i shkollës së 7 vjeçare të Sinicës, i gjimnazit “Raqi Qirinxhi” Korçë, student i shkëlqyer në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pedagog aty, kontributi në fushën e naftës në zbulimin e vendurimeve të saj me metoda radioaktive, shef sektori e më pas nën drejtor në Institutin e Fizikës Bërthamore, nën kryetar i Akademise së Shkencave, etj. Kujtime të bukura sollën vëllai i tij Koli Skënde që jeton në Dardhë,  bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, Prof. Doktorët Aleko Minga,  Kostandin Dollani, Fatos Ylli dhe Betim Çuçi. Ishin intervista jetësore, plot mbresa dhe konsiderata për Petritin. Gazetarja Erjona Pambuku, me një përvojë 14 vjeçare në radion dhe televizionin e Korçës, autore e disa telereportazheve dhe emisioneve në këtë institucion, kishte gjurmuar  fakte e dokumenta aty ku ka punuar Petriti si dhe në vendlindjen e tij në Dardhë. Një ndihmesë të veçantë me foto i ka dhënë skenaristes, dardhara e përkushtuar për vendlindjen, Adriana Stefani, të mara nga arkivi të jatit, fotografit të njohur, Niko Stefani.  Mësuam nga dokumentari se Petriti kishte punuar rreth 10 vjet edhe në një kompani të njohur amerikane.

Folën për vlerat e dokumentarit dhe për Petritin, Vaskë Bruko, Klodi Melka, Franklin Zdruli, Andrea Pani, Fato Murraj, ndërsa Adriana Stefani, e cila jeton në Kanada, kishte dërguar një përshëndetje të bukur e cila u lexua aty. Ndër të tjera folësit theksuan se ne si dardharë kujtonim se e njihnim Petrit Skënden, por nga dokumentari mësuam edhe vlera e kontribute të tjera . Mësuam edhe për oratorinë  e tij jo vetëm kur jepte leksione në Universitet por edhe më vonë në vitet e punës, në takime brenda e jashtë Shqipërisë. Mësuam edhe për hartimet e bukur që bënte. Komunikimi i tij shkencor dhe i rrjedhshëm, i cili ishte edhe në disa gjuhë, bindi institiucione të rëndësishme të huaja, siç ishte edhe Qendra e Studimeve Bërthamore në Vjenë, që të jepnin mbështetje në aparatura si dhe  kualifikime për stafin e Institutit të Fizikës Bërthamore. Autori i këtij shkrimi kishte thuruar shpejt e shpejt disa vargje për Petritin dhe i lexoi atë mjedis . Ja disa nga këto vargje:

PRTRIT SKËNDES

………………………………

Një film sot na mbledhur

Ardhur që nga larg

Qëndisur aq bukur

Me dashuri e art.

Në atdheun që e riti

Plot gjurmë Petriti la

I thjeshtë ai mbeti

E gjoksit nuk i ra.

Prehet sot i qetë

Tok me plot dardharë

Veç shpirti ka ikur gjetkë

Të prehet larg, në Dardhë…

Me veprimtaritë e hërëpasherëshme që organizon Shoqata Dardhare  “Bleta” në qytetin e Usterit, i cili  prej 100 e ca vjetësh është bërë atdheu i dytë i dardharëve, mban gjallë jo vetëm dashurinë për vendlindjen, gjuhën shqipe si dhe zjarrin e dashurisë për atdheun. Ajo është bërë kështu edhe një model i komuniteteve shqiptare në Amerikë.

  • PER ME SHUME FOTOGRAFI SHIHNI NE FACEBOOK (dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Fuatt Memelli, na mblodhi, Petrit Skende, Uster

LULE DHE MIRENJOHJE NE 25 VJETORIN E AAWO

October 29, 2018 by dgreca

5 valle masive

1 ada dhe BetiNGA MARJANA BULKU/*

1 motrat tek shkallet25 vjetori i krijimit të Albanian American Women Organization “Motrat Qiriazi” AAWO mblodhi këto ditë në Manhattan qindra shqiptaro-amerikanë, ambasadorë të misioneve tona diplomatike nga Shqipëria e Kosova; Besiana Kadare dhe Teuta Sahatçija ,kongresmeni Eliot Engel dhe Patricia M .Engel.VatraCouncil Member Mark Gjonaj, Ariel Palitz, (NYC Nightlife Mayor,cityof New York) ,aktivistë dhe mjaft personalitete të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikanë të Federatës Panshqiptare Vatra.Ishte një mbrëmje ku 25 vjetët e punës dhe përkushtimit, vullnetarizmit dhe kontributeve do të nderoheshin me mirënjohje dhe vlerësime për humanitarizmin , arritjet jetësore, lidershipin, si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite. Dy himnet , performuara bukur e me mjeshtëri nga tenori Riad Ymeri çelën këtë mbrëmje duke e bërë edhe më të ngrohtë atmosferën .

Mbrëmja u hap përmes një fjale të shkurtër ku presidentja e AAWO Beti Beno  në mënyrë të përmbledhur bëri një paraqitje të asaj çka AAWO ka arritur në këtë gjysmëshekull përmes iniciativave,
programeve,workshopeve , ndihmave medicinale , bursave dhe se çfarë kjo organizatë do mund të bëjë më tej duke e bërë edhe më të fortë zërin e grave , bijave dhe motrave tona në funksion të civilizimit të familjes, komunitetit.
Dr .Anna Kohen ,Esmeralda Mosko,Dr.Shpresa Xhakli  në fjalët e tyre përshëndetëse në këmbim të vlerësimeve theksuan se çmimet janë përgjegjësi e përbashkët pasi gjithçka që ato kanë mundur të realizojnë do ishte e pamundur pa mbështetjen e komunitetit.
Mjaft emocionues ishte dokumentari që Vera Belliu dhe Albanian Culture Tv kishin realizuar enkas për këtë event.
Materialet e hershme filmike të regjistruara dhe transmetuara nëpër vite nga
drejtuesi i ketij televizioni Adem Belliu,ku
ngjarjet , personazhet,intervistat ,festimet  janë përmbledhur bukur përmes një video përshëndetjeje konceptuar mrekullisht.
Në një jubile të tillë vlerësimet janë jo vetëm mirnjohje dhe falenderim por edhe lutje e ftesë që këto kontribute të nxitin dhe frymëzojnë të tjerë në mënyrë që solidariteti dhe humanizmi, ruajtja e kulturës dhe gjuhës të trashëgohen nëpër gjeneratat pasardhëse. Ndaj edhe nuk munguan nderimet për aktivistët e spikatur të komunitetit shqiptaro-amerikan që e kanë mbështetur misionin dhe punën e AAWO- as sistematikisht, Harry Bajraktari, Fadil Berisha, Sergio Bituçi, Lou Fundos, Georgio Kolaj, Edward Toptani ,Esq, Isidoros Tsamblakos ,Esq, Kumrie Selimaj, Albert Fundos.
Nuk munguan edhe vlerësime për mbështetjen që ia ka rritur qasjen dhe profilin në publik AAWO ndër vite dhe këtu spikat televizioni Albanian Culture me producent Adem Belliu si një kanal mediatik që ka ndjekur në progresivitet të gjitha veprimtaritë e AAWO në këto 25 vjet.
Nderohet gjithashtu Illiria Newspaper Vehbi &Gena Bajrami, publisher.
VATRA, the Pan-Albanian Federation of America, Albanian Yellow Pages me Ismer Mjeku, gjithashtu nje vlerësim special shkoi për Albana Krasniqi për shpëtimin e jetës së fëmijëve shqiptarë
Mjaft mirë u pritën edhe vlerësimet meritore të cilat kanë zhvilluar edukimin e gjuhës shqipe në diasporën amerikane ku u nderua Shkolla Shqipe “Alba Life” me drejtues Kozeta dhe Qemal Zylo si dhe Children of the Eagle -Albanian American Dual Language &Culture School me Drita Gjongecaj.
Sabita Ballo, Kino Gira u vlerësuan për mbështetjen permanente financiare dhe kulturore në shërbim të AAWO.
Beqir Sina u vlerësua gjithashtu për punën e palodhur si gazetar .
Falenderime dhe vlerësime shkuan gjithashtu për Shqipe Malushin e cila me përkushtimin dhe punën e saj të palodhur në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan zë vend të veçantë në kujtesën e tyre.
Netë të tilla vlerësimesh dhe nderimesh na bëjnë të reflektojmë mbi aktet tona të përditëshme, se sa të paharrueshme bëhen ato kur i shërbejnë qëllimeve që nën një kujtesë të tillë falin kaq shumë tekst dhe nëntekst e mbi të gjitha përcjellim dashuri për Njeriun.
AAWO motrat Qiriazi u krijuan 25 vjet më parë mbi historinë shqiptare të Parashqevi dhe Sevasti Qiriazit të cilat konsiderohen si nëna të civilizimit, edukimit dhe diplomacisë duke kontribuar e lënë gjurmë në historinë tonë e cila na bën më europianë se kurrë kur e prezantojmë veten përmes Vlerash të cilat edhe të ftuarit amerikanë që ishin prezentë nuk mund të mos i vinin re .E nën këtë llogjikë ishte edhe fjala mbresëlënëse e Mrs .Patricia M.Engel e cila nuk e fshehu aspak kënaqsinē që mori nga ky nderim dhe vlerësimin për komunitetin shqiptaro-amerkan që rritet përmes vlerash.
 *Per te pare fotografie suoni ne Facebook (dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Lule dhe Mirenjohje, Marjana Bulku, ne 25 vjetorin e AAWO

Përkushtimi shpirtnor i një artisti

October 28, 2018 by dgreca

10 Autori i shkrimit me Pjerin Sheldinë

Kushtue mjeshtrit të pikturës Pjerin Sheldija/

2 AutoportretNga Pjetër Logoreci/*3 Burgosja e besimit

Si e gjithë Shqipnia edhe Shkodra ka shumë vende që mahnisin nga bukuria çdo kalimtar, vizitor apo turist të huej që (janë të shumtë). 3 Burgosja e besimit

Një qytet unik, ku në pak kilometra katrorë gjinden: liqeni, tre lumej e deti ku derdhen ujnat e tyne, si dhe parajsa e bjeshkës të virgjër. E ndër këto mrekulli, një nga objektet ma të vizituem e ma pikantë të Shkodres është Katedralja e Sh’Shtjefnit, e cila të emocionon me bukurinë e madhështinë e saj. E çlirueme nga kangjellat rrethues shekullorë, sheshi dhe krejt hapsinat për rreth Kishës së Madhe (kështu e thërrasin shkodranët), të shtrueme me gurë të latuem e pllaka cilësore, të hijeshueme me bimësi e gjelbrim, të duken si gjerdan argjëndi. Ambientet, muzeu, sallat, fushat sportive, krijojnë për të gjithë ngrohtësi e përkujdesje sociale si dhe mjedis modern e çlodhës. Në çdo kohë të ditës, por sidomos në buzëmbramje, burra, gra e fëmij, ulen ndër stolat e lulishtes, për të ndrrue biseda apo meditue në heshtje, nën hirin e madhështinë e Katedrales. Fëmijë të shumtë, të aktivizuem ndër projekte e lojna të ndryshme, i japin gjallni e sharm atmosferës.

Ndërsa i ndalun po shijojshe pamjen para mejet, i tërhequn nga vështrimet kurioze të disa njerzve të mbledhun te dera e auditorit Mikel Koliqi, vendosa të afrohem aty e të “hjedh një sy”. Pamja që m’u shfaq ishte befasuese.

Mbi një skelë rreth një metër naltësi, në veshje të thjeshtë pune, në mes ngjyrash e penelash, piktori shkodran Pjerin Sheldija po pikturonte mbi nji telajo stërmadhe (7.5 x 3m) një tablo masive, me shumë personazhe e figura impresionuese, që të egërsuem, po hidhnin gurë mbi një viktimë i cili qindronte i pambrojtun në mes të turmës. Hyra në sallë, e pa bëza u vodha në cepin tjetër tuj kundrue e tuj fotografue piktorin gjatë punës. Nga lëvizjet e trupit e nga shprehjet e ftyrës, më dukej sikur mjeshtri po bisedonte me figurat, sikur donte t’i mbushte mendjen që mos ta vrisnin viktimen.

Ishte një kompozim i piktorit, vrasja me gurë e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Krishtënimit. Mbi 30 figura të vizatueme mbi copë, ku nëpermjet dinamikës e shprehjes së ftyrave të tyne, mjeshtri kishte arrijtë të nxirrte në pah karakterin personazheve e të zberthente idenë e tablosë. Piktorin Pjerin Sheldija e njihja nëpermjet pikturave të tij, nga një vizitë qi pata ba ma parë në Kishen e Shën Mërisë në Laç Vau të Dejës, e cila ishte e zbukurueme me piktura murale kishtare të mjeshtrit Sheldija. Në një çast pushimit, gjeta rastin të bisedoja me piktorin, i cili më impresionoj me mendimin dhe interpretimet e tabllove të tij, për të cilat e pyeta.

Pak fjalë mbi jeten dhe vepren e piktorit Pjerin Sheldija.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodres (afër shpisë së Pashko Vasës) me 9 korrik 1937, në një familje të njohun katolike e qytetare shkodrane.  Filloren e nisi në shkollën e Jezuitëve, ma vonë 11 Janari, e mandej në atë Ndoc Mazi. Qysh i vogël ai dha shejat e para të talentit për pikturë të cilën ja kultivoj ma ndej mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija (jo i fisit të tij), e ma vonë piktorja Nelda Gera që e pat drejtuese të rrethit të vizatimit në Shtëpinë e Pionierit në Shkoder, e cila e këshilloj që të ndiqte studimet për pikturë në Liceun Artistik  në Tiranë.

Mbasi mbaron shkollën fillore, për nevoja ekonomike familjare, Pjerini, punoj për një periudhë të shkurtë si mekanik pranë Fabrikës së Çimentos në Shkoder. Gjatë kësaj kohe hyni në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, të cilin e drejtonte piktori i njohun Vladimir Jani (i cili kishte studjue në Firence me mësuesin e famëshëm Feliçe Karena), që ka pasë ndikim të madh mbi piktorët shkodranë, si njeri dhe artist. Në këtë kurs pat shumë elementë të talentuem si Selim Bilali, Ferdinand Paci, Tefë Palushi, Rudolf Daka, Gjovalin Saraçi etj. disa prej të cilëve u banë ma vonë përsonalitete të artit e të kulturës kombëtare. Nga Vladimir Jani, kursantët e pikturës mësuen, përveç vizatimit, tekniken e aquarelit dhe të bojnave të vojit.

Përpara se me fillue mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativen e Fotografisë në Shkoder, që ishte i pari laborator shtetnor i këtij llojit, për të plotësue nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.

Në vjetin 1956, ai filloj mësimet në Liceun Artistik të Tiranës ku pat mësues Abdullah Eminin (Cangonji), Abdurrahim Buzën (drejtori i Liceut) në Pikturë e Skenografi, Kel Kodhelin në Përspektivë, Janaq Paçon e Kristina Hoshin në Anatonmi, Andrena Menon në Histori Artit, Sadik Kacelin në Pllakatë. Nexhmedin Zajmi, Shaban Hadërin e Guri Madhin në vizatim.

Me kryerjen e Liceut në vitin 1961 (me një nderprerje për të kryer shërbimin ushtarak), u  emnue mësues në Shkollen Pedagogjike të Shkoders. Gjatë periudhës së mesimdhanies ai punoj në disa shkolla të Shkodres si mësues vizatimi: në Shkollën Ndoc Mazi, Shkollën 10 Korriku, në Institutin e Lartë Pedagogjik (për ciklin e ulët). Kudo që punoi, krahas mësimdhanies së vizatimit krijoj dhe drejtoj rrethet e pikturës me nxanësit ma të përzgjedhur të shkollave, deri në vitin 1992 kur doli në pension. Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe të botonte punimet e tija (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës si: gazeten Jeta e re (gazetë e Shkodres), Mësuesi, Puna, Bashkimi, Revisten Shqiptarja e re, Revisten Ylli, Hosteni, ku ka marrë edhe çmime kombëtare. Në Konkursin Kombëtar të organizuar në 20 vjetorin e revistës Hosteni, ai meritoj çmimin e dytë.

Si të gjithë artistët, krijimtaria e Sheldisë në periudhën komuniste i asht përmbajtë në mënyrë të detyrueshme metodës së realizmit socialist, temave të kohës. Ai ka provue të lavrojë të gjitha llojet e gjinive, tue provue çdo teknikë, por kompozimi e terhiqte ma tepër, pa lanë mbrapa portretin, pejsazhin e natyren e qetë (influencë e mësimeve të Vladimir Janit).

Gjatë rinisë së tij, Pjerin  Sheldija, përveç se piktor ishte aktiv edhe si aktor dhe skenograf me teatrot amatore në Shkoder, shfaqje që viheshin në skenë nga shoqnitë e ndryshme kulturore si dhe Shtëpia e Kulturës.

Më duhet me përmendë një ekspozitë e vitit 1982, ku mjeshtri Sheldija merr pjesë me një punim me temë “Ngritja e flamurit me 1914 në Kështjellen Rozafat”, ku ndër atdhetarët që mbajten fjalën për flamurin, ishte dhe At Vinçenc Prendushi të cilin autori e realizoj si figurë civile, mbasi ju ndalue me e vendosë në tabllo si frat françeskan. Me ardhjen e demokracisë kjo pikturë u ripunue dhe At Prendushi shihet aty, si klerik, me petkun e fratit. Sot kjo vepër ndodhet në Vatikan.

Dalja e tij në pension qëlloi në ditët e rrëzimit të komunizmit në Shqipni. Tashti Pjerini pat ma shumë kohë në dispozicion për t’ju kushtue plotësisht pikturës, por kësaj herë pikturës  së lirë nga ndikimet partiake të realizmit socialist. Ai i filloj të punojë pa nderprerje në zbukurimin e objekteve të kultit të sapo hapuna rishtas. Që nga viti 1992, mjeshtri Pjerin Sheldija ishte i pari piktor në republikë që filloj të pasqyrojë në veprat e tij përsekutimin e klerit katolik, me të paren tabllo KRYQËZIMI I SHEKULLIT XX, të cilën ja dhuroj Kuvendit Françeskan në Shkodër. Për afro 25 vjet, me qëllim ringritjen e Kishave dhe dekorimin e tyne, mjeshtri shtegtoj  në shumë krahina të Shqipnisë, të Kosovës e Malit të Zi, ku gjet mirënjohjen e respektin e popullsisë kudo ku shkoj. Ai nuk kërkoj për punën e kryer asnjë herë shuma të mëdha shpërblimi edhe pse ishte punë voluminoze. Në fillim, në kushte të vështira ekonomike, ai pranoj çka famullia  kishte mundësi me pague, por 20 vitet e fundit, punën, kohen e mundin e tij ja ka kushtue Zotit tuj punue falas. Si shpërblim, me rastin e 70 vjetorit të piktorit, Provinca Françeskane në Shkoder, botoj një album ku përmblidhen të gjitha pikturat e tija me temë fetare.

Për këtë punë të pamasë e të lodhëshme artistike, mjeshtri Pjerin Sheldija u dekorue nga Papa Benedikti i XVI me medaljen e artë “Për Kishen e për Papen”. Gjithashtu Sheldija ka marrë si mirënjohje nga shteti shqiptar Urdhërin Naim Frashëri të Kl. të parë, te Kl. dytë e të tretë me motivacionin: për merita në mësimdhënie, zbulimin dhe edukimin estetik të nxënesve të talentuem…

Mjeshtri Pjerin Sheldija punoj në zbukurimin e pothuajse të gjitha kishave të Shkodres dhe të fshatrave për rreth, si në vepra murale (kupolat, kollonat, tavanet), por edhe në pikturën në telajo. Gjurmët e tija i gjejmë në 36 Kisha e kuvende, mbrenda e jashtë vendit, tuj fillue me Katedralen e Shkodres, Kishen e Sh’Françeskut (në Gjuhadol), Kishë e Zojës Rruzare (te Arra e Madhe), Kishen e Torovicës, Kishen e fshatit Malocaj, të  Balldrenit, të Blinishtit, Kishen e Gjadrit, Kishen në Baçel, në Peraj, Nenshat, Vau Dejës, Shën Gjergj, Shtoj, Braticë (në Mal të Zi), Dinoshë, Razmë, Kishen në Bushat e Stajkë. Janë gjithësejt 203 punime e ndër to 1375 persona, pa llogaritë këtu figurat e engjëjve pa trup… Për këtë kontribut të çmuem, Bashkia e Shkoders e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

“Asht dora e Zotit, më tregon mjeshtri, nuk ka si me kenë ndryshe. Unë jam vetëm peneli në doren e të Lumit. Vetëm të mendosh që punimi më i madh më ka marrë jo ma tepër se një muej…p.sh. “Darka e mbramë” e Kishes së Barbullushit 5m x 3m asht ba për 10 ditë…Unë jam i privilegjuem që i Lumi më ka zgjedhë për ti sherbye Atij.

Asht karakteristikë e piktorit, përdorimi i motiveve kombëtare si në tematikat që zgjedh ashtu edhe në detajet, veshtjet, tiparet shqiptare e popullore të personazheve që vizaton. Mbi çdo tabllo piktori përjetëson fytyrat e shumë figurave të njohuna të çeshtjes kombëtare, të njohurve e miqve apo familjarë të tij, të cilët vetëm përsonat afër tij dijnë ti tregojnë. Në gjithë këto vite pune të mundishme e në levizje të panderpreme, ai ka pasun përkujdesjen dhe inkurajimin e grues së tij Marijes që ka kenë edhe “kritikja” e parë artistike e veprave të tij.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija edhe pse vitet kalonjë, asht shumë aktiv, si në jeten familjare, ashtu dhe për të kryer “detyrimin shpirtnor”, (siç e quen ai), realizimin në pikturë të figurave të kultit apo të ngjarjeve kryesore të bibles. I nxitun nga besimi dhe dashtunia për pajtoren e qytetit të Shkodres “Zojen e Këshillit të mirë” që për shkodranët asht ZOJA E SHKODRES, mjeshtri ka realizue në pikturë figuren klasike të Zojës që mban në krah fëmijën e saj, Jezusin, por me veshje kombëtare të zonës së Shkodres, diçka krejt e veçantë në fondin e pikturës tradicionale shqiptare.

Së fundi, punimi i tabllosë gjigande me përmasat 7.5m x 3m, që i mori  shumë kohë dhe energji asht drejt përfundimit, e mjeshtri Sheldija asht krenar që ajo do të vendoset në krahun e majtë të altarit kryesor të Katedrales, përballë pikturës “Bekimi i Gurit Themelit” të Katedrales (7 prill 1858), të piktorit akademik Simon Rrota, që ai e respektonte shumë.

Faleminderim e Respekt Mjeshtër, për punët me vlerë që po i len artit, brezave të tjerë, Shkodres dhe gjithë Shqipnisë .

Vjenë, me 23 tetor 2018

*Per me shume foto simone e shihni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: piktori Pjerin Sheldija, Pjerin Logoreci

JOSIF E VASIL PANI-DY BIJ TË SHQUAR TË DARDHËS

October 27, 2018 by dgreca

1 at e bir

1 at arthuriNga Niko Dako/*1 folesi

1 sotiri

 Rreth një vit para se të botohej libri “Atë e bir për Mëmëdhenë”, autori i tij, Sotir Pani, ma dha në fletë të printuara për ta lexuar e për t’i shfaqur mendimin tim. Sot gjej rastin ta falenderoj edhe këtu për vlerësimin dhe nderin që më bëri, si dhe ta uroj për botimin.

E lexova me kënaqësi dhe me një ndjenjë të thellë emocioni, sepse në faqet e tij gjeta jetën, përpjekjet dhe sakrificat e dhjetëra atdhetarëve shqiptarë të Amerikës, të cilët mund t’i quaj me pa frikë “brezat e fundit të rilindësve tanë të mëdhenj”, breza ku zënë një vend të nderuar dy bij të Dardhës, Josif e Vasil Pani, atë e bir.

Ashtu si edhe disa shokë e miq të tjerë të autorit, e inkurajova, mbase me një farë këmbëngulje të tepruar, për ta botuar si libër, sepse isha i bindur për vlerën e tij.

Kushdo që e ka lexuar apo do ta lexojë, do të bëhet i vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për gjyshin dhe babain e autorit, por, nëpërmjet tyre, edhe për gjithë ata veprimtarë që, ndonëse Amerika iu bë atdhe i dytë, nuk e harruan Shqipërinë, por u vunë gjoksin luftës dhe përpjekjeve për çështjen e mëmëdheut, për ata që sollën vetëdijen kombëtare shqiptare, për ata që s’kursyen as jetën, as familjen, as pasurinë e venë me mundim, në fund të fundit, për ata që bënë Shqipërinë.

Besoj se është kuptimplotë edhe fakti që ky prezantim libri bëhet këtu, në këtë kishë të shenjtë të Fan Nolit, pragun e së cilës Josifi dhe Vasili e kapërcyen shumë herë, folën e rrahën problemet e kombit me peshkopin e mençur dhe ndezën nga një qiri duke iu lutur të Plotfuqishmit jo aq për veten e tyre sesa për atdheun e largët, për Shqipërinë e dashur, për njerëzit e zemrës, për Dardhën e shtrenjtë, që i fali kombit dhjetëra burra të shquar, të cilët, mbi çdo gjë vunë atë që Perëndia na e jep vetëm një herë në jetë e që është i pazëvendësueshëm: MËMËDHENË.

Libri të bën përshtypje të thellë që në vështrim të parë, me kopertinën: një titull i goditur dhe një fotografi e bukur e dy njerëzve të pashëm, fisnikë, atë e bir, që iu kushtuan pa kursim çështjes kombëtare.

Libri ndahet në 25 kapituj. Gjashtë të parët i kushtohen jetës dhe veprimtarisë se Josifit, kurse 14 të tjerë i kushtohen Vasilit. Meritë e veçantë e veprës është pajisja me një numër të madh fotografish, rreth 100 të tilla, të bëra në Amerikë dhe në Shqipëri (në Dardhë kryesisht). Në fund është edhe një album i veçantë me foto. Zënë vend, gjithashtu, edhe plot fotokopje të artikujve në gazetat e kohës, shkruar nga Josifi e Vasili ose artikuj që bëjnë fjalë për këta, si dhe fotokopje dokumentash të ndryshme, letrash etj.

Autori ka përfshirë edhe një shkrim të publicistit Kolec Traboini, që ka jetuar para disa vjetësh ketu në Boston, një shkrim plot vlerësim për pasionin e palëkundur të Sotirit për të krijuar një muze në shtëpinë e tij në Dardhë me material nga veprimtaria atdhetare e gjyshit dhe babait të tij, si dhe e dardharëve të tjerë. Libri përmban edhe një bibliografi ose referenca, siç i quan autori.

Çdo lexues preket që në rreshtat e parë të parathënies, shkruar nga Sotiri, fjalë plot dhemkë e nostalgji për vendlindjen, Dardhën, për plagën e kurbetit që e përjetuan aq thellë breza të terë dardharësh, për burrat që ai fshat i përcolli larg, larg por që s’e turpëruan kurrë, sepse, ashtu si gjyshi dhe babai i tij, u rreshtuan me forcat më përparimtare të kohës. Ndaj dhe justifikohet qëllimi  i ketij botimi për t’ua bërë të njohur, siç thotë autori, jetën dhe veprimtarinë patriotike të Josifit dhe Vasilit gjithë pasardhësve të tyre, nipërve dhe mbesave, farefisit, brezave që do të vijnë dhe kujtdo tjetër.

Josif Pani, biri i Ligor Panajot Panit dhe i Sofisë, u lind më 1868 në Dardhë. Më 1903 qe nga dardharët e parë që mori rrugën e Amerikës, fillimisht në Natick. Në Dardhë la djalin, Vasilin, dhe tre çupa.

U aktivizua në shoqëritë dardhare si “Bleta”, në Federatën “Vatra”, duke qenë i pandarë nga Faik Konica, Sotir Peçi e Fan Noli. U zgjodh gjithashtu, kryetar i shoqërise “Besa-Besën”.

Më 1907 shkoi në Shqipëri dhe u kthye sërish në Amerikë duke sjellë me vete djalin, Vasilin 12-vjeçar. Më 1922 shkoi përfundimisht në Dardhë dhe mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e dashur më1934. Figurën e tij e vlerësuan lart gazetat e Amerikës, “Dielli” etj., dhe gazetat e Korçës. Por nuk vdiq i zhuritur, siç përdoret kjo shprehje në Korçë, sepse një muaj e gjysmë para se të largohej nga kjo jetë, përjetoi gëzimin më të madh për lindjen e nipit, djalit të Vasilit, Sotirit, i cili na ka mbledhur sot këtu.

Një sagë më vete përbën jeta dhe veprimtaria e Vasil Panit. Ishte vetem 12 vjeç kur u nda nga vatra amtare dhe nga Dardha me shpirt të këputur. Në fillim në Natick e pastaj në Boston, ndoqi rrugën e t’et. Që i ri mori pjesë në veprimtaritë e atdhetarëve. Më 1912 shkoi si vullnetar me shokë te tjerë në Shqipëri, ku luftoi me çetat e Themistokli Gërmenjit kundër  andarteve grekë. U kthye në Boston i burrëruar dhe, duke shfrytëzuar talentin e të shkruarit, botoi me dhjetëra artikuj në “Dielli” dhe në gazetat e tjera. Atdhetar i palëkundur, u zgjodh në fillim sekretar, arkëtar dhe më pas kryetar i “Vatrës”, një nder i madh për të dhe për dardharët e tjerë. Më 1922 bleu restorantin “Court House Lunch” në Cambridge, që u kthye në një seli tepër aktive për vatranët.

Vasili shkoi dhe dy herë të tjera në Shqipëri, më 1933, kur u martua në Dardhë me Evriviqi Gjikën dhe, për herë të fundit, më 1937, kur i biri, Sotiri, ishte 3-4 vjeç. Ja fati i dhimbshëm i mërgimtarit: me gruan dhe me djalin nuk rrojtën bashkë veçse reth një vit e gjysëm, kurse çupën Dhoksinë, s’e pa asnjëherë, përveçse në fotografi.

Vatrani Vasil Pani ndërroi jetë papritur në Dhjetor 1947, pas 40 vjetësh larguar nga vendlindja. Për të përgjithësuar ndjenjën e dhimbjes dhe vlerësimet më të larta që bënë bashkatdhetarët për të, po përmend vetëm një fjali, por me domethënie të madhe, nga fjalimi që mbajti imzot Fan Noli në drekën pas varrimit: “Vasil Pani,-tha ai,- kish qëndurar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.

Pas 50 vjetësh mbylljeje të Shqipërisë në monizëm, i pari erdhi në Amerikë Andrea, djali i vogël i Sotirit, më pas Sotiri dhe gjithë pjesa tjetër e familjes. Të dhënat për këto fakte jepen në kapitujt e fundit të librit. Për emocionet që përjetuan pasardhësit e dy vatranëve, askush s’mund të flasë më mirë se ata. Ndaj kanë të drejtë të jenë krenarë për të parët e tyre, ashtu siç përkulemi edhe ne të gjithë në nderim të kujtimit të atyre atdhetarëve të palodhur.

Duke vlerësuar kontributin e tyre, më 1992 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha Josif Panit Urdhërin për veprimtari patriotike të klasit III, kurse Vasilit Medaljen për veprimtari patriotike.

Sot, në këtë ditë jo të zakonshme për familjen Pani, kur, nëpërmjet veprës së Sotirit, kujtojmë e vlerësojmë dy nga paraardhësit e saj, nuk mund të mos shprehim një peng e një ndjenjë të thellë nderimi edhe për një personazh tjetër, që, ndonëse nuk zë shumë faqe, ka një vend me peshë, si një gur i rëndë, në fletët e librit. Sot, pra, nderojmë dhe kujtimin e gruas së Vasil Panit, nënës së Sotirit, Evriviqit, e cila, mbetur e ve dhe veshur me të zeza që në moshën 34-vjeçare, rriti me përkushtim, me sakrifica e dinjitet dy fëmijët mbetur pa baba, ashtu si shumë gra dardhare që pritën tërë jetën burrat të ktheheshin nga kurbeti i largët dhe e lanë me lot fatin e tyre, me lot shpirti që thërmojnë edhe gurin…. E kush më mirë e më shumë se burrat e gratë e Dardhës dhe të ngjashmit e tyre mund t’i ndiejë aq me shpirt vargjet e njohura të poetit të Rilindjes sonë Kombëtare A. Z. Cajupit, shkruar me aq realizëm e shqetësim qytetar: Kurbeti, shokë, kurbeti/Kush vate e nukë mbeti?

Theksova se kjo ditë është e veçantë për familjen Pani. Por në këto momente emocinuese, fatkeqësisht, na mungon edhe një njeri tjetër, na mungon bashkëshortja e ndjerë e Sotirit, Margarita, nëna e shtëpisë, nëna e djemve, nuseve dhe nipërve, e cila, në çdo sukses e në çdo ngjarje të madhe të familjes, ka pjesën e vet të meritës, si një grua e mençur, e sinqertë, nikoqire dhe e fisme. Por le të shpresojmë se edhe ajo gëzohet sot bashkë me ne, që aty lart ku e ka thirrur i Plotfuqishmi.

Po e mbyll me nje pasazh domethënës nga shkrimi i K. Traboinit. Ky, kur e sheh një ditë Sotirin që po nisej si shumë herë të tjera nga Bostoni për në Shqipëri, i thotë: “Po rrugë e gjatë o Soto, si nuk u lodhe….” Sotiri, me mençuri i përgjigjet: “ Nuk lodhet njeriu duke rendur pas dashurisë”!

Vërtet, nuk lodhet…sepse ato janë dashuritë më të shenjta, dashuria për familjen dhe dheun mëmë, dashuri që na i fshijnë thinjat e na japin forcë të jetojmë e t’u percjellim edhe brezave të rinj këtë flakë të perëndishme që nuk shuhet kurrë.

*Ditë më parë në kishën e Shën Gjergjit në Boston, u promovua libri i Sotir Panit “ Atë e bir për mëmëdhenë”. Mernin pjesë shqiptarë që banojnë në Boston e qytete të tjerë rreth tij. Shkrimi i mësipërm ishte ligjërata kryesore e mbajtur prej  mëuesit të letërsisë, Niko Dako.

Filed Under: Featured Tagged With: dy bijte e shquar, Josif e Vasil Pani, Niko Dako, te Dardhes

Kumti i lirisë dhe i bashkimit i Mbretit Gjergj

October 26, 2018 by dgreca

3-anton_cefaNga Anton Çefa*/
1-Skenderbeu-300x269E quajte veten “Mbreti i Epirotasve dhe i Maqedonasve”, në emër të fiseve të hershme e të lavdishme ilire, po ishe Mbreti i Arbërve.

Hyre në histori me një emër të dyzuar: me emrin e truallit dhe me atë të të huajit dhe i ndave kohët e fatet më dysh, me shpatën e Arbrit.

Hyre në luftë me Flamurin e Arbrit, ku valëvitej krenare dhe kërcënuese një shqiponjë me kokë të dyzuar. Ç’ të lexojmë në të, Mbreti ynë: profeci, shqetësim, vigjilencë, apo fatalitetin e Arbrit?

Të ndoqi hija e dyzimit, Mbreti ynë, siç e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë ky dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve.

Me madhështinë e personalitetit tënd dhe me trimërinë e bëmave Tuaja, Ti i kapërceve të gjitha dyzimet, sepse Shpirti Yt qe i njësuar tek liria, tek ideali i bashkimit të gjakut, të gjuhës, të kombit.

Eshtë ky kumt – kumti i lirisë e i bashkimit – që shqiptarët e kanë ndjerë gjithnjë deri në skutat më të skajshme të vetëdijes së tyre arbërore. Eshtë ky kumt që shqiptarët ia kanë pasur dhe do t’ia kenë nevojën gjithnjë. Kumti që e shenjtërove, Ti, Mbreti ynë i dashur !

Na the: “Lirinë e gjeta në mes tuaj”. Vërtet, lirinë e kemi pasur gjithmonë me vete, në shpirt. Ti i dhe frymën e bashkimit dhe forcën e krahut dhe me to zulmën e lavdisë.

Në zemër kishe shqiponjën dhe, për t’i dhënë një emër të ri kombit, e vure në Flamur, në parzmore, në vulë dhe në unazë. Në përkrenare kishe brirët e dhisë, mishërim i forcës së orëve e të zanave të alpeve tona, relike trojesh mitike.

E ngrite në Krujë Flamurin, duke pikëzuar historinë në një datë: 28 Nëntor. Eshtë kjo datë që ringjall hijen tënde në Krujë, në Deçiç, në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë.

Vonë, shumë vonë erdhe në Prishtinë, sado që atje ke qenë më i pranishëm se kudo dhe trevat dardane i ngazëlleve me magjinë e triumfit. Shpirt i ngurtësuar në shkëmb, shkëmb i trajtësuar në shpirt. Monument i lirisë dhe i pavarësisë, emblemë e lavdisë dhe e krenarisë.

Erdhe në Prishtinë për të pritur gëzimin e madh të pavarësisë. Të pritëm me mall, me lot, me shpresë, me mburrje, me mirënjohje. Të pritëm me shpirt, me mendje, me zemër. Mirë se erdhe, Mbreti ynë !

* * *

Po vij tek Ti sot, Mbreti ynë, të lutem dhe të rrëfehem. Po vij në Krujë, po vij në Vlorë, po vij në Tiranë, po vij në Prishtinë, po vij në Tetovë. Po vij të të lutem për popullin tim, kombin më të lashtë të Evropës, të lutem për shtetin shqiptar – “shtetin më të ri të Evropës, aq të ri, sa nuk ka lindur ende i plotë”. Po të lutem që ta rilindësh me kumtin tënd të lirisë e të bashkimit. Bashkimit të zemrave, bashkimit të trojeve.

Koha Yte qe koha e bashkimit në luftë kundër armikut, që kishte ardhë tek porta. Koha jonë është koha e politikës, koha e grindjeve të turpshme për portofole ministrish e karrige deputetësh, koha e makiavelizmit, e prostitucionit, e çoroditjes.

Ti i dhe Arbrit dinjitetin para Evropës dhe botës. Iu bëre krah mbrojtës i qytetërimit. Evropa të ra ndër këmbë dhe, më pas, të përjetësoi në monumente; por më pas, ne, bijve Tu, na harroi dhe na braktisi, dhe sot nuk na begenis. Për faje të sajat dikur, për faje tonat sot.

Ti na dhe Kanunin e Nderit e të Besës. Ne, “stërnipërit e dikurshëm të një race së vjetër dhe bujare”, po e përdhunojmë atë çdo ditë. Po e përdhunojmë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup.

Me Besën e Lezhës i bashkove princat e lavdishëm, po kokëfortë e të pabindur. Na bashko edhe një herë me hirin Tënd ne, kulltukofagët, karieristët, partiakët, ngatrrestarët, kokëkrisurit! Na blato me shenjtërinë e bashkimit dhe na largo stihitë e përçarjeve, që na fanitën çdo ditë, çdo orë, çdo minut !

Dhe të gëzojmë, bashkë me Ju, duke pritur ditë të mira për kombin. Të gëzojmë, Mbreti ynë, Gjergj! Ditë të bukura për Arbrin do të vijnë !

*(Ribotim i redaktuar)

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, dhe i bashkimit, Kumti i lirisë, Mbreti Gjergj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 377
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT