• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prishtinë-Beograd, deklarata edhe me eufemizma

August 14, 2018 by dgreca

-Deklaratat Prishtinë-Beograd të kësaj vere. Kosova shtet i pavarur realitet i pakthyeshëm.  Historia e dialogut në Bruksel. Kosova, pos realitetit të pavarësisë së pakthyeshme,  ka edhe realitetin e numrave-statistikave, banorë rezidentë –  92.93 % shqiptarë…/

-Presidenti Thaçi: Të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor/

Behlul Jashari stage

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 14 Gusht 2018/ Këtë verë, në Prishtinë flitet për “korrigjim të kufirit”, në Beogad flitet për “përkufizim me shqiptarët”, e duket se këto janë eufemizma për ndarje a marrje territoresh (jo shkëmbim territoresh, se asnjëra palë nuk e thotë këtë, se Serbia thotë se “nuk e jep Luginën e Preshëvës”, e Kosova se “nuk e jep veriun”).

Në Prishtinë bashkë me “korrigjim kufiri” flitet për “njohje reciproke e pranim të Kosovës në OKB” e në Beograd me “përkufizim me shqiptarët” flitet-synohet që territoret-komunat me shumicë serbe në Kosovë (madje jo vetëm veriu) të jenë jashtë “autonomisë së shqiptarëve në Kosovën pjesë e Serbisë (!!!)”…

Në Beograd nuk flitet për njohje të pavarësisë së Kosovës, madje synohet zhbërja e saj në një proces dialogu-negociatash…Edhe duke lobuar te shtete të caktuara që të tërheqin njohjet…

Por, Serbia nuk mund ta zhbëjë realitetin: Kosova ka pavarësinë e njohur deri tani nga 116 shtete të botës, të shpallur para më shumë se 10 viteve  bazuar në Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, prezantuar palëve në 2 Shkurt 2007 – para më shumë se 11 vitesh.

Ndërsa, para tetë vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Deklarata e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia kishte dërguar në këtë organ të drejtësisë, kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës…

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 me synim të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në  Paketën Ahtisaari…

 

Aktualisht, në Prishtinë lidhur me dialogun final me Beogradin ka pasë edhe deklarata se “Ma mirë pa marrëveshje se me marrëveshje të keqe”…

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në shtator, ndërsa në 18 Korrik 2018 në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ishte më i shkurti në 6 vitet e fundit, por më i vështiri dhe më i rëndi”,  ka deklaruar presidenti kosovar Thaçi në një konferencë shtypi pas kthimit në Prishtinë.

Por, theksoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ishte ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin  Thaçi, të inauguruar në muajin Prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në Qershor 2017, takimi i 18 Korrikut 2018 është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 Qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.

Ndërsa takimi i 23 Marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 Korrik e të dytit në 31 Gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 Shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 Janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 Janar dhe i fundit që nga i pari në 19 Tetor 2012.

Para pesë vitesh, në 19 Prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

Kosova, pos realitetit të pavarësisë së pakthyeshme,  ka edhe realitetin e numrave-statistikave.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.

Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit te Zgjedhjeve Lokale 2017 – të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, është: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

 

Kosova ka gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, në kohët e okupimit e dhunës, të thirrjeve të serbëve se “Kosova është Serbi”  kundërpërgjigja e urtë shqiptare ishte se “Kosova është e shqiptarëve, aq sa është e shqiptarëve, Kosova është e serbëve, aq sa është e serbëve”, duke pasur parasysh statistikat për numrin e përqindjen e shqiptarëve dhe të serbëve në Kosovë.

Kosova është e lirë prej 19 vitesh, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës dhe largimit të ushtrisë e policisë serbe, hyrjes së forcave shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s – KFOR-it dhe vendosjes së UNMIK-ut – Misionit të OKB, pasi Këshilli i Sigurimit  miratoi Rezolutën 1244.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Beograd-Prishtine, eufemizma

Realiteti në Rumani dhe ai në Shqipëri

August 12, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298Nga Ilir Levonja/

Ileana Anghel travelled all the way from her home in Spain with her husband to take part in the demonstration.

“We want to see modern roads and schools and above all to not have to pay bribes to the left and right,” she told AFP.

Teksti i mësipërm është shkëputur nga njoftimet e agjencisë franceze AFP, mbi situatën në Rumani. Konkretisht nga e premtja e javës që shkoi, me një inisiativë të emigrantëve, a diasporës, shoqëria rumune sot proteston. Pra ka plot tre dite. Protesta që kanë hasur në dhunën e forcave të rendit dhe në indinjatën e një presidenti të dyzuar në qëndrime, garantit të Kushtetutës së vendit. Po t’i referohemi fjalëve të Ileanës emigrante rumune në Spanjë, ajo midis të tjerave thotë se, erdhëm nga Spanja për të protestuar sepse duam ta shohim vendin tonë  jo vetëm me rrugë e shkolla moderne, por gjithandej…, mjaft duke paguar haraçe sa për të majtën po aq edhe për të djathtën. Në fakt Rumania edhe pse një vend anëtar i komunitetit europian renditet e fundit. Kjo në raport me ekonominë e vendeve të tjera. Korrupsioni ashtu si në gjithë vendet ish bllokut socialist kap shifra alarmante. Kësisoj shoqëria rumune ka humbur plotësisht besimin tek klasa politike aktuale, me një fjalë si tek e majta ashtu edhe tek djathta. Ndofta është vazhda e asaj pranvere europiane që shkërmoqi hirearkitë a oligarkët e klasave politike tradicionale që pas luftës së dytë botërore, në vende si Italia, Greqia, Hungaria, Austria etj. Nisën si një protestë paqësore, por që mori rrjedhë tjetër. Aq sot numri i të lënduarve kap shifrat e 150 qytetarëve. 

A ka lidhje e gjitha kjo me Shqipërinë, pasi shpesh i referohemi lëvizjes së minatorëve të karpateve në Rumani, më 1989, menjëherë pas shembjes së murit të Berlinit. Pra ishte Rumania ajo që filloi pranverën ballkanike. Megjithëse gjatë gjithë këtyre viteve Rumania ka protestuar me pjesmarrëmarrje për tu admiruar. Mjaft të kujtojmë protestën kundër rritjes së korrupsionit në shkurtin e vitit 2017-të. Ishin rumunët, shoqëria civile…Dhe a mundet që emigrantët shqiptarë, a e ashtuquajtura diasporë të kontribuoj në Shqipëri. Kam përshtypjen se jo dhe arsyet janë të shumta. Në përgjithësi shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se  mirëqenia dhe të drejtat e njeriut janë thelbi i demokracisë. Po ta kishin kuptuar do ishin ndarë nga diktatura e proletariatit ashtu si rumunët me Çausheskun. Por nuk u ndanë, përkundrazi sigurimi i regjimit dhe sekserët e partisë së punës morën në dorë frenat e demokracisë.  Asnjë Çaushesk nuk u dënua…, jo më të varej publikisht. Kësisoj ne shqiptarët mbahemi akoma tek ideologjia dhe kjo demonostrohet herë më herë nga mendësi o je me mua o je armik. Nuk ka asnjë shenjë, a një fije frymë ku të shohësh përshembull se llogaritë a bilancet vjetore të një qeverie të kenë efekt tek shoqëria. Jemi dru në këtë drejtim. Rroftë iksi apo ypsiloni. Asesi, mjaft të jesh besnik i Ramës, Bashës, Metës dhe kaq. Nga ana tjetër është katërcipërisht e verifikueshme që mes shqiptarëve në vendin amë dhe atyre emigrantë ka një raport jo miqësor. Edhe pse emigrantët kanë qënë dhe janë motori i ekonomisë së vendit…, ata shihen si objekt përfitimi, madje tallje, paragjykohen, sa, një polic dogane në vend të mirëseardhjes të shikon vëngër nga duart. Emigrantët përfliten dhe përgojohen sikur kanë kapur qiellin a botën, qoftë edhe për shërbime të imta personale. Kur i thashë dikujt, këtu, po pse edhe gojën do shkosh të rregullosh në Shqipëri, mu përgjigj… Po çfarë të bëj, me ato që do paguaj këtu, po ndihmoj vëllain …, pa punë, pa asgjë vet i gjashtë. Më dhëmbi zemra dhe mu mbushën sytë me lot. Ashtu siç njoh edhe të tjerë që marrin kredi me interesa të larta si e si të ndihmojë motrën pa katandi e asgjë e tjetër. Dhe kur thonë ndonjë mendim, për vendin që u dhëmb, gjykohen me përçmim. Megjithëse nuk thonë aspak, veç realitetin…. që, po ta thonë troç, në raport me vendet ku jetojnë dhe ku shohin me sytë e tyre se si bëhet politika përshembull në Suedi, ta dini që ai parlamentari shqiptar duket një zog gomari kur thotë shkodrani. Ndofta kjo e gjitha ndodh edhe nga një farë urrejtje a zilie që kemi karshi njëri-tjetrit. Dhe diaspora këtej është e ushqyer fort nga dy rryma, po te kemi parasysh ata që u larguan në vitet 90-të…, të parët ishin ata që u kish ardhur në majë të hundës nga regji, të dytët ata që kishin frikë se mos ndëshkoheshin nga pushteti i ri. Kësisoj edhe këtej ka akoma plot mendje që thonë lëri të vrasin veten se nuk ndreqet ai vend. Ashtu si ka plot të tjerë që hanë, edukohen, martohen, bëjnë bashkime familjare në botën e kapitalizmit dhe bëjnë duvanë e Enver Hoxhës. Dhe këtë jo se nuk duan kapitalizmin, por janë deri në asht me urrejtje karshi vëllait. 

Nuk e di se kur do të marri fund kjo, por si shoqëri edhe ne duhet të heqim dorë nga idhujt. Merrni përshembull reformën në drejtësi, pastrimi fillon nga vetvetja. Shoqëria jonë u pajtua menjëherë me një reformë gjyqtarësh, jo të atyre që drejtonë vendin. Kjo është mangësi humnerë. Ose merr të opozitën, demonstroi vullnet në një çadër, kërkoi protesta për muaj me radhë. Dhe në fund, bash në pikun ku mori kuptim opozitarizmi, la shoqërinë mënjanë dhe mori një post fiktiv në arsim e rend. Nuk ka më pse nuk më pëlqen mua, kur unë ashtu e kur unë kështu, por ka rezultat. Jep, nuk jep, hap krahun. Kjo është demokracia…, kurse në Shqipërinë time, tënden, tonë populli i shikon si Enverin dikur, këta që kakarisin ditë e natë për patriotizëm dhe veç patriotë nuk janë.

Filed Under: Featured Tagged With: dhe ai në Shqipëri, Ilir Levonja, Realiteti në Rumani

Një letër pa përgjigje dhe e ardhmja e Piramidës

August 12, 2018 by dgreca

Nga Ben Andoni */

– Michael Granoff është kryetar i Bordit të të Besuarve, pjesë e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Prej kohësh atij i është përcjellë një letër nga një grup veprimtarësh, por që është firmosur nga dy aktivistë të njohur të komunitetit hebre dhe shqiptar në lidhje me një çështje që ka lidhje me procesin e transformimit të ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (QNK) në një inkubator për novatorizmin dhe sipërmarrjen për rininë. QNK ose ndryshe siç njihet Piramida mbart një trashëgimi të madhe dhe në dekadën e fundit është degraduar në atë masë, saqë është kthyer në një nga pikat më tërheqëse për turistët për t’u treguar fytyrën live të socializmit shqiptar. Zoti Berisha bashkë me një shpurë të tërë të gjithë fushave ishin gati ta hidhnin në erë, pasi sipas tyre ajo përcillte trashëgiminë e komunizmit dhe mbi të gjitha destinacioni i saj lidhej me kujtimin e Enver Hoxhës. Debati i madh që pasoi dhe presioni nga të gjitha fushat bëri që Piramida të ruhej, por ndërkohë pjesa e saj kryesore filloi të degradonte frikshëm.

Pas shumë vitesh në aktivizmin e tij tepër energjik kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me dy bashkë-drejtorët e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në Tiranë për ta transformuar ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në një inkubator për novatorizmin dhe sipërmarrjen për rininë. Pa mohuar rëndësinë e këtij aksioni të lavdërueshëm dhe gjetjen e qëllimit për godinën, duhet të themi se destinacioni do t’i shkonte shumë më mirë një ndërtese me një arkitekturë krejt tjetër, por edhe një hapësire tjetër në qytetin tonë, i cili është shtrirë shumë në drejtimet lindore dhe verilindore. Një gjë që nuk po merret parasysh nga pushtetarët e vendit tonë, që mundohen ta grumbullojnë çdo gjë në qendër të qytetit.

…
Prej pak kohësh apelojmë që kjo godinë (Lexo: QNK ose Piramida), duke marrë parasysh gjendjen katastrofike të Bibliotekës Kombëtare të ishte vend strehimi i saj dhe pse jo kuartieri kryesor i Bibliotekës Kombëtare. Në javët e fundit, Biblioteka Kombëtare i ka mbijetuar një gjendje përmbytje, që erdhi prej problemeve teknike. Godina i ka mbijetuar një zjarri, që e detyroi të ishte e paaksesueshme për lexuesit dhe po ashtu edhe shumë problemeve të tjera. Zyrtarët e saj vazhdimisht e kanë bërë hapur apelin e tyre dhe kanë treguar mundësitë e kufizuara të hapësirës dhe jo vetëm, por që gjithsesi duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Apeli ynë ka qenë i vazhdueshëm që Piramida të kthehej në Bibliotekën Kombëtare, kuptohet me modifikimet e mundshme, anipse duke marrë parasysh se energjia kryesore në këto kohëra ka shkuar për ruajtjen e Godinës së Teatrit Kombëtar pakkush është kujtuar për Bibliotekën dhe ca më tepër për Piramidën. Do të ishte në nder të autoriteteve shqiptare që ta rishihnin memorandumin e tyre me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe nga ana tjetër këta të fundit të tregoheshin mirëkuptues për një drejtim të ri. Mbase juristët do të dinë të japin përgjigje më të arsyeshme se ç’mund të bëhet në këtë rast, por duken shenjat jo të mira për mos reflektim: që nga mospërgjigja e autoriteteve të Fondit, që nuk e kanë marrë shumë parasysh, qoftë dhe letrën e drejtuar nga bashkëkombasit e tyre.

****
Michael Granoff
Kryetar i Bordit të të Besuarve
Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit
Nju Jork
SHBA

4 maj 2018
I nderuar z. Granoff,
Po ju shkruajnë dy shtetas amerikanë me prejardhje hebraike dhe shqiptare. Ju drejtohemi në detyrën tuaj si Kryetar i Bordit të të Besuarve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.
Rreth një vit më parë filluam përmes Komitetit Amerikan të Trashëgimisë Kulturore [U.S. Heritage Commission] një nismë private dhe të pavarur qytetare për të transferuar në Shqipëri Bibliotekën dhe Letrat e Prof. Dr Norbert Jokl [1877 – 1942], qytetar i shquar hebre-austriak dhe linguist me famë botërore, i cili u shfaros gjatë Holokaustit.
Ishte dëshira e vetë Prof. Joklit që e gjithë pasuria e vet akademike t’i lihej trashëgim popullit të Shqipërisë. Mirëpo ende sot testamenti i tij ka mbetur i paekzekutuar. Biblioteka dhe Letrat e Joklit ende ndodhen në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, Kjo është njëlloj sikur krimi të vijojë të jetë duke u kryer.
Në përputhje me një traktat dypalësh SHBA – Shqipëri, ne i kemi kërkuar qeverisë sonë amerikane ndihmë që (i) pasuria e Joklit të përcaktohet si “pasuri me vlera të veçanta kulturore” për trashëgiminë tonë: (ii) të punohet me Austrinë për kthimin e pasurisë akademike të Joklit në Shqipëri, në përputhje me dëshirën e tij dhe (iii) të punojë me shtetin shqiptar për ruajtjen e pasurisë së Joklit me shkallën më të lartë të përkujdesjes dhe vëmendjes, me shpresë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë [BKSH].
Në pikën e fundit, ne kemi ndjekur me vëmendje një nismë të kohëve të fundit në Shqipëri për ta transformuar ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës [QNK] në një ndërtesë apo aneks modern të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku Pasuria Akademike e Joklit do të mund të ruhej e sigurt për brezat e ardhshëm. Sikurse sugjeron përvoja jonë me ndërtesat e shumta të Bibliotekës së Kongresit, aneksit të ri të BKSH-së në Tiranë mundet edhe t’i vihej emri i Prof. Norbert Jokl.
Ndërkohë që kjo nismë vendore na gëzoi mjaft dhe u gatitëm ta mbështesnim publikisht, mësuam nga ana tjetër të zhgënjyer se kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me dy bashkë-drejtorët tuaj në Tiranë për ta transformuar ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në një inkubator për novatorizmin dhe sipërmarrjen për rininë.
Z. Granoff, ne ju kërkojmë me mirësi dhe respekt që ju ta pezulloni dhe ta anuloni këtë angazhim të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit [AADF].
Faktorët që e bëjnë të domosdoshme një qëndrim reflektiv dhe të kujdesshëm nga ana tuaj janë të shumtë.
Së pari, sikurse e dini, inkubatorë të kësaj natyre përgjithësisht strukturohen apo ngrihen në zona të dëmtuara ose të lëna pas dore të një qyteti. Kurse ish Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ndodhet pikërisht në qendër të Tiranës, as 50 metra lart nga Kryeministria. Pse u dashkan investuar fondet tuaja të vlefshme atje, dhe jo në zona të lëna pas dore në periferi të Tiranës?
Së dyti, është e vërtetë se ndërtesa në fjalë fillimisht u projektua dhe u ndërtua si një Muzeum për Enver Hoxhën, ish diktatorin e Shqipërisë. Megjithatë, vlerat e saj simbolike tashmë janë tejkaluar. Fill pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ndërtesa, sikurse vërejtëm, u shndërrua në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. Madje, gjatë një periudhe të caktuar, ndërtesa strehoi edhe zyrat e Agjencisë Amerikane të Informacionit [U.S Information Agency] si edhe USAID-in, sëbashku me stacione të rëndësishme televizive vendase. Për më tepër, përdorimi si sinonim i termit “Piramidë” është i pasaktë. Me të vërtetë, këqyrja nga lart e ndërtesës së QNK-së do të tregonte se ajo ka trajtën e shqipes, që sikurse e dini, është simboli i kombit shqiptar. Prandaj, e gjithë ideja se, përmes këtij projekti AADF-ja kinse po transformoka një simbol të ish regjimit komunist në një simbol të sipërmarrjes kapitaliste në Shqipëri është më së paku e pavend dhe e pavërtetë.
Së treti, vetë ndërtesa fillimisht u projektua për muzeum. Prandaj, ajo mund të shndërrohet lehtë në një ndërtesë shtesë të Bibliotekës Kombëtare. Me të vërtetë, përdorimi i saj si një bibliotekë për popullin e Shqipërisë do të ishte diçka e përkryer. Përse vallë AADF do të hidhej dhe angazhonte veten në një nismë biznesi e cila, edhe pse me qëllime të mira, në vetvetet do të cenonte ruajtjen dhe shpëtimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë për të tashmen dhe të ardhmen?
Së katërti, sikurse mund ta dini, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka vuajtur qysh nga mesi i viteve 1980 prej mungesës dramatike të investimeve, vëmendjes dhe përkujdesjes nga ana e të gjitha qeverive shqiptare në vijimësi kronologjike. Si rrjedhojë, ndërkohë që hapësirat e saj librare dhe institucionale kanë mbetur të pandryshuara, ose më saktë, janë reduktuar në mënyrë drastike, madhësia e koleksioneve të saj si dhe vëllimi i librave të ruajtura është rritur në shkallë eksponenciale. Për pasojë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përballet me nevojën kritike dhe urgjente për hapësirë raftesh dhe magazinimi, si dhe për vend të përshtatshëm. Zgjerimi i saj duke përfshirë edhe ndërtesën e ish Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës do të ishte, me të vërtetë, një zgjidhje e përkryer.
Së pesti, ndërtesa e ish QNK-së u ngrit me djersën dhe gjakun e mbarë popullit të Shqipërisë, që nga Tropoja në Veri e deri në Gjirokastër në Jugë. Rrjedhimisht, vendimi i qeverisë qendrore për ta zhveshur apo hequr ndërtesën nga varësia e saj në favor të bashkisë së Tiranës ngre prima facie shumë pikëpyetje të ligjshme. Me të vërtetë, çdo qytetare shqiptar mund të ngrinte me mirëbesim një padi administrative për ta kundërshtuar me sukses vlefshmërinë e këtij transferimi dhe për të kërkuar rikthimin e ndërtesës në pronësi të Ministrisë Shqiptare të Kulturës. Qartazi gjasat janë se e gjitha kjo mund të shkallëzohej deri në një përplasje juridike me rezultat së paku të paqartë, por që gjithsesi, do të mund të cenonin objektivisht emrin e mirë dhe reputacionin e AADF-së.
Së fundi, është fakt i mirënjohur se, edhe pse gjuha dhe kultura shqipe janë ndër më të lashtat në Europë, interesi akademik për studime shqiptare në universitete perëndimore paraqet rënie dramatike. Prandaj, mbetet detyrim i ngutshëm për institucionet përkatëse në Shqipëri marrja e vendimeve strategjike për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të kombit të tyre për brezat e ardhshëm. Transformimi ndërtesës së ish-QNK-së në një pjesë funksionale e ruajtëse të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë të kushtuar konservimit të kësaj gjuhe dhe kulture të lashtë për Mijëvjeçarin e Tretë, dhe mundësisht, emërtimi i saj pas Prof. Dr. Norbert Jokl, kthehet vërtetë një akt tejet të ngutshëm dhe fisnik.

A do ta mbështesnit ju dhe Bordi tuaj i të Besuarve këtë nismë?
A do ta rishqyrtonit ju dhe Bordi tuaj i të Besuarve nismën e inkubatorit?

Për dijeninë tuaj, ne do t’i drejtohemi edhe Kryetarit të nderuar të Bashkisë, z. Veliaj, me kërkesën që ai t’ia rikthejë qeverisë qendrore dhe popullit të Shqipërisë dhuratën ” ndërtesë të ish-QNK-së.

Lutem jeni të lirë të lidheni me ne nëse do t’ju nevojitet më shumë informacion.
Ju falenderojmë për vëmendjen dhe mirëpresim reagimin tuaj sa më sipër

Sinqerisht,
Benjamin Neumann
Agron Alibali

Filed Under: Featured Tagged With: agron alibali, BEN ANDONI?, Benjamin Neumann, Michael Granoff, Nje leter pa pergjigje

“Unë jam Shqiptar”, kudo në botë e gjithmonë…

August 11, 2018 by dgreca

1 Behlul-Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pas Tiranës është hapur edhe në Prishtinë ekspozita fotografike  “Unë jam Shqiptar”, me tematikë migracionin, e cila, si u tha në ceremoni, do mund të hapej edhe kudo ku ka shqiptarë në trojet etnike e në qytete e shtete tjera të botës/

1 Behlul 31 ok jam shqipo

-Në ekspozitë prezantohen edhe portrete të përfaqësuesve më të shquar të kolonive shqiptare, personaliteteve të shquara të kombit Fan Noli e Faik Konica, që janë edhe themeluesit e organit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA-Gazetës DIELLI…/1 qeveritaret

-Nga legjenda e një fotografie: Në SHBA jetojnë 400.000 persona me origjinë shqiptare, nga këta mbi 100.000 kanë emigruar nga Shqipëria prej vitit 1990. Emigraniti i parë besohet se është Kolë Kristofori, më 1886 mbërriti në Boston të Massachudetts, nga Katundi, (Korçë). Faik Konica, të cilit i shkroi më 1900, e quan Kolin “një patriot i fortë, këshilltari i mençur dhe idealist, i cili flet një gjuhë shqipe e cila është e pastër, madje klasike”. Më 1908, kur Fan S. Noli shërbeu litugjinë e tij të parë në gjuhën shqipe, në “Knights of Honor Hall” në Boston, Koli Kristofor ishte i pranishëm”./1 anthony

-Ekspozita në Muzeun e Kosovës në Prishtinë do të qëndrojë e hapur nga 10 deri 31 gusht 2018/1 Ismail

1 Gjon Mili

1 ekrem

1 ekspozita

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

1 ok jam shqipoPRISHTINË, 11 Gusht 2018/  “Unë jam Shqiptar”, ekspozita fotografike  me tematikë migracionin, është hapur këtë verë, të ardhjes së bashkëatëdhetarëve nga bota, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë, organizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, pjesë e Kalendarit të Përbashkët Kulturor të dy ministrive të Kulturës, Shqipërisë e Kosovës.

 

 

 

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Në ekspozitë prezantohen edhe portrete të përfaqësuesve më të shquar të kolonive shqiptare, personaliteteve të shquara të kombit Fan Noli e Faik Konica, që janë edhe themeluesit e organit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA-Gazetës DIELLI, më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën, e cila pas 6 muajsh, në 15 Shkurt 2019 do festojë Jubileun e 110 Vjetorit.

Shikojmë fotografitë, si në një sheti nëpër kohë e histori, kujtojmë: “Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesha rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose Dora D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e Programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në zhvillimin  e arsimit e të kuturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Kolonitë shqiptare vazhduan veprimtarinë e tyre edhe pas krijimit të shtetit shqiptar, ato e mbështetën atë…”.

Fotoja e emigrantit të parë shqiptar në Amerikë është moment i rëndësishëm në ekspozitë, thonë se ai ishte At Kolë Kristofori. “I pari shqiptar që erdhi në Amerikë, ishte nga fshati Katund i Korçës në vitin 1884”, kemi lexuar histori, ndërsa legjenda e fotos së tij në ekspozitën  “Unë jam Shqiptar” është kjo:

“Kolë Kristofori

Në SHBA jetojnë 400.000 persona me origjinë shqiptare, nga këta mbi 100.000 kanë emigruar nga Shqipëria prej vitit 1990. Emigraniti i parë besohet se është Kolë Kristofori, më 1886 mbërriti në Boston të Massachudetts, nga Katundi, (Korçë). Faik Konica, të cilit i shkroi më 1900, e quan Kolin “një patriot i fortë, këshilltari i mençur dhe idealist, i cili flet një gjuhë shqipe e cila është e pastër, madje klasike”. Më 1908, kur Fan S. Noli shërbeu litugjinë e tij të parë në gjuhën shqipe, në “Knights of Honor Hall” në Boston, Koli Kristofor ishte i pranishëm”.

Në ekspozitë ka edhe fotografi të shqiptarëve të tjerë në Amerikë, mes të cilëve, siç shkruan në legjendë, “Ferid Murati, fitues i çmimit Nobel në mjekësi  në vitin 1998, SHBA”, si dhe të personaliteteve tjera si Mit’hat Frashëri, shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë, shqiptarëve të suksesshëm në vendet e emigrimit të tyre. Është aty edhe fotografia e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare….

Ekspozita “Unë jam shqiptar” udhëtoi drejt Muzeut të Kosovës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kjo ekspozitë, ideuar dhe organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë në muajin dhjetor 2017,  në Muzeun e Kosovës në Prishtinë do të qëndrojë e hapur nga 10 deri 31 gusht 2018.

Në hapje, ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi, e vlerësoi ekspozitën si një sjellje para nesh të një kujtese të vuajtjes dhe historisë së dhimbshme që ka përjetuar populli shqiptar nëpër periudha të ndryshme të historisë.

“Si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vijimësi jam duke e ndjekur ecurinë e zbatimit të aktiviteteve që rrjedhin si obligim nga Protokolli i Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor që kemi nënshkruar në muajin qershor dhe sot dua të rikonfirmoj përsëri mbështetjen time në këtë drejtim por edhe të falënderoj institucionet e të dy vendeve tona për angazhimin e treguar në këtë proces”, u shpreh ministri Gashi.

Ai vijoi se, Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton një përmbajtje kuptimplote dhe të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare.

“Ekspozitat e tilla janë dëshmi e një hapësire shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen“, tha ministri Kujtim Gashi, duke theksuar se ky aktiviteti i cili po organizohet në kuadër të Kalendarit tregon se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e kulturës është në drejtimin e duhur dhe ky bashkëpunim do të avancohet edhe më tutje…

I ardhur nga Tirana e mirëpritur në Prishtinë, drejtori i Muzeut Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të ekspozitës tha se, “diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Në shumë nga vendet mikpritëse emigrantët kanë themeluar shoqatat e tyre”.
Ai shtoi se, nisur nga tematika e ekspozitës “Unë jam shqiptar”, ajo çfarë i mbetet si detyrë institucioneve tona të Kosovës apo Shqipërisë, është të tregojnë në të gjitha mënyrat e mundshme, respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin meritor për diasporën tonë.

“Sa i përket paraqitjes muzeore, Muzeu Historik Kombëtar ka qenë në lartësinë e detyrës kur ka vendosur të realizojë këtë ekspozitë me këtë koncept”, u shpreh drejtori Koçi.

Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Muzeut të Kosovës, Bislim Bislimi, ka mirëpritur e përshëndetur edhe me fjalë rasti pjesëmarrësit e shumtë në hapje të ekspozitës “Unë jam Shqiptar”.

“Muzeu i Kosovës ka kënaqësinë e madhe që falë bashkëpunimit të mirë me Muzeun Historik Kombëtar, ta sjellë para publikut të tij pikërisht këtë ekspozitë për diasporën që padiskutim bashkëndjehet njëlloj si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë”, u shpreh u.d. drejtor Bislimi.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës foli edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili përgëzoi dy muzetë për bashkëpunimin dhe e quajti mjaft kuptimplotë Kalendarin e Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.

“Kjo ekspozitë mund të hapej shumë mirë në çdo vend ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e Prishtinë…Sepse e tregon, do të thotë, që ne jemi të shpërndarë kudo në botë, por nuk harrojmë një diçka që është më e rëndësishmja, që ne jemi shqiptarë, dhe si shqiptarë ne jemi të angazhuar për të mbrojtur gjenezën tonë, për të mbrojtur traditat tona…Ne do të vazhdojmë të ecim përpara bashkë”, u shpreh ambasadori Minxhozi.

Ekspozita në Prishtinë u hap pasditën e 10 gushtit 2018, dhe në vijimësi edhe sot vizitorët e shumtë theksojnë mesazhin: Shqiptarët kudo në botë e gjithmonë janë shqiptarë…

Në Prishtinë, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, zhvilloi edhe një takim të veçantë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Muzeut të Kosovës, Bislim Bislimi, ku u fol për thellimin e bashkëpunimeve të ndryshme mes dy muzeve, si edhe për organizimin e të tjera aktiviteteve shkencore apo dhe ekspozita.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ekspozita, Une Jam shqiptar

Thesari turistik mes madhështisë natyrore dhe freskisë së alpeve

August 11, 2018 by dgreca

2 zogaj-5

Fshati Zogaj, thesari turistik mes madhështisë natyrore dhe freskisë së alpeve/

Nga Adela Alla/* Shqipëria është një thesar turistik e cila ka shumë për të zbuluar. Vendet turistike për tu eksploruar nga turistët vendas dhe të huaj janë të shumta nga deti tek mali,nga lumi tek liqenet dhe natyrat e qeta deri tek ato të egrat dhe të paprekura.1 zogaj-2Veriu i vendit tonë ka vende në të cilat pushuesit mund t’i largohen vapës mbytëse të gushtit, ku një ndër to është dhe një thesar i vogël që ndoshta shumica e vizitorëve se kanë eksploruar ai është fshati Zogaj.3 zogaj-10Ndodhet vetëm 7 kilometra larg qendrës së Shkodrës në këmbët e Taraboshit dhe në liqenin e Shkodrës.

Një fshat që prej shekujsh njihet për peshkimin, bimët medicinal, natyrën e virgjër dhe veçanërisht për klimën alpine që ka.

Nuk ka pluhur makinash, nuk ka zhurma dhe nuk ka ndërtime që e kanë shkatërruar faunën dhe florën e zonës. Studiuesit mendojnë që në atë zonë kalon një rrymë ajrore e alpeve .Prej kohësh këtë fshat, e kanë vizituar familje të cilat fëmijët e tyre kishin problem shëndetësore dhe pas pak kohësh përmirësimet kane qenë të dukshme, kjo për arsye të klimës që ka, malit me sherbelën e zonës dhe shumë bimë medicinale që përhapen në ajër.

Në këtë fshat mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku të cilët banorët e ruajnë me fanatizëm. Kjo zonë të jep shumë mundësi për argëtim sepse ka ujëra të pastra dhe një natyrë të paprekur.

Plazhet e zonës janë publike, moli shërben për trampolin, varkat të cilat mund të merren me një shumë simbolike për të lundruar dhe shtëpitë e vjetra që mund të shërbejnë si bujtina, janë aktraksionet dhe mundësitë ideale për të bërë pushime të lira dhe të mrekullueshme.

Në këtë zonë mund të bëhen udhëtime me biçikleta dhe eksplorime në shtigjet e malit të Taraboshit që shkojnë afër fshatit Skje në Malin e Zi.Të rinjtë e EKO Mendje po i bëjnë një promovim të mrekullueshëm disa prej atraksioneve më të bukura të vendit tonë.(Sipas ATSH)

Filed Under: Featured Tagged With: Adela Alla, Alpe, thesauri turistik, Zogaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 402
  • 403
  • 404
  • 405
  • 406
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT