• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump mban fjalimin për gjendjen e vendit

January 30, 2018 by dgreca

2 TrumpNë fjalimin mbi gjendjen e vendit, Presidenti Donald Trump thekson situatën e mirë ekonomike dhe do të bëjë thirrje për përpjekje dypalëshe lidhur me emigracionin.

Fjalimi i tij përpara të dyja dhomave të Kongresit, që po transmetohet drejtpërdrejt në televizion, vjen një vit pasi zoti Trump mori detyrën e Presidentit dhe rreth një javë pas debateve mbi buxhetin dhe politikën që duhet ndjekur ndaj një grupi emigrantësh që kanë ardhur në Amerikë ilegalisht në moshë të mitur. Debatet çuan në mbylljen për tre ditë të qeverisë.

Në fillim të fjalimit, Presidenti tha: “Gjatë vitit të fundit, bota ka parë atë që e kemi ditur gjithmonë: se asnjë popull mbi Tokë nuk është aq i patrembur, aq i guximshëm apo i vendosur sa amerikanët. Nëse ka një mal, ne ngjitemi. Nëse ka një kufi, ne e kalojmë atë. Nëse ka një sfidë, ne e përballojmë atë. Nëse ka mundësi, ne nuk e lemë të na ikë. Pra, le të fillojmë sonte, duke pohuar se gjendja e vendit tonë është e fortë, sepse njerëzit tanë janë të fortë. Dhe së bashku, po ndërtojmë një Amerikë të sigurt, të fortë dhe krenare. Që nga zgjedhjet, ne kemi krijuar 2.4 milion vende të reja pune, duke përfshirë 200,000 vetëm në prodhim. Pas viteve të stanjacionit në paga, më në fund po shohim paga në rritje.”

Presidenti Trump foli për punësimin, zhvillimin e ekonomisë dhe reformën e taksave, të miratuar kohët e fundit.

“Ne shkurtuam normën e tatimit mbi biznesin nga 35 për qind në 21 për qind, që kompanitë amerikane të mund të konkurrojnë dhe të fitojnë kundër çdokujt në botë. Vetëm këto ndryshime vlerësohet se do të rrisin të ardhurat mesatare të familjeve me më shumë se 4.000 dollarë. Bizneset e vogla do të kenë gjithashtu një shkurtim masiv të taksave dhe tani mund të zbresin 20 përqind të të ardhurave të tyre të biznesit,” tha Presidenti.

Ai u kërkoi ligjvënësve të miratojnë planin e tij prej triliona dollarësh për infrastrukturën. Ky plan parashikon riparimin e rrugëve dhe urave, si dhe modernizimin e aeroporteve.

Presidenti Trump foli për planin e tij të reformës së emigracionit duke thënë se ky plan ofron një rrugë për marrjen e shtetësisë nga 1.8 milionë emigrantë të paligjshëm të sjellë në SHBA nga prindërit e tyre në një moshë të re. Sipas këtij plani, tha Presidenti, ata që plotësojnë kërkesat për arsim dhe punë dhe shfaqin karakter të mirë moral, do të mund të bëhen shtetas amerikanë.

Presidenti Trump tha se pjesë e këtij plani është ndërtimi i një muri në kufirin jugor, si dhe dhënia fund e lotarisë së vizave, një program që ofron kartat e gjelbra pa marrë parasysh aftësitë, meritat ose sigurinë e popullit amerikan. “Është koha të fillojmë të lëvizim drejt një sistemi imigrimi të bazuar te merita – një sistem që pranon njerëz të aftë, që duan të punojnë, cilët do të kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe që do ta duan dhe respektojnë vendin tonë,” tha Presidenti Trump.

Ai pritet të flasë gjithashtu për çështje të sigurisë kombëtare, si aktiviteti bërthamor dhe programi i raketave të Koresë së Veriut, si dhe nevojën për politika të drejta tregtare, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump, nga Marrëveshja e Partneritetit të Transpaqësorit, TPP, dhe nisma për rinegociimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Vendeve të Amerikës Veriore me Meksikën dhe Kanadanë, të njohur si NAFTA.

Viti i parë në detyrë i Presidentit Trump është karakterizuar nga sulmet e tij të vazhdueshme në Twitter kundër kundërshtarëve të tij politikë, ligjvënësve demokratë dhe ndaj atyre republikanëve që kanë ngjallur zemërim tek ai, ngaqë nuk kanë qenë dakord me disa politika të tij.

Shtëpia e Bardhë thotë, se edhe në kushtet kur Uashingtoni është i përçarë, zoti Trump do të mbajë një fjalim optimist, ku do të bërë thirrje për bashkëpunim si ndaj republikanëve, edhe ndaj demokratëve, për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Trump do të mbajë një fjalim unifikues për vlerat dhe patriotizmin amerikan.

Zoti Trump po e mban fjalimin e tij për gjendjen e vendit, në kushtet kur mbështetja e vouesve për të është në nivelin më të ulët, krahasuar me presidentë të tjerë amerikanë në të njëjtën periudhë të mandatit 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Sipas anketave të zhvilluara kohët e fundit nga firma Gallup, 58 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me drejtimin prej të tij të vendit. Pas 9 muajsh në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet për në Kongres, ku do të votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Nuk është e qartë, në se zoti Trump do të diskutojë në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, për çështjen e procesit hetimor mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kontaktet e fushatës së zotit Trump me operativë rusë. Hetimi po zhvillohet nën drejtimin e prokurorit special Robert Mueller, i cili është duke hetuar gjithashtu në se Presidenti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë, kur shkarkoi nga puna ish drejtorin e FBI-së James Comey, në kohën kur ai drejtonte hetimin nga agjencia e zbulimit për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë.

Për muaj me radhë, zoti Trump ka mohuar të ketë patur një marrëveshje të fshehtë me Rusinë dhe javën e kaluar ai tha se nuk bëhet fjalë për “pengim të drejtësisë”. Presidenti tha se ai do që t’u përgjigjet pyetjeve të juristëve të zotit Mueller nën betim, por deri tani nuk është caktuar ndonjë datë për intervistë.

Sipas traditës, të martën në mbrëmje, në fund të fjalimit të Presidentit, disa ligjvënës demokratë do të mbajnë fjalime të shkurtra, si reagim ndaj fjalimit të Presidentit.

Të paktën 14 anëtarë demokratë të Kongresit thanë se do ta bojkotonin fjalimin e presidentit.

Filed Under: Featured Tagged With: Fjalimi, Presidenti Donald Trump

Viti i Skënderbeut dhe jo i Hamzait!

January 30, 2018 by dgreca

PDIU deklaratë për bisedimet Bushati-Kotzias: Urojmë të jetë viti i Skënderbeut dhe jo i Hamzait!
1 PDIU2Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” nëpërmjet një deklarate për shtyp kërkojnë të thuhet hapur dhe ditës për diell se çfarë është biseduar mes Tiranës dhe Athinës për Çështjen Çame, Marrëveshjen e Detit dhe gjithë problematikat që ka mes dy vendeve. Sipas PDIU qeveria shqiptare duhet të informojnë se çfarë u fol me palën greke, teksa shpreh gatishmërinë t’i tregojë Kotzias se Çështja Çame ekziston, madje duke organizuar protesta të fuqishme.

Më poshtë, deklarata e plotë e PDIU dhe Shoqatës Patriotike “Çamëria”:

Kemi ndjekur me shumë vëmendje takimet për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Për Çështjen Çame ka një ligj të Kuvendit të Shqipërisë që në vitin 1994 për njohjen e 27 Qershorit si Dita e Genocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë.

Parlamenti i Shqipërisë e ka përcaktuar qartë, pa ekuivoke si Genocid atë çka ndodhi mbi shqiptarët e Çamërisë.

Po ashtu, ka dhe një rezolutë të miratuar në vitin 2012 për Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, detyruese për çdo qeveri.

Të gjithë forcat kryesore politike e kanë në program zgjidhjen e Çështjes Çame si çështje e të drejtave të njeriut.

Madje, theksojmë se forcat kryesore në vend kanë propozuar dhe projekt-rezoluta, ku kryeministri do raportonte çdo gjashtë muaj për ecurinë e zgjidhjes së Çështjes Çame.

Komisioneri Han një vit më parë inkurajoi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, zgjidhjen në tryezen e bisedimeve shqiptaro-greke të Çështjes Çame.

Ministri i Jashtëm grek deklaroi se Çështja Çame nuk është pjesë e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve dhe ajo nuk ekziston.

Ministria jonë e jashtme është paqartë në verbin e saj publik për çka ka biseduar për Çështjen Çame.

Kërkojmë publikisht nga Kryeministri dhe Ministria Jashtme të informojnë shqiptarët dhe në veçanti ata çamë – për ecurinë e bisedimeve për një nga çështjet më të ndjeshme për mbi 300 mijë qytetarë të tyre, të cilët presin që autoritetet shqiptare të trajtojnë me detyrim kushtetues e reciprocitet zgjidhjen e kësaj çështje, ku u masakruan 20 përqind e popullsisë dhe 80 përqind e saj u shpërngul në një pastrim etnik të paparë në Europë.

Kërkojmë nga Ministria jonë e Jashtme që duke kryer detyrim kushtetues për reciprocitet, të na informojnë për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e një përmendoreje përkujtimore dhe varrezë për mijëra pleq, gra e fëmijë çamë që nuk u vranë në luftë, por në pragun e shtëpive të tyre.

Presidenti i Greqisë në mënyrë të përsëritur kërkon respektimin e të drejtave të njeriut për pakicën greke në Shqipëri, ndërsa nuk ka asnjë problematikë të tillë në vendin tonë, përkundrazi në vendin e tij nuk njihet asnjë minoritet.

Ndaj, i kërkojmë ministrit të Jashtëm për reciprocitet çfarë u bisedua për kerkesën e kahershme tonën për të kërkuar dhënien e statusit të minoritetit etnik shqiptar – popullsisë shqiptare çame që jeton sot e kësaj dite në trojet e veta në Artë, Pargë, Volë, Filat, Paramithi, Margëlliç, Gumenicë e gjetkë që politikanët shqiptarë i takojnë çdo vit, kur shkojnë me pushime në vendin fqinj e bisedojnë shqip me ta.

Kërkojmë të informohemi që bashkë me Ligjin e Luftës a është biseduar për heqjen e efekteve të ligjit të luftës që me një sërë ligjesh-pasojë, kur më i fundit është ai i vitit 1998 për kadastrat greke që pamundësojnë kthimin e pronave të grabitura me forcë.

Ne kemi besuar me durim që qeveritë shqiptare dhe forcat politike do të zgjidhnin me seriozitet e detyrim kushtetues Çështjen e bashkëkombasve të tyre çamë.

Mesa duket zotit Kozias duhet t’ia tregojmë përsëri që Çështja Çame egziston dhe shqiptarët e Çamërisë egzistojnë nga Zoti, pavarësisht se ju u munduat t’i zhdukni.

Por, duke ndjekur të gjithë hapat e duhur ligjore, padyshim dhe protestat e çdo formë tjetër të arsyeshme e demokratike, jemi gati t’iua tregojmë se Çështja Çame egziston e kërkon drejtësi europiane, por edhe çdokujt që mendon se mund ta përdorë sipas interesave të ditës apo të bëjë pazar me këtë Çështje apo çdo Kali Troje që harron që asnjë nuk mund të negociojë për ne, përveçse Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU.

Ndryshe turpi i historisë dhe jo vetëm do të bjerë mbi çdokënd që mendon se mund të lozë, të bëjë pazar apo mund ta lërë apo marrë këtë çështje.

Urojmë shumë si gjithë shqiptarët që ky të jetë viti i Skënderbeut dhe jo i Hamzait!

Filed Under: Featured Tagged With: Bashkim Idrizi, Jo i Hamzait, Viti i Skenderbeut

PROTESTA- Basha: Sot vdes 25 qershori!

January 27, 2018 by dgreca

-Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur/

1 basha-ne-proteste-300x300

 

*Fjalimi i kryetarit demokrat në protestën e 27 janarit/

1 Protesta

Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë.
Kështu e përshkroi Migjeni zgjimin e një populli për të parë dramën e tij.

2 protesta
Një vit më parë, mijëra e mijëra shqiptarë u mblodhëm në këtë shesh për të ndalur të keqen.
Mijëra të tjerë na panë nga larg, duke shpresuar se e keqja nuk ishte e vërtetë.
Sot, ne që jemi këtu shumë më shumë se me 18 shkurt por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë!

E keqja nuk ikën po nuk u luftua.
E keqja nuk ikën po nuk u bashkuam të gjithë kundër saj.
Dhe ja ku jemi bashkuar sot, në një plebishit popullor nga më madhështorët që ka njohur historia e demokracisë.
Mirë se keni ardhur zonja dhe zotërinj në këtë orë të madhe dhe vendimtare të bashkimit popullor kundër së keqes.
Mirë se keni ardhur në këtë shesh të historisë dhe së ardhmes, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, studentë dhe pedagogë, profesionistë, intelektualë dhe të papunë, të përndjekur dhe pronarë, fermerë dhe sipërmarrës, naftëtarë, minatorë, ambjentalistë, prindër dhe femijë, nga Jugu në Veri, anembanë Shqipërisë!

Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim:
Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës!
Për të shpallur solemnisht se nuk e pranojmë më këtë bandë që i shërben vetëm interesat plackitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur shqiptarët dhe duke e shndërruar vendin në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës.
Cdo e keqe, nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme.

Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.
Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.
Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshura, nëna e baballarë, deshmoni këtu me praninë tuaj fundin fundin e raporteve politike të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit.

Me këtë protestë, me këtë demostrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Shqipëria prej sot ka një raport të ri të forcave politike, një raport të ri mes qytetarit dhe pushtetit.
Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit.
Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës.
Deri dje e dinin vetëm disa.
Sot e dinë të gjithë shqiptarët.
Sot e e ka pare gjithë bota.
Sot kemi zgjedhur të mos vuajmë më thellë e më thellë.
Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë.
Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik.
At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij.
Shqipëria ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre.
Kjo po ndodh sot.

Në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë.
Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.
Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë.

Vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave.

Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës.

Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës.

Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.

Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës.

Kjo bandë po e realizon projektin e saj për pushtet absolut duke kërkuar të arrijë:
1. Përqëndrimin në pak duar të pushtetit politik dhe ekonomik të vendit;
2. Eksodin e shqiptarëve, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë;
3. Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij.
Hidhni vështrimin dhe shikoni si po shpaloset kudo ky projekt:
Pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me PPP, me koncesion, me korrupsion.
Shëndetësia, arsimi, nafta, bregdeti, parqet çdo gjë që duhet t’u shërbente shqiptarëve po grabitet nga oligarkët e Ramës.

E gjithë toka e Shqipërisë iu vu në dizpozicion drogës, dhe i gjithë shteti u vu në shërbim të trafikut të drogës, e gjithë policia u kthye në organizatë kriminale.
Me paratë e drogës u blenë zgjedhjet.
Me paratë e drogës tani po blihet ekonomia,
Investitorët e huaj u injoruan, u mbajtën larg.
Ata që ishin në Shqipëri u rrahën dhe u përzunë që oligarkët qe ulen nate per nate ne sofrën e Ramës dhe kriminelët të mos kishin konkurencë.
Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori tepër shqiptarët në vendin e tyre si asnjeherë tjetër.
Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim. Nuk është lëvizje e lirë.
Shqipëria kështu vdes.
Ne nuk mund të pranojmë këtë.

Integrimi në Europë u sabotua, sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të kësaj bande.
Njerëzit e thjeshtë u shpërfillën, u përçmuan, u trajtuan me arrogance dhe u dhunuan.
Për t’i frikësuar,
Për t’i bërë të pafuqishëm,
për tjua ulur kokën
Mbi ta po rëndojnë taksat e rritura, çmimet që nuk ndalen dhe dënimet e gjobat e zyrtarëve të shtetit që sillen si plackitës.
Mbi shqiptarët sundon papunësia, sundon varfëria.
Mbi shqiptarët rëndon padrejtësia, standarti i dyfishtë i Ramës që dënon të varfrin dhe të dobtin, mbron të kriminelin dhe hajdutin.
Kujtojmë sot 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes që Edi Rama e arrestoi dhe u çoi në vetëvrasje për një cigare hashash. Për Saimir Tahirin dhe Habilajt që janë kapur me miliona nga trafiku I drogës, Edi Rama ka ngritur shtetin në këmbë që ti mbrojë.

Melita Çenga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Resmije Alla 35 vjeç humbi jetën sepse donte që fëmija e saj azmatik të kishte dritë se nuk kishte mundësi të paguante. Qindra pacientë presin më kot ilacet e premtuara por që nuk vijnë. Sepse Edi Rama i paguan vetëm Vilma Nushit 20 mijë euro në ditë nga taksat e shqiptarëve.

Qamil Zela, i burgosur, i vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHE-se Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, i ka çuar Edi Rama drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por Besos dhe miqve të tij ju fal Miliona euro. Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.

Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.
Për njerëzit e thjeshtë qeveria Edi rama sot ka vetëm dy zgjedhje: eksod ose nënshtrim.
Ose të marrin rrugët e botës
Ose t’i nënshtrohen një bande mizore plaçkitëse, e maskuar me rrobat e babagjyshit të Vitit të Ri, që i grabit, i varfëron, i tall dhe i dhunon.
Në vend të pushtetit të njerëzve, narkokryeministri i do njerëzit janë skllevër të pushtetit.
Skllevër të oligarkëve.
Skllevër të krimit.
Skllevër të mashtrimit
Skllevër të varfërisë.
Ne jemi sot këtu për ta ndalur këtë të keqe.
Që ekonomia e Shqipërisë të mos mbetet në duart e oligarkëve grabitqarë dhe të kriminelëve.
Që qeveria mos të jetë një vegël në shërbimin e tyre.
Që Fatkeqësia dhe mjerimi i një brezi mos t’i kalohet brezave që vijnë.
Që Shqipëria mos të shkretohet nga braktisja.
Në të shkuarën tonë ne jemi gënjyer shpesh nga e keqja.
Në të shkuarën tonë ne e kemi duruar dhe toleruar gjatë të keqen.
Derisa e keqja na ka rrënuar.
Në të shkuarën ne kemi besuar lehtë.
Jemi gënjyer lehtë.
Dhe nuk kemi menduar gjatë.

Sot në ditën botërore të Holokaustit është e udhës të kujtojmë thënien ogurzezë të Hitlerit: Sa fat i mirë për qeveritë kur njerëzit nuk mendojnë!

Mafia në pushtet shpenzon çdo muaj miliona euro për të gënjyer, për të mashtruar, për të keqinformuar, për të shplarë mendjet e njerëzve.
Mafia në pushtet ka ngritur makinerinë më të madhe të propagandës që ka patur ndonjëherë Shqipëria.
Mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh të zezën.
Propagandë me para droge që tu mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie.
Se avionët e drogës janë mushkonja dhe kanabisi që shikonin kudo imagjinatë dhe jo realitet.
Se trafikantët dhe përdhunuesit janë deputetë dhe kryebashkiakë që punojnë dhe sakrifikojnë për Shqipërinë.
Se gjelbërim është të zësh parqet me kulla betoni dhe të mbjellësh bar në tarracë.
Se oligarkët grabitqarë janë bamirës që punojnë për Shqipërinë.
Mafia në pushtet paguan cdo ditë ushtrinë e mercenarëve që i shërbejnë për t’i llustruar faqen e saj të zezë.
Mercenarë të pacipë që politikanin në shërbim të krimit e shesin për njeri që po lufton krimin!

Mercenarët që sot propagandojnë se të gjithë janë njësoj,
se droga ka qenë gjithmonë këtu
se krimi ka qënë gjithmonë mes nesh,
se të gjithë paskan faj njësoj.
Por shqiptarët tani shohin qartë. Shqiptarët tani mendojnë dhe gjykojnë vetë.
Shqiptarët po e mposhtin frikën, po e mposhtin propagandën, po shpërfillin mercenarët.
Shqiptarët e kanë kuptuar se drejtësia nuk është një copë letër dhe fjalë në ajër, por ndëshkim i vërtet për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit.

Shqiptarët e kuptojnë se në Shqipëri nuk luftohet krimi, kur kokat e drogës dhe të organizatave kriminale bredhin të lirë dhe kur paratë e drogës nuk i pengon askush të hyjnë në ekonomi.
Shqiptarët e dinë se ekonomia është e shkatërruar kur ata nuk gjejnë punë.
Shqiptarët e dinë se shëndetësia është e shkatërruar kur të sëmurët nuk kanë ilace.
Shqiptarët e dinë se po varferohen; e dinë se nuk paguajnë dot dritat, ujin dhe ushqimin e fëmijëve të tyre.
Shqiptarët e dinë se në BE nuk integrohesh duke integruar rrjetet e drogës dhe të krimit por duke integruar ligjet, ekonominë, dijet.
Shqiptarët e dinë se në Europë do të futen, kur të fusin kriminelët në burg.
Shqiptarët e dinë se nuk ka as drejtësi, as siguri, as punësim, as të ardhme me banditët në qeveri.

Nga ky shesh zëri ynë është i qartë:
Ne duam drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë.
Ne e duam Saimir Tahirin para drejtësisë, pa imuniteti, i duam ministrat dhe politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin në burg.
I duam kriminelët e drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, të gjobvënies dhe shantazheve në burg.

Sepse duam një qeveri të lirë nga krimi dhe nga oligarkia.
Ne duam mundësi për të punuar dhe ndërtuar.
Ne duam mundësi për sipërmarrjen.
Ne duam të çmontojmë monopolet dhe oligarkinë.
Ne duam një ekonomi që prodhon mirëqenie për të gjithë. Një shoqëri me dinjitet për të gjithë.
Ne duam një shoqëri europiane dhe një Shqipëri në Europë.

Ne e duam Europën, sepse ne duam vlerat e Europës:
Ne duam drejtësinë që ka Europa, duam lirinë dhe dinjitetin që ka Europa, duam qeverisjen e Europës.
Nuk e kërkojmë Europën duke kërcënuar, nuk e kërkojmë Europën duke shantazhuar:
Ne e kërkojmë Europën sepse jemi të aftë, plot besim dhe të jetojmë dhe punojmë me nder dhe me mund si të gjithë europianët.

Prandaj ne kemi vendosur të qëndrojmë ndaj të keqes dhe të luftojmë për të mirën.
Sot jam para jush,
Jo për të kërkuar pushtet për vete, por shtet të drejtë për të gjithë.
Jo për tu bërë vetë kryeministër, por që kushdo që të jetë kryeministër, shqiptarët të jenë mirë.

Vitet e fundit kanë qenë një përpjekje e madhe për mua dhe demokratët: me arritje dhe me zhgënjime.

Por një gjë ka qenë e pandryshuar:
Ne kemi zgjedhur gjithmonë të jemi në anën e njerëzve dhe të interesit të tyre.
Ne kemi zgjedhur të jemi me Dritan Zaganin, kur të tjerët e quanin tradhtar dhe mbrojnë sot e kësaj dite Saimir Tahirin.
Ne kemi zgjedhur të denoncojmë dhe të luftojmë kriminelët në Qeveri, Bashki e Kuvend, kur ky që i solli, bën biznes dhe qeveris me ta.
Ne kemi zgjedhur të luftojmë kundër drogës, kur të tjerët paguhen me paratë e drogës për të na sulmuar, dhe për të blerë pushtet e pasuri.
Ne nuk jemi lëkundur asnjëherë në zgjedhjen tonë.
Nuk do lëkundemi as tani.
Ne demokratët do të luftojmë për atë që kam luftuar këto katër vjet: një shoqëri europiane, një shoqëri të denjë, ku sundon drejtësia, arsyeja dhe mirëqenia për të gjithë.

Por kjo nuk është vetëm beteja jonë, vetem e opozites. Kjo nuk është vetëm beteja ime. Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve.
Prandaj jemi bashkë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.
Bashkë do të sjellim drejtësinë, integrimin dhe përparimin e vendit tonë.

Për ata që pyesin: Cfarë strategjie keni? Unë ju them sot: strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDËR kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia.
Për ata që pyesin cfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE FITORE — me cdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj!
Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë!
Le të bashkohemi në këtë betejë ka kthuim, në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët e ndershëm.

***

Kryemadhi: Jemi 100 mijë në shesh, do i vëmë çizmen Edi Ramës. Nuk ka ambasador që e shpëton

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi në fjalimin e saj se në shesh janë 100 mijë protestues, që po vrasin frikën.

“Ne sot, të gjithë këtu, nga e gjithë Shqipëria jemi kundër një politikani që është i vetëm.

Ky njeri, që urren vendin e tij. Ky njeriu që urren familjen e tij. Ky njeri që nuk do flamurin tonë, por tallet me të, ky njeri duhet të ikë sa më parë. Ky njeri, që sot është vetëm, sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë të jesh vetëm, i mbytur në zullumin e tij.

Nuk ka drejtësi, ambasadorë, që ta shpëtojë, sepse i ka të gjithë kundër.

Sot në këtë bulevard, ku ka mbi 100 mijë protestues, i dha shpresë Shqipërisë.

Sot frika iku nga mendja jonë, sot frikë nuk kanë shqiptarët, sot frikë ka Edi Rama,” tha Kryemadhi.

“Sot dua t’u them me dorën në zemër, më shumë se kurrë kjo protestë ka një rëndësi të veçantë: për të gjithë ata që nuk besojnë tek opozita, kjo protestë u dha zemër të gjithë atyre njerëzve, atyre burrave e grave që kanë bërë gati plaçkat për t’u larguar, u jep shpresë të rinjve se e ardhmja e tyre është në Shqipëri”.

“Sot jemi të gjithë këtu për një Shqipëri, për Shqipërinë e bukur dhe të begatë, për Shqipërinë që do i vëjë çizmen Edi Ramës, pasi ky njeriu e dhunoi më shumë se çdokush tjetër. Këtij njeriu ka ardhur koha t’i themi ndal. Ju ftoj që nga ky moment të mos ndaloni”, tha Kryemadhi.

Mediu: Të marrim në dorë atë që na ka dhënë Zoti!

Shehi: Qeveria i ka mbledhur kaq shumë njerëz

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në tubimin e protestës se varfëria është i vetmi simbol i Rilindjes. Ai bëri thirrje për t’u ngritur kundër krimit e korrupsionit.

“Ka vetëm një rrugë: të marrim në dorë fatin tonë. Jemi këtu që t’i kthejmë përgjigje edhe atyre që na thonë se nuk duhet të protestojmë se kështu nuk na pranon Europa. Ne e duam Europën këtu.

Sot kemi mbyllur çdo rrugë të së ardhmes sonë për shkak të kësaj qeverie,” tha Mediu.

Ai bëri thirrje që të ndalet largimi masiv i shqiptarëve.

Mediu tha se në shesh janë biznesmenë, pronarë tokash, të përndjekur dhe qindra e mijëra qytetarë e fshatarë, që nuk pranojnë varfërinë dhe burgosjen.

“Jemi njerëz që besojmë te liria dhe Zoti. Prandaj atë që na ka dhënë Zoti, ta marrim në dorë. Prandaj ka vetëm një zgjidhje: të marrim fatin tonë në dorë”.

Kurse kryetari i LZHK, Dashamir Shehi tha se “ne jemi këtu për të treguar se nuk e durojmë dot dhunën dhe propagandën e një grushti njerëzish”.

“Jemi këtu për t’u thënë gjithë botës, që komuniteti më i madh këtu jemi ne”.

“Qeveria i ka mbledhur kaq shumë njerëz këtu, i ka mbledhur ajo, jo ne, i ka mbledhur pakënaqësia”.

“Shqipëria ka qenë edhe pa bukë, por nuk kanë ikur kështu. Shqipëria nuk po ikën se ka mbetur pa bukë, por ka mbetur pa shpresë,” tha Shehi.

“Ne do i themi ndal kësaj pune duke dalë këtu, ndryshe herën tjetër nuk do jemi kaq shumë, se nuk do ketë më njerëz, se do ikin të gjithë. Prandaj do rezistojmë sot sa kohë kemi forca të mjaftueshme për t’iu kundërvënë kësaj të keqe”.

Ndoka: Rama po bën biznes me të përndjekurit! Çika: Po riinstalohet diktatura

Kryetari i Partisë Demokristian, Nard Ndoka tha se “ne jemi të gjithë bashkë, të majtë dhe të djathtë, kundër një personi”.

“Ne i bëjmë thirrje Edi Ramës që të largohet sa më shpejt, të shpëtojë Shqipërinë nga kjo zgjedhë”.

“Katër vjet në qeveri jo vetëm nuk e mbajti premtimin për të hapur 300 mijë vende pune, por largoi 300 mijë njerëz nga Shqipëria”.

“Ai po bën biznes me të përndjekurit, duke ngritur pika turistike, por të ardhurat nuk shkojnë për ta”.

“Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku qeveria është një klub miqsh,” tha Ndoka.

Ai shtoi se Edi Rama po përdor simbolin e Skënderbeut për të fshehur problemet e vërteta të vendit, ndërsa shtoi se Rama dhe një miku i tij kanë shkruar kundër simbolit kombëtar.

Kurse Nebil Çika, kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë antikomunistë, tha në protestën e opozitës se antikomunistët shqiptarë janë sot në shesh bashkë me mijëra shqiptarë të ndershëm.

“Sot protestojmë kundër një qeverie që po instalon diktaturën në Shqipëri.

Ky vend është në diktaturë për shkak se po instalohen ish-sigurimsat e shtetit dhe ish-blloku komunist. Po kapin edhe drejtësinë me ish-sigurimsa, dhe gjykatës dhe prokurorë të kohës së diktaturës”, tha Çika.

Sipas tij, ne jemi shumë në këtë shesh sepse kemi arsye shumë të mëdha për të protestuar kundër kësaj qeverie diktatoriale.

Aktivisti i PS: Banda e Rilindjes e bën Ramën të dobët

Në protestën e opozitës ka folur edhe një aktivist i Partisë Socialiste.Ai quhet Agim Kaca dhe tha se ka vetëm një gjykatë të pastër në vend.

“Jemi mbledhur në këtë bulevard për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës, e përfaqësuar nga banda e Rilindjes. Por të gjithë ata, e bëjnë Edi Ramën të lig dhe të dobët. 

Unë sot si qytetar i zakonshëm i këtij vendi, i bëj një pyetje Edi Ramës: A është e vërtetë që ke sjellë kriminelë në parlament? A është e vërtetë që e ke veshur krimin me pushtet?

Prandaj duhet të jemi gjithmonë të bashkuar. Sot Shqipëria ka nevojë për reformë në drejtësi, por jo të gjitha gjykatat janë të korruptuara, është një gjykatë që nuk korruptohet, që nuk e frikëson askush. Ajo është e pastër si bora e malit. Kjo gjykata është populli shqiptar. Kjo gjykatë jeni ju, që do e përzini Edi Ramën nga pushteti.

Ndaj sot i bëj thirrje Lulzim Bashës që me vendimin e kësaj gjykate, të pastrojë kryeministrinë nga krimi, të luftojë për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve,” tha Kaca.

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: basha vide 26 Qershori, Protesta

Haradinaj: Në kohën e Holokaustit, ne dhamë provimin si popull!

January 27, 2018 by dgreca

4haradinaj hebrejtePRISHTINË, 26 JANAR 2018-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot vendosi lule te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, që pësuan gjatë Holokaustit, në vendin ku ishte Sinagoga e fundit.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj theksoi se si çdo vend në botë, edhe në Kosovë kujtohet tragjedia e Luftës së Dytë Botërore, kujtohen dhimbjet e mëdha, fati i hebrenjve, viktimë e asaj lufte, pra kujtohet Dita Ndërkombëtare e Holokaustit.
“Në Kosovë te shqiptarët kemi ndjenjën e mirë se në atë kohë e kemi dhënë provimin si popull, por duke kujtuar tragjedinë e së kaluarës dërgojmë porositë që të gjithë të jemi vigjilentë që njerëzimit të mos i përsëriten kurrë tragjedi të tilla. Populli ynë ka kaluar nëpër tragjedi, i kemi tragjeditë e luftës 1998-1999 dhe jemi të ndjeshëm për këtë. Respekt për të gjithë ata që iu mor jeta në mënyrë të padrejtë në tragjeditë e së kaluarës”, ka thënë kryeministri Haradinaj./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Haradinaj, Holocaust, shqiptaret

Ita Bartuv: Unë u linda dhe jetova falë besës shqiptare

January 26, 2018 by dgreca

epa05925152 People review portraits of Jews, victims of the Holocaust, during Yom Hashoah, a Holocaust Remembrance Day in the Holocaust Memorial Center for the Jews of Macedonia, in Skopje,The Former Yugoslav Republic of Macedonia on 24 April 2017. A Holocaust Memorial Center in honor of the 7,148 Jews from Macedonia who were killed in the Treblinka Nazi concentration camp in March 1943, was opened in a ceremony on 10 March 2011. Israel remembers the 6-million Jews who were exterminated at the hands of the Nazis during World War II on 24 April.  EPA/GEORGI LICOVSKINe Foto:Disa vajza shikojnë portretet e hebrenjve, të vrarë gjatë Holokaustit, në Qendrën Përkujtimore për Hebrenjtë, në Shkup të Maqedonisë. 24 prill, 2017/

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, që përkujton 27 janarin e vitit 1945, kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau, të premten në Shkup është bërë promovimi i librit, i botuar në tri gjuhë, i autores hebreje, Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi me titull: “Jeta ime nën pushtimin nazist” .

Vajza e autores së librit, Ita Bartuv apo siç na përmirëson ajo duke qeshur (Drita Faraxhi), emër ky që sipas dokumenteve i është dhënë asaj në atë kohë nga shteti shqiptar (Shqipëria), thotë se nëna e saj tërë kohën i ka përsëritur se ajo ka lindur dhe ka arritur të mbijetojë me tërë familjen, “falë besës shqiptare”.

Zonja Bartuv, tha për Radion Evropa e Lirë se nëna e saj gjithë kohën i ka rrëfyer për, siç e quan ajo, tehun therës që ka ndjekur rrugëtimi i familjes së saj dhe vetë asaj si foshnje e porsalindur, rrugë kjo në mes tmerrit dhe shpëtimit duke u nisur nga Shkupi, përmes Kosovës për të arritur në Shkodër të Shqipërisë, ku janë pajisur me dokumente shqiptare. Aty, kanë qëndruar për një kohë dhe më pastaj janë nisur për në Kili dhe në fund të vendosen në Izrael.

“Gjersa nuk u publikua në tërësi rrëfimi i nënës sime, unë nuk kam pasur njohuri të plota rreth identitetit tim. Kur më quajtën sërish Drita, unë sikur u përmenda, më përshkoi gjithë trupin rrëfimi i nënës sime”, thotë Bartuv.

“Besa dhe fuqia e papërshkrueshme mbrojtëse e kësaj fjale”, thotë Ita Bartuv, duke folur për besën shqiptare.

“Copëzat e rrëfimeve të prindërve se si shpëtuan familja ime duke më mbajtur mua në krah si foshnje, duke lëvizur nga oborri i një shtëpie në oborrin e shtëpisë tjetër, përmes një dere të vogël që lidh oborret dhe fjalës që thuhej gjatë rrugëtimit: ‘këta i kam marrë dhe po t’i dorëzoj në besë’”, rikujton rrëfimet që ka dëgjuar nga e ëma, zonja Ita Bartuv.

“Jam mirënjohëse që dikush erdhi dhe pas 70 vitesh e nxori në një të vërtetë që ishte e ruajtur për aq kohë në dorëshkrim nga nëna ime. Shpresoj që ky rrëfim do të shërbejë për studiuesit e historisë dhe mbarë njerëzimin, për të mësuar se ç`të keqe solli lufta“, thekson Ita Bartuv.

Libri autobiografik “Jeta ime nën pushtimin nazist“, me kujtimet e Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi është botuar në tri gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe anglisht nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Kopertina e librit "Jeta ime nën pushtimin nazist"

Kopertina e librit “Jeta ime nën pushtimin nazist”

Drejtori i këtij institucioni, Skender Asani tha për Radion Evropa e Lirë se një periudhë historike, si pasojë e sistemit monist nuk është ndriçuar në mënyrën e duhur, duke nxjerrë në pah se ishin familjet shqiptare ato të cilat ndihmuan në shpëtimin e një pjese të familjeve hebreje që të mos depërtohen në vendet e rajonit.

“Rrëfimi i Ita Bartuv apo Drita Faraxhi është vetëm një shembull se si ka qenë në atë periudhë kohore shpëtimi i jetës së hebrenjve dhe në ato momente të vështira se si shqiptarët u kanë dalë në mbrojtje duke rrezikuar dhe jetët e tyre”.

“Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë e ka parë të udhës të zbardhë një periudhë historike të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë ishin në shënjestër dhe i vetmi shpëtim për ta ishin shqiptarët dhe veçanërisht Shkupi si qytet, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për shpëtimin e hebrenjve nga Maqedonia, por përmes Bosnjës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë erdhën në Shkup, që pastaj përmes Kosovës të kalojnë në Shqipëri, siç theksohet edhe në këtë libër”, thotë Asani.

Aushfic

Aushfic

Ndryshe, të premten në Shkup është organizuar një akademi përkujtimore me rastin e 73-vjetorit të çlirimit të kampit fashist Aushfic nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Shoqata qytetare “Acta Non Verba” – Shkup, në bashkëpunim dhe me Sekretariatin për Çështje Evropiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.( Kortezi:Zërijeta Hajro Jajaga RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: falë besës shqiptare, Ita Bartuv:, Unë u linda dhe jetova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 447
  • 448
  • 449
  • 450
  • 451
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT