• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, Thaçi: Dialogu në fazën finale

January 25, 2017 by dgreca

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Në takimin në Bruksel është arritur qëllimi kryesor, ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve/

2 Thaci 2 Dialogu -Dialogu ka arritur në fazën finale, Kosova mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes/

1 Thaci dialogu

PRISHTINË, 25 Janar 2017-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i sapokthyer nga Brukseli tha sonte në Prishtinë se në takimin e djeshëm të nivelit të lartë Kosovë-Serbi qëllimi kryesor, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve, është arritur.“Padyshim situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së procesit të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet dy shteteve respektive, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit të hidhura me veprime provokative dhe retorikë nacionaliste, kanë bërë që ky takimi të jetë mjaft i vështirë”, tha Thaçi. Përkundër këtij fakti, vijoi presidenti kosovar, ne jemi liderë shtetërorë dhe kemi përgjegjësi për të punuar me përkushtim për ruajtjen e paqes dhe normalisht, edhe përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. “Mund të them që jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve të panevojshme, është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore”, theksoi Thaçi.Për ne, vijoi ai, ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve që qëllim dhe rezultat kanë destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë.“Këtu, përfshihen të gjitha ato veprime negative provokuese që ndodhën gjatë periudhës së fundit, që më shumë sjellin kujtime të një të kaluare të hidhur dhe si të tilla ngufatin hapësirën për veprime afirmative dhe pozitive drejt qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”, theksoi presidenti i Kosovës.Ai u shpreh se mendon se ka pasur një mirëkuptim ndërmjet palëve për domosdoshmërinë që të ulen tensionet dhe t’i përkushtohen procesit të dialogut me seriozitetin më të madh.

“Një dakordim tjetër mes palëve të përfshira ka qenë edhe gatishmëria për intensifikimin e takimeve të nivelit të lartë politik dhe ne si përfaqësues të Kosovës kemi shprehur gatishmërinë tonë që të japim kontributin maksimal konstruktiv në këtë aspekt”, tha Thaçi.

Në të njëjtën kohë, vijoi presidenti i Kosovës, ne mendojmë se dialogu tanimë ka arritur në fazën finale kur edhe duhet të jetë e qartë se cili është përfundimi dhe rezultati përfundimtar i këtij procesi.

“Në këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë shpresoj se me ndihmën e ndërmjetësueses znj. Federica Mogherini, ne do të mund të negociojmë dhe të arrijmë një marrëveshje politike përfundimtare të pajtimit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy shteteve. Vetëm një marrëveshje e tillë është garancë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, garancë për procesin e integrimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në BE dhe NATO”, theksoi presidenti Thaçi.

Prandaj, vijoi ai, Kosova mbetet tërësisht e përkushtuar në këtë proces tepër të rëndësishëm dhe mbetet faktor determinues në favor të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

“Për fund, edhe njëherë dëshiroj të falënderoj zonjën Mogherini për rolin e saj aktiv dhe vendimtar në uljen e tensioneve në mes dy vendeve tona, por edhe për hapjen e mundësisë për një perspektivë të një dialogu të mirëfilltë, që do të çonte drejt normalizimit të plotë, drejt fqinjësisë së mirë dhe pajtimit Kosovë-Serbi dhe popujve tanë. Kosova thërret përsëri për paqe, stabilitet, mirëkuptim, për vlera euroatlantike, për fqinjësi të mirë dhe dua të shpresoj se do ta kemi këtë vullnet edhe te pala serbe dhe ky proces sikur edhe dje, do të udhëhiqet nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian”, theksoi presidenti Thaçi në

Pas takimit në Bruksel, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi  se, “me delegacionin e lartë nga Prishtina,  me mbështetjen e BE-së, u dakorduam që të vazhdojë seria e dialogut në nivel të lartë, si dhe që të ‘ulet topi’ në deklaratat e zyrtarëve”.

Në Bruksel, mbrëmë vonë, ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ka bërë të ditur se palët “kanë diskutuar zhvillimet e ditëve të fundit, janë pajtuar për të lënë prapa tensionet dhe për t’u përqendruar në punën përpara”.

Në raundin më të ri të  takimeve në nivel të lartë Kosovë-Serbi, në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, për herë të parë, pas 30 raundeve kryeministrore, dje ishin edhe presidentët, Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, bashkë me krerët e qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ndërsa në fokus ishte dhënia fund situatave tensionuese dhe realizimi i marrëveshjeve.

Kishte kaluar një vit pa takime në nivel të lartë Prishtinë-Beograd në Bruksel, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar, ndërsa raundi më i ri i dialogut u mbajt dje ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të pasuara edhe me retorika e të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.

Filed Under: Featured Tagged With: dialogu, Kosove-Serbi, në fazën finale, Thaci

Dosja e Musine Kokalarit

January 25, 2017 by dgreca

Dosja e Musine Kokalarit….Nuk është dosja e Musinesë, por e jona. Ndaj ta shfletojmë sheshit. Të lajmë gjynahet . Dhe tu themi bijve, se sa e shëmtuar është koha kur njeriu e ha njeriun.Pra, nuk është dosja e saj more zotërinj. Eshtë dosja jonë. E poshtërsive tona./

Nga Ilir Levonja/1-ilir

 

Më 10 shkurt të këtij viti është 100 vjetori, i lindjes së Musine Kokalarit. Gruas simbol i vetvrasjes shqiptare. Po aq sa e bukur aq edhe e mënçur. Short që mëma natyrë rrallë i tok bashkë. Startimit të kulturës me identitet të mirëfilltë shqiptar. Ose përpjekjes për tu dalluar midis dalldisë së Anadollit dhe perëndimit mistik. Një qëmtuese e gjuhës sonë, ose akademia e leksikut të shqipes. Që po ta krahasosh me të folurën e analfabetëve të sotshëm, një batalion rrugëtarësh që hanë fara luledielli. Të vjen keq për fidanishten aktuale shqiptare. Një e folur vdekjeje me ha re ça ban. Dhe ojna huazimesh, sa nga Pireu, sa nga Bosfori, aq edhe nga Apeninet, Iberia. Apo Baltiku i sipërm. Një turli e përsosur e kuzhinës sonë të re, aktuales, ose ”moderne”.2 Musine 3

Për një arsye a një tjetër përkoji që teksa po shfletoja jetën e saj. Krijimtarinë. Të sajën dhë të një martiri tjetër si At Zef Pllumi. Mëkatet shqiptare…, apo gropat tona që zor se kanë për tu mbushur. Që një web si Shqiptarja.com, njofton se si në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes nis proçesi i hapjes së dosjeve. Dhe si dosja e parë, nga ato që do hapet, është pikërisht kjo e Musinesë.

1 Musine Kokalari

Kryeveprës së krimit të Sigurimit të Shtetit. Këtij shteti që në kohë të caktuara të ha të gjallë. Dhe në një kohë tjetër të ngre lapidar.

Në fakt Musineja është jo çështje shtetërore, por kombëtare.

Dhe nuk e di se pse pikërisht në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të ligjërojë një zëvendëskryeministër. Duke mënjanuar horrlliqet e një dikasteri simotër si Ministria e Brendshme. Apo një institucioni që pak ditë më parë festoi 104 vjetorin, e kujtoi me qindra oficerë në ca ambjente policie si kazerma skenash teatri. Me tryeza fantash e pjata plot antipastë. Kujtoi vetëm arritjet, jo firot. Jo zullumet. Dhe padiskutim…, që në këtë gosti kanë çekur gotat plastike edhe dënuesit e saj. Madje mund të mbajnë në shtëpi dekorata. E tu mburren nipërve e mbesave. Janë harxhuar kaq vite përgjimesh, survejimesh, e përndjekje sa i bie që mbi 80% e aparatit shtetëror të ketë mbi supe pjesë nga pesha e mëkatit.

Ndaj e them se Musineja nuk është çështje shtetërore, por kombëtare.

Ne shqiptarët nëse kemi Zot, qoftë ky Krishti apo Allahu…, por edhe po nuk patëm. Karshi Musinesë duhet një falje kolektive.

Madje nga ajo e tipit të bulevardit.

Duhet të shkojmë aty. E të rrëfejmë se si e përndoqëm. Të gjithë…, me ushtarakë, me interesaxhinj, me mjekë, me nënpunësa. Se si e çuam drejt kancerit një akademi të tërë. Vetëm e vetëm për të dëshmuar se sa të aftë jemi për dënime kolektive. Dënime në masë.

Nuk e di se çfarë peshe ka një dekoratë kur kujton rastin Musine Kokalari.? Të dëshmojmë se dimë të vetvritemi.

Se sa të pamëshirshëm jemi për të lidhur duart e të vdekurit. Për ta varrosur lidhur me tela me gjëmba.

Ndaj them se nuk është çështje shtetërore, por kombëtare dhe sociale.

Të dalin ata mjekë që i mbyllën dyert e spitalit.

Ata survejues dhe mbajtës protokolli se sa lopata me llaç hidhte. Sa libra lexonte. Në ç’orë shkonte në banjo. Me kë shoqërohej. Më kë fliste. Më kë shëtiste.

Të dalin ata që u gajasën së qeshuri kur Enver Hoxha u habit e tha se, akoma gjallë është ajo rrospija.Kështu vjen një palë në pushtet dhe e kujton duke dhënë ca fonde për botimin e veprës së saj. Që sapo e shikon … me atë letër të shpifur. Dhe shtypur si mos më keq…, në ca shtypshkronja pa emër.

Nuk është e vështirë të kuptosh poshtërimin e dytë e të Musinesë.Vjedhjen tonë klasike, që më jep 5 për këtë punë. Se e bëj me 1 lekë diku. Dhe të tjerat i ndajmë bashkë. Ashtu sikur nuk është e vështirë të kuptosh sot, këtë poshtërimin e tretë. Që bijtë e etërve xhelatë. Hiqen sikur nderojnë martirët e kombit. Nga dikasteret e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministrisë që na mbron nga armiqtë e jashtëm. Një fallcitet i radhës. Një politikë e vrasjes natën dhe e qarjes ditën. Nuk është dosja e Musinesë, por e jona. Ndaj ta shfletojmë sheshit. Të lajmë gjynahet . Dhe tu themi bijve, se sa e shëmtuar është koha kur njeriu e ha njeriun.

Pra, nuk është dosja e saj more zotërinj. Eshtë dosja jonë. E poshtërsive tona.

25 janar 2017

Filed Under: Featured Tagged With: DOSJA, e Musine Kokalarit, Ilir Levonja

Esat Pashe Toptani i Ilir Ikonomit

January 25, 2017 by dgreca

esat-pasha-ballina

ikonomi

RRETH LIBRIT “ESAT PASHË TOPTANI (NJERIU, LUFTA, PUSHTETI)”  TË ILIR IKONOMIT/

Asllani 53

NGA ASLLAN BUSHATI/

Këto vitet e fundit janë botuar shume libra biografik, ose të karakterit historik, por që në qendër kanë një personalitet  politik. Në jetën shqiptare kjo pothuaj  nuk  është një dukuri e re,  sepse edhe më përpara  janë  shkruajtur  shumë libra për Skenderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Bushatëlinjtë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ded Gjoluli, Mic Sokolin, Azem e Shote Galicën, Hoxhë Kadrinë, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi,Cerciz Topullin, Avni Rustemin e shumë e shumë të tjera. Por e reja e botimeve të kohëve të fundit  është  se në qëndër janë vënë figura qëndrore ose komplekse  të politikës shqiptare si : Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe së fundëmi Esat  pashë  Toptani, për të cilat  sipas medias ,lexueshmëria ka qenë më e madhe  se sa pritej.

Para disa ditësh  në një të përditëshme shqiptare, lexova titullin e një artikulli  që afërsisht thonte: “… kush është i interesuar për ringjalljen e tradhëtarit  Esat pashë Toptanit”? Më erdhi për të qeshur  dhe nuk e lexova për dy arsye: së pari se kjo  më kujtoi  kohën e shtetit totalitar ,ku  cdo gjë servirej bardhë e zi (ose atdhetar ose tradhëtar), dhe së dyti,  sepse isha në përfundim të leximit të librit “Esat Pashë Toptani-njeriu, lufta,pushteti”, të studiuesit serioz dhe gazetarit të mirënjohur të  VOA-së Ilir Ikonomi.  Libri prej 550 faqesh më mjaftonte të kisha gjykimin tim  të painfluencuar nga artikulli i mësipërm  për autorin, personazhin historik, dokumentacionoin,stilin, fotografitë, lidhjen etj.

Tani i “cliruar” nga  cdo efekt anësor,  mund të them se studiuesi  Ilir Ikonomi, na  befasoi me materialin shumë voluminoz (shumica  i  pa njohur më parë) ,që paraqet para lexuesit për figurën komplekse të Esat pashë Toptanit. Personalisht mendoj se nuk kemi të bëjmë me një libër të theshtë biografik, por kemi të bëjmë  me  një punë të mirfilltë kërkimore  e shkencore ,  bazuar kjo  në qindra dokumenta autentike  e mijra citime . Libri (studimi) është paraqitur me një stil të shkruari të thjeshtë,pa përsëritje, pa ndërlikime frazore e me një fjalor letrar të pasur. Nga këndshikimi logjik, në asnjë rast nuk deklarohet ose theksohet se kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, por me fakte të drejpërdrejta dhe me burime të tjera shkresore  , autori e shtynë lexuesin të mendojë e gjykojë vetë.  Pra,  Esat pashë Toptani, pas leximit, nuk është më  i Ilir Konomit,por i lexuesit. Ky i fundit me materialin që merr,vetëdijen e tij  dhe me bagazhin që posedon , ka të drejtën e vet ta vlerësojë Esat Toptanin real  si gjeneral   e si politikan, si atdhetar apo si tradhëtar, si trim apo frikacak, si njeri i mprehtë apo injorant, si i besës apo si i pabesë, si opportunist apo si dinak, si babaxhan apo si dallaverexhi etj.  Por në të njejtën kohë studiuesi  Ilir Konomi, nuk është vetëm vëzhgues e  ofrues  faktesh . Ai  tërthorazi   cfaq  mendimin e vet, i  cili është llogjik e i bazuar në  dokumenta dhe u hap një hpsirë të re në radhë të parë historianëve për ta riparë  e rivlerësuar Esat Toptanin  në kontekstin e kohës që ka jetuar ,se sa ai i ka shërbyer kauzës së Kombit ose sa dëme i ka sjellë asaj. Nisur nga sa më lart autori me të drejtë shtron pyetjet për Esat pashë Toptanin se :”Ku e mësoi artin e të folurit,që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse sesa  belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?”. Autori e përshkruan Esat Toptanin në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës : ”Përballja me sultan Abdyl Hamitin,rrethimi i Shkodrës, rivaliteti me Ismail Qemalin, bashkëjetesa dhe ndarja me Princ Vidin,rikthimi në Durrës dhe qeverisja nën rrethimin e rebelëve të Shqipërisë së Mesme,lufta në Frontin e Selanikut, Konferenca e Paqes dhe vrasja nga Avni Rustemi në Paris”.

Tani pyetja shtrohet edhe për mua (si autor i këtyre rrshtave) se si e shoh sot Esat pashë Toptanin?  Para se ta lexoja botimin e Ilir Ikonomit , njohuritë e mija për këtë figurë ishin të pakta dhe kryesisht ato që ka shpalosur shtypi  zyrtar dhe historiografia shqiptare. E thënë shkurt tradhëtar dhe dallaverexhi, sinonim i njeriut që i ka bërë keq atdheut. Kurse mendimi që kam sot për të është  më i gjërë, më kompleks dhe nuk mund ta them  me nje ose disa epitete, por sipas kohës, rrethanave dhe  alternativave që ka patur në dispozicin, parë të gjitha nga këndshikimi i interesave kombëtare.

Esat pashë Toptani gjeneral, kryesues i delegacionit të Parlamentit turk prej katër vetash i komunikon padishahut sulltan Abdyl Hamiti i dytë se ka rënë nga froni, lajm që tronditi  Turqinë dhe gjithë botën e asaj kohe. Pyetja shtrohet pse nuk qenë në gjendje ta bënin  këtë gjeneralë të tjerë të cilët do të hynin në histori me këtë veprim? Mendoj se gjeneral Esat pashë Toptani  ishte trim, guximtar, por edhe avanturier  duke synuar poste më të larta. Tjetër, Esat pashë Toptani deputet në parlamentin turk mbron hapur kryengritjet në Kosovë dhe bën përgjegjëse qeverinë se ka qenë shkaktare e zemërimit të popullit shqiptar dhe se është sjellë me brutalitet duke ju drejtuar me gisht  e duke bërë debat të ashpër  me kryeministrin dhe  ministrin e luftës.  Kur zona më e nxehtë e luftës bëhet Shkodra, Esati emrohet komandant i trupave  shqiptare të përforcimit (rezerviste), domethënë zëvëndës komandant i frontit të luftës me Malin e Zi. Kur komandanti turk  (Hasan Rizai), vritet, Esati emrohet komandant i frontit të luftës post të cilin e mbajti jo vetëm shtatë muajt e rrethimit të Shkodrës, por deri kur pjesën turke të ushtrisë e përcolli me anije nga Durrësi. Dokumentat që sjellë Ilir Konomi  për kohën e rrethimit në Shkodër dhe veprimtarinë ushtarake e diplomatike të Esatit, janë mbresëlënëse. Ai  e ruajti ushtrinë dhe popullsinë e qytetit me rrethinave, në kushte ekstreme, deri në kafshatën e fundit të bukës nën kërcënimin serioz të luftës dhe urisë. Mbante lidhje (krahas prijësve vendor ) edhe me austriakët, italianët, francezët, britanikët,rusët ,grekët, serbët,  madje dhe me armiqt e frontit malazest,në një kohë që Stambolli nuk i dërgoi asnjë ndihmë ushqimore gjë e cila solli urinë duke përdorur edhe mish kali të ngordhur vetëm për të mbetur gjallë. Ushtarët turq shpesh nuk deshën të luftonin e të vriteshin për një qytet shqiptar  që nuk i përkiste më Turqisë, por Esati i bindi dhe e mbrojti Shkodrën. Pyetja shtrohet se me këtë a ka vend ti thuhet atij se është tradhëtar dhe se  e dorëzoi Shkodrën kur për të kishte edhe një vendim të fuqive të medha për ta marrë ata në drejtim? Esati akuzohet se ka gisht në vrasjen e komandantit turk dhe se mund të ketë përfituar mjete monetare në mënyrë të pa drejtë, por ato mbeten akuza të pavërtetuara e si të tilla mund të jenë ashtu sic mund të mos jenë të vërteta.

Esat pashë Toptanin, disa e akuzojnë si turkofil me lidhje të forta me xhonturqit, por  pyetjes së gazetarit të” Corriere della sera”në korrik 1913 se :’Besoni se Shqipëria mund të mbetet nën sovranitetin formal të Stambollit? Ai i përgjigjet:Aspak. E përjashtoi në mënyrë absolute cdo formë të sovranitetit osman në Shqipëri dhe bashkë me mua këtë e përjashtojnë të gjithë shqiptarët. Gjatë dominimit prej pothuaj pesë shekujsh,turqit nuk kanë lënë në tokën tonë kujtime të tilla, për të dëshiruar sadopak që sundimi i tyre të vazhdojë ende tek ne si emër apo si kujtim historik”.

Esati pati kontradikta me Ismail Qemalin, disa të drejta e disa qëllimkëqija. E pranoi formalisht ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, por për qëllime e ambicje personale edhe i vendosi gurë në rrota qeverisjes së tij, për të cilën mori ndëshkimin e largimit  forcërisht nga Shqipëria. Austriakët fillimisht e përkrahën,por jo vonë e braktisën si i pabesueshëm për to. Italianët e përkrahën me gjatë, por menduan se autoriteti i tij,  mund t’ju rrezikonte qëllimet e tyre për  mbikqyejen e Shqipërisë dhe pushtimin e Vlorës me rrethina. Malazezët  e luftuan  dhe në pamundësi për ta mundur kërkuan ta korruptonin. Serbët i pranuan me vështirësi planet dhe qëllimet e tij për sundimin në një shtet të vogël në mesin e Shqipërisë. Por e ndihmuan  kur Esati ishte në rrezik, dhe si shpërblim,  ky i fundit  i ndihmoi për të kaluar nëpër Shqipëri , e për tu imbarkuar në anije  në kohën që austriakët pushtuan Serbinë. Grekët deshën ta afronin, por i trembeshin autoritetit dhe arrogancës së  tij. Britanikët qenë pothuase skeptikë, francezët besuan  përgjithësisht tek Esati, e ndihmuan, e cuan në frontin e Selanikut, por nuk ja njohën meritën në shkallë ndërkombëtare  Shqipërisë si shtet fitues në krah të Antantës. Amerikanët e vlerësuan sa Presidenti Willson e priti në takim zyrtar, ku Esati   i deklaroi:”Protektorati  italian, i urryer nga të gjitha pikpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i  besohej një fuqiie të painteresuar,do të ishte dicka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”.

Nga dokumentat e paraqitura nga Ilir Ikonomi, del se  Esati , vec e vec, me  shumicën e aktorëve ka lidhur marrveshje dhe  i kanë  dhanë mjete monetare të shumta të cilat i përdori për mbajtjen e ushtrisë   e për interest e tij personale. Këto mjete shpesh diktuan qëndrimet dhe lëvizjet e tij nga një aktor tek një tjetër, por shtetit të ardhëshëm shqiptar nuk i mbeti barrë pagesa e ndonjë dokumenti  të Esat pashë Toptanit. Ai ishte mosbesues për këdo, por dhe të tjerët ishin mos besues ndaj tij. Koha nga shpallja e pavarsisë së Shqipërisë e deri në konsolidimin e shtetit nga Ahmet Zogu ishte shumë e vështirë.

Nga gjithsa më lart, duke e studiuar me kujdes botimin e Ilir Ikonomit, unë nuk mund të them me se Esat pashë Toptani ishte thjeshtë tradhëtar, ashtu sic nuk mund të them se ishte një hero i vërtetë. Ai ishte një ushtarak dhe një politikan me  të mira dhe  dobësi si shumë udhëheqes  të së shkuarës dhe të sotëm të Kombit Shqiptar. Unë pajtohem plotësisht me autorin kur thotë se:”Ky punim nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia”.

Gjej rastin ta falenderoj përzemërsisht studiusin dhe gazetarin e mirënjohur Ilir Ikonomi, për punën e madhe studimore që ka bërë me punimin”Esat pashë Toptani-njeriu, lufta, pushteti”, me të cilën na ndricoi një pjesë të historisë sonë të viteve të para  të jetës së Shtetit tonë Shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, esat Pashe Toptani, Ilir Ikonomi

1929- Fan S. Noli:Një tragjedi në tri akte ndaj shqiptarëve

January 25, 2017 by dgreca

Mars 1929 / Fan Noli në revistën franceze « Le Cris des Peuples » : Një tragjedi në tri akte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe Greqi – Shpronësim, dëbim, asgjësim/

Noli

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

9 Noli

Nga Aurenc Bebja*, Francë/Revista mujore franceze « Le Cris des Peuples », 4 marsin e vitit 1929, ka botuar shkrimin e Fan Nolit, i cili gjendet në faqen n°18./

Serbët dhe grekët po ushtronin metoda barbare shpronësimi, dëbimi dhe asgjesimi ndaj bashkatdhetarëve tanë, të cilët, për arsye të politikave makiavelike, fatkeqësisht u gjendën jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

Në vijim, analiza alarmuese e Fan Nolit përreth kësaj situate : « Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës,  të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia.

Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta. Asnjë anëtar nuk i përfaqësonte në Skupshtinën (Kuvendi Serb) e shpërbërë.

Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vite burg për kryerjen e krimit në lidhje me shpalljen e rikandidimit të tij për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti « Nisam Xhafurri (Gjafuri) », u vra pabesisht në vitin 1927, për të njëjtën arsye. Rivali i tyre, Jusuf Ahmeti, u vra kohëve të fundit, për arsye se guxoi të zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Prishtinës.

Kështu hiqen qafe liderët problematikë. I vrasin në mes të ditës dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë famëkeqë të bandave fashiste të cilat terrorizojnë këta rajone që nga luftërat ballkanike nën kujdesin e qeverisë së Beogradit. 

***

 Disa të shtëna me revole mjaftojnë për udhëheqësit. Sa për banorët, ata ekzekutohen me mitraloz ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vendin pushtuesve fashistë serbë. Në këtë lloj mënyre « serbizohen » sistematikisht të gjitha rajonet shqiptare et sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro – jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra të pafatë janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit në këtë mënyrë çdo vit.

Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv. Kështu, kohët e fundit, një grup prej tre mijë të këtyre emigrantëve, pasi u endën nëpër gadishullin e Ballkanit – nga toka – për muaj e muaj, u detyruan gjithashtu të lëvizin edhe nëpërmjet detit…; Nuk i lejonin të zbarkonin në asnjë port. Disa të mbijetur të këtij udhëtimi u vendosën në Shqipëri. Të tjerët vdiqën nga uria, i ftohti, lodhja dhe nga sëmundjet e marra gjatë rrugëve.

Po fati i shqiptarëve të krahinës së Çamërisë (Epiri i Jugut), e aneksuar nga Greqia, e cila nuk është ndryshe (nga shembulli Jugosllav). Kjo është vetëm një përsëritje e të njëjtës tragjedi me tri akte : Shpronësim, dëbim, asgjësim.

***

Unë kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, atje tani ka vetëm 700 000 ! Mos vallë i kanë hequr qafe 300 000 ? Dhe sa kohë do u duhet për të eliminuar ata që kanë mbetur ? Ata (jugosllavët) do të veprojnë shpejt kësaj here dhe pa formalitete të panevojshme. Dhe kjo do të jetë lavdia më e madhe e « Dorës së Bardhë Panserbe » !Në mes të Europës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte e vështirë të ishe human, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jemi aq mizor.Pra, kancelaritë evropiane, të cilat janë të vetëdijshme për këtë çështje, nuk janë shqetësuar fare. Me sa duket, tonet e zbutura nuk janë në modë… Në Azinë e Vogël, bëhej fjalë për krishterë që u shfarosën nga muhamedanët turq. Në Jugosllavi dhe Greqi, bëhet fjalë për muhamedanë shqiptarë të shfarosur nga krishterët serbë dhe grekë. Ky është ndryshimi. Dhe kjo shpjegon në një farë mase indinjatën e djeshme dhe apatinë e sotme. A jemi ende në mesjetë ?E gjitha kjo e ka një shpjegim : vrasësit e armenëve ishin turqit, armiqtë e Luftës së Madhe ; vrasësit e shqiptarëve janë serbët dhe grekët, aleatët e Luftës së Madhe.

Gjithçka u lejohet aleatëve fisnikë. Por atëherë, a jemi ende në luftë ? Fatkeqësisht, po. Vetëm naivët besojnë se kemi bërë paqen e Versajës ! 

Fan Noli

Ish – Kryeministri shqiptar »

Shkroi:Aurenc Bebja,Francë/ – 25 Janar 2017(Kortezi:www.darsiani.com)

Filed Under: Featured Tagged With: 1929- Fan S. Noli: Një tragjedi, Aurenc Bebja, ndaj shqiptareve, në tri akte

Humbje tjetër e Serbisë ndaj Kosovës

January 24, 2017 by dgreca

1 KosvaSerbia e humbi apelin kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Gjykata e Arbitrazhit për Sportet njoftoi të martën se e ka hedhur poshtë këtë apel.Shoqata Serbe e Futbollit kishte argumentuar se UEFA kishte shkelur rregullat e veta duke i dhënë Federatës së Futbollit të Kosovës statusin e anëtarit me të drejta të plota në Kongresin e saj në vitin 2016.Por gjykata arriti në përfundimin se Kosova i plotësonte standardet për hyrjen në UEFA sepse është “njohur nga shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara si ‘një vend i pavarur’”.Serbia kishte argumentuar se Kosova, që ishte pranuar në UEFA majin e kaluar megjithëse nuk ishte anëtare e OKB-së, duhej të bllokohej.

Serbia dhe aleatët e saj, përfshirë Rusinë, nuk e kanë njohur Kosovën që kur ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008.Vendimi i UEFA-s, solli si rezultat anëtarësimin në FIFA, një javë më pas dhe përfshirjen në grupet e kualifikimit për Kampionatin Botëror të vitit 2018.

Filed Under: Featured Tagged With: në UEFA., Serbia e humbi apelin kundër anëtarësimit, te Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 540
  • 541
  • 542
  • 543
  • 544
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT