• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FSK-ja, donacion humanitar për qytetarët në Graçanicë

January 4, 2017 by dgreca

-Prifti Stankoviç, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e SHBA-ve, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës/

2-gracanice

PRISHTINË, 4 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i dhuroi një donacion humanitar (batanije, jastëkë dhe mbulesa) Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë, ndihmë për qytetarët e komunitetit jo shumicë të këtij vendbanimi.Dorëzim pranimi i donacionit humanitar të FSK-së u bë në ambientet e Manastirit Graçanica.Në emër të FSK-së, donacionin humanitar e dorëzoi nënkolonel Afrim Veseli, shef i Sektorit për Bashkëpunim me Agjencitë në kuadër të Departamentit për Marrëdhënie Civilo-Ushtarake në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa e pranoi prifti Sergjan Stankoviç, zyrtar i Manastirit.

Prifti Stankoviç, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e SHBA-ve, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës.

“Kjo ndihmë është e mirëpritur në këto kushte të vështira atmosferike dhe ekonomike. Prandaj falënderoj ambasadën e SHBA-ve, KFOR-in amerikan dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, shtoi pos tjerash prifti Stankoviç.

Ndërsa, nënkoloneli Afrim Veseli, tha se FSK-ja deri më tani ka kryer shumë projekte humanitare në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime feje dhe kombi. Ai premtoi se, FSK-ja edhe në të ardhmen, do të jetë së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, në ndihmën e tyre si dhe në realizimin e projekteve, qofshin ato humanitare dhe projekteve tjera e që janë në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu, nënkoloneli AfrimVeseli falënderoi edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, si dhe KFOR-in amerikan, për përkrahjen e vazhdueshme për FSK-në, edhe për dhënien e ndihmave humanitare dhe në realizimin e projekteve humanitare./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: donacion humanitar për, Fsk-ja, qytetarët në Graçanicë

FAN S.NOLI PER FAIK KONICEN

January 3, 2017 by dgreca

* Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve./

faiku-noli

… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën.

Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjest mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.

Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.

Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.

Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.

Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kishte parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.

Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.

Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.

Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.

Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.

Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.

Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.

Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.

Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.

Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.

Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Fan S Noli, per Faik Konicen

Me Shoqatën “Dibra” në New York

January 3, 2017 by dgreca

Në mjediset luksose të hotelit “Hilton” në Staten Island, shoqata atdhetare “Dibra” e priti me plot hare, këngë e valle Vitin e Ri 2017-të/

1-dibra-ok1-raifi2-maqellara2-merita3-qemali-e-valle

Shoqata atdhetare “Dibra” në New York së bashku në ndërrimin e motive 2016 të-2017-të/

4-kengetarja-e-raifi5-qemali-raifi6-haxhiu-me-vella7-grup-keng

Nga Keze Kozeta Zylo/Në mjediset lluksose të hotelit “Hilton” në Staten Island, shoqata atdhetare “Dibra” e priti me plot hare, këngë e valle Vitin e Ri 2017-të.  Familjet dibrane vinin grupe grupe dhe uronin njeri tjetrin: “Gëzuar Vitin e Ri 2017-të”.  Salla e mbushur nga qindra vetë gumëzhinte nga njerëzit, por ajo qe i jepte më shumë emocion dhe dukej sikur mbushte gjithë godinën me cicërima zogjsh ishin  fëmijët e bukur dibranë.Ndërsa matanë xhamave të sallës dukeshin pemët nudo të zhveshura nga stina e akullt e dimrit si skulptura të Mikelanxhelos, ku rrezet e Hënës së verdhë në portokalli si dhe dritat e Vitit të Ri të sillnin imazhin e penelit të Van Gogut “Path In The Woods”, sillnin reflekse të magjishme midis pemëve dhe shtegut midis krahëve të tyre.

Mrëmjen e hapi artisti i mirënjohur, bilbili i Dibrës Haxhi Maqellara i cili pasi iu uroi gjithë shqiptarëve: “Gëzuar Vitin e Ri 2017-të” ftoi në skenë kryetarin e shoqatës atdhetare “Dibra” z.Dashnor Miftari i cili së bashku me kryesinë e shoqatës premton shumë për punë edhe më të bukura në shërbim të Kombit.  Z.Miftari uroi gjithë pjesëmarrësit për një vit të mbarë dhe plot suksese dhe i la ata të gezojnë dhe vallëzojnë nën tingujt e muzikës së bukur shqiptare.

Duke dëgjuar dhe ndjekur nga afër aktivitetet e ndryshme të shoqatës atdhetare “Dibra” të cilët në shoqatën e tyre pranojnë çdo shqiptar medoemos këta të rinj që drejtojnë kryesinë si dhe gjithë Dibra të kujtojnë dhe sjellin ndërmend fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ku, ndër të tjera tha: “Kristiani e myslimani janë vëllazën shqiptarë e të pandarë.” Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), (12 mars 1867-24 Mars 1937) ishte klerik dhe aktivist politik shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Parlamentit të Shqipërisë dhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Mbrëmja entuziaste me këngë e valle u drejtua nga artisti i shquar dhe mjeshtri i fizarmonikës z.Raif Hyseni së bashku me orkestrën e tij, anetarët e së cilës janë Mirgjen Darova, Sevim Omer dhe Adrian Asllani.  Z.Raif Hyseni nën interpretimin plot profesionalizëm në fizarmonikë me hapjet dhe mbylljet e saj duket sikur sjellë frymë, ajër në këto festa të bukura shqiptare.  Ai së bashku me bashkëshorten e tij simpatike artisten e shquar dhe të dashur të shqiptarëve znj.Merita Halili janë një binom i shkëlqyer artistësh që debutojnë profesionalisht dhe plot kulturë.  Zëri i saj u dëgjua si një kanarinë që duket se do na shoqërojë për gjithë vitin 2017-të dhe përgjithmonë.

Një zë i magjishëm që koordionoi bukur traditën me modernen ishte nga artisti i ardhur enkas nga Micigami, z.Florent Nushi.  Interpretimi i tij ngriti peshë gjithë sallën, ku ciftet në krahët e njeri-tjetrit vallëzonin dhe këndonin së bashku.  Tek ky artist nga Gjakova është kombinuar harmonishem talenti dhe kultura që ka marrë në Akademinë e Arteve.  Debutimi plot kulturë nga artisti Nushi solli dhe më shumë emocion dhe më shumë hare në këtë mbrëmje mbresëlënëse.

Edhe debutimi i artistes së re ardhur nga Virxhinia znj.Amarda Arkaxhiu ishte i bukur, i ngrohtë, dëgjohej dhe kërcehej me endje nga pjesëmarresit.  Energjia e pashterrshme e saj sillte dhe më shumë entuziazëm vecanërisht tek të rinjtë që s’duan të ulen kurrë në natën magjike të Vitit të Ri…

Dy artistët e mrekullueshëm, dy vëllezërit Haxhi dhe Agron Maqellara gjithmonë sjellin emocion, interpretime profesionale për këngën e bukur lirike dibrane, këngën e bukur qytetare dhe plot mesazhe frymëzuese.  Ata janë një familje arisitësh, ku dhe fëmijët e tyre po vazhdojn ëtraditën.  Vlen për të përmendur tenorin Blerar Maqellara një djalë që edhe pse në moshë të re arriti të jetë superstar në shkollën publike amerikane “S.E.Wagner” me mijëra studentë ku ai u përzgjodh në rolet kryesore në shfaqjet teatrale tejet të mirënjohura, marrë nga Brodway show.  Jam e sigurtë në ëndrrën time që një ditë do ta shoh Bledarin në skenat më të famshme.   Shumë këngë të interpretuara prej tyre janë të shkruara nga kantautori Haxhi Maqellara i cili është vlerësuar jo vetëm si artist por dhe si debutues për çështjen kombëtare. Kënga e tij për Tiranën ngre lart shpirtin punëtor dibran, krenarinë e ligjshme të saj dhe ja se si në këto vargje:  

“Aty hëngrëm bukë e krypë/ Tuj punu, e jo tuj lypë”…

Pjesëmarresit u argetuan gjithashtu dhe nën tingujt muzikor të “DJ Luani”.

Mbyllja e kësaj mbrëmje festive mbresëlënëse do të mbahet mend gjatë kur salla u mbush me zërat e të gjithë artistëve të cilët u bashkuan në skenë duke interpretuar së bashku këngë të ndryshme shqiptare.  Harmonia e zërave të tyre dukej si një kompleks i bukur që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve.  

Këtë natë të bukur festive e solli shoqata atdhetare “Dibra” me kryetar z.Dashnor Miftari dhe anëtarët e kryesisësi: Arbër Kuka/ Besar Dika/ Bekim Pacuku/ Bekim Papraniku/ Bekim Kosovrasti/ Gazmend Kërkuti/ Ibrahim Rexha/ Nderim Marke/  që edhe pse larg Atdheut mban gjallë dhe mbështetet në rrënjët e të parëve të tyre, është një shoqatë që ka brenda njerëz të cilët janë integruar me kulturë në botën amerikane çka të kujton personalitetin e shquar të Kombit, dibranin Josif Bageri i cili ka thënë:  “Mjaft kom kjon kpuc mbaronjës/ Mjaft punova kët mjeshtri/ Tani due me kjon shkronjës/ Me sa t’di, Vjershtor të mbrri”.

Shoqata atdhetare “Dibra” së bashku me pjesëmarrësit e pritën me këngë e valle ndërrimin e motive të vitit 2016-të në 2017-të.

Gjithë aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” New York me themelues dhe producent z.Qemal Zylo, aktivitet që do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

1 Janar, 2017

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, feste, ne Marriot, ne Nju Jork, Shoqata Dibra

Nishani: 2017, viti kur reforma duhet të fillojë të flasë

January 1, 2017 by dgreca

Mesazhi i urimit të Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani me rastin e Vitit të Ri 2017/

1-presidenti-nishani-urimi-vitit-te-ri

Të dashur bashkëqytetarë,/

Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni,/

Motra dhe vëllezër,/

Mirëmbrëma të gjithëve!/Erdhëm në fundin e një viti tjetër, që na mbledh me njëri-tjetrin në vatrat familjare, siç është traditë tashmë, në një mbrëmje të veçantë reflektimi, gëzimi, ëndërrimi për nesër.Kjo është festa e përbotshme e ndërrimit të viteve, e kapërcimit nga një fund në një fillim, e nisjes së re të gjithsecilit në rrugën e mrekullueshme të jetës, pavarësisht pengesave dhe vështirësive.Në këtë festë të madhe, në këtë botë të madhe, ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët, një popull jo shumë i madh në numër, por nga më të vjetrit, që ka lindur dhe dëshiron të jetë përgjithmonë pjesë e familjes euro-atlantike.Sonte është nata e miliona urimeve për një vit më të mirë, më të mbarë, më të begatë, për të gjithë shqiptarët në të katër anët e globit.

Motra dhe vëllezër,

Ndihem vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar pa dyshim dhe do të doja t’ju uroja një për një, në cilësinë e Presidentit të Republikës, në emër të shtetit shqiptar!

Në pamundësi, me lejoni të veçoj, apo më saktë, t’ju ftoj të bashkojmë urimin tonë të përbashkët, nga thellësia e shpirtit, për disa grupe apo individë që na ftojnë për kujdesje dhe solidaritet më shumë se të tjerët.Urimin e parë e kam për fëmijët, bukuria e shtëpive tona, shpresa e së ardhmes sonë: Gëzuar të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, t’i kemi me jetë, të bukur, të shëndetshëm, të qeshur, të lumtur, plot dritë si e ardhmja që ëndërrojmë të ndërtojmë!Urimi ynë për një vit më të mirë dhe më të gëzueshëm shkon për ato familje që sot u mungojnë të afërmit e tyre, për jetimët, për fëmijët dhe familjet e të gjithë të rënëve në krye të detyrës.

Një urim të veçantë për të gjithë ata bashkatdhetarë, të cilët, për një arsye apo një tjetër, nuk janë pranë familjeve të tyre sonte, nuk festojnë në vatrat e ngrohta familjare. Kam parasysh të sëmurët në spitale. Kam parasysh të gjithë ata që kjo natë i gjen në krye të detyrës – mjekët, infermierët, forcat e rendit, punonjës të sektorëve të tjerë – duke qenë se vendi ka nevojë çdo çast për rend dhe shërbime.

Si gjithnjë le t’i japim rrugë urimit të veçantë, në emër të mbarë shqiptarëve, për forcat tona ushtarake në Afganistan dhe kudo tjetër ata shërbejnë e që mbajnë lart flamurin tonë kombëtar kuq e zi në përpjekjen e madhe botërore për paqe, rend, siguri e përparim.

Të gjithëve dua t’u them: të afërmit tuaj janë me ju sonte! Shqipëria është me ju, unë jam me ju. Gëzuar!

Motra dhe vëllezër,

Viti 2016 që po lëmë pas, veç vështirësive, ka shënuar edhe disa ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, që sonte i kujtojmë.

Dua ta filloj me një nga ngjarjet më gjithëpërfshirëse, siç ishte pjesëmarrja për herë të parë e ekipit tonë kombëtar të futbollit në Kampionatin Evropian, që u zhvillua në Francë. Ishte vërtet mbresëlënëse ajo që pamë në fushën e lojës dhe jashtë saj. Lojtarët e kombëtares dhe tifozeria jonë e jashtëzakonshme e transformuan muajin qershor në një muaj feste për të gjithë kombin duke i transmetuar mbarë globit fytyrën tonë të vërtetë, bukurinë e popullit shqiptar.

Më 22 korrik, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, miratoi konsensualisht Reformën Kushtetuese në Drejtësi, duke i hapur rrugë një ndryshimi thelbësor në sistemin tonë të drejtësisë, por dhe në tërësi marrëdhënieve mes tre pushteteve, atij Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor.

Viti 2017 duhet të jetë viti që kjo reformë të fillojë të flasë me vepra.

Më 4 shtator, u zhvillua në Vatikan ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës, kësaj gruaje të rrallë të njerëzimit, e cila i përkiste Shqipërisë nga gjaku dhe origjina.

Dy muaj më pas, më 5 nëntor, po në Vatikan, Papa Françesku, me urtësinë dhe lartësinë e misionit të tij të shenjtë, lumturoi 38 martirët e ekzekutuar gjatë regjimit komunist.

Këto janë ngjarje të mëdha për memorien tonë kolektive. Midis këtyre ngjarjeve kulmore ka plot ngjarje të tjera kuptimplotë që kanë shënuar vitin që po lëmë pas.

Të dashur bashkëqytetarë,

Hapja e Negociatave për anëtarësim do kish qenë një moment kulmor gëzimi në epilogun e këtij viti, e megjithatë ky vendim i Këshillit Evropian na ndërgjegjëson edhe më shumë se kemi ende shumë punë për të bërë dhe shumë sfida për t’u përballur.

Rezultatet konkrete me Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, në respektimin e të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbëjnë sprovën tonë të madhe.

Zgjedhjet e 18 qershorit të ardhshëm përbëjnë një moment vendimtar për demokracinë tonë. Standardi i këtyre zgjedhjeve është kriteri kryesor për një mundësi që të shkojmë më përpara në përmirësimin e jetës sonë të përditshme. Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kam dhe një apel të sinqertë, mbi të gjitha për liderët politikë.

Është koha për një marrëveshje politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është koha ta mbyllim një herë e përgjithmonë kapitullin e shitblerjes së votës, e kërcënimit të votuesit me bukën e përditshme;

Është koha të garojnë alternativat politike-ekonomike për t’i sigururar vendit një qeverisje më të mirë, për të rikthyer besimin tek politika, për të rikthyer shpresën tek qytetarët që vazhdojnë të largohen në masë.

Dua gjithashtu t’u përcjell një apel në cilësinë e Presidentit të Republikës të gjithë drejtuesve dhe përfaqësuesve të agjensive ligjzbatuese, Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimeve Inteligjente, partnerëve tanë ndërkombëtarë, shoqërisë civile, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Viti 2016 është një njollë e zezë për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Ky fenomen dhe mosluftimi i tij përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Ndaj, si qytetar shqiptar, si prind, që dua ta shoh, sikurse të gjithë ju, të ardhmen e fëmijëve të mi në këtë vend, gjej rastin t’i jap sërish zë këtij shqetësimi dhe të sensibilizoj opinionin publik mbi kërcënimin real të këtij fenomeni, aq më tepër në këtë vit zgjedhor.

Vështirësitë ekonomike, problemet dhe dramat e qytetarëve le të jenë një apel i ri për vendimarrësit, për drejtuesit e institucioneve dhe për politikanët në veçanti për të bërë atë që presin shqiptarët prej tyre.

Urimi im është që Viti 2017 të shënojë një kthesë të fortë e pozitive në gjithë politikëbërjen në vend për të kapur kohën e humbur, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, për mirëqenien, dinjitetin dhe sigurinë e gjithë qytetarëve.

Të dashur bashkëqytetarë,

Tani numërimi mbrapsht i minutave ka filluar. Të gjithë ju po bëheni gati të takoni gotat dhe të shkëmbeni përqafimet e momentit të ndërrimit të viteve.

Më lejoni t’ju uroj nga zemra të gjithëve: Gëzuar Vitin e Ri 2017!

Qoftë një vit i mbarë e i begatë për ju, familjen tuaj, të afërmit e miqtë tuaj, një vit i mbushur me më shumë dashuri, përkushtim dhe solidaritet në familjet tona, në shoqërinë tonë, në Shqipërinë tonë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Gëzuar!

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, bujar nishani, Mesazhi i urimit, të Presidentit të Republikës SH.T.Z.

ME 7 JANAR 2017 DO TË PËRKUJTOHET ABAZ KUPI NË NEW YORK

January 1, 2017 by dgreca


1-abazkupitv
Partija “Lëvizja e Legalitetit”- Dega e SHBA-së në bashkëpunim me familjen Kupi ka nderin të njoftojë komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbretërorët shqiptarë, anëtarët e partisë “Levizja e Legalitetit”, miqtë dhe dashamirët e familjes Kupi se edhe sivjet, si cdo vjet, ditën e Shtunë me datë 7 Janar 2017, në orën 12 në mesditë do të mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar, burrit që, në krye të trupave të Mbretit Zog, i zbardhi faqen Shqipërisë më 7 Prillin e 1939, dhe themeluesit të Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit.

1-major-abaz-kupi-1940

Të gjithë shqiptarët janë të mirëpritur.

1-abaz-kupi-dhe-maclean

Salla ku do të mbahet përkujtimorja ndodhet :ADRESA:127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, New York 11415

1-mithat-frasheri-e-abaz-kupi-londer-1949

Filed Under: Featured Tagged With: abaz kupi, DO TË PËRKUJTOHET, ME 7 JANAR 2017, ne New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 548
  • 549
  • 550
  • 551
  • 552
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT